ATV

Blog

  • Nis Kupa e Kosovës në volejboll, raundi i parë hap garën për trofe në edicionin 2025/26

    Nis Kupa e Kosovës në volejboll, raundi i parë hap garën për trofe në edicionin 2025/26

    Kupa e Kosovës në volejboll rikthehet në skenë me nisjen e raundit të parë për edicionin 2025/26, duke hapur një kapitull të ri garash në sezonin aktual. Për skuadrat e elitës, ky kompeticion përfaqëson një tjetër mundësi për trofe, në një format ku çdo ndeshje është eliminatore dhe gabimet paguhen shtrenjtë.

    Takimet e para do të zhvillohen më 24 dhe 25 shkurt, në të dyja konkurrencat – meshkuj dhe femra, me përballje që pritet të sjellin rivalitet të fortë dhe emocione në palestra.

    Në konkurrencën e meshkujve, Ulpiana do të përballet me Skënderbeun në “Palestrën e Re” në Lipjan. Të dyja skuadrat synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin në Kupë, duke parë këtë kompeticion si mundësi reale për sukses këtë sezon.

    Ndërkohë, te femrat do të zhvillohen dy takime interesante. Prishtina Elite pret Skenderajn në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në një duel ku vendaset synojnë të shfrytëzojnë përparësinë e terrenit. Në anën tjetër, Feniksi dhe Vëllaznimi do të përballen në Kamenicë, në një sfidë që pritet të jetë e balancuar dhe me intensitet të lartë.

    Me formatin eliminator që nuk lejon hapësirë për gabime, raundi i parë i Kupës së Kosovës pritet të ofrojë ndeshje të forta dhe surpriza, duke e bërë këtë fazë një nga më të ndjekurat nga tifozët e volejbollit vendor.

  • Mashtrim me prona në vlerë 1.57 milion euro në Prishtinë, katër të arrestuar

    Mashtrim me prona në vlerë 1.57 milion euro në Prishtinë, katër të arrestuar

    Prokuroria Themelore në Prishtinë bashkë me Policinë e Kosovës ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R., dhe B.Z., të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në bashkëkryerje”.

    Në komunikatë bëhet e ditur se i dyshuari M.M., dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi I dokumenteve”, ndërsa i dyshuari D.R. dyshohet edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.

    Sipas dyshimeve, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur faktet relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M., në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm matrial në vlerë prej 1,578,180.00 euro.

    Prokurori i shtetit, ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Njëkohësisht, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhërit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.

    Bëhet e ditur se Gjykata kompetente u ka caktuar të pandehurve M.M., S.B., D.R., dhe B.Z. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

  • Britania vendos sanksionet më të mëdha ndonjëherë ndaj Rusisë në përvjetorin e katërt të luftës

    Britania vendos sanksionet më të mëdha ndonjëherë ndaj Rusisë në përvjetorin e katërt të luftës

    Britania e Madhe vendosi sot sanksione ndaj gjigantit të naftësjellësit Transneft, ndër gati 300 subjekte ruse, në atë që e quajti paketën e saj më të madhe të masave që nga muajt e parë të luftës në Ukrainë.

    Duke njoftuar sanksionet në përvjetorin e katërt të luftës, qeveria tha se Transneft është një nga kompanitë më të mëdha të tubacioneve të naftës në botë dhe transporton më shumë se 80 përqind të eksporteve të naftës bruto të Rusisë.

    Qëllimi është të ulen më tej të ardhurat e Rusisë nga energjia. Sanksionet përfshijnë gjithashtu 48 anije cisternash nafte, tha qeveria.

    “ Britania ka ndërmarrë sot veprime vendimtare për të ndërprerë financimin kryesor, pajisjet ushtarake dhe rrjedhat e të ardhurave që mbështesin agresionin rus”, tha në një deklaratë Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper.

  • Ruben Silva Richards shpallet “Ylli i Javës” pas dy golave vendimtare ndaj FC Ballkani

    Ruben Silva Richards shpallet “Ylli i Javës” pas dy golave vendimtare ndaj FC Ballkani

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar traditën e ndarjes së çmimit “Ylli i Javës”, vlerësim që i takon futbollistit më të spikatur të xhiros në elitën e futbollit kosovar.

    Për javën e 21-të të këtij sezoni, ky çmim i është akorduar sulmuesit të FC Ferizaj, Ruben Silva Richards, i cili ishte protagonist absolut në fitoren 2:1 ndaj FC Ballkani. Richards realizoi dy gola vendimtarë, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të arta përballë kampionëve.

    Vlerësimi u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, ndërsa pas pranimit të çmimit, Richards u shpreh i lumtur dhe falënderues për ekipin.

