ATV

Blog

  • Incident i rëndë në KEK, vdes një punëtor

    Incident i rëndë në KEK, vdes një punëtor

    Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se sot ka ndodhur një incident në Termocentralin “Kosova B”, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës.

    Si pasojë e këtij incidenti, një 55-vjeçar – punonjës ka ndërruar jetë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), njofton me keqardhje të thellë se sot, në Termocentralin “Kosova B”, ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës.Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda. Në vend ngjarje menjëherë kanë dalur zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, si dhe kolegëve e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.Autoritetet përkatëse janë duke trajtuar rastin në përputhje me procedurat ligjore”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

  • Real Madrid-Manchester City dhe PSG-Chelsea kryendeshjet e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve

    Real Madrid-Manchester City dhe PSG-Chelsea kryendeshjet e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve

    Në Nyon të Zvicrës, është tërhequr shorti për raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve, ku pritet të sjellë ndeshje tejet interesante që do të zgjojnë vëmendjen e dashamirëve të futbollit.

    Nga tërheqja e shortit, përballja më interesante është ndërmjet këtyre dy rivalëve evropianë, Real Madridit dhe Manchester Cityt e cila pritet të jetë ndeshja e 10-të me rradhë në 4 vitet e fundit në Champions ku më herë janë takuar në këtë sezon në fazën e ligës ku City mundi “Los Blancos” 3:1.

    Në anën tjetër ndeshje tjetër interesante është ajo ndërmjet PSG-së dhe Chelsea-it,ku është përsëritje e finales së Kupës së Botës për Klube dhe parisienët synojnë hakmarrjen nga ajo e finale e humbur ndaj londinezëve.

    Takim tjetër interesant pritet të zhvillohet në Stamboll,ku Galatasarasy e pret në Rams Park,ku dueli i fundit në mes tyre ishte në fazën e ligës këtë sezon në të cilën skuadra turke e mundi atë angleze me një gol të shënuar nga Victor Osimhen,ndërkohë Atletico Madrid do e presë në Ëanda Metropoliatno Tottenhamin e cila e siguroi 1/8 e finales së Champions duke u renditur në top 8shen e fazës së ligës.  .

    Ndeshjet e tjera interesante në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve pritet të jetë ajo ndërmjet Newcastle United dhe Barcelonës,si dhe Arsenal udhëton në Gjermani ku do të takohet kundër Bayer Levekusen.

    Bayern Munich do të udhëtoj në Itali ku do të ndeshet me Atalanatën,teksa befasia e madhe e Champions në këtë sezon Bodo Glimt do të takohet kundër Sporting Lisbonës.

    Kujtojmë që ndeshjet e para zhvillohen më 10 dhe 11 mars,teksa ato të kthimit më 17 dhe 18 mars.

  • Hulumtimi i IHDNj: 80 % e minatorëve të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58 % të diagnostikuar me sëmundje

    Hulumtimi i IHDNj: 80 % e minatorëve të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58 % të diagnostikuar me sëmundje

    Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka lansuar hulumtimin “Punëtorët e Padukshëm të Nëntokës”, duke kërkuar hartimin e një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale për minatorët e Kosovës dhe ndryshime ligjore që do t’u mundësonin atyre njohjen e këtyre sëmundjeve dhe pensionim të parakohshëm, raporton Ekonomia Online. sipas hulumtimit 80 për qind e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, ndërsa 58 për qind janë diagnostikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit.

    Drejtoresha ekzekutive e IHDNj-së, Kaltrina Rexhepi, tha se iniciativa synon përmirësimin e jetës dhe shëndetit të minatorëve përmes ndryshimeve ligjore dhe krijimit të një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale, duke theksuar nevojën që atyre t’u njihet e drejta për pensionim para moshës 65-vjeçare.

