ATV

Blog

  • Astronauti i NASA-s: “Ne po jetojmë një gënjeshtër” pas 178 ditëve në hapësirë

    Astronauti i NASA-s: “Ne po jetojmë një gënjeshtër” pas 178 ditëve në hapësirë

    Astronauti i NASA-s, Ron Garan, përjetoi një ndryshim të thellë jetësor pas 178 ditëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS). Duke nisur më 4 prill 2011 dhe duke u kthyer më 16 shtator 2011, Garan kreu pothuajse 3,000 orbita rreth Tokës dhe kuptoi se njerëzimi ka qenë duke “jetuar një gënjeshtër”.

    Ai tregoi se, duke parë Tokën nga dritarja e ISS-së, u trondit nga mënyra se si duket planeti nga orbitë. Nga hapësira, sistemet delikate të mbijetesës së Tokës, atmosfera, oqeanet dhe ekosistemet duken qartë, por shoqëria njerëzore i trajton ato sikur ekzistojnë vetëm për të shërbyer ekonomisë globale.

    “Unë nuk pashë ekonominë. Por që sistemi ynë njerëzor e trajton gjithçka – duke përfshirë vetë sistemet e mbijetesës së planetit – si një degë të ekonomisë globale, është e qartë nga hapësira se ne po jetojmë një gënjeshtër,” tha ai për Big Think.

    Garan shtoi se kjo pamje i bëri të kuptonte se shumë nga sistemet që njerëzimi përdor janë të ndërtuara mbi një ide të gabuar: se burimet natyrore të Tokës janë thjesht një vegël për rritjen ekonomike. Nga kjo perspektivë, bëhet e qartë se mënyra se si njerëzimi organizon prioritetet është themelore e gabuar.

    “Duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit: nga ekonomi, shoqëri, planet te planet, shoqëri, ekonomi. Vetëm atëherë do të vazhdojmë procesin tonë evolucionar,” shpjegoi Garan.

    Astronautët e quajnë këtë ndryshim “Overview Effect”, një term i krijuar nga filozofi i hapësirës Frank White në 1987. Ai përshkruan një ndryshim të thellë të ndërgjegjësimit që përjetojnë shumë astronautë duke parë Tokën nga hapësira, duke sjellë një ndjenjë të fuqishme habie, vlerësimi më të thellë për bukurinë dhe delikatesën e planetit dhe lidhje me njerëzimin dhe Tokën si tërësi.

    Për Garan, kjo nuk ishte një ide abstrakte, por një ndryshim i përhershëm perspektive. Edhe pse deklaratat u bënë në 2022, intervista e tij së fundmi u shpërnda në rrjetet sociale, duke mahnitur përdoruesit.

    “Ai u kthye përjetësisht i ndryshuar. Shumica e nesh qëndrojmë këtu poshtë duke u grindur për kufijtë në hartë,” shkroi një përdorues.

    Garan shpjegoi se “orbital perspective” – perspektiva orbitale – është ajo që njerëzit bëjnë me këtë ndërgjegjësim. Ai e përshkroi si një ndjenjë të padrejtësisë kur sheh kontrastin midis bukurisë së jashtëzakonshme të planetit dhe realitetit të vështirë për shumë banorë.

    “Një gjë që kuptova gjatë kohës në hapësirë është se ne nuk jemi nga Toka, ne jemi të Tokës. Dhe për ta çuar më tej, ne nuk jemi thjesht në univers; ne jemi universi duke marrë vetëdije për veten e vet.”

    Ai shtoi se kuptimi i këtij koncepti nuk kërkon të shkosh në hapësirë; njerëzit mund të zhvillojnë perspektivën orbitale edhe duke qëndruar në Tokë. Ai përdori metaforën e një “dolly zoom” nga filmi për të shpjeguar se si mund të shqyrtohen problemet nga një perspektivë e gjerë dhe nga afër.

    “Nëse përdorim dolly zoom për një situatë, do të zmadhojmë zonën gjeografike sa më shumë të mundemi, idealisht të gjithë planetin, por pa humbur fokusin tek detajet e vogla në terren,” tha ai.

    Garan theksoi se kjo perspektivë e gjerë nuk duhet të bëjë që të humbasim vëmendjen ndaj individëve; njerëzit nuk duhet të reduktohen në statistika, grupe votimi ose konsumatorë, por të vlerësohen si anëtarë të shoqërisë.

