ATV

Blog

  • Reuters: Irani afër një marrëveshjeje me Kinën për blerjen e raketave hipersonike

    Reuters: Irani afër një marrëveshjeje me Kinën për blerjen e raketave hipersonike

    Irani është pranë një marrëveshjeje me Kinën për të blerë raketa supersonike kundër anijeve, sipas një raporti nga agjencia ndërkombëtare Reuters, e cila citoi gjashtë persona me njohuri për negociatat.

    Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po vendosin një forcë të madhe detare pranë bregdetit iranian në pritje të sulmeve të mundshme kundër Republikës Islamike.

    Sipas burimeve të Reuters, marrëveshja për raketat CM-302 të prodhuara në Kinë është afër përfundimit, por ende nuk është rënë dakord për një datë dorëzimi.

    Këto raketa hipersonike kanë një rreze veprimi prej rreth 290 kilometrash dhe janë të projektuara për të shmangur sistemet mbrojtëse të anijeve duke fluturuar ulët dhe me shpejtësi të lartë. Vendosja e tyre do të rriste ndjeshëm aftësitë ofensive të Iranit dhe do të përbënte një kërcënim për forcat detare amerikane në rajon.

    Negociatat me Kinën për të blerë sistemet raketore, të cilat filluan të paktën dy vjet më parë, thuhet se u përshpejtuan papritur pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit qershorin e kaluar. Ndërsa bisedimet hynë në fazën e tyre përfundimtare verën e kaluar, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë iranianë thuhet se udhëtuan për në Kinë, raporton Reuters.

    “Loja do të ndryshonte plotësisht nëse Irani do të fitonte një aftësi hipersonike për të sulmuar anijet në rajon”, i tha agjencisë Danny Citrinovich, një ish-oficer i inteligjencës izraelite dhe studiues i Iranit. “Këto raketa janë shumë të vështira për t’u kapur”.

    Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte se sa raketa përfshihen në marrëveshje, sa ka rënë dakord të paguajë Irani apo nëse Kina do të vazhdojë përfundimisht me përfundimin e saj, duke pasur parasysh tensionin e shtuar në rajon.

    “Irani ka marrëveshje me aleatët e tij dhe tani është koha e duhur për t’i përdorur ato”, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme iraniane për Reuters.

    Në një koment të dërguar pas publikimit, Ministria e Jashtme e Kinës tha se nuk ishte në dijeni të bisedimeve rreth një shitjeje të mundshme të raketave. Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk iu përgjigj një kërkese për koment, shkruan Euronews.al.

    Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi menjëherë raportin.

  • Sigal Prishtina përballë sfidave, Maloku: Klubi nuk do të shuhet, do të ringrihet më i fortë

    Sigal Prishtina përballë sfidave, Maloku: Klubi nuk do të shuhet, do të ringrihet më i fortë

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtina, Luan Maloku, reagoi publikisht për situatën aktuale në klub, duke folur hapur për sfidat financiare dhe procesin në Gjykatwn e Arbitrazhit të Basketbollit, por edhe për të dhënë një mesazh shprese për tifozët dhe komunitetin sportiv.

    Para një numri të madh gazetarësh, Maloku nisi fjalimin me një deklaratë që tërhoqi menjëherë vëmendjen:

    “Po e shoh këtë zyrë sot më të mbushur se kurrë me media. Ndoshta keni ardhur për të dëgjuar lajmin e keq, që klubi po shuhet. Por unë jam këtu për t’ju dhënë lajmin e mirë.”

    Ai pranoi se Sigal Prishtina po përballet me një periudhë të vështirë, përfshirë sfidat financiare dhe çështjet në gjykatë, por theksoi se brenda klubit ekziston një unitet dhe vendosmëri e jashtëzakonshme.

    “Edhe pse kemi shumë probleme, duke përfshirë faktin që jemi në BAT, ju garantoj se ky klub është më i bashkuar se kurrë. Brenda nesh ka më shumë vendosmëri, më shumë besim dhe më shumë vullnet për të ecur përpara,” deklaroi Maloku.

    Drejtori i përgjithshëm i klubi të trofeshëm kosovar theksoi se as sfidat ligjore, as ato financiare nuk do ta ndalojnë klubin nga rruga e suksesit:

    “Sigal Prishtina nuk do të shuhet. Përkundrazi, do të ringrihet edhe më e fortë. Ne do të ecim përpara drejt sukseseve, ashtu siç e kërkon historia dhe pesha e këtij emri.”

    Deklarata e Malokut vjen në një moment delikat për klubin, por mesazhi ishte i qartë: sfidat aktuale janë të përkohshme dhe Sigal Prishtina synon të kthehet fuqishëm në arenën e basketbollit vendor, duke mbajtur gjallë emrin dhe traditën e tij të pasur me trofe.

