ATV

Blog

  • Enis Kervan emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes

    Enis Kervan emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes

    Enis Kervan, ish-deputet nga radhët e Partisë Demokratike Turke është emëruar sot në postin e Zëvendësministrit të Mbrojtjes.

    Kervan është pritur në zyrën e Kurtit ku edhe i është nënshkruar vendimi.

    Njoftimi i Zyrës së Kryeministrit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Enis Kervan në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Kryeministri Kurti e uroi z. Enis Kervan për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

  • Rritja e çmimeve të naftës, Ministria: Po inspektojmë në terren, raportoni çdo mashtrim

    Rritja e çmimeve të naftës, Ministria: Po inspektojmë në terren, raportoni çdo mashtrim

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) thotë se “është duke e monitoruar me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimit të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës”.

    MINTI njoftoi se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregu e ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, “për të mbrojtur konsumatorin, përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve ekonomikë”.

    “Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tregun vendor, por që këto lëvizje të çmimeve të derivateve të naftës duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    MINTI paralajmëron se “kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive përgjatë ditëve në vijim, përmes inspektimeve në terren”.

    “Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve nëpër pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së Vendimit përmes të cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe caktohen masat e tjera mbrojtëse për produktet e naftës, ku parashihet edhe mbikëqyrja e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, thotë Ministria.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit thotë se është “e përkushtuar, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg”.

    Ajo i fton qytetarët që “të raportojnë çdo parregullsi apo mashtrim të mundshëm, përmes kanaleve të komunikimit, në numrin pa pagesë: 0800 11000 apo përmes e-mailit zyrtar: [email protected]”.

  • Kurti: Të përpiqemi edhe sonte e nesër, do të flasim për emra konkretë, s’ka nevojë të shkojmë në zgjedhje

    Kurti: Të përpiqemi edhe sonte e nesër, do të flasim për emra konkretë, s’ka nevojë të shkojmë në zgjedhje

    Kryeministri Albin Kurti parlajmëroi se do të bëjë “përpjekje” edhe sonte dhe nesër për ta zgjidhur çështjen e Presidentit.

    “Na lejoni që të përpiqemi edhe sonte edhe nesër, e pasnesër besoj duhet të mësohet për këtë gjë”, tha ai për mediat pas një takimi në Kuvend me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Kurti tha se do të diskutohen edhe emrat konkretë dhe shtoi se “nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje”.

    “Padyshim që do të diskutojmë edhe për emra konkretë, por edhe një herë po them: mundësitë janë aty, nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje. Për shkak të mundësive që janë aty është e arsyeshme të mos shkojmë në zgjedhje, veçse nuk është hera e parë që në Kosovë ndodhin edhe gjëra të paarsyeshme”, tha ai.

    “Pra, unë edhe një herë bëj thirrje që të mos shkojmë në zgjedhje, të sigurohemi që do t’i kemi së paku 80 aty dhe më pastaj të vazhdojmë”, shtoi Kurti.

    “Padyshim që në vijim do të flasim edhe me emra konkretë, sepse ju e dini që edhe nuk mjafton një kandidat, duhen dy kandidatë”, tha ai.

  • Kurti e emëron Gegë Lleshin zëvendësministër të parë në Ministrinë e Mbrojtjes

    Kurti e emëron Gegë Lleshin zëvendësministër të parë në Ministrinë e Mbrojtjes

    Gegë Lleshi nga radhët e Partisë Shqiptare Demokristiane është emëruar në postin e zëvendësministrit të Parë në Ministrinë e Mbrojtjes.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Gegë Lleshi në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Kryeministri Kurti e uroi z. Gegë Lleshi për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

  • Kush është Alireza Arafi, udhëheqësi i përkohshëm i Republikës Islamike?

    Kush është Alireza Arafi, udhëheqësi i përkohshëm i Republikës Islamike?

    Kleriku i lartë Ajatollah Alireza Arafi është emëruar në këshillin e përkohshëm udhëheqës të Iranit pas vrasjes së raportuar të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei. Mediat e huaja shkruajnë se, vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një sulm ajror të përbashkët amerikano-izraelit në Teheran, Irani aktivizoi dispozitat kushtetuese të emergjencës.

