ATV

Blog

  • Zotëria i Parë ftohet nga Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT

    Zotëria i Parë ftohet nga Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT

    Me ftesën e Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, në kuadër të nismës së saj Fostering the Future Together (FFT), Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të FFT i cili do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit, më 24 dhe 25 mars.

    “Pjesëmarrja e Kosovës në këtë koalicion krijon mundësi të jashtëzakonshme që nxënësit dhe fëmijët tanë të përfitojnë nga projektet, programet dhe inovacionet e kompanive më të njohura amerikane të teknologjisë, përfshirë platforma të avancuara digjitale, inteligjencë artificiale dhe mjete të reja edukative që mbështesin zhvillimin, kreativitetin dhe sigurinë online të tyre, gjithnjë duke vendosur në fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e të rinjve dhe fëmijëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kosova iu bashkua kësaj nisme ndër shtetet e para në botë, duke dëshmuar përkushtimin për t’u siguruar fëmijëve mbrojtje në epokën e mundësive më të avancuara të botës digjitale.

  • Mbi 44 mijë vetura u importuan më 2025 në Kosovë

    Mbi 44 mijë vetura u importuan më 2025 në Kosovë

    Veturat vazhdojnë të mbeten mallrat më të importuara në Kosovë, çdo vit.

    Madje, me rritje të vazhdueshme e të madhe.

    Me vlerën prej rreth 651 milionë euro, në vitin 2025, janë importuar mbi 16 përqind më shumë vetura se më 2024.

    Bazuar në të dhënat zyrtare të Open Data – Dogana e Kosovës, të analizuara dhe përpunuara nga platforma online AutoNet, në vitin 2025 janë importuar 44,207 vetura, në raport me 37, 954 të sjellura në vitin paraprak.

    Ndërkohë, mbetet shumë e lartë edhe përqindja e veturave të përdorura, kryesisht për shkak të çmimeve më të përballueshme .

    Në këtë rast, 90%, apo 39,877 janë vetura të tilla ndërsa vetëm 10% janë vetura të reja.

    Ndërkohë, Analiza e tregut tregon se veturat me motor dizel vazhdojnë të dominojnë tregun e importeve në Kosovë gjatë vitit 2025, të cilat bashkë me ato benzin mbeten me afro 80 përqind të veturave të importuara:

    Kjo, derisa pjesëmarrja e veturave elektrike dhe PHEV-ve mbetet shumë e ulët, duke reflektuar mungesën e politikave stimuluese dhe infrastrukturës adekuate për këtë segment.

    Përveç veturave për pasagjerë, gjatë vitit 2025 janë importuar edhe automjete për transport mallrash. Edhe në këtë segment vërehet dominim i automjeteve të përdorura, me 98%, çka pasqyron orientimin e bizneseve drejt zgjidhjeve më ekonomike për flotat e tyre.

    Screenshot

  • Martohen Princi Leka II dhe Blerta Celibashi, kremtimi u bë në një ceremoni private

    Martohen Princi Leka II dhe Blerta Celibashi, kremtimi u bë në një ceremoni private

    Princi Leka II, është martuar me Blerta Celibashin, ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare Oborri Mbretëror Shqiptar.

    Sipas njoftimit, martesa u kremtua në një ceremoni private, duke ruajtur karakterin e saj intim dhe solemn.

    Fotografia zyrtare e publikuar me këtë rast, u tha se u realizua në Kështjellën Apponyi në Sllovaki.

    “Përzgjedhja e këtij mjedisi historik, rezidencë e familjes fisnike të Lartmadhërisë së Saj Mbretëreshës Geraldinë, u bë për të nderuar trashëgiminë e saj të çmuar dhe origjinën hungareze, e cila mbetet një pjesë e pandarë e historisë së Familjes Mbretërore Shqiptare”, thuhet në njoftim.

    Oborri Mbretëror njoftoi gjithashtu se “pas martesës, Princeshë Blerta do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve”.

    “Familja Mbretërore e ndan këtë lajm të gëzueshëm me kombin shqiptar dhe me miqtë e saj anembanë botës”, thuhet në fund të njoftimit.

  • Rama: Kurrë s’kam dashur të ndërhyjë në politikën e Kosovës, më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë në Shqipëri

    Rama: Kurrë s’kam dashur të ndërhyjë në politikën e Kosovës, më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë në Shqipëri

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thnë se nuk ka asnjë pozicion në politikën kosovare.

    Ai ka thënë se i është duhur shumë qesharake që është provuar të ndërhyhet në Shqipëri nga politikanë kosovarë.

    Këtë ai e tha në episodin e 10-të të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim” me profesor Arjan Gjonçaj.

