ATV

Blog

  • Vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm në rastin e vrasjes së rëndë të Marigona Osmanit

    Vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm në rastin e vrasjes së rëndë të Marigona Osmanit

    Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vendosur lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale vrasja e rëndë.

    Në njoftim thuhet se në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit.

    “Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë”, thuhet në njoftim.

    Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstaton se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.

    Kolegji gjyqësor vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.

    “Nga këto prova është konstatuar se viktima, Marigona Osmani ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vlerësuar raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Ndaj, është konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, gjë që mbështetë kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

    Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

    Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme konstaton se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

  • Berisha thumbon Osmanin: Gara për President të Kosovës është e hapur, ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

    Berisha thumbon Osmanin: Gara për President të Kosovës është e hapur, ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

    Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, thotë se çdo kandidat për president duhet të ketë integritet, të flasë shqip rrjedhshëm, të jetë afër popullit dhe të respektojë traditën.

    Ai thekson se kandidati nuk duhet të marrë përgjegjësi për nënshkrimet e Zajednicës, të caktojë datë të drejtë për zgjedhje dhe të mos veprojë si noter.

    Sipas Berishës, këto kushte garantojnë një garë të drejtë dhe një figurë presidenciale të besueshme.

  • Kosova përballet me Sllovakinë në kuadër të parakualifikuesve të FIBA EuroBasket 2029

    Kosova përballet me Sllovakinë në kuadër të parakualifikuesve të FIBA EuroBasket 2029

    Kosova do të ndeshet sot me Sllovakinë në një sfidë të rëndësishme për parakualifikueset e FIBA EuroBasket 2029. Dardanët kanë filluar përgatitjet që nga e diela mbrëma, duke u stërvitur dy herë në ditë për t’u përgatitur sa më mirë për këtë ndeshje.

    Kjo është ndeshja e dytë për të dy kombëtaret, që e nisën me fitore ndaj Shqipërisë. Kosova mundi kuqezinjtë me rezultatin 84:99, ndërsa Sllovakia mposhti Shqipërinë me 73:63.

    Për shkak të disa lëndimeve, Kosova do të jetë pa Dardan Berishën, Drilon Hajrizin dhe Meriton Ismailin, të cilët nuk janë grumbulluar për këtë ndeshje.

    Ndeshja do të zhvillohet sonte në orën 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren

  • Martin Demichelis trajneri i ri i Vedat Muriqit tek Mallorca

    Martin Demichelis trajneri i ri i Vedat Muriqit tek Mallorca

    RCD Mallorca ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Martín Demichelis si trajnerin e ri të ekipit. Trajneri argjentinas ka nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit aktual të La Ligës, me mundësi për një vit të mëtejshëm.

    Klubi e shpalli këtë lajm përmes rrjeteve sociale, ku njoftoi se Demichelis do të drejtojë skuadrën ku luan edhe Vedat Muriqi. “Martín Demichelis, trajneri i ri i RCD Mallorca. Trajneri argjentinas nënshkruan deri në fund të sezonit, me opsion për një tjetër. Mirësevini në shtëpi, Martín”, ishte mesazhi i klubit.

    Ish-trajneri i River Plate vjen pas disa ditësh bisedimesh intensive, për të pasuar Jagoba Arrasate, i cili u shkarkua pas një serie të dobët rezultatesh që la Mallorcan në vendin e 18-të, vetëm një pikë mbi zonën e rënies.

    Demichelis merr drejtimin e ekipit me objektivin e qartë për të siguruar mbijetesën në pjesën e mbetur të sezonit. Një nga pikat më të forta të skuadrës këtë sezon ka qenë forma e shkëlqyer e Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar po kalon një sezon fantastik, duke shënuar 16 gola në La Liga dhe duke qenë arma kryesore sulmuese e ekipit.

  • Policia e Kosovës: Lajmet në mediat serbe për të shtëna në brezin kufitar, janë dezinformatë

    Policia e Kosovës: Lajmet në mediat serbe për të shtëna në brezin kufitar, janë dezinformatë

    Policia e Kosovës ka sqaruar se raportimet e fundit, kryesisht në mediat serbe, sipas të cilave persona të maskuar shqiptarë kanë vendosur pengesa dhe kanë qëlluar ndaj Policisë serbe në zonën Madljika, nuk përputhen me të dhënat zyrtare.

    PK njofton se ka verifikuar të gjitha informacionet përmes masave institucionale dhe nuk ka gjetur asnjë incident të tillë në territorin e Kosovës. Po ashtu, për veprimet e marra është njoftuar edhe KFOR-i, dhe patrullimet e përbashkëta në brezin kufitar vazhdojnë normalisht.

