ATV

Blog

  • Tahiri i shokuar se si u caktua në sinkronizim Kurti-Osmani data e zgjedhjeve 28 dhjetor

    Tahiri i shokuar se si u caktua në sinkronizim Kurti-Osmani data e zgjedhjeve 28 dhjetor

    Besnik Tahiri është shprehur i shokuar pasi e ka dëgjuar Vjosa Osmanin të rrëfejë sesi e kishte caktuar datën e zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor vitin e shkuar, duke ia përshtatur atë ish-aleatit të saj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka thënë se është “bukur shokuese” të dëgjojë këtë rrëfim nga presidentja.

    “Për mua është bukur shokuese të dëgjoj se Presidentja Vjosa Osmani kishte vepruar në sinkronizim të plotë kundër opozitës, duke i shërbyer kauzës elektorale të Albin Kurtit”, ka shkruar ai.

  • Çmimi i naftës bie pas paralajmërimit të Trumpit

    Çmimi i naftës bie pas paralajmërimit të Trumpit

    Kanë kaluar dhjetë ditë që kur SHBA dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit dhe ndikimi i konfliktit është zgjeruar ndjeshëm: Irani është kundërpërgjigjur, Izraeli ka goditur Libanin dhe çmimet e naftës janë rritur. Zyrtarët iranianë kanë zgjedhur djalin e Ali Khameneit si pasuesin e tij, por Donald Trump ka sinjalizuar se Mojtaba Khamenei nuk e ka mbështetjen e tij.

    Duke folur në Florida të hënën, Trump tha se megjithëse SHBA ka pasur shumë fitore ushtarake në Iran dhe lufta do të përfundojë së shpejti, SHBA “do të shkojë më tej”. “Ne tashmë kemi fituar në shumë mënyra, por nuk kemi fituar mjaftueshëm,” u tha Trump ligjvënësve republikanë.

    Çmimi referencë i naftës ka rënë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se lufta me Iranin do të përfundojë “shumë shpejt”.

    Nafta u rrit mbi 100 dollarë për fuçi të hënën — përpara se Trump të thoshte se lufta ishte “shumë përpara afatit” dhe “pothuajse plotësisht e përfunduar”.

    Komentet e tij çuan në rënie të çmimit të naftës, i cili tani është më afër 90 dollarëve për fuçi, raporton BBC.

    Por Trump nuk dha shumë qartësi, edhe kur u shty për më shumë detaje, teksa kërcënoi se do ta godiste Iran “njëzet herë më fort” nëse ata ndalonin rrjedhën e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Irani raportohet se ka thënë se nuk do të lejojë që “asnjë litër naftë” të eksportohet nga rajoni nëse sulmet e SHBA-së dhe Izraelit vazhdojnë.

  • Gjenden mbetje mortore në Rahovec, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

    Gjenden mbetje mortore në Rahovec, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

    Janë gjetur eshtra mortore në Rahovec e që dyshohet që i përkasin një personi që është zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Policia ka njoftuar e se mbetjtet eshtërore janë tërhequr dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Rahovec/1998-1999 –NN. Lidhur me rastin 09.03.2026, gjatë vazhdës së punimeve njësia përkatëse policore në koordinim me IML bazuar edhe në urdhëresën e gjykatës, gjatë gërmimeve ka hasur pjesë eshtërore me prejardhje njerëzore që dyshohet se i përkasin së paku një (1) individi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në IML për ekzaminim mjeko-ligjor, në autopsi dhe analizën e ADN-së, me qëllim të identifikimit”, thuhet në raportin policor.

  • Ajatollahu i ri është ‘aq i keq sa babai i tij’, thonë disa iranianë – të tjerë dolën në shesh për t’i premtuar besnikëri

    Ajatollahu i ri është ‘aq i keq sa babai i tij’, thonë disa iranianë – të tjerë dolën në shesh për t’i premtuar besnikëri

    Disa iranianë kanë paralajmëruar se të kesh djalin e Ajatollahut të vrarë si udhëheqës të tyre të ri nuk do të ndryshojë asgjë pasi ai është ‘aq i keq sa babai i tij’.