    Kjo çoi në formimin e një Këshilli të përkohshëm Udhëheqësie prej tre anëtarësh për të ushtruar kompetencat e Udhëheqësit Suprem derisa Asambleja e Ekspertëve të zgjedhë një pasardhës të përhershëm. Ajatollah Alireza Arafi u emërua anëtar jurist i këtij këshilli më 1 mars 2026, së bashku me Presidentin Masoud Pezeshkian dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë Gholam-Hossein Mohseni-Ejei. Mediat dhe analistët e kanë përmendur atë në këtë kontekst si Udhëheqësi Suprem i përkohshëm i Iranit, duke shënuar një moment vendimtar në historinë e Republikës Islamike.

    Jeta e hershme dhe historia familjare e Ajatollah Alireza Arafi-t

    I lindur në vitin 1959 në qytetin historik të Meybod, i vendosur në provincën qendrore Yazd të Iranit, Alireza Arafi u rrit në një familje klerike thellësisht fetare. Babai i tij, Mohammad Ibrahim al-Arafi (i njohur edhe si Sheikh Haji Mohammad Ibrahim Arafi), ishte një dijetar i respektuar dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Ajatollah Ruhollah Khomeini, themeluesit të Republikës Islamike. Kjo lidhje familjare me elitën revolucionare i dha Arafit një ekspozim të hershëm ndaj themeleve ideologjike të regjimit.

    Që në moshë të re, Arafi shfaqi një prirje të fortë drejt studimeve fetare. Ai filloi arsimin e tij fillestar në seminar nën udhëheqjen e të atit në Meybod. Në vitin 1970, rreth moshës 11 vjeç, ai u zhvendos në Qom, epiqendra e mësimit teologjik shiit në Iran. Ky zhvendosje shënoi fillimin e trajnimit të tij formal të avancuar në hawza (sistemin seminar), ku ai do të kalonte dekada duke përsosur ekspertizën e tij.

  • Vdes edhe gruaja e Khameneit, nuk u mbijetoi lëndimeve të marra në sulmin SHBA-Izrael

    Vdes edhe gruaja e Khameneit, nuk u mbijetoi lëndimeve të marra në sulmin SHBA-Izrael

    Gruaja e Liderit Suprem të vrarë të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, vdiq të hënën, sipas mediave lokale, pasi pësoi plagë nga bombardimet e SHBA-së dhe Izraelit mbi Teheran, që vranë burrin e saj disa ditë më parë, shkruan CNN.

    Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh kishte qenë në koma pasi ajo dhe burri i saj u sulmuan rë shtunën, raportoi të hënën Agjencia e Lajmeve ISNA e Iranit.

    Vrasja e Liderit Suprem të Iranit nga SHBA dhe Izraeli ka krijuar një vakuum pushteti në qendër të regjimit iranian.

  • Kurti pyetet pse s’po e propozojnë Osmanin: 30-shi nuk zgjidh punë, madje as 80-shi s’është garanci

    Kurti pyetet pse s’po e propozojnë Osmanin: 30-shi nuk zgjidh punë, madje as 80-shi s’është garanci

    Kryeministri Albin Kurti hezitoi të përgjigjet direkt se pse s’po e propozojnë Vjosa Osmanin edhe për një mandat në postin e presidentes së vendit.

    Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke iu përgjigjur kësaj pyetje, Kurti foli për numrat.

    “Ne duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut, në situatën aktuale politike, evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi jo që t’i kemi 80, por t’i kemi nja 84-85, dhe për këtë është duke u bërë beteja me këto komunikime dhe këto takime që po i zhvillojmë”, tha ai.

    Kurti tha se 30 deputetë nuk zgjidhin punë dhe “as 80-shi nuk është garanci”.

    “Tash, 30-shi nuk zgjidh punë. Edhe një herë po e theksoj, as 80-shi nuk është garanci. Duhen 84 ose 85 që të jemi të sigurt për 80”, tha ai.

  • Rikthehet kalimi me kontrolle në Morinë

    Rikthehet kalimi me kontrolle në Morinë

    Nga dita e sotme deri më 30 prill do të jetë në fuqi kalimi me kontrolle në pikën kufitare të Morinit. Kështu përfundon periudha që nisi më 1 nëntor të vitit të kaluar dhe zgjati deri më 28 shkurt, gjatë së cilës u aplikua procedura e përshpejtuar e kalimit.

    Menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për rikthimin e kontrolleve, janë krijuar radhë të gjata automjetesh.

    Megjithatë, sipas udhëtarëve, kjo situatë është e mirëkuptuar dhe ata shprehen të ndërgjegjshëm për zbatimin e rregullave.

    Marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, parashikon që kalimi me kontrolle të vijojë deri më 30 prill.

    Ndërsa nga 1 maji deri më 30 shtator do të rikthehet procedura e përshpejtuar, me qëllim lehtësimin e fluksit dhe shmangien e radhëve të gjata gjatë sezonit veror.

  • Kthehet në rigjykim rasti i Aksiqit, i dënuar me 15 vjet burgim për masakrën e Reçakut

    Kthehet në rigjykim rasti i Aksiqit, i dënuar me 15 vjet burgim për masakrën e Reçakut

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Çedomir Aksiqit i dënuar në mungesë për krime lufte, për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut më 1999, ku janë vrarë 45 civilë shqiptarë.

    Departamenti Special i Apelit ka njoftuar se e ka pranuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Aksiq, dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe vendosje.

    Apeli ka konstatuar se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe thuhet se procesi gjyqësor është zhvilluar pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij.

    “Kolegji i kësaj gjykate ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPP-së, pasi që gjykimi është mbajtur në mungesë të të akuzuarit pa u përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara në nenin 303 paragrafët 7 dhe 8 të KPP-së, ngase, sipas vlerësimit të kolegjit, gjykimi në mungesë-shqyrtimi gjyqësor është zhvilluar pa u përmbushur kushtet ligjore, përkatësisht pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij”, thuhet ne njoftim.

    Sipas Apelit, Themelorja nuk e ka zbatuar drejtë nenin 303 të kodit të Procedurës Penale.

    Kolegji ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk ka zbatuar drejt nenin 303 paragrafi 8 të KPP-së, kur ka mbajtur gjykimin në mungesë të të akuzuarit duke konstatuar se janë përmbushur kushtet për zhvillimin e tij, pasi nga shkresat e lëndës, përveç mungesës së provave që do të dëshmonin publikimin e ftesës për seancë dhe të aktakuzës, rezulton se gjykata e shkallës së parë kishte anashkaluar tërësisht një nga kushtet kumulative ligjore të përcaktuara me këtë dispozitë, përkatësisht zhvillimin e një fushate informative të plotë, e cila paraqet parakusht të domosdoshëm për konstatimin e përmbushjes së standardit ligjor për mbajtjen e gjykimit në mungesë të të akuzuarit.

    Në paragrafin 8 të nenit 303 thuhet se “Përpjekjet e arsyeshme në kuptimin e paragrafëve 6 dhe 7 të këtij neni përfshijnë procedurat sipas neneve 172 dhe 173 të këtij Kodi dhe një fushatë informative të plotë, duke e thirrur të akuzuarin të dorëzohet në juridiksionin e gjykatës. Po ashtu, ftesa së bashku me aktakuzën publikohen në ueb faqen e Prokurorit të Shtetit, gjykatës që zhvillon procedurën dhe në gazetën zyrtare, duke i bërë thirrje të të akuzuarit të dorëzohet. Njoftimet e tilla i bëjnë thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit që t’ia komunikojë atë informacion policisë”.

    Aksiq në dhjetori të vitit 2024 u pat dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte. Ky ishte aktgjykimi i parë i Themelores në Prishtinë për krime lufte në mungesë të të akuzuarit, sipas të cilit ai është dënuar edhe për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.

  • MPJD: Mbi 960 kosovarë ndodhen në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

    MPJD: Mbi 960 kosovarë ndodhen në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se, përmes misioneve diplomatike, është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Kosovës që ndodhen në vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.

    Sipas të dhënave më të fundit, në:

    Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës;

    Arabinë Saudite 331 qytetarë;

    Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 qytetarë rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot;

    Katar 75 qytetarë;

    Kuvajt rreth 60 qytetarë;

    Bahrein 4 qytetarë;

    Oman 2 qytetarë.

    “Sipas informacioneve nga misionet tona diplomatike, të gjithë qytetarët tanë aktualisht janë në gjendje të mire shëndetësore.

    Ministria është duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuimin e qytetarëve tanë, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur. Aktualisht, janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.

    Megjithatë, institucionet vendore të të gjitha shteteve të rajonit, rekomandojnë dhe udhëzojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime, deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Autoritetet përkatëse kanë bërë të ditur se secili udhëtim i ndërmarrë në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme që mund të lindin nga zhvillimet e paparashikueshme të situatës.

    Rekomandime për qytetarët tanë:

    Të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale.

    Të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në njoftim të radhës.

    Të qëndrojnë në kontakt të rregullt me përfaqësitë tona diplomatike.

    Për çdo nevojë urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë:

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe: +971 547092109

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael: +972 586 340450

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite: +966 537508835

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Katar: +974 5055 9453

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojë të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri”.