ATV

Blog

  • Dogana konfiskon mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara, vlera rreth 800 mijë euro

    Dogana konfiskon mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara, vlera rreth 800 mijë euro

    Dogana e Kosovës, ka njoftuar se janë zbuluar mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro në rajonin e Prishtinës.

    Siç njofton Dogana, sasia e mallit ka qenë e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili, si dhe malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Kosovë.

    Njoftimi:

    Dogana e Kosovës zbulon mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro në rajonin e Prishtinës

    Sot, më 10.03.2026, në regjionin e Prishtinës, Dogana e Kosovës, duke u bazuar në autorizimet e saj ligjore që rrjedhin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një operacion kontrolli në pesë lokacione, përkatësisht depo të bizneseve të ndryshme.

    Gjatë këtyre kontrolleve është gjetur një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili. Malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Republikën e Kosovës. Vlera e përgjithshme e mallit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 800,000 euro.

    Pas evidentimit të rastit është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale. Me autorizimin e tij, personat e dyshuar lidhur me pronësinë e mallit janë duke u intervistuar, ndërsa malli i gjetur është duke u inventarizuar dhe konfiskuar, për t’u transportuar më pas në depot e Doganës së Kosovës.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm në Republikën e Kosovës.

  • OBSH paralajmëron për “shiun e zi” në Teheran: Rrezik për shëndetin e popullsisë

    OBSH paralajmëron për “shiun e zi” në Teheran: Rrezik për shëndetin e popullsisë

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se fenomeni i ashtuquajtur “shi i zi” dhe prania e përbërjeve toksike në atmosferën e Iranit, pas sulmeve ndaj instalimeve të naftës, mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht në sistemin respirator.

    Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, e cila ka zyra në Iran dhe bashkëpunon me autoritetet vendase për çështje emergjente shëndetësore, bëri të ditur se gjatë kësaj jave ka marrë raporte të shumta për reshje shiu të përziera me mbetje nafte.

    Të hënën, Teherani u mbulua nga re të dendura tymi të zi, pasi një rafineri nafte u bombardua, në një përshkallëzim të sulmeve ndaj rezervave energjetike të brendshme të Iranit, në kuadër të fushatës ushtarake amerikano-izraelite.

    Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se fenomeni paraqet rrezik real për shëndetin publik, ka transmetuar Panorama.

    “Shiu i zi dhe shiu acid që e shoqëron përbëjnë vërtet një rrezik për popullsinë, sidomos për sistemin respirator”, tha ai, duke shtuar se autoritetet iraniane u kanë rekomanduar qytetarëve të qëndrojnë brenda në shtëpi.

    Rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve

    I pyetur nëse OBSH mbështet këto rekomandime, Lindmeier u përgjigj se, duke pasur parasysh situatën aktuale, ato janë të arsyeshme.

    “Duke parë rreziqet që ekzistojnë tani – instalimet e naftës dhe rafineritë e goditura që kanë shkaktuar zjarre dhe shqetësime serioze për cilësinë e ajrit – është padyshim një ide e mirë që njerëzit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura”, tha ai.

    Sipas tij, bombardimet kanë shkaktuar çlirimin masiv në atmosferë të hidrokarbureve toksike, oksideve të squfurit dhe përbërjeve azotike.

    Ekspertët paralajmërojnë se thithja e tymit ose kontakti me grimcat ndotëse mund të shkaktojë dhimbje koke, irritim të lëkurës dhe syve, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Ndërsa ekspozimi afatgjatë ndaj disa prej këtyre substancave mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.

  • Rrahmani: Qeveria e Kurtit në qershor do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”, askush në LVV s’u tërhoq nga kjo

    Rrahmani: Qeveria e Kurtit në qershor do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”, askush në LVV s’u tërhoq nga kjo

    Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, tha se Qeveria në fund të qershorit do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”.

    Ai tha se asnjë nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje “nuk është tërhequr nga kjo agjendë”.

