ATV

Blog

  • Pas takoi Kurtin e Konjufcën , Sorensen shkon në Beograd, nesër i takon Vuçiqin e Petkoviqin

    Pas takoi Kurtin e Konjufcën , Sorensen shkon në Beograd, nesër i takon Vuçiqin e Petkoviqin

    Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, do të takohet nesër me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Takimi do të nis në orën 8 e 30 të mëngjesit, siç bën të ditur zyra për media e presidencës serbe.

    Përveç Vuçiqit, Sorensen do të takohet edhe me kreun e ekipit negociator serb, Petar Petkovic.

    Emisari i BE-së ka realizuar edhe një vizitë në Kosovë ku është takuar me krerët e shtetit pas krijimit të institucioneve të reja.

  • Spiropali takon edhe Kurtin, Osmanin dhe opozitën – në agjendë edhe mbledhja e dy qeverive

    Spiropali takon edhe Kurtin, Osmanin dhe opozitën – në agjendë edhe mbledhja e dy qeverive

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali do të zhvillojë ditën e nesërme, të mërkurën një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të pritet nga krerët më të lartë të shtetit.

    Gjatë kësaj vizite në Prishtinë, Spiropali do të pritet fillmisht nga homologu i saj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca.

    Më tej, ministrja do të pritet në takime të veçanta nga presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

    Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

    Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjetike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.

    Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.

  • “Shpëlarje e parave”, tre të dyshuarve që u kapën me 1 milion euro në Merdar masë ndalimi 48 orësh

    “Shpëlarje e parave”, tre të dyshuarve që u kapën me 1 milion euro në Merdar masë ndalimi 48 orësh

    Ditën e sotme, Dogana e Kosovës, ka njoftuar se janë kapur rreth 1 milion euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar Merdare.

    Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe sistemi prokurorial, nga ku është bërë e ditur se, lidhur me rastin, me urdhër të prokurorisë speciale të Kosovës, janë ndaluar për 48 orë, tre persona të dyshuar për veprën penale “shpëlarja e parave”, përcjell Express.

    Në njoftim bëhet e ditur edhe se, prokuroria së bashku me Policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për zbardhjen e plotë të rastit.

    Njoftimi:

    Prishtinë, 24 shkurt 2026- Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës janë ndaluar për 48 orë, tre persona të dyshuar për veprën penale “shpëlarja e parave”.

    Të dyshuarit A.L.,A.K., dhe E.A janë ndaluar në pikëkalim kufitar në Merdar, pasi gjatë një kontrolli të përbashkët të realizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në një automjet që drejtohej nga njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një shumë e madhe parash.

    Sipas vlerësimeve fillestare, dyshohet se shuma arrin në një milion euro.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Spiropali nesër në Kosovë, pritet nga Konjufca

    Spiropali nesër në Kosovë, pritet nga Konjufca

    Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca do të pres nesër në takim Ministren për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.

    Sipas njoftimit të MPJD-së, Konjufca dhe Spiropali pritet të takohen në objektin e kësaj ministrie në ora 10:00.

    Njoftimi:

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, pret nesër në takim Ministren për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.

    Datë: 25 shkurt 2024

    Ora: 10:00

    Vendi: Objekti i MPJD-së.

  • Modelja shqiptare pjesë e dosjes Epstein, flet për median britanike pas skandaleve: Nuk jam perfekte

    Modelja shqiptare pjesë e dosjes Epstein, flet për median britanike pas skandaleve: Nuk jam perfekte

    Emri i modeles shqiptare Misse Beqiri është rikthyer fuqishëm në fokusin e mediave ndërkombëtare. Pjesëmarrja e saj në sezonin e ri të Ladies of London: The New Reign përkon me përmendjen e saj në dokumente të lidhura me financierin amerikan Jeffrey Epstein, duke ndërthurur rikthimin televiziv me jehonën e një çështjeje që vijon të trazojë opinionin publik.

    Sipas raportimit të publikuar nga The Sun, emri i 39-vjeçares është përfshirë në dokumentet e bëra publike së fundmi, ku rikujtohet një takim i vitit 2011 me Epstein, i cili më pas u përball me akuza të rënda për trafikim dhe shfrytëzim seksual.

    Burime pranë saj shprehen se përmendja e emrit në këto dokumente ka qenë një tronditje. “Ajo ishte shumë e re kur e takoi dhe në atë kohë nuk e dinte kush ishte ai”, citohet të ketë thënë një person i afërt. Sipas të njëjtit burim, Beqiri ishte në fillimet e karrierës dhe kishte pranuar takimin pasi i ishin premtuar mundësi në fushën e modelingut. “Asgjë nuk ndodhi. Ajo sot pendohet që e takoi dhe ndjen keqardhje për viktimat, duke besuar se drejtësia duhet të vihet në vend”, thuhet më tej.

