ATV

Blog

  • Pse peshku është ushqimi më i mirë për shëndetin e trurit

    Pse peshku është ushqimi më i mirë për shëndetin e trurit

    Peshku është një nga ushqimet më të mira për funksionet e trurit dhe shëndetin mendor.

    Sipas studimeve, acidet yndyrore dhe amino acidet që gjenden tek disa lloje peshqish përmirësojnë shëndetin mendor dhe funksionet e trurit.

    Ndaj dhe ekspertët rekomandojnë konsumimin e të paktën 1 apo 2 vakteve me peshk në javë.

    Acidet yndyrore omega-3

    Kur njeriu konsumon ushqim, trupi përthith acidet yndyrore omega-3 që gjenden në të dhe i përdor për të krijuar membranat e qelizave për trurin.

    Një prej acideve yndyrore në fjalë është acidi alfa linolenik.

    Ky acid gjendet tek salmoni, sardelet, trofta dhe skumbria.

    Trupi e përdor këtë acid për të prodhuar një tjetër acid yndyror më kompleks që ndërton muret e qelizave të trurit.

    Për këtë arsye, ngrënia e këtyre peshqve që rriten në ujëra të ftohta është e shëndetshme për trurin.

    Sipas të dhënave njerëzit që konsumojnë tre racione me peshk në javë përballen me një rrezik më të ulët të sëmundjeve si Alzheimeri dhe Skleroza.

    Mungesa e acidit të lartpërmendur mund të luajë rol pengues në aftësitë mendore tek të rinjtë, thonë ekspertët.

    Proteina dhe amino acidet

    Truri ka nevojë për amino acide për të lidhur transmetuesit nervorë që mundësojnë komunikimin nervor në mbarë trupin.

    Sipas studimeve peshku përmban një proteinë të cilësisë së lartë që përmban sasi të jashtëzakonshme të amino acideve të rëndësishme.

    Ato janë të rëndësishme sepse nuk prodhohen dot nga trupi ndaj duhen marrë nëpërmjet ushqimeve.

    Marrja e proteinave të peshkut ndihmon në përmirësimin e aftësive mendore.

    Vitamina D

    Vitamina D gjendet natyralisht në shumë pak ushqime.

    Peshku është një prej tyre.

    Vitamina D është thelbësore për zhvillimin e duhur të trurit dhe funksionet e tij.

    Njerëzit që kanë sasi të larta të vitaminës D në organizëm kanë një shëndet më të mirë mendor.

    Për më tepër, vitamina D e ndihmon trupin të përthithë kalçiumin, një gjë që promovon funksionin e shëndetshëm të nervave të trurit.

  • Fitore të rëndësishme në NBA, Lakers vazhdojnë serinë pozitive

    Fitore të rëndësishme në NBA, Lakers vazhdojnë serinë pozitive

    Los Angeles Lakers vazhduan serinë e tyre të shkëlqyer në NBA, duke mposhtur Houston Rockets me rezultat 100:92 në Toyota Center dhe duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi.

    Figura kryesore e ndeshjes ishte Luka Dončić, i cili realizoi 36 pikë dhe po vazhdon të tregojë një formë mbresëlënëse, ndoshta më të mirën në karrierën e tij.
    Ai gjithashtu arriti një tjetër moment historik, duke kaluar shifrën e 14,700 pikëve në moshën 27 vjeç e 16 ditë, çka e vendos të tretin në listën e lojtarëve më të rinj që kanë arritur këtë kuotë, pas vetëm LeBron James dhe Kevin Durant.
    Mbështetje të rëndësishme për Lakers dha edhe LeBron James me 18 pikë, ndërsa te Rockets u dallua Jabari Smith Jr. me 22 pikë.

    Në renditjen e Konferencës Perëndimore, Lakers mbajnë vendin e tretë me bilanc 43 fitore dhe 25 humbje, ndërsa Houston pozicionohet i katërti me rekord 41-26.

    Ndërkohë, në një tjetër ndeshje, Boston Celtics mposhtën Phoenix Suns me rezultat 120:112 në TD Garden.
    Jayson Tatum dhe Derrick White, të dy me nga 21 pikë, arritën t’i japin fitore skuadrës së tyre.
    Te Suns u dallua Devin Booker me 40 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.
    Celtics renditen të dytët në Konferencën e Lindjes, derisa Suns në pozitën e shtatë në Perëndim.