    “Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria e Albin Kurtit kanë njoftuar se ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë do ta sjellin në Kuvend për votim më datë 30.06.2026. Në zgjedhjet e fundit kam parë shumë kandidatë për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje duke deklaruar në fushatë që Albin Kurti nuk e bjen ligjin për me ndërru gjininë, ligjin për me u martu burri me burr e gruja me grua, ligjin për me lind gratë pa burra. Sot të gjithë ata kanë para vetes agjendën legjislative të Albin Kurtit për vitin 2026, ku në dorën e tyre i kanë këto tre ligje me të cilat mashtruan votuesit e tyre dhe qytetarët e vendit. Secili që ka qenë në listë të VV-së e ka ditë që Albini nuk është tërhequr nga kjo agjendë. Ai asnjëherë nuk ka deklaruar se është tërhequr nga këto ligje”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Rrahmani thotë se “ambiciet e ulëta për interesa të ulëta i kanë detyruar këta njerëz me mashtru votuesit e tyre në fushatë, me premtimin që këto ligje nuk vijnë në Kuvend”

    “Sot ata do të duhej të tregonin të vërtetën, a i mashtroi Albini këta deputetë apo këta deputetë mashtruan qytetarët? Fatkeqësisht, në mbështetje publike ka pasur edhe shumë figura me ndikim, intelektualë, profesorë, akademikë, disa hoxhallarë e priftërinj që në mënyrë direkte apo indirekte kanë kërkuar mbështetje për Albin Kurtin. Mbështetje që do të thotë mbështetje për ligjet ku lejohet ndërrimi i gjinisë, martesat burrë me burr e grua me grua, ku lejohet që gratë të lindin pa burr e fëmijët mos me ditë kush e ka nënën e kush babën, pra le ta dijë secili që ka kërkuar votë për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, ka kërkuar votë për me u leju ndërrimi i gjinisë, martesat e të njëjtës gjini, lindja e fëmijëve pa babë”, shkruan ai.

    Rrahmani kërkon që anëtarët e LVV-së dhe “figura politike me ndikim në shoqëri”, të cilët ai thotë se e kanë mbështetur atë ligj, duhet “t’u japin arsyetim qytetarëve”.

    “Besoj që është e udhës që të gjithë këta, si figura publike me ndikim në shoqëri, t’u japin arsyetim qytetarëve, çfarë dobie ka lobimi i tyre për dikë që angazhohet për këtë agjendë, që sipas bindjes time është kundër Zotit, kundër familjes, kundër njeriut, kundër shoqërisë e kundër Kosovës”.

  • Deda: Do të ishte korrektësi minimale që Kurti me kohë t’i tregonte Osmanit se nuk e përkrah për mandat të dytë

    Deda: Do të ishte korrektësi minimale që Kurti me kohë t’i tregonte Osmanit se nuk e përkrah për mandat të dytë

    Analisti Ilir Deda vlerëson se situata aktuale në vend me moszgjedhjen e presidentit do “evitohej lehtë po t’i tregonte me kohë Kurti Osmanit që nuk e ka përkrahjen e tij për mandat të dytë – që do të ishte korrektesia minimale pas një bashkëpunimi 6 vjeçar”.

    Sipas tij, “këtë krizë e ka shkaktuar dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni në vend”, referuar Kurtit.

    Postimi i plotë:

    “Aleanca politike” nuk nënkupton heshtje gjatë shkeljeve të Kushtetutës, heshtje kur linçohen kritikët, heshtje përgjatë abuzimit institucional.

    Ruajtje “si sytë e ballit” meriton veç interesi i vendit, jo formacionet partiake apo bartësit institucional.

    Loja politike me mandatin e dytë të presidentes veq shpërfytyroi politikën partiake që bazohet vetëm në interes për aq kohë sa partitë kanë nevojë për te. Reagimet emocionale i mbesin votuesve që me çdo kusht refuzojnë të jetë mendje ftohtë dhe të kuptojnë që politika s’ka asgjë të bëjë me dashuri.

