ATV

Blog

  • Shqiptarët vdesin nga zemra gati dy herë më shumë se Bashkimi Europian

    Shqiptarët vdesin nga zemra gati dy herë më shumë se Bashkimi Europian

    Sëmundjet e zemrës dominojnë strukturën e vdekjeve në Shqipëri shumë më tepër se në vendet e Bashkimit Europian.

    Të dhënat krahasuese nga INSTAT dhe Eurostat tregojnë se 52.9% e vdekjeve në Shqipëri lidhen me sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, ndërsa në Bashkimin Europian kjo kategori përbën 32.8% të totalit të vdekjeve.

    Diferenca është e konsiderueshme dhe tregon se shqiptarët humbin jetën nga sëmundjet e zemrës në një nivel gati dy herë më të lartë se mesatarja europiane.

    Në Europë, përveç sëmundjeve të zemrës, një peshë të madhe në vdekje kanë edhe tumoret, që përbëjnë 23.9% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri kjo kategori zë 15.3% të totalit. Edhe sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kanë një peshë dukshëm më të madhe në BE, me 7.8% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri përbëjnë vetëm 2%.

    Diferenca të mëdha shfaqen edhe në kategori të tjera të sëmundjeve. Sëmundjet e aparatit të tretjes përbëjnë 4.4% të vdekjeve në BE, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.8%.

    Sëmundjet mendore përbëjnë 4.3% të vdekjeve në Europë, krahasuar me 0.5% në Shqipëri, ndërsa sëmundjet e sistemit nervor zënë 4.3% në BE dhe vetëm 1.5% në vend. Po ashtu, sëmundjet endokrine dhe të ushqyerjes përbëjnë 3.5% të vdekjeve në Bashkimin Europian, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.9%.

    Po shtohen pacientët me probleme të zemrës

    Të dhënat e fundit tregojnë se rastet me probleme kardiake janë në rritje edhe në sistemin spitalor. Për periudhën janar–gusht 2025, në repartet e kardiologjisë u trajtuan 7,543 pacientë, nga 6,419 pacientë një vit më parë, një rritje prej 17.5%.

    Edhe problemet e shëndetit mendor kanë shënuar rritje. Në të njëjtën periudhë, në spitalet psikiatrike u trajtuan 1,129 pacientë, ose 36% më shumë se një vit më parë.

    Ekspertët e shëndetit e lidhin këtë tendencë me një kombinim faktorësh që lidhen me stilin e jetesës. Ndotja e ajrit, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme dhe stresi i përditshëm konsiderohen ndër arsyet kryesore që po rrisin simptomat kardiake dhe neurologjike në popullsi.

    Ndikimet e fshehura të stresit dhe punës sedentare janë bërë një shqetësim i madh për shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve në korporata dhe biznese.

    Mjekja psikiatre Dr. Arjana Rreli, ka pohuar më herët për Monitor se stresi kronik në punë mund të shkaktojë pasoja serioze në shëndetin mendor dhe fizik.

    “Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stresit në mjedisin e punës mund të çojë në lodhje emocionale, shqetësime të gjumit dhe madje edhe probleme kardiovaskulare”, – shpjegon ajo.

    Sipas kardiologut Dr. Endri Hasimi, ndikimi i stresit kronik në shëndetin kardiovaskular është shpesh i nënvlerësuar. “Kur një individ është vazhdimisht i ekspozuar ndaj stresit në punë, trupi prodhon sasi të larta kortizoli, i cili rrit presionin e gjakut dhe përshpejton zhvillimin e sëmundjeve të zemrës”, – shpjegon ai. “Për më tepër, mungesa e lëvizjes dhe një dietë e pashëndetshme mund të çojnë në formimin e pllakave në arterie, duke rritur rrezikun e infarktit”.

    Edhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në një analizë për ecurinë e sëmundjeve të zemrës vitet e fundit gjeti se sëmundjet kardiovaskulare kanë përparuar me shpejtësi në dekadën e fundit.

    Rastet e diagnostikuara çdo vit në spital janë gjithashtu në rritje së bashku me volumin e shërbimeve diagnostike dhe kirurgjikale. Ndërhyrjet by-pass për rivendosjen e qarkullimit të gjakut në muskulin e zemrës të kryera nga QSUT pothuaj janë rritur në mënyrë eksponenciale në 10 vitet e fundit.

    Risku i sëmundjeve të zemrës në Shqipëri vjen duke u rritur me moshën dhe është më i lartë tek burrat krahasuar me gratë. Në grup – moshën 30-69 vjeç vdekshmëria dhe sëmundshmëria janë rreth 2 herë më të larta tek meshkujt, ndërsa pas kësaj moshe diferenca zvogëlohet në vetëm rreth 20%.