    Golden State Warriors është këndellur me fitore, pasi mundi Washington Wizards me rezultat 125-117.
    Kristaps Porziņģis udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 30 pikë, derisa De’Anthony Melton shtoi 27 sosh.
    Te skuadra humbëse u dalluan Bilal Coulibaly, Will Riley dhe Trae Young me nga 21 pikë.
    Warriors renditen në vendin e nëntë në Perëndim, derisa Wizards në pozitën e 14 në Lindje.

  • Rikthimi i kultit të dobësisë ekstreme në Hollywood ngre shqetësime

    Rikthimi i kultit të dobësisë ekstreme në Hollywood ngre shqetësime

    Pas Oscar-it, yjet tronditin me pamjen e tyre tepër të dobët ekspertët paralajmërojnë për pasoja serioze shëndetësore

    Pas ndarjes së çmimeve Oscar, një pjesë e mediave të huaja nuk e fokusuan vëmendjen vetëm te fituesit, kombinimet e modës dhe momentet virale, por edhe te pamja e shumë yjeve që ishin në mënyrë të panjohur tepër të dobët.

    Prania gjithnjë e më e madhe e barnave GLP-1 për dobësim ka krijuar një trend të ri në Hollywood, dhe ai ishte më se i dukshëm në ceremoninë e sivjetme të Oscar.

    Faqe të futura, kocka të theksuara…

    Në ceremoninë e sivjetme të Oscar, shumëkush vuri re rikthimin e një estetike që të kujton fuqishëm “heroin chic” të viteve nëntëdhjetë: faqe të futura, kocka të theksuara të klavikulës, silueta shumë të dobëta dhe një garë se kush do të duket më i brishtë.

    Mes yjeve, pamja e të cilëve nxiti më së shumti komente, ishin Demi Moore, Emma Stone dhe Nicole Kidman, ndërsa vëmendje tërhoqën edhe Barbie Ferreira, Kathy Bates dhe Melissa McCarthy, të cilat për vite janë njohur për format më të plota.

    Është e rëndësishme të theksohet se në një pjesë të madhe të këtyre teksteve bëhet fjalë për supozime. Edhe pse disa persona të famshëm, si Oprah, Rebel Wilson dhe Serena Williams, më herët kanë folur hapur për përdorimin e barnave për dobësim, për shumë të tjerë këto pretendime nuk janë konfirmuar.

    Megjithatë, vetë fakti që për trupat e tyre diskutohet publikisht tregon se industria e argëtimit sërish është afruar në mënyrë të rrezikshme me idealin e dobësisë ekstreme, transmeton Telegrafi.

    Pasoja të mundshme serioze

    Mjekët, të cituar nga mediat amerikane, paralajmërojnë se barnat GLP-1 mund të jenë të dobishme nëse merren me kujdes, nën mbikëqyrje dhe tek personat që realisht kanë nevojë për to. Por problemi lind kur përdoren në mënyrë agresive, pa ushqyerje të duhur dhe pa monitorim të gjendjes shëndetësore.

    Atëherë, humbja e shpejtë e peshës mund të ketë pasoja serioze. Ndër efektet anësore që përmenden janë: të përziera, të vjella, diarre, mungesë e lëndëve ushqyese, humbje e masës muskulore, lëkurë e varur, madje edhe rrezik më i madh për probleme me pankreasin. Në raste më të rënda, mjekët paralajmërojnë edhe dobësim të kockave, rritje të rrezikut për thyerje, rënie të flokëve madje edhe të dhëmbëve.

    Shqetësim të veçantë ngjall fakti se gjatë dobësimit të shpejtë, trupi mund të sillet si në rastet e anoreksisë. Kjo nënkupton jo vetëm ndryshime estetike, por edhe një rënie reale të qëndrueshmërisë fizike. Disa mjekë paralajmërojnë se personat që humbasin shumë masë trupore në një kohë të shkurtër bëhen më të ndjeshëm ndaj lëndimeve, shërohen më vështirë dhe mund të dëmtojnë shëndetin në afat të gjatë.

     shutterstock

    Në këtë kontekst, disa aktore janë bërë simbol i një fenomeni më të gjerë. Demi Moore, në javët e fundit, ka qenë disa herë në qendër të diskutimeve për shkak të figurës shumë të hollë, ndërsa reagime të ngjashme ka shkaktuar edhe Emma Stone, për të cilën fansat thonë se nuk ka qenë kurrë më e dobët.

    Margot Robbie, gjithashtu, ka nxitur një valë komentesh pas paraqitjes në Javën e Modës në Paris, edhe pse disa ekspertë në këtë rast kanë qenë më të kujdesshëm dhe kanë theksuar se një figurë më e dobët nuk nënkupton automatikisht përdorim të barnave.

    E gjithë kjo histori, në fakt, flet për diçka më të madhe sesa vetë tapeti i kuq. Hollywood është një fabrikë trendesh, por edhe pasigurish. Ajo që në ceremoninë e Oscar prezantohet si glamur shpesh shumë shpejt kthehet në presion shoqëror që përhapet në rrjetet sociale, fushatat e modës dhe jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

  • Habit Rita Ora me pamjen e saj në Oscars

    Habit Rita Ora me pamjen e saj në Oscars

    Përpos të gjithë vëmendjes që arriti të tërheqë ceremonia e çmimeve Oscars 2026, në mes të shkëlqimit dhe elegancës që karaterizoi pamjet e të gjithë yjeve, ra në sy me një paraqitje të pazakontë edhe Rita Ora, në festën prestigjoze të  Vanity Fair pas Oscars.

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore u shfaq me një kapele gjigand të mbuluar me pupla të zeza, një aksesor tepër i veçantë, i cili shoqëronte veshjen e saj.

    Pamja e saj mahnitëse shoqërohej nga një fustan transparent me korse, i cili i nxirrte në pah hiret dhe format e saj trupore. Fustani ishte i dekoruar me gurë të qëndisur në motive lulesh, me një copë saten të zi, i cili mbështillej poshtë përgjatë vitheve, pastaj hapej në fund deri në dysheme duke krijuar kështu një bisht të gjatë të qëndisur me të njëjtat motive. Ky fustan i mrekullueshëm ishte pjesë e koleksionit Couture SS26, i stilistes Tamara Ralph.

    Një tjetër detaj i pamjes së saj ishin paiskutim edhe sandalet e zeza D’Accori Belle me platformë dhe me takë të lartë që vinte në formë konike.

    Pak pasi hyri në event, këngëtarja vendosi ta hiqte kapelen dhe ta mbante atë në dorë, pasi përmasat e saj e bënin të vështirë lëvizjen dhe komunikimin me të pranishmit dhe tha me humor se dukej si një llambë dhe se mund të qëndronte lehtësisht si pjesë e dekorit në festë, për shkak të zgjedhjes së saj të kapeles ekstavagante.

    Pamja e saj u komentua gjerësiht në media dhe në rrjete sociale, ku komentet përgjithësisht ishin në formë vlerësimi për zgjedhjen e saj të guximshme.

    Këngëtarja Rita Ora është një nga emrat më të njohur të muzikës Pop në skenën ndërkombëtare, duke ndërtuar një karrierë të konsoliduar në muzikë, televizion dhe modë.

    Kujtojmë se artistja me origjinë shqiptare u martua në vitin 2022 me regjisorin dhe aktorin Taika Waititi në një ceremoni private në Londër.

  • Kusari-Lila: Rritja e çmimit të naftës në Kosovë, reflektim i lëvizjeve në tregun e jashtëm

    Kusari-Lila: Rritja e çmimit të naftës në Kosovë, reflektim i lëvizjeve në tregun e jashtëm

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila thotë se rritjet e fundit të çmimeve të derivateve të naftës në vend po reflektojnë rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

    Ajo tha se masa masa për kufizimin e marzhës së fitimit po e mban situatën nën kontrol.

    “Çmimi tavan apo marzha mbi fitimin në çmimin e naftës është bazuar në çmimin e një ditë përpara të sasive të derivateve të importuara. Dhe përderisa ka ngritje të çmimit në derivatet e importuara, lëviz edhe çmimi brenda tregut të brendshëm. Do të thotë, një blerës me shumicë, gjegjësisht një importues me shumicë mund ta ngrit çmimin mbi çmimin e importit vetëm 2 cent për litër. Prandaj, nëse në një ditë të caktuar, siç ka qenë dy ditë më parë, çmimi për litër të derivatit, në këtë rast të naftës, është importuar me 1 euro e 50 cent, me shumicë ajo mund të shitet më së shumti 1 euro e 52 cent. Përderisa me pakicë shtohet edhe 12 cent mbi çmimin bazë, që do të shkojë në 1 euro e 64 cent”, tha ajo.

    Kusari Lila theksoi se reagimi i saj publik ishte i bazuar në çmimin e publikuar një natë më parë, ndërsa njoftimi për kufirin maksimal të çmimeve përfshin të gjitha derivatet, përfshirë edhe gazin.

    “Reagimi im ditë më parë ka qenë i bazuar mbi çmimin e cili ishte një natë më parë që është edhe i publikuar në postim. Do të thotë, njoftimi për kufirin maksimal të çmimit të naftës apo të benzinës, në këtë rast në përgjithësi çmimi i derivateve, për arsye se hyn edhe gazi këtu, do të jetë në 2 cent në shumicë, 12 cent në pakicë mbi çmimin me shumicë. Prandaj lëvizjet që po ndodhin janë reflektim i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimit në tregun e jashtëm. Ne si vend importues, që nuk kemi rafineri, po ndikon shumë më shumë sesa vendet, për shembull vendet fqinje Greqia, Maqedonia e Veriut, që kanë rafineritë e naftës. Megjithatë, prapë te të gjithë është duke u reflektuar rritja e çmimit e në Kosovë po e ka ndikimin e drejtpërdrejtë”, tha ajo në një deklarim për media.

    Sa i përket rezervave, ministrja tha se situata mbetet e qëndrueshme dhe larg panikut.

    “Po mendoj, kjo si informacion është informacion i cili mbetet për institucionet, por situata është stabile me rezervat mund të them. Në raport me rezervat e importuesve, gjegjësisht kompanive që merren me tregtimin e derivateve, jemi duke i përcjellë edhe rezervat. Nuk ka lëvizje, nuk ka rënie në rezervat e tyre. Do të thotë ende është situatë e menaxhueshme dhe larg situatës së panikut”, tha ajo.

    Ajo përmendi edhe rastin e lirimit të rezervave shtetërore në disa vende, duke theksuar se Kosova nuk ndodhet në një situatë të tillë.

    “Ka pasur vende, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë lëshuar një pjesë të rezervës shtetërore. Ne nuk kemi ardhur në atë pikë. Industria dhe ekonomia jonë nuk janë në atë nivel që është rrezikuar në masë të madhe. Megjithatë, megjithatë më duhet të them se është e pashmangshme ndikimi i mëtejshëm i asaj se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme me reflektimin në çmimin e derivateve. Ne do ta bëjmë maksimumin edhe jemi duke e bërë të përcjellim që nuk ka, të them, fluktuim jashtë normales. Gjegjësisht masa e vendosur ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll, por kontrolli brenda kësaj hapësire e cila po tregohet se po lëviz çmimi, por jo mbi të paimagjinueshmen ose në masë ku mund të ketë ndikim tepër serioz për të keq. Po e them që shkon edhe në një periudhë kohe deri në një stabilitet. Këtu ne nuk jemi akterë, ne jemi konsumues të rrethanave që po ndodhin atje. Por po shpresojmë që sa më parë të ketë një stabilitet. Parashihet në muajt në vijim, në veçanti në periudhën e verës, që do të ketë një stabilitet të çmimit”, tha ajo.

    Ministrja bëri të ditur se ka pasur edhe shkelje të vendimit për marzhën e fitimit, por se Inspektorati i Tregut ka reaguar me masa ndëshkuese.

    “Po, ka pasur dy kompani që kanë shkelur vendimin tonë dhe Inspektorati më ka informuar për dy kompanitë, të cilat kanë masën e parë gjobën, masën e dytë tërheqjen e licencës. Nuk ka ardhur te masa e dytë. Do të thotë janë ndaluar tek dënimi, gjegjësisht reagimi i parë i Inspektoratit të Tregut”, tha ajo.

  • ​Manchester City beson te përmbysja e Real Madridit

    ​Manchester City beson te përmbysja e Real Madridit

    Kapiteni i Manchester City, Bernardo Silva, ka deklaruar se skuadra e tij ende beson në një rikthim të madh përballë Real Madrid, pavarësisht disavantazhit të madh nga ndeshja e parë.

