ATV

Blog

  • Pesë të vrarë për një javë në Kosovë, përfshirë autoren e një krimi të rëndë në Podujevë

    Pesë të vrarë për një javë në Kosovë, përfshirë autoren e një krimi të rëndë në Podujevë

    Pesë persona të vrarë është bilanci i një jave të rëndë krimi në Kosovë. Java e kaluar që nisi me një vrasje në qendër të Gjakovës, përfundoi me një vrasje edhe më të rëndë në një fshat të Podujevës, ku humbën jetën 3 persona, përfshirë autoren e cila dyshohet se pas krimit e qëlloi edhe veten.

    Tre persona vdiqën, përfshirë autoren, në një vrasje të rëndë mbrëmë në Majac të Podujevës.

    Një 31-vjeçare me inicialet A.G. dyshohet se pasi vrau I.B (burrë, 45 vjeç) – i cili vdiq në vendin e ngjarjes – e plagosi edhe gruan e axhës së saj, M.G (73-vjeçare), e cila gjithashtu vdiq më pas në QKUK, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

    Nuk mundi t’i përballojë plagëve as vetë autorja, e cila pasi qëlloi në drejtim të dy viktimave, dyshohet se e qëlloi edhe veten. Ajo vdiq gjithashtu në Qendrën Emergjente në QKUK.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se në vendin e ngjarjes ka sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja si dhe “prova të tjera materiale relevante për rastin”.

    Prokuroria thotë se po zhvillon hetime intensive lidhur me rastin, duke thënë fillimisht se “motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur”.

    E rezervuar për të dhënë detaje për shkak të fazës preliminare të hetimeve, zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala tha sot në një prononcim për mediat se krimi dyshohet se ndodhi “për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre” (autores dhe 45-vjeçarit).

    Policia e Kosovës bëri të ditur në raportin e saj ditor një burrë u gjet pa shenja jete në një veturë, ndërsa brenda një shtëpie i gjetën dy gra me plagë të rënda.

    Ky krim i rëndë e çoi në pesë numrin e të vrarëve brenda javës së kaluar në Kosovë.

    Një ditë më herët, të shtunën, një person u vra në orët e pasdites në fshatin Bokshiq të Klinës. I dyshuari J.J., i arrestuar në vendin e ngjarjes, Policia tha se është vëllai i viktimës.

    Prokuroria Themelore e Pejës tha se kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në krim dhe prova të tjera relevante.

    Ndaj të dyshuarit u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

    Java e kaluar kishte nisur me një vrasje të rëndë në qendër të Gjakovës. Një person u vra në rrugën “Vëllezërit Frashëri” dhe një tjetër mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në mëngjesin e hershëm të së hënës.

    I dyshuari fillimisht ishte në arrati dhe Policia, që e kishte identifikuar, po e kërkonte, derisa ai dy ditë më pas vendosi të vetdorëzohej.

  • “90% i kanë kështu, po m’gërrdisin…” – Blerina Veseli kritikon meshkujt për xhinset e ngushta

    “90% i kanë kështu, po m’gërrdisin…” – Blerina Veseli kritikon meshkujt për xhinset e ngushta

    Aktorja Blerina Veseli ka bërë një reagim në rrjetet sociale të drejtpërdrejtë lidhur me mënyrën e veshjes së meshkujve. Ajo u shpreh me ironi: “Djema, a spo ka nr të pantollave (xhinseve) a çka osht puna që po vizatoheni kaq shumë?!!! Nejse veç thashë…”

    Në emisionin “LIBERO”, e pyetur nga Resul Sinani lidhur për këtë reagim, Veseli sqaroi se komenti i saj lidhej me një perceptim të dyfishtë në shoqëri sa i përket kritikave për veshjen.

    “…Gjithmonë kritikat sidomos për veshje ka qenë ndaj femrave… të kthehemi pak e t’i shohim meshkujt qysh po vishen, 90% i ki qishtu… unë nuk kam tesha aq t’ngushta sa kanë meshkujt sot… edhe përnime unë si Blerinë, unë si femër, kur po i shoh qashtu meshkujt, po m’gërrdisin…”, u shpreh Veseli.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Blerina Veselit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ministria e Financave nënshkruan marrëveshjet në vlerë 96 milionë euro me Bankën Botërore

    Ministria e Financave nënshkruan marrëveshjet në vlerë 96 milionë euro me Bankën Botërore

    Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar sot dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro, me qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.

    Marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë prej 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga kredi prej 35 milionë euro dhe grant prej 12 milionë euro. Këto projekte synojnë të mbështesin reforma strukturore dhe investime strategjike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

    Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar, do të mbështetesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve kyçe financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.

    Ndërkaq, Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar edhe më tej vendin me rrjetet dhe standardet evropiane.

  • Zara Larsson tregon se humbi kontratë gati 3 milionë euroshe pas një shakaje në TikTok për abortin

    Zara Larsson tregon se humbi kontratë gati 3 milionë euroshe pas një shakaje në TikTok për abortin

    Zara Larsson ka zbuluar se humbi një marrëveshje të madhe prej 3 milionë dollarësh (rreth 2.7 milionë euro) pasi bëri një shaka për abortin në TikTok, e cila shkaktoi reagime të forta online.

    Këngëtarja 28-vjeçare reagoi ndaj kritikave duke theksuar se nuk pendohet për qëndrimin e saj dhe se nuk do të bashkëpunonte me një markë që nuk ndan të njëjtat vlera, shkruan DailyMail.

    “Dua të them, kohët e fundit, shakaja për abortin, e cila është shumë qesharake meqë ra fjala, humba një marrëveshje prej 3 milionë dollarëshe”.

    Ajo shtoi: “Nëse nuk jeni dakord me mendimin tim që gratë duhet të kenë akses në abort ose që mund të bëjmë një bisedë shakaje për këtë, atëherë nuk jemi të destinuar të jemi partnerë”.

    Zara theksoi se nuk ndikohet nga kritikat dhe mbetet e vendosur në bindjet e saj, pavarësisht humbjes financiare.

  • Pse fryma fetare është pjesë e poezisë së Jonës Bajraj?

    Pse fryma fetare është pjesë e poezisë së Jonës Bajraj?

    Poetja Jona Bajraj në poezinë e saj përdor fjalë dhe shprehje të letërsisë së vjetër, duke integruar elemente të gjuhës turke, arabe dhe osmane. Ajo thotë se kjo qasje ka lidhje me studimet e saj akademike dhe frymën fetare që i karakterizon veprat.

    “…Unë shquhem pak për stilin e letërsisë së vjetër. Mendoj që më arsyetohet të përdor terminologjinë e vjetër (në poezi), sepse jam master në këtë fushë, kam studiuar gjuhën dhe letërsinë turke, arabe… osmanishten e vjetër… është frymë fetare, d.m.th. pjesa kryesore e kësaj lloj letërsie është dashuria për Krijuesin…”, theksoi ajo.

    Bajraj ka mbi 40 vepra të përkthyera nga gjuha turke, duke treguar fokusin e saj në studimin dhe interpretimin e letërsive orientale.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Jona Bajraj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Konsullata e Kosovës në Cyrih – bashkatdhetarëve: S’ka nevojë për termine, mund të vini direkt, ky është orari i punës

    Konsullata e Kosovës në Cyrih – bashkatdhetarëve: S’ka nevojë për termine, mund të vini direkt, ky është orari i punës

    Konsullata e Kosovës në Cyrih të Zvicrës ka njoftuar bashkatdhetarët se po punon pa termine.

    Pasi tha se mori kërkesa për informata lidhur me terminet, Konsullata njoftoi se nga 1 nëntori 2024 ato nuk janë më të nevojshme.

    “Të dashur bashkatdhetarë, Duke marrë parasysh se kemi kërkesa për informata lidhur me terminet, ju njoftojmë se që nga 1 nëntori 2024, nuk ka më nevojë për termine në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih. Mund të vini direkt gjatë orarit të punës”, shkroi Konsullata në një njoftim në Facebook.

    Konsullata e Kosovës në Cyrih njoftoi se punojnë nga e hëna deri të enjtën prej orës 09:00 deri në orën 17:00 dhe të premten nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

    “📧 Kontakti: Email: [email protected]. Tel: +41 43 343 01 71 🚨 Për raste emergjente: +41 43 311 89 00″.

    Konsullata theksoi se “numri i zakonshëm i telefonit nuk është aktiv gjatë festave zyrtare dhe fundjavave”.

  • Një foto në Google Maps i prish martesën, burri zbulon tradhtinë e gruas

    Një foto në Google Maps i prish martesën, burri zbulon tradhtinë e gruas

    Një burrë i dha fund martesës së tij pasi hasi në fotografi intime të gruas së tij me një burrë tjetër, ndërsa shfletonte Google Maps.

    Burri po hartonte një plan përpara se të nisej për një udhëtim kur vuri re një imazh të gruas së tij të ulur në një stol duke i ledhatuar butësisht flokët një burri tjetër, koka e të cilit ishte mbështetur në prehrin e saj.

    E kapur nga një automjet me kamera të Google në Lima, kryeqytetin peruan, burri i habitur tha se fotografia i tërhoqi vëmendjen sepse gruaja në foto dukej se mbante veshur rroba identike me ato që zotëronte gruaja e tij.

    Çifti, identiteti i të cilëve mbetet anonim, u divorcua më pas pasi gruaja rrëfeu se kishte një lidhje jashtëmartesore.

    Një komentues në rrjete sociale tha: “Sa e vogël që është kjo botë … Do të kishte qenë e mjaftueshme nëse ajo do t’i thoshte burrit të saj se nuk e donte më”.

  • Haxhiu priti Ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barishiq

    Haxhiu priti Ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barishiq

    Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq

    Gjatë këtij takimi miqësor u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

    Kryetarja Haxhiu vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën, veçanërisht në rrugëtimin euroatlantik të vendit.

  • FAST Kosova arreston në Prishtinë një shtetas të huaj, dyshohet për një vrasje në Danimarkë

    FAST Kosova arreston në Prishtinë një shtetas të huaj, dyshohet për një vrasje në Danimarkë

    Një shtetas i huaj i kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare për veprën penale të vrasjes është arrestuar sot në Prishtinë, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës.

    Arrestimi është realizuar nga njësia FAST Kosova, në bashkëpunim me njësitë policore të rendit publik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), pas një pune operative në terren.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në bazë të një letër-rreshtimi ndërkombëtar.

    “Arrestimi është kryer në bazë të një letër-rreshtimi ndërkombëtar (Red Notice), të lëshuar nga autoritetet e INTERPOL-it të Danimarkës,” ka deklaruar Hoxha.

    Sipas tij, rasti është duke u trajtuar në koordinim të ngushtë me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me procedurat në fuqi.

    Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim garantimin e sigurisë së përgjithshme.

  • Marrja e patentëshoferëve me ryshfet, arrestohen katër ekzaminerë

    Marrja e patentëshoferëve me ryshfet, arrestohen katër ekzaminerë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njësiti për krime ekonomike dhe korrupsion, njofton opinionin publik se, sot më 23.03.2026, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë, katër persona të dyshuar.

    Njëri me inicialet I.M nga auto shkolla “A…….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale: “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të KPRK-së, dy persona me inicialet A.B dhe Z.B nga auto shkolla “I………….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 të KPRK-së dhe një person me emrin V.L ekzaminere për patentë shofer në MMPHI për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale: ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së.

    Ky arrestim është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policorë nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK në Prishtinë ashtu që pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës, ndërsa në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është realizuar kontrolli në dy auto shkollat e cekura më lartë ku janë siguruar provat e nevojshme materiale, ndërsa të pandehurve I.M dhe V.L, u janë sekuestruar telefonat e tyre mobilë.

    Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit, do të dorëzojë në gjykatë kërkesën për caktimin e ndonjë prej masave për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale.