ATV

Blog

  • Tragjike në Tiranë, makina përplas për vdekje një 7-vjeçar

    Tragjike në Tiranë, makina përplas për vdekje një 7-vjeçar

    Një 7-vjeçar vdiq sot në Tiranë pasi u përplas nga një makinë.

    Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:20, në rrugën “Kastriotët”. Sipas policisë, shoferi i makinës, identiteti i të cilit nuk dihet, pasi përplasi të miturin u largua nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë atij as ndihmën e parë.

    7-vjeçari u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë. Në njoftimin e saj për mediat, policia e Tiranës thotë se po punon për të identifikuar shoferin dhe kapjen e tij.

    “Rreth orës 11:20, në rrugën ‘Kastriotët’, një automjet me drejtues ende të paidentifikuar ka përplasur një shtetas të mitur rreth 7 vjeç dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, i mituri ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Italia në krah të Kosovës, Haxhiu vlerëson mbështetjen e vazhdueshme

    Italia në krah të Kosovës, Haxhiu vlerëson mbështetjen e vazhdueshme

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka mirëpritur në takim ambasadorin italian, Maurizio Antonini.

    Në njoftim bëhet me dije se gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve, si dhe aktualiteti në vend, me theks të veçantë Kuvendi.

    “Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Italisë, duke theksuar se shteti italian ishte në krah të Kosovës dhe qytetarëve të saj në çdo fazë të zhvillimit. Kryetarja gjithashtu nënvizoi ecurinë pozitive në funksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe rritjen e angazhimit për realizimin e agjendës së punës”, thuhet në njoftim.

    Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe fuqizim të partneritetit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë, duke përfshirë zgjerimin e kontakteve dhe shkëmbimeve në nivel parlamentar.

  • Si të kuptoni nëse keni gurë në veshka – Çfarë duhet të bëni?

    Si të kuptoni nëse keni gurë në veshka – Çfarë duhet të bëni?

    Gurët në veshka janë depozita mineralesh dhe kripërash që formohen në brendësi të veshkave.

    Prania e tyre mund të ndikojë çdo pjesë të traktit urinar.

    Gurët në veshka shkaktojnë një sërë simptomash siç janë: dhimbjet, vështirësia në urinim, të përziera e të vjella.

    Si Mund Të Dalloni Praninë E Gurëve Në Veshka?

    Shenjat treguese të gurëve të mundshëm në veshka mund të përfshijnë:

    Ndjesia e djegies gjatë urinimit,

    Urinë me njolla gjaku,

    Dhimbje abdominale ose në pjesën e sipërme të mesit.

    AgroWeb.org ju rekomandon këshillimin me mjekun nëse vëreni këto shenja.

    A Mund Të Përdoren Medikamente Kundër Tyre?
    Kohët e fundit, industria farmaceutike ka prodhuar medikamente të reja, kryesisht për relaksimin e muskujve dhe eliminimin e dhimbjes.

    Këto medikamente mund të lehtësojnë dhimbjen dhe të ndihmojnë në largimin e veshkave në mënyrë natyrale.

    Mjeku mund t’ju këshillojë edhe medikamente që parandalojnë formimin e mëtejshëm të gurëve.

    A Është E Nevojshme Kirurgjia?
    Ndërhyrja kirurgjikale bëhet e nevojshme në rast se gurët kanë arritur një madhësi të caktuar. Mjeku e përcakton rrezikun.

    Mjekësia moderne ka avancuar ndjeshëm në këtë drejtim dhe shpesh ndërhyrjet e brendshme janë krejt minimale.

    Ka procedura siç është litotripsia që zgjast një orë dhe shkrijnë në tërësi prej së jashtmi të gjithë gurët e pranishëm.

    Më pas është ureteroskopia, një metodë me endoskop, e cila thyen gurët me lazer kur ata kanë ngecur brenda fshikëzës urinare.

    Një nga metodat e përdorura është gjithashtu lithotripsia perkutane ultrasonike e cila ka të bëjë me një ndërhyrje minimale në pjesën e sipërme të mesit.

    Kjo procedurë bëhet teksa pacienti i është nënshtruar anestezisë së përgjithshme.