    “Unë s’kam fare pozicion atje në Kosovë. Unë s’kam dashur kurrë të ndërhyj në punët e tyre. Më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë këtu. Po tani sikur s’po e bëjnë më se e morën mësimin. Pjesa tjetër pastaj është nevojë për të qenë të drejtë dhe për të qenë vetja”, ka thënë Rama.

  • Milanoviq e çuan të çmendur deklaratën e Vuçiqit se Kroacia, Kosova e Shqipëria po planifikojnë sulm ndaj Serbisë

    Milanoviq e çuan të çmendur deklaratën e Vuçiqit se Kroacia, Kosova e Shqipëria po planifikojnë sulm ndaj Serbisë

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq tha sot se është i shqetësuar për armatosjen e Serbisë me armë sulmuese, por shtoi se Kroacia është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    “Fakti është se Kina u shiti diçka. Pse po e bën Serbia këtë? Deri në një farë mase, e kuptoj që ata duan të kenë një mbrojtje të fortë, por ata gjithashtu po furnizohen me armë sulmuese”, u tha Milanoviq gazetarëve në Zagreb në lidhje me armatosjen e Serbisë me raketa kineze.

    Ai tha se blerja e armëve është një vendim sovran i Serbisë, por se nuk i është e qartë se çfarë dëshiron të arrijë vendi me këto armë.

    “Kjo gjithashtu më shqetëson, por nga ana tjetër, Kroacia është në NATO dhe BE. Serbia është një vend i izoluar, i rrethuar nga anëtarë të NATO-s. Serbia nuk është e pasur, nuk do të them se është e varfër, por Kroacia është edhe më pak e varfër. Nuk ka financa nga ana e tyre dhe është pak sikur po kërkojnë rrugën e tyre”, tha Milanoviq.

    Presidenti kroat vlerësoi se Serbia “shpenzon shumë, me një dinamikë dhe rend që nuk është shumë i qartë në buxhetin e tyre”, ka raportuar RTCG, transmeton Gazeta Express.

    “Zoti na ruajt nga vijnë të gjitha ato fonde dhe nëse janë paguar të gjitha. Fakti është se Kina u shiti diçka. Ata gjithashtu blenë disa sisteme lufte elektronike nga Rusia, të cilat janë të klasit të parë dhe do të ishin problem për ushtrinë amerikane”, shtoi Milanović.

    Ai gjithashtu vlerësoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po bënte deklarata të pazakonta dhe shtoi se më parë kishte paralajmëruar se çdo memorandum midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunim në fushën ushtarake i nënshkruar nga ministri dhe që nuk përfaqëson një marrëveshje ndërkombëtare nuk është një aleancë ushtarake.

    “Dhe ja ku është, dy ditë më parë, duke folur fjalë për fjalë për planin e Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë për të sulmuar Serbinë. Ai është një njeri mjaft interesant. Si, me çfarë, pse duhet të sulmojmë të parët. Ne nuk kemi ushtri për këtë. Atëherë mund të më besoni fjalën time, në fund të fundit, unë vendos për këtë si komandant i përgjithshëm. Ju po më akuzoni se po planifikoj ndonjë sulm mashtrues ndaj Serbisë. Kjo nuk është mirë për t’u dëgjuar, përveçse është budallallëk”, tha Milanović.

  • Hoxhaj: Kur bota përballet me sfida të mëdha, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin

    Hoxhaj: Kur bota përballet me sfida të mëdha, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është shprehur se Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, siç tha ai, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia.

    Hoxhaj përmes një postimi në Facebook tha se kur bota përballet me sfida të mëdha, sipas tij, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin.

    “Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim. Periudha kur pas zgjedhjeve ndërtoheshin shpejt institucionet tashmë i përket historisë. Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia”.

    “Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale. Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë”, tha ai.

    Hoxhaj shkroi gjithashtu se nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare.

    “Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim. Një shtet nuk mund të mbijetojë pa institucione funksionale, pa rend politik dhe pa besim tek aleatët e tij”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Rregulla të forta për plazhet e shqiptare, gjoba deri në 4 mijë euro në rastet kur prishet kontrata

    Rregulla të forta për plazhet e shqiptare, gjoba deri në 4 mijë euro në rastet kur prishet kontrata

    Qeveria shqiptare ka hedhur një hap të ri në formalizimin dhe rritjen e standardeve të turizmit elitar në vend.

    Përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar së fundmi, i cili me botimin në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi zyrtarisht, është zbardhur modeli tip i marrëveshjes që do të lidhet mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve apo lumenjve si stacione plazhi.

    Ky dokument i ri ligjor vendos një standard të panjohur më parë për menaxhimin e hapësirave publike nga subjektet private, duke u fokusuar fort te siguria e pushuesve, mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i të ardhurave për pushtetin lokal.

    Të ardhurat shkojnë për Bashkitë

    Ndonëse kontrata nënshkruhet me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, përfituesit financiarë të këtyre marrëveshjeve do të jenë drejtpërdrejt Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (Bashkitë) ku ndodhet investimi.

    Sipas vendimit, pagesa vjetore e tarifës do të përllogaritet bazuar në tarifat e miratuara nga Këshilli Bashkiak dhe do të fillojë të vilet në momentin që hoteli apo resorti vihet në funksion. Për të shmangur zhvlerësimin, kjo tarifë do të indeksohet çdo vit bazuar në normën e inflacionit të shpallur nga INSTAT. Investitorët kanë afat 30 ditë për të shlyer faturën çdo muaj tetor; në të kundërt, ata do të përballen me kamatëvonesa dhe rrezikojnë prishjen e kontratës.

    Standarde të larta sigurie

    Një nga pikat që bie në sy dhe rigoroze të VKM-së së re është Shtojca 1, e cila përcakton standardet e Kullës së Vrojtimit dhe Kutisë së Ndihmës së Shpejtë. Investitorët strategjikë nuk mund të mjaftohen më me një roje plazhi të thjeshtë.

    Ata detyrohen të punësojnë vrojtues të certifikuar gjatë gjithë sezonit dhe të pajisin stacionin me mjete shpëtimi profesionale, përfshirë barela pluskuese, bovë “bayëatch” dhe dylbi. Për më tepër, kutia e ndihmës mjekësore kërkohet të jetë në nivelin e një mini-reanimacioni, duke përfshirë detyrimisht: bombola oksigjeni, pajisje reanimimi për frymëmarrjen, si dhe ampula adrenaline për rastet e shokut anafilaktik.

    Gjobat dhe prishja e kontratës

    Për çdo shkelje të kushteve, qeveria ka parashikuar penalitete të rrepta financiare, të cilat do të derdhen 100% në Buxhetin e Shtetit. Disa nga gjobat kryesore përfshijnë:

    400,000 Lekë (≈ 4,160 €) për përsëritjen e mungesës së vrojtuesit të plazhit (200,000 Lekë ≈ 2,080 € për herën e parë).

    200,000 Lekë (≈ 2,080 €) për moszbatimin e kushteve të sigurisë, higjienës, apo për ndotjen e mjedisit.

    150,000 Lekë (≈ 1,560 €) nëse subjekti ushtron veprimtari jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë.

    Nëse investitori dështon të paguajë tarifat ose heq dorë nga investimi strategjik, AKB ka të drejtë të zgjidhë marrëveshjen. Në këtë rast, subjekti detyrohet ta kthejë plazhin në gjendjen fillestare me shpenzimet e veta dhe shteti nuk merr përsipër asnjë kompensim financiar për investimet e kryera në infrastrukturën e plazhit./RTSH

  • Irani vendos “mburoja të kaltra” gjatë bombardimeve SHBA-Izrael

    Irani vendos “mburoja të kaltra” gjatë bombardimeve SHBA-Izrael

    Një sërë mburojash kaltërebardh të vendosura mbi ndërtesa në gjithë Iranin synojnë ta dërgojnë një mesazh për planifikuesit e sulmeve amerikane dhe izraelite.

    Fotografi të simbolit të vendosur mbi çati dhe pranë vendeve të trashëgimisë kulturore u shpërndanë nga mediat shtetërore iraniane më 10 mars, së bashku me raportet se “më shumë se 120 muze dhe disa ndërtesa historike” në gjithë Iranin janë shënjuar me këtë emblemë.

    I njohur zyrtarisht si “Mburoja e Kaltër”, shefi i trashëgimisë kulturore të Iranit, Mohsen Tousi, u tha mediave iraniane se simboli ishte vendosur “për t’i mbrojtur pasuritë e vlefshme kulturore dhe historike”.

    Emblema e mburojës së kaltër u krijua gjatë Konventës së Hagës të vitit 1954 për të mbrojtur pronën kulturore gjatë konflikteve. Simboli synon të tregojë një objekt të trashëgimisë në të njëjtën mënyrë siç simboli i kryqit të kuq tregon një objekt humanitar.

    Simboli i mburojës nuk arriti kurrë të përhapej si ai i kryqit të kuq, por në vitin 1996 u themelua organizata Blue Shield për të promovuar idealet e ruajtjes së trashëgimisë gjatë luftës që simbolizon emblema e vitit 1954.

    Peter Stone është president i organizatës Blue Shield. Ai i tha Radion Evropa e Lirë se përdorimi i simbolit në Iran është “shumë pozitiv”, por theksoi se organizata e tij nuk ka kontroll mbi përdorimin e kësaj embleme.