    E sa i përket krizës së tanishme, kjo mund të evitohej lehtë po t’i tregonte me kohë Kurti Osmanit që nuk e ka përkrahjen e tij për mandat të dytë – që do të ishte korrektesia minimale pas një bashkëpunimi 6 vjeçar. Dhe, të gjente me të vërtetë një figurë konsensuale me partitë në opozitë, e jo të luante lojë të fajësimit.

    Këtë krizë e ka shkaktuar dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni në vend.

  • Tifozët e Galatasarayt surprizojnë Osimhenin, sulmuesi shpërthen në lot

    Tifozët e Galatasarayt surprizojnë Osimhenin, sulmuesi shpërthen në lot

    Tifozët e Galatasaray kanë dhuruar një moment shumë emocionues për sulmuesin nigerian Victor Osimhen, duke shpalosur një pankart gjigante në tribuna në nder të tij.

    Gjatë momentit kur u shfaq pankarta e madhe e dedikuar për të, Osimhen nuk arriti t’i mbajë emocionet dhe u pa dukshëm i prekur, madje duke shpërthyer në lot para tifozëve që e duartrokisnin.

    Ky gjest i tifozëve tregon dashurinë dhe respektin e madh që ata kanë krijuar për sulmuesin nigerian, i cili me paraqitjet e tij ka fituar shpejt zemrat e mbështetësve të klubit turk.

    Pamjet e këtij momenti janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke u bërë virale dhe duke treguar edhe një herë lidhjen e fortë mes lojtarëve dhe tifozëve të Galatasarayt.

  • Hungaria miraton rezolutën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE

    Hungaria miraton rezolutën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE

    Parlamenti i Hungarisë ka miratuar me shumicë rezolutën që i kundërvihet anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) dhe financimit të mëtejshëm të nevojave të saj ushtarake me shpenzimet e vendeve të BE-së.

    Në total, 142 anëtarë të parlamentit votuan për këtë propozim, 28 kundër, ndërsa katër abstenuan.

    Sipas dokumentit, Hungaria i kundërvihet anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke pretenduar se vendi ndodhet në luftë dhe nuk plotëson kriteret për anëtarësim, shkruan Kyiv Independent.

    Rezoluta i bën thirrje qeverisë hungareze të mos mbështesë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Dokumenti gjithashtu kërkon ndalimin e dërgimit të parave ose armëve për Ukrainën dhe përpjekjet për të parandaluar rishpërndarjen e fondeve evropiane, të supozuara për Hungarinë, për nevojat e Kievit.

    Autorët e rezolutës argumentojnë se pjesa e Ukrainës në financimin e buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së mund të arrijë deri në 360 miliardë euro, pjesërisht për shkak të reduktimit të subvencioneve bujqësore.

    Rezoluta gjithashtu mirëpret kërkesën e qeverisë që të kryhet një anketë midis popullsisë për financimin e mëtejshëm të Ukrainës në formën e një peticioni kombëtar.

    Dokumenti i bën thirrje qeverisë hungareze të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e politikës së BE-së që mbështet Ukrainën në luftë, si dhe “tërheqjen e Hungarisë dhe BE-së në luftën ruso-ukrainase”.

    Hungaria muajin e kaluar gjithashtu bllokoi miratimin e paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe pengoi dhënien e 90 miliardë euro kredive të BE-së për Ukrainën, duke kërkuar vazhdimin e furnizimit me naftë ruse.

  • Danimarka mbyll ambasadën në Teheran

    Danimarka mbyll ambasadën në Teheran

    Danimarka është vendi më i fundit që ka pezulluar aktivitetin e ambasadës së saj në Teheran.

    Duke folur para gazetarëve, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, tha:
    “Situata e sigurisë është tepër e tensionuar që ne ta mbajmë ambasadën të hapur.”

    Ai shtoi se ky vendim i Danimarkës është në përputhje me veprimet e disa vendeve të tjera evropiane.