    Sulmuesi vlerësoi gjithashtu nivelin e Superligës së Kosovës, duke e cilësuar si një kampionat me cilësi dhe organizim të mirë. Ai theksoi se është pritur ngrohtësisht nga bashkëlojtarët dhe ambienti në klub, ndërsa çmimin ia dedikoi kapitenit të ndeshjes, Mexhit Neziri, për kontributin dhe lidershipin e treguar në fushë.

    Me paraqitjen e tij vendimtare, Richards jo vetëm që i dha fitoren Ferizajt, por konfirmoi edhe formën e lartë personale në këtë fazë të kampionatit.

  • 64-vjeçari shqiptar tentoi të abuzonte seksualisht mevajzën me aftësi të kufizuara në Greqi, e bija: Ka ndodhur edhe me mua

    64-vjeçari shqiptar tentoi të abuzonte seksualisht mevajzën me aftësi të kufizuara në Greqi, e bija: Ka ndodhur edhe me mua

    Një dëshmi e fortë ka dalë në dritë në lidhje me Mark Precin, i dyshuar për tentativën e përdhunimit të një vajze me paralizë cerebrale në lagjen Kipseli në Athinë.

    Vajza e tij biologjike ka rrëfyer publikisht për mediat greke se edhe ajo ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga i ati, kur ishte 7 vjeç.

    “Më përdhunoi edhe mua në moshën 7 vjeçare, por nuk munda të gjej forcën ta denoncoj. Kisha frikë dhe nuk munda ta bëj atëherë. E mbajta brenda meje për shumë vite dhe tani erdhi momenti që ta them. U zumë keq dhe një herë ja thashë por tentoi të më nxjerrë të çmendur”, thotë vajza e tij, duke shtuar se tani nuk ka asnjë komunikim me të jatin por as me familjen e saj pasi të gjithë i besuan Precit.

    Ndërkohë që për kapjen e tij është mobilizuar e gjithë policia helene, mediat shkruajnë se autori i dyshuar fshihet diku në periferi të Athinës.

    Ngjarja ka tronditur gjithë opinionin vendas ndërsa policia greke u bën thirrje kujtdo që ka informacion për vend ndodhjen e tij, të kontaktojë me policinë lokale.

  • Vazhdojnë kërkimet në lumin Osum për gjetjen e Ilir Kurtit, të angazhuar 70 pjesëtarë të ushtrisë

    Vazhdojnë kërkimet në lumin Osum për gjetjen e Ilir Kurtit, të angazhuar 70 pjesëtarë të ushtrisë

    Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se ende janë duke vazhduar kërkimet për gjetjen e shtetasit të humbur Ilir Kurti në ujërat e lumit Osum.

    Kjo ministri tha se janë angazhuar 70 efektivë dhe se Forcat e Armatosura janë në koordinim me Policinë e Shtetit.

    “Kërkimet nuk ndalen në lumin Osum. Me përkushtim maksimal, 20 efektivë të Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe 50 efektivë nga Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile dhe Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut po vijojnë pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e shtetasit të humbur Ilir Kurti në ujërat e lumit Osum, pranë kanioneve në Skrapar në një angazhim të pandërprerë dhe të koordinuar me Policinë e Shtetit dhe MZSH. Me ndihmën e pajisjeve të specializuara, kërkimet po kryhen në të dy brigjet e lumit, nga kanionet deri në urën e Çorovodës”.

    Ministria e Mbrojtjes tha se Forcat e Armatosura po kryejnë detyrën me “përgjegjësi të plotë, gjithmonë pranë komunitetit”.

    “Shpresojmë në një përfundim sa më të shpejtë të operacionit”.

  • Noizy thirret në GjKKO – Çka ndodhi?

    Noizy thirret në GjKKO – Çka ndodhi?

    Sot në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion mbahet një tjetër seancë për procesin ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash kriminale.

    Sipas Tv Klan, në sallën e gjyqit do të jetë edhe Rigels Rajku, i njohur në publik si Noizy. Ky i fundit është thirrur si viktimë e veprës penale, pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës, të cilit iu vendos lëndë plasëse në qershor të vitit 2022.

    Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, tritoli u vendos me urdhër të Haxhiut, pas sherrit që kishte pasur këngëtari me një tjetër reper, Kleviol Ahmeti, ose siç njihet me pseudonimin Cllevio.

  • Ndeshja të zjarrta në Champions League, katër bileta për 1/8 e finales vendosen sonte

    Ndeshja të zjarrta në Champions League, katër bileta për 1/8 e finales vendosen sonte

    Mbrëmja e sotme sjell verdiktet e para të mëdha në fazën play-off të UEFA Champions League. Katër ndeshje kthyese do të vendosin skuadrat që do të prenë biletën për në 1/8 e finales, në një natë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën mes festës dhe zhgënjimit.

    Në “San Siro”, Inter Milan përballet me surprizën norvegjeze FK Bodø/Glimt. Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë, zikaltërit janë të detyruar të reagojnë dhe të tregojnë peshën e përvojës evropiane për të përmbysur rezultatin. Nga ana tjetër, Bodø/Glimt synon të vazhdojë rrugëtimin historik dhe të shkruajë një tjetër kapitull të artë në këtë edicion.