    Klubi mbetet i përkushtuar për të ruajtur unitetin e skuadrës, për të përballuar vështirësitë dhe për të ofruar performanca të larta në garat e ardhshme, duke dërguar një mesazh optimizmi për tifozët bardhekaltër.

  • Winston Lee, amerikani që u bë mësues në një shkollë në Suharekë

    Winston Lee, amerikani që u bë mësues në një shkollë në Suharekë

    Winston Lee ka ndarë në emisionin “Studio A” në ATV historinë e tij të veçantë – nga Shtetet e Bashkuara drejt Kosovë, ku ka zgjedhur të jetojë dhe të punojë si mësues i gjuhës angelze, në Suharekë.

    Gjatë gati dy viteve të fundit, ai ka ndarë jetën mes klasave, aktiviteteve me nxënësit dhe përvojave të veçanta që vetëm jeta në një vend të huaj mund t’i ofrojë.

    Në emisionin “Studio A” në ATV, Winston foli për aventurat e tij, kujtimet më të bukura dhe sfidat që ka hasur, duke theksuar mikpritjen dhe ngrohtësinë e komunitetit të Suharekës.

    Ai tha se kjo përvojë e ka pasuruar jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht.

    Sot, Suhareka për të nuk është thjesht një vend pune, por një shtëpi e dytë.

    Për më shumë, ndiqni intervistën e plotë të Winston Lee në videon e mëposhtme:

     

  • Takimi me Sorensen, Kurti: Kosova e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Takimi me Sorensen, Kurti: Kosova e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Albin Kurti, kryeministër i vendit, ka shkruar për takimin e djeshëm që ka pasur me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Në postimin e tij të bërë në rrjetin social ‘’X’’, Kurti ka thënë se në takim kanë diskutuar për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përcjell Express.

    Ai ka shkruar edhe se, Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes së ndërsjellë.

    ‘‘Dje mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes së ndërsjellë’’, ka shkruar Kurti.

  • “6 muaj nuk komunikuam sepse nëna ndërhyri në jetën time” –  Aleksandra Qirjazi rrëfen çfarë ndodhi mes saj dhe nënës

    “6 muaj nuk komunikuam sepse nëna ndërhyri në jetën time” – Aleksandra Qirjazi rrëfen çfarë ndodhi mes saj dhe nënës

    E ftuar në emisionin “Studio A” në ATV, Aleksandra Qirjazi ka ndarë një histori personale rreth një periudhe të vështirë në raport me prindërit, duke zbuluar se për disa muaj nuk ka pasur komunikim me ta.

    Ajo u shpreh se fakti që është rritur në Angli ka ndikuar në mënyrën si e sheh privatësinë, duke theksuar se nuk e pranon ndërhyrjen e askujt në çështjet e saj familjare, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që nuk foli me nënën e saj.

    “Nga që jam rritur në Angli dhe nuk i kam qejf njerëzit që ndërhyjnë në mes të familjes, ishte diçka që unë kisha me burrin dhe mami u fut në mes. Ishte unë ajo që e shtyva, duke i thënë se është jeta ime dhe unë bëj çfarë dua. Nuk dua që të ndërhysh në jetën time, në familjen time”, u shpreh ajo.

    Megjithatë, ajo theksoi se më pas ishte nëna e saj ajo që u zbut dhe hodhi hapin e parë drejt pajtimit.

    Në fund të deklaratës, Qirjazi pati edhe një mesazh falënderimi për prindërit e saj:

    “Faleminderit për suportin, ndihmën. Shpresoj t’ju bëj krenarë”.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhmte:

     

  • Kusari: VV-ja për herën e dytë kundërshtoi dëgjimin e dy gazetareve që u larguan nga puna në RTK

    Kusari: VV-ja për herën e dytë kundërshtoi dëgjimin e dy gazetareve që u larguan nga puna në RTK

    Juristja e medias, Flutura Kusari, ka raportuar nga mbledhja e Komisionit parlamentar për Media.

    Ajo ka thënë se kryetarja e komisionit nga PDK, Ariana Shoshi Musliu, ka përsëritur propozimin për organizimin e një dëgjimi publik për dy gazetaret e larguara nga RTK-ja.

    Sipas Kusarit, deputeti i Vetëvendosjes Fitim Haziri e ka kundërshtuar këtë ide me arsyetimin se nuk ka bord funksional dhe se duhet të priten vendimet e Inspektoratit.

    Po ashtu, zëvendëskryetari i komisionit nga VV, Alban Bajrami, ka deklaruar se përgjegjësia bie mbi bordin e RTK-së, i cili aktualisht mungon, dhe se fillimisht duhet të ketë një vendim nga Inspektorati.

