ATV

Blog

  • Shqiptari në Norvegji arrin një sukses të madh, Ari Bajgora fiton çmimin e madh në Spellemannprisen

    Shqiptari në Norvegji arrin një sukses të madh, Ari Bajgora fiton çmimin e madh në Spellemannprisen

    Artisti i ri shqiptar në Norvegji, Ari Bajgora, ka arritur një sukses të madh duke fituar çmimin “Kënga e Vitit” në ceremoninë prestigjioze Spellemannprisen, për këngën “Falle og slå seg”.

    Lajmi është pritur me entuziazëm nga publiku dhe figura të njohura, ndërsa urimet nuk kanë munguar në rrjetet sociale.

    Mes tyre, edhe reagimi i Sylo Taraku, i cili e vlerësoi rrugëtimin e artistit duke e cilësuar si një nga artistët më premtues të momentit.

    Fitorja e Bajgorës shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes së industrisë muzikore norvegjeze.

    Me talentin dhe përkushtimin e tij, ai po dëshmon se suksesi ndërkombëtar është i arritshëm për artistët e rinj shqiptarë.

  • Barcelona drejt ndryshimeve në sulm-E ardhmja e Torres në dyshim, Lewandowski drejt vazhdimit

    Barcelona drejt ndryshimeve në sulm-E ardhmja e Torres në dyshim, Lewandowski drejt vazhdimit

    Barcelona po përgatitet për ndryshime në repartin ofensiv për sezonin e ri, ku në qendër të vëmendjes janë Ferran Torres dhe Robert Lewandowski.

    Sipas raportimeve nga mediat katalanase, klubi është i hapur të dëgjojë oferta për Torres gjatë merkatos së verës. Sulmuesi spanjoll nuk po kalon një formë të mirë, pasi ka mbetur pa shënuar në 11 ndeshjet e fundit dhe ka humbur vendin në formacionin titullar, i cili tashmë i përket Lewandowskit.

    Me kontratën që i skadon në vitin 2027, drejtuesit e Barcelonës po konsiderojnë shitjen e Torres këtë verë, për të shmangur rënien e vlerës së tij në të ardhmen. Nëse katalanasit vendosin ta nxjerrin në shitje, interesi nga klubet evropiane pritet të jetë i lartë.

    Ndërkohë, situata e Robert Lewandowskit duket më e qëndrueshme. Pavarësisht se është 37 vjeç, sulmuesi polak mbetet një element kyç për skuadrën dhe është i gatshëm të vazhdojë në “Camp Nou”, nëse klubi vendos ta mbajë.

    Edhe presidenti Joan Laporta ka lënë të kuptohet më herët se dëshiron vazhdimësinë e Lewandowskit, ndërsa për Torres nuk ka pasur deklarata të ngjashme — një sinjal i qartë për drejtimin që mund të marrë Barcelona gjatë kësaj vere.

  • Sytë e skuqur pas zgjimit: Kur është normale dhe kur duhet shqetësuar

    Sytë e skuqur pas zgjimit: Kur është normale dhe kur duhet shqetësuar

    Skuqja mund të jetë e padëmshme, por në disa raste lidhet me sëmundje që kërkojnë trajtim të menjëhershëm

    Zgjimi me sy të skuqur është një dukuri e shpeshtë që mund të shkaktojë shqetësim menjëherë pas ngritjes. Shpesh skuqja kalon vetë gjatë ditës, por nëse shfaqet me dhimbje, sekrecion apo simptoma të tjera, duhet të konsultoheni me mjekun.

    Shumë faktorë, nga ndikimet e jashtme në dhomën e gjumit deri te sëmundjet sistemike të fshehura, mund të ndikojnë në ndryshimin e ngjyrës së të bardhës së syrit gjatë natës. Është e rëndësishme të dalloni irritimin e zakonshëm nga simptomat që mund të tregojnë probleme më serioze shëndetësore.

    Simptomat më serioze mund të çojnë në humbje të përhershme të shikimit, prandaj është më mirë të konsultoheni me një specialist të syve sa herë që keni problem, thotë optometristi Ves Imler.

    Simptomat serioze janë:

    ▪ Skuqje që nuk kalon me pika për sy ose brenda disa ditësh
    ▪ Dhimbje në sy që është e fortë ose zgjat gjatë gjithë ditës, apo disa ditë
    ▪ Sekrecion
    ▪ Ndjeshmëri ndaj dritës
    ▪ Ndryshime në shikim, si turbullim ose humbje e shikimit
    ▪ Simptoma të tjera, si temperaturë, dhimbje koke, të përziera apo të vjella

    Dr. Imler shpjegon se çfarë mund të shkaktojë këto dhe simptoma të tjera.

    Shkaqet e zgjimit me sy të skuqur
    Alergjitë

    Shfaqja e kruarjes, ënjtjes dhe skuqjes së syve, ndonjëherë e shoqëruar me sekrecion të bardhë e fijor, zakonisht tregon praninë e alergjive. Këto simptoma vijnë nga reagimi i sistemit imunitar ndaj alergjenëve si:

    ▪ Merimangat e pluhurit
    ▪ Qimet e kafshëve shtëpiake
    ▪ Ambrozia
    ▪ Poleni
    ▪ Myku

    Kam pasur shumë pacientë që ankoheshin për sy të skuqur dhe alergji në mëngjes, dhe më thoshin se kafshët e tyre kishin fjetur në shtrat apo në jastëk. Kur sytë bien në kontakt me alergjenë dhe nuk lani fytyrën para gjumit, rritet rreziku i një reagimi inflamator, shpjegon dr. Imler.

    Mungesa e gjumit

    Mungesa e gjumit mund të ulë prodhimin e lotëve dhe të rrisë qarkullimin e gjakut në sy, duke shkaktuar tharje dhe skuqje.

    Skuqja nga mungesa e gjumit zakonisht largohet me pushim dhe pika hidratuese për sy. Përmirësimi ndodh brenda disa orësh ose një dite.

    Lodhja e syve dhe sindroma e përdorimit të kompjuterit

    Sa më shumë të shikoni ekranet, aq më pak pulsoni sytë. Pulitja ndihmon në mbajtjen e lagështisë dhe mbrojtjes së syrit. Kur kjo mungon, sytë bëhen më të thatë dhe më të skuqur.

    Sa më shumë kohë kaloni para pajisjeve, aq më të theksuara janë simptomat. Problemet si syri i thatë nuk zhduken menjëherë dhe mund të zgjasin edhe ditën tjetër, thotë dr. Imler.

    Apnea e gjumit dhe aparatet CPAP

    Aparatet CPAP përdoren për trajtimin e apnesë së gjumit. Maskat vendosen mbi hundë ose gojë për të ndihmuar frymëmarrjen gjatë natës.

    Nëse maska nuk qëndron mirë, ajri mund të depërtojë drejt syve, duke i tharë dhe duke i bërë të duken të skuqur në mëngjes.

    Uveiti

    Uveiti është inflamacion i shtresës së mesme të syrit dhe shoqërohet me:

    ▪ Turbullim ose ulje të shikimit
    ▪ Ndjeshmëri ndaj dritës
    ▪ Skuqje të syve
    ▪ Dhimbje dhe irritim

    Uveiti është gjendje serioze, pasi mund të çojë në dëmtime të përhershme nëse nuk trajtohet.

    Sindroma e kapakëve të lirshëm

    Kjo gjendje, më e shpeshtë te meshkujt dhe personat me mbipeshë, ndikohet nga pozicioni i gjumit. Nëse flini me fytyrë në jastëk, kapakët mund të fërkohen gjatë natës.

    Nëse kapakët janë më elastikë dhe irritohen gjatë gjumit, mund të zgjoheni me sy të skuqur dhe të ënjtur, thotë dr. Imler.

    Entropioni

    Me kalimin e moshës, kapaku mund të kthehet nga brenda, duke bërë që qerpikët të fërkohen me syrin. Kjo shkakton siklet, kruarje dhe lotim.

    Hemorragjia subkonjunktivale

    Kjo ndodh kur një enë gjaku çahet në pjesën e bardhë të syrit. Zakonisht nuk është e dhimbshme dhe kalon vetë.

    Mund të zgjoheni me një pjesë ose gjithë syrin të skuqur. Shpesh ndodh gjatë kollitjes, teshtitjes apo lodhjes fizike.

    Glaukoma akute me kënd të mbyllur

    Kjo gjendje shkakton skuqje, ënjtje dhe dhimbje të fortë, për shkak të rritjes së presionit në sy.

    Presioni i lartë mund të çojë shpejt në humbje të shikimit dhe shoqërohet me dhimbje koke, të përziera dhe të vjella.

