ATV

Blog

  • Shea: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shpëtoi jetët e kosovarëve

    Shea: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shpëtoi jetët e kosovarëve

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në një intervistë për RTKLive, në përvjetorin e 27-të të fillimit të sulmeve ajrore të NATO-së ndaj ish-Jugosllavisë (Serbisë), tha se kishte qenë i bindur se përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm për të shpëtuar jetët e kosovarëve dhe se drejtësia ishte në anën e tyre.

    Sipas ish-zyrtarit të NATO-s, vendimi nuk ishte i vështirë, sepse qëndrimi kokëfortë i Millosheviçit dhe veprimet serbe, si masakra në Reçak, i bindën të gjithë aleatët se NATO duhej të ndërhynte për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë.

    Shea vlerësoi se, edhe pse njëzet e shtatë vjet më vonë Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, kjo është për të ardhur keq. “Sepse përballja me anën më të errët të historisë së vet dhe kërkimi i faljes për gabimet e së kaluarës është shenjë e një demokracie të pjekur. Dhe është thelbësore nëse vendet duan të ecin përpara dhe të kenë marrëdhënie normale me fqinjët e tyre”, tha ai.

    Ai tha se është përgjegjësi morale e qeverisë së Serbisë të pranojë krimet e kryera në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë dhe të emërojë një komision të pavarur të historianëve ndërkombëtarë dhe serbë për të hetuar dhe për të nxjerrë në dritë të gjitha faktet.

    Shea ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë. “Serbia ka përdorur taktika kundër Kosovës për të provuar ta dobësojë atë. Incidenti i Banjskës në shtator 2023 është një shembull i mirë. Prandaj, detyra kryesore e NATO-s sot është të ndihmojë Kosovën me inteligjencë më të mirë mbi këto forma të luftës hibride dhe të zhvillojë qëndrueshmërinë e saj të brendshme për t’u mbrojtur ndaj tyre”, tha ai.

    Serbia vazhdon të përdorë retorikë agresive ndaj vendeve fqinje, përfshirë Kosovën dhe Kroacinë. Shea këtë e lidh me mungesën e vizionit politik dhe burrështetësisë nga ana e udhëheqësve të Serbisë që nga rënia e regjimit të Millosheviçit.

    Ai ka folur edhe për Kosova që të jetë pjesë e NATO-së. “Kosova ndan vlerat e NATO-s dhe ka treguar se dëshiron të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme të NATO-s dhe jo vetëm të përfitojë nga siguria që NATO mund t’i ofrojë Kosovës, për shembull përmes KFOR-it”, tha ai.

  • Djali ushtron dhunë ndaj nënës në Pejë, ndalohet për 48 orë – dërgohet në repartin neuropsikiatrik

    Djali ushtron dhunë ndaj nënës në Pejë, ndalohet për 48 orë – dërgohet në repartin neuropsikiatrik

    Një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në rrugën “Marije Shllaku” në Pejë, ku një i ri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Ngjarja ka ndodhur më 23 mars rreth orës 11:00, kur Policia ka pranuar informacion dhe ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë takuar viktima dhe i dyshuari.

    Bëhet fjalë për Gj. A., i cili sipas deklarimit të viktimës – nënës së tij, P.A., ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në mënyrë të vazhdueshme, duke e goditur me shuplaka dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

    Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor dhe, pavarësisht rastit, ka vendosur të kthehet në shtëpinë e saj.

    Sipas informacioneve, i dyshuari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe pas ekzaminimit nga psikiatri nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.

    Në lidhje me rastin janë njoftuar Qendra për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

    Ai është dërguar në repartin neuropsikiatrik të Spitalit në Pejë, ku ndodhet nën përkujdesjen e zyrtarëve policorë.

    Hetimet janë në zhvillim.

  • Plagosja e inspektorit të IPK në Prishtinë – gjithçka që dihet deri tani

    Plagosja e inspektorit të IPK në Prishtinë – gjithçka që dihet deri tani

    Një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është plagosur me armë zjarri të hënën mbrëma rreth orës 21:00 në Rrugën “B” në Prishtinë.

    Sipas informacioneve fillestare, incidenti ka nisur si një konflikt verbal mes zyrtarit dhe një personi tjetër, i cili më pas ka eskaluar në të shtëna me armë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konfirmuar plagosjen e një personi.

    I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente, ku sipas mjekëve ndodhet në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Pas trajtimit fillestar, pritet të transferohet në Klinikën e Ortopedisë.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti nuk ka lidhje me detyrën zyrtare të inspektorit. Ndërkohë, i dyshuari për sulmin është identifikuar dhe është në kërkim nga policia.

    “Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “B” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rasrit ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, njoftoi Flora Ahemeti nga policia.

    Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

    Nga IPK është bërë e ditur se incidenti nuk lidhet me detyrën zyrtare, ndërsa Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet dhe janë në kërkim të të dyshuarit të identifikuar.

    “IPK ju konfirmon se nê incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në rrugën “B” në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare. Aktualisht policia dhe Prokuroria kanë filluar një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, tha Arbër Beka nga IPK.