    Mojtaba Khamenei u zgjodh si Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit të dielën pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit në një sulm me raketa në ditën e parë të luftës.

    Mojtaba, 56 vjeç, i linjës së ashpër, është një nga figurat më me ndikim në establishmentin klerikal të Iranit dhe për vite me radhë është parë si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar të atin, shkruan DailyMail.

    E Izraeli u zotua në fundjavë se do të ndjekë dhe vrasë këdo që Asambleja e Ekspertëve të Iranit vendosi të zgjedhë si udhëheqësin e saj të ri.

    Ndërkohë ka pasur raportime se Mojtaba u plagos në një shpërthim bombe, por nuk është e qartë nëse ishte e njëjta që vrau të atin.

    Të dielën, një ministër i Ministrisë së Jashtme të Britanisë paralajmëroi se emërimi i tij ‘nuk sugjeron asnjë ndryshim në drejtim nga Irani’.

    Dhe komenti i tij u pasqyrua nga shumë iranianë në vend.

    Njëri prej tyre, i quajtur Muhamed, tha: “Jemi të lodhur nga Mullahët që na kontrollojnë dhe shpresojmë vërtet që Izraeli dhe Amerika ta vrasin edhe atë së shpejti”.

    “Nuk jemi të lumtur për këtë udhëheqës të ri, ai është po aq i keq sa babai i tij”, citohet të ketë thënë më tej ai.

    Siç vë në pah mediumi britanik, Teherani ka vendosur një ndërprerje pothuajse të plotë të komunikimit, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë të flasësh me banorët brenda Iranit.

    Ata që e bëjnë këtë rrezikojnë arrestimin nga autoritetet.

    Një tjetër banor, një berber, shtoi: “Njerëzit po punojnë. Ata po vazhdojnë jetën e tyre normale. Dhe po, IRGC (Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike) ende po arreston njerëz”.

    Vetëm disa orë pas emërimit të Mojtabës, televizioni shtetëror iranian e quajti atë një “jaanbaaz” – një term që përdoret për të përshkruar një person shumë trim, të guximshëm dhe të gatshëm të rrezikojë jetën për të tjerët ose për një kauzë.

    Detajet e sakta të lëndimeve të tij nuk u zbuluan dhe ai nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës nga frika e një vrasjeje të synuar nga SHBA-të dhe Izraeli.

    Një burrë tjetër i tha BBC-së: “Edhe shanset më të vogla për një ndryshim nuk janë më brenda sistemit. Pra, gjithçka do të mbetet pak a shumë e njëjtë…”.

    Megjithatë, mijëra njerëz u mblodhën në një shesh në Teheran për t’i premtuar besnikëri Mojtabas.

  • Theret me thikë një 21 vjeçar në Kaçanik, transferohet në QKUK

    Theret me thikë një 21 vjeçar në Kaçanik, transferohet në QKUK

    Një person është therur me thikë mbrëmjen e së hënës në Kaçanik.

    Policia ka bërë të ditur se viktimë është SH.K, rreth 21 vjeç.

    Nga informatat e para të policisë dhe veprimet hetimore në terren është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në fillim të bulevardit “Ismajl Raka”, tek ura e qytetit në Kaçanik, ku viktima dyshohet se është sulmuar dhe therur me thikë nga një personi i dyshuar, J.SH., 17 vjeç.

    Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Kaçanikut, më pas është transferuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për trajtim të mëtejshëm është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

    Nga ana tjetër, 17 vjeçari, rreth orës 23:50 të së hënës është arrestuar nga policia dhe në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, është intervistuar nga hetuesit policorë.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa hetuesit policorë vazhdojnë hetimet dhe grumbullimin e informatave edhe për persona tjerë të implikuar në këtë rast.

  • 16 vite nga zhdukja e Bleona Matës, nëna e saj beson se është gjallë

    16 vite nga zhdukja e Bleona Matës, nëna e saj beson se është gjallë

    Janë bërë 16 vite nga zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata, më 22 maj 2010.

    Nëna e saj, Bukurie Mata, rikujtoi në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, momentet e fundit para se e bija të zhdukej pa lënë gjurmë.