    “Nuk dua të flas sot për kontributin e minatorëve, edhe pse jemi në përmbyllje të javës së minatorëve, në 37-vjetorin e përmbylljes së javës së minatorëve dhe kontributin e tyre gjatë asaj periudhe të lavdishme sepse është një gurthemel i lirisë që ne sot e gëzojmë dhe jetojmë. Por ajo që sot dua të ndalem konkretisht është shëndeti, jeta dhe puna e minatorëve në ditët e sotme dhe kontributi i tyre në ditët e sotme. Kjo është një iniciativë konkrete e iniciuar nga Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut për realizimin e një liste të sëmundjeve profesionale dhe gjithashtu për ndryshimet legjislative që duhet të ndërmerren që minatorëve t’u njihet kontributi i punës dhe nevoja për një pensionim të parakohshëm dhe jo ashtu siç ekziston deri më tani deri në moshën 65-vjeçare”.

    Rexhepi theksoi se pas hulumtimit, hapi konkret që synojnë është të arrihet inicimi i ndryshimeve ligjore.

    “Ky hulumtim është vetëm një nismë e vogël. Hapi i radhës dhe hapi konkret që ne synojmë të arrijmë me tutje në këtë çështje është inicimi i ndryshimeve ligjore si dhe krijimi i listës së sëmundjeve profesionale, e cila do të kontribuonte në përmirësimin e jetës, shëndetit dhe punës së minatorëve”, tha ajo.

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, vlerësoi se gjetjet e hulumtimit përbëjnë bazë për veprim institucional, duke paralajmëruar forcim të mekanizmave të monitorimit dhe vazhdim të mbështetjes për pensionim të parakohshëm sipas legjislacionit në fuqi, si dhe procedimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me këtë fushë.

    “Gjetjet e këtij hulumtimi që janë bërë për shëndetin dhe sigurinë në punë, kushtet e punës dhe trajtimi i sëmundjeve profesionale të minatorëve përbëjnë një bazë të mjaftueshme për refleksion institucional dhe veprim të koordinuar. Ne do të forcojmë mekanizmat e monitorimit dhe inspektimit si Ministri, me qëllim të garantimit të standardeve sa më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes në punë. Njëkohësisht përmes skemave të financuara nga shteti, ne do të vazhdojmë të sigurojmë realizimin e të drejtës për pension të parakohshëm për punëtorët e ndërmarrjes Trepça, të cilët përmbushin kriteret sipas legjislacionit në fuqi”, tha ai.

    Hoti u zotua se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të punës.

    “Ashtu si në çdo fushë tjetër të përgjegjësisë sime si ministër, angazhimi im do të jetë maksimal për përmirësimin e kushteve të punës, për mbështetjen sociale dhe për trajtimin dinjitoz të punëtorëve. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës tashmë veç ka proceduar nëntë ligje për plotësim-ndryshim dhe vlerësim, dhe këto ligje natyrisht që i përfshijnë edhe ato çka është diskutuar dhe çka është gjetur edhe në hulumtimin e zonjës Kaltrina dhe gjithë stafit të saj përmes institutit”, tha ai.

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund theksoi se njohja e sëmundjeve profesionale është çështje e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe e forcimit të besimit në institucione, duke bërë thirrje për kalim nga diskutimet në rezultate konkrete.

    “Mësimi është i thjeshtë. Kur institucionet njohin sëmundjet profesionale, ato mbrojnë shëndetin e punëtorëve. Kur shëndeti mbrohet, të drejtat e njeriut forcohen. Dhe kur të drejtat forcohen, rritet besimi në institucione. Suedia vazhdon të mbrojë të drejtat e njeriut globalisht, përfshirë të drejtën për kushte pune të sigurta dhe të shëndetshme. Siguria në punë nuk është vetëm teknike apo mjekësore. Ka të bëjë me drejtësi, respekt dhe parimin e thjeshtë që askush nuk duhet të paguajë punën e ditës me shëndetin e tij. Kjo konferencë është një mundësi për të forcuar dialogun, për të përmirësuar kornizën ligjore, për të përmirësuar monitorimin shëndetësor dhe për të koordinuar veprimet në mënyrë më efektive. Është një mundësi për të kaluar nga diskutimet në rezultate reale dhe të matshme”, tha ai.

