ATV

Blog

  • Dënimi me 15 vjet i kosovarit në Beograd, Syla: Serbia po tenton ta njollosë luftën e UÇK-së

    Dënimi me 15 vjet i kosovarit në Beograd, Syla: Serbia po tenton ta njollosë luftën e UÇK-së

    Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar për Klan Kosova se besojnë në pafajësinë e bashkëluftëtarit Gjelosh Krasniqi, i cili është dënuar me 15 vjet burgim në mungesë nga Gjykata e Beogradit.

    Ai tha se pretendimet e akuzat që ia drejton shteti serb janë të pabaza dhe të pavërteta.

    Sipas Sylës, kjo nuk është diçka e re, duke e ditur që Serbia vazhdimisht tenton ta njollosë luftën e pastër të UÇK-së.

    Ai theksoi se Gjelosh Krasniqi, përveç që vetë doli në mbrojtje të vendit në kohën më të vështirë, është edhe vëllai i dëshmorit, Gjergj Krasniqi.

    “Lufta jonë ka qenë e drejtë. UÇK-ja nuk ka bërë krime. Jemi krenarë me çdo luftëtar të UÇK-së. Me luftën speciale të Serbisë jemi duke u ballafaquar çdo ditë prej ditës së çlirimit të Kosovës”, u shpreh Syla.

  • Daçiq me infeksion në dy mushkëritë, Vuçiq: Jam i shqetësuar për gjendjen e tij, prisnim përmirësime

    Daçiq me infeksion në dy mushkëritë, Vuçiq: Jam i shqetësuar për gjendjen e tij, prisnim përmirësime

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha sot në Astana se është “shumë i shqetësuar” për gjendjen shëndetësore të ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiç, i cili është i shtruar në spital në Beograd për shkak të inflamacionit të të dy mushkërive.

    Vuçiç u tha gazetarëve nga Serbia që po e shoqërojnë gjatë vizitës së tij në Kazakistan se është “në kontakt të vazhdueshëm” me ministrin e Shëndetësisë Zlatibor Lonçar në lidhje me gjendjen shëndetësore të Daçiçit, shkruan Beta.

    “Sonte, sapo të kthehem në Beograd, do të shkoj në spital. Nuk ka ndryshime, gjendja është e qëndrueshme dhe kjo është mirë nga njëra anë, por prisnim ndryshime më të mira dhe më të shpejta”, tha ai.

    Ndihmësdrejtori i Klinikës për Pulmonologji të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Spasoje Popeviç, i cili është përgjegjës për trajtimin e Daçiçit, tha këtë mëngjes se gjendja e Daçiçit “nuk ka ndryshuar, për momentin është e qëndrueshme”, se ai “e kaloi natën i qetë” dhe se “masat intensive të trajtimit po vazhdojnë”.

    Të mërkurën, Daçiç u shtrua në Klinikën e Pulmonologjisë të Qendrës Klinike të Serbisë në gjendje të rëndë dhe u vu në ventilator për shkak të inflamacionit të të dy mushkërive.

  • Kosova përfiton mbi 10 milionë dollarë nga “Pandemic Fund”

    Kosova përfiton mbi 10 milionë dollarë nga “Pandemic Fund”

    Kosova ka përfituar mbi 10 milionë dollarë nga raundi i tretë i financimit të Pandemic Fund, një mekanizëm global që mbështet vendet në forcimin e kapaciteteve për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive.

    Kjo është bërë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Më 12 shkurt 2026, Bordi Drejtues i Pandemic Fund ndau gjithsej 499.6 milionë dollarë për 20 projekte në mbarë botën, duke mobilizuar mbi 4 miliardë dollarë financim shtesë nga partnerë të ndryshëm. Kosova është një nga vendet përfituese përmes projektit MAKE READY”, shkroi Vitia në Facebook.

  • 30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

    30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Zhelko Jagodiqit dhe Mihajllo Mihajlloviqit.

    Kjo masë u mor në seancën e mbajtur në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit Zef Prendrecaj.

    Dy shtetasit serbë, u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria e Prishtinës për tjetërsim prone dhe vepra të tjera penale.

    Ata dyshohet se tentuan të shesin një pronë 2 milionëshe në Veternik.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të mërkurën se pas një hetimi disamujor, janë ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.M dhe Z.J. për dyshimin e kryerjes së mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtës së rreme.

    Në njoftim u tha se ky hetim lidhet me një pronë në Veternik me sipërfaqe 56 ari, ndërsa nga dyshuarit janë sekuestruar veturë, para, dokumente dhe telefona celularë.

    “Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra në këtë çështje, nga personat e dyshuar janë sekuestruar këto prova materiale: një (1) veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro; para në shumën prej 20,000.00 (njëzet mijë) euro; dokumente të ndryshme pronësore, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara; si dhe katër (4) telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

  • Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Me masa mbrojtëse, në Dhomat e Specializuara në Hagë, filloi dëshminë dëshmitari i parë i Prokurorisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.

