Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se gjatë një mandati të qeverisë janë mbyllur strukturat paralele serbe që kanë funksionuar në Kosovë për rreth dy dekada.
Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj theksoi se tani ka nisur procesi i integrimit të sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, procesi do të fillojë me evidentimin e institucioneve për të vazhduar drejt legalizimit dhe përfshirjes së plotë në sistemin ligjor të Kosovës.
“ Strukturat paralele të Serbisë që funksionuan për 20 vite në Kosovë, përfshirë 12 vite pas pavarësisë, u mbyllën në një mandat të Qeverisë Kurti. Tani ka nisur procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës. Ky proces fillon nga nesër përmes evidentimit drejt legalizimit dhe përfshirjes së plotë në sistemin legal të Kosovës”, ka shkruar ai.
“E ata që për 20 vite ruajtën status quo-në e strukturave paralele, le t’i ruajnë edhe statuset nga dje dhe sot. Do t’u duhen më vonë”, ka shkruar tutje ai.
Deklarata vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe, gjëra që do t’i zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet.
Joan Laporta është rizgjedhur president i Barcelonës për pesë vitet e ardhshme pasi mposhti Victor Font në zgjedhjet e së dielës.
Laporta siguroi një fitore të qartë. Nga 48,400 vota të hedhura, pasi u numëruan 36,117 prej tyre, ai kishte krijuar një epërsi të pakapërcyeshme me 24,643 vota.
Numri total i votave përfaqësonte një pjesëmarrje prej 42.34 për qind, ndërsa klubi njoftoi se 114,504 anëtarë kishin të drejtë vote në këto zgjedhje. Presidentë aktualë dhe të mëparshëm, trajnerë dhe lojtarë ishin mes atyre që votuan në Spotify Camp Nou, përfshirë Hansi Flick dhe disa lojtarë të ekipit të parë.
Zgjedhjet u mbajtën në të njëjtën ditë kur Barcelona fitoi 5-2 ndaj Sevillas në La Liga. Trajneri Flick dhe disa futbollistë, si Raphinha, Pedri dhe Dani Olmo, hodhën votën e tyre pas përfundimit të ndeshjes.
“Nuk do t’ju tregoj për kë do të votoj sepse është sekret. Është një ditë e veçantë. E pashë në televizor në zyrën time në stadium teksa zhvillohej procesi i votimit dhe është diçka e veçantë. Mendoj se të gjithë janë të lumtur, ishte një ditë shumë e mirë”, deklaroi Flick para se të votonte.
Më herët gjatë ditës, portieri Marc-Andre ter Stegen, i cili aktualisht është i huazuar te Girona, u përball me një moment të sikletshëm kur nuk arriti të votonte pasi emri i tij nuk ishte në listën e regjistrit zgjedhor.
Të gjithë lojtarët e Barcelonës bëhen anëtarë të klubit kur bashkohen me ekipin, por është përgjegjësi e tyre të përditësojnë anëtarësimin, gjë që portieri gjerman nuk e kishte bërë para zgjedhjeve.
Edhe disa lojtare të dëmtuara të Barcelonës në futbollin e femrave, si Aitana Bonmati dhe Laia Aleixandri, votuan, ndërsa shumica e bashkëlojtareve të tyre nuk mundën të marrin pjesë pasi luanin në udhëtim ndaj Deportivo de La Corunas.
Në votim mori pjesë edhe ish-trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, vetëm disa ditë pasi e kishte quajtur Laportën “gënjeshtar” për rolin e tij në dështimin e rikthimit të Lionel Messit në klub në vitin 2023. Po ashtu votoi edhe ish-mesfushori i Inter Miami, Sergio Busquets. Përveç Spotify Camp Nou, votimi u zhvillua edhe në qendra të tjera në Tarragona, Girona, Lleida dhe Andorra.
Rezultati përsërit atë të vitit 2021, kur Laporta gjithashtu mposhti bindshëm Font për të pasuar Josep Maria Bartomeu në krye të klubit.
Ky është mandati i dytë i Laportës në krye të Barcelonës. Ai ishte president edhe nga viti 2003 deri në vitin 2010, periudhë gjatë së cilës emëroi Pep Guardiolën si trajner dhe klubi fitoi tripletën e parë në vitin 2009, përpara se të rikthehej në post 11 vjet më vonë.
