ATV

Blog

  • Trump presion për Europën për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit

    Trump presion për Europën për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit

    Ndërsa Trump shton presionin ndaj Evropës që të mbrojë ngushticën e Hormuzit, Rusia po përfiton nga rritja e çmimeve të energjisë – në dëm të Ukrainës dhe aleatëve të saj në Evropë.

    Kërkesa e presidentit amerikan Donald Trump që aleatët evropianë të ndihmojnë në sigurimin e kalimit të cisternave të naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit ishte një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e së hënës (16.03.2026) të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel.

    Disa shtete anëtare bënë të ditur se nuk duan që NATO të përfshihet në mbrojtjen e ngushticës, e cila u mbyll nga Irani për shumicën e trafikut në përgjigje të fushatës së bombardimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli.

    Evropianët nuk janë të gatshëm të dërgojnë trupa për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, “sepse kjo do t’i shtonte ata në listën e objektivave të mundshëm” për Iranin, tha për DW Charles Hecker, bashkëpunëtor i Institutit Mbretëror për Shërbime të Bashkuara (RUSI).

    Në fillim të takimit, diplomatja e lartë e BE‑së, Kaja Kallas, tha se është në interes të bllokut që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur, “prandaj po diskutojmë edhe se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim nga ana evropiane”, dhe shtoi se BE‑ja është në kontakt me kolegët amerikanë në nivele të ndryshme.

    Megjithatë, në fund të takimit ajo tha se nuk kishte “asnjë dëshirë” mes shteteve anëtare për të zgjeruar misionin detar të BE‑së në Ngushticën e Hormuzit, “për momentin”.

    Rritja e menjëhershme e çmimeve të energjisë në të gjithë kontinentin, dhe krizat energjetike që pasuan, kanë rrezikuar edhe më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Evropës dhe Uashingtonit.

    Ministrat e BE‑së vlerësuan gjithashtu se si konflikti mund t’i japë një dorë më të fortë Rusisë, e cila mund të përdorë të ardhurat shtesë nga eksportet e saj të karburanteve fosile për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë. “I vetmi fitues real nga lufta kundër Iranit në këtë moment është Rusia,” tha Hecker.

    Presioni i Trump-it ndaj Evropës për të siguruar anijet në Hormuz

    Të dielën (15.03.2026), presidenti i SHBA-së Donald Trump rriti presionin ndaj vendeve që marrin furnizime me energji përmes Ngushticës së Hormuzit, duke u kërkuar atyre të sigurojnë mbrojtjen e kësaj rruge ujore, nëpër të cilën zakonisht kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë bruto.

    Edhe pse blerësit kryesorë të këtyre ngarkesave janë vende aziatike, Trump duket se ka kërcënuar sërish aleancën e NATO‑s.

    “Është krejt e arsyeshme që vendet që përfitojnë nga ngushtica të ndihmojnë për t’u siguruar që atje të mos ndodhë asgjë e keqe,” tha ai në një intervistë për The Financial Times. “Nëse nuk ka reagim, ose nëse reagimi është negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë e keqe për të ardhmen e NATO‑s.”

    Hecker tha, se kjo është një përpjekje nga ana e Trumpit për t’i shtyrë evropianët të angazhohen më aktivisht në luftën e SHBA‑së dhe Izraelit kundër Iranit. “Ende nuk e dimë se çfarë lloj kërcënimi po bën presidenti ndaj NATO‑s dhe si do ta realizonte atë. Por ai po bën gjithçka që mundet për të ushtruar presion ndaj vendeve që dëshiron t’i përfshijë në konflikt.”

    Trump u ka bërë thirrje sidomos Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar që t’i bashkohen përpjekjes, por Hecker tha se asnjëra prej tyre nuk ka gjasa të përfshihet sa kohë që luftimet po vazhdojnë.