    A Mund Të Parandalohet Rishfaqja e Gurëve
    Nëse jeni prekur nga gurët në veshka, gjasat janë të larta që në harkun kohor të 10 viteve, të vuani sërish nga i njëjti problem.

    Ekspertët thonë se njeriu duhet të identifikojë faktorët e rrezikut dhe t’i përmbahet një regjimi të shëndetshëm ushqimor. /AgroWeb.org

    * Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

  • Hurmat e Arabisë, nëntë llojet më të shëndetshme

    Hurmat e Arabisë, nëntë llojet më të shëndetshme

    Hurmat e Arabisë janë fruta të shijshme dhe shumë të shëndetshme.

    Në të vërtetë, hurmat e Arabisë është një term që përfshin me dhjetëra varietete frutash që janë të shëndetshme.

    Në Shqipëri, dyqane të ndryshme kanë lloje të ndryshme të hurmave të arabisë.

    Në këtë artikull, AgroWeb.org ka renditur 9 hurmat më të mira të Arabisë.

    Hurmat Ajwa
    Këto njihen si ‘Mbretëresha e Hurmave’ sepse besohet të kenë qenë të preferuarat e Profetit Muhamed të fesë Islame.

    Ato janë të buta dhe më të thata.

    Këto hurma njihen për aftësinë që kanë në forcimin e imunitetit.

    Hurmat Medjool
    Ky frut rritet në vende me klimë të nxehtë e të thatë siç është Lindja e Mesme, Afrika dhe Kalifornia.

    Ato nuk përmbajnë sheqer dhe janë ideale për pacientët diabetikë.

    Këto hurma janë të pasura me vitamin, minerale dhe energji.

    Hurmat Kalmi
    Këto fruta e kanë origjinën nga Omani.

    Janë fruta të zeza, të vogla me formë cilindrike.

    Ato janë të pasura me kalium dhe parandalojnë diarenë.

    Hurmat Mabroom
    Këto hurma njihen si fruta të cilësisë së parë.

    Janë natyralisht të pasur me minerale dhe antioksidantë.

    Janë të ëmbla dhe përtypen me lehtësi.

    Hurmat Ambera
    Këto hurma mbajnë vulën e cilësisë më absolute të frutave të thata.

    Ato vijnë nga Medina, në Arabinë Saudite.

    Janë të mëdhaja në përmasa dhe kanë aftësi të përmirësojnë shërimin natyral të organizmit.

    Hurmat Khudri
    Kanë formë cilindrike dhe gjenden në përmasa mesatare ose të mëdha.

    Kanë ngjyrë kafe me nuance të kuqe dhe të japin energji të menjëhershme që në kafshatën e parë.

    Hurmat Zahidi
    Janë hurmat më të shijshme të Iranit.

    Kanë një ngjyrë të çelët të verdhë dhe formë rrumbullake.

    Këto hurma përmbajnë sasi të larta të vitaminave A, B, C dhe minerale që përmirësojnë qarkullimin e gjakut.

    Hurmat Safawi
    Vijnë nga Arabia Saudite dhe janë të ëmbla e të mëdha.

    Këto hurma përdoren kryesisht për të trajtuar aneminë dhe intoksikimin.

    Hurmat Sukarri
    Edhe ky varietet vjen nga Arabia Saudite.

    Janë tejet të ëmbla dhe të qullëta.

    Ato të japing një dozë të menjëhershme energjie.

  • Komuna e Mitrovicës në aksion: Ndalen punimet e paautorizuara në rrugën “Ali Zeneli”

    Komuna e Mitrovicës në aksion: Ndalen punimet e paautorizuara në rrugën “Ali Zeneli”

    Drejtori i Inspekcionit z.Mujë Igrishta, së bashku me inspektorë komunal pas pranimit të informatës për zhvillimin e punimeve të paautorizuara në rrugën “Ali Zeneli”, ka dalë në terren për të verifikuar situatën.

    Në vendin e ngjarjes është konstatuar se punimet po zhvilloheshin pa pëlqimin e institucioneve kompetente, me ç’rast janë ndërmarrë veprimet për ndalimin e menjëhershëm të punimeve ilegale.

    Drejtori z.Mujë Igrishta ka njoftuar se ndaj personave përgjegjës do të ndërmerren veprime ligjore, dhe se do të ndëshkohen të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

  • Kurti takon ambasadoren jorezidente të Kanadasë, ia rikonfirmon mbështetjen ndaj Kosovës

    Kurti takon ambasadoren jorezidente të Kanadasë, ia rikonfirmon mbështetjen ndaj Kosovës

    Albin Kurti priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt, në takimin e parë ndërmjet tyre në mandatin e ri qeverisës.

    Ambasadorja Blitt e uroi Kurtin për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë për Kosovën.

    Sipas ZKM-së, Kryeministri falënderoi për bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, ku pjesëtarë të FSK-së po trajnohen në akademitë ushtarake në Kanada, si dhe theksoi prioritetet për investime strategjike infrastrukturore dhe rritje të investimeve në mbrojtje.

    Ai falënderoi Kanadanë edhe për mbështetjen ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC) që mbahet në Toronto më 1–4 mars.

    Kanadaja, anëtare e G7 dhe NATO-s, u vlerësua si shtet mik dhe partner i rëndësishëm, ndërsa u theksua përkushtimi për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

  • Propozohet të dëgjohen gazetarët e larguar nga puna në RTK, deputetët e VV-së: S’jemi inspektorat i punës

    Propozohet të dëgjohen gazetarët e larguar nga puna në RTK, deputetët e VV-së: S’jemi inspektorat i punës

    Kryetarja e Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Ariana Musliu-Shoshi ka përsëritur propozimin për dëgjim publik në muajin mars për punëtorët e larguar nga puna së fundmi nga Radio Televizionin i Kosovës (RTK), por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri ka thënë se nuk janë ata inspektorati i punës, dhe se fillimisht duhet të pritet vendimi i këtij inspektorati për t’i dëgjuar.

    “Kemi diskutuar paraprakisht që të ftojmë në dëgjim publik tri vajzat të cilat janë larguar nga puna në RTK dhe anëtarët e Bordit, dhe këtë kam menduar ta bëjmë në fillim të muajit mars”, tha Musliu-Shoshi.

    Edhe deputetja nga PDK, Ganimete Musliu kërkoi që të caktohet data dhe të dëgjohen deklaratat e tyre.

    “Në parim jemi dakorduar që kjo të bëhet dhe mendoj se sot duhet ta caktojmë një datë se kur jemi të gatshëm që ne të procedojmë me këtë çështje”, potencoi Musliu.

    Por njësoj nuk mendon deputeti i LVV-së, Fitim Haziri.

    “Edhe atë ditë është diskutuar kur e mbajtëm mbledhjen, unë nuk ndërhyra dhe mendoj se si komision nuk na takon neve të thërrasim menaxhmentin e RTK-së përderisa nuk kemi bord të RTK-së. Nuk ke mundësi me thirr drejtorin pa e thirr bordin, sepse nuk e lejon rregullorja. Ne nuk e dimë çka ka ndodhë. Së pari duhet me kalu, janë disa faza. Ato, nëse me të vërtetë janë largu prej punës padrejtësisht, së pari i drejtohen Inspektoratit të Punës dhe ne duhet me prit, sepse nuk mundemi me luajt rolin e Inspektoratit. Me pasë qenë ndonjë organizatë tjetër, ato i ishin drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë dhe kishim prit vendimin e tyre. E presim vendimin e Inspektoratit të Punës dhe nëse ka pasë të drejtë, do të sqarojë çdo send vendimi. Nuk mundemi me luajt rolin e Inspektoratit të Punës. Nuk jemi Inspektorat”, tha ai.

    Por këtu ai mori një përgjigje nga kryetarja e Komisionit, duke i thënë s’ka ligj dhe rregullore që e ndalon seancën dëgjimore.

    “Mendoj që kërkush nuk na ndalon, as ligji, as rregullorja, që të kemi seanca dëgjimore. Nëse është kërkesë e tyre, ne duhet ta trajtojmë patjetër. Kushdo që ka kohë prej deputetëve, mundet me i dëgju, por nëse nuk keni mundësi, mundeni mos me ardhë”, iu përgjigj Musliu-Shoshi.

    Ndërsa, Time Kadrija nga AAK tha se si komision do të mbikëqyrin cdo insisitucion që është në kompetencën e saj.

