ATV

Blog

  • Kanosi me armë dhe granatë policinë, një muaj paraburgim për Liridon Podrimjën

    Kanosi me armë dhe granatë policinë, një muaj paraburgim për Liridon Podrimjën

    Një paraburgim i është Liridon Podrimjës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të kanosjes, mbajtjes së paautorizuar të armëve dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve.

    Vendimi është marrë në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 25 janar 2026 në Gjakovë, i pandehuri, pasi u ndalua nga policia për drejtim të rrezikshëm, refuzoi të paraqesë dokumentet, i ofendoi dhe i kanosi zyrtarët policorë.

    “Gjatë tentativës për arrestim, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe më pas një granatë dore me siguresë të hequr, duke i drejtuar nga policët dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes. I njëjti u dorëzua më 23 shkurt 2026”, thuhet në njoftim.

    Tutje në njoftim thuhet se gjatë bastisjes në lokalin e tij “K.K. b.&b.” janë gjetur dhe sekuestruar pajisje për përgatitje të narkotikëve si dhe rreth 2 gram substancë e dyshuar marihuanë.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Paraburgimi do të zgjasë një (1) muaj, nga 23 shkurt 2026 deri më 25 mars 2026. Palët kanë të drejtë ankese në Gjykata e Apelit e Kosovës”, përfundon njoftimi i Gjykatës Themelore të Gjakovës.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe të Kirurgjisë së Fëmijëve lirohen nga tarifa 3 euro

    Përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe të Kirurgjisë së Fëmijëve lirohen nga tarifa 3 euro

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Pediatrisë dhe Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve nuk do të paguajnë më tarifën prej tre eurosh për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së.

    Nga kjo përjashtim përfshihen edhe përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, si dhe pacientët nën moshën 18 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

    QKUK thekson se përcjellësit në këto dy klinika nuk kanë paguar asnjëherë këtë tarifë, ndërsa vendimi synon lehtësimin e kostove për familjet dhe të afërmit e pacientëve gjatë qëndrimit në spital.

    Ky hap vjen në përputhje me Udhëzimin Administrativ në fuqi dhe ka për qëllim mbështetjen e pacientëve dhe të familjeve të tyre në trajtimin shëndetësor.

  • Hamza pret Spiropalin: PDK vlerëson mbështetjen e Shqipërisë dhe kërkon agjendë të përbashkët për sfidat kombëtare

    Hamza pret Spiropalin: PDK vlerëson mbështetjen e Shqipërisë dhe kërkon agjendë të përbashkët për sfidat kombëtare

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

    Sipas një komunikate nga kjo parti, PDK shpreh mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj si zë i Kosovës në forumet ndërkombëtare ku vendi ynë nuk ka prezencë, si dhe si përforcuese e zërit tonë aty ku ai tashmë dëgjohet.

    “Shqipëria ka qenë gjithmonë krah Kosovës në momentet kyçe të shtetndërtimit. Mbështetja e saj diplomatike është e çmuar dhe duhet të thellohet edhe më tej”, theksoi Hamza.

    Në takim u diskutua edhe për situatën politike në vend. Hamza e njoftoi ministren Spiropali se PDK mbetet e hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet për çdo çështje në interes të Kosovës.

    Kurse, ministrja Spiropali konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare.

    Kryetari Hamza mirëpriti ftesën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkëpunim në parandalimin e padrejtësive dhe përpjekjeve për rishkrimin e historisë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

    “E vërteta historike e luftës sonë çlirimtare nuk mund dhe nuk duhet të relativizohet. Bashkëpunimi institucional dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm për ta mbrojtur atë me argumente, dokumente dhe prezencë ndërkombëtare”, theksoi Hamza.

    U propozua edhe konkretizimin i këtij bashkëpunimi përmes një agjende të përbashkët me tryeza, konferenca ndërkombëtare dhe angazhim institucional, deri te nisma për debat dhe rezolutë në Këshillin e Evropës.

    Në komunikate thuhet se PDK mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në funksion të interesit shtetëror dhe kombëtar.