    “Ata nuk janë gati t’u bashkohen përpjekjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit dhe me shumë gjasë nuk do të jenë as në të ardhmen e afërt,” shtoi ai.

    Dhe jo vetëm sepse kjo do t’i shndërronte në objektiva për Iranin, por edhe sepse ata nuk e kanë të qartë objektivin dhe strategjinë e SHBA‑së dhe Izraelit në këtë luftë.

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, u tha gazetarëve se ai nuk sheh asnjë rol për NATO‑n në sigurimin e ngushticës dhe shtoi se ai pret që evropianët të informohen nga SHBA dhe Izraeli për objektivat dhe planet e tyre.

    “Nuk shoh që NATO ka marrë ndonjë vendim në këtë drejtim apo që mund të marrë përgjegjësi për Ngushticën e Hormuzit. Nëse do të ishte kështu, atëherë organet e NATO‑s do ta trajtonin këtë çështje siç duhet,” tha Wadephul përpara takimit të ministrave të BE‑së.

    Franca, megjithatë, është shprehur më fleksibile. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se vendi i tij do të ishte i gatshëm të ndihmonte në sigurimin e ngushticës “pasi të ketë përfunduar faza më e nxehtë e konfliktit.”

    Evropa e goditur nga rritja e çmimeve të energjisë

    BE‑ja tashmë po goditet rëndë nga kostot ekonomike të bllokadës. “Që nga fillimi i konfliktit, çmimet e gazit janë rritur me 50 për qind dhe çmimet e naftës me 27 për qind,” tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Në vetëm 10 ditë lufte në Iran, taksapaguesit evropianë kanë paguar 3 miliardë euro shtesë për importet e karburanteve fosile, u tha ajo anëtarëve të Parlamentit Evropian.

    “Evropa nuk është as prodhuese nafte, as prodhuese gazi. Për karburantet fosile jemi plotësisht të varur nga importe të shtrenjta dhe të paqëndrueshme, gjë që na vendos në një disavantazh strukturor ndaj rajoneve të tjera,” shtoi ajo.

    “Kriza aktuale në Lindjen e Mesme na kujton qartë se sa të cenueshëm jemi për këtë arsye.”

    Për të ulur çmimet e energjisë, vendet evropiane — përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar — mbështetën vendimin për të liruar miliona fuçi nafte, së bashku me anëtarët e tjerë të G7‑s. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë thirrje për lirimin e 400 milionë fuçive nafte nga rezervat e emergjencës.

    A është Rusia përfituesja më e madhe nga  lufta e Iranit?

    Ndërsa Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt hoteleve, aeroporteve dhe madje rafinerive të naftës në Gjirin Persik, dhe bllokoi Ngushticën e Hormuzit, Rusia ishte gati të përfitonte.

    Kur çmimet e naftës u rritën në 87,20 € (100 dollarë), niveli më i lartë që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Moska e paraqiti naftën dhe gazin e saj si një mundësi për blerësit e dëshpëruar.

    “Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë një furnizuese e besueshme si e naftës ashtu edhe e gazit,” tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa këshilltari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, kritikoi vendimin e Evropës për t’u shkëputur nga energjia ruse, duke e quajtur atë një gabim strategjik.

    Për të frenuar rritjen e çmimeve, Trump pezulloi përkohësisht disa sanksione për blerjen e naftës ruse, përfshirë një përjashtim 30‑ditor për Indinë.

    Evropianët janë të shqetësuar se një rritje e fortë e çmimeve të energjisë do të rrisë të ardhurat e Rusisë dhe do t’i mundësojë asaj ta zgjasë ose madje ta intensifikojë luftën kundër Ukrainës.

    Një shqetësim shtesë është se pajisjet kyçe të mbrojtjes që i duhen Ukrainës – si raketat Patriot, të cilat Evropa shpesh i blen nga SHBA për t’ia dërguar Ukrainës – mund të devijohen tani drejt Gjirit.

    Kallas ka theksuar se ekziston një “ndikim i drejtpërdrejtë” i luftës në Iran ndaj Ukrainës, pasi “kapacitetet mbrojtëse që i duhen Ukrainës” tani po “shkojnë drejt Lindjes së Mesme.”

    Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, vendet e Gjirit kanë përdorur më shumë raketa Patriot në ditët e para të sulmeve iraniane sesa Ukraina gjatë katër viteve të luftës që nga sulmi i Rusisë.

    Ukraina u ka ofruar vendeve të Gjirit teknologjinë e saj kundër dronëve, me shpresën se ato do të përdorin dronët kundër‑sulmues të zhvilluar në Ukrainë dhe të ruajnë sistemet Patriot vetëm për sulmet me raketa.

    “Ukraina ka vite të tëra përvoje në ndalimin e dronëve rusë të tipit Shahed — të njëjtit që Irani po i përdor kundër fqinjëve të tij. Industria ukrainase e mbrojtjes ka zhvilluar gjithashtu sisteme anti‑dronë të testuara në betejë, të cilat po ua ofron vendeve të Gjirit,” tha për DW Rafael Loss, ekspert i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

    Qëllimi është të “ulet kërkesa për raketa mbrojtësë Patriot në Gjirin Persik, në mënyrë që Ukraina të mund të marrë më shumë në të ardhmen,” tha Loss./DW/

  • 6 metodat e çuditshme se si zgjoheshin njerëzit para shpikjes së alarmit

    6 metodat e çuditshme se si zgjoheshin njerëzit para shpikjes së alarmit

    Para se ora me alarm të bëhej pjesë e jetës së përditshme, njerëzit kishin mënyra shumë kreative dhe ndonjëherë të çuditshme për t’u zgjuar në kohë. Nga qirinjtë që binin mbi pjata metalike deri te njerëzit që paguheshin vetëm për të trokitur në dritare, historia tregon se nevoja për t’u zgjuar herët ka ekzistuar gjithmonë.

    BBC tregon disa nga metodat më interesante që janë përdorur ndër shekuj.

    Zgjimi sipas ritmit të natyrës

    Në shoqëritë e hershme, njerëzit zgjoheshin kryesisht sipas dritës së diellit. Jeta ishte e lidhur ngushtë me natyrën dhe shumica e punëve fillonin me lindjen e diellit. Drita që hynte në shtëpi ose kënga e gjelit shërbente si “alarm natyror”. Ky ritëm lidhej me orën biologjike të trupit, e cila ndihmon njerëzit të zgjohen në të njëjtën kohë çdo ditë.

    Profesioni i pazakontë: njerëz që paguheshin për të të zgjuar

    Gjatë Revolucionit Industrial në Britani, shumë punëtorë paguanin persona të quajtur “knocker-uppers”, të cilët shkonin nga shtëpia në shtëpi dhe trokisnin në dritare me shkop ose gjuanin me bizele të thata derisa klienti të zgjohej. Ata nuk largoheshin derisa të siguroheshin se personi ishte zgjuar. Ky profesion u zhduk vetëm pasi orët me alarm u bënë të përhapura.

    Qirinj, temjan dhe ujë

    Në Kinë dhe në Evropën mesjetare përdoreshin qirinj të shënuar me intervale, ku vendoseshin gozhda të vogla. Kur qiriu digjej deri te shenja, gozhda binte mbi një pjatë metalike dhe bënte zhurmë për të zgjuar personin. Në vende të tjera përdorej temjani ose ora me ujë, që lëshonte tingull kur arrinte në një nivel të caktuar. Këto ishin ndër format e para të “alarmit mekanik”.

    Disa metoda ishin më praktike:

    -Pinin shumë ujë para gjumit që të zgjoheshin herët.

    -Ndërtonin shtëpitë në mënyrë që dielli të binte direkt në fytyrë në mëngjes.