  • Maqedonci: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë

    Maqedonci: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka kujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, gjersa thekson se është ndër ngjarjet më të lavdishme të historisë.

    Ministri Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se Beteja e Gllogjanit vulosi qartë se UÇK-ja nuk ishte më një vatër e kufizuar rezistence, por një ushtri e lindur nga populli dhe e shtrirë në gjithë Kosovën.

    Lexoni të plotë postimin:

    Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë të re — dëshmi e qëndresës, sakrificës dhe vendosmërisë së popullit tonë për liri.

    Më 24 mars 1998, forcat okupatore serbe rrethuan Gllogjanin me synimin për ta shuar rezistencën e armatosur. Por luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëshmuan se nuk ka rrethim, nuk ka forcë dhe nuk ka pushtues që mund ta ndalë një popull të vendosur për liri.

    Beteja e Gllogjanit vulosi qartë se UÇK-ja nuk ishte më një vatër e kufizuar rezistence, por një ushtri e lindur nga populli dhe e shtrirë në gjithë Kosovën.

    Beteja e Gllogjanit pasoi betejën te Gjashtë Lisat në Likoshan, më 28 shkurt, si dhe qëndresën heroike e të lavdishme të Jasharajve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

    Kjo ishte rruga jonë e vetme për t’i dhënë fund sundimit dhe shtypjes shekullore të Serbisë fashiste. Ishte një luftë e drejtë, e pastër dhe e shenjtë për liri. Përballë nesh ishte një makineri gjenocidale; përballë tyre qëndronte një popull që luftonte për të jetuar i lirë.

    Drejtësia e kauzës sonë solli edhe mbështetjen ndërkombëtare. Pikërisht më 24 mars 1999, një vit pas betejës së Gllogjanit, filloi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve serbe — moment historik që bashkoi sakrificën tonë me ndërgjegjen e botës demokratike.

    Dëshmorët dhe të gjithë të rënët për liri janë themeli i Republikës sonë. Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por obligim i përhershëm për ta ruajtur lirinë, shtetin dhe dinjitetin tonë kombëtar.

    Sot, mbi këtë histori sakrifice dhe qëndrese, Republika e Kosovës ka ndërtuar dhe fuqizuar ushtrinë e saj — një ushtri moderne, profesionale dhe e gatshme, garanci për mbrojtjen e territorit, për paqen dhe stabilitetin, dhe garanci se gjenocidi i viteve 1998-1999 nuk do të përsëritet më kurrë.

    Nderimet më të larta për Epopenë e Dukagjinit. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për liri!.

  • Varroset sot në Gjilan, 17-vjeçari që vdiq tragjikisht në Gjermani

    Varroset sot në Gjilan, 17-vjeçari që vdiq tragjikisht në Gjermani

    Anik Avdullah Babatinca, 17 vjeç, i cili vdiq pas një aksidenti tragjik në Gjermani, do të varroset sot.

    Kështu kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit, teksa shtuan se Aniku do varroset në fshatin Pogragjë në Gjilan.

    Sipas familjarëve, ceremonia e varrimit nis në orën 15:13, ndërsa e pamja do të mbahet nga dita e enjte deri të shtunën në Podujevë, në shtëpinë e familjes Babatinca.

  • E trishtë: Trevjeçari nga Peja vdes në Gjermani pasi ra në lumë

    E trishtë: Trevjeçari nga Peja vdes në Gjermani pasi ra në lumë

    Një fëmijë trevjeçar ka vdekur në Gjermani pak ditë pasi ka rënë në lumin Sieg River. Sipas RTL.de, vogëlushi ishte në koma që nga dita kur ra në lumë, por fatkeqësisht i njëjti ndërroi jetë sot pasi mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

    Ngjarja ka ndodhur më 17 mars në Siegen, derisa Peja në Fokus raporton se fëmija me iniciale Z.K., është me prejardhje nga Peja.

    Sipas RTL.de, fëmijët nga një çerdhe kishin dalë për aktivitet pranë ujit, nën mbikëqyrjen e disa edukatorëve. Siç tha “German Red Cross”, që menaxhon institucionin, gjithsej tetë kujdestarë po përkujdeseshin për 46 fëmijë.

    Në një moment u vu re mungesa e trevjeçarit. Kujdestarët nisën menjëherë kërkimet dhe e gjetën pas pak kohe në lumë, nga ku e nxorën. Ekipet emergjente e reanimuan në vendngjarje dhe më pas ai u dërgua në spital në gjendje kritike. Policia kishte deklaruar se nuk kishte indikacione për ndonjë vepër të qëllimshme dhe rasti po trajtohej si aksident tragjik.

    Pas gati një jave në gjendje të rëndë, sot u konfirmua lajmi i rëndë se trevjeçari ndërroi jetë në spital në orët e pasdites.

  • Albin Kurti feston ditëlindjen

    Albin Kurti feston ditëlindjen

    Sot është një ditë tejet e veçantë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Më 24 mars shënohet ditëlindja e tij, ndërsa sot Kurti mbushi plot 51 vjet jetë.

    Ditëlindja e tij lidhet edhe me një ngjarje historike të Kosovës, ditën kur nisën edhe bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, në vitin 1999, 24 vjet pasi lindi ai.

  • 28 vjet nga Epopeja e Dukagjinit

    28 vjet nga Epopeja e Dukagjinit

    Sot bëhen 28 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet “Epopeja e Dukagjinit” e zhvilluar me 24 mars 1998.

    Në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.

    Caku besohej të ishte shtëpia e familjes Haradinaj. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

    E për nder të kësaj epopeje, komuna e Deçanit bashkë me OVL-UÇK-në organizojnë disa aktivitete.

    Nga ora 11:00 do zhvillohen homazhe te Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, për të vazhduar më pas me mbajtjen e manifestimit qendror të Epopesë së Dukagjinit nga ora 12:00.

    Në ora 13:00 mbahet program artistik te Kulla e Haradinajve.

  • Sllovenia bëhet anëtarja e parë e BE-së që vendos masën e racionimit të karburantit

    Sllovenia bëhet anëtarja e parë e BE-së që vendos masën e racionimit të karburantit

    Sllovenia është bërë shteti i parë anëtar i BE-së që ka zbatuar racionimin e karburantit, për të përballuar krizën e shkaktuar nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Iranit duke goditur fqinjët në Gjirin Persik – shumica prej tyre akterë kryesorë në tregjet globale të energjisë, raporton “BBC”.

    Shumë vende kanë përjetuar rritje të mëdha të çmimeve të derivateve.

    Në Slloveni, kjo ka çuar në të ashtuquajturin “turizëm të karburantit”, pasi shoferët nga vendet fqinje, veçanërisht nga Austria, kanë udhëtuar e mbushur veturat me karburant në Slloveni, për të përfituar nga çmimet më të lira.

    Sipas masave të reja, drejtuesit privatë në Slloveni do të kufizohen në një blerje maksimale prej 50 litrash karburant në ditë. Bizneset dhe fermerët kanë një kufi më të lartë prej 200 litrash.

    Disa shitës karburanti kanë vendosur tashmë masa të tyre. Kompania hungareze MOL, e cila operon stacione karburanti në të gjithë rajonin, ka vendosur një kufi prej 30 litrash.

    “Më lejoni t’ju siguroj se ka mjaftueshëm karburant në Slloveni, depot janë plot dhe nuk do të ketë mungesë karburanti,” tha kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob gjatë fundjavës.
    Sipas masave të reja të Qeverisë së tij, kufizimet në nivel kombëtar do të zbatohen nga vetë pikat e karburantit, me punonjësit që duhet të sigurojnë se klientët nuk furnizohen mbi sasinë e lejuar.

    Qeveria gjithashtu po inkurajon shitësit e karburantit që të vendosin kufizime më të rrepta për drejtuesit e huaj.

    Çmimi për një litër benzinë “Euro-super 95” në Austri po i afrohet 1.80 euro, ndërsa dizeli është afër 2 euro. Në Slloveni aktualisht është i kufizuar në maksimum 1.47 euro dhe 1.53 euro përkatësisht, megjithëse pritet të rriten çmimet të martën.

    Për disa shoferë austriakë, diferenca e çmimeve është e mjaftueshme për të justifikuar një udhëtim përtej kufirit.

    Politikani i ekstremit të djathtë austriak Herbert Kickl, lideri i Partisë së Lirisë, ka përdorur udhëtimet e tij për furnizim si propagandë politike, duke postuar një foto të një radhe automjetesh me targa austriake që prisnin për t’u furnizuar në një pikë karburanti në Slloveni.

    “A nuk është kjo e trishtueshme”, pyeti ai. “që jetojmë në një vend ku është bërë e nevojshme për shumë njerëz të shkojnë jashtë që jeta të jetë më e lirë?”

    Disa sllovenë i shohin vizitorët si bezdi, duke shkaktuar radhë dhe mungesa për vendasit. Të tjerë, megjithatë, janë më mikpritës – duke theksuar se një pjesë e mirë e “turistëve të karburantit” e kthejnë këtë në një ditë të plotë, duke ngrënë në restorante lokale dhe duke bërë blerje.

  • Sot varroset Ilaz Brahimi që u vra nga e dashura

    Sot varroset Ilaz Brahimi që u vra nga e dashura

    Familja Brahimi nga Obiliqi ka njoftuar se sot do të varroset më i dashuri i tyre, Ilazi, i cili u vra të dielën në Majac të Podujevës.

    Në postimin e një familjari thuhet se të ndjerit do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e fshatit.

    Ceremonia mortore do të nis nga ora 12:30.

    Ndryshe, viktima u vra nga e dashura e tij, Ardita Gashi, e cila të dielën mbrëma e qëlloi edhe gruan e axhës së saj, 73-vjeçare, në rrethana.

    E plagosura dhe vet e dyshuara, vdiqën të hënën në QKUK. Kjo e fundit u lëndua pasi e plagosi veten.