    Kusari thekson se kjo është hera e dytë që çështja e dëgjimit publik diskutohet në komision dhe kundërshtohet nga VV-ja.

  • Dërguti: Nëse ka konsensus për presidentin, së pari duhet të jetë i pranueshëm për Kurtin

    Dërguti: Nëse ka konsensus për presidentin, së pari duhet të jetë i pranueshëm për Kurtin

    Opinionistja Aida Dërguti, ka folur mbi çështjen e presidentit , zhvillim ky që ka hyrë në javën vendimtare.

    Dërguti tha se kryeministri Albin Kurti është komod si në zgjedhjen e një presidenti, ashtu edhe në shkuarjen në zgjedhje të reja.

    Pos tjerash, ajo shtoi se nëse ka konsensus për shefin e shtetit, kjo figurë, siç tha ajo, duhet të jetë e pranueshme për Kurtin.

    “Mendoj që fituesi i këtyre zgjedhjeve e ka komoditetin për cilindo opsion. Nëse ka konsensus për president, së pari duhet të jetë i pranueshëm për Albin Kurtin, apo jo? Dhe kjo do të jetë në rregull për të mos shkuar në zgjedhje. Apo në versionin e dytë, ku shpreson që edhe çështjen e presidentit duhet ta ketë në duar, ku ka një situatë të përsosur ku faji do t’i mbetet opozitës”, tha Dërguti.

  • Petrit Selimi: Gjykata Speciale ka dëmtuar kredibilitetin e Perëndimit në mënyrë të pakthyeshme

    Petrit Selimi: Gjykata Speciale ka dëmtuar kredibilitetin e Perëndimit në mënyrë të pakthyeshme

    Ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, ka shkruar rreth historikut të krijimit të Gjykatës Speciale dhe presionit të madh ndërkombëtar që ekzistonte atë kohë.

    Selimi në një postim në “X” ka thënë se përgjatë kësaj kohe janë shpenzuar miliarda dollarë për Specialen dhe sipas tij, asnjë diplomat që e ka takuar, evropian apo amerikan, nuk është krenar në rolin e luajtur për krijimin e Speciales.

    “Secili prej tyre shpreh keqardhje dhe po, turp”, ka shkruar Selimi.

    Sipas tij, Specialja e ka dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme besueshmërinë e Perëndimit në Kosovë.

    “Gjyqtarët do të duhet ta lirojnë Thaçin nga akuzat. Dëshmitarë të shquar të mbrojtjes dhe avokatët e udhëheqësve të UÇK-së sollën prova më se të mjaftueshme për të krijuar dyshime më shumë se të arsyeshme mbi çështjen e prokurorisë. Por dëmi i shkaktuar besueshmërisë perëndimore në Kosovë është i pariparueshëm”, ka shkruar Selimi.

  • Komëbtarja e Kosovës në konkurrencen e fermave, nis kualifikimet për Botërorin 2027

    Komëbtarja e Kosovës në konkurrencen e fermave, nis kualifikimet për Botërorin 2027

    Sami Sermaxhaj, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës për vajza, ka bërë publike listën e futbollisteve të ftuara për dy ndeshjet e para të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2027.

    Dardanet do të nisin aventurën e re në Ligën C, Grupin C2, ku përballë do të kenë Kroacinë, Gjibraltarit dhe Bullgarinë. Këto dy ndeshje janë vendimtare për të nisur sezonin me ritëm pozitiv dhe për të konsoliduar formacionin para fazave të mëtejshme të kualifikimeve.

    Ndeshja e parë do të zhvillohet më 3 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Kosova do të presë Gjibraltarin. Për Dardanet, kjo sfidë përbën një mundësi për të marrë një start të fortë dhe për të dhuruar spektakël për tifozët vendas.

    Vetëm katër ditë më vonë, më 7 mars, Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë drejt Kroacisë për të përballuar skuadrën e këtij vendi në stadiumin “Branko Čavlović-Cavlek” në Karlovac. Kjo ndeshje pritet të jetë më e vështirë, por një mundësi e shkëlqyer për vajzat kosovare të tregojnë karakter dhe potencial në arenën ndërkombëtare.

    Ky cikël kualifikues shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Kombëtares së Kosovës për vajza drejt Botërorit të 2027-s, duke i dhënë mundësi stafit teknik të testojë formacionin dhe të forcojë skuadrën për sfidat e ardhshme.

  • Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës

    Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Republikën e Kosovës, Olga M. Sauma Uribe.

    Me këtë rast, Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

    Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.

    Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë.

    “Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.Në përmbyllje, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Kosta Rikën dhe me shtetet e tjera të Amerikës Latine në avancimin e prioriteteve të përbashkëta për paqe, demokraci dhe zhvillim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.