    Identiteti i dëshmitarit është i ditur vetëm për ata që janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Pyetjet për këtë dëshmitar i filloi Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori, Matt Halling, i cili pyetjet fillestare i bëri në seancë private për publikun.

    Ndërsa, mbrojtësja e Thaçit, Sofi Menegon, kërkoi nga gjykatësit që mbrojtësit pyetjet për dëshmitarin t’i bëjnë të hënën, për shkak se nuk janë të gatshëm për pyetjet.

    “Do të kërkoja që të filloja pyetjet për dëshmitarin të hënën. Ju kishit thënë në dosjen tuaj f705 paragrafi tetë, se në qoftë se ne nuk jemi të gatshëm për të bërë pyetje mund të kërkojmë që të shtyhet ky afat dhe do të vlerësonim nëse do të na jepni kohë pak më të gjerë për të përmirësuar këtë proces’, tha Menegon.

    Gjykatësi Kristofer Gosnel pezulloi seancën për ditën e sotshme, e cila do vazhdoj të hënën.

    “ Atëherë do të pezullojmë seancën e ditës së sotme”, tha ai.

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë janë dhënë deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.

    Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

  • Ruben Amorim merrë 37 milionë euro për shkarkimin nga Manchester United

    Ruben Amorim merrë 37 milionë euro për shkarkimin nga Manchester United

    Gjiganti anglez Manchester United pritet të paguaj dëmshpërblim teknikut portugez Ruben Amorim.

    Amorim nga klubi pritet të marrë rreth 37 milionë euro kompensim për shkarkimin nga Man United,shumë kjo e madhe që nuk është paguar për një trajner i cili u largua nga Old Trafford.

    Përndryshe gazetari i BBC Simon Stone bënë të ditur se për fillim klubi anglez se një shumë prej.3 milionë eurosh, e lidhur me sigurimin e shërbimeve të Amorim nga Sporting Lisbona është fshirë nga bilanci,teksa edhe një një kosto e përkohshme prej 15.9 milionë eurosh për të përfaqësuar “shumën maksimale të mundshme të pagesave të ardhshme është regjistruar.

    Në anën tjetër ManU ka paguar 11 milionë euro për të prishur kontratën e Amorim me Sportingun dhe për ta sjellë atë si zëvendësues të teknikut holandez Erik Ten Hag,dhe se kjo i kushtoi rreth 10.4 milionë euro.

    Ndërrkohë Bursa e Neë Yorkut, United ka konfirmuar se vendimi për shkarkimin e Amorim mund t’i kushtojë klubit afro 16 milionë euro,dhe mbetet të shihet se nëse klubi do të mund të arrijë të paguaj gjithë këto para.

  • Lionel Messi i frustruar që nuk mësoi gjuhën angleze-Si idiot, nuk mund të flas me personalitete të famshme”

    Lionel Messi i frustruar që nuk mësoi gjuhën angleze-Si idiot, nuk mund të flas me personalitete të famshme”

    Ylli argjentinas Lionel Messi ka pranuar se nuk arriti të mësojë gjuhën angleze qëkur e kishte mundësinë ta bënte.

    Messi thotë se ndihet “idiot”që nuk e mësoi anglishten gjatë shkollës,dhe thitë se ndihej inferior kur takohej me personalitete të njohura botërore.

    “Pendohem për shumë gjëra.Nuk e mësova anglishten kur isha fëmijë. E kisha kohën për ta studiuar dhe nuk e bëra. Pendohem thellësisht.Kam përjetuar situata kur kam qenë me personalitete të jashtëzakonshme me të cilët mund të bisedoja dhe ndihesh gjysmë injorant. Gjithmonë mendoja: ‘Sa idiot, si e humba kohën”

    Tutje Messi thotë se dëshiron që fëmijët e tij të jenë të përgatitur,dhe të jenë të përgatitur për të ardhmen ngase në kohën kur ishte fëmijë nuk ka pasur mundësi edhe të mëdha

  • Zelensky: Paqja mund të arrihet deri në vjeshtë, para zgjedhjeve në SHBA

    Zelensky: Paqja mund të arrihet deri në vjeshtë, para zgjedhjeve në SHBA

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ekziston një mundësi reale që lufta të përfundojë deri në vjeshtë, nëse shfrytëzohet momenti aktual diplomatik dhe politik.

    Në një prononcim të fundit, ai theksoi se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për fatin e konfliktit, duke e lidhur drejtpërdrejt zhvillimin e ngjarjeve me zgjedhjet e ndërmjetme që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Mendoj se tani kemi një shans. Sinqerisht, shumë gjëra vitin e ardhshëm do të varen nga këta muaj – nëse mund ta përfundojmë luftën deri në vjeshtë. Para zgjedhjeve, zgjedhjeve të rëndësishme dhe me ndikim në Shtetet e Bashkuara. Nëse paqja mund të arrihet, kjo është e mundur tani – ne e kemi këtë dritare mundësie”, është shprehur Zelensky, shkruan skynews.

    Sipas tij, mbështetja dhe dinamika politike në SHBA mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën e konfliktit, duke e bërë periudhën aktuale një moment kyç për përpjekjet drejt armëpushimit apo një marrëveshjeje paqeje.

    Deklarata e presidentit ukrainas vjen në një kohë kur zhvillimet në terren dhe lëvizjet diplomatike ndërkombëtare mbeten intensive, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të kërkojë zgjidhje për t’i dhënë fund luftës.

    Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.

  • Një gjykatë në Beograd dënon ish-pjesëtarin e UÇK-së në mungesë me 15 vjet burgim

    Një gjykatë në Beograd dënon ish-pjesëtarin e UÇK-së në mungesë me 15 vjet burgim

    Një gjykatë në Beograd e ka dënuar në mungesë ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Gjelosh Krasniqi me 15 vjet burgim nën akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.

    Më 26 shkurt, Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një civili serb në qershor të vitit 1999 në fshatin Bellopojë afër Pejës, shkruan Rel.

    Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka thënë se aktakuza kundër Krasniqit bazohet kryesisht në deklarata të dëshmitarëve dhe prova të kufizuara forenzike dhe mjeko-ligjore dhe se avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, nuk kishte kontakt me të pandehurin.

    Kjo organizatë joqeveritare ka thënë se bashkëpunimi me institucionet gjyqësore të Kosovës është i domosdoshëm për ndjekjen penale të krimeve kundër serbëve në Kosovë.

    “Sidomos për faktin se Krasniqi është dënuar për krime kundër civilëve nga Gjykata e Qarkut e Pejës në vitin 2009”, është thënë në deklaratë.

    Aty përmendet edhe se gjykimet në mungesë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se “krijohet përshtypja se motivet për fillimin e procedurave të tilla rrjedhin pjesërisht nga hakmarrja ligjore dhe jo ekskluzivisht nga dëshira për të arritur drejtësi për viktimat”.

    Fondi ka rikujtuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi deri më tani ka ngritur shtatë padi kundër personave që nuk janë në dispozicion të gjyqësorit serb dhe se pesë prej tyre janë kundër qytetarëve të Kosovës, për krime të kryera kundër popullsisë joshqiptare.

    Që nga viti 2014, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka ngritur asnjë padi të re për krime në Kosovë kundër personave që janë shtetas të Serbisë.

    Në përgjigje të këtyre kritikave, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se “ata fillojnë dhe zhvillojnë procedurat në përputhje me provat dhe ligjin”.

    Serbia, përveç ngritjes së padive dhe gjykimeve në mungesë, ka vazhduar të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare.

    Arrestimi i fundit ndodhi më 5 shkurt, kur një ish-anëtar i UÇK-së u arrestua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë. Komisioni Evropian paralajmëroi në atë kohë se arrestimi dhe ndjekja penale e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe përfaqësonte një tjetër shkelje të detyrimeve të Serbisë sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

    “Serbia është zotuar të mos fillojë hetime penale ose ndjekje penale për krime të dyshuara të kryera në Kosovë, përveç nëse kërkohet nga autoritetet e Kosovës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shtoi se akuzat për krime lufte dhe krime të tjera të rënda janë brenda juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë detyrimet e saj.

  • Kurti takon kryetaren e ASHAK-ut, diskutojnë për progresin dhe sfidat në vend

    Kurti takon kryetaren e ASHAK-ut, diskutojnë për progresin dhe sfidat në vend

    Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mirëpriti Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula, së bashku me nënkryetarin e Akademisë, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe Sekretarin Shkencor, akademik Bardh Rugova.

    Shiroka-Pula e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e AShAK-ut. Ajo e njoftoi kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të AShAK-ut me institucionet shtetërore për nevojat dhe interesat e vendit, përmes ekspertizës që ofron Akademia.

    Bëhet e ditur se Kurti gjithashtu e uroi kryetaren Shiroka Pula për detyrën e saj të re dhe i dëshiroi suksese në punë. Ai theksoi prioritetet e Qeverisë, ndër to arsimin dhe drejtësinë, si dhe rëndësinë e tyre për një hov të ri të zhvillimit të vendit, por edhe rolin që bashkëpunimi me AShAK-un mund të luajë në këtë drejtim.

    “Diskutuan për zhvillimet, progresin dhe sfidat në vend, dhe u pajtuan të mbajnë komunikim të rregullt për thellimin e bashkëpunimit”, thuhet në një njoftim të zyrës për media të kryeministrit.