    Në Madrid, Atlético Madrid pret Club Brugge pas barazimit spektakolar 3-3 në takimin e parë. Spanjollët do të mbështeten në eksperiencën e ndeshjeve me eliminim direkt dhe atmosferën e zjarrtë në shtëpi, ndërsa belgët kërkojnë të shfrytëzojnë organizimin dhe shpejtësinë në kundërsulm për të befasuar sërish.

    Në Gjermani, Bayer Leverkusen hyn me avantazhin e fitores 2-0 ndaj Olympiacos. Gjermanët konsiderohen favoritë për ta mbyllur çështjen e kualifikimit, por skuadra greke njihet për karakterin luftarak dhe për faktin se nuk dorëzohet lehtë, duke e mbajtur përballjen të hapur deri në fund.

    Ndërkohë në Angli, Neëcastle United pret Qarabağ FK me një epërsi komode 6-1 nga ndeshja e parë. Për “Magpies” sfida duket më shumë si formalitet, por Qarabag ka dëshmuar se di të luftojë deri në sekondat e fundit dhe do të kërkojë të largohet me dinjitet nga kompeticioni.

    Katër stadiume, katër histori të ndryshme dhe vetëm një synim i përbashkët: një vend mes 16 më të mirëve të Evropës. Emocionet janë të garantuara, ndërsa mbrëmja do të japë përgjigjet përfundimtare.

  • Kusari-Lila nënshkroi kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi

    Kusari-Lila nënshkroi kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari –Lila ka nënshkruar kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

    Ajo përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pas miratimit të tij në Kuvendin e Republikës, hapet rruga për krijimin e Fondit për Inovacion.

    “Ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformave që burojnë nga Plani i Rritjes me BE-në. Në ditët në vijim do të organizohet një forum diskutimi me aktorë kyç, për të adresuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me Projektligjin”, ka shkruar Kusari-Lila.

    Tutje ajo ka thënë se me politika që kanë në fokus ndërmarrjet e reja dhe ato ekzistuese, si dhe zhvillimin e inovacionit dhe kreativitetit, do të ofrohet më shumë mbështetje për inovacionin, ndërmarrësinë dhe ekonominë kreative.

    Po ashtu Kusari-Lila përmes një postimi tjetër ka thënë se se ministri janë urë lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat.

    Kusari-Lila tregoi se kanë filluar takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është ura lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat. Angazhimi ynë është që politikat pro-biznes të mos mbesin vetëm në letër, por të përkthehen në masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Në këtë kuadër, kemi nisur takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave”, ka shkruar ajo.

    Tutje ministrja ka theksuar se një ditë më parë ka takuar përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

    “Me drejtorin Kushtrim Ahmeti dhe përfaqësuesit e kësaj dhome u dakorduam për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në adresimin e barrierave për bizneset, rritjen e prodhimit vendor dhe avancimin e konkurrueshmërisë. Theksova rolin kyç që kjo dhomë ka si përfaqësuese e interesave të sektorit privat dhe si partnere në ndërtimin e politikave që nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh Kusari-Lila.

    Gjatë këtij takimi ajo ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për fuqizimin e bizneseve private, me synim rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe krijimin e një klime më të favorshme për ndërmarrësi në Republikën e Kosovës.

  • Mallorca shkarkon Jagoba Arrasate, ndërsa Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë me rekorde në La Liga

    Mallorca shkarkon Jagoba Arrasate, ndërsa Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë me rekorde në La Liga

    RCD Mallorca ka zyrtarizuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Jagoba Arrasate, pas një periudhe me rezultate të luhatshme në këtë sezon të La Liga.

    Vendimi i klubit vjen në një moment delikat të kampionatit, me synimin për të hapur një kapitull të ri dhe për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll. Drejtuesit e Mallorcas theksuan se ndryshimi në pankinë shihet si një hap i nevojshëm për të rikthyer stabilitetin dhe për të rritur konkurrueshmërinë në javët vendimtare të sezonit.

    Në komunikatën zyrtare, klubi falënderoi Arrasaten dhe stafin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë periudhës në krye të skuadrës, duke u uruar suksese në sfidat e ardhshme.

    Pavarësisht luhatjeve kolektive, një nga pikat më të ndritura të këtij edicioni ka qenë forma e shkëlqyer e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi. Nën drejtimin e Arrasates, ai ka realizuar 16 gola këtë sezon dhe ka arritur shifrën e 50 golave në La Liga me fanellën e Mallorcas.

    Muriqi tashmë renditet si golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit në kampionat, duke lënë pas shumë emra të njohur. Rekordi vazhdon të mbahet nga Samuel Eto’o me 54 gola të shënuar për Mallorcan në La Liga.