    Ai shtoi se duke menduar në kohë të gjata, madje edhe në breza, ndërsa trajtohen sfidat e menjëhershme, mund të kuptohen më mirë problemet dhe të gjenden zgjidhje më të forta dhe afatgjata.

    Pavarësisht sfidave që përballet bota, Garan mbetet optimist, duke besuar se një ndërgjegjësim i rritur mbi lidhjen e ndërsjellë të njerëzimit po përhapet në të gjithë planetin dhe mund të ndihmojë në zgjidhjen e shumë problemeve globale dhe frymëzimin e njerëzve për një të ardhme më të mirë.

  • ​19 vjet nga mbarimi i bisedimeve për statusin e Kosovës

    ​19 vjet nga mbarimi i bisedimeve për statusin e Kosovës

    Në Vjenë të Austrisë më 10 mars 2007, mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje.

    Të pranishëm ishin krerët e Kosovës Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha dhe të tjerë; të Serbisë, Boris Tadiq, Vojislav Kostunica dhe të tjerë, si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari.

    Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai edhe njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do t’i dërgohej Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të atij muaji. Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzoi OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës, 15 mars 2007. Plani direkt propozoi pavarësi për Kosovën, e cila u shpall më 24 shkurt 2008.

  • Zhduket një grua në Ferizaj

    Zhduket një grua në Ferizaj

    Një grua është raportuar e zhdukur më 6 mars në Ferizaj.

    Policia ka njoftuar se viktima është raportuar e zhdukur qysh nga ora 14:00 e së premtes që lamë pas, dhe ende nuk dihet gjë për vendndodhjen e saj.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Tri vetura me targa të Serbisë kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë

    Tri vetura me targa të Serbisë kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë

    Policia e Kosovës ka ndaluar tre vetura me targa të Serbisë në fshatin Koshuticë të Leposaviqit, nën dyshimin për kalim të paautorizuar të kufirit.

    “Njësiti policor ka ndaluar tri vetura me targa të Serbisë me drejtues meshkuj kosovarë të cilët nga territori i Serbisë në mënyrë të kundërligjshme jashtë vendkalimeve kufitare kanë hyrë në territorin e R. të Kosovës”, thotë policia në raportin 24-orës.

    Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim, ndërsa pas konsultimit me prokurorin e shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Zbulim shqetësues për ilaçet për dobësim – Studimi paralajmëron rrezik për kockat

    Zbulim shqetësues për ilaçet për dobësim – Studimi paralajmëron rrezik për kockat

    Një studim i ri tregon se përdorimi i ilaçeve për dobësim si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro mund të rrisë rrezikun e osteoporozës me rreth 30 për qind, por ekspertët thonë se aktiviteti fizik mund ta zvogëlojë këtë efekt

    Një studim i ri paralajmëron se ilaçet e njohura për dobësim, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, mund të rrisin rrezikun e osteoporozës me rreth 30 për qind. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky rrezik mund të zvogëlohet me aktivitet të rregullt fizik, veçanërisht me ushtrime të forcës.

    Ilaçet nga grupi i agonistëve të receptorit GLP-1 kanë ndryshuar mënyrën e trajtimit të obezitetit dhe diabetit të tipit 2. Por ndërsa efektet e tyre në humbjen e peshës janë shumë të vlerësuara, studiuesit po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë për pasojat e mundshme afatgjata.

    Kockat mund të bëhen më të brishta

    Shkencëtarët, të udhëhequr nga dr. John Horneff nga Universiteti i Pensilvanisë, analizuan të dhënat mjekësore të më shumë se 146 mijë të rriturve me obezitet dhe diabet të tipit 2 gjatë një periudhe pesëvjeçare. Ata krahasuan pacientët që përdornin këto ilaçe me ata që nuk i përdornin.

    Rezultatet treguan se përdoruesit e ilaçeve GLP-1 kishin rreth 30 për qind rrezik më të lartë për zhvillimin e osteoporozës, një sëmundje që i bën kockat më të dobëta dhe më të prirura për thyerje. Rreth 4 për qind e përdoruesve zhvilluan këtë problem, krahasuar me pak më shumë se 3 për qind tek personat që nuk i përdornin.

    Gjithashtu u vu re një rritje e rasteve të osteomalacisë, gjendje që shkakton zbutjen e kockave, si dhe një rritje e lehtë e rrezikut për përdhes.

    Pse ndodh kjo?