  • ZKM pas takimit Kurti-Spiropali: Hekurudha që lidh dy shtetet, prioritet i përbashkët

    ZKM pas takimit Kurti-Spiropali: Hekurudha që lidh dy shtetet, prioritet i përbashkët

    Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, në takim u theksua rëndësia e projekteve strategjike infrastrukturore, me theks të veçantë te hekurudha Gjakovë–Shkodër, e cila u cilësua si prioritet i këtij mandati. Synim mbetet që punimet për ndërtimin e saj të nisin sa më parë.

    Ky projekt u vlerësua si investim me peshë të madhe ekonomike dhe rajonale, që pritet të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve.

    Po ashtu, gjatë takimit u theksua nevoja për vazhdimin e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare (G2G), me synimin që një e tillë të organizohet gjatë vitit 2026.

    Në komunikatë bëhet e ditur se u diskutua edhe për koordinimin e politikës së jashtme dhe mbështetjen reciproke në organizata dhe forume ndërkombëtare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit lidhur me diasporën shqiptare. Theks i veçantë iu kushtua promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare te gjeneratat e reja.

    Të dy palët u dakorduan se diaspora mbetet një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve, duke kërkuar angazhim të përbashkët dhe strategji të koordinuar.

  • Murat Jashari refuzon të bëhet President: Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve

    Murat Jashari refuzon të bëhet President: Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve

    Një prej emrave të përfolur si kandidat për president të Republikës së Kosovës, Murat Jashari, ka thënë për Vox Kosova se e ka bërë të qartë që s’ka ambicie për t’u përfshirë në politikë, sa herë që i është përmendur emri për këtë çështje.

    Ai ka thënë se nuk ka të drejtë as morale e as profesionale që ta përdor emrin e familjes Jashari për kalkulime politike apo për poste publike.

    “Më shumë se gjithçka, për mu si Murat, është emri i familjes Jashari, është barrë e madhe mbi supe. S’kam të drejtë as morale e as profesionale me e fut emrin e familjes Jashari në kalukime politike apo për poste publike.

    “Emri jem sa i përket kësaj çështje, çdo herë është përmendë, sa herë ka ardhë çështja e presidentit, emri im është përmendë. Ua kam sqaru protagonistëve që s’kam ambicie politike, pra gjeni një emër tjetër”, ka thënë ai për Vox Kosova.

    “I kam bërë të qarta arsyet pse nuk e bëjë”, ka thënë ai.

    “Familja Jashari u takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë janë të tonit”, ka thënë Murat Jashari.

  • SC Gjilani në shqetësim, Hamdi Namani mbyll sezonin pas dëmtimit të rëndë

    SC Gjilani në shqetësim, Hamdi Namani mbyll sezonin pas dëmtimit të rëndë

    SC Gjilani ka marrë një lajm të hidhur pas ndeshjes kundër FC Prishtina, pasi mesfushori i tyre Hamdi Namani pësoi një dëmtim serioz që e detyron të përfundojë sezonin më herët.

    Sipas njoftimit zyrtar të klubit, Namani u lëndua gjatë përballjes së fundit në regjionin e gjurit. Pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore, u konfirmua se ai ka pësuar rupturë të ligamentit medial kolateral (MCL), një dëmtim serioz që kërkon kohë të gjatë rehabilitimi.

    Për shkak të këtij dëmtimi, lojtari do të ndjekë trajtimin dhe programin e rikuperimit sipas protokollit mjekësor të klubit, ndërsa sezoni aktual konsiderohet i mbyllur për të.

    SC Gjilani ka bërë të ditur se Namani do të ketë mbështetjen maksimale gjatë gjithë fazës së rikuperimit, duke i uruar një shërim të shpejtë dhe rikthim të fuqishëm në fushë.

    Namani është pjesë e SC Gjilanit në formë huazimi nga FC Prishtina deri në fund të këtij sezoni.

