ATV

Blog

  • KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore

    KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore

    Me 10 vota për, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga punëtoria për mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025, duke hapur diskutimin për ndryshime të mundshme në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe reforma në procesin zgjedhor, raporton Ekonomia Online.

    Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, tha se i mbështet rekomandimet në parim, por shprehu rezerva për propozimet që kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe për çështjen e numrit të kandidatëve në lista, duke theksuar se këto tejkalojnë kompetencat e KQZ-së.

    “Në fakt parimisht mbështes rekomandimet për të cilat ne që së bashku kemi punuar për me ardhë në këto përfundime. Kam disa rezerva në nja tri çështje të cilat faktikisht i konsideroj ndoshta që nuk janë në domenin tonë. E para, kemi një rekomandim i cili kërkon ndryshime kushtetuese, për çka po besoj që është jashtë domenit tonë dhe i përket ligjvënësve me vendosë. Dhe ne e dimë që Parlamenti i Kosovës nuk ka mujt me ndryshu Ligjin për Zgjedhje Lokale, mos të flasim me hy në ndryshime kushtetuese ku i referohet kërkesës që fletëvotimet të jenë në 6-vjet e jo nga 30 në 45 sa është kushtetuta aktualisht. Çështja tjetër është te numri i kandidatëve në listë. Edhe kjo po besoj që ne jemi organ i cili administron procesin zgjedhor dhe ju përket subjekteve politike. Ato janë aktorët kryesorë në proces zgjedhor dhe vendosin nëse dojnë të kenë 10 kandidatë, pesë apo një. Nuk mund të paragjykojmë, kam rezervë në këtë rekomandim”, tha ai.

    Ai vuri theksin te nevoja për fokusim në ndryshime që mund të bëhen pa ndërhyrje ligjore, sidomos te leximi elektronik i fletëvotimeve dhe identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa propozoi edhe votimin e hershëm për kategori të caktuara.

    “Tek skanimi i fletëvotimeve dhe leximi optik i fletëvotimeve, si dhe identifikimi i votuesve në vendvotim në mënyrë elektronike, është shumë mirë si rekomandim dhe po besoj që këto dyja do të futen edhe në planin e punës të cilën shpejt do ta kemi edhe përfundimtar. Pastaj një pikë të cilën, një propozim i imi i cili nuk e shoh këtu që figuron. Kjo nuk do të thotë që në qoftë se do të kemi përpjekje për ndryshime ligjore, unë do ta adresoj edhe përmes ndryshimeve ligjore që është votimi i hershëm, që unë konsideroj që Republika e Kosovës duhet të ketë votim të hershëm veçmas për disa kategori të shoqërisë tonë, sepse kjo pastaj do ta bënte një proces më të mirë zgjedhor në Kosovë dhe mos të ballafaqohemi me problemet të cilat veç janë përsëritë disa herë, sidomos për njerëzit me nevoja të veçanta, qoftë ata të cilët nuk dinë shkrim-lexim apo edhe kategori të tjera të shoqërisë. Prandaj, i kam këto kaq rezerva sa i përket miratimit të këtyre rekomandimeve dhe po besoj që në rekomandime të tjera ne, kryesues, po gjithë ne duhet të fokusohemi kryesisht tek ndryshimet që na sanksionojnë të kemi ndryshim në rregullat tona të brendshme edhe punë që ne mund t’i bëjmë pa ndryshime ligjore. Në qoftë se do të ketë ndryshime ligjore atëherë është një çështje tjetër, por nuk mund t’i mbajmë peng ato ndryshime, kështu që fokusohemi në ato çka është më rëndësi e kryesisht dy më të rëndësishmet janë: leximi elektronik i fletëvotimit dhe identifikimi i votuesve në vendvotim me procedura elektronike”, tha ai.

    Anëtari nga VV-ja, Sami Kurteshi, deklaroi se rekomandimet janë produkt i diskutimeve profesionale dhe se KQZ-ja e ka për detyrë të japë rekomandime, pavarësisht nëse ato janë obligative apo jo, duke theksuar dallimin mes rekomandimeve profesionale dhe kërkesave administrative.