    Diferencat mes grave dhe burrave janë akoma më të mëdha kur krahasojmë sëmundshmërinë. Arsyet e diferencës përfshijnë mbrojtjen hormonale te femrat para menopauzës, si dhe ekspozimin më të lartë ndaj duhanpirjes dhe abuzimit të alkoolit.

    OBSH rekomandon t’i kushtohet vëmendje vlerësimit të përgjithshëm të një numri faktorësh risku për sëmundjet e zemrës dhe aksidentet cerebrovaskulare, në vend të një të vetmi, me synim zvogëlimin e riskut total.

    Shqipëria renditet ndërkohë ndër një nga vendet me nivelin më të lartë të obezitetit, që është një tjetër faktor rreziku për sëmundjet e zemrës dhe vdekshmërinë prej tyre. Sipas Eurostat 56.5% e shqiptarëve mbi 16 vjeç konsiderohen mbi peshë, duke u renditur në zonën e rrezikut.

    Femrat shqiptare duket se janë shumë më të kujdesshme se meshkujt. Sipas Eurostat, 62.3% e meshkujve shqiptarë mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë, ndër më të lartat në Europë.

    Gjysma e femrave shqiptare (50.9%) konsiderohen që janë mbipeshë, sipas të dhënave të Eurostat.

  • PS mbledh Kuvendin, PD e bojkoton – Çfarë pritet në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë

    PS mbledh Kuvendin, PD e bojkoton – Çfarë pritet në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare që do të mbahet sot në Kuvendin e Shqipërisë.

    Ky vendim është marrë pasi thirrja e seancës konsiderohet e paligjshme dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Qëndrimi u bë publik nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

    Kuvendi ka njoftuar se një nga pikat e rendit në seancën e sotme do të jetë votimi për rezolutën e shpalljes e Iranit si shtet sponsor i terrorizmit. Pas njoftimit, Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka njoftuar bojkotimin e seancës me pretekstin se mbledhja është thirrur për llogari të agjendës personale të kryeministrit, Edi Rama.

    “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në seancën plenare të ditës së martë, një seancë e paligjshme, e thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit, jashtë ditës normale të saj (e enjte) dhe me Rend Dite: miratim procesverbali dhe njoftime.

    Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit.

    Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik.

    Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

    Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve.

    Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit. Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve“, ka shkruar ai.

  • Tragjedia që tronditi Gjakovën: Çfarë dihet për vrasjen dhe vetëdorëzimin e autorit

    Tragjedia që tronditi Gjakovën: Çfarë dihet për vrasjen dhe vetëdorëzimin e autorit

    Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë 38-vjeçari Rasim Binakaj, ndërsa u plagos Edi Mehmeti, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    Sipas të dhënave fillestare, viktima dhe i dyshuari, Nexhdet Zymberaj – pronar i lokalit “My Place” – kishin qenë shokë, ndërsa dyshohet se ngjarja ndodhi pas një konflikti brenda një lokali. Në vendin e ngjarjes policia gjeti pesë gëzhoja dhe një thikë, duke treguar për një përshkallëzim të dhunës.

    Fillimisht, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe ishte në kërkim, por në orët e pasdites (rreth 16:30) ai u vetëdorëzua në Stacionin Policor në Gjakovë. Me vete dorëzoi edhe armën e dyshuar të krimit – një pistoletë TT me një karikator – e cila u sekuestrua si provë materiale.

    Pas intervistimit në prani të avokatit, i dyshuari zgjodhi të mbrohet në heshtje. Me vendim të prokurorit për krime të rënda, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

    Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje e paautorizuar e armëve”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur qytetin e Gjakovës.

  • Bie nga tri metra lartësi, punëtori në Gjilan lëndohet në vendin e punës – arrestohet pronari i kompanisë

    Bie nga tri metra lartësi, punëtori në Gjilan lëndohet në vendin e punës – arrestohet pronari i kompanisë

    Një punëtor është lënduar dje në vendin e punës në Gjilan.

