ATV

Blog

  • ​Chelsea dënohet me mbi 10 milion pound dhe bllokim transferimesh

    ​Chelsea dënohet me mbi 10 milion pound dhe bllokim transferimesh

    Klubi i Chelsea-t është gjobitur me £10.75 milionë dhe i është shqiptuar një bllokim i transferimeve për një vit (i pezulluar për dy vite), pas një hetimi mbi pagesat sekrete të bëra gjatë epokës së Roman Abramovich (2011-2018).

    Sipas Sky Sports, këto parregullsi financiare, që përfshijnë transferime si ato të Eden Hazard dhe Samuel Eto’o, u zbuluan nga pronarët e rinj amerikanë, të cilët i raportuan vetë ato te autoritetet.

    Përveç gjobës, “Blutë” e Londrës kanë marrë edhe një bllokim menjëhershëm 9-muajsh për transferimin e lojtarëve të akademisë.

    Megjithatë, për shkak të “bashkëpunimit të jashtëzakonshëm”, Premier Liga ka vendosur që bllokimi i merkatos së ekipit të parë të mbetet i pezulluar; që do të thotë se Chelsea mund të blejë lojtarë këtë verë, me kusht që të mos kryejë asnjë shkelje tjetër në dy vitet e ardhshme.

  • Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Sllovenisë, Borut Blaj, biseda kryesore bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve

    Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Sllovenisë, Borut Blaj, biseda kryesore bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve

    Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

    Sipas njoftimit nga Kuvendi, biseda u përqendrua në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, në veçanti në dimensionin parlamentar dhe në mundësitë për të thelluar shkëmbimin e përvojave institucionale.

    Haxhiu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira me Slloveninë dhe vlerësoi mbështetjen e saj të vazhdueshme për konsolidimin demokratik dhe integrimin evropian të Kosovës.

  • Punëtorët e “Prishtina Parking” paralajmërojnë grevë duke protestuar për kushtet e punës

    Punëtorët e “Prishtina Parking” paralajmërojnë grevë duke protestuar për kushtet e punës

    Punëtorët e “Prishtina Parking” kanë protestuar për të kërkuar pagën e tyre, shujtën si dhe pjesën e pagës që ende nuk është ekzekutuar, raporton Ekonomia Online.

    E në rast se sërish do të hasin në shpërfillje nga menaxhmenti, ata paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë, ndërsa theksojnë se pavarësisht protestës së parë, askush nuk është marrë me ta.

    Kryetari i Sindikatës, Flamur Hajdari tha se këto kërkesa të tyre po bëhen tash e më shumë se tre vjet.

    “Ne jemi mbledhur në protestën e dytë. Kërkesat të cilat i kemi parashtruar te ndërmarrja jonë “Prishtina Parking” ende nuk janë plotësuar. Po presim për plotësimin e kërkesave tona që i kemi paraqitur. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë dialog apo ftesë për takim nga menaxhmenti. Kërkesat tona janë ato që i kemi parashtruar më herët: pagesa e shujtës, përmbushja e obligimeve ndaj sindikatës, si dhe pagesa e një gjysmë page që na ka mbetur pa u ekzekutuar. Ne presim që ndërmarrja të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Në të kundërtën, do të vazhdojmë me protesta dhe, nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje, do të fillojmë edhe me grevë. Tash e tri vite jemi duke i bërë këto kërkesa, por deri më sot nuk kemi arritur të realizojmë asgjë. Përgjigjja që kemi marrë nga ndërmarrja është se si institucion ndodhet në krizë financiare. Por edhe ne jemi në krizë. Me një pagë prej rreth 500 eurosh, për momentin jemi në gjendje shumë të vështirë ekonomike”, ka thënë ai.

    Anëtari i Kryesisë së Sindikatës, Safet Zuka ka treguar se nga ndërmarrja është thënë se po përballen me krizë dhe me borxhet.