Që nga rikthimi i tij, Barcelona ka fituar dy tituj të La Ligas, ndërsa skuadra e femrave ka fituar tre herë Ligën e Kampionëve. Megjithatë, një nga shtyllat kryesore të fushatës së tij ishte suksesi i ekipit të meshkujve nën drejtimin e Hansi Flick.
Sezonin e kaluar, Flick e udhëhoqi Barcelonën drejt tripletës vendore – La Liga, Copa del Rey dhe Superkupa e Spanjës – si dhe deri në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2019. Edhe këtë sezon skuadra mbetet në garë si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Laporta ka vazhduar edhe projektin e rindërtimit të Spotify Camp Nou. Dy nivelet e para të stadiumit të rinovuar ishin plotësisht funksionale për herë të parë në ndeshjen ndaj Sevillas të dielën, duke e rritur kapacitetin mbi 60 mijë vende, ndërsa puna për nivelin e tretë vazhdon.
Victor Font kishte shpresuar të fitonte mbështetjen e anëtarëve duke argumentuar se situata financiare e klubit nuk është përmirësuar nën drejtimin e Laportës – gjë që presidenti e kundërshton – si dhe duke kritikuar vonesat në rikthimin e plotë në Spotify Camp Nou dhe mënyrën se si u menaxhua largimi i Lionel Messit nga klubi.
Shkalla totale e fertilitetit në Bashkimin Evropian, e cila tregon numrin e lindjeve të gjalla për grua, ra në nivelin e saj më të ulët në më shumë se gjashtë dekada.
Shkalla është pothuajse përgjysmuar gjatë 60 viteve të fundit, duke rënë nga 2.62 në vitin 1964 në 1.34 në vitin 2024.
Dhe shkalla totale e fertilitetit ndryshon shumë në të gjithë Evropën në vitin 2024, duke filluar nga 1.01 në Maltë në 1.72 në Bullgari brenda BE-së.
Pra, cilat vende kanë shkallët më të larta dhe më të ulëta të fertilitetit total (TFR) në të gjithë Evropën? Cilat vende kanë parë rëniet më të mëdha të shkallëve të fertilitetit? Cilët faktorë po i nxisin këto rënie?
Sipas një shkrimi të Euronews, përcjell Telegrafi, TFR në BE ka qenë nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1 lindjeve të gjalla për grua që nga mesi i viteve 1970, sipas Bankës Botërore.
BE-ja nuk është vetëm: Një rënie globale e fertilitetit
Ajo që po vërejmë në BE për sa i përket rënies së TFR-së është përgjithësisht ajo që do të pritej bazuar në teorinë e tranzicionit demografik, ku qasja në arsim, kontracepsioni dhe një sërë kovariantesh të tjera po ndikojnë në trendet e fertilitetit dhe përbërjet e popullsisë me kalimin e kohës”, tha një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën për Euronews Health.
Zëdhënësi theksoi se BE-ja nuk është një rast i izoluar.
Screenshot
Numri i vendeve dhe territoreve në të gjithë botën me një TFR nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1 parashikohet të rritet nga rreth gjysma në vitin 2018 (103 nga 204) në 155 deri në vitin 2050 dhe në 198 deri në vitin 2100, duke tejkaluar 97 përqind.
Midis rreth 40 vendeve evropiane në listë, të gjitha janë nën këtë nivel që nga viti 2024 sipas Eurostat. Mali i Zi ka shkallën më të lartë të fertilitetit me 1.75, i ndjekur nga Bullgaria (1.72), Gjeorgjia (1.69), Shqipëria dhe Serbia (të dyja 1.64).
Franca kryeson normat e fertilitetit midis ekonomive të mëdha
Franca ka normën më të lartë të fertilitetit midis ekonomive të mëdha të Evropës, me 1.61.
Mbretëria e Bashkuar (1.56) është afër këtij niveli, megjithëse të dhënat e fundit të disponueshme janë nga viti 2023 dhe mund të jenë më të ulëta për vitin 2024. Në Angli dhe Uells, norma është më e ulët në 1.41, sipas ONS.