    “I kemi pasë mundësitë me diskutu relativisht gjatë rreth këtyre çështjeve dhe mos me u pajtu dhe me u pajtu, dhe kjo ka qenë e mirë, por unë mendoj që janë nxjerrë disa rekomandime të mira. Ndoshta në nuanca nuk pajtohemi. Ne si trup profesional e kemi për detyrë me bë rekomandime. Një, domethënë, i bëjmë rekomandimet për jashtë sepse për brenda, ndryshimin e rregulloreve ne e bëjmë nëse pajtohemi edhe e bëjmë lehtë, s’duhet me pyet askënd. Por ne si trup profesional, edhe çdo trup profesionale e ka për detyrë me bë rekomandim. Rekomandimi është jo obligativ. A ta marrin rekomandimet? Natyrisht që i bëjmë me sqarime dhe arsyetime, qofshin ato ligjore, qofshin kushtetuese. Nuk pritet prej askujt tjetër me bë rekomandim ashtu qysh bën trupa profesionale që ballafaqohet me zbatimin e ligjit edhe të kushtetutës edhe të rregulloreve.

    Prandaj në këtë drejtim, unë mendoj se në raportet jetore ne e kemi për detyrë, jo me thënë seçdo herë: nuk kemi infrastrukturë, nuk kemi ndërtesë. Nuk është vaj-rekomandim, ajo është kërkesë, ankesë. Rekomandimin në aspektin profesional ne e kemi për detyrë me bë”, tha ai.

    Ndërkaq, anëtari nga LDK-ja, Sami Hamiti, sqaroi se dokumenti është bazë për planin e punës dhe planin vjetor që do t’i dërgohet Kuvendit, duke shtuar se secili rekomandim do të rishqyrtohet para se të procedohet, përfshirë edhe ato që lidhen me afatet dhe ndryshimet eventuale kushtetuese.

    “Kjo është si rezultat i punëtorisë të cilën e kemi mbajtur për pesë ditë rresht edhe me thënë që kemi bërë një punë shumë të mirë. Këto janë mbledh dhe ky nuk është një dokument i cili ka me u botu, është një dokument bazë për dy elemente tash. Një është elemente për planin e punës tonë, edhe elementi tjetër është për planin vjetor të punës që kemi me dërgu në Kuvend. Edhe këto do të, ato që po thotë zoti Kurteshi, do të trajtohen në pjesën e planit të punës dhe ndryshimin e rregulloreve dhe do të caktohen krejt ato elemente të cilat i përmendi zoti Kurteshi. Po ashtu, edhe pjesa kur bëhet plani i punës edhe plani vjetor i punës që dorëzohet në Kuvend, atëherë do t’i rishikojmë secilin rekomandim sepse nuk është thënë që këto që i kemi qit kemi me i qit atje. Ne do ta diskutojmë në planin e punës edhe sigurisht do të shkojnë si rekomandime. Për anën tjetër, a do të ndërrohet, a do të bjerë prej 10-shit në 5-she, në 3-she, edhe tjetrën 60-ditësh, unë po ju rikujtoj që në një grup punues që kemi punuar për reformën zgjedhore, shumica jemi këtu. Këtë propozim e kemi pasë prej misionit vëzhgues të BE-së, pavarësisht u pa që s’ekziston një momentum me hy në ndryshim kushtetues, po që është nevojë me u bë. Edhe ky rekomandim shkon që nëse ka mundësi të bëhet, se dihet që pa ndryshim kushtetues atëherë u pa që s’do të jetë mundësia atje edhe që u pa që s’ashtë praktike”, tha ai.

    Në të njëjtën mbledhje, u shty për herën tjetër miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për vitin 2026. Sipas drejtorit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, rekomandimi nuk u finalizua për arsye teknike, por buxheti mbetet rreth 4.8 milionë euro, sa ka qenë edhe vitin e kaluar.

  • SecuriMeter 2025: Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për sigurinë

    SecuriMeter 2025: Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për sigurinë

    Sipas raportit më të fundit SecuriMeter 2025, Kosova renditet si vendi me perceptimin më të lartë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, i publikuar nga Regional Cooperation Council.