    “Mendoj që kryetarja e tha shumë mirë. Ajo çka na lejon ligji me mbikëqyrë dhe me bo, nuk duhet t’i ikim përgjegjësisë si komision. Ajo çka nuk është kompetencë e këtij komisioni dhe është antiligjore, ne nuk e bëjmë. Ne duhet me pa bazën ligjore, a kemi të drejtë edhe për ndërmarrje publike me i mbikëqyrë. Nuk do t’i ikim mbikëqyrjes së asnjë institucioni që bie në fushëveprimtarinë e këtij komisioni”, tha Kadrijaj./EO/

  • Haxhi Avdyli: Unë do të votoja për Vjosa Osmanin, por ne në Guxo jemi pak

    Haxhi Avdyli: Unë do të votoja për Vjosa Osmanin, por ne në Guxo jemi pak

    Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një emër për president, por as partnerët e saj nga partia Guxo, e cila është themeluar si iniciativë nga Vjosa Osmani, nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë për të mbledhur nënshkrime për zyrtarizimin e kandidaturës për rizgjedhjen e saj, ndonëse ka kohë që ajo i ka shfaqur synimet për një mandat të dytë presidencial.

    Haxhi Avdyli, deputet nga Guxo, në një bisedë me KALLXO.com, tha se si grup brenda Lëvizjes Vetëvendosje janë pak dhe se për president duhen 80 vota.

    “Nëse flasim personalisht, unë e vlerësoj shumë performancën dhe angazhimin e deritashëm të Presidentes Osmani dhe vota ime do të ishte pro saj nëse është kandidate. Por ne jemi pak vota, sepse për ta zgjedhur një president nuk varet nga vullneti apo dëshira personale, [por] varet nga konsensusi, kompromisi i përgjithshëm, pasi duhen 80 vota”- tha Avdyli.

    Ai shpreson që bisedimet që kanë filluar mes partive të prodhojnë një emër që i shërben interesave të Kosovës.

    Në përgjigjen telefonike për KALLXO.com, Avdyli ka konfirmuar se si Guxo nuk kanë filluar të mbledhin nënshkrimet për kandidaturën e Osmanit.

    “Nuk kemi filluar me nënshkrime sepse akoma jemi në fazën e konsultimit.”- tha ai.

    Procesi i zgjedhjes së presidentit, sipas tij, megjithatë ka marrë udhë dhe konsultimet mes partive shihen prej tij në frymë pozitive. Deputetët e Guxo-s brenda LVV-së, siç thotë ai, do të kenë rol pozitiv në këtë proces.

  • Deputetja e LDK-së kërkon në Komisionin për Ekonomi kontratat e energjisë për pesë vitet e fundit

    Deputetja e LDK-së kërkon në Komisionin për Ekonomi kontratat e energjisë për pesë vitet e fundit

    Deputetja e LDK-së kërkon në Komisionin për Ekonomi kontratat e energjisë për pesë vitet e fundit

    Anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Janina Ymeri ka kërkuar kontratat e shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike për pesë vitet e fundit gjatë mbledhjes së këtij komisioni, raporton Ekonomia Online.

    Ndërkaq, Valon Ramdani nga Lëvizja Vetëvendosje u tha se të bëhet kërkesa për 26 vitet e fundit dhe që të hidhet si propozim për rend dite.

    “Unë jam jo vetëm për këto data që tha deputetja Imeri, por për krejt datat, çfarëdo që ka nevojë. Kërkesë nëse kemi edhe ne për data më herët e tash, por mendoj që kjo duhet me u diskutu edhe duhet me u kërku në njërën prej mbledhjeve që do t’i mbajmë në vazhdim. Nëse ka nevojë, le të jetë edhe pikë e rendit të ditës; të diskutohet njëherë e tani të kërkohen edhe datat, jo vetëm datat që i kërkoi deputetja Ymeri, po edhe datat që na interesojnë ndoshta edhe më herët”, tha Ramadani.

    Por një sqarim erdhi nga Ymeri duke thënë se kërkesa e saj nuk ka të bëjë me çështje politike.