    Ekspertët theksojnë se problemi nuk lidhet drejtpërdrejt vetëm me ilaçin, por me humbjen e shpejtë të peshës. Çdo rënie e madhe në peshë shoqërohet me ulje të densitetit mineral të kockave.

    Kur pesha bie shpejt, zvogëlohet edhe presioni mekanik mbi kockat, i cili normalisht ndihmon në forcimin dhe rinovimin e tyre. Përveç kësaj, deri në 40 për qind e peshës së humbur mund të jetë masë trupore pa yndyrë, përfshirë edhe muskujt, gjë që rrit rrezikun e dobësimit të skeletit dhe të frakturave.

    Ushtrimet mund të mbrojnë kockat

    Megjithatë, një studim tjetër i publikuar në revistën JAMA Network Open tregon se aktiviteti fizik mund të ndihmojë në mbrojtjen e kockave. Personat që përdornin këto ilaçe, por nuk ushtronin aktivitet fizik, kishin densitet më të ulët të kockave në ije dhe shtyllën kurrizore.

    Ndërsa ata që kombinuan ilaçet me ushtrime të rregullta, veçanërisht ushtrime të forcës dhe rezistencës, arritën të ruajnë më mirë shëndetin e kockave.

    Prandaj mjekët rekomandojnë që personat që përdorin këto ilaçe të konsultohen me specialistët për një plan ushqimor të pasur me proteina dhe kalcium, si dhe për një program të rregullt ushtrimesh që ndihmon në ruajtjen e masës muskulore dhe kockore.

  • Kuleta digjitale dhe lirimi i disa kategorive nga pagesa, ‘Trafiku Urban’ jep detaje

    Kuleta digjitale dhe lirimi i disa kategorive nga pagesa, ‘Trafiku Urban’ jep detaje

    “Trafiku Urban” ka dalë me një njoftim që nga pagesa janë liruar disa kategori që kanë nevojë më shumë, duke përfshi këtu edhe veteranët, dëshmorët dhe nxënësit, e këtë e vlerësn si të duhur Kryeshefi i Trafikut Urban, Qendrim Vitija i cili gjatë intervistës për Ekonomia Online ka thënë se këto kategori janë edhe përdoruesit më të shpeshtë të trafikut publik.

    Sipas tij për disa kategori ky vendim është marrë si një akt përkrahjeje siç janë stafi i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe stafi shëndetësor.

    “Ne e publikuam edhe lirimin në pagesa, në transportin publik janë gjithsej 15 kategori, të cilat kanë qenë të liruara nga pagesa për shkak të ligjit në disa kategori të caktuara, ndërsa në vjeshtën e vitit 2025, kryetari Përparim Rama ka mendu që kësaj liste t’i shtohen disa kategori tjera. Janë kryesisht kategori që kanë pernime nevojë të lirohen nga pagesat, duke filluar nga nxënësit, studentët, penisonistët, për organizatat e dala nga lufta, veteranët dhe dëshmorët, e gjithashtu janë të liruar edhe stafi administrativ të komunës së Prishtinës, stafi i Drejtorisë së Shëndetësisë që përfshin Qendrat Klinike Familjare dhe janë stafi i Drejtorisë së Arsimit që përfshin arsimtarët dhe stafin arsimor në Drejtorinë e Arsimit, s’domethënë që kanë nevojë për me i liru mirëpo si akt përkrahjeje për punën që e bëjnë edhe janë realisht kategori që e përdorin më së shpeshti trafikun urban”, thotë Vitija.

    Vitija thotë se duhet gjithsesi përdorimi i kuletës digjitale për t’u identifikuar këto kategori.

    “Kuleta digjitale është hapi i parë drejt digjitalizimit të procesit të biletimit të trafikut urban në transportin publik. Ne përmes kuletës digjitale nga data 1 mars i kemi obligu që të gjitha kategoritë të liruara të përdorin kuletën digjitale në mënyrë që të përfitojnë nga lirimi i pagesës, mirëpo në ato raste për të përdorur biletën digjitale duhet një paisje një telefon, duhet të shkarkojnë një aplikacion dhe të ngarkojnë dëshmitë e nevojshme në mënyrë qe të përfitojnë nga lirimi nga pagesa. Për të gjithë qytetarët që nuk kanë telefon ne e kemi të mundur që përmes një linku të aplikojnë dikush tjetër, për atë qytetarë që nuk ka telefon edhe të furnizohet me kartelë që është e barazvlefshme me kuletën digjitale”, tha i pari i Trafikut Urban.

