ATV

Blog

  • Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte të martën për vizitë zyrtare në Maqedoni

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte të martën për vizitë zyrtare në Maqedoni

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vend të martën (3 mars).

    Rutte do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Ai është planifikuar gjithashtu të takohet me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi.

    Rutte do të marrë pjesë gjithashtu në një stërvitje demonstruese të Ushtrisë.

    Kjo është vizita e parë e Rutte si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor 2021 si Kryeministër i atëhershëm i Holandës.

    Në vitin 2023, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoni.

  • Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK

    Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK

    Monika Kryemadhi u paraqit këtë të enjte në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” që GJKKO ka caktuar ndaj saj si e akuzuar në dosjen “Meta”.

    Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

    Ndërkohë, Ilir Meta është nën akuzë nga SPAK për korrupsion në tre raste të ndryshme. Ish-presidenti akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve./EuronewsAlbania/

  • ​Babai i viktimës kërkon që Vuçiq të intervistohet në lidhje me vrasjen e të birit: Çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”?

    ​Babai i viktimës kërkon që Vuçiq të intervistohet në lidhje me vrasjen e të birit: Çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”?

    Babai i njërit prej djemve të vrarë në kafenenë “Panda” në Pejë, Lubomir Ristiq, tha sot se Prokuroria për Krimin e Organizuar do të duhet ta intervistoji Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me dijeninë e tij për vrasjen e gjashtë fëmijëve më 14 dhjetor të vitit 1998.

    Ristiq i tha agjencisë Beta se familjet kishin kërkuar vazhdimisht të pranoheshin te Vuçiq në lidhje me deklaratën e tij se ai “di çfarë ndodhi natën kritike në ‘Panda’”, por nuk u pranuan.

    Ristiq shtoi se familjet dhe përfaqësuesi i tyre ligjor, avokati Ivan Niniq, gjithashtu kanë kërkuar zyrtarisht në mënyrë të përsëritur nga Prokuroria për Krimin e Organizuar që ta marrë në pyetje Vuçiqin, por kjo nuk është kryer deri më sot.

    “Vuçiqi nuk na priti kurrë për të biseduar, edhe pse premtoi ta bënte këtë, dhe Prokuroria për Krimin e Organizuar, ku po zhvillohet hetimi për vrasjen e fëmijëve tanë, nuk e ka intervistuar Vuçiqin as pas më shumë se dhjetë vitesh për njohuritë e tij për krimin në ‘Panda’, të cilat ai i ka deklaruar publikisht në disa raste. Po i kërkoj Prokurorisë për Krimin e Organizuar që më në fund ta intervistoji Vuçiqin në mënyrë që gjatë jetës sonë të zbulohet se kush ishin autorët dhe ata që urdhëruan vrasjen e gjashtë djemve”, tha Ristiqi.

    Më 10 gusht 2023, përfaqësuesi ligjor i familjeve të djemve të vrarë në kafenenë “Panda”, avokati Ivan Niniq, i paraqiti Prokurorisë një propozim provash për të marrë në pyetje Vuçiqin për shkak të deklaratave të tij të mëparshme se ai gjoja di se çfarë ndodhi më 14 dhjetor 1998 në “Panda”.

    Ai deklaroi se Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Kryeprokurori Mladen Nenadiq “për tre vjet nuk janë lejuar të telefonojnë dhe të pyesin Vuçiqin nëse di diçka, dhe pothuajse 40 dëshmitarë janë pyetur sipas të njëjtit parim”.

    Në kërkesë, thuhet se prindërit kërkojnë që Vuçiq të intervistohet në lidhje me deklaratat për krimin në “Panda”, të cilat ai i dha mediave në disa raste nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se ai “pothuajse e di” se çfarë ka ndodhur natën fatale në atë kafene.

    Raportohet se, si nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë dhe kreu i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq më 26 dhjetor 2013, në programin “Teška reč” (Fjala e rënd) në TV Pink ka thënë se : “Krimi në ‘Panda’ nuk është kryer nga shqiptarët, siç besonim deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.

    Dy vjet më vonë, në një konferencë për shtyp në Qeverinë e Serbisë, më 11 dhjetor 2015, Vuçiq tha se është “pothuajse i sigurt” për atë se çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”.

    “Po kërkojmë në errësirë. Jam pothuajse i sigurt se çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”, por nuk kam prova. Nuk jam i sigurt se autoritetet tona mund të jenë krenare për atë që bënë atëherë”, tha Vuçiq.

