ATV

Blog

  • NATO vendos një njësi të re “Patriot” në Turqi, pranë bazës Incirlik

    NATO vendos një njësi të re “Patriot” në Turqi, pranë bazës Incirlik

    NATO ka vendosur një njësi të re të mbrojtjes ajrore amerikane “Patriot” në Adana, në jug të Turqisë mes shqetësimeve të shtuara në lidhje me kërcënimet me raketa nga lufta me Iranin.

    Lajmi u konfirmua nga Ministria turke e Mbrojtjes.

    Vendosja e re ka të bëjë me një zonë ku ndodhet baza Incirlik, e cila strehon personel ushtarak të Shteteve të Bashkuara, si dhe forca nga Katari, Spanja dhe Polonia, përveç trupave turke, shkruan Abcnews.al.

    Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe kufizohet me Iranin, kishte njoftuar javën e kaluar instalimin e një sistemi Patriot në provincën e Malatya-s, pranë një radari të Aleancës, si pjesë e masave për të forcuar mbrojtjen ajrore.

  • Oda Ekonomike e Kosovës kërkon masa fiskale për të ndaluar rritjen e çmimeve të naftës

    Oda Ekonomike e Kosovës kërkon masa fiskale për të ndaluar rritjen e çmimeve të naftës

    Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme fiskale, në mënyrë që të ndalohet rritja e çmimit të derivateve të naftës.

    Përmes një komunikate për media, OEK theksoi se rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke ulur standardin e jetesës së qytetarëve, si dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

    Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës propozoi që Qeveria të marr masa konkrete fiskale, si: Ulja e tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës dhe lirim i përkohshëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për derivatet e naftës, apo së paku duke ulur normën e Tatimit të Vlerës së shtuar.

    Këto masa, sipas OEK, do të kontribuonin në uljen e çmimeve për bizneset prodhuese dhe qytetarët, duke lehtësuar barrën financiare dhe duke stabilizuar tregun.

    “Tatimi mbi vlerën e shtuar është një tatim i konsumatorit dhe i kombinuar me akcizën, I cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin më të ulët final të karburantit. Vlen të theksohet se masa të ngjashme kanë filluar të zbatohen në disa vende të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, me qëllim frenimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve, e cila krijon vështirësi për bizneset dhe rrit rrezikun e varfërisë për qytetarët”.

  • Katër të lënduar si pasojë e një aksidenti mes tre veturave në Dollc

    Katër të lënduar si pasojë e një aksidenti mes tre veturave në Dollc

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 12:30 në fshatin Dollc të Klinës.

    Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa si pasojë kanë mbetur të lënduar katër persona.

    Të lënduarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë.

    Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke hetuar rrethanat e aksidentit.

  • Trumpi thumbon sërish vendet e NATO-s për Ngushticën e Hormuzit

    Trumpi thumbon sërish vendet e NATO-s për Ngushticën e Hormuzit

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thumbuar sërish vendet e NATO-s që refuzuan ta ndihmojnë SHBA-në për të ofruar siguri në Ngushticën e Hormuzit.

    Në një postim në Truth Social, ai ka ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse SHBA-ja do të përfundonte punën me Iranin dhe më pas do t’ua linte përgjegjësinë për Ngushticën vendeve të tjera, të cilat, sipas tij, e përdorin atë, ndërsa SHBA-ja jo.

    “Pyes veten se çfarë do të ndodhte nëse do të ‘përfundonim’ atë që ka mbetur nga shteti terrorist iranian dhe do t’i linim vendet që e përdorin atë, të cilën ne nuk e përdorim, të ishin përgjegjëse për të ashtuquajturën ‘Ngushticë’? Kjo do t’i vinte në lëvizje disa nga ‘aleatët’ tanë të pandjeshëm, dhe atë shpejt!”, ka shkruar Trumpi.

    Ai kishte kritikuar edhe një ditë më parë aleatët e NATO-s, duke thënë se “kanë bërë një gabim të pamendë” dhe se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmën e tyre.