    Sipas të dhënave zyrtare të anketës rajonale, 64% e qytetarëve në Kosovë deklarojnë se ndihen “shumë të sigurt” ose “mjaft të sigurt” në jetën e tyre të përditshme, duke shënuar përqindjen më të lartë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm rreth 16–17% e të anketuarve shprehen se ndihen të pasigurt, që është ndër nivelet më të ulëta në rajon.

    Raporti tregon gjithashtu se 58.4% e qytetarëve pajtohen se Kosova është vend i sigurt për të jetuar, ndërsa 16.8% nuk pajtohen me këtë vlerësim dhe 23.8% mbajnë qëndrim neutral. Këto shifra e pozicionojnë Kosovën në vendin e parë në rajon për perceptimin e sigurisë së brendshme.

    Sa i përket sigurisë në nivel rajonal, 43% e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se Ballkani Perëndimor është rajon i sigurt për të jetuar, ndërsa 21.9% mendojnë të kundërtën dhe 33.3% janë neutralë.

    Edhe në aspektin e së ardhmes, qytetarët e Kosovës rezultojnë më optimistë krahasuar me vendet tjera të rajonit. 36.9% presin që situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor të përmirësohet gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa vetëm rreth 15–16% presin përkeqësim. Pjesa më e madhe e qytetarëve në Kosovë shprehin gjithashtu shqetësim të ulët për mundësinë e një lufte që do të përfshinte vendin, me mbi 70% që deklarojnë se janë “pak” ose “aspak” të shqetësuar.

    Sipas gjetjeve të raportit, Kosova shënon gjithashtu nivelin më të ulët të shqetësimit për konflikt të brendshëm apo luftë mes vendeve të rajonit, krahasuar me shtetet tjera të WB6.

    SecuriMeter 2025 është realizuar gjatë periudhës maj–qershor 2025 me 6007 të anketuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, duke analizuar perceptimet për sigurinë, stabilitetin, besimin në institucione dhe sfidat ekonomike e sociale.

    Gjetjet e këtij viti tregojnë se, pavarësisht sfidave globale dhe tensioneve ndërkombëtare, Kosova kryeson në rajon për ndjenjën e sigurisë dhe stabilitetit të perceptuar nga qytetarët.

  • Vushtrri: Lirohen personat që u akuzuan për dhunim, gruaja i kallëzoi rrejshëm në polici

    Vushtrri: Lirohen personat që u akuzuan për dhunim, gruaja i kallëzoi rrejshëm në polici

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka hapur një rast për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” ndaj një personi me iniciale V.V., përkitazi me një denoncim të një dhunimi që e njëjta ka paraqitur ndaj dy personave.

    E njëjta ka deklaruar se është dhunuar nga dy burra në Vushtrri, të cilët me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.

    Prokuroria, përmes njoftimit të saj bën të ditur se gruaja që e ka denoncuar dhunimin është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku pas ekzaminimit tek e dëmtuara nuk janë konstatuar kurrfarë dëmtime në organet gjenitale, e për rrjedhojë nuk janë realizuar asnjëra nga elementet e veprave penale kundër integritetit seksual, e po ashtu asnjë vepre tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.

    “Në mungesë të këtyre elementeve të pandehurit janë liruar nga qendra e ndalimit ku ishin vendosur paraprakisht, ndërkaq rasti ndaj denoncueses vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Ofrohet mbështetje për familjet e prekura nga vërshimet në Prishtinë

    Ofrohet mbështetje për familjet e prekura nga vërshimet në Prishtinë

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit, në bashkëpunim me Kryqi i Kuq i Kosovës, ka shpërndarë ndihma gjatë ditës së sotme për familjet e evakuuara dhe për qytetarët që kanë pësuar dëme materiale si pasojë e vërshimeve të fundit që goditën Prishtinën.

    Bëhet e ditur se ekipet në terren kanë ofruar pako ushqimore dhe higjienike si dhe ujë të pijshëm.

    “Pamjet nga terreni dëshmojnë angazhimin konkret dhe solidaritetin njerëzor në këto momente sfiduese për qytetarët tanë. Falënderojmë vullnetarët e Kryqit të Kuq dhe të gjithë partnerët institucionalë që po kontribuojnë me profesionalizëm dhe përkushtim”, thuhet në njoftim.