    Raportimet theksojnë se Epstein kishte shfaqur interes të veçantë për modelen shqiptare. Ai i kishte propozuar një udhëtim me avion privat drejt Parisit për një sfilatë mode dhe kishte shprehur dëshirën t’i dhuronte një automjet luksoz me vlerë rreth 100 mijë paund. Takimi i parë mes tyre thuhet se ishte zhvilluar në rezidencën e tij në Manhattan, me vlerë rreth 37 milionë paund. Brenda vilës shtatëkatëshe, Beqiri ishte habitur nga prania e një klase të improvizuar me banka shkollore, por kishte qëndruar me shpresën për të përfituar profesionalisht.

    Ky takim kishte ndodhur vetëm pak muaj pasi Epstein kishte përfunduar një dënim prej 13 muajsh burg dhe një vit arrest shtëpie, pas vendimit të vitit 2008 për sigurimin e një të miture për prostitucion. Sipas një miku të saj, në atë periudhë Beqiri nuk kishte dijeni për dënimin e tij.

    Jeta personale dhe sfidat

    Misse Beqiri u bë e njohur ndërkombëtarisht edhe si bashkëshortja e ish-portierit të Manchester United, Anders Lindegaard, me të cilin u martua në vitin 2016. Nga kjo martesë ata kanë një djalë, Julian, 11 vjeç.

    Më pas, ajo përjetoi një lidhje të trazuar me Jake Hall, që përfundoi përfundimisht në vitin 2021. Nga kjo marrëdhënie lindi vajza e tyre, River, 8 vjeç.

    Një nga ngjarjet më të rënda në jetën e saj mbetet vrasja e vëllait, Flamur Beqiri, i cili u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në Battersea, në prag të Krishtlindjes 2019. Sipas gjykatës, ai ishte i përfshirë në krim të organizuar dhe kishte konflikte me grupe rivale në Skandinavi. Për këtë ngjarje, Anis Hemissi u dënua me burgim të përjetshëm, me minimum 35 vite.

    “Një kapitull i ri”

    Në prag të transmetimit të sezonit të ri të Ladies of London: The New Reign, Beqiri është shprehur optimiste. Ajo e cilësoi si “surreal” momentin kur pa billboardin me imazhin e saj, duke theksuar se rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë.

    “Jeta nuk më është dhënë në një pjatë të artë. Nuk jam perfekte, por e di vlerën time dhe jam rritur si person”, është shprehur ajo, duke falënderuar ata që i kanë qëndruar pranë në momentet më të vështira.

    Rikthimi në ekran përfaqëson për të një mundësi të re, mes famës, polemikave dhe plagëve personale. Megjithatë, ndërsa hap një kapitull të ri profesional, e kaluara vijon të mbetet pjesë e narrativës që e shoqëron.

  • Shteti nis përgatitjet për Epopenë e UÇK-së, miratohet edhe logoja zyrtare

    Shteti nis përgatitjet për Epopenë e UÇK-së, miratohet edhe logoja zyrtare

    Është mbajtur takimi i parë i Këshillit Organizativ për manifestimin me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të mbahet më 5, 6 dhe 7 mars 2026.

    Takimi është kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në cilësinë e bashkëkryesuesit, së bashku me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

    Në mbledhje morën pjesë edhe anëtarë të Këshillit Organizativ, si dhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

    Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për agjendën e aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë tri ditëve të manifestimit, si dhe për ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, me qëllim organizimin sa më dinjitoz të kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë shtetërore.

    Pas konsultimeve, Këshilli Organizativ miratoi agjendën zyrtare për datat 5, 6 dhe 7 mars, si dhe logon zyrtare të manifestimit.

    Institucionet përgjegjëse do të vijojnë koordinimin e ngushtë në ditët në vijim, për të siguruar realizimin e suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së.

  • Alvaro Arbeloa paralajmëron spektakël kundër Benficës

    Alvaro Arbeloa paralajmëron spektakël kundër Benficës

    Trajneri i Real Madridit Alvaro Arbeloa ka folur gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes së kthimit në Ligën e Kampionëve kundër Benficës.

    Arbeloa thotë se pret një spektakël në Santiago Bernabeu,dhe është i bindur që Reali do ta siguroj kualifikimin në 1/8 e finales.

    Përndryshe Arbeloa u pyet se nëse Benfica është e dobët pa Jose Mourinhon,duke thënë se portugezët janë të fortë edhe pa teknikun portugez.

    Ndërkohë në fund Arbeloa deklaroi edhe për avantazhin nga ndeshja e parë.

    “Dua të shoh një Real Madrid shumë të ngjashëm me atë të ndeshjes së parë.

     

    Do të jetë një mbrëmje e veçantë Championsi në ‘Bernabéu’. Ne do të hyjmë në fushë për të fituar dhe për të kaluar turin.”