    Ndërkohë, shtete si Britania, Gjermania, Franca, Spanja dhe Greqia janë deklaruar kundër përfshirjes në çështjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se ajo nuk është çështje e NATO-s dhe se nuk duan të tërhiqen në një konflikt më të gjerë.

  • Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, UNICEF: Urgjentisht të forcohen sistemet e mbrojtjes së fëmijëve

    Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, UNICEF: Urgjentisht të forcohen sistemet e mbrojtjes së fëmijëve

    UNICEF-i në Kosovë ka reaguar lidhur me rastin e 5-vjeçarit në Lipjan, duke theksuar se është thellësisht i tronditur për gjendjen e vogëlushit, i cili aktualisht po merr trajtim intensiv mjekësor pas dhunës dhe neglizhencës së rëndë.

    Në reagim, UNICEF thekson se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo neglizhencë, sidomos brenda shtëpisë së tij, e cila duhet të jetë një vend sigurie, kujdesi dhe mbrojtjeje.

    “Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre dhe ka pasoja afatgjata fizike dhe psikologjike”.

    Tutje, në reagim thuhet se ky rast pasqyron një shkelje serioze të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF), e cila garanton mbrojtjen e çdo fëmije nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca, si dhe të drejtën për mbijetesë, zhvillim dhe dinjitet.

    “KDF është direkt e zbatueshme në Kushtetutën e Kosovës, e cila i jep instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut prioritet mbi ligjet vendore. Kjo vendos një detyrim të qartë ligjor mbi të gjitha institucionet për të parandaluar, identifikuar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive rasteve të dhunës dhe neglizhencës ndaj fëmijëve”.

    Ndër të tjera, UNICEF thekson se ky rast tregon nevojën urgjente për të forcuar sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar identifikimin e hershëm të fëmijëve në rrezik në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale, si dhe për të ofruar mbështetje të shpejtë familjeve të cenueshme për të parandaluar dhunën.

    “Menaxhimi i koordinuar i rasteve në nivel komunal, shërbimet e funksionimit të plotë të mbrojtjes së fëmijëve dhe financimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj fëmijëve. Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë në heshtje. Sistemet e forta shpëtojnë jetë, dhe kjo duhet të jetë një pikë kthese për veprim. UNICEF-i në Kosovë kërkon nga autoritetet të kryejnë një hetim të plotë, të sigurojnë përgjegjshmërinë dhe të ofrojnë mbrojtje të menjëhershme dhe kujdes afatgjatë për fëmijën. Komunitetet, institucionet dhe familjet duhet të mbeten vigjilente dhe të raportojnë çdo shenjë dhune apo neglizhence”.

  • Mediat iraniane thonë se është goditur kompleksi në fushën më të madhe të gazit natyror në botë

    Mediat iraniane thonë se është goditur kompleksi në fushën më të madhe të gazit natyror në botë

    Kompleksi petrokimik i Iranit në fushën e gazit South Pars është goditur nga sulme ajrore, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

    Objekti është përfshirë nga zjarri dhe ekipet e shpëtimit si dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje, sipas një njoftimi në Telegram nga agjencia gjysmë-zyrtare Fars News.

    South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, ku operojnë si Katari ashtu edhe Irani.

    Tasnim raporton se sulmi ka ndodhur më herët gjatë së mërkurës.

  • Prishtina zyrtarizon Alban Dragushën, ndryshim i shpejtë në pankinë pas largimit të Tovërlanit

    Prishtina zyrtarizon Alban Dragushën, ndryshim i shpejtë në pankinë pas largimit të Tovërlanit

    FC Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Alban Dragusha si trajner të ri të skuadrës së parë, vetëm një ditë pas largimit të Afrim Tovërlani nga drejtimi i ekipit.

    Klubi kryeqytetas ka reaguar menjëherë për të mbushur boshllëkun në pankinë, duke i besuar drejtimin Dragushës, i cili vjen pas një periudhe të suksesshme në Ligën e Parë me KF Ramiz Sadiku.

    Në njoftimin zyrtar, Prishtina theksoi:

    “Alban Dragusha është emëruar trajneri i ri i skuadrës sonë. Trajneri 44-vjeçar vjen pas një periudhe të suksesshme te skuadra e Ramiz Sadikut, të cilën e ka drejtuar që nga korriku i vitit 2023. Nën udhëheqjen e tij, kjo skuadër u shndërrua në një nga befasitë më të këndshme të ligës së parë në këtë sezon”.

    Klubi gjithashtu vuri në pah përvojën e tij në pankinë, duke shtuar:

    “Gjatë karrierës së tij si trajner, Dragusha ka drejtuar edhe ekipin e Vushtrrisë, ndërsa nga viti 2019 deri më 2022 ka qenë pjesë e stafit teknik si ndihmës trajner te Drita”.

    Përveç angazhimeve si trajner, Dragusha ka pasur një karrierë të pasur edhe si futbollist profesionist, duke luajtur në disa vende evropiane.

    “Ai ka ndërtuar një karrierë të pasur edhe si futbollist, duke luajtur në disa vende si Ukraina, Azerbajxhani, Suedia, Shqipëria dhe Kosova”.

    Në fund, klubi bardhekaltër i ka uruar mirëseardhje trajnerit të ri dhe sukses në detyrën e tij:

    “Klubi i uron trajnerit Dragusha mirëseardhje dhe shumë suksese në drejtimin e skuadrës bardhekaltër”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.

    Me këtë lëvizje, Prishtina synon të stabilizojë skuadrën dhe të rikthehet në garë për objektivat e sezonit, duke hyrë në një fazë të re nën drejtimin e Dragushës.

  • Dragan Ristiq lirohet nga akuza për krime lufte në Gjakovë

    Dragan Ristiq lirohet nga akuza për krime lufte në Gjakovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për krime lufte në Gjakovë, Dragan Ristiq.

    Aktgjykimi ndaj Ristiq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihej në barrë. Atij i ndërpritet masa e paraburgimit.

    I akuzuari Ristiq nuk ishte i pranishëm në shpallje.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 qershor 2025, Dragan Ristiq akuzohej se gjatë periudhës 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë, në territorin e qytetit të Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 maj 1999, në rrugën “Bajram Curri” në Gjakovë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar dhe të armatosur, të ndarë në grupe të ndryshme, kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e M.D., ku po qëndronin M.D., Dukagjin Dyla, bashkëshortja e tij, një fëmijë, si dhe dy të strehuarit C.H. dhe I.L.

    Fillimisht, thuhet se i kishin urdhëruar të dëmtuarit të dilnin në oborr, ku një polic kishte ndalur viktimat C.H. dhe I.L., pastaj njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre, duke i vrarë që të dy.

    Në aktakuzë thuhet se një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte M.D. dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kishin shtënë me armë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarve Florije Dyla, Dukagjin Dyla etj., duke i detyruar që të largoheshin nga shtëpia.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13 maj 1999, Florije Dyla, bashkë me Sabrije Dylën dhe Humajun Dylën, ishin kthyer në shtëpi, ku në korridor e kishin gjetur të vrarë M.D., i cili kishte fytyrën e gjakosur dhe një plagë në gjoks, ndërsa në oborr ishin gjetur të vrarë edhe C.H. dhe I.L., kufomat e të cilëve pas luftës ishin gjetur në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, ndërsa identifikimi ishte bërë përmes analizës së ADN-së.

    Në aktakuzë thuhet se nga 7 maji deri më 10 maj 1999, në territorin e qytetit të Gjakovës, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare, i pandehuri Dragan Ristiq kishte ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë, duke marrë pjesë aktive në ndalimin dhe ndarjen e dhunshme të meshkujve civilë shqiptarë nga familjet e tyre.