    28 vjet më parë, më 14 dhjetor 1998, rreth orës 8:00 të mbrëmjes, dy sulmues të maskuar hapën zjarr me pushkë automatike mbi mysafirët e kafenesë “Panda”, shumica e të cilëve ishin nxënës të shkollës së mesme nga Peja.

    U varnë Ivan Obradoviq (15), Zoran Stanojeviq (18), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetisllav Ristiq (18), Ivan Radeviq (24) dhe Dragan Trifoviq (18).

    Vladimir Lonçareviq (18) dhe Mirsad Shaboviq (34) u plagosën rëndë, ndërsa Nikola Rajoviq (18) u plagos lehtë.

    Disa ditë pas krimit, Sigurimi i Shtetit arrestoi dhe fajësoji një grup shqiptarësh vendas, por ata u liruan nga paraburgimi për shkak të mungesës së provave.

    Zëvendëspresidenti i Qeverisë Federale të RFJ-së përgjegjës për Kosovën, Nikolla Shainoviq, njoftoi më pas se “rasti Panda” ishte zgjidhur.

    Hetimi për vrasjen në “Panda” filloi në vitin 2016 në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd.

    Deri më tani, janë dëgjuar 39 dëshmitarë, por nuk është ngritur asnjë akuzë.

    Prokuroria për Krimin e Organizuar (PKO) njoftoi në shtator 2025 se hetimi për vrasjen e gjashtë të rinjve në kafenenë “Panda” në Pejë nuk është ndalur, megjithëse për dy vjet, siç deklaruan ata, nuk është dëgjuar asnjë dëshmitar i vetëm, as nuk është ndërmarrë asnjë veprim provues.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të Agjencisë së Lajmeve Beta në lidhje me bllokimin e hetimit të vrasjes, PKO deklaroi se që nga 12 maji 2016, kur nisi hetimi, janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë dhe se nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar i ri në dy vitet e fundit.

    Kur u pyet pse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u mor në pyetje pas disa deklaratave të tij se dinte çfarë kishte ndodhur në “Panda” dhe se “krimi nuk ishte kryer nga shqiptarët”, Prokuroria deklaroi se ende nuk ishte marrë asnjë vendim për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rinj.

    “PKO do të vendosë për dëshmitarët që do të merren në pyetje në këtë hetim, përfshirë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kohën kur duhet të ndërmerren këto veprime provuese, në përputhje me vlerësimin objektiv të situatës faktike të përcaktuar deri më tani dhe vlerësimin se kur është më e dobishme të kryhen këto veprime provuese”, u përgjigj Prokuroria. /KP/

  • Emisari hungarez i shkon për vizitë komandantit të KFOR-it, flasin për sigurinë në rajon

    Emisari hungarez i shkon për vizitë komandantit të KFOR-it, flasin për sigurinë në rajon

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash ka pritur në takim emisarin special për Ballkanin Perëndimor të kryeministrit të Hungarisë, Zsolt Bunford.

    Në takim është folur për situatën e sigurisë në rajon.

    “Takimi i ofroi Komandantit një mundësi të vlefshme për të përshkruar situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë. Gjenerali Ulutash shprehu gjithashtu vlerësimin e tij të sinqertë për kontributet e gjata të Hungarisë në misionin e KFOR-it”, thotë KFOR- i në një njoftim për media rreth takimit.

  • Aksident në Banjë të Istogut, tre të lënduar

    Aksident në Banjë të Istogut, tre të lënduar

    Tre persona mbetën të lënduar si pasojë e një aksidenti që ndodhi paraditen e sotme në Banjë të Istogut.

    Siç ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi, në aksident u përfshinë dy vetura.

    Ai po ashtu bëri të ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat.

    Screenshot
  • A e keni ditur që hurmat duhet të hahen në numrin tek jo çift? Lora tregon arsyen

    A e keni ditur që hurmat duhet të hahen në numrin tek jo çift? Lora tregon arsyen

    Këngëtarja e njohur, Lora Braha e ftuar në emisionin “STUDIO A” në ATV, duke folur për jetën e saj private ka ndarë një informacion interesant rreth zakoneve që ajo ndjek. Ajo ka theksuar se hurmat, një frut i njohur dhe i shëndetshëm, duhet të konsumohen gjithmonë në numër tek, p.sh., 1, 3, 5 ose 7, dhe jo në numër çift.