    Analistja e hulumtimit, Anita Plakolli, prezantoi gjetjet sipas të cilave mbi 80% e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58% janë diagnostikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit, ndërsa 70% kanë punuar pa pajisje mbrojtëse, duke e cilësuar gjendjen si alarmante për shëndetin dhe sigurinë e tyre.

    “Mbrojtja e shëndetit të minatorëve ndaj faktorëve të rrezikshëm në miniera si pluhuri, zhurma, lagështia, ventilimi i dobët, rreziku nga shembja dhe substancat toksike përbën një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik. Lidhur me këtë grafik, vlen të thuhet se mbi 80% të minatorëve të anketuar pohojnë se janë të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve gjatë gjithë kohës apo shumë shpesh”, theksoi ajo.

    Tutje ajo ka treguar gjetjet edhe për temperaturat ekstreme, ku në zonat jugore të minierës është arritur 40 deri në 45 gradë celsius.

    “Ambientet e punës karakterizohen nga temperatura ekstreme. Në zonat jugore të minierave, temperatura, siç mund ta shihni, arrin deri në 40 deri 45 gradë Celsius dhe ventilimi është i pamjaftueshëm. Siç shihet në grafikun tre, 64.3% e të anketuarve pohojnë se ventilimi është i pamjaftueshëm. Ventilimi i dobët në miniera lidhet drejtpërdrejt me rrezikun për sëmundje respiratore, ekspozim ndaj pluhurit mineral dhe gazrave të rrezikshëm. Sa i përket gjendjes shëndetësore, simptomave dhe sigurisë në punë, vetëm gjatë 12 muajve të fundit, 58% e minatorëve të intervistuar janë diagnostikuar me sëmundje të cilat mund t’i shihni. Ato më të shpeshtat janë: Vështirësi në frymëmarrje. Infeksione të traktit respirator. Bronkit. 81% prej tyre kanë përjetuar dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe marramendje. 38% raportojnë humbje të dëgjimit, ndërsa 44% kanë përjetuar probleme me shikimin dhe skuqje të syve”, tha ajo.

    Në hulumtim janë marrë në pyetje minatorët me përvojë 10-vjecare.

    “Një aspekt thelbësor për uljen e rreziqeve profesionale dhe ruajtjen e shëndetit të minatorëve në punë është përdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe zbatimi i standardeve të sigurisë në punë. Rezultatet tregojnë se në praktikë kjo nuk respektohet gjithmonë. Ky grafik tregon se 70% e të anketuarve u është kërkuar të punojnë pa pajisje mbrojtëse përgjatë përvojës së tyre. Ju rikujtoj se ky hulumtim është bërë për minatorët e intervistuar të cilët kanë përvojë pune mbi 10 vite po ashtu”, tha ajo.

  • Luciano Spalletti arrin marrëveshje për rinovimin me Juventusin deri në vitin 2028

    Luciano Spalletti arrin marrëveshje për rinovimin me Juventusin deri në vitin 2028

    Luciano Spalletti, trajneri 66-vjeçar i Juventusit, ka arritur një marrëveshje në parim për të zgjatur kontratën me klubin deri në vitin 2028, sipas gazetarit Nicolo Schira. Ky zhvillim vjen pas një periudhe të mirë që ai ka kaluar në drejtimin e “Bianconerëve,” edhe pse interesimi i disa klubeve të huaja ka shtuar spekulimet.

     

    Spalletti mori drejtimin e Juventusit në tetor 2025 dhe aktualisht ka një kontratë që skadon në qershor 2026. Megjithatë, pas bisedimeve të fundit, ai është i gatshëm të rinovojë për një periudhë më të gjatë.

     

    Në planin tjetër, klubi italian ka për detyrë të rinovojë gjithashtu kontratën me mesfushorin Weston McKennie, një hap që mund të ndihmojë në finalizimin e marrëveshjes për trajnerin.