  • Gent Begolli drejtor i Kadastrës dhe Legalizimit në Komunën e Prishtinës

    Gent Begolli drejtor i Kadastrës dhe Legalizimit në Komunën e Prishtinës

    Gent Begolli është emëruar drejtor i drejtorisë së Kadastrës dhe Legalizimit në Komunën e Prishtinës.

    Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga vet Begolli.

    Ai tha se e ka pranuar këtë angazhim me përkushtim të plotë, me synimin që përmes punës profesionale, transparencës dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët të kontribuoj në përmirësimin e shërbimeve.

    “Është një përgjegjësi dhe nder i veçantë për mua të marr detyrën e Drejtorit të Kadastrës dhe Legalizimit në Komunën e Prishtinës. Falënderoj kryetarin Përparim Rama për besimin e dhënë, si dhe Lidhjen e Prishtinës, kryesuesin Kupina, kandidatët dhe asambleistët për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë këtij rrugëtimi politik dhe institucional. E pranoj këtë angazhim me përkushtim të plotë, me synimin që përmes punës profesionale, transparencës dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët të kontribuoj në përmirësimin e shërbimeve dhe zgjidhjen efikase të çështjeve që lidhen me kadastrën dhe procesin e legalizimit”, ka shkruar Begolli.

    Tutje ai ka shkruar se: “Besoj fuqishëm se vetëm përmes punës serioze, bashkëpunimit institucional dhe përgjegjësisë publike mund të ndërtojmë një administratë më funksionale dhe më afër qytetarëve të Prishtinës”.

  • Dosja e Prokurorisë: Çka deklaruan polici dhe dy të tjerët të cilëve iu gjetën 1 milion euro të fshehura në furgon?

    Dosja e Prokurorisë: Çka deklaruan polici dhe dy të tjerët të cilëve iu gjetën 1 milion euro të fshehura në furgon?

    Një vlerë prej 1 milion eurove të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni janë gjetur nga zyrtarët e Doganës dhe policët kufitarë në Merdarë më 24.02.2026.

    Të dyshuarit në këtë rast janë Aurel Kaziu, polic në radhët e Policisë së Shtetit, konkretisht në Komisariatin numër 5 në Tiranë, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj, të cilët u arrestuan dhe janë në ndalim.

    KALLXO.com ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, përmes të cilës Prokurori special ka kërkuar paraburgim prej një muaji ndaj tre të pandehurve, mbi bazën e rrezikut të ikjes së tyre, asgjësimit, fshehjes, ndryshimit dhe falsifikimit të provave. Të njëjtit po dyshohen për “shpëlarje të parave”.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është fituar përmes aktivitetit kriminal, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”- thuhet në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj policit shqiptar dhe dy personave të tjerë që u kapën në Merdarë duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara.

    Sipas dosjes, furgoni i tipit “Sprinter”, me targa shqiptare, kishte hyrë në Kosovë përmes Merdarës i vozitur nga i pandehuri Edmir Ahmagjokaj, i cili ishte i shoqëruar nga dy të pandehurit e tjerë; Aurel Kaziu dhe Ardit Laska. Në dosje thuhet se në “bunkerin” e improvizuar në furgon janë gjetur 18 pako me bankënota 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro.

    Të tre kur janë marrë në pyetje kanë deklaruar se me profesion janë shoferë.

    I pandehuri Edmir Ahmagjokaj në deklaratën e dhënë te hetuesit doganorë më 24.02.2026 deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për paratë e gjetura në furgon. Ai shpjegoi se kishte udhëtuar në Gjermani më 22.02.2026 për të punuar në shpërndarje postash për klientë të ndryshëm. Ai qëndroi në hotel rreth orës 22:00 dhe planifikonte të nisej drejt Shqipërisë më 25.02.2026.

    I pandehuri Aurel Kaziu, i cili është polic në Shqipëri, në deklaratën e dhënë te hetuesit doganorë më 24.02.2026, i pandehuri deklaroi se më 21.02.2026 ishte nisur nga Tirana për në Gjermani me një furgon të kaltër, të cilin e kishte ndryshuar në Kosovë me furgonin që u ndalua nga Dogana.

    “Furgonin nga Kosova për në Tiranë e kishte marrë kompania. Ai tha se kishte qëndruar një natë në Dortmund dhe më pas është takuar me Edmir Ahmagjokajn në Këln, ku kishin ngrënë së bashku dhe më pas vazhduan udhëtimin për në Shqipëri. Për paratë e konfiskuara, deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni”- thuhet në dosje

    Kurse i pandehuri i tretë, Ardit Laska, sipas dosjes, deklaroi se kishte shkuar për herë të parë në Gjermani për tre muaj. Mohoi çdo lidhje me paratë. Tha se kishte kontaktuar një kompani përmes Instagramit për transport Gjermani–Shqipëri.