    “Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca mbetet e mobilizuar për të garantuar reagim të shpejtë, koordinim efikas dhe mbështetje të vazhdueshme deri në stabilizimin e plotë të situatës. Së bashku për qytetarët tanë”.

  • Chelsea dhe West Ham gjobiten pas kacafytjes masive në Stamford Bridge

    Chelsea dhe West Ham gjobiten pas kacafytjes masive në Stamford Bridge

    Chelsea FC dhe West Ham United FC janë dënuar me gjoba të konsiderueshme nga The Football Association (FA) pas një përplasje masive gjatë ndeshjes së tyre në Premier League më 31 janar në “Stamford Bridge”.

    Ndeshja e javës së 24-të, e fituar nga Chelsea me rezultat 3-2, u karakterizua nga tensione të shumta në fund të takimit, ku lojtarët e të dy ekipeve u përfshinë në një kacafytje masive.

    FA njoftoi se një Komision Rregullator i Pavarur kishte vendosur gjobat, duke konstatuar sjellje “të papërshtatshme dhe/ose provokuese” nga lojtarët e Chelsea-s dhe sjellje “të papërshtatshme, provokuese dhe/ose të dhunshme” nga lojtarët e West Ham.

    Si rezultat, Chelsea u gjobit me 325,000 funte, ndërsa West Ham me 300,000 funte. Të dy klubet pranuan akuzat pa kundërshtim, duke shmangur procedurat e mëtejshme disiplinore.

    Në tabelën e Premier League, Chelsea renditet në vendin e pestë këtë sezon, ndërsa West Ham aktualisht ndodhet në vendin e 18-të, duke luftuar për mbijetesë.

    Ndeshja mbetet e diskutueshme për incidentet e saj, ndërsa Federata angleze ka dërguar mesazh të qartë për ndëshkimin e sjelljeve të dhunshme në fushë.

  • Orav dhe Bogujevci diskutojnë mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës

    Orav dhe Bogujevci diskutojnë mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, është takuar me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevcin.

    Orav dhe Bogujevci folën për mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës.

    Me këtë rast, dyshja bisedoi mbi programin “Evropa kreative”, si dhe rifillimin e aktiviteteve të Këshillit të monitorimit të zbatimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë fetare në Kosovë.

     

  • Kryeministri Kurti takon ambasadorian italian, i rikonfirmohet mbështetja e Italisë ndaj Kosovës

    Kryeministri Kurti takon ambasadorian italian, i rikonfirmohet mbështetja e Italisë ndaj Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, ambasadori e uroi Kryeministrin për detyrën dhe përgjegjësinë e tij në krye të Qeverisë, “duke riafirmuar përkrahjen e Italisë për Kosovën dhe përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve”.

    “Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat e biznesit, kulturës dhe drejtësisë. Të dy palët shprehën vullnetin për avancimin e partneritetit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve institucionale në interes të qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

  • Ballkani Perëndimor drejt integrimit në zonën e roaming-ut të BE-së

    Ballkani Perëndimor drejt integrimit në zonën e roaming-ut të BE-së

    Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në regjimin e BE-së “Roam Like at Home” (Roaming si në shtëpi).

    Siç ka bërë të ditur Komisioni Evropian, sapo marrëveshjet të finalizohen me secilin prej vendeve në fjalë dhe pasi çdo shtet të jetë në përputhje të plotë me rregullat e roaming-ut të BE-së, qytetarët që udhëtojnë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të kryejnë thirrje, të dërgojnë mesazhe me tekst dhe të përdorin të dhënat mobile pa tarifa shtesë roaming-u.

    Kjo marrëveshje, kur të arrihet, nënkupton lidhje të pandërprerë me tarifa vendore për qytetarët nga rajoni që vizitojnë zonën e BE-së, si dhe anasjelltas.

    Me propozimin për mandatet negociuese të miratuar sot, Komisioni Evropian duhet tani të kërkojë autorizimin e Këshilli i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

    Pasi të miratohet kjo kërkesë, Komisioni Evropian do të hyjë në negociata me secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Përfundimi i suksesshëm i negociatave nënkupton përfshirjen e rajonit në zonën “Roam Like at Home” të BE-së.