    E Visar Ballofci i cili është edhe ish veteran i UÇK-së e mirëpret vendimin për lirimin e pagesave dhe thotë se ia ka ndihmuar shumë për fëmijët.

    “Kjo çështja e kuletës digjitale është shumë e saktë, faleminderit prej kryetarit që e ka mendu këtë kuletën digjitale se ua lehtësuar shumë qytetarëve sidomos tash këto shtrenjtimeve që janë bërë me të madhe rreth çështjes së çmimeve atëherë kanë vepru në mënyrë të drejtë, faleminderit si kryetar atyre iu kanë mundësu shumë lehtë dhe është shumë e thjeshtë për me apliku në kuletë digjitale”, tha Ballofci

    “Unë jam në atë kategorinë e veteranëve edhe të përndjekurit e luftës, unë ashtu kështu jam me ligj i liruar prej kësaj pagese dhe tjerët sidomos rinisë edhe këtyre të shkollave të mesme dhe fillore, edhe fëmijët ma kanë lehtësu mua si prind, në atë kuptimin që duhej që çdo muaj me ua bërë pagesën”, tha ai.

    Për moshat më të shtyra është pak më e vështirë se e-kosova e ka një ngarkesë shumë të madhe me këtë formën, ka dikush që ka pritje, duhet me pritë deri sa të kyçet në kuletën digjitale.

  • Pse Oscars po humbasin shikueshmërinë: Më pak fitime nga filmat, më pak interes nga publiku

    Pse Oscars po humbasin shikueshmërinë: Më pak fitime nga filmat, më pak interes nga publiku

    Ceremonia më e ndjekur e çmimeve ‘Oscar’ ishte ajo e vitit 1998, kur filmi “Titanic” fitoi 11 çmime dhe u ndoq nga rreth 57 milionë shikues në ShBA.

    Në atë kohë filmi ishte një fenomen global dhe filmi i parë që kaloi fitimet prej një miliard dollarësh, gjë që e bëri ceremoninë shumë tërheqëse për publikun.

    Megjithatë, me kalimin e viteve interesimi për ‘Oscars’ ka rënë ndjeshëm.

    Nga 46 milionë shikues në vitin 1999, numri ra gradualisht në rreth 20 milionë në vitet e fundit, madje vetëm 10 milionë në vitin 2021 gjatë pandemisë.

    Sipas ekspertëve, rënia e shikueshmërisë lidhet me disa faktorë: rënia e interesit për kinemanë tradicionale, ndryshimi i mënyrës së shikimit të përmbajtjes për shkak të platformave streaming dhe fakti që ceremonia shpesh konsiderohet më pak interesante për publikun e gjerë.

    Në të kaluarën, fituesit e çmimit për ‘filmin më të mirë’ ishin shpesh edhe filmat më fitimprurës të vitit.

    Filma si “Forrest Gump” apo “Dances with Wolves” ishin njëkohësisht suksese të mëdha në arkë.

    Por në vitet e fundit shumë fitues janë filma me buxhet të vogël dhe më pak të njohur për publikun, ndërsa filmat më të mëdhenj komercialë, si filmat me superheronj apo fantazi, rrallë fitojnë çmime.

    Si rezultat, publiku i gjerë shpesh nuk ka interes të madh për filmat e nominuar, gjë që ka ndikuar në uljen e shikueshmërisë së ceremonisë.

    Në të ardhmen, ceremonia e ‘Oscars’ do të ndryshojë edhe mënyrën e transmetimit: nga viti 2028 ajo pritet të largohet nga televizioni ABC dhe të transmetohet në YouTube, gjë që mund të ndikojë në rritjen e audiencës.

  • ‘Një luftëtar pothuajse i padukshëm’: Ky është aeroplani luftarak që thuhet se ka luajtur një rol kritik në sulmet ndaj Iranit

    ‘Një luftëtar pothuajse i padukshëm’: Ky është aeroplani luftarak që thuhet se ka luajtur një rol kritik në sulmet ndaj Iranit

    Që kur filluan sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit të shtunën e kaluar, një aeroplan thuhet se ka luajtur një rol kritik dhe vdekjeprurës: F-35 Lightning II, i njohur ndryshe si F-35. “F” qëndron për “Luftëtar” dhe 35 tregon vendin e tij në përcaktimin e aeroplanëve të ushtrisë amerikane.