    Sipas saj, ngjarja ndodhi rreth orës 17:40 të pasdites së 22 majit, kur Bleona po luante me bashkëmoshataret pranë një dyqani në fshat. Ajo rrëfen se vajza e xhaxhait të Bleonës, Qamilja, e mori me vete me pretekstin për të shkuar në mal.

    “22 maj, ditë e shtunë, edhe me orë e mbaj mend. Ishte ora 5:40 e pasdites, kur vajza luante me shoqet para dyqanit. Qamilja ishte organizuar të merrte një grep dhe ai ‘grep’ u bë shkaku për zhdukjen e Bleonës,” kujton Bukurie Mata me sytë e përlotur.

    Sipas dëshmisë së nënës, Qamilja, e cila në atë kohë ishte 17 vjeçe, ishte e afërme e familjes (vajza e xhaxhait të Bleonës) dhe e mori Bleonën së bashku me pesë vajza të tjera më të rritura, për t’u ngjitur në mal pa dijeninë e saj.

    Bukurie Mata thotë se vajzat, pasi u kthyen nga mali, pretenduan se kishin qenë duke ngrënë drekë, edhe pse në fakt ishte pasdite.

    Sipas saj, ato ishin ngjitur rreth 20 minuta më lart në mal së bashku me vajzën e vogël.

    Ajo kujton gjithashtu momentin kur familjarët nisën të kuptonin se diçka nuk shkonte. Ishte halla e Bleonës e cila e kishte telefonuar për ta pyetur nëse mbesa ishte kthyer në shtëpi.

    Menjëherë ata i ishin futur kërkimeve.

    “800 veta kemi qenë në mal, i tërë fshati. Gra, burra, fëmijë… të gjithë”, kujton mamaja e Bleonës, por policinë e kishin telefonuar vetëm pas orës 23:00, kur vetë nuk mundën ta gjenin të voglën.

    Megjithatë, pavarësisht kërkimeve, Bleona nuk u gjet kurrë. Nëna e saj shprehet se pas 16 vitesh ende nuk ka hequr dorë nga kërkimi për të bijën, ndërsa frika e saj është se vajza mund të jetë nxjerrë jashtë vendit.

    Sipas saj, në të njëjtën ditë inaugurohej edhe Tuneli i Kalimashit, çka mund të ketë lehtësuar lëvizjen drejt kufirit.

  • Hasani: Deputetët nuk mund të detyrohen të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit

    Hasani: Deputetët nuk mund të detyrohen të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit

    Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se kërkesa për të detyruar deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të sigurojnë 80 vota nuk mund të zbatohet.

    Hasani në Kanal 10 u shpreh se një kërkesë e tillë, e paraqitur nga Albulena Haxhiu dhe një grup deputetësh, nuk mund të imponohet nga Gjykata.

    “Gjykata nuk mund ta kërkojë një gjë të tillë, për shumë arsye. E para është se ekziston një aktgjykim i vitit 2015, i cili përcakton se deputetët nuk mund të detyrohen të kryejnë një veprim të tillë,” ka deklaruar Hasani.

    Ai shtoi se seanca e thirrur nga Haxhiu duket të jetë fiktive, pasi sipas tij bazohet në një interpretim të gabuar të Kushtetutës dhe të standardeve të gjyqësorit kosovar.

    Sipas Hasanit, praktika dhe jurisprudenca kushtetuese në Kosovë e bëjnë të qartë se deputetët nuk mund të detyrohen me vendim gjyqësor të marrin pjesë apo të votojnë në një mënyrë të caktuar gjatë procedurave parlamentare.

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

    Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

  • Rama zbulon planin për hekurudhën strategjike Durrës–Prishtinë

    Rama zbulon planin për hekurudhën strategjike Durrës–Prishtinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thekson se zhvillimi i rrjetit hekurudhor në vendin e tij është një nga prioritetet kryesore të qeverisë.

    Mes linjave të ndryshme që po rikonstruktohen ose ndërtohen, Rama veçoi projektin ambicioz të hekurudhës Durrës–Prishtinë, që sipas tij, po ecën drejt fazave të zbatimit konkret.

