ATV

Blog

  • Me 79 vota pro, Shqipëria miraton projekt rezolutën për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit

    Me 79 vota pro, Shqipëria miraton projekt rezolutën për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit

    Ka nisur seanca në Kuvend me qëllim miratimin e projektrezolutës për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”.

    Një ditë më parë opozita njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancë, për të cilën tha se do të mblidhet për agjendën personale të kryeministrit Edi Rama.

    Është miratuar me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezoluta për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit.

    Rezoluta u miratua pa prezencën e deputetëve të opozitës, të cilët lajmëruan një ditë më parë se nuk do të marrin pjesë në seancë.

  • Këta janë 10 VIP-at më të pasur në botë për 2026

    Këta janë 10 VIP-at më të pasur në botë për 2026

    Revista prestigjioze Forbes ka publikuar listën e përditësuar për vitin 2026 me VIP-at më të pasur në botë. Në këtë renditje përfshihen figura të njohura nga industria e filmit, muzikës, sportit dhe televizionit, të cilët kanë ndërtuar pasuri të mëdha përmes karrierës dhe bizneseve të tyre.

    Sipas Forbes, këta janë 10 VIP-at më të pasur në botë:

    1.Steven Spielberg – rreth 7.1 miliardë dollarë
    2.George Lucas – rreth 5.2 miliardë dollarë
    3.Michael Jordan – rreth 4.3 miliardë dollarë
    4.Vince McMahon – rreth 3.6 miliardë dollarë
    5.Oprah Winfrey – rreth 3.2 miliardë dollarë
    6.Jay-Z – rreth 2.8 miliardë dollarë
    7.Taylor Swift – rreth 2 miliardë dollarë
    8.Kim Kardashian – rreth 1.9 miliardë dollarë
    9.Peter Jackson – rreth 1.9 miliardë dollarë
    10.Magic Johnson – rreth 1.6 miliardë dollarë

  • 4 gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    4 gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    Mjekët endokrinologë thonë se zakonet e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në kontrollin e sheqerit në gjak, sidomos te personat që jetojnë me diabet.

    Përveç ushqimit, faktorë të tjerë si stresi, gjumi, aktiviteti fizik dhe ora e ditës ndikojnë në mënyrën si trupi përpunon sheqerin. Në mbrëmje, hormoni insulinë bëhet më pak efektiv, gjë që mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës në gjak, ka shkruar EatingWell.

    “Ndjeshmëria ndaj insulinës bie natyrshëm në fund të pasdites dhe në mbrëmje si pjesë e ritmit të orës së brendshme biologjike. Kjo është arsyeja pse disa njerëz ndihen më të lodhur ose kanë më shumë dëshirë për ushqim në fund të ditës. Është një proces normal biologjik, por tregon se zakonet e mbrëmjes kanë më shumë rëndësi sesa mendohet”, shpjegon endokrinologia Rekha Kumar.

    Ekspertët rekomandojnë disa zakone të thjeshta pas orës 17:00 që mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak.

    Ecni pak pas darkës

    Aktiviteti fizik ndihmon trupin të përdorë më mirë insulinën.

    “Ecja është një nga ushtrimet më të mira për kontrollin e sheqerit në gjak”, ka thënë endokrinologia Melina Roman Gerardino.

    Një shëtitje e shkurtër mund të bëjë ndryshim.

    “Të ecësh për 10-15 minuta pas darkës mund të kufizojë rritjet e menjëhershme të sheqerit në gjak pas ushqimit”, ka thënë mjekja Vanessa Curtis.

    Sipas Kumar, edhe lëvizjet e lehta në shtëpi mund të ndihmojnë.

    “Lëvizjet e lehta, si shtrirja e trupit ose punët e shtëpisë, i ndihmojnë muskujt të përthithin më mirë glukozën”, ka thënë ajo, duke theksuar se vazhdimësia është më e rëndësishme se intensiteti.

    Hani darkën më herët

    Ekspertët rekomandojnë që darka të hahet të paktën dy ose tre orë para gjumit.

    “Darkat e vona rrisin nivelin e sheqerit në gjak gjatë natës dhe ulin ndjeshmërinë ndaj insulinës”, ka thënë endokrinologu Andres Splenser.

    Disa specialistë sugjerojnë edhe një agjërim gjatë natës prej rreth 12 orësh, por kjo duhet diskutuar me mjekun.

    Zgjidhni ushqime të pasura me fibra

    Fibrat, që gjenden në fruta, perime, drithëra të plota dhe bishtajore, ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak.

    “Ngrënia e fibrave ngadalëson përthithjen e karbohidrateve, kështu që sheqeri rritet më gradualisht dhe pankreasi nuk duhet të prodhojë shumë insulinë”, ka shpjeguar Curtis.