Gjermania është pak mbi mesataren e BE-së me 1.36. Spanja (1.10) ka normën më të ulët të fertilitetit jo vetëm midis ekonomive më të mëdha, por edhe të dytën më të ulët në përgjithësi, e ndjekur nga Italia (1.18).
Në Turqi, vendi më i populluar midis anëtarëve të BE-së dhe vendeve kandidate, norma e fertilitetit është 1.48 pas një rënieje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit.
Në vendet nordike, Islanda (1.56) renditet më lart, e ndjekur nga Danimarka (1.47), Norvegjia (1.45) dhe Suedia (1.43). Finlanda (1.25), megjithatë, ka një normë më të ulët, duke rënë nën mesataren e BE-së.
Ndër vendet e tjera, numri i lindjeve të gjalla për grua është 1.47 në Irlandë, 1.44 në Belgjikë, 1.41 në Hungari, 1.31 në Austri, 1.24 në Greqi dhe 1.14 në Poloni.
Pse ndryshojnë normat e fertilitetit në të gjithë Evropën?
“Shpjegimi i ndryshimeve ndërkombëtare në fertilitet mbetet sfidues, veçanërisht sepse shumë faktorë që më parë shpjegonin ndryshimet midis vendeve duket se janë dobësuar vitet e fundit”, ka thënë Dr. Julia Hellstrand nga Universiteti i Helsinkit.
“Për shembull, vendet nordike me politika relativisht bujare familjare kanë përjetuar gjithashtu rënie shumë të forta të fertilitetit, duke sugjeruar që vetëm mbështetja e politikave nuk mund të shpjegojë trendet aktuale”.
A ndihmojnë politikat në mbajtjen e normave të larta të fertilitetit?
Zëdhënësi i OBSH-së për Evropën vuri në dukje se përveç arsimit dhe qasjes në kontracepsion, faktorët që lidhen me strehimin e përballueshëm, madhësinë e banesave, konsideratat e hipotekës, kostot e lindjes dhe rritjes së një fëmije, aftësia për të balancuar punën dhe lindjen e fëmijëve, ndër konsiderata të tjera socio-ekonomike, ndikojnë në vendimet riprodhuese të njerëzve.
Shumë qeveri kanë zbatuar politika shumësektoriale dhe/ose të larmishme për t’u mundësuar njerëzve të realizojnë preferencat e tyre të fertilitetit. Shembuj janë pagesat direkte për lindjen e fëmijëve, përfitimet tatimore, kujdesi i subvencionuar për fëmijët në vitet e para dhe leja prindërore, ndër të tjera.
“Megjithatë, provat në lidhje me shkallën dhe qëndrueshmërinë e efekteve të këtyre ndërhyrjeve në TFR në të gjithë Evropën janë të pasigurta”, tha zëdhënësi.
Ndryshimi i shkallës së fertilitetit në 10 vitet e fundit
Duke parë se si kanë ndryshuar shkallët e fertilitetit gjatë dekadës së kaluar, nga viti 2014 deri në vitin 2024, vetëm disa vende kanë regjistruar rritje, ndërsa shumë të tjera kanë parë rënie të ndjeshme. Në BE, ajo ra nga 1.54 në 1.34, një rënie prej 0.20 në terma absolutë.
Turqia dallohet me rënien më të madhe, me 0.69 në terma absolutë, ose 32 përqind, duke rënë nga 2.17 në 1.48.
Rënia gjithashtu tejkaloi 0.35 në disa vende, duke përfshirë Finlandën dhe Lituaninë (të dyja 0.46), Suedinë (0.45), Irlandën (0.42), Letoninë (0.41), Francën (0.39), Islandën dhe Maltën (të dyja 0.37) dhe Estoninë (0.36).
“ Në Finlandë, lindshmëria ka përjetuar një nga rëniet më të mprehta në Evropë, një zhvillim që shpesh konsiderohet i çuditshëm duke pasur parasysh kuadrin relativisht të fortë të politikave familjare të vendit”, tha Hellstrand.
20 mijë pensionistë të moshës i janë shtuar skemës sociale në Kosovë, në vetëm katër vitet e fundit.