     

    Gjithashtu, në fokus është edhe situata e sulmuesit Edon Zhegrova, i cili duket se nuk është shumë i preferuar nga Spalletti, duke pasur parasysh minutazhën e ulët që ka pasur këtë sezon.

  • Konjufca takon ambasadoren finlandeze, flasin për njohjen e patentë-shoferëve

    Konjufca takon ambasadoren finlandeze, flasin për njohjen e patentë-shoferëve

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, është takuar me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen.

    Ministria e Jashtme njofton se ky ishte një takim njoftues pas formimit të qeverisë së re. Ambasadorja e uroi Konjufcën për detyrën dhe tha se Finlanda do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj demokratik dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    Gjatë takimit, ata folën për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në sundimin e ligjit dhe reformat. U përmend edhe roli i rëndësishëm i diasporës kosovare në Finlandë, rreth 20 mijë persona, që shërbejnë si lidhje mes dy shteteve.

    Po ashtu, u diskutua mundësia që Kosova dhe Finlanda të fillojnë procedurat për njohjen e ndërsjellë të patentë-shoferëve.

    Në fund, u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për ta forcuar partneritetin me Finlandën.

  • Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Dritës në Evropë: 16 ndeshje, fitore historike dhe mbi 6 milionë euro të ardhura

    Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Dritës në Evropë: 16 ndeshje, fitore historike dhe mbi 6 milionë euro të ardhura

    Drita ka shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit kosovar këtë sezon. Kampionët e Kosovës e kaluan çdo pritshmëri, duke arritur deri në fazën e grupeve të UEFA Conference League, një realizim që asnjë klub tjetër nga Kosova nuk e kishte arritur më parë.

    Aventurën e tyre evropiane e nisën në Champions League, ku Drita bëri histori duke kaluar në raundin e dytë – një arritje që i dha shumë emocion tifozëve dhe e nguli emrin e klubit në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, pas eliminimit nga kjo fazë, ata u drejtuan në UEFA Conference League, ku përballë Differdange e patën një sfidë të lehtë, duke fituar në të dy ndeshjet dhe siguruar një vend në fazën e grupeve.

    Në fazën e grupeve, Drita tregoi karakter të fortë, duke grumbulluar tetë pikë nga gjashtë ndeshje dhe duke bërë historinë si klubi i parë kosovar që arrin kaq larg. Ky sukses i dha mundësinë për të kaluar në fazën e play-off-it, ku u ndalën nga Celja, me dy humbje të ngushta. Pavarësisht këtij eliminimi, Drita tregoi se mund të konkurrojë me ekipet më të mëdha të Evropës.

    Përveç suksesit sportiv, Drita ka arritur të sigurojë mbi 6 milionë euro nga këto ndeshje, një shumë e konsiderueshme që do t’i shërbejë për të përforcuar klubin dhe për të investuar në zhvillimin e tij. Ky sukses ka rritur edhe më shumë rëndësinë e klubit në futbollin kosovar, duke e konsoliduar pozicionin e tij si lider në vend.

    Aktualisht, Drita është në krye të Superligës, një pikë përpara rivalëve të Ballkanit dhe Prishtinës, dhe po synon të mbrojë titullin kampion. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, shpresat për të përsëritur aventurën evropiane janë të larta, dhe me këtë mentalitet fitues, Drita po shkruan historinë dhe po e çon futbollin kosovar më lart çdo ditë.

  • A duhet ta lani fytyrën me ujë të ftohtë apo të nxehtë?

    A duhet ta lani fytyrën me ujë të ftohtë apo të nxehtë?

    Larja e fytyrës çdo ditë është baza e kujdesit për lëkurën.

    Bërja e kësaj largon papastërtitë si pluhuri, mbeturinat dhe bakteret, duke e lënë lëkurën të pastër dhe të freskët.

    Gjërat mund të bëhen të ndërlikuara kur nuk je i sigurt sa herë në ditë duhet ta lash fytyrën, cilat produkte të përdorësh, apo edhe çfarë temperature uji të përdorësh. I vakët? I nxehtë? I ftohtë?

    Ky artikull do të shqyrtojë nëse uji i ftohtë apo i nxehtë është më i mirë për lëkurën, si dhe do t’ju ofrojë këshilla profesionale për larjen e fytyrës.

    Uji i ftohtë dhe lëkura

    Larja me ujë të ftohtë ndikon në lëkurë në shumë mënyra pozitive. Parandalimi i akneve, për shembull, është një nga përfitimet e mundshme.

    Kjo sepse uji i nxehtë largon vajrat që mund të shkaktojnë shpërthime, thotë Sophia Knapp, estetiste e licencuar në linjën e kujdesit për lëkurën dhe kozmetikës Oxygenetix.

    Si rezultat, “kjo mund ta nxisë lëkurën të prodhojë edhe më shumë vaj.” Në këtë rast, uji i ftohtë mund të bëjë një punë shumë të mirë në rregullimin e niveleve të yndyrës.

    Uji i ftohtë mund të jetë gjithashtu më i mirë për disa gjendje të lëkurës, si rosacea. Uji i nxehtë bën që enët e gjakut të zgjerohen më shumë, duke e bërë lëkurën të duket më e kuqe.

    Përfitimet e ujit të ftohtë

    Shikoni këto përfitime të ujit të ftohtë para se të hidheni në veprim.

    Uji i ftohtë mund të jetë veçanërisht i dobishëm për lëkurën e thatë ose të prirur ndaj akneve, thotë Knapp. “Nëse keni lëkurë kronikisht të thatë, uji i nxehtë mund të largojë nivelet e sebumit (vajrave) dhe ta përkeqësojë problemin, prandaj uji i ftohtë është një alternativë e mirë.”

    Kjo është e dobishme për lëkurën për disa arsye, përfshirë reduktimin e pamjes së poreve dhe zvogëlimin e fryrjes së fytyrës.

    Do të gjeni gjithashtu disa përfitime shëndetësore nga dushët me ujë të ftohtë, që do të thotë çdo dush me temperaturë uji nën 70°F (21°C).

    Disa nga përfitimet e dushëve me ujë të ftohtë — dhe çdo forme hidroterapie — përfshijnë përmirësimin e qarkullimit të gjakut, rritjen e endorfinave dhe përshpejtimin e metabolizmit.

    Disavantazhet e ujit të ftohtë

    Ka disa mangësi në përdorimin e ujit të ftohtë në fytyrë.

    “Meqenëse uji i ftohtë i ngushton poret, bakteret dhe papastërtitë mund të bllokohen dhe nuk do të pastrohen aq lehtë sa me përdorimin e ujit të vakët,” shpjegon Knapp.

    Ajo rekomandon larjen e fytyrës fillimisht me ujë të vakët si një mënyrë për të hequr grimin dhe ndotësit e ditës. “Pastaj, përfundojeni me një shpëlarje me ujë të ftohtë për të ngushtuar poret dhe për të nxitur qarkullimin e gjakut për një shkëlqim të shëndetshëm.”

    Uji i ftohtë kundrejt ujit të nxehtë

    (Avantazhet) Larja e fytyrës me ujë të ftohtë rrit rrjedhjen e gjakut.

    Sipas hulumtimeve, kjo vjen si rezultat i ekspozimit ndaj të ftohtit që dërgon më shumë gjak në zonën e ekspozuar.

    Nga ana tjetër, rritja e rrjedhjes së gjakut i jep lëkurës mbrojtje më të mirë nga radikalet e lira, si ndotja, dhe mund t’i japë lëkurës një shkëlqim më të shëndetshëm.

    (Disavantazhet) Fytyra juaj mund të mos jetë aq e pastër

    Meqenëse vajrat e tepërt nuk treten në ujë të ftohtë, fytyra juaj nuk do të jetë aq e pastër sa mund të ishte. Kjo mund të çojë në bllokim të poreve dhe shpërthime aknesh.