    Sipas Splenser, ushqimet me fibra mund të përmirësojnë edhe ndjeshmërinë ndaj insulinës.

    Ekspertët sugjerojnë që në darkë të konsumohen rreth 8 gramë fibra dhe që gjysma e pjatës të jetë me perime.

    Kujdesuni për gjumin

    Gjumi dhe sheqeri në gjak janë të lidhur ngushtë. Gjumi i dobët mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës.

    Për gjumë më të mirë, ekspertët këshillojnë:

    -të shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë

    -të mbani dhomën të errët dhe të freskët

    -të shmangni ekranet të paktën një orë para gjumit

    -të relaksoheni me muzikë, lexim ose meditim

    Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu të shmangen disa zakone në mbrëmje, si ngrënia vonë gjatë natës, pijet me shumë sheqer, qëndrimi i gjatë ulur dhe konsumimi i alkoolit.

    Në fund, mjekët thonë se edhe ndryshimet e vogla në rutinën e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në shëndet.

    “Vazhdimësia është çelësi për krijimin e zakoneve të shëndetshme dhe të qëndrueshme”, kanë thënë ekspertët, duke këshilluar që çdo person të konsultohet me mjekun për një plan të përshtatshëm për veten.

  • ShBA mirëpret ujdinë mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt: Çdo ndryshim të bëhet në konsultim me serbët e Kosovës

    ShBA mirëpret ujdinë mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt: Çdo ndryshim të bëhet në konsultim me serbët e Kosovës

    Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë se e mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt.

    Ambasada në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net ka thënë se përgëzon angazhimin e palëve në këtë çështje, për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të dy palët.

    “Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin për arritjen e marrëveshjes mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët“, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane, të martën, për Reporteri.net.

    Ambasada tutje thekson se çdo ndryshim që ndikon në komunitetin serb të Kosovës duhet të bëhet në konsultim të ngushtë dhe me mbështetjen e komunitetit serb të Kosovës.

    “Çdo ndryshim që ndikon në komunitetin serb të Kosovës duhet të bëhet në konsultim të ngushtë dhe me mbështetjen e komunitetit serb të Kosovës“, thuhet në përgjigjen për Reporteri.net.

    Më 14 mars, Qeveria e Kosovës u pajtua që të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës në Ligjin për të huajt dhe për automjetet, që nisi të zbatohet nga 15 marsi.

    Vendimi u bë publik pas një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Sorensen, të shtunën pas takimit në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, njoftoi se janë pajtuar për disa masa shtesë në zbatimin të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete, përfshirë dhënien e lejes nga Qeveria e Kosovës për një periudhë fillestare prej 12 muajsh për punëtorët arsimorë e shëndetësorë dhe studentët serbë.

    Vendimi u përshëndet nga bashkësia ndërkombëtare. Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, të shtunën tha se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi autoritetet kosovare mundësuan lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt.

    Sipas saj, “është krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.

  • Çokollata po bëhet luks: Në cilat shtete janë rritur çmimet më shumë

    Çokollata po bëhet luks: Në cilat shtete janë rritur çmimet më shumë

    Në BE, rritja është 6.6%. Duke përfshirë vendet jashtë BE-së diapazoni shtrihet nga 1.6 për qind në Shqipëri në 44 për qind në Turqi.

    Në vitin 2025, çmimet e konsumit në BE u rritën me një mesatare prej 2.5 për qind në vit. Rritja ishte pak më e lartë për ushqimet dhe pijet joalkoolike, në 3.3 për qind, transmeton albinfo.ch. Ndër produktet ushqimore në BE, çokollata pa rritjen më të madhe të çmimeve, duke u rritur me 17.9 për qind, sipas Eurostat.

    Pse çokollata është bërë gjithnjë e më e shtrenjtë në Evropë? Dhe në cilat vende ishte rritja e çmimeve veçanërisht drastike?

    Çokollata u bë dukshëm më e shtrenjtë se shumë produkte të tjera të rëndësishme ushqimore, shkruan srf.ch. Mishi i viçit, për shembull, u rendit i treti në BE me një rritje prej 10 për qind.

    Kjo është rreth tetë pikë përqindjeje më pak se rritja e çmimit për çokollatën. Vezët dhe gjalpi u bënë rreth tetë për qind më të shtrenjta, afërsisht dhjetë pikë përqindjeje më pak se çokollata.

    Brenda BE-së, rritja mesatare vjetore e rritjes së çmimeve për çokollatën në vitin 2025 varion nga 6.6 për qind në Sllovaki në 32.6 për qind në Poloni.