E me rritjen e pensionistëve, shtetit i duhet ta zgjerojë edhe buxhetin për këtë kategori.
Kësisoj rreth 300 milionë euro janë paraparë në buxhetin e këtij viti, vetëm për pensione të moshës e kompensime.
“Tregu i forcës prodhuese të punës është duke rënë në mënyrë drastike dhe rritja e pensionistëve në moshën mbi 65 vjeç d.m.th vetëm në 13 vitet e fundit është rritur për 48.8 për qind dhe kjo duhet të analizohet për shkak që në një kohë të shkurtër Kosova mund të ballafaqohet me një skemë të shpenzimeve marramendëse”, thotë ekonomisti Shkumbin Misini.
Kështu, vlerësohet që vendi duhet të ndërhyjë e ta ruaj fuqinë punëtorë, para se të përfundoj si vend për asistencë sociale.
“Në Kosovë po bartet ajo që sot është brengë në vendet evropiane ku barra sociale po e ngarkon aq shumë buxhetin sa që është e pamundur që të mbijetohet. Besoj që kjo situatë dhe ky moment duhet të trajtohet në mënyrë institucionale që kjo të mos jetë pengesë e zhvillimit ekonomikë port ë rritet produktiviteti, të gjendet modaliteti I mbështetjes së tyre”, shprehet ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Në total, përfshirë të gjitha kategoritë e pensioneve, për vitin e ardhshëm shteti ka paraparë plot 577 milionë euro./Tëve1
Mijëra zyrtarë publik në Kosovë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre për vitin 2025.
Nga 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë i zyrtarëve publik. Deri më tani këtë obligim ligjor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit e kanë përfunduar mbi 1 mijë zyrtarë, apo rreth 10% e tyre
Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë bërë të ditur kategoritë e zyrtarëve që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë e tyre në kuadër të këtij procesi ligjor.
“ Zyrtarët publik duke filluar nga niveli i lartë, presidenti i vendit, e deri te zyrtarët që kryejnë detyra siç janë certifikimi, licencimi, por edhe procedurat e tenderimi, këtu duke përfshirë edhe zyrtarët e ATK-së, doganierët dhe policët që kryejnë detyra hetimi, janë subjekte deklaruese. Pra, jo vetëm nga niveli i lartë si presidenti, qeveria, ministrat dhe zv/ministrat, por edhe një gamë e gjerë e subjekteve deklaruese. Nga viti 2024, edhe mjekët e sistemit sekondar dhe terciar, si dhe profesorët e universiteteve publike, kanë obligim të deklarojnë pasurinë”, tha, Yll Buleshkaj, drejtor i APK-së
Sipas Agjencisë, përmbushja e këtij afati është thelbësore për rritjen e transparencës dhe llogaridhënien në institucionet publike, ndërsa mosrespektimi i tij mund të pasohet me masa ndëshkuese me gjobë mijëra euro dhe me burgim deri në 5 vjet.
“Për dallimet që janë substanciale, mbi 3 mijë euro, jemi të obliguar t’i dërgojmë në prokurori. Vitin e kaluar kemi pasur 75 raste që, si rezultat i verifikimit, janë dërguar në prokurori të shtetit ku ata përballen me hetime penale dhe për shumë prej tyre ngritën edhe aktakuza për të cilat gjyqësori vendosë”, tha Buleshkaj për RTK.
Sipas agjencisë, gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar gjithsej 135 gjoba për arsye të vonesës në deklarim.
Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 përfundon më 31 mars.
Në përputhje me deklarimet e djeshme të kryeministrit, Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të BE-së, Peter Sorensen, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Shtetasit e huaj në pikën kufitare, Dheu i Bardhë, janë njoftuar për masat e reja nga zyrtarët policor, ndërsa nga e hëna në të gjitha pikëkalimet kufitare në vend do të fillohet me aplikime për lejeqëndrim apo lajmërim të adresës. Ky vendim nuk është mirëpritur nga shtetasit e huaj në pikëkalimin te Dheu i Bardhë.
“Më lajmëruan policia që e kanë bërë për 90 ditë veç me qëndrua rnë Kosovë. Nuk është e drejtë, ne vizitojmë familjen shpesh, kontribuojmë për këtë vend, besoj që nuk është e drejtë”, tha për RTK njëri nga qytetarët e intervistuar.
“Na njoftuan për rregullat e reja për veturat që nuk guxojnë të rrinë më shumë se tre muaj. Kjo nuk na ka pëlqyer, çka nëse ne duam të rrimë më tepër. Tani nuk e di a duhet ta lëshojmë Kosovë, e të kthehemi prapë ta vazhdojmë pushimin. Ne kemi dokumente edhe të Kosovës, vetëm pse e kemi veturën me tabela të huaja nunë mendoj se kjo është ngarkesë më tepër”, tha një tjetër qytetar.
E shtetasit e Shqipërisë nuk e mirëpritën vendimin.
Ky regjistrim ka për qëllim integrimin e të dhënave të lindjes, martesës dhe vdekjes në sistemin zyrtar të Kosovës, ndërsa shtetasit e huaj janë të obliguar që të deklarojnë adresën brenda tre ditëve nga hyrja në Republikën e Kosovës. Deklarimi mund të bëhet online apo edhe në stacionin më të afërt policor. /RTK
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme priten ndryshime të motit.
Në njoftim thuhet se nga dita e martë parashihen reshje, ku në viset malore dhe në lartësi më të mëdha do të ketë reshje bore, ndërsa në viset e ulëta priten kryesisht reshje shiu, të cilat herë-herë mund të përzihen edhe me borë.
Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të zbresin në vlera të lehta negative, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri rreth 16 gradë Celsius.
“Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato në përgjithësi do të jenë të favorshme për aktivitetet bujqësore. Bujqve u rekomandohet që gjatë ditës së hënë të shfrytëzojnë kushtet e mira të motit për shpërndarjen e plehut artificial në kulturat bujqësore dhe për kryerjen e punëve të tjera të nevojshme në parcela. Në ditët në vijim, për shkak të reshjeve dhe uljes së temperaturave, aktivitetet në fushë mund të jenë më të kufizuara”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
E hënë
Moti i vranët dhe me intervale me diell.
Temperaturat minimale:-2 deri 1°C
Temperaturat maksimale: 13- 16°C
Era: Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-8m/s
E martë
Mot i vranët dhe me reshje shiu e bore.
Temperaturat minimale: 0 deri 3°C
Temperaturat maksimale: 9-12°C
Era: nga veriperendimi me shpejtësi 1-9m/s
E mërkurë
Moti kryeisht i vranët
Temperaturat minimale: 1 deri 3°C
Temperaturat maksimale: 10-13°C
Era: kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.
Kryetari Përparim Rama, njofton se kryeqyteti ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte, ”(ndërtimore) dhe mbeturinave vëllimore (mobilje, inventar shtëpiak, etj.).
Ky lokacion është në dispozicion për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë të largojnë mbeturina të kësaj natyre, thotë ai.
‘Për dërgimin e mbeturinave në këtë pikë: Qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjen publike KRM Pastrimi ose ndërmarrjen Gjelbër 📞 +383 800 40004”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
NJOFTIM PËR QYTETARËT!
Kryeqyteti ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte (ndërtimore) dhe mbeturinave vëllimore (mobilje, inventar shtëpiak, etj.).
Ky lokacion është në dispozicion për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë të largojnë mbeturina të kësaj natyre.
📍 Lokacioni i deponisë:
https://maps.app.goo.gl/eYosamJWRL9rMte19?g_st=iwb në rrugën Qëndresa.
ℹ️ Për dërgimin e mbeturinave në këtë pikë:
• Qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjen publike KRM 📞Pastrimi +38380077123 ose ndërmarrjen Gjelbër 📞 +383 800 40004
🚫 Çdo automjet që bart mbeturina të çfarëdo lloji dhe nuk ka kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti.
⚠️ Hedhja e këtyre mbeturinave në Kryeqytet është e ndaluar! ❌
Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë të angazhuar me të gjitha kapacitetet për të luftuar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.
Masat ndëshkuese për shkelësit përfshijnë:
❌gjoba
❌konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave
🤝 Bashkëpunimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm.