    Komisioni Evropian thekson se ky propozim është një shembull konkret i qasjes së BE-së ndaj integrimit gradual përpara anëtarësimit të plotë, siç parashikohet në Planin e Rritjes 2023 për Ballkanin Perëndimor.

    “Roam like Home” ndryshe ka nisur së zbatuari në territorin e BE-së që nga viti 2017.

  • Zbulohet specie misterioze “dragoni” që jetoi 95 milion vjet më parë në Saharë

    Zbulohet specie misterioze “dragoni” që jetoi 95 milion vjet më parë në Saharë

    Një fosil i sapo-zbuluar ka ndezur imagjinatën e shumë njerëzve, duke i bërë të besojnë se studiuesit mund të kenë zbuluar për herë të parë një dragoni real.

    Kafkën, që është sa një njeri i rritur, e gjetën në Saharen e Afrikës. Ajo ka një noçkë të gjatë reptilore, plot dhëmbë të mprehtë sa një dorë njerëzore, dhe një hundë të zgjeruar që ngjan shumë me krokodilët.

    Kafka ka gjithashtu një brir të madh të harkuar mbi sy dhe spina që dalin nga pjesa e pasme e kokës, duke e bërë kafshën të duket si krijesat fluturuese të legjendave të lashta.

    Zbuluar nga një ekip i Universitetit të Chicago, specieja e re u emërtua Spinosaurus mirabilis, që do të thotë “gjarpër me shpinë të mrekullueshme”.

    Ky grabitqar i madh jetoi rreth 95 milion vjet më parë, gjatë Periudhës Kretace, kur Sahara besohet të ketë qenë një zonë e gjelbëruar me lumenj dhe rrjedha të brendshme larg deteve të lashta.

    Spinosaurus mirabilis, i njohur edhe si “rriheronë i ferrit”, mendohet të ketë pasur gjatësi rreth 12 metra dhe peshë midis 4,500 dhe 6,350 kilogramë. Fosilet sugjerojnë se mund të qëndronte në ujë deri në dy metra e gjysmë thellësi për të kapur ushqimin.

    Studiuesit besojnë se kjo krijesë dragoni i përkiste familjes së Spinosauridëve, që të gjithë kishin veçori krokodili, një qafë ose strukturë lundruese mbi shpinë dhe mund të ecin mbi dy këmbë të pasme të mëdha, me dy përpara më të shkurtra.

    Kjo specie e veçantë e Spinosaurus kishte një krem të lartë 50 cm midis syve, që ekipi e krahasoi me një shpatë të harkuar të quajtur scimitar. Rekonstruksioni i kafkës së madhe me noçkën e gjatë dhe dhëmbët e ndërthurur, së bashku me kremën e shpatës, ka treguar një krijesë që duket identike me dragont e mitologjisë që nxjerrin zjarr.

    “Definitivisht kjo është koka e një dragoni,” shkroi një përdorues online. “Thjesht thuaji dragoni,” shtoi një tjetër komentues.

    Megjithatë, paleontologët dhe muzetë vazhdojnë të argumentojnë se dragonët, krijesat me krahë që duken si dinosaurë, kurrë nuk kanë ekzistuar dhe tregimet rreth tyre ndoshta lidhen me reptilët e mëdhenj.

    Zyrtarisht, Paul Sereno, paleontolog në Universitetin e Chicago dhe ekipi i tij besojnë se krijesa i përket familjes së spinosauridëve – dinosaurë të mëdhenj mishngrënës, të njohur për Spinosaurusin e famshëm me kokën krokodiliforme dhe shpinën e madhe me strukturë lundruese.

    Studiuesit, në një publikim në revistën Science, vlerësuan se kishte 10 deri 17 specie të ndryshme të këtij grabitqari parahistorik, me fosilin më të ri që shënon specien më të fundit të zbuluar.

    “Zbulimi ishte kaq i papritur dhe i mahnitshëm, saqë ishte emocionues për ekipin tonë,” tha Sereno. “Do ta kujtoj përjetësisht momentin kur u mblodhëm rreth laptopit për ta parë specien për herë të parë.”