    “Hurmat duhet të konsumohen në numër tek, sepse kjo është e shkruar edhe fetarisht dhe ka një rëndësi të veçantë për shëndetin. Nëse konsumohen më shumë se shtatë hurma, ato mund të kenë shumë sheqer dhe nuk janë më të shëndetshme,” tha Lora.

    Ajo shpjegoi se ky është një parim që ka lidhje me praktikat fetare dhe simbolet e numrave tek, të cilët janë të konsideruar më të favorshëm dhe të shenjtë në shumë kultura.

  • Ymeri zbulon pse VV-ja nuk e votoi Demaçin për president në vitin 2011

    Ymeri zbulon pse VV-ja nuk e votoi Demaçin për president në vitin 2011

    Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka treguar pse partia e Albin Kurtit nuk e kishte votuar për president Adem Demaçin në vitin 2011.

    Në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë se kane qenë dy arsyeje që VV-ja nuk e ka votuar simbolin e rezistencës kombëtare për president.

    Ai ka bërë me dije se arsyeja e parë ka qenë frika se mos ishte lojë e Thaçit.

    “Dy kanë qenë arsyet kryesore. E para është që Albin Kurtit i është dokur që z. Demaçi po bëhet pjesë e lojës së Thaçit, jo me qëllim me e zgjedhjes, por me e fut në lojë”, ka thënë Ymeri, duke treguar edhe arsen kryesore.

    “Dhe e dyta, unë nuk kam qenë në takim, por ka pasur një takim të Liburnit dhe Albinit me z, Demaçi. Ata pastaj me kanë treguar se njëra prej pyetjeve që i është shtruar z. Demaçi ka qenë: nëse të bëjnë president a e mandaton Hashim Thaçin për kryeministër? Dhe z. Demaçi ka thënë “po”, sepse ai i ka fituar zgjedhjet. Ky i ka thënë: jo, Hashim Thaçi nuk bën me kanë”, ka treguar Ymeri.

  • Gani Geci publikon fotografinë: Rifat Jashari në përvjetorin e parë të rënies së Sali Çekajt

    Gani Geci publikon fotografinë: Rifat Jashari në përvjetorin e parë të rënies së Sali Çekajt

    Rifat Jashari ishte prezent në shënimin e përvjetorit të parë të rënies së Sali Çekajt, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjermani.

    Fotografinë nga ngjarja e ka publikuar Gani Geci, ish-deputeti dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Geci, i cili ka lidhje familjare me Jasharajt, ka rrëfyer sesi Rifat Jashari kishte hapur zjarr ndaj policëve serbë gjatë rrethimit të Kullës së Jasharajve më 1991.

    “Rifat Jashari ka qenë shtylla e Familjes Jashari, një njeri punëtor, i urtë dhe trim. Më 30 dhjetor 1991, kur u rrethua për herë të parë kulla e Shaban Jasharit – kullë të cilën e kishte ndërtuar Rifat Jashari duke punuar në Gjermani – ai ndodhej në shtëpi, në pushim për nder të Vitit të Ri”, ka shkruar Geci.

    “Kur doli Rifati në lamë, dy policë i bënë “stoj”. Rifati hapi zjarr me një rafalë dhe, sipas lajmeve të Serbisë, plagosi dy policë serbë”.

    Sot, Kosova feston Ditën e Veteranit çdo vit më 30 dhjetor, si shenjë nderimi për luftën e familjes Jashari.

    “Me propozimin tim në Komisionin për Siguri në Kuvendin e Republikës së Kosovës, data 30.12 ka mbetur Dita e Veteranit. PDK dhe AAK kanë propozuar dy data të tjera: një në vitin 1995 dhe një me daljen e UÇK-së në skenë, në vitin 1997”, ka thënë Geci.

  • Raporti i EBRD: Kosova ndër vendet më të goditura nga tarifat e reja të SHBA-së

    Raporti i EBRD: Kosova ndër vendet më të goditura nga tarifat e reja të SHBA-së

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një paketë të re tarifash prej 10 për qind për importet ndaj të gjitha shteteve, që ka hyrë në fuqi më 24 shkurt. Sipas një raporti të publikuar më 26 shkurt nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Kosova renditet ndër vendet më të goditura nga këto tarifa në rajonin ku operon kjo bankë.