    Artriti reumatoid

    Kjo sëmundje autoimune mund të prekë edhe sytë, duke shkaktuar inflamacion.

    Shumë sëmundje të trupit ndikojnë edhe në sy. Inflamacioni në organizëm mund të shkaktojë skuqje kronike, dhimbje dhe ndjeshmëri ndaj dritës, përfundon dr. Imler.

  • Shkele në gozhdë apo u preve në metal? Kur duhet vaksina kundër tetanusit

    Shkele në gozhdë apo u preve në metal? Kur duhet vaksina kundër tetanusit

    Infeksion i rrallë, por potencialisht fatal: çfarë duhet të dini për rrezikun, simptomat dhe kur është e domosdoshme vaksina

    Tetanusi është një infeksion i rrallë, por shumë serioz që kërkon trajtim urgjent, pasi në disa raste mund të jetë fatal. Shkaktohet nga bakteri Clostridium tetani, që gjendet në pluhur, tokë dhe jashtëqitje kafshësh. Kur hyn në trup përmes një plage, mund të shkaktojë infeksion të njohur si “noçka e nofullës”, me ngurtësim dhe spazma të muskujve. Në shumicën e rasteve nuk zhvillohet, por rreziku ekziston.

    Dëmtime të mundshme
    Toksina e bakterit sulmon sistemin nervor dhe shkakton spazma të dhimbshme të muskujve, zakonisht në nofull dhe qafë. Mund të çojë në vështirësi në frymëmarrje e gëlltitje, çrregullime të ritmit të zemrës, dëmtime nervore, fraktura, sepsë dhe madje vdekje. Simptomat zakonisht shfaqen 7–10 ditë pas infektimit.

    Sa është rreziku pas një plage?
    Rreziku është i vogël, por jo zero. Falë vaksinimit në fëmijëri, rastet janë të rralla. Infeksioni shfaqet kryesisht tek personat e pavaksinuar ose të pavaksinuar në kohë.

    Grupet më të rrezikuara: të moshuarit, personat me imunitet të dobët, diabetikët dhe përdoruesit e drogave intravenoze.

    Çfarë është vaksina kundër tetanusit?
    Përmban toksinë të inaktivuar (toksoid) që nxit trupin të prodhojë antitrupa dhe të krijojë mbrojtje për ekspozimet e ardhshme

    Kur nevojitet vaksina?
    Varet nga lloji i plagës dhe koha e vaksinimit të fundit. Rreziku rritet në rastet:

    plagë shpuese (gozhdë, gjilpëra, etj.)
    kafshime kafshësh
    djegie
    fraktura të hapura
    prerje të thella të ndotura
    plagë të infektuara
    infeksione dentare
    Në këto raste vaksina mund të nevojitet edhe nëse është marrë brenda 10 viteve.

    Nëse nuk jemi të sigurt për vaksinimin
    Nëse kanë kaluar mbi 10 vjet nga vaksina e fundit, rekomandohet rivaksinimi.
    Në plagë serioze, rekomandohet edhe nëse kanë kaluar mbi 5 vjet.
    Nëse nuk ka evidencë vaksinimi, fillohet skema e plotë dhe jepet edhe imunoglobulina (HTIg).

    Si bëhet imunizimi?
    Të vaksinuarit (≤10 vjet): nuk marrin as vaksinë as HTIg
    Të vaksinuarit (>10 vjet): marrin 1 dozë + HTIg
    Të pavaksinuarit: marrin seri dozash + HTIg

    Vaksina dhe HTIg jepen intramuskularisht, në pjesë të ndryshme të trupit.

    A shkakton ndryshku tetanus?
    Jo drejtpërdrejt. Por objektet e ndryshkura shpesh janë në mjedise të ndotura dhe mund të bartin bakterin.

    Kur nuk nevojitet vaksina?
    Nëse plaga është e vogël, e pastër dhe jeni vaksinuar brenda 10 viteve, zakonisht nuk nevojitet.

    A është e dëmshme vaksina më herët?
    Jo. Është e sigurt edhe para afatit 10-vjeçar.
    Efektet anësore zakonisht janë të lehta: dhimbje, ënjtje, temperaturë e lehtë, lodhje.

    Mbani mend!
    Vaksinimi rekomandohet në plagë të thella, të ndotura ose kur statusi i vaksinimit është i paqartë.
    Në plagë të vogla dhe të pastra, zakonisht nuk është i nevojshëm, por këshillimi me mjekun mbetet i rëndësishëm.

  • Hajnat bëjnë kërdi në Prizren, në dy shtëpi vjedhin stoli ari e para

    Hajnat bëjnë kërdi në Prizren, në dy shtëpi vjedhin stoli ari e para

    Dy raste të vjedhjeve janë raportuar të dielën në rajonin e Prizrenit.

    Sipas policisë, dje pasdite në Leshan të Suharekës hajnat janë futur në një shtëpi ku kanë vjedhur stoli ari.

    “Është raportuar se persona- të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar dhe nga aty kanë vjedhur një sasi stoli ari. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet në raportin e policisë.

    Rast i njëjtë ndodhi edhe në Krushë të Vogël, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë kryer vjedhje në një shtëpi,

    “Është raportuar se persona- të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar dhe nga aty kanë vjedhur një sasi stoli ari, para të gatshme si dhe disa gjësende tjera. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, njofton Policia.

  • Vdes ish-kryeministri francez

    Vdes ish-kryeministri francez

    Ka vdekur në moshën 88-vjeçare, ish-kryeministri francez Lionel Jospin, një socialist që ndërmori reforma si java e punës 35-orëshe dhe njohja ligjore e bashkëjetesës për çiftet e të njëjtit seks.

    Jospin, i cili drejtoi qeverinë nga viti 1997 deri në 2002-in, dha frymën e fundit të dielën, sipas deklaratës së familjes për agjencinë Agence France-Presse.

    Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, Jospin u paraqit si një figurë e pastër dhe e besueshme përballë rivalit të tij konservator Jacques Chirac.

    Megjithatë, në një rezultat të papritur, kandidati i ekstremit të djathtë Jean-Marie Le Pen e kaloi në balotazh, duke e eliminuar Jospinin nga gara dhe duke tronditur politikën franceze. Pas këtij momenti, ai u tërhoq nga politika.

  • Aeroplani përplaset me një veturë, pezullohen të gjitha fluturimet në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut

    Aeroplani përplaset me një veturë, pezullohen të gjitha fluturimet në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut

    Aeroporti LaGuardia i Nju Jorkut u mbyll për fluturime herët të hënën pasi një aeroplan i Air Canada dhe një automjet i Autoritetit Portual u përplasën.

    Departamenti i policisë së Nju Jorkut konfirmoi përplasjen, por nuk mundi të ofronte menjëherë informacione të mëtejshme.

    Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Qytetit të Nju Jorkut tha se zjarrfikësit iu përgjigjën raporteve për një aeroplan që u përplas me një automjet në pistë në orën 23:38.

    Përditësimi erdhi pasi faqja e internetit e ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 tha në një postim në X vonë të dielën se një aeroplan i Air Canada Express ishte përplasur me një automjet tokësor në aeroport.

    Më parë, departamenti i zjarrfikësve “iu përgjigj një incidenti të raportuar që përfshinte një aeroplan dhe një automjet në pistë”, tha një zëdhënës për AFP, por nuk specifikoi natyrën e incidentit.

    Autoriteti i menaxhimit të emergjencave të Nju Jorkut paralajmëroi njerëzit të “prisnin anulime, mbyllje rrugësh, vonesa në trafik dhe personel emergjence” pranë qendrës kryesore të transportit në lagjen Queens.

    “Përdorni rrugë alternative”, tha ai në X.

    E Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) lëshoi një ndalesë tokësore për të gjithë aeroplanët në aeroport, sipas një njoftimi nga rregullatori.

    Njoftimi i FAA-së tregoi se arsyeja e ndalimit në aeroport ishte një emergjencë dhe kishte një probabilitet të lartë për një zgjatje, pa specifikuar asnjë detaj.

    Në një njoftim të veçantë, FAA bëri të ditur se aeroporti mund të mbyllet deri në orën 14:00 sipas orës lokale.

  • Çmimet e naftës rriten pasi Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të kërcënimit të Trump

    Çmimet e naftës rriten pasi Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të kërcënimit të Trump

    Çmimet e naftës u rritën të dielën pasi Irani kërcënoi të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, për një kohë të pacaktuar në përgjigje të ultimatumit të presidentit Donald Trump që kërkonte rivendosjen e trafikut të naftës përmes rrugës ujore kritike.