    -Mbështeteshin te zilet e kishave ose thirrjet në qytet për të filluar ditën

  • Ministri Vitia nënshkruan kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt

    Ministri Vitia nënshkruan kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Vitia ka bërë të ditur se projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh.

    Sipas tij, ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon, e që do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, me një kosto prej 24 milionë euro.

  • Rusia pranon të ndalojë rekrutimin e kenianëve për luftën kundër Kievit

    Rusia pranon të ndalojë rekrutimin e kenianëve për luftën kundër Kievit

    Rusia ka rënë dakord të ndalojë rekrutimin e qytetarëve kenianë për të luftuar me ushtrinë e saj në Ukrainë. Kështu ka deklaruar këtë të hënë, ministri i jashtëm i Kenias Musalia Mudavadi, pas bisedimeve me homologun e tij rus në Moskë.

    Më shumë se 1 mijë e 780 qytetarë nga 36 vende afrikane besohet se po luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Ukrainës në shkurt.

    Shërbimet e inteligjencës së Kenias vlerësojnë se mbi 1 mijë kenianë janë dërguar për të luftuar, sipas një raporti të parë nga Agence France-Presse (AFP).

    “Tani kemi rënë dakord që kenianët nuk do të rekrutohen,” tha ministri Mudavadi, duke folur para gazetarëve përkrah ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, citon The Guardian.

    Që nga dërgimi i trupave në Ukrainë në vitin 2022, Rusia është akuzuar shpesh herë se ka rekrutuar njerëz nga kombësi të ndryshme për të luftuar përkrah ushtrisë së saj.

    Lavrov tha se qytetarët kenianë kishin nënshkruar vullnetarisht kontrata për të luftuar me ushtrinë ruse. Por disa prej tyre, si atleti Evans Kibet, pretendojnë se u mashtruan. Kibet, i kapur nga Ukraina dhe i mbajtur si rob lufte, i tha AFP-së në një intervistë nga vendi ku mbahej se ishte mashtruar për të nënshkruar një kontratë ushtarake pasi kishte shkuar në Rusi për një aktivitet sportiv.

    Kryeministri britanik Keir Starmer, që pret presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për bisedime të martën, paralajmëroi se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit nuk duhet të kthehet në “fitim për Putinin”.

    Rusia ka përfituar rreth 6 miliardë euro nga shitja e karburanteve fosile që prej nisjes së konfliktit. Zelenskyy do të vizitojë Madridin të mërkurën për takime me kryeministrin Pedro Sánchez.

    Rusia ka marrë kontrollin e 12 vendbanimeve në Ukrainë në dy javët e para të marsit si pjesë e avancimeve përgjatë vijës së frontit në lindje dhe jug të Ukrainës, sipas agjencive shtetërore ruse të lajmeve, që citojnë gjeneralin e lartë Valery Gerasimov. Ai tha se forcat ruse po “lëvizin në mënyrë aktive drejt Slovianskut,” një qytet i fortifikuar në rajonin lindor të Donetskut, i konsideruar prej kohësh një nga objektivat kryesore të Moskës.

    Ndërkohë, një cisternë gazi ruse e dëmtuar, “Arctic Metagaz”, po endet pa ekuipazh prej gati dy javësh me 700 ton karburant në bord. Rusia tha se anija, pjesë e “flotës hije” të sanksionuar nga SHBA-të dhe BE-ja, u sulmua nga dronë detarë ukrainas.

  • Porsche 911, i shitur për herë të parë në vitin 2025, u rishit për pothuajse dyfishin e çmimit fillestar

    Porsche 911, i shitur për herë të parë në vitin 2025, u rishit për pothuajse dyfishin e çmimit fillestar

    Një model i rrallë i Porsche 911 Sport Classic ka bërë bujë në tregun e koleksionistëve pasi u shit për 511,000 dollarë (rreth 470,000 euro), pothuajse dyfish i çmimit fillestar prej 283,240 dollarë (afërsisht 260,000 euro).