    “Kompania i kishte dhënë kontaktin e Aurel Kaziut dhe lokacionin e pikës së nisjes. Më 23.02.2026, ai së bashku me Aurel Kaziun dhe EdmirAhmagjokaj ishin nisur nga Dortmundi për në Shqipëri”- vazhdon dosja.

    Vlera prej 1 milion euro e gjetur në një hapësirë të fshehtë në një furgon sipas Prokurorisë dyshohet se janë përfituar përmes aktivitetit kriminal.

    Në dosje thuhet se të dyshuarit kur ishin ndaluar dhe ishin pyetur nga hetuesit doganorë e kishin mohuar se kanë diçka për të deklaruar.

    Ahmagjokaj, Kaziu e Laska janë ndaluar në pikën kufitare më 24.02.2026 rreth orës 13:00. Të tre këta janë ndaluar fillimisht për një kontrollë nga Dogana e Kosovës ndërsa nga pajisjet digjitale me rreze X është hasur në disa dyshime për mjete monetare të fshehura brenda një furgoni.

  • Komandanti i NATO’s në Mitrovicë, takohet me Pecin

    Komandanti i NATO’s në Mitrovicë, takohet me Pecin

    Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Admiralin amerikan George M. Wikoff, ka vizituar sot Mitrovicë, ku është takuar me Kryetarin Faton Peci.

    Për këtë takim ka njoftuar Peci, i cili ka thënë se diskutuan për gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe për aspektet socio-ekonomike që ndërlidhen me integrimin e komuniteteve.

    “E falënderova për kontributin që NATO ka dhënë për Kosovë në kohën më të vështirë të popullit tonë, që nga viti 1999, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shpreha vizionin dhe prioritetet e komunës sonë për projekte zhvillimore që kontribuojnë në ekonomi dhe në paqe, veçanërisht në këtë periudhë kur gjendja e sigurisë po shënon progres të dukshëm drejt stabilitetit në vend dhe rajon. Gjithashtu, u falënderuam dhe uruam njëri-tjetrin për marrjen e mandateve, duke u zotuar për bashkëpunim të ndërsjellë dhe të vazhdueshëm”, ka shkruar Peci.

  • Vendimi për t’u mbuluar, Alba zbulon se çfarë i thanë hoxhallarët

    Vendimi për t’u mbuluar, Alba zbulon se çfarë i thanë hoxhallarët

    Pas deklaratës së fortë në “Big Brother VIP Kosova” se kishte vendosur të mbulohej sipas ritualeve myslimane, Alba Pollozhani, ka sqaruar përfundimisht rrugëtimin e saj shpirtëror.

    Ish-banorja thekson se feja ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së saj, por ky vendim i rëndësishëm kërkon kohë dhe përgatitje të brendshme. Ajo tregoi se është konsultuar me njerëz adekuatë të fesë, të cilët e kanë këshilluar të veprojë gradualisht.

    “Fakti që u këshillova me njerëz që e përfaqësojnë me dinjitet fenë dhe ata më sugjeruan ‘hap pas hapi’ tregon urtësi. Shamija nuk është vetëm një mbulesë, por një përgjegjësi shpirtërore”, shkruan Alba.

    Me këtë reagim, ajo i jep fund spekulimeve, duke treguar se dëshira e saj është e sinqertë, por po e merr me maturinë e duhur dhe pa u nxituar.

  • La Lakers pësoi humbje ndaj Phoenix Suns-Houston Rockets shënon fitoren e rradhës

    La Lakers pësoi humbje ndaj Phoenix Suns-Houston Rockets shënon fitoren e rradhës

    Janë zhvilluar ndeshje tejet interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Los Angeles Lakers ka pësuar humbje në udhëtim nga Phoenix Suns,dhe atë me rezultat 113:110.

    41 pikët e Luka Doncic nuk mjaftuan që Lakers të shmang humbjen,si dhe poashtu 8 kërcimet e bëra dhe 8 asistimet e tjera,kurse në anën tjetër Grayson  Allen me 28 pikë si dhe Collin Gillespie me 21 pikë të tjera ishin më efikasët për Suns.

    Houston Rockets ka shënuar fitoren e rradhës,ku arriti të mposhtë në udhëtim Orlando Magic me rezultat 113:108.

    Kevin Durant me 40 pikë e 8 kërcime,dhe Reed Shephard me 20 pikë të tjera ishin më të mirët tek Rockets,kurse për Magic Desmond Bane me 30 pikë dhe Paulo Banchero me 19 pikë,8 kërcime e 9 asistime ishin më të mirët në parket.