Nëse shihni qytetarë ose biznese që hedhin materiale ndërtimore, sanitari, mobilje, goma, xhama apo çfarëdo mbeturinash të natyrës vëllimore dhe ndërtimore në Kryeqytet, ju lutemi ta lajmëroni Policinë ose Inspekcionin e Komunës në 📞 038 220985
Në rrugën Gjakovë–Dollc, një aksion simbolik i pazakontë tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të dielën.
Protestuesi Ideal Zhaveli vendosi një tortë pranë punimeve të rrugës, me mbishkrimin “Urime 7 vjet”, duke ironizuar zvarritjen e gjatë të projektit që ende nuk ka përfunduar.
Krahas tortës, ai kishte vendosur edhe një balonë me numrin 7 në një tabelë komunikacioni, si simbol i shtatë vjetëve që nga nisja e ndërtimit të kësaj rruge, e cila lidh qytetin e Gjakovës me zonën e Dollcit dhe shërben si segment i rëndësishëm i qarkullimit drejt Prishtinës.
Projekti ishte paralajmëruar se do të përfundonte në vitin 2024, por edhe në mars të vitit 2026 punimet vazhdojnë dhe fundi i tyre ende nuk duket. Përmes këtij aksioni simbolik, Zhaveli synoi të rikthejë në vëmendje vonesat dhe pakënaqësinë e qytetarëve për gjendjen e rrugës.
KosovaPress kontaktoi me Ideal Zhavelin dhe sipas tij gjatë viteve ka pasur disa reagime dhe premtime nga institucionet lidhur me përfundimin e rrugës Gjakovë–Dollc, por afatet e paralajmëruara nuk janë realizuar. Ai tha se fillimisht ishte premtuar përfundimi i projektit në vitin 2024, më pas ishte përmendur edhe viti 2025, ndërsa tashmë jemi në vitin 2026 dhe punimet ende nuk kanë përfunduar.
“Sot bëhen 7 vjet prej kur ka filluar ndërtimi i rrugës Gjakovë–Dollc, apo pjesa që përdoret për rrugën Gjakovë–Prishtinë. Nëse e shohim gjendjen e sotme, ajo është në një gjendje të tmerrshme dhe nuk mund t’i bësh as 5 kilometra pa hasur dëmtime rrugore, madje dëmtime shumë serioze. Rruga nuk ka arritur të përfundojë, pavarësisht se në momentin kur është prerë shiriti është thënë se do të përfundonte për 5 vjet, ndërsa tani janë bërë 7 vjet dhe ende nuk ka përfunduar, madje as nuk i shihet fundi momentalisht”, u shpreh Zhaveli.
Ai bëri të ditur se aksioni i fundit është pjesë e një serie reagimesh simbolike që ka organizuar në vitet e fundit, duke theksuar se këtë vit është hera e tretë që ndërmerr një iniciativë të tillë, kryesisht në mënyrë individuale.
“Janë aksione simbolike personale që i kam parë të nevojshme dhe të arsyeshme për të reaguar në këto forma ironike, për shkak se është shumë ironike që një rrugë me më pak se 30 kilometra të zgjasë 7 vite dhe ende të mos përfundojë”, tha Zhaveli.
Ideal Zhaveli tha se gjatë përpjekjeve për të siguruar dokumente dhe informacione nga institucionet përgjegjëse, komunikimi me institucionet ka qenë i kufizuar.
Sipas tij, fillimisht nga Ministria e Infrastrukturës i ishte premtuar se dokumentet do të dërgoheshin, por më pas ishte marrë një vendim që ato të mos bëhen publike për shkak të proceseve gjyqësore me një ose disa kompani të përfshira në projekt.
Ai shtoi se sipas informacioneve që kanë marrë, pritet që të hapen kontrata dhe tenderë të rinj për këtë rrugë.
Zhaveli paralajmëroi se reagimet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë edhe profesionistë nga fusha të ndryshme. Ai theksoi se aksioni i së dielës nuk do të jetë i fundit dhe se priten edhe forma të tjera reagimi publik nëse nuk ka zhvillime konkrete në përfundimin e projektit.