  • Rodrygo i nënshtrohet operacionit, sezoni mbyllet për yllin e Real Madridit

    Rodrygo i nënshtrohet operacionit, sezoni mbyllet për yllin e Real Madridit

    Sulmuesi brazilian i Real Madrid, Rodrygo, i është nënshtruar një operacioni pas dëmtimit të rëndë që pësoi në ndeshjen kundër Getafe CF.

    Futbollisti brazilian kishte këputur ligamentet gjatë kësaj përballjeje, një dëmtim që i ka dhënë fund sezonit për të. Sipas raportimeve, rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, pasi të përfundojë procesin e rikuperimit.

    Pas operacionit, Rodrygo reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau një mesazh emocional për tifozët dhe mbështetësit e tij. Ai theksoi se ky është fillimi i një kapitulli të ri në karrierën e tij dhe se është i gatshëm të përballet me sfidën e rikthimit.

    Braziliani falënderoi gjithashtu të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje, duke bërë të ditur se operacioni ka kaluar me sukses dhe se tashmë do të fokusohet plotësisht në procesin e rikuperimit për t’u rikthyer sa më shpejt në fushë me fanellën e Real Madridit.

  • Zyrtare: Kyle Walker tërhiqet nga kombëtarja e Anglisë

    Zyrtare: Kyle Walker tërhiqet nga kombëtarja e Anglisë

    Mbrojtësi i djathtë i Burnley, Kyle Walker, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund një karriere të gjatë me England national football team.

    Futbollisti 35-vjeçar ka qenë pjesë e “Tre Luanëve” që nga viti 2009 dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi gjithsej 96 paraqitje me fanellën e kombëtares, duke u bërë një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të gjeneratës së tij.

    Në deklaratën e tij, Walker theksoi se vendimi nuk ishte i lehtë, por se ndihet krenar për gjithçka që ka arritur me Anglinë gjatë viteve. Ai vlerësoi veçanërisht mundësinë për të përfaqësuar vendin në pesë turne madhorë ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë si një nga arritjet më të mëdha të karrierës së tij.

    Mbrojtësi anglez kujtoi gjithashtu momentet e veçanta të përjetuara me kombëtaren, përfshirë rrugëtimin drejt finales së UEFA Euro 2020, që shënoi rikthimin e Anglisë në një finale të madhe për herë të parë që nga 1966 FIFA World Cup.

    Walker pranoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe momente të vështira, por theksoi se progresi i bërë nga Anglia vitet e fundit, sidomos nën drejtimin e Gareth Southgate, ka qenë shumë i rëndësishëm për zhvillimin e kombëtares.

    Me këtë vendim, Walker mbyll kapitullin e tij me Anglinë, duke lënë pas një karrierë të pasur ndërkombëtare dhe një kontribut të rëndësishëm në sukseset e kombëtares gjatë dekadës së fundit.

  • Dacia prezanton Stikerin e ri

    Dacia prezanton Stikerin e ri

    Dacia prezantoi Striker-in e ri dhe njoftoi qartë se po kalon në një klasë më të lartë kompakte.

    Është 4.62 metra i gjatë, shkon mbi Jogger-in dhe do të ofrohet pranë Bigster-it të ri. Për momentin, Dacia nuk zbulon brendësinë apo fuqinë, dhe prezantimi i plotë është njoftuar për në qershor.

    “Jemi vërtet krenarë për këtë makinë, veçanërisht për dizajnin, pozicionimin dhe çmimin”, thotë drejtori kryesor i dizajnit të Renault Group, Laurens van den Acker.

    Dacia ka konfirmuar sistemin hibrid dhe atë hibrid 4×4, së bashku me një motor me gaz të lëngshëm.

    Sistemi bazë i fuqisë që rrotullon rrotat e përparme do të jetë TCe 1.2 litra. Ky motor kombinon një motor me tre cilindra me turbo me asistencë hibride të butë dhe një transmision manual me gjashtë shpejtësi, duke prodhuar 138 kuaj fuqi në Bigster.

    Pritet që Striker të shënojë një kohë të ngjashme përshpejtimi nga 0-100 km/orë prej 9.8 sekondash, por pak më të mirë se 50 mpg e Bigster.