    Edhe pse nuk ka motorin e modeleve si Porsche 911 GT3 apo Porsche 911 GT3 RS, ky model është kthyer në një nga më të kërkuarit.

    I prodhuar nga Porsche në vetëm 1,250 njësi, Sport Classic përdor një motor 3.7-litër twin-turbo me 543 kuaj fuqi dhe marsh manual me 7 shpejtësi.

    Një nga veçoritë kryesore është se fuqia dërgohet vetëm në rrotat e pasme, duke e bërë më tërheqës për admiruesit e vozitjes.

    Vetura, me vetëm 6,400 km të përshkuara, u shit në platformën Bring a Trailer pas një gare të fortë ofertash.

    Sipas të dhënave, ajo ishte pjesë e një koleksioni privat dhe u regjistrua si e shitur për herë të parë në vitin 2025.

    Modeli dallohet edhe për dizajnin retro që i bën homazh Porsche 911 Carrera RS 2.7, me spoiler “ducktail”, rrota klasike dhe detaje elegante. Brenda, ofron një kabinë luksoze me lëkurë “Cognac” dhe sistem audio premium.

    Ky rast tregon edhe një herë se modelet e kufizuara të Porsche jo vetëm që ruajnë vlerën, por shpesh e rrisin ndjeshëm atë në treg.

    Një model i rrallë i Porsche 911 Sport Classic ka bërë bujë në tregun e koleksionistëve pasi u shit për 511,000 dollarë (rreth 470,000 euro), pothuajse dyfish i çmimit fillestar prej 283,240 dollarë (afërsisht 260,000 euro).

    Edhe pse nuk ka motorin e modeleve si Porsche 911 GT3 apo Porsche 911 GT3 RS, ky model është kthyer në një nga më të kërkuarit.

    I prodhuar nga Porsche në vetëm 1,250 njësi, Sport Classic përdor një motor 3.7-litër twin-turbo me 543 kuaj fuqi dhe marsh manual me 7 shpejtësi.

    Një nga veçoritë kryesore është se fuqia dërgohet vetëm në rrotat e pasme, duke e bërë më tërheqës për admiruesit e vozitjes.

    Vetura, me vetëm 6,400 km të përshkuara, u shit në platformën Bring a Trailer pas një gare të fortë ofertash.

    Sipas të dhënave, ajo ishte pjesë e një koleksioni privat dhe u regjistrua si e shitur për herë të parë në vitin 2025.

    Modeli dallohet edhe për dizajnin retro që i bën homazh Porsche 911 Carrera RS 2.7, me spoiler “ducktail”, rrota klasike dhe detaje elegante. Brenda, ofron një kabinë luksoze me lëkurë “Cognac” dhe sistem audio premium.

    Ky rast tregon edhe një herë se modelet e kufizuara të Porsche jo vetëm që ruajnë vlerën, por shpesh e rrisin ndjeshëm atë në treg.

  • Rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në 20%, paralajmëron Shala

    Rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në 20%, paralajmëron Shala

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë pritet të rritet, duke u bazuar në zhvillimet e fundit në sektorin energjetik dhe kërkesat e paraqitura pranë institucioneve rregullatore.

    Sipas Shalës, politikat e deritanishme qeveritare, së bashku me paralajmërimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe kërkesat e kompanive furnizuese për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara, tregojnë se një rritje e tarifave të energjisë është e pashmangshme.

    “Nisur nga politikat qeveritare të deritanishme, si dhe nga paralajmërimet e ZRRE-së dhe kërkesat tashmë të deponuara për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara nga kompanitë furnizuese me energji elektrike, është e qartë se çmimi i energjisë pritet të rritet”, ka deklaruar Shala.Ai ka theksuar se niveli i saktë i rritjes do të varet nga vendimet që do të marrin institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe rregullimin e sektorit energjetik.“Sa do të jetë niveli i kësaj rritjeje do të varet nga institucionet përgjegjëse që vendosin, trajtojnë dhe menaxhojnë sektorin energjetik”, ka thënë ai për FrontOnline.

    Megjithatë, sipas indikacioneve aktuale që ai përmend, rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në rreth 20 për qind.

    “Sipas indikacioneve aktuale, rritja mund të jetë rreth 20%”, është shprehur ai.

    Shala ka vlerësuar se situata aktuale politike në vend mund të ndikojë në një vendim të tillë, për shkak të mungesës së kontrollit të mjaftueshëm institucional, transparencës së plotë dhe një auditimi të qartë të shpenzimeve dhe importeve të energjisë.

    Ai gjithashtu ka theksuar se një parlament jashtë funksionit dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim apo korrupsion në sektorin energjetik.

    “Në këto rrethana, një parlament jashtë funksionit përbën një faktor që dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim apo korrupsion në sistemin energjetik qeveritar”, ka shtuar Shala.

  • Zelensky viziton sot Mbretërinë e Bashkuar

    Zelensky viziton sot Mbretërinë e Bashkuar

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sot do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar .Kjo u bë e ditur nga Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.

    “Do ta mirëpresim Presidentin Zelensky”, është shprehur ai.

    Kjo vjen pas deklaratës së Sir Keir Starmer se do të takohej së shpejti me presidentin ukrainas, sepse “është jetike që të vazhdojmë të përqendrohemi në mbështetjen e Ukrainës”.

  • Shakaja e ndarjes së çmimeve Oscar që bëri më shumë bujë

    Shakaja e ndarjes së çmimeve Oscar që bëri më shumë bujë

    Prezantuesi i ndarjes së çmimeve Oscar të këtij viti, komediani Conan O’Brien, shkaktoi shumë vëmendje në Hollywood pas një shakaje në të cilën ai preku indirekt rastin e Jeffrey Epstein dhe Princit Andrew.

    Gjatë ceremonisë së çmimeve Oscar 2026 , O’Brien në një moment komentoi faktin se nuk ka aktorë britanikë midis të nominuarve këtë vit.”Për herë të parë që nga viti 2011, asnjë aktor britanik nuk është nominuar”, tha prezantuesi, përpara se të shtonte: “Por të paktën po arrestojnë pedofilët atje”.

    Edhe pse ai nuk përmendi drejtpërdrejt asnjë emër, publiku e lidhi menjëherë shakanë me skandalin që rrethonte Epstein dhe lidhjet e tij me një numër njerëzish të fuqishëm, si dhe me Princin Andrew të Britanisë.

    Një heshtje e pakëndshme mbretëroi fillimisht në sallën e Teatrit Dolby në Los Angeles, ndërsa shumë të ftuar dukeshin të habitur, dhe më pas pasuan duartrokitjet.

    Gjatë mbrëmjes, O’Brien bëri shaka edhe për aktorë dhe kandidatë të shumtë – përfshirë Timothee Chalamet – por ishte kjo shaka që shkaktoi më shumë reagime dhe ngriti më shumë pluhur në rrjetet sociale.

    Kujtojmë se në fillim të vitit u publikuan miliona dokumente që lidheshin me rastin e Jeffrey Epstein, një abuzues seksual i dënuar, të cilat zbuluan lidhjet e tij me figura të shumta botërore, përfshirë, ndër të tjera, Bill Gates dhe Donald Trump.

  • “Fshati fantazmë” ku të gjithë u detyruan të largoheshin 80 vjet më parë

    “Fshati fantazmë” ku të gjithë u detyruan të largoheshin 80 vjet më parë

    Një fshat i braktisur në Dorset qëndron si një vend unik në Britani.

    Ngjarjet tragjike i detyruan banorët të braktisnin shtëpitë e tyre të dashura shumë dekada më parë.

    I fshehur në Bregun Jurasik mahnitës të Dorsetit, një vizitë në fshatin Tyneham të jep ndjesinë e një udhëtimi në kohë.

    Vizitorët mund të shohin nga afër fshatin që banorët u detyruan ta braktisnin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Ishte viti 1943 kur vendbanimi i lulëzuar i Tyneham pa botën e tyre të përmbysej përgjithmonë. Britania ishte thellë në Luftën e Dytë Botërore kur ushtria mori në kontroll fshatin për operacione stërvitore.

    Kjo do të thoshte se vendasve iu dha vetëm një muaj paralajmërim për të evakuuar pronat e tyre ku familje të panumërta kishin banuar për shekuj me radhë.

    Qeveria mori fshatin dhe territorin përreth tij për të krijuar një strukturë stërvitore për forcat aleate, për shkak të afërsisë së tij me poligonin e qitjes Lulworth.

    Banorët ishin të bindur se po sakrifikonin pronat e tyre për të mirën e kombit dhe prisnin të ktheheshin pasi të mbaronte lufta.

    Megjithatë, tragjikisht, fshatarët nuk mundën kurrë të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Tyneham, pasi edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fshati dhe zona përreth mbetën një vend stërvitjeje për ushtrime ushtarake.

    Sot fshati, i ruajtur ende në kohë pas më shumë se 80 vjetësh, shërben si një atraksion turistik.

    Ai mirëpret mysafirë në periudha të caktuara gjatë vitit.

  • Ambasada amerikane në Irak sërish në shënjestër, raportohet për sulm me dronë e raketa

    Ambasada amerikane në Irak sërish në shënjestër, raportohet për sulm me dronë e raketa

    Dronë dhe raketa janë lëshuar drejt ambasadës së SHBA-së në Bagdad, kryeqyteti i Irakut, në sulmin e dytë të tillë gjatë kësaj lufte.

    Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rihapur hapësirën e tyre ajrore pasi kërcënimet me raketa dhe dronë nga Irani i detyruan ta mbyllnin përkohësisht.

    Milicia pro-iraniane në Irak publikoi pothuajse dy minuta pamje në Telegram që tregojnë një dron duke fluturuar ulët brenda kompleksit të ambasadës së SHBA-së në Bagdad.

    Droni shihet duke lëvizur mes ndërtesave në kompleksin shumë të fortifikuar dhe duke kaluar vetëm disa metra pranë një flamuri të madh amerikan gjatë ditës. Nuk duket se ka goditur ndonjë objekt brenda kompleksit.

    Videoja mban datën 16 mars, por CNN raporton nuk mundi të verifikojë saktësisht se kur është regjistruar. Në fillim të marsit, ambasada urdhëroi të gjithë stafin jothelbësor të largohej për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

    Publikimi i pamjeve erdhi disa orë pasi hoteli Al-Rasheed, i cili ndodhet brenda “Green Zone” ku ndodhet edhe ambasada, u godit pas një sulmi me dron gjatë natës.

    Ambasada e SHBA-së ka qenë në shënjestër të disa sulmeve ditët e fundit, ajo u godit nga dy dronë të shtunën dhe mbrojtja ajrore u aktivizua për të rrëzuar projektile hyrëse të hënën.

    Disa grupe milicie pro-iraniane që veprojnë në Irak kanë marrë përgjegjësinë për sulme të ndryshme ndaj objektivave amerikane atje që nga fillimi i luftës me Iranin.

    Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon t’u bëjë thirrje vendeve të tjera, veçanërisht aleatëve të NATO-s, që të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës.

    Por kancelari gjerman Friedrich Merz thotë se kjo luftë “nuk është çështje për NATO-n”, ndërsa aleanca deklaron se “aleatët tashmë kanë shtuar përpjekjet për të siguruar më shumë siguri në Mesdhe”.

    Liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se një ofensivë e madhe tokësore izraelite në Liban do të kishte “pasoja shkatërruese humanitare”.