    Siç bën të ditur Policia e Kosovës, i njëjti ka rënë nga një lartësi prej tri metra, në vendin e tij të punës, në një firmë në Gjilan.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar, pronar i firmës është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi i policisë:

    ASGJËSIMI, DËMTIMI OSE HEQJA E PAJISJEVE MBROJTËSE DHE RREZIKIMI I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS

    “Rr. Idriz Seferi, Gjilan 16.03.2026-10:40. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, deri sa ishte duke punuar në vendin e tij të punës në një firmë, kishte rënë nga një lartësi prej rreth tri metra. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar, pronar i firmës është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

    “I urrej luftërat më shumë se çdokush”, Trump: Nëse nuk do ta kishim sulmuar Iranin, ata do shkatërronin Lindjen e Mesme
    Read more

  • Moti i vranët sot, IHMK paralajmëron reshje shiu dhe bore

    Moti i vranët sot, IHMK paralajmëron reshje shiu dhe bore

    Sot priten ndryshime në kushtet e motit.

    Nga dita e martë parashihen reshje, ku në viset malore dhe në lartësi më të mëdha do të ketë reshje bore, ndërsa në viset e ulëta priten kryesisht reshje shiu, të cilat herë-herë mund të përzihen edhe me borë

    Temperaturat minimale do të zbresin në vlera të lehta negative, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri rreth 16°C.

    “Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato në përgjithësi do të jenë të favorshme për aktivitetet bujqësore. Bujqve u rekomandohet që gjatë ditës së hënë të shfrytëzojnë kushtet e mira të motit për shpërndarjen e plehut artificial në kulturat bujqësore dhe për kryerjen e punëve të tjera të nevojshme në parcela. Në ditët në vijim, për shkak të reshjeve dhe uljes së temperaturave, aktivitetet në fushë mund të jenë më të kufizuara”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik.

  • Një i mitur nga Lipjani përfundon në QKUK, arrestohen prindërit e tij

    Një i mitur nga Lipjani përfundon në QKUK, arrestohen prindërit e tij

    Një i mitur nga Lipjani është dërguar në QKUK në gjendje jo të mirë shëndetësore. Policia e Kosovës bën të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të mostrajtimit nga ana e prindërve të tij.

    Që të dy prindërit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, bëhet e ditur në raportin 24 orësh të policisë.

    Rasti është iniciuar si “shkelje e detyrimeve familjare”.

    “SHKELJE E DETYRIMEVE FAMILJARE: Lipjan NN. Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • Dëgjohen shpërthime pranë ambasadës amerikane në Bagdad

    Dëgjohen shpërthime pranë ambasadës amerikane në Bagdad

    Agjencitë e lajmeve po raportojnë shpërthime në Bagdad pranë ambasadës amerikane.

    Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP kanë raportuar shpërthime në Zonën e Gjelbër, pjesën shumë të sigurt të kryeqytetit irakian ku ndodhen misionet diplomatike, përfshirë ambasadën amerikane, dhe organizatat ndërkombëtare.

    Një dëshmitar okular i tha Reuters për shpërthime dhe sirena pranë ambasadës, e cila është shënjestruar vazhdimisht që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin, ka raportuar BBC.

  • “Akt vetëvrasje”- Dalin detaje të reja nga zjarri tragjik në autobusin në Zvicër

    “Akt vetëvrasje”- Dalin detaje të reja nga zjarri tragjik në autobusin në Zvicër

    Autoritetet zvicerane kanë publikuar detaje të reja lidhur me zjarrin tragjik në autobusin postar në Chiètres, kantoni Fribourg, ngjarje që ndodhi javën e kaluar dhe la gjashtë persona të vdekur.

    Sipas policisë së Fribourgut, në momentin kur autobusi mori flakë rreth orës 18:25, në mjet ndodheshin nëntë persona: shoferi, shtatë pasagjerë dhe autori i dyshuar. Tre persona arritën të dalin nga autobusi me lëndime, ndërsa një grua 56-vjeçare vazhdon të jetë në gjendje kritike në spital. Dy persona të tjerë jashtë autobusit u lënduan lehtë teksa përpiqeshin të ndihmonin viktimat.

    Hetimet kanë konfirmuar se autori i dyshuar është një burrë 65-vjeçar zviceran, i cili gjithashtu humbi jetën në incident. Sipas policisë, provat e deritanishme tregojnë se ai veproi i vetëm, ndërsa motivet e këtij akti mbeten ende të paqarta. Autoritetet po shqyrtojnë si pistë kryesore një akt vetëvrasjeje që përfshiu edhe persona të tjerë.

    Ekspertiza teknike ka treguar se autobusi ishte i pajisur me dy dyer për pasagjerët, të cilat funksiononin normalisht dhe u hapën pasi mjeti u ndal. Zjarri kishte nisur gjatë lëvizjes së autobusit, çka bëri që pasagjerët të mund të dilnin vetëm pasi ai ndaloi plotësisht.