    “Sa për mua, prej vitit 2000 nuk prish punë. 2000–2026 edhe krejt shihet, pavarësisht partisë. Edhe jam në dakord me deputetët e opozitës; nuk është çështje politike, si po e bëjnë disa prej partive, por sa është duke u dëmtuar buxheti, sidomos buxheti i qytetarëve. Unë e propozoj, kryetar, që javën tjetër të jetë në rend të ditës, edhe ju i mendoni vitet që keni me kërku këto kontrata që i bini. Po nëse ju pajtoheni që sot të mos kalojmë te kjo pikë e Komisionit, as javën tjetër në rend dite, edhe më këshillohet që të shkruaj veçmas, unë si deputete jam në rregull, edhe pse jam zëvendëskryetare, jam në rregull, tentoj si deputete”, u shpreh ajo.

  • ​5 milionë euro ndahen për gratë ndërmarrëse dhe zonat rurale në Kosovë

    ​5 milionë euro ndahen për gratë ndërmarrëse dhe zonat rurale në Kosovë

    Agjencia Franceze për Zhvillim e përfaqësuar nga Proparco ka nënshkruar marrëveshje financimi me Agjencionin për Financim në Kosovë në vlerë prej 5 milionë eurosh, e cila synon fuqizimin e grave dhe komunitetit rural.

    Nga shuma 5 milionë euro, 3 milionë prej tyre janë ndarë për gratë ndërmarrëse, ndërsa, 2 milionë të tjera për zonat rurale.

    Ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerot vlerëson se me këto kredi do të fuqizohen gratë dhe sipërmarrësit në zonat rurale.

    Guerot theksoi se sa më shumë gratë janë të përfshira në biznes, aq me fortë bëhet Kosova.

    “Për ne, kjo është shumë e rëndësishme, sepse kjo kredi do të ndihmojë gratë dhe sipërmarrësit në zonat rurale. Mbështetja e grave, e sidomos grave sipërmarrëse, është shumë e rëndësishme. Kosova është një vend i grave të forta. I takoj çdo ditë në institucione, në politikë si në shumicë ashtu edhe në opozitë si dhe në biznes. Sa më shumë gra të ketë në këtë vend, aq më e fortë është Kosova. Nëse të gjitha gratë kanë qasje në biznes, politikë apo në jetën publike në përgjithësi, Kosova do të jetë dyfish më e fortë…01:20 Kosova është një vend me qytete të bukura, por edhe me një peizazh të jashtëzakonshëm. Ne po përpiqemi ta promovojmë këtë peizazh në mënyra të ndryshme. Kemi mbështetur një skemë nga Ministria e Bujqësisë për blerjen e lopëve. Po ashtu, po mbështesim aktivitete në fushën e biodiversitetit”, tha ai.

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Financim në Kosovë (AFK), Xhevdet Spahija theksoi se bashkëpunimi prej 5 milionë eurosh me Proparco do të shkojë kryesisht për kreditimin e grave ndërmarrëse dhe grave në bujqësi.

    Ai theksoi se AFK, që nga viti 1999, ka shpërndarë rreth 500 milionë euro përmes afro 165 mijë kredive.

    “Ky bashkëpunim me Proparco i cili është prej 5 milionë euro do të shfrytëzohet më tepër për kreditim të femrave ndërmarrëse si dhe femrave në bujqësi. Deri më tani AFK ka shpërndarë diku afër 500 milionë euro me diku 165 mijë kredi është një institucion mikrofinanciar mjaftë i suksesshëm i cili vepron nga viti 1999”, tha ai.

    Drejtori Regjional për Euroazi në Proparco, Steve Gardon u shpreh se partneriteti synon ta bëjë zhvillimin ekonomik në Kosovë më gjithëpërfshirës.

    Ai theksoi se fokusi do të jetë në mbështetjen e grave sipërmarrëse dhe në financimin e bizneseve në zonat rurale, ku mungesa e qasjes në financa është më e theksuar.

    “Ky partneritet do të jetë për dy gjëra. Së pari, te mbështetja e grave sipërmarrëse. Kjo është një nga shtyllat kryesore të strategjisë globale të Proparco-s dhe të Francës për të mbështetur gratë në biznes, për të vënë në dispozicion financim që të rrisin mundësitë e tyre dhe të kontribuojnë gjithnjë e më shumë në ekosistemin ekonomik. Së dyti, mbështetja e sipërmarrjes në zonat më rurale, ku hendeku i financimit është më kritik dhe ku mbështetja e njerëzve të AFK-së, për shembull, është më së shumti e nevojshme”, ka deklaruar ai.