  • I kërcënoi policët me armë e granatë dore, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit në Gjakovë

    I kërcënoi policët me armë e granatë dore, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit në Gjakovë

    Gjykata Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se është aprovuar kërkesa e prokurorisë Themelore atje, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit L.P., për shkak të dyshimit se i arrestuari ka kryer veprat penale; kanosje, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

    Në komunikatën për media bëhet e ditur se i dyshuari, ka kundërshtuar policët, i ka ofenduar dhe kërcënuar ata. Aty shtohet edhe se i njëjti, ka nxjerr armë të zjarrit dhe një granatë dore duke ua drejtuar policëve.

    ‘’Me këtë vendim, i pandehurit L.P., do të mbahet n paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 23 shkurt 2026 deri më 25 mars 2026’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

  • Balla bën thirrje për firmosjen e peticionit kombëtar për ish-krerët e UÇK-së

    Balla bën thirrje për firmosjen e peticionit kombëtar për ish-krerët e UÇK-së

    Deputeti i parlamentit shqiptar, Taulant Balla bashkë me anëtarin e Parlamentit Evropian, Adnan Dibrani i është bashkuar thirrjes për nënshkrimin e peticionit kombëtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të inicuar nga organizatat e dala nga lufta.

    Ai në Facebook ka shkruar se ky peticion është thirrje e hapur qytetare në mbështetje të UÇK-së dhe të ish-krerëve të saj që po mbahen në Hagë.

    “Bashkë me anëtarin e Parlamentit Europian Adnan Dibrani i bashkohemi thirrjes ndaj të gjithë shqiptarëve, në trojet kombëtare, në diasporë të nënshkruajnë Peticionin Kombëtar – drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”.

    “Ky PETICION është një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të sa”, shkruan Balla.

  • Tahiri kritikon qasjen e Kurtit në dialogun me Serbinë: Do ta pësojë tutje Kosova

    Tahiri kritikon qasjen e Kurtit në dialogun me Serbinë: Do ta pësojë tutje Kosova

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar pas takimeve të fundit të ndërmjetësuesit të Dialogut të Brukselit, Peter Sorensen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciç.

    Tahiri tha se gjatë këtyre takimeve, Vuçiq ka kërkuar formimin e Asociacionit, ndërsa Kurti ka kërkuar normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, e jo njohje reciproke mes dy shteteve.

    “Vuçiqi kërkoi Asociacionin, Kurti kërkoi normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në vend se të kërkojë njohje reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Tahiri.

    Sipas saj, kjo qasje e kryeministrit rrezikon ta vendosë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me presionin ndërkombëtar.

    “Me këtë qasje të Kurtit, diplomacia do t’i bëjë presion Kosovës për Asociacionin, ndërsa nuk do t’i bëjë presion Serbisë për njohjen reciproke”, theksoi ajo.

    Tahiri shtoi se njohja reciproke është përkrahur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe më herët edhe nga Joe Biden.

    “Diplomacia është negociatë, por me mungesë të dijenisë të Qeverisë Kurti, do ta pësojë tutje Kosova”, përfundoi Tahiri në reagimin e saj.

  • IKShPK-ja publikon udhëzuesin për ushqyerjen e fëmijëve në çerdhe dhe institucione parashkollore

    IKShPK-ja publikon udhëzuesin për ushqyerjen e fëmijëve në çerdhe dhe institucione parashkollore

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se ka publikuar udhëzuesin me titull “Planifikimi i të ushqyerit për institucionet e kujdesit ditor të foshnjeve dhe fëmijëve (6 muaj – 6 vjeç) në Republikën e Kosovës”.

    Sipas njoftimit, udhëzuesi përmban rekomandime të bazuara në evidencë shkencore për ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve, standarde për planifikimin e menusë, si dhe modele praktike të menuve të përshtatura sipas grupmoshave.

    Qëllimi i këtij dokumenti është promovimi i rritjes dhe zhvillimit optimal të fëmijëve në mjediset parashkollore, duke ofruar orientime të qarta për institucionet e kujdesit ditor në hartimin dhe zbatimin e planeve ushqimore.

    IKSHPK bën të ditur se të gjitha standardet e detajuara, modelet e plota të menuve dhe udhëzimet shtesë për zbatimin praktik mund të gjenden në dokumentin e plotë, i cili është i qasshëm në faqen zyrtare të institucionit.