    Duke përfshirë vendet e tjera evropiane, diapazoni shtrihet nga 1.6 për qind në Shqipëri në 44 për qind në Turqi. Shifra për Turqinë është vetëm pjesërisht e krahasueshme, pasi i referohet kategorisë “çokollatë, kakao dhe ushqime që përmbajnë kakao” dhe shkallës vjetore të ndryshimit nga janari 2025 deri në janar 2026./Albinfo.ch

  • Trump shtyn vizitën në Kinë: Kemi një luftë në zhvillim

    Trump shtyn vizitën në Kinë: Kemi një luftë në zhvillim

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se planifikon të shtyjë me rreth një muaj vizitën e rëndësishme në Kinë, e parashikuar për në fund të marsit, për shkak të luftës me Iranin.

    “Është shumë e thjeshtë. Kemi një luftë në zhvillim. Mendoj se është e rëndësishme që të jem këtu,” u shpreh ai, duke theksuar se “nuk ka asnjë prapavijë” në këtë vendim dhe se mbetet në pritje për t’u takuar me Presidentin Xi Jinping.

    Ky zhvillim vjen një ditë pasi Trump i tha gazetës britanike “Financial Times” se mund të shtyjë takimin nëse Kina nuk ndihmon në zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit.

    Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë rritur, të nxitura edhe nga konflikti me Iranin.

    Pekini mbetet një nga blerësit kryesorë të eksporteve energjetike iraniane dhe ka kritikuar sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj këtij vendi.

    Ndërkohë, Uashingtoni ka njoftuar se do të nisë hetime mbi praktikat tregtare të disa vendeve, përfshirë Kinën, pasi politika tarifore e Trump u rrëzua nga Gjykata e Lartë në muajin shkurt.

     

  • Maqedonia e Veriut me 8 shqiptarë për kualifikimet vendimtare të Botërorit 2026

    Maqedonia e Veriut me 8 shqiptarë për kualifikimet vendimtare të Botërorit 2026

    Përzgjedhësi i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll, Goce Sedloski, ka publikuar listën e futbollistëve për ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Futbollit 2026 në ShBA, përcjell INA.

    Në këtë listë janë përfshirë gjithsej 8 futbollistë shqiptarë, që pritet të jenë pjesë e rëndësishme e skuadrës në sfidat e ardhshme: Enis Bardhi, Visar Musliu, Ezgjan Alioski, Imran Fetai, Egzon Bejtullai, Reshat Ramadani, Isnik Alimi dhe Lirim Qamili.

    Lista e plotë përfshin tre portierë: Stole Dimitrievski, Dejan Iliev dhe Damjan Shishkovski.

    Në repartin e mbrojtjes janë ftuar: Gjoko Zajkov, Darko Velkovski, Visar Musliu, Ezgjan Alioski, Andrej Stojçevski, Sebastian Herrera, Nikola Serafimov, Imran Fetai dhe Egzon Bejtullai.

    Në mesfushë janë përzgjedhur: Elif Elmas, Enis Bardhi, Boban Nikolov, Tiho Kostadinov, Reshat Ramadani, Isnik Alimi, Ljupçe Doriev, Luka Stankovski dhe Jani Atanasov.

    Ndërsa në sulm janë përfshirë: Deni Musovski, Enis Rastoder, Bojan Miovski, Darko Çurlinov, Milan Ristovski, Aleksandar Trajkovski dhe Lirim Qamili.

    Në këtë listë spikasin edhe dy debutime, të Deni Musovski dhe Sebastian Herrera, ndërsa në skuadër rikthehet mesfushori Boban Nikolov.

    Me një kombinim të lojtarëve me përvojë dhe prurjeve të reja, përfaqësuesja synon të vazhdojë paraqitjet pozitive dhe të mbajë gjallë ambiciet për kualifikim në Botërorin 2026 në SHBA.

  • Kombëtarja shqiptare pa Rey Manajn për ndeshjen me Poloninë

    Kombëtarja shqiptare pa Rey Manajn për ndeshjen me Poloninë

    Lajme të këqija vijnë nga Turqia dhe më konkretisht nga Sivasspor.

    Rey Manaj pësoi një dëmtim të rëndë ditën e diel në fillimin e ndeshjes së Sivasspor ndaj Umraniyespor me sulmuesin kuqezi që që e la fushën e lojës pas vetëm 7 minutash lojë.

    Rey Manaj iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë të hënë me klubin turk që doli me njoftimin e rëndësishëm, por që e bën trajnerin Sylvinho me dhimbje koke.

    “Rey Manaj: Lojtari ynë është dëmtuar në pjesën e pasme të kofshës së majtë në ndeshjen që luajtëm dje. Si rezultat i ekzaminimit me rezonancë të kryer sot, është konstatuar një çarje e tendinit brenda muskulit të gradës 3c dhe gjakderdhje në pjesën e pasme të kofshës së majtë“, lexohet në një komunikatë të Sivasspor, përcjell tch.

    Kjo do të thotë se Manaj nuk do të jetë në ndeshjen e 26 marsit me Poloninë për fazën e playoffit të Botërorit të këtij viti dhe me shumë gjasa ka mbyllur edhe sezonin.