    Në aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999, në pikën e kontrollit të improvizuar tek ura e Islam Begut (Kulla e Avdullah Pashës) në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, fillimisht kishin ndalur veturën të cilën e drejtonte i dëmtuari Masar Caka, i kishin nxjerrë me forcë nga vetura të dëmtuarit Masar dhe Afrim Caka, u kishin kërkuar para dhe, në mungesë të mjeteve monetare, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, përfshirë goditje me grushte, shqelma dhe me kondakë armësh, në prani të fëmijëve dhe familjarëve, si dhe kishin ndaluar dhe keqtrajtuar edhe civilë të tjerë shqiptarë në të njëjtin vend, pa ndonjë bazë ligjore apo procedurale.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se kishin ushtruar kontroll mbi kolonën e civilëve të dëbuar me qëllim të selektimit dhe ndarjes së burrave për qëllime të mëtejshme represive, me ç’rast gjatë këtij aksioni u arrestuan Afrim Caka dhe Enver Dyla dhe u burgosën rreth 300 persona civilë të nacionalitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera, të cilët fillimisht u mbajtën në burgje të improvizuara, pa trajtim human, duke u munguar gjërat elementare si ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi shëndetësor.

    Më pas, një pjesë e të burgosurve ishin liruar, rreth 150 prej tyre ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe, në fund, nga Burgu i Dubravës, sipas aktakuzës, u transferuan në burgjet e Serbisë, ku pas qershorit të vitit 1999 të dëmtuarit u liruan me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

    Në pikën e tretë të dispozitivit të parë thuhet se forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjet Caka, Dyla dhe të gjitha familjet që banonin në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës.

    Në këtë pikë thuhet më tej se, në ditën kritike, pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë tre persona.

    Sipas aktakuzës, të njëjtit i kishin detyruar të gjithë banorët e lagjeve që t’u bashkoheshin kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.

    Sipas pikës së katërt të kësaj aktakuze, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe të filluar më 7 maj 1999 dhe të përfunduar më 10 maj 1999, ku bënte pjesë edhe i pandehuri Dragan Ristiq, fillimisht u plaçkitën shtëpitë e familjeve Caka dhe Dyla dhe të gjitha shtëpitë në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës, të nacionalitetit shqiptar, e më pas u dogjën, duke u shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.

    Me këto veprime, i pandehuri Dragan Ristiq akuzohej se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në bashkëkryerje, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. /BetimipërDrejtësi

  • Zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve merren në pyetje nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës

    Zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve merren në pyetje nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës

    Autoritetet në Kosovë i kanë marrë në pyetje disa zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) të mërkurën, si pjesë e një aksioni ndaj agjencisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve.

    Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari, si dhe dy zyrtarë të tjerë janë shoqëruar për në stacionin policor për t’u marrë në pyetje, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    Paraprakisht, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se bastisja në ARBK po zhvillohej për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Shala nuk ka treguar se cilat janë funksionet e zyrtarëve të tjerë, por ka bërë të ditur se aksioni i Prokurorisë është ende duke vazhduar.

    “Prokurori do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me rastin”, tha ajo.

    Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë hollësi rreth keqpërdorimeve të dyshuara në këtë agjenci.

    ARBK-ja është institucioni kryesor për regjistrimin dhe administrimin e bizneseve në Kosovë, dhe vepron nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

  • Haradinaj reagon për tragjedinë në Vjenë: I trishtë lajmi për vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës

    Haradinaj reagon për tragjedinë në Vjenë: I trishtë lajmi për vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të trishtë lajmin për humbjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës në vendin e tyre të punës në Vjenë të Austrisë

    “Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe me të gjithë ata që i njohën”, ka shkruar ai në Facebook.

    Postimi i tij i plotë:

    I trishtë lajmi për vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës në vendin e tyre të punës në Vjenë të Austrisë.

    Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe me të gjithë ata që i njohën.

    Zoti ua lehtësoftë dhimbjen!