    I përshkruar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si “si një luftëtar pothuajse i padukshëm”, F-35 është projektuar për të shmangur zbulimin e radarit falë bojës dhe materialeve që “kapin” radarët.

    Kjo do të thotë që aeroplani mund të vendosë një sërë “bombash vdekjeprurëse inteligjente”, bombash thërrmuese dhe raketash të drejtuara me precizion pa u zbuluar – dhe nga deri në 400 km larg.

    Aeroplani gjithashtu kombinon të dhënat nga radari i tij në bord, kamerat dhe sensorët elektronikë në një sistem të vetëm të integruar për ta mbajtur pilotin e tij një hap përpara, thuhet në një shkrim të Euronews.

    Kjo teknologji e përparuar e ka bërë aeroplanin luftarak jashtëzakonisht efektiv në shkatërrimin e mbrojtjes ajrore iraniane dhe sigurimin e dominimit ajror, duke u lejuar aeroplanëve të tjerë të sulmojnë pa pengesa.

    Aeroplani është përdorur gjerësisht si nga SHBA-ja ashtu edhe nga Izraeli në më shumë se 3,000 sulme ndaj Iranit që nga 28 shkurti, të cilat kanë rezultuar në vdekjen e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe një numri komandantësh të lartë iranianë.

    Cilat janë karakteristikat kryesore të F-35?

    I prodhuar nga kompania e shquar amerikane e mbrojtjes, Lockheed Martin, është një aeroplan luftarak shumërolësh i gjeneratës së pestë i aftë për misione ajër-ajër, sulmesh tokësore, mbikëqyrjeje dhe zbulimi.

    Me fjalë të tjera, është një nga aeroplanët më të përparuar në botë, i aftë të arrijë shpejtësi deri në afërsisht 2,000 kilometra në orë (Mach 1.6) dhe të fluturojë deri në 15,000 metra.

    Ai ka një rreze veprimi deri në 2,200 kilometra.

    Flota amerikane e F-35 përfshin më shumë se 600 aeroplanë në total, me shumë që ngrihen aktualisht nga bazat ushtarake aleate në të gjithë Lindjen e Mesme dhe nga transportuesit e aeroplanëve USS Gerald Ford në Mesdhe dhe USS Abraham Lincoln në Detin Arabik. Izraeli po vendos edhe 48 aeroplanë të tjerë.

    Aeroplani, i cili hyri në shërbim në vitin 2015, kushton midis 80-120 milionë dollarë amerikanë, varësisht nga versioni, me 3 të tillë aktualisht në dispozicion (A, B dhe C).

    Versioni A është projektuar për pista konvencionale dhe operacione goditjesh të thella, B për ngritje vertikale dhe C për operim nga transportuesit e aeroplanëve.

    Kush tjetër e përdor F-35?

    F-35 është jashtëzakonisht popullor me aleatët e NATO-s dhe SHBA-së, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Holandën, Kanadanë, Danimarkën, Norvegjinë, Belgjikën, Poloninë, Gjermaninë, Greqinë dhe Rumaninë.

    Aeroplani është gjithashtu i pajisur me softuer të përparuar dhe sisteme ushtarake, duke i lejuar atij të ndajë të dhëna të fushëbetejës në kohë reale me aeroplanë dhe forca të tjera.

    Megjithatë, këto sisteme mbështeten në softuerin dhe sistemet e sigurisë amerikane për të funksionuar dhe në zinxhirët e furnizimit për t’i mirëmbajtur ato.

    Lidhur me këtë kishte edhe një thashethem se nëse SHBA-të vendosin se nuk duan më të punojnë me vende të tjera që përdorin F-35, mund të çaktivizojnë qasjen e tyre në softuer, duke e bërë flotën F-35 të atij vendi joefektive.

    Megjithatë, pas spekulimeve në lidhje me mbylljet në distancë, Zyra e Programit të Përbashkët F-35 (JPO) deklaroi: “Nuk ka ndërrim automatik”.

    Ndërkohë, raportet e fundit midis Trump dhe udhëheqësve evropianë, duke përfshirë mosmarrëveshjet mbi Ukrainën, Venezuelën, Grenlandën dhe tani Iranin, supozohet se i ka bërë disa evropianë të jenë të kujdesshëm ndaj blerjes së aeroplanit.