    Sipas EBRD-së, tarifat e importit të SHBA-së për vendet e rajonit janë rritur mesatarisht me 0.3 pikë përqindjeje, ndërsa 29 shtete përballen tani me tarifa më të larta. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në Armeni, Egjipt, Kenia, Kosovë dhe Ukrainë.

    “Rritja e tarifave për Armeninë, Egjiptin, Kenian, Kosovën e Ukrainën lëviz nga +3.7 deri në +4.8 pikë përqindjeje”, thuhet në raport.

    Ndërkohë, disa vende të tjera të rajonit si Bosnja dhe Hercegovina e Serbia, si dhe Moldavia e Tunizia konsiderohen përfituese relative nga ndryshimet e fundit tarifore pasi tarifat ndaj tyre ose kanë pasur rritje shumë më të vogël, ose kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.

    Raporti nënvizon se, mesatarisht, tarifat e importit të SHBA-së për vendet ku operon EBRD-ja janë rritur nga 14.6 në 15 për qind, duke rritur presionin mbi eksportuesit, përfshirë edhe ata nga Kosova.

    Megjithëse, raporti thekson se tarifat kanë pasur efekt më pak sesa është pritur.

    Më 20 shkurt, Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi tarifat globale të Trumpit përveç atyre për industrinë e çelikut, aluminit, drurit dhe automobilave, me argumentin se ligji emergjent për fuqitë ekonomike nuk ia lejon presidentit të vendosë tarifa të tilla. Më pas, presidenti amerikan u zotua për tarifa të reja prej 15 për qind. Por në fund vendosi ta zëvendësojë tarifën prej 10 për qind me një të re në po atë vlerë – kësaj radhe në bazë të nenit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i lejon presidentit të vendosë një tarifë të tillë për 150 ditë pa miratimin e Kongresit.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në vitin 2019 ishin eksportuar mallra në SHBA me vlerë tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë (2022) kjo shifër u rrit në mbi 131 milionë euro.

    Produktet që i eksporton Kosova në SHBA përfshijnë ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.

  • SPAK sekuestron apartamentin në Qerret në pronësi të ish-anëtarit të Vetëvendosjes, i arrestuar për trafik droge

    SPAK sekuestron apartamentin në Qerret në pronësi të ish-anëtarit të Vetëvendosjes, i arrestuar për trafik droge

    Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, ka sekuestruar një apartament në Qerret të Kavajës, në pronësi të Shemsi Bahtirit, ish-anëtarit të Vetëvendosjes, i cili ishte arrestuar vitin e kaluar në një aksion të madh të Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar.

    Ai ndodhet në paraburgim nën dyshimin trafik ndërkombëtar narkotikësh.

    Siç raportojnë sot mediat në Shqipëri, SPAK u vu në lëvizje mbi bazën e një kërkese për ndihmë të ndërsjelle juridike nga prokuroria Speciale e Kosovës, e cila po e heton Bahtirin për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës.

    Prokuroria speciale kërkoi ndihmë nga SPAK për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të personave që ishin pjesë e grupit kriminal, pasi kishte dyshime se paratë e fituara nga aktiviteti kriminal i kanë investuar në pasuri të paluajtshme, si si tokë, shtëpi, banesa, vetura etj. Bazuar në këtë kërkesë SPAK kreu një sërë verifikimesh jo vetëm për Bahtirin, por edhe të paktën dy të dyshuar të tjerë. Nga këqyrja e faqes së Qendrës Kombëtare të Biznesit rezultoi se në emër të Shemsi Bahtiri rezulton subjekti “DAIMAN” shpk me objekt veprimtarie “Shitblerje e pasurive të paluajtshme”, i regjistruar më date 11.03.2025, bëhet e ditur në raportim.

    Ndërsa u zbulua se ai zotëronte një apartament në Qerret të Kavajës që tashmë është vënë nën sekuestrim.

    Shemsi Bahtiri akuzohet se veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, blerja, posedimi dhe shpërndarja e narkotikëve dhe pastrim parash.

    Ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Qielli i Thyer” dhe gjatë kontrolleve u sekuestruan lëndë narkotike, shuma të konsiderueshme parash, armë të llojeve të ndryshme, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.

    Shemsi Bahtiri, i cili u përjashtua nga Partia Vetëvendosja e ALbin Kurtit u arrestua pas zbërthimit të aplikacionit të koduar Sky ECC, që iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze.

    Lëvizja Vetëvendosje pas arrestimit kishte konfirmuar s Bahtiri ka qenë aktivist i saj, duke marrë vendim për përjashtim nga partia.