    Ky dinosaur dallohet nga grabitqarët e mëdhenj si Tyrannosaurus Rex ose Allosaurus për aftësinë e tij për t’u përshtatur, sidomos në kapjen e peshkut dhe jetesën pranë ujit.

    Fosili besohet të ketë kremën më të gjatë të njohur tek të gjithë dinosaurët mishngrënës, ose teropodët.

    “Unikorni i spinosauridëve,” tha një komentues për bririn e veçantë në kafkë.

    Ky zbulim i mahnitshëm në një zonë larg detit mund të rishkruajë historinë për nevojën e spinosauridëve për të jetuar pranë bregdetit.

    Vendi ku u gjet Spinosaurus mirabilis kishte mbetur i paprekur nga studiuesit për mbi 70 vjet deri në ekspeditat e fundit të vitit 2019 dhe 2022.

    Në vitet 1950, gjeologë francezë zbuluan një dhëmb të vetëm të madh si shpatë, i ngjashëm me ata të grabitqarëve të mëdhenj si Carcharodontosaurus. Megjithatë, nuk pati asnjë rikthim në zonën e largët dhe të rrezikshme për më shumë se gjysmë shekulli.

    Sereno vendosi ta gjurmonte vendin e humbur me ndihmën e një udhërrëfyesi lokal Tuareg në motoçikletë, i cili pretendonte se dinte vendet ku kockat e mëdha të fosileve dilnin në sipërfaqe.

  • Studimi: Njerëzit që nuk shohin miqtë dhe familjen shpesh, vdesin më herët

    Studimi: Njerëzit që nuk shohin miqtë dhe familjen shpesh, vdesin më herët

    Njerëzit që nuk i shohin miqtë ose familjen e tyre kanë 77% më shumë gjasa të vdesin më herët, madje edhe vizitat mujore mund të bëjnë një ndryshim të madh. Njerëzit duhet të vizitojnë të dashurit e tyre të paktën një herë në muaj për të parandaluar vetminë dhe për të zvogëluar rrezikun e vdekjes së parakohshme, sipas një studimi të ri.

    Akademikët nga Universiteti i Glasgow përdorën të dhëna nga Biobank i MB, një studim afatgjatë që gjurmon shëndetin dhe gjenetikën e të rriturve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Autorët shikuan pesë lloje të ndryshme të lidhjeve sociale të raportuara nga 458,146 njerëz me një moshë mesatare 57 vjeç dhe më pas i ndoqën ato për një mesatare prej 12.6 vjetësh. Ata zbuluan se çdo formë e izolimit social, si të jetuarit vetëm, shpesh duke u ndjerë i vetmuar, ose vizitat e rralla nga miqtë ose familja, shoqërohej me një rrezik më të lartë të vdekjes.

    Njerëzit që nuk vizituan kurrë miqtë apo të afërmit kishin 53% më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kishin një rrezik 39% më të lartë të vdekjes në krahasim me ata që i vizitonin çdo ditë. Ata që jetonin vetëm kishin 48% më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërkohë që nuk ishin në gjendje t’i besonin dikujt ose të merrnin pjesë në aktivitete gjithashtu rrisin rrezikun e vdekshmërisë.

    Ata që përjetuan më shumë se një formë të izolimit social ishin në rrezik edhe më të lartë. Njerëzit që jetonin vetëm dhe nuk panë kurrë miqtë apo familjen kishin një rrezik 77% më të lartë për të vdekur nga ndonjë shkak dhe një rrezik akoma më të lartë për të vdekur nga sëmundjet e zemrës ose goditjet në tru, krahasuar me ata që jetonin me dikë ose shihnin miqtë ose familjen çdo ditë, vlerësoi studimi. Edhe vizita vetëm një herë në muaj mund ta zvogëlojë atë rrezik, përfunduan studiuesit.

    Studimi, i botuar në revistën BMC Medicine, vlerësoi se njerëzit që merrnin vizita nga miqtë ose familja edhe një herë në muaj kishin një rrezik dukshëm më të ulët të vdekjes, duke sugjeruar një efekt potencialisht mbrojtës nga ky ndërveprim social.