    Spanja, për shembull, braktisi planet për të blerë një flotë F-35 gushtin e kaluar, ndërsa kostot e larta të operimit të një flote F-35 gjithashtu i dekurajojnë Portugalinë dhe Zvicrën.

    Konkurrenti kryesor i F-35 është Eurofighter Typhoon më i shpejtë dhe më i shkathët i përdorur nga Gjermania, Italia, Spanja, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila kohët e fundit ka vendosur katër të tjerë për të mbrojtur Katarin nga sulmet iraniane.

  • Kroacia rikthen shërbimin ushtarak, qindra adoleshentë paraqiten vullnetarisht

    Kroacia rikthen shërbimin ushtarak, qindra adoleshentë paraqiten vullnetarisht

    Qindra adoleshentë kroatë janë paraqitur për shërbim të detyrueshëm ushtarak, për herë të parë që kur vendi i tyre e hoqi në vitin 2008. Trajnimi do të zhvillohet në kazerma në tre lokacione anembanë Kroacisë, me rekrutët që pritet të paraqiten në objektin më të afërt me shtëpitë e tyre.

    Atje, ata do të marrin pajisjet e tyre dhe caktimet për në konvikt. Për dy muajt e ardhshëm, ata do të duhet t’i nënshtrohen disiplinës ushtarake.

    Tihomir Kundid, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë tha se ata do të trajtoheshin me kujdes.

    “Ne do t’i mësojmë ata hap pas hapi, në mënyrë që të mos përjetojnë shumë stres”, shtoi ai.

    Mësohet se nuk do të ketë ndalim për telefonat celularë, përveç ndalimit të përdorimit të tyre gjatë stërvitjes. Rreth 800 persona janë në grupin e parë të rekrutëve.

    Më shumë se gjysma e tyre nuk kanë pritur për dokumentet e thirrjes, por janë paraqitur vullnetarë për shërbim ushtarak. Gjenerali Kundid premton një program shumë dinamik dhe shumë interesant” për rekrutët.

    Trajnimi do të mbulojë gjithçka, nga aftësitë tradicionale deri te kontrolli bazë i dronëve dhe aftësitë e mbrojtjes nga dronët dhe teknikat dhe kundërmasat e luftës kibernetike.

    Afërsia e pakëndshme e luftës në Ukrainë e shtyu Kroacinë të rivendoste shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Vetëm Hungaria e ndan Kroacinë nga konflikti.

    “Situata në Kroaci dhe në të gjithë fqinjësinë tonë ishte e qëndrueshme. Tani për tani, është krejtësisht ndryshe. Për katër vjet tani, ne kemi parë jo vetëm agresionin rus në Ukrainë, por edhe përfaqësuesit e Rusisë në të gjithë Evropën që po bëjnë punën e tyre”, i tha BBC-së Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anusiç.

    Kroacia është një nga 10 vendet e NATO-s që kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke iu bashkuar Greqisë, Turqisë, vendeve skandinave dhe vendeve baltike.

  • Zvicra pezullon vendimet e aplikimit për azil nga iranianët

    Zvicra pezullon vendimet e aplikimit për azil nga iranianët

    Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) nuk po përpunon më kërkesat për azil nga shtetasit iranianë për shkak të luftës në Iran. SEM e njoftoi këtë të hënën në platformën e lajmeve X, transmeton albinfo.

    Zëdhënësja e SEM, Anne Césard, i tha agjencisë së lajmeve Keystone-SDA se një ndryshim i mundshëm i regjimit në Iran nuk mund të përjashtohet. Një ndryshim i tillë i regjimit do të kërkonte një rivlerësim të profileve individuale të rrezikut të azilkërkuesve iranianë.

    Siç deklaroi më tej Césard, kjo nuk është hera e parë që Sekretariati Shtetëror për Migracionin ka pezulluar vendimet për azil. “SEM i përshtat praktikat e tij të azilit me situatën në vendet përkatëse”, tha Césard.

    SEM njoftoi gjithashtu të hënën se ka pezulluar dëbimin e iranianëve me vendime negative për azil. Përjashtime bëhen për ata të dënuar për krime dhe ata që konsiderohen kërcënim për sigurinë publike. Arsyeja e dhënë ishte se, për shkak të situatës që ndryshon me shpejtësi në Iran, një vlerësim përfundimtar i arsyeshmërisë së dëbimeve të tilla nuk ishte i mundur.