    Rey Manaj u kthye te Sivasspor në merkaton e muajit janar.

    Sulmuesi shqiptar për shkak të një problemi fizik nuk ishte aktivizuar në ndeshjen me Hatayspor, por të dielën Sivasspor vendosi ta hedhë në fushën e lojës, një vendim ky që rezultoi i nxituar dhe i gabuar nga ana e klubit turk.

  • Shpenzimet rekorde të VV-së për fushatë, Muharremi: Partia e ndihmave sociale paska shpenzuar mbi 4 milionë euro

    Shpenzimet rekorde të VV-së për fushatë, Muharremi: Partia e ndihmave sociale paska shpenzuar mbi 4 milionë euro

    Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar shpenzimet e mëdha të VV-së për fushatë zgjedhore.

    Duke ironizuar, ai ka bërë me dije se VV-ja, e cila njihet si parti e ndihmave sociale, paska shpenzuar mbi 4 milionë euro gjatë vitit të kaluar.

    Në profilin e tij në Facebook, ajo ka shkruar disa detaje për këtë çështje.

    “LVV-ja, kjo “parti e ndihmave sociale” kishe për ‘barazi’ e me i ndihmu të ligut, paska shpenzu mbi 4 milionë euro për vete gjatë 2025 për me i fitu zgjedhjet. Po kjo nuk është kurgjo. Me gjasë, kësaj shume duhet me ia shtu edhe nja 100 milionë euro të tjera nga buxheti publik i Kosovës, të shpërndara nga 100 euro si bonuse për shtresa të ndryshme për me e manipulu votuesit dhe me i ja ble votën për me i fitu zgjedhjet përmes korrupsionit elektoral”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo parti është transformuar nga ajo që ka qenë në opozitë.

    “Pasiqë nuk ka më asnjë kauzë, e vetëm pushtet e pozita po don, e as me qeverisë nuk din, nuk ka realizu asnjë projekt madhor.. tash i ka mbetë vetëm korrupsioni elektoral dhe milionat për me e mbajtë pushtetin. Kjo nuk ka me pas një fund të mirë të qëndrueshëm për ta. Nga ajo LVV që e kemi njoftë kur ka qenë në opozitë, sot absolutisht asgjë nuk ka mbetë. Krejt ato të zeza që dikur kishe ka premtu që ka me i luftu, sot po i bën vetë”, ka shkruar ai.

  • Studimi i fundit: Ramazani ndihmon në uljen e depresionit dhe ankthit

    Studimi i fundit: Ramazani ndihmon në uljen e depresionit dhe ankthit

    Një studim i fundit shkencor ka nxjerrë në pah ndikimin pozitiv që muaji i Ramazanit mund të ketë në shëndetin mendor, duke treguar se agjërimi lidhet me ulje të ndjeshme të simptomave të depresionit, ankthit dhe stresit.

    Psikologia Teuta Cacaj Sadiku, duke iu referuar një studimi të publikuar në fund të vitit 2025, në emisionin “LIBERO” theksoi se përveç dimensionit shpirtëror, Ramazani ka edhe përfitime të rëndësishme nga këndvështrimi shkencor.

    “Edhe nga perspektiva shkencore kuptojmë se Ramazani ka një impakt shumë të madh në shëndetin mendor, duke na mundësuar kështu që ne të përfitojmë nga kjo duke pasur vetëkontroll, empati dhe më shumë kontroll mbi impulset,” u shpreh ajo.

    Sipas saj, studimi i publikuar në revistën shkencore Discover Psychology përfshinte një rishikim sistematik të 20 studimeve empirike, të mbledhura nga databaza të njohura shkencore si PubMed dhe Scopus. Qëllimi i këtij rishikimi ishte të vlerësonte ndikimin e agjërimit gjatë Ramazanit në shëndetin mendor.

    Rezultatet treguan se:

    • 72.7% e studimeve raportuan ulje të simptomave të depresionit
    • 66.7% raportuan ulje të ankthit
    • 85.7% raportuan ulje të stresit
    • 71.5% raportuan përmirësim të mirëqenies psikologjike

    Këto gjetje sugjerojnë se agjërimi gjatë Ramazanit mund të shërbejë jo vetëm si praktikë fetare, por edhe si një mekanizëm mbështetës për mirëqenien emocionale dhe psikologjike.

    Ekspertët theksojnë se faktorë si reflektimi shpirtëror, rutina e strukturuar ditore dhe rritja e lidhjeve sociale gjatë këtij muaji mund të kontribuojnë në këto efekte pozitive. Megjithatë, ata rekomandojnë që individët me probleme të theksuara të shëndetit mendor të konsultohen me profesionistë përkatës gjatë kësaj periudhe.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm: