ATV

Blog

  • Zbatimi i Ligjit për Automjete dhe të Huaj, Sveçla mbledh zyrtarët e komunave në veri

    Zbatimi i Ligjit për Automjete dhe të Huaj, Sveçla mbledh zyrtarët e komunave në veri

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mbajtur një takim pune me zyrtarët e gjendjes civile të komunave të rajonit të Mitrovicës, si dhe me zyrtarët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të angazhuar në zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj, të cilët kanë hyrë në fuqi më 15 mars të këtij viti.

    Gjatë takimit, siç bëhet e ditur në një njoftim, Sveçla theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, me qëllim të zbatimit të unifikuar dhe efikas të vendimeve të fundit të ministrisë që ai e drejton.

    “Në vijim, ai nënvizoi se roli i zyrtarëve është thelbësor për mbarëvajtjen e këtij procesi, duke veçuar informimin në kohë dhe të saktë të qytetarëve dhe bashkëpunimin me ta si elemente kyçe për arritjen e rezultateve të synuara”.

    Sveçla theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar me kapacitet të plotë institucional për të siguruar që procesi i filluar të zhvillohet në përputhje me dinamikën e paraparë dhe me standardet ligjore në fuqi.

    Ai shtoi se MPB është në koordinim të ngushtë me komunat, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Regjistrimit Civil, me qëllim të garantimit të zbatimit të plotë të obligimeve ligjore nga të gjitha palët e përfshira.

    “Gjithashtu, është bërë e ditur se, me qëllim të lehtësimit të zbatimit të këtij procesi, MPB ka themeluar ekipe të veçanta mbështetëse, të cilat do të ofrojnë asistencë dhe sqarime për çdo paqartësi që mund të paraqitet gjatë trajtimit të kërkesave, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit në procedurat administrative”, theksohet më tutje në njoftimin e kësaj ministrie.

  • Moussa: Furnizimi me gaz i Irakut nga Irani u ndërpre pas sulmeve

    Moussa: Furnizimi me gaz i Irakut nga Irani u ndërpre pas sulmeve

    Importet e gazit në Irak nga Irani janë ndalur pas sulmeve në objektet iraniane të gazit, thotë Ministria e Energjisë Elektrike e Irakut në një raportim të publikuar në mediat irakiane.

    Iraku aktualisht importon më shumë se një të tretën e nevojave të tij për gaz dhe energji nga Irani, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Energjisë Elektrike, Ahmed Moussa, i tha Agjencisë irakiane të Lajmeve Irakiane: Si rezultat i pasojave të zhvillimeve në rajon, rrjedhat e gazit iranian në Irak u ndalën plotësisht.

  • EWB: Draft-raportet e PE për Kosovën dhe Serbinë theksojnë krizat politike në të dyja vendet

    EWB: Draft-raportet e PE për Kosovën dhe Serbinë theksojnë krizat politike në të dyja vendet

    Draft-raportet mbi Kosovën dhe Serbinë iu prezantuan dje anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian.

    European Western Balkans (EWP) raporton se dokumentet identifikojnë kriza të thella politike, si në Prishtinë ashtu edhe nw Beograd dhe u bëjnë thirrje palëve të rifillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    Ndër të tjera, draft-raporti mbi Serbinë thotë se ritmi i reformave të lidhura me BE-në në Serbi është ngadalësuar ndjeshëm, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe demokracisë.

    Ndërkaq, për draft-raportin vjetor të Riho Terras, raportuesi i PE-së për Kosovën, vëren se viti 2025 “ishte një vit i humbur” për të, për shkak të krizës politike të vazhdueshme.

    Terras theksoi se “Kosova ishte në paralizë të plotë politike, gjë që pati pasoja edhe për procesin e reformave”.

    “Është për të ardhur keq që pasiguria dhe bllokada politike kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Europian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetësore për vetë vendin. Ka qartësisht fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, vërejti ai në prezantimin në AFET.

    Dokumenti vëren gjithashtu se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë i frytshëm.

    “Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili ka nisur për të gjetur një kompromis të pranueshëm për palët, për fat të keq, nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Dialogu ishte në thelb joaktiv gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe për shkak se Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe kompetenca të plota, ndërsa negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë”, thuhet në të.

    Draft-raporti vëren se Komisioni Evropian, Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare të BE-së duhet të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë me energji të përtërirë, raporton ky medium.

    Për më tepër, ai theksoi rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, e cila “duhet të bazohet në njohjen reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

    Dokumenti gjithashtu u bën thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës “të lëvizin drejt njohjes, duke i mundësuar Kosovës të përparojë në një bazë të barabartë me kandidatët e tjerë”.

    Gjithashtu, ai mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, në Këshillin e Europës dhe për integrim në NATO. Këto qëllime vlerësohen si dëshmi e orientimit të palëkundur strategjik të Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

    “Gjendja e demokracisë dhe sundimit të ligjit është përkeqësuar në Serbi”

    Në debatin pas prezantimit të draft-raportit për Serbinë, eurodeputetët vunë në dukje prapambetjen e vendit në fushat që lidhen me sundimin e ligjit dhe i bënë thirrje Komisionit Europian të rishikojë fondet e Planit të Rritjes të alokuara për vendin.

    Tonino Picula, Raportuesi i PE-së për Serbinë, deklaroi se pavarësisht faktit që Serbia e kishte shpallur anëtarësimin në BE si qëllimin e saj strategjik, “angazhimet e marra në praktikë nuk sollën rezultate”.

    Ai kujtoi se Serbia vendosi të mos marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, ndërsa mori pjesë në një paradë ushtarake në Moskë.

    Picula vuri në dukje se legjislacioni zgjedhor ka mangësi serioze, si dhe se është e qartë se pa ndryshime strukturore dhe zbatim të plotë të të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it, zgjedhjet e ardhshme nuk mund të jenë të drejta.

    Për më tepër, ai vlerësoi se ndryshimet në ligjet kryesore gjyqësore “përfaqësojnë një hap prapa të papranueshëm në procesin e pranimit dhe një goditje të rëndë për pavarësinë e gjyqësorit”.

    Draft-raporti, shkruan EWP, dënon fuqimisht masat represive dhe përdorimin e tepërt të forcës dhe dhunës policore kundër protestuesve, si dhe arrestimet arbitrare dhe ngacmimet sistematike të opozitës, aktivistëve, shoqërisë civile dhe gazetarëve.

    “Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari për korrupsionin e përhapur sepse duan transparencë. Ata kanë të drejtën e lirisë së shprehjes, sundimit të vërtetë të ligjit dhe reformave demokratike… Ka pasur një goditje shqetësuese dhe të vazhdueshme ndaj lirisë dhe autonomisë akademike, e dukshme përmes presioneve financiare, administrative dhe të tjera mbi komunitetin akademik”, theksoi Picula.

    Ai kujtoi se roli i Parlamentit Europian nënkupton gjithashtu mbikëqyrjen e buxhetit dhe fondeve të Bashkimit Europian, duke përfshirë ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    “Është e diskutueshme se si kjo ngecje dhe kthim prapa i Serbisë në rrugën e BE-së është plotësuese e pagesave nga Plani i Rritjes”, vërejti Picula.

    Sipas tij, situata e medias në Serbi “është e frikshme në nivele të shumëfishta”.

    “Unë dënoj fuqimisht përshkallëzimin e sulmeve dhe frikësimin e gazetarëve që e kthen vendin në disa kohë të zymta… Liria e shprehjes është nën presion në rritje, ndërsa REM nuk ka funksionuar për një kohë të gjatë… Përpjekjet për të eliminuar mediat e tjera të pavarura po forcohen… Fatkeqësisht, fushatat e shpifjes dhe dezinformimi toksik vazhdojnë të dominojnë në Serbi”, vuri në dukje Picula.

  • Përfundon aksioni në ARBK: Tri zyrtare dyshohen për ndryshim të kundërligjshëm pronësie mbi 50 mijë euro

    Përfundon aksioni në ARBK: Tri zyrtare dyshohen për ndryshim të kundërligjshëm pronësie mbi 50 mijë euro

    Ka përfunduar aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në ARBK, i cili u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, raporton Gazeta Sinjali.

    Aksioni u krye në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitet përkatëse, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J., F.L. dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    “Të njëjtat, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicialet I.B. të përfitonte dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme. Sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘N.K.W.P Sh.P.K’ në vlerë mbi 50.000 euro”, thuhet në njoftim.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

    Pak më parë, për këtë aksion kishte reaguar edhe Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINTI), duke theksuar se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor, i cili më pas ishte korrigjuar përmes procedurave ligjore.

  • E rëndë: Një person humb jetën pas rënies së kabinës së teleferikut në alpet e Zvicrës

    E rëndë: Një person humb jetën pas rënies së kabinës së teleferikut në alpet e Zvicrës

    Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me teleferik në vendpushimin e skive Engelberg-Titlis në Zvicrën qendrore, të mërkurën në mëngjes, raporton Swissinfo.ch.

    Sipas policisë kantonale të Nidwalden, viktima ishte vetëm në kabinë.

    Shkaku i saktë i aksidentit mbetet i panjohur, megjithëse në rajon janë regjistruar erëra të forta.

    Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në vendpushim, pasi kabina e teleferikut raportohet se ka rënë nga një shpat mali me dëborë.

    Një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit ajror Rega ka thënë se një helikopter është i përfshirë në operacion, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

  • Merz: Lufta me Iranin është në dëm të të gjithëve

    Merz: Lufta me Iranin është në dëm të të gjithëve

    Lideri i Gjermanisë, Friedrich Merz, thotë se është në kontakt të përditshëm lidhur me luftën me udhëheqës të tjerë si Keir Starmer i Mbretërisë së Bashkuar, Emmanuel Macron i Francës dhe Giorgia Meloni e Italisë.

    Merz shton se Gjermania nuk është konsultuar për luftën në Iran dhe ai mbetet i pa bindur se ekziston një plan për të sjellë ndryshim demokratik atje.

    Ai gjithashtu thotë se SHBA-ja dhe Europa duhet të rrisin presionin mbi Rusinë së bashku për të arritur paqen në Ukrainë, raporton skynews, transmeton Sinjali.

    Kur të vijë koha, si Gjermania ashtu edhe Ukraina do të jenë të përfshira në negociatat për garanci sigurie pas luftës për Ukrainën, shton Merz.

    Duke folur në Bundestag, Merz theksoi gjithashtu rëndësinë e përfundimit sa më shpejt të një marrëveshjeje tregtare BE-SHBA.

  • Shkëlqen Hadergjonaj, gol dhe dy asistime në fitoren spektakolare të Alanyasporit

    Shkëlqen Hadergjonaj, gol dhe dy asistime në fitoren spektakolare të Alanyasporit

    Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadergjonaj, ka dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme duke qenë protagonisti kryesor në fitoren bindëse të Alanyaspor ndaj Kocaelispor me rezultat të thellë 5-0, në kuadër të javës së 27-të të Superliga e Turqisë.

    Hadergjonaj e nisi spektaklin personal në minutën e 26-të, kur realizoi një gol të bukur nga distanca, duke goditur saktë nga rreth 25 metra dhe duke i dhënë epërsinë ekipit të tij. Vetëm pesë minuta më vonë, ai u shndërrua në asistues, duke shërbyer për Hëang Ui-jo, i cili realizoi për 2-0.

    Forma e shkëlqyer e mbrojtësit kosovar vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku ai regjistroi asistimin e dytë në këtë takim, kësaj radhe për Lima, duke kontribuar në golin për 3-0 dhe duke vulosur një mbrëmje të paharrueshme personale.

    Alanyaspori nuk u ndal me kaq, duke shënuar edhe dy gola të tjerë për të kompletuar një fitore të thellë, në një ndeshje ku Hadergjonaj dhe bashkëlojtari i tij nga Kosova, Fidan Aliti, luajtën për 90 minuta të plota.

    Për performancën e tij të jashtëzakonshme, Hadergjonaj u vlerësua si lojtari i ndeshjes nga SofaScore me notën 8.5, duke konfirmuar edhe një herë formën e lartë që po kalon këtë sezon. Në total, ai ka regjistruar 8 gola dhe 8 asistime në të gjitha garat, një statistikë mbresëlënëse për një mbrojtës krahu.

    Me këtë fitore, Alanyaspor ngjitet në kuotën e 31 pikëve dhe renditet në pozitën e 10-të në tabelë, duke marrë frymë më lirshëm në kampionat dhe duke shfaqur sinjale pozitive për vazhdimësinë e sezonit.

  • Nënshkruhen marrëveshje milionëshe me Bankën Gjermane për zhvillim: 80 milionë euro kredi dhe 1 milion grant

    Nënshkruhen marrëveshje milionëshe me Bankën Gjermane për zhvillim: 80 milionë euro kredi dhe 1 milion grant

    Ministria e Financave ka njoftuar se janë nënshkruar marrëveshjet në vlerë 81 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim, që synojnë avancimin e reformave dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Kosovë.

    Në njoftim sqarohet se paketa përfshin kredi prej 80 milionë euro dhe grant prej 1 milion euro, të cilat do të mbështesin drejtpërdrejt zbatimin e reformave në sektorin e energjisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë.

    “Ministri i Financave z. Hekuran Murati theksoi se kjo mbështetje do të kontribuojë në modernizimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar integrimin e mëtejmë në tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe duke nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Në anën tjetër, udhëheqësi i divizionit të energjisë në KfW-së, z. Pablo Obrador Alvarez u shpreh se ky është programi i parë i këtij lloji për Kosovën, i cili plotëson mbështetjen ekzistuese dhe krijon bazë për modernizim të mëtejshëm dhe integrim të sektorit energjetik”, thuhet në njoftim.

    Sipas Ministrisë, kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, të sigurt dhe të integruar, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe tranzicionit të gjelbër të vendit.

    Marrëveshjet janë nënshkruar në prani të Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

  • Bastoni drejt Barcelonës? Ylli i Interit zgjedh katalanasit si destinacionin e ëndrrave

    Bastoni drejt Barcelonës? Ylli i Interit zgjedh katalanasit si destinacionin e ëndrrave

    E ardhmja e Alessandro Bastoni mund të jetë larg Inter gjatë afatit kalimtar veror, teksa interesimi për shërbimet e tij po rritet ndjeshëm nga klubet më të mëdha evropiane.

    Sipas raportimeve nga Diario Sport, mbrojtësi italian i ka dhënë përparësi një transferimi te FC Barcelona, në rast se largohet nga “Nerazzurrët”. Kjo zgjedhje vjen pavarësisht interesimit konkret nga disa klube të mëdha të Premier League.

    Interi, nga ana tjetër, duket i hapur për të dëgjuar oferta për 26-vjeçarin, me një çmim që raportohet të sillet mes 50 dhe 70 milionë euro. Ulja e mundshme e kërkesës financiare ka alarmuar disa gjigantë evropianë, por Barcelona mbetet në avantazh falë preferencës së vetë lojtarit.

    Klubi katalanas e ka ndjekur nga afër Bastonin prej kohësh dhe e konsideron atë si objektivin kryesor për të përforcuar repartin defensiv. Drejtuesit e Barcelonës e shohin mbrojtësin italian si profil ideal për sistemin e trajnerit Hansi Flick.

    Aftësitë e Bastonit në ndërtimin e lojës nga prapavija, qetësia me topin dhe leximi i shkëlqyer i lojës e bëjnë atë një kandidat perfekt për stilin e Barcelonës. Për më tepër, fiziku i tij imponues dhe siguria në mbrojtje janë elemente që mund ta kthejnë në një lider të ri të repartit defensiv në “Camp Nou”.

    Barcelona e ka vendosur përforcimin e mbrojtjes si prioritet absolut për këtë verë, madje duke e vendosur përpara transferimit të një sulmuesi. Kjo tregon qartë se klubi është i gatshëm të bëjë një investim të madh për të siguruar shërbimet e Bastonit.

    Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë një marrëveshje, por gjithçka tregon se saga e transferimit të Bastonit mund të jetë një nga historitë më të nxehta të merkatos së verës.

  • Hyseni reagon për stërvitjet ushtarake pranë kufirit të Kosovës: Shqetësuese dhe provokuese

    Hyseni reagon për stërvitjet ushtarake pranë kufirit të Kosovës: Shqetësuese dhe provokuese

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka shprehur shqetësimin në lidhje me stërvitjen ushtarake të zhvilluar pranë kufirit me Kosovën, që rrjedhimisht i bie në afërsi të komunës së Gjilanit.

    Në një reagim publik, Hyseni i cilësoi këto aktivitete si shqetësuese dhe provokuese, duke theksuar se prania e forcave ushtarake dhe mjeteve ajrore në afërsi të zonave të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm.

    Ai theksoi se situata ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve të komunës së Gjilanit, duke rritur ndjesinë e frikës dhe pasigurisë.

    Reagimi i plotë:

    REAGIM

    Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Komunës tonë, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët tanë. Prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

    Si Kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

    Qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion.

    Ne do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të angazhohemi fuqishëm për mbrojtjen e interesit të tyre.