    Nafta e papërpunuar Brent, çmimi global i referencës, u rrit me 1.69% në rreth 114.09 dollarë për fuçi. Nafta e papërpunuar amerikane u rrit me 2% në 100.29 dollarë. Goldman Sachs tha të premten se çmimet e larta mund të vazhdojnë deri në vitin 2027.

    Trump tha gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara do të “shkatërrojnë” termocentralet e Iranit nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet deri të hënën në mbrëmje.

    Irani u përgjigj se nëse Trump e zbaton kërcënimin, do ta mbyllë plotësisht ngushticën dhe do të refuzojë ta rihapë atë derisa të rindërtohen termocentralet e shkatërruara.

    Irani tha gjithashtu se do të shënjestrojë infrastrukturën e energjisë dhe komunikimit të SHBA-së dhe Izraelit në rajon. Lufta në Iran, tani në javën e katërt, ka shkaktuar tashmë çrregullime të mëdha në tregjet globale të naftës, kryesisht për shkak të mbylljes efektive të ngushticës, një nga rrugët më të ngarkuara të transportit të naftës në botë.

  • Një sukses i jashtëzakonshëm që nga “Oppenheimer” – filmi “Project Hail Mary” debuton me mbi 74 milionë euro

    Një sukses i jashtëzakonshëm që nga “Oppenheimer” – filmi “Project Hail Mary” debuton me mbi 74 milionë euro

    Filmi “Project Hail Mary” me aktorin Ryan Gosling në rol kryesor arriti një sukses të jashtëzakonshëm gjatë fundjavës së parë të shfaqjes në Amerikën e Veriut, duke fituar rreth 74 milionë euro.

    Ky rezultat është më i madhi për një film që nga “Oppenheimer” dhe vendosi rekord për studio Amazon MGM, duke tejkaluar filmin “Creed III” që kishte fituar 54 milionë euro në 2023.

    “Project Hail Mary” ka realizuar edhe hapjen e dytë më të madhe për një film, duke u renditur vetëm pas “Oppenheimer”-it, dhe tani është një nga tre filmat të fundit 10 vjetëve që kanë debutuar me mbi 65 milionë euro.

    Filmi ka tejkaluar debutimet e filmave të tjerë të njohur të zhanrit si “The Martian” (49,96 milionë euro), “Gravity” (51,15 milionë euro) dhe “Interstellar” (43,7 milionë euro).

    Regjia është bërë nga Phil Lord dhe Christopher Miller, dhe filmi ka pasur një buxhet rreth 184 milionë euro.

    Audienca e ka pritur shumë mirë, me 83 për qind që do ta rekomandonin filmin dhe 55 për qind të shikuesve nën 35 vjeç.

    Filmi ka qenë veçanërisht i kërkuar në formatet premium, ku IMAX dhe platformat e mëdha kontribuuan në pjesën më të madhe të fitimeve.

  • Holanda prezanton akulloren që qetëson dhimbjet e kokës

    Holanda prezanton akulloren që qetëson dhimbjet e kokës

    Një ide mjaft e pazakontë vjen nga Holanda, ku një prodhues akulloresh ka krijuar një koncept të ri: akullore që ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të kokës.

    Në vend të një akulloreje të zakonshme, ky produkt përmban një sasi të vogël qetësuesi, duke i mundësuar konsumatorit të shijojë ëmbëlsirën dhe njëkohësisht të ndihmojë trupin të përballojë dhimbjen.

    Një kombinim i tillë nuk shihet shpesh dhe ka tërhequr menjëherë vëmendje.

    Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ndryshme, nga kurioziteti dhe habia, tek diskutimet mbi sigurinë dhe përdorimin e ilaçeve të integruara në ushqim.

    Disa e shohin si një mënyrë inovative për t’iu përgjigjur nevojave të përditshme, ndërsa ekspertët mjekësorë paralajmërojnë për rëndësinë e dozimit të saktë dhe kontrollit të përbërësve.

    Kjo tregon qartë se bashkimi i ushqimit me trajtimin mjekësor mund të sjellë mundësi, por edhe sfida. Ideja tregon se inovacioni mund të vijë nga vendet më të papritura dhe nga kombinime të pazakonta.

    Eksperimenti holandez me akulloren qetësuese është një shembull i një qasjeje kreative që sfidon kufijtë tradicionale mes ushqimit dhe ilaçeve, duke hapur rrugën për produkte të reja që mund të ndryshojnë mënyrën se si përjetohet një ushqim ose një trajtim shëndetësor.