    “Këtu ka probleme edhe me sigurimin shëndetësor, i cili nuk është paguar për 7–8 muaj. Anëtarëve të sindikatës dhe kolegëve të punës u ndalen mjetet për sigurim shëndetësor, ndërsa familjarët e tyre supozohet të jenë të mbuluar me këtë sigurim. Megjithatë, edhe pse mjetet ndalen nga paga, sigurimi nuk paguhet. E njëjta gjë ka ndodhur për rreth 8–9 muaj edhe me sindikatën tonë. Mjetet janë ndalur nga menaxhmenti, por nuk janë ekzekutuar në llogarinë e sindikatës. Këto janë çështje shumë shqetësuese. Ne kemi kërkuar edhe rritje të pagave, pasi kjo është një nevojë e domosdoshme. Negociatat që kemi pasur me menaxhmentin kanë treguar se ndërmarrja ka borxhe dhe është në krizë financiare. Megjithatë, këto janë pasoja të një keqmenaxhimi që po e pësojmë ne si punëtorë. Menaxhmenti vazhdimisht thekson se ndërmarrja nuk ka të hyra dhe nuk ka mjete as për rritje pagash, as për pagesën e sigurimit shëndetësor dhe as për obligimet ndaj sindikatës”, tha ai.

  • Zonat e trupit më të prekura nga stresi

    Zonat e trupit më të prekura nga stresi

    Shumë studime tregojnë se reagimet ndaj stresit mund të çojnë në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme. Stresi është një nga problemet që më prek shoqërinë moderne. Të gjithë herët a vonë mund të kemi episode të dukshme e stresit për arsye të ndryshme, por kur kjo është kronike, duhet t’i kushtojmë vëmendje, për shkak se mund të ketë pasoja negative në shëndetin fizik dhe mendor.

    Lëkura

    Stresi shkakton çekuilibër hormonal. Tensioni i gjeneruar nga ky çrregullim emocional rrit përgjigjen inflamatore të trupit, gjë e cila shkakton mbylljen e poreve të lëkurës. Akumulimi i papastërtive brenda shkaton akne.

    Muskujt

    Eshtrat dhe muskujt janë zona më e prekur nga stresit kronik, që shkakton dhimbje dhe vështirësi në lëvizje.

    Zemra

    Ekziston një lidhje midis episodeve të vazhdueshme të stresit dhe një rreziku më të madh për probleme kardiovaskulare, si rritja e kolesterolit dhe triglicerideve, presion i lartë i gjakut dhe probleme të qarkullimit.

    Sistemi imun

    Njerëzit që gjithmonë vuajnë nga ky çrregullim emocional shfaqin një ulje të konsiderueshme të mbrojtjes imunitare, e cila çon në një sensibilitet më të madh ndaj infeksionit.

    Sistemi i tretjes

    Stresi mund të shoqërohet me shenja fizike që prekin traktin digjestiv, si për shembull:

    • diarre
    • kapsllëk
    • pezmatim
    • gazra
    • dhimbje barku

    Të gjitha këto çrregullime mund të jenë rezultat i rritjes së nivelit të hormonit të stresit, kortizolit.

    Truri

    Një nga pjesët e trupit më të prekura nga stresi i përsëritur është truri. Kortizoli, hormoni i stresit, ka një ndikim negativ dhe kjo shpjegon edhe arsyen pse gjatë situatave të tensionuara, njerëzit nuk arrijnë të marrin vendime të caktuara dhe nuk janë në gjendje të përqëndrohen në zhvillimin e aktiviteteve të tyre të përditshme.

    Veshkat

    Kortizoli i tepërt çon në rritjet të prodhimit të fosfatit, e cila çon në dobësi të muskujve, ndryshime në nivelin e eshtrave dhe vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre.

  • Pas Osmanit, Orav në takim lamtumirës edhe me Kurtin

    Pas Osmanit, Orav në takim lamtumirës edhe me Kurtin

    Ambasadori i Bashkimi Evropian në Kosovë, Aivo Orav, zhvilloi një takim lamtumirës me kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas postimi në Facebook, Orav vlerësoi bashkëpunimin e mëparshëm dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian i ka ofruar Kosovës, duke shprehur shpresën që së shpejti të gjitha institucionet të jenë funksionale dhe të fokusohen plotësisht në procesin e integrimit evropian.

    “Duke i thënë lamtumirë sot Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Ambasadori i BE-së Aivo Orav reflektoi mbi marrëdhëniet e kaluara dhe të ardhshme BE–Kosovë dhe mbi mbështetjen e konsiderueshme që BE-ja i ka ofruar Kosovës deri më tani.