    Përveç kësaj, nuk ekziston asnjë mekanizëm për të verifikuar nëse objektiva të ligjshme ushtarake iraniane po shënohen me këtë simbol.

    “Në luftën moderne, realisht është ushtrim mjaft i kotë të vendosësh një emblemë të madhe mbi çatinë e një muzeu”, thotë Stone, duke shtuar se shumë ushtri moderne kanë listat e tyre sekrete për vendet që nuk duhen goditur.

    Megjithatë, ai thotë se një shënim kaq i qartë i vendeve të trashëgimisë “shton një shtresë shtesë të përgjegjësisë për këdo që sulmon, që ta marrë seriozisht këtë emblemë dhe mbrojtjen e saj”.

    Nëse vendoset në një vend kulturor legjitim pa përdorim ushtarak, eksperti britanik i trashëgimisë thotë se emblema mund të ketë edhe peshë ligjore, pasi “mbrojtja e saj vjen nga Konventa e Hagës e vitit 1954”, të cilën e kanë ratifikuar edhe Izraeli dhe SHBA-ja.

    Në konflikte të mëparshme, përfshirë gjatë pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, emblema e mburojës së kaltër është përdorur, shpesh e pikturuar mbi çati në përmasa të mëdha që të jetë e dukshme për pilotët e avionëve dhe dronëve.

    Disa ndërtesa që mbanin emblemën u dëmtuan gjatë konfliktit, ndërsa të tjera jo. Stone thotë se ka qenë e pamundur të dihet ndikimi i mirëfilltë i simbolit, pasi vendimmarrja për objektivat ndodh pas një muri të fshehtësisë ushtarake.

    Pas konfliktit, thotë Stone, përdorimi i drejtë i simbolit të mburojës mund të shtojë “një provë shtesë” për ndjekjen penale të atyre që sulmojnë pa ndonjë domosdoshmëri ushtarake.

    Stone pranon se koncepti i së drejtës ndërkombëtare mbi të cilin bazohet mburoja e kaltër sot është në një gjendje të brishtë, por ai thotë: “duhet ta mbajmë gjallë”, sepse në të kundërt “askush nuk do të mbahet përgjegjës”. /REL

  • Barcelona fiton bindshëm kundër Sevillas-Vazhdon kryesimin në La Liga

    Barcelona fiton bindshëm kundër Sevillas-Vazhdon kryesimin në La Liga

    Barcelona ka arritur një fitore të rëndësishme në kampionat pasi mposhti Sevillan me rezultat 3-1.

    Skuadra katalanase e nisi ndeshjen shumë fuqishëm dhe kaloi në epërsi që në minutën e nëntë. Raphinha realizoi nga pika e bardhë pasi gjyqtari akordoi penallti për Barcelonën, duke kaluar vendasit në avantazh 1-0.

    Braziliani u tregua sërish i saktë në minutën e 21-të, duke shënuar përsëri nga penalltia për të dyfishuar epërsinë në 2-0.

    Barcelona vazhdoi dominimin edhe më tej dhe në minutën e 38-të erdhi goli i tretë. Dani Olmo përfitoi nga një pasim i mirë brenda zonës, krijoi hapësirë dhe me një goditje të bukur e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 3-0.

    Sevilla arriti të ngushtojë diferencën në minutën e tretë të kohës shtesë të pjesës së parë, kur Oso realizoi për 3-1.

    Me këtë fitore, Barcelona vazhdon të mbajë vendin e parë në tabelë me katër pikë epërsi ndaj Real Madridit, duke forcuar pozitat në garën për titull.

  • Manchester United mposhtë Aston Villan 3-1 në “Old Trafford”

    Manchester United mposhtë Aston Villan 3-1 në “Old Trafford”

    Manchester United ka regjistruar një fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Aston Villa me rezultat 3-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të Premier League.

    “Djajtë e Kuq” dominuan pjesën më të madhe të takimit dhe krijuan disa raste të mira që në pjesën e parë. Amad Diallo dhe Diogo Dalot patën mundësi të mira për gol, por nuk arritën t’i konkretizojnë aksionet.

    Epërsia për vendasit erdhi në minutën e 53-të, kur Casemiro realizoi me kokë pas një harkimi të saktë nga Bruno Fernandes.

    Skuadra mysafire reagoi në minutën e 64-t, kur Ross Barkley barazoi shifrat me një gol të bukur.

    Megjithatë, reagimi i Unitedit ishte i menjëhershëm. Në minutën e 71-të, Matheus Cunha shënoi golin e epërsisë pas një asistimi tjetër nga Fernandes, duke i dhënë sërish avantazhin ekipit vendas.

    Në fund, Manchester United arriti ta menaxhojë mirë ndeshjen dhe ta sigurojë fitoren 3-1 përballë Aston Villa.