    Anne Beal, MD, MPH, mjeke, eksperte e kujdesit për lëkurën dhe CEO/themeluese e AbsoluteJOI Skincare, shton se shumë nga përbërësit pastrues në produktet tuaja të kujdesit për lëkurën janë të dizajnuara për t’u përdorur me ujë të vakët.

    Pse uji i vakët mund të jetë më i miri

    “Uji i vakët ndihmon në fryrjen e lëkurës, gjë që bën që poret të duken më të vogla, ndërsa uji i ftohtë zvogëlon fryrjen,” thotë Beal.

    Akademia Amerikane e Dermatologjisë rekomandon larjen e fytyrës me ujë të vakët.

    Është kompromisi i përsosur për të gjitha llojet e lëkurës, siç shpjegon Beal, sepse uji i nxehtë e zhvesh lëkurën nga vajrat mbrojtës që ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë.

    Një tjetër përfitim i larjes së fytyrës me ujë të vakët është se lejon përthithje më të mirë të produkteve të kujdesit për lëkurën.

    Është e rëndësishme të vendosni për një temperaturë dhe t’i përmbaheni asaj. Beal paralajmëron se rrezikoni të dëmtoni kapilarët e vegjël nën lëkurë nëse e ekspozoni lëkurën ndaj temperaturave ekstreme, si kalimi nga i nxehtë në të ftohtë.

    Sa shpesh duhet ta lani fytyrën?

    Në përgjithësi, duhet ta lani fytyrën dy herë në ditë — në mëngjes dhe në mbrëmje. Larja e tepërt mund ta thajë lëkurën dhe të shkaktojë irritim.

    “Ne mbledhim një sasi alarmante bakteresh në këllëfët e jastëkëve, kështu që një pastrim i shpejtë në mëngjes para hidratuesit është i rëndësishëm,” shpjegon Knapp.

    Larja gjatë ditës është gjithashtu e rëndësishme, pasi ndihmon në reduktimin e fryrjes që shpesh kemi kur zgjohemi për herë të parë, thotë Beal.

    Knapp shton se larja në mbrëmje është thelbësore për të hequr çdo grim dhe papastërti që janë mbledhur gjatë ditës nga lëkura juaj.

    Mëngjes apo para gjumit? Fjala e fundit

    Përgjigjja e shkurtër: Të dyja. Synoni ta lani fytyrën para gjumit dhe pasi të zgjoheni.

    Këshilla për ta mbajtur fytyrën të pastër

    Jini të butë. Akademia Amerikane e Dermatologjisë rekomandon përdorimin e majave të gishtave për pastrimin e fytyrës dhe tharjen me një peshqir të butë duke e prekur lehtë.

    Lani fytyrën pas djersitjes. Beal thotë se duhet ta lani fytyrën pas çdo stërvitjeje, pasi djersa mund të bllokojë poret.

    Qëndroni të hidratuar. Mbajeni lëkurën të hidratuar duke pirë mjaftueshëm ujë çdo ditë. Ekspertët e shëndetit rekomandojnë tetë gota në ditë.

    Përdorni produktet me kujdes. Përbërësit që duhet të kërkoni në një pastrues fytyre varen plotësisht nga lloji i lëkurës suaj. Beal shpjegon se shumica e produkteve pastruese me përbërës aktivë nuk qëndrojnë mjaftueshëm gjatë në fytyrë për të qenë plotësisht efektive. “Në vend të kësaj, është më mirë të përdorni një pastrues të butë dhe më pas të përdorni serume dhe kremra me përbërësit aktivë që ju nevojiten, si acidi salicilik, acidi glikolik, acidi laktik, vitamina C dhe të tjerë.”

  • ZPS thotë se nuk janë incizuar bisedat e Thaçit me avokatët e tij

    ZPS thotë se nuk janë incizuar bisedat e Thaçit me avokatët e tij

    Kryeprokurorja Kimberly West tha se çështja ka të bëjë me audio-incizime, të bisedave mes Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë dhe dokumenteve që kanë këmbyer.

    Ajo tha se Thaçi ka komunikuar me avokatët e tij, por shtoi se “asnjë nga këto biseda nuk është incizuar”, duke shtuar se të vetmet incizime janë të lidhura me biseda të paprivilegjuara.

    Prokurorja e specializuar West pretendoi se Thaçi dha udhëzime për të ndikuar te dëshmitarët dhe për të “ndërhyrë në drejtësi”.

    “Vepër penale është nxjerra e informacioneve konfidenciale për dëshmitarët”, tha ajo.

    Sipas saj, Kilaj mori nga Thaçi në qendrën e paraburgimit “dëshmitë paraprake konfidenciale të dëshmitarëve me qëllim që të ndërhynte në dëshminë e tyre. Këto dokumente janë konfiskuar nga shtëpia e tij”.

    “Smakaj u bashkua në përpjekjen e Thaçit për dëshmitarët dhe mori një dokument prej 10 faqesh, që ishte në përputhje me udhëzimet që kishte dhënë Thaçi për dëshmitarët. Ky dokument u konfiskua në makinën e tij”, tha West.

    Sa i përket Kuçit, që në kohën e aktakuzës ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, Wes tha se ai “ka dhënë në vazhdimësi sugjerimet e tij se çfarë duhet të thoshin dëshmitarët e shënjestruar në të mirë të Thaçit”.

    Sipas saj, audio-incizimet tregojnë “besnikërinë ndaj Thaçit” të të akuzuarve të tjerë .

    “Të gjithë të akuzuarit kanë pasur një synim të vetëm: pengimin e procedurës penale në përfitim të Thaçit”, tha ajo./REL/

  • 1 muaj paraburgim për dy zyrtarë te KEDS-it në Ferizaj, dyshohen për ryshfet

    1 muaj paraburgim për dy zyrtarë te KEDS-it në Ferizaj, dyshohen për ryshfet

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka pranuar kërkesën e Prokurorisë themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit për dy zyrtarët e KEDS-it të cilët dyshohen për ryshfet.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejte i kanë kërkuar shumën prej katërqind (400.00) € të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t`i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njësorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do të ndanin ndërmjet katër personave, me ç`rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) Muaj”.

    “Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”.

  • Prishtina-Drita derbi i fundjavës në Albi Mall Superligë

    Prishtina-Drita derbi i fundjavës në Albi Mall Superligë

    Kjo fundjavë pritet të sjellë xhiron e 22-të në Albi Mall Superligën e Kosovës,ku në program pritet të ketë ndeshje tejet interesante.

    Vëmendja pritet të jetë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”në Prishtinë,ku Prishtina e pret kampionin aktual Drita në derbin e kësaj fundjave në eliten e futbollit vendor.

    Kryeqytetasit synojnë të këndellen nga humbja në xhiron e kaluar kundër Gjilanit,dhe synojnë që në derbi kundër kampionëve të Kosovës të marrin 3 pikë dhe të ngriten në tabelë.

    Në anën tjetër Drita do të mundohet që ta harroj eliminimin nga Celje në Conference League,dhe ndaj Prishtinës synon fitore dhe të mbetet edhe më tutje lider në tabelë.

    Në dy ndeshjet e zhvilluara deri më tani këtë sezon Drita ka fituar një takim,teksa të dyja ekipet barazuan në fillim të sezonit.

    Ndeshja derbi Prishtina-Drita pritet të nis nga ora 20:00.

    Të shtunën pritet të zhvillohet një takim ku Prishtina e Re e pret skuadrën e Llapit,në ndeshjen e skuadrave që luajnë për mbijetesë në Albi Mall Superligë.

    Të dielën pritet të zhvillohen  edhe tre takime të tjera ku Ballkani e pret Drenicën,teksa në anën tjetër Ferizaj i shkon në udhëtim Dukagjinit si dhe Gjilani i bën konak Malishevës.

    Kujtojmë që të gjitha ndeshjet përpos Prishtina-Drita pritet të zhvillohen nga ora 13:00.