    Orav shprehu shpresën që së shpejti të gjitha institucionet të jenë funksionale dhe plotësisht të përqendruara në integrimin evropian”, shkruhet në postim.

  • Lufta në Iran dhe tronditja e tregjeve globale të energjisë

    Lufta në Iran dhe tronditja e tregjeve globale të energjisë

    AKADEMIK. PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    Lufta në Iran është shndërruar brenda pak javësh nga një konflikt rajonal, në një krizë me pasoja globale. Përshkallëzimi i tensioneve në Gjirin Persik ka vënë në lëvizje tregjet ndërkombëtare të energjisë, ka rritur shqetësimet për stabilitetin ekonomik botëror dhe ka rikthyer në qendër të debatit gjeopolitik rëndësinë strategjike të energjisë. Në një botë të karakterizuar nga ndërvarësi të thella ekonomike dhe nga një sistem energjetik ende i mbështetur në mënyrë të konsiderueshme te karburantet fosile, çdo krizë në Lindjen e Mesme ka potencialin të shndërrohet shpejt në një tronditje globale.

    Në qendër të kësaj krize ndodhet Ngushtica e Hormuzit, korridori detar që lidh Gjirin Persik me oqeanin e hapur dhe që përbën një nga nyjat më të rëndësishme të ekonomisë botërore. Rreth një e pesta e konsumit global të naftës kalon përmes kësaj rruge, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e gazit natyror të lëngëzuar që eksportohet nga vendet e Gjirit ndjek të njëjtën trajektore. Për këtë arsye, Ngushtica e Hormuzit nuk është thjesht një kalim detar, por një arterie jetike e sistemit energjetik global. Çdo destabilizim në këtë zonë ka pasoja të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare dhe në pritshmëritë e aktorëve ekonomikë.

    Sulmet ndaj anijeve tregtare dhe aktiviteti ushtarak në rajon kanë bërë që shumë kompani transporti dhe sigurimi të rishikojnë operimin e tyre në Gjirin Persik. Në disa raste, tarifat e sigurimit për tankerët janë rritur ndjeshëm, ndërsa disa kompani kanë zgjedhur të devijojnë itineraret ose të shtyjnë dërgesat. Si pasojë, trafiku i tankerëve është reduktuar dhe kostot e transportit janë rritur, duke shtuar presionin mbi çmimet ndërkombëtare të energjisë. Tregjet, reagojnë shpesh jo vetëm ndaj zhvillimeve konkrete, por edhe ndaj perceptimit të rrezikut. Në këtë kuptim, vetë mundësia e një ndërprerjeje të furnizimit është e mjaftueshme për të gjeneruar paqëndrueshmëri në çmimet e naftës. Rritja e çmimeve të naftës përkthehet shpejt në rritje të kostove të transportit, të prodhimit industrial dhe të ushqimeve, duke ushtruar presion mbi inflacionin dhe mbi politikat monetare të shumë vendeve. Në këtë kuadër, kriza aktuale nuk duhet parë vetëm si një zhvillim në një rajon të caktuar të botës, por si një episod që nxjerr në pah dobësitë strukturore të sistemit energjetik global.

    Në të njëjtën kohë, kjo krizë vjen në një moment kur rendi ndërkombëtar po kalon një fazë të re transformimi. Rivalitetet midis fuqive të mëdha janë intensifikuar, zinxhirët globalë të furnizimit janë bërë më të brishtë dhe tregjet e energjisë janë tashmë të ndikuara nga një ndërthurje faktorësh ekonomikë, strategjikë dhe politikë. Në këtë kontekst, zhvillimet në Gjirin Persik nuk janë vetëm një krizë rajonale, por edhe një test për mënyrën se si ekonomia globale dhe institucionet ndërkombëtare reagojnë ndaj tronditjeve të mëdha gjeopolitike. Pikërisht për këtë arsye, reagimi i aktorëve ndërkombëtarë dhe koordinimi midis ekonomive kryesore të botës merr një rëndësi të veçantë.

    KOORDINIMI EMERGJENT I G7-S

    Në 11 mars, nën Presidencën franceze u thirr një takim virtual i vendeve të G7-s, për të analizuar pasojat globale të konfliktit, dhe ndikimin e tij në tregjet e energjisë e për të koordinuar një përgjigje të përbashkët për të stabilizuar situatën.

    Në deklaratën e përbashkët u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar për të garantuar furnizimin global me energji dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit në rajon. Një nga vendimet më të rëndësishme ishte mbështetja për lirimin e rezervave strategjike të naftës nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, deri në 400 milionë fuçi, një ndërhyrje që synon të qetësojë tregjet dhe të kompensojë përkohësisht ndërprerjet e furnizimit nga Gjiri Persik. Kjo për arsye se ndikimi i krizës po kërcënon rezervat energjetike të shteteve kryesore.

    Ky forum përfaqëson ekonomitë më të industrializuara të botës dhe historikisht ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizave ekonomike dhe energjetike ndërkombëtare. Koordinimi ndërkombëtar në fushën e energjisë ka rrënjë të thella historike. Pas krizës së 1973 kur embargoja e vendeve arabe shkaktoi një tronditje të madhe ekonomike në Perëndim, vendet e industrializuara filluan të ndërtojnë mekanizma të përbashkët për menaxhimin e krizave energjetike. Një nga rezultatet kryesore ishte krijimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë në vitin 1974, një institucion që koordinon rezervat strategjike të energjisë dhe bashkëpunimin midis ekonomive të industrializuara duke reaguar ndaj krizave te herëpashershme, (ajo e vitit 1991, ndaj krizës nga lufta Rusi-Ukraine, vendosja e një tavani çmimi për eksportet e naftës ruse, etj.).

    Në këtë kuptim, reagimi ndaj krizës aktuale është pjesë e një tradite më të gjerë bashkëpunimi ndërkombëtar për menaxhimin e krizave energjetike.

    TREGJET E NAFTËS NËN PRESION

    Tregjet ndërkombëtare të energjisë reaguan menjëherë ndaj përshkallëzimit të konfliktit. Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm ndërsa investitorët dhe operatorët e tregut filluan të vlerësojnë rrezikun e ndërprerjeve të furnizimit nga rajoni i Gjirit Persik, një nga zonat më të rëndësishme prodhuese dhe eksportuese të energjisë në botë. Në situata të tilla, tregjet reagojnë shpesh me shpejtësi, sepse nafta mbetet një mall strategjik që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e ekonomisë globale. Tregu i naftës është shumë i ndjeshëm ndaj perceptimit të rrezikut gjeopolitik, i cili shpesh reflektohet në çmimet e kontratave të ardhshme dhe në vendimet e aktorëve financiarë. Rëndësia e rajonit të Gjirit Persik për tregun global të energjisë e bën këtë situatë edhe më delikate. Vende si Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari përfaqësojnë një pjesë të madhe të prodhimit dhe eksporteve botërore të energjisë. Në këtë kontekst, edhe perceptimi i rrezikut është i mjaftueshëm për të shkaktuar luhatje të mëdha në çmimet e naftës. Kompanitë e transportit mund të kërkojnë tarifa më të larta sigurimi, disa tankerë mund të zgjedhin rrugë alternative ose të shtyjnë dërgesat, ndërsa investitorët financiarë mund të rrisin aktivitetin spekulativ në tregjet e energjisë. Të gjitha këto faktorë kontribuojnë në një klimë pasigurie që reflektohet drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare. Për më tepër, tregu i naftës sot është shumë më i ndërlidhur me tregjet financiare sesa në të kaluarën. Fondet e investimeve, bankat dhe aktorët financiarë luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e çmimeve përmes tregtimit të kontratave të ardhshme dhe instrumenteve të tjera financiare. Kjo do të thotë se tensionet gjeopolitike mund të përforcohen nga dinamika financiare, duke krijuar luhatje edhe më të mëdha në treg. Nëse kriza në Gjirin Persik vazhdon, presioni mbi tregjet e energjisë mund të intensifikohet edhe më tej. Për këtë arsye, zhvillimet në tregjet e energjisë po ndiqen me vëmendje jo vetëm nga kompanitë energjetike, por edhe nga qeveritë dhe institucionet financiare në të gjithë botën.

    INFLACIONI DHE PRESIONI EKONOMIK

    Pasojat ekonomike të konfliktit shtrihen shumë përtej tregut të energjisë. Rritja e çmimeve të naftës zakonisht përhapet me shpejtësi në të gjithë ekonominë globale, sepse energjia mbetet një input themelor për transportin, prodhimin industrial dhe funksionimin e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit. Kur çmimet e energjisë rriten, ndikimi i tyre transmetohet në mënyrë graduale në pothuajse çdo sektor të aktivitetit ekonomik. Çmimet më të larta të energjisë rrisin menjëherë kostot e transportit dhe të logjistikës. Mallrat që transportohen në distanca të gjata bëhen më të shtrenjta, ndërsa kompanitë përballen me rritje të shpenzimeve për prodhimin dhe shpërndarjen. Në sektorin industrial, energjia është një komponent kyç i proceseve të prodhimit, ndaj çdo rritje e çmimit të saj reflektohet në koston përfundimtare të produkteve. Në të njëjtën kohë, ndërprerjet në eksportet petrokimike nga rajoni i Gjirit Persik ndikojnë në furnizimin me plehra kimikë dhe produkte të tjera të rëndësishme për bujqësinë dhe industrinë, duke reflektuar më pas në çmimet për konsumatorët.

    Në një moment kur shumë ekonomi ende përballen me pasojat e krizave të viteve të fundit, një tronditje e re energjetike mund të përkthehet në një valë të re inflacioni global. Bankat qendrore në shumë vende janë ende të angazhuara në përpjekje për të stabilizuar çmimet dhe për të kontrolluar inflacionin (e postpandemisë dhe luftës Rusi-Ukrainë). Një rritje e re e kostove të energjisë mund ta bëjë këtë proces edhe më të vështirë, duke vendosur ekonomitë përballë një dileme midis stabilitetit të çmimeve dhe ruajtjes së ritmit të rritjes ekonomike. Rreziku i shfaqjes së inflacionit të jashtëm edhe për vendin tonë, nëse kriza zgjat, duhet konsideruar.

    KONKURRENCA GJEOPOLITIKE PËR ENERGJINË

    Kriza aktuale ka rikthyer fuqishëm në qendër dimensionin gjeopolitik të energjisë. Energjia nuk është vetëm një burim ekonomik që ushqen industrinë dhe transportin global, por edhe një instrument i rëndësishëm i fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Historia e politikës botërore tregon se kontrolli mbi burimet energjetike dhe mbi korridoret e transportit të tyre shpesh ka qenë i lidhur ngushtë me ndikimin strategjik të shteteve.

    Në këtë kontekst, aftësia e Iranit për të kërcënuar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit tregon qartë se si kontrolli mbi një korridor strategjik mund të shndërrohet në një instrument presioni gjeopolitik. Vetë mundësia e ndërprerjes së trafikut është e mjaftueshme për të krijuar tension në tregjet ndërkombëtare dhe për të rritur ndikimin politik të aktorëve që kanë kapacitetin ta destabilizojnë këtë korridor. Në të njëjtën kohë, kriza po krijon mundësi për eksportues të tjerë të energjisë që mund të përfitojnë nga rritja e çmimeve dhe nga kërkesa për furnizime alternative. SHBA falë revolucionit të prodhimit të naftës dhe gazit nga shale në dekadën e fundit, është shndërruar në një nga prodhuesit kryesorë të energjisë në botë. Në një situatë ku furnizimet nga Gjiri Persik bëhen më të pasigurta, prodhimi amerikan mund të marrë një rëndësi edhe më të madhe për stabilitetin e tregjeve ndërkombëtare.

    Gjithashtu, Federata Ruse mbetet një nga eksportuesit më të mëdhenj të energjisë dhe mund të përfitojë nga çmimet më të larta të naftës. Edhe pse Moska përballet me sanksione të gjera nga Perëndimi tregjet globale të energjisë mbeten të ndërlidhura dhe çdo rritje e çmimeve globale ka potencialin të rrisë të ardhurat nga eksportet energjetike ruse.

    Kjo krizë nxjerr në pah rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të fuqive të mëdha konsumuese të energjisë. Kina, importuesi më i madh i energjisë në botë, po ndjek me vëmendje zhvillimet në Gjirin Persik. Stabiliteti i këtij rajoni është thelbësor për sigurinë energjetike të ekonomisë kineze, e cila mbështetet në importe të mëdha të naftës nga Lindja e Mesme.

    Përveç konkurrencës midis eksportuesve dhe konsumatorëve të energjisë, kriza aktuale reflekton edhe një transformim më të gjerë të gjeopolitikës së energjisë. Në një botë ku tranzicioni drejt burimeve të rinovueshme është në proces, por ende larg përfundimit, energjia fosile vazhdon të luajë një rol qendror në balancat strategjike ndërkombëtare. Kjo do të thotë se tensionet në rajone prodhuese si Lindja e Mesme kanë potencialin të ndikojnë jo vetëm në tregjet e energjisë, por edhe në marrëdhëniet politike dhe strategjike midis fuqive të mëdha.

    Kriza aktuale është një kujtesë se gjeopolitika e energjisë mbetet një nga dimensionet më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare dhe çështje e strategjive kombëtare të çdo vendi, prandaj ajo do të vazhdojë të mbetet edhe një faktor kyç në rivalitetin midis fuqive të mëdha. Por, kriza aktuale mund të shndërrohet në një moment reflektimi për sistemin energjetik global të energjisë që mbetet në një ekuilibër të brishtë. Prandaj, nëse tensionet në Gjirin Persik vazhdojnë, bota mund të përballet me një nga krizat më serioze energjetike të dekadave të fundit. Nëse situata stabilizohet, kjo krizë mund të shërbejë si një paralajmërim për dobësitë strukturore të sistemit global të energjisë.

    Në çdo rast, zhvillimet e fundit tregojnë se në ekonominë globale të shekullit XXI energjia, ekonomia dhe gjeopolitika mbeten thellësisht të ndërthurura dhe me rëndësi për t’u bashkëkoordinuar.

  • Arrestohet një person për fajde në Prizren, katër të tjerë në kërkim – dëm prej 700 mijë eurosh

    Arrestohet një person për fajde në Prizren, katër të tjerë në kërkim – dëm prej 700 mijë eurosh

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person gjatë një operacioni të zhvilluar në pesë lokacione në Prizren, ndaj disa personave të dyshuarve për fajde.

    Operacioni është zhvilluar pas veprimeve intensive hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren

    Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar me inicialet: B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” nga neni 331, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 193 dhe “Detyrimi” nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Sipas dyshimeve të deritanishme, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë. Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës, sipas vlerësimeve fillestare, arrin shumën rreth 700,000 (shtatëqind mijë) euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450,000 euro shtesë në emër të interesit të fajdesë”.

    Katër persona të tjerë ndodhen në kërkim policor.

    Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj personit të arrestuar është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Rinia e PDK-së me aksion simbolik para Qeverisë: Luftë me fjalë, lëshime me vepra

    Rinia e PDK-së me aksion simbolik para Qeverisë: Luftë me fjalë, lëshime me vepra

    Rinia Demokratike e Kosovës sot ka realizuar një aksion simbolik para Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes së cilit ka shprehur shqetësimin për vendimin e fundit të Ekezkutivit lidhur me lehtësirat për serbët në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt.

    Ata kanë zbrazur një thes me lajme të deklaratave të kryeministrit Albin Kurti ndër vite duke u mburrur se në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë.

    Kryetarja e RDK-së, njëherit deputete e PDK-së, Arbnora Salihu tha se ky aksion është një mesazh i qartë se e vërteta nuk mund të mbulohet me propaganda dhe se dështimi nuk mund të fshihet pas fjalëve boshe, të pakuptimta.

    “E kemi mbushur këtë thes me gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte që i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes e shpërfaqë qasjen e tij manipulative, me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror”, shtoi ajo, thuhet në komunikatën e PDK-së.

    Salihu rikujtoi disa nga deklarata e Kurtit, me të cilat siç tha ajo, kryeministri ka ndërtuar narrativë të rreme dhe i ka mashtruar qytetarët.