    “Ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën e kombit, Durrës–Prishtinë. Në takimin e fundit me kryeministrin Kurti kemi diskutuar për mundësinë e dy financimeve të huaja që do ta mundësojnë avancimin e projektit,” tha Rama, transmeton Oranews Albania.

    Sipas tij, kjo linjë pritet të integrohet me rrjetet hekurudhore europiane, duke respektuar standardet bashkëkohore dhe duke synuar elektrifikimin e shtrirjes prej 530 kilometrash të planifikuara.

    Rama nënvizoi se projekti është pjesë e një vizioni më të gjerë për modernizimin e transportit hekurudhor, që synon të lidhë Shqipërinë me rajonin dhe të përmirësojë lidhjet ndërkombëtare.

    Ndërtimi i kësaj hekurudhe, tha ai, kërkon durim dhe përpjekje të jashtëzakonshme, por edhe reputacion ndërkombëtar dhe stabilitet ekonomik që Shqipëria tashmë e ka fituar.

    Rama siguroi se qeveria ka një plan të qartë dhe të strukturuar për realizimin e këtij projekti strategjik, i cili do të ndryshojë rrënjësisht lëvizshmërinë dhe transportin rajonal.

  • E mitura sulmohet seksualisht në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    E mitura sulmohet seksualisht në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    Një burrë është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se ka sulmuar seksualisht një të mitur.

    Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 18 shkurt të këtij viti, ndërsa arrestimi i tij u bë në mars.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin për kryerje të veprës së lartcekur ndaj viktimës së mitur femër kosovare, i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Çka u tha pas pezullimit të dekretit për zgjedhje

    Çka u tha pas pezullimit të dekretit për zgjedhje

    Deri më 31 mars, është ndaluar çdo veprim i presidentes Vjosa Osmani në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa është pezulluar edhe puna e Kuvendit. Kjo si masë e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese pasi Vetëvendosje e çoi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Masa e përkohshme u përcoll me shumë reagime. Qeveria e cila e kishte dërguar në Kushtetuese dekretin, ka thënë se vendimi krijon hapësirë që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë, në përputhje me rendin kushtetues.

    “Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

    Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se pezullimi ndalon veprimin “që cenoi rendin kushtetues”.

    “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ndalon një veprim të nxituar dhe të pajustifikuar që cenoi rendin kushtetues dhe demokracinë parlamentare në vend. Vendosja e kësaj mase të përkohshme ndaj Dekretit që shpërndau Kuvendin siguron që të mos krijohen pasoja të pariparueshme derisa Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë në themel çështjen e kushtetutshmërisë së këtij dekreti. I cili për bindjen tonë të thellë është antikushtetues. Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se vullneti i qytetarëve nuk mund të anashkalohet apo të zëvendësohet me vendime të njëanshme. Ai shprehet në përfaqësimin demokratik parlamentar”, është thënë nga Lëvizja Vetëvendosje. “Aktualisht sipas masës së Gjykatës Kuvendi mbetet pa aktivitet dhe pa i shërbyer të mirës publike me vendimet e tij. Edhe pse për të dalë me vendim Gjykata po i kërkon 3 javë kohë, presim që vendimi përfundimtar të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës”.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për të shpërndarë Kuvendin.

    “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është një hap i rëndësishëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Kuvendi i Republikës përfaqëson drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe roli i tij në jetën demokratike të vendit është i pazëvendësueshëm. Vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik. Në këtë periudhë, për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e institucionit për të ushtruar funksionin e tij në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka përsëritur bindjen se Gjykata do të vendosë në përputhje me dekretin e saj. Megjithatë, ajo shtoi se “nuk është pejgamere për të mos gabuar asnjëherë”.

    “Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për median e Shqipërisë, TV Syri.

    Menjëherë pas pezullimit nga Kushtetuesja, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita. Në një postim në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.

    “A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.

    Në vendimin e Kushtetueses, ndër të tjera theksohet se gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

    Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

    “Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

    Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

    “Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.

    Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

    Në mungesë kuorumi nuk u nis as procedura e votimit për kandidatët Glauk Konjufca e Fatmire Mullhaxha – Kollçaku.