    Kapiteni i Manchester City, Bernardo Silva, ka deklaruar se skuadra e tij ende beson në një rikthim të madh përballë Real Madrid, pavarësisht disavantazhit të madh nga ndeshja e parë.

    City u mposht 3-0 nga Real Madridi, në “Santiago Bernabeu”, ku spikati performanca fantastike e Federico Valverde me hat-trick, duke i dhënë avantazh të madh madrilenëve.

    Ndërkohë, Bernardo Silva theksoi se në futboll gjithçka është e mundur dhe skuadra angleze nuk ka ndërmend të dorëzohet.

    “Do të jetë shumë e vështirë, por nëse jemi në nivelin tonë, atëherë e dimë që gjithçka mund të ndodhë” – u shpreh Silva.

    Mesfushori portugez premtoi se ekipi i tij City do të luftojë deri në fund për të përmbysur rezultatin dhe për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

    Real Madrid, nga ana tjetër mbetet favorit i madh për të kaluar më tej, duke qenë se historikisht është shumë i fortë në kompeticionet evropiane dhe rallë humbet avantazhe të tilla.

    Ndeshja e kthimit zhvillohet sonte në Angli, në stadiumin “Etihad Stadium”, me fillim nga ora 21:00.

  • Tërmeti me magnitudë 6 ballësh godet Kubën

    Tërmeti me magnitudë 6 ballësh godet Kubën

    Një tërmet me magnitudë 6 ballë të Rihterit ka goditur Kubën të martën, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Sizmologjike Evropiane Mesdhetare (EMSC).

    Siç është bërë e ditur, tërmeti ka pasur një thellësi prej rreth 15 kilometrash, raportoi Reuters.

    Deri më tani nuk ka raportime të menjëhershme për dëme materiale apo viktima.

    Edhe para rreth 10 ditësh, konkretisht më 8 shkurt është raportuar një tjetër tërmet i fuqishëm në këtë vend.

    Sipas EMSC-së, një tërmet me magnitudë 5.5 ballë ka goditur Kubën atë ditë. Tërmeti ishte në një thellësi prej 15 km.

  • Mesazhet me zë i bezdisin njerëzit më shumë se tekstet e gjata

    Mesazhet me zë i bezdisin njerëzit më shumë se tekstet e gjata

    Shkenca sugjeron se mesazhet me zë shpesh i bezdisin njerëzit më shumë sesa tekstet e gjata.

    Sipas studimeve, ndryshe nga mesazhet e shkruara, mesazhet zanore kërkojnë vëmendje të plotë, pasi nuk mund të lexohen shpejt, të skanohen apo të kontrollohen lehtësisht në publik.

    Për më tepër, ato ia kalojnë kontrollin dërguesit. Teksti i jep lexuesit mundësinë të vendosë ritmin, ndërsa mesazhet me zë e kontrollojnë kohën dhe theksin sipas dërguesit, duke bërë që edhe një regjistrim i shkurtër të duket më i gjatë se një paragraf i tërë.

    Është një ndryshim i vogël në komunikim, por që ndikon ndjeshëm në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë bisedën.

  • Londrimi me projekt të ri muzikor?

    Londrimi me projekt të ri muzikor?

    Fituesi i edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova vazhdon të jetë shumë aktiv në rrjete sociale, ku ndan momente të ndryshme.

    Në një postim të fundit në Instagram, ai shihet në studio muzikore, duke treguar se ka nisur të punojë.

    “Time to work”, ka shkruar ai krahas fotos, duke lënë të kuptohet se një projekt i ri muzikor është në rrugë e sipër.

  • Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve në skandalin e Rezervës Shtetërore

    Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve në skandalin e Rezervës Shtetërore

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, në skandalin e Rezervës Shtetërore.

    Lajmi u bë i ditur nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate.

    Gashi tha se Departamenti Special, e ka hedhur kërkesën si të pa bazuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e evidentuar me shenjën PPPS.nr.35/2023 të datës 11.11.2025, në çështjen penale kundër të pandehurve R.H., I.L., H.G., për shkak të veprës penale Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, R.M. për shkak të veprës penale Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i pandehuri H.G. për shkak të veprës penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 par.1 të KPRK-së, si dhe të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, deklaroi Gashi.