    “Në prill të vitit 2022, Kurti premtonte se nuk do të kishte “asnjë gram tolerancë” ndaj strukturave ilegale. Në qershor 2023, ai deklaronte se “Kosova nuk do të lejojë struktura paralele në veri” dhe madje kërcënonte se ata do të shkonin “ose në Serbi, ose në burg”. Në janar 2025, ministrat e tij mburreshin se “epoka e komunave paralele ka përfunduar”. Ndërsa, në janar të këtij viti, në Davos, Albin Kurti thoshte se “Në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë”. Por, para dy ditësh, më 14 mars 2026, ai bëri të kundërtën, lejoi përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia, duke i bërë ato pjesë të sistemit ligjor të Kosovës”, vuri re ajo.

    RDK e cilëson këtë vendim si dorëzim përballë bandave kriminale që krijon një momentum të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

    “Për më tepër, ky kompromis i dhimbshëm u përshëndet nga Serbia, e cila e konsideron si shmangie katastrofe. Përderisa Albin Kurti flet për mbyllje të strukturave ilegale, Aleksandër Vuçiq po feston për fitore”, theksoi Salihu.

    Ajo tha se Kosova meriton stabilitet, zhvillim dhe seriozitet, jo populizëm dhe hipokrizi politike.

    “Kur një kryeministër që ka ndërtuar karrierën mbi retorikë të ashpër ndaj Serbisë, përfundon duke i dhënë legjitimitet dokumenteve të saj, atëherë kemi të bëjmë me mashtrim. Ky vendim i Albin Kurtit është tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve. Është paradoksale dhe shqetësuese që një kryeministër, i cili nuk arriti të gjejë konsensus politik për zgjedhjen e Presidentit, sot gjen gjuhë të përbashkët me strukturat paralele dhe me Serbinë. Prandaj, nga këtu i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndalë politikat e dyfishta dhe të mos i mashtrojë më qytetarët tanë”, përfundoi deputetja Salihu.

  • Hamza e nënshkruan peticionin kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Hamza e nënshkruan peticionin kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka nënshkruar peticionin kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se është detyrë e secilit që të qëndrojë pranë atyre që, sipas tij, kontribuan për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

    “Është detyrë e secilit prej nesh që t’u qëndrojë pranë atyre që kontribuan me vite të tëra për lirinë dhe shtetin tonë. Lufta çlirimtare ishte mbrojtëse, e drejtë dhe jam i bindur se drejtësia së shpejti do ta rikonfirmojë këtë”, shkroi kreu i PDK-së.

  • GUXO në Belgjikë e ndal aktivitetin politik pasi Kurti nuk e rikandidoi Osmanin

    GUXO në Belgjikë e ndal aktivitetin politik pasi Kurti nuk e rikandidoi Osmanin

    Koordinatori i partisë Guxo për diasporë, Kujtim Hajdaj, ka njoftuar se dega e kësaj partie në Belgjikë ka vendosur të pushojë aktivitetin politik.

    Sipas tij, ky vendim është marrë pas pakënaqësive të krijuara lidhur me mosrizgjedhjen e Vjosa Osmanit edhe për një mandat në krye të vendit.

    Në një njoftim në Facebook, kryesia e Degës së Guxo në Belgjikë bëri të ditur se pas një debati të hapur dhe transparent, ku janë shprehur mendime të lira për situatën politike në Kosovë, është vendosur njëzëri që aktiviteti politik të pezullohet deri në një vendim të ri.

    Kryesia, e përbërë nga 13 anëtarë, përfshirë kryetarin, nënkryetarët, sekretarin, anëtarët e tjerë të kryesisë dhe tre kryetarët e nëndegëve , ka theksuar se vendimi lidhet me situatën e krijuar pas mosrizgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.

    “Njëzëri kemi vendos të pushojmë aktivitetin tonë politik në kuadër të Partisë GUXO deri në një vendim tjetër të ri. Kjo, duke u bazuar në situatën e krijuar të mos rizgjedhjes së Vjosa Osmani për Presidente të Kosovës, dhe duke u bazuar në vendimin e anëtarit të kryesisë qendrore dhe kordinatorit me degët jashtë Kosove, z.Kujtim Hajdaj, që të pushoj aktivitetin e vet politik në kuadër të Partisë GUXO për një kohë të pacaktuar.”, thuhet në njoftim.