    Pas përfundimit të procesit të identifikimit dhe autopsive, trupat e gjashtë viktimave iu dorëzuan familjeve javën e kaluar. Viktima më e re ishte një djalë 16-vjeçar.

    Autoritetet konfirmuan gjithashtu se 65-vjeçari ishte i njohur për institucionet sociale në kantonin e Bernës dhe ndodhej nën kujdestari administrative. Ai ishte larguar nga një spital në Bernë në ditën e ngjarjes, ku kishte shkuar vetë për shkak të problemeve shëndetësore, dhe më herët kishte bërë edhe kërcënime për vetëvrasje.

    Pas tragjedisë, mbi 150 persona kanë kërkuar mbështetje psikologjike nga ekipet e ndihmës së krizës.

    Ndërkohë, shoferët e autobusëve postarë në të gjithë Zvicrën kanë mbajtur një minutë heshtje dhe kanë rënë boritë e autobusëve në shenjë solidariteti dhe nderimi për viktimat e kësaj tragjedie./Albinfo.ch

  • Pas paralajmërimit, Xheneta i reagon pronarit të “Onima”: Na frikësove shumë, paguaj të paktën punëtorët

    Pas paralajmërimit, Xheneta i reagon pronarit të “Onima”: Na frikësove shumë, paguaj të paktën punëtorët

    Pas incidentit që përfshin artistin Besart Kelmendi – Gjesti dhe zyrat e kompanisë ‘ONIMA’, drejtuesi i kompanisë, Erkand Shabani, ka reaguar publikisht në rrjetet sociale, duke denoncuar lëvizje të dyshimta të automjeteve pranë zyrave dhe kërcënime të mundshme ndaj stafit dhe tij personal.

    Shabani ka njoftuar se tashmë ka dorëzuar fakte pranë organeve të rendit dhe do të bashkëpunojë me avokatin për të paraqitur të tjera elemente që lidhen me përpjekje për përfitime financiare të paligjshme.

    Në reagimin e tij, Shabani thekson se ngjarja ka shkaktuar dëme materiale dhe pasoja psikologjike për stafin, dhe pretendon se disa artistë kanë ndikuar në një fushatë publike që mund të ketë ushtruar presion mbi trupin gjykues dhe kompaninë.

    Ai përmend emra të njohur të artistëve, duke përfshirë Zanfina Ismailin, Taynën, Yll Limanin, Vesa Lumën, Xheneta Fetahun, G Banin, Pleurat Zeksyla-n, Oriola Marashin dhe Besa Kokëdhimën, duke nënvizuar se çdo çështje do të trajtohet përmes institucioneve ligjore.

    Si pasojë e kësaj situate, Xheneta Fetahu ka reaguar gjithashtu në rrjetet sociale duke shkruar: “Wow, na frikësove shumë. Me këtë dramë duket sikur po hapet gjyqi i shekullit, jo një storie në Instagram”.

  • Një vit nga vrasja e Ilaria Sulës, prindërit kërkojnë drejtësi: Nuk do t’i falim kurrë

    Një vit nga vrasja e Ilaria Sulës, prindërit kërkojnë drejtësi: Nuk do t’i falim kurrë

    Një vit pas vrasjes tragjike të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali, dhimbja për familjen e saj mbetet po aq e fortë. Prindërit e së resë kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës së tyre, në një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës.

    Flamur dhe Gëzime Sula kujdesen për memorialin e ngritur në vendin ku u gjet vajza e tyre. Nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai vendos lule të freskëta. Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.

    Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. Ajo thotë se jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë më 2 prill. “Jeta jonë u ndal atë ditë. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, rrëfen ajo mes dhimbjes.

    Babai i saj tregon se Ilaria kishte shumë ëndrra për të ardhmen. Ajo studionte Statistikë dhe pritej të diplomohej në tetor, ndërsa synonte të punonte në fushën financiare.

    Gëzime Sula u shpreh ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila në gjyq ka pranuar se ndihmoi të birin të pastronte gjakun nga dhoma. “Ajo nuk është nënë. Ata shkelën mbi gjakun e vajzës sime. Nuk ka falje, kurrë”, u shpreh ajo.

    Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares vazhdon ende dhe prindërit nuk kanë munguar në asnjë seancë.

    “ Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të kujtohet për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë”, thotë babai i saj.

    Trupi i pajetë i studentes shqiptare u gjet më 2 prill 2025 në një valixhe të hedhur në një humnerë në një zonë të pyllëzuar. Sipas hetimeve, ajo u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili pas krimit përdori telefonin e saj dhe publikoi në rrjetet sociale për të fshehur zhdukjen e saj. /A2 CNN