     

    Arbeloa foli edhe për gjendjen fizike të ‘yllit’ francez, Kylian Mbappé.

     

    “Është gati për të luajtur dhe kjo është më e rëndësishmja. Ka disa javë me lodhje, por dua të vlerësoj përkushtimin e tij.

     

    Është lojtar vendimtar dhe mbrojtësit e dinë se në çdo moment ai mund ta zgjidhë ndeshjen.

     

    Është i gatshëm dhe jam i bindur se do të bëjë një paraqitje të madhe”.

  • Michael Carrick rikthen lavdinë në “Old Trafford”, Manchester United dominon rivalët me 16 pikë në 8 ndeshje

    Michael Carrick rikthen lavdinë në “Old Trafford”, Manchester United dominon rivalët me 16 pikë në 8 ndeshje

    Manchester United po shfaq një fytyrë krejt tjetër këtë sezon nën drejtimin e Michael Carrick, duke regjistruar një seri rezultatesh mbresëlënëse që e konfirmojnë trajnerin si një gjetje shumë të mirë për klubin.

    Në tetë ndeshje të zhvilluara, “Djajtë e Kuq” kanë grumbulluar 16 pikë, me fitore të rëndësishme përballë rivalëve direktë. United mposhti 3-0 Manchester City në derbin e qytetit, triumfoi 3-2 ndaj Arsenal dhe siguroi një tjetër sukses dramatik 3-2 kundër Fulham.

    Seria pozitive vazhdoi me fitoren 2-0 ndaj Tottenham Hotspur, barazimin 1-1 përballë West Ham United dhe suksesin minimal 1-0 kundër Everton.

    Skuadra ka treguar organizim taktik, disiplinë dhe efikasitet në momentet kyçe – elementë që kanë munguar në sezonet e fundit. Nën drejtimin e Carrick, United duket më kompakt dhe më i qartë në identitetin e lojës, duke rikthyer entuziazmin te tifozët.

    Me 16 pikë në 8 ndeshje dhe fitore ndaj kundërshtarëve të fortë, projekti i ri në “Old Trafford” po shihet si një hap i qëlluar dhe një sinjal i fortë për ambiciet e klubit në vazhdim të sezonit.

  • João Félix shpërthen te Al Nassr, 30 gola e asiste në 33 ndeshje, rriten interesimet nga Europa

    João Félix shpërthen te Al Nassr, 30 gola e asiste në 33 ndeshje, rriten interesimet nga Europa

    Sulmuesi portugez Joao Felix po kalon një sezon mbresëlënës me fanellën e Al Nassr, duke arritur në kuotën e 30 kontributeve direkte në gola në të gjitha garat.

    Në 33 ndeshje të zhvilluara deri tani, Félix ka realizuar 19 gola dhe ka dhënë 11 asiste, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës. Forma e tij e shkëlqyer ka rikthyer diskutimet mbi të ardhmen e tij dhe mundësinë e një rikthimi në futbollin europian.

    Pas eksperiencave të mëparshme në kampionate elitare, 24-vjeçari duket se ka rigjetur vazhdimësinë dhe besimin në Arabinë Saudite, ku ka marrë rol qendror në projektin e klubit. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve, të cilët pyesin nëse vera e ardhshme mund ta rikthejë në një nga ligat më të forta të Europës.

    Me statistika të tilla dhe në një moshë ideale për pjekuri sportive, mbetet për t’u parë nëse ndonjë klub europian do të bëjë lëvizjen për ta transferuar sulmuesin portugez gjatë merkatos së verës.

  • Mërgim Vojvoda komenton golin e shënuar ndaj Juventusit –Falenderon trajnerin Cesc Fabregas

    Mërgim Vojvoda komenton golin e shënuar ndaj Juventusit –Falenderon trajnerin Cesc Fabregas

     

    Ylli i Kombëtares së Kosovës Mërgim Vojvoda është duke shkëlqyer me fanellën e Comos në këtë sezon.

    Vojvoda së fundmi shënoi në fitoren 2:0 kundër Juventus-it në fundjavë,duke sjellur 3 pikë të rëndësishme në luftën për një vend në garat evropiane.

    Përndryshe Vojvoda ka komentuar golin e shënuar ndaj Juves,duke thënë se e falenderon trajnerin Fabregas për besimin që ia jep në të gjitha ndeshjet.

    “E falënderoj shumë për atë që ka bërë për mua. Është diçka që doja ta bëja për ta falënderuar”

    Në anën tjetër trajneri Cesc Fabregas ka folur fjalë të mira për Vojvodën ku e konsideron si një lojtar të rëndësishëm për Comon.

    “Gjithçka ishte shumë e bukur. Në atë moment ndeshja duhej të ishte fituar. Ai është i gëzuar dhe kur ke një lojtar të tillë si trajner, është gjithmonë shumë e rëndësishme” deklaroi Fabregas.