ATV

Blog

  • Konjufca për 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit: Qëndresa e Gllogjanit vulosi fazën e pakthyeshme të luftës për liri

    Konjufca për 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit: Qëndresa e Gllogjanit vulosi fazën e pakthyeshme të luftës për liri

    Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kujtuar sot 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar 24 marsin 1998 si një nga momentet më vendimtare të rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në komunikatën e tij, Konjufca ka theksuar se beteja e Gllogjanit shënoi pikën ku “u dëshmua se vullneti për liri nuk mund të thyhet me rrethim e as me forcë”.

    “Ajo ditë nuk ishte vetëm një betejë; ishte një kthesë që e bëri të qartë se populli ynë kishte hyrë në një fazë të pakthyeshme të luftës për çlirim,” ka deklaruar Konjufca.

    Ai ka nderuar sakrificën e dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët, sipas tij, u shndërruan në simbol të një frymëzimi të gjerë kombëtar.

    “Nga ajo ditë, qëndresa në Dukagjin nuk ishte më vetëm lokale, por u bë thirrje për mobilizim në mbarë Kosovën,” ka shtuar ai.

    Konjufca ka theksuar se kujtimi për dëshmorët është “obligim për të tashmen dhe të ardhmen”, duke rikujtuar se liria e sotme është rezultat i guximit dhe vetëmohimit të tyre.

    “Përgjegjësia jonë është ta forcojmë shtetin, ta mbrojmë atë dhe ta zhvillojmë me dinjitet,” ka përfunduar Kryetari i Kuvendit.

    Në fund, ai ka shprehur nderimin e tij për të gjithë të rënët:
    “Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Epopesë së Dukagjinit dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës.”

  • Biletat e Sllovakisë për ndeshjen kundër Kosovës shiten në treg të zi

    Biletat e Sllovakisë për ndeshjen kundër Kosovës shiten në treg të zi

    Biletat për ndeshjen Sllovaki – Kosovë janë shitur ditë më parë për tifozët vendas, me çmime prej 19, 29 dhe 49 euro. Por tashmë disa prej tyre po shiten në treg të zi, kanë raportuar mediat sllovake të martën.

    Sipas “Sport24”, disa biletat arrijnë çmime deri në 70 euro, ndërsa të tjera shiten deri në 98 euro, duke krijuar një treg të jashtëligjshëm që po përfiton nga kërkesa e lartë.

    Federata sllovake e futbollit ka siguruar që biletat për tifozët vendas të mos përfundojnë te mbështetësit e Kosovës. Megjithatë, pritet që edhe tifozë kosovarë të jenë të pranishëm në pjesë të tjera të stadiumit, përveç tribunës së rezervuar për mysafirët.

    Ky fenomen vë në pah sfidën e menaxhimit të biletave në ngjarje me interes të lartë, ku kërkesa tejkalon ofertën dhe krijon treg të paligjshëm.

  • Irani lëshon raketa drejt Izraelit dhe Kuvajtit, pavarësisht raportimeve për përpjekje diplomatike

    Irani lëshon raketa drejt Izraelit dhe Kuvajtit, pavarësisht raportimeve për përpjekje diplomatike

    Irani ka kryer sulme kundër Izraelit dhe Kuvajtit të martën, rreth një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi për bisedime “shumë të mira dhe frytdhënëse” drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Teheranin, e cila tashmë ka hyrë në javën e katërt.

    Të paktën gjashtë njerëz janë plagosur si pasojë e sulmeve në katër lokacione në qytetin e Tel Avivit të martën. Zyrtarët vendës thanë se janë shkaktuar dëme nga mbetjet e raketave dhe dronëve iranianë të rrëzuar në ajër.

    Ndërkohë, Kuvajti tha se mbrojtja ajrore iu përgjigj “sulmeve me raketa dhe dronë” dhe se zhurmat e shpërthimeve të raportuara u shkaktuan nga ndërhyrja dhe neutralizimi i këtyre kërcënimeve.

    Teherani lëshoi raketa dhe dronë drejt caqeve në gjithë Lindjen e Mesme, mes raportimeve kontradiktore nëse po zhvilloheshin bisedime për të arritur një armëpushim në luftimet që nisën me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.

    Trump tha të hënën se bisedimet e fundjavës me një zyrtar “të lartë” iranian ishin mjaftueshëm domethënëse për ta shtyrë për pesë ditë mundësinë e sulmeve ndaj centraleve energjetike të Iranit, nëse ky i fundit nuk do ta rihapte Ngushticën e Hormuzit.

    Irani e ka mohuar vazhdimisht se ka pasur bisedime të drejtpërdrejta, megjithëse disa raportime mediatike, duke cituar burime anonime, thanë se ndërmjetës kishin qenë të përfshirë në përcjelljen e mesazheve mes dy palëve.

    Kenneth Pollack, ish-analist i Shtëpisë së Bardhë dhe CIA-s, tani në Institutin për Lindjen e Mesme (MEI), tha se ka pak prova që mbështesin pretendimet për përparim të afërt diplomatik, pavarësisht përpjekjeve të disa vendeve për të ndërmjetësuar bisedime.

    “Siç e kuptoj unë, iranianët janë përgjigjur me kushte shumë të forta paraprake: që SHBA-ja të paguajë dëmshpërblime dhe t’i tërheqë të gjitha forcat nga rajoni, gjëra që janë të papranueshme për Trumpin”, tha Pollack për Radion Evropa e Lirë në Uashington.

    “Deklaratat e Trumpit duket se kanë më shumë të bëjnë me qetësimin e tregjeve sesa me një përparim të vërtetë dhe të afërt”, theksoi ai.

    Shpërthimi i konfliktit ka bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm, veçanërisht meqë transporti është ndalur pothuajse plotësisht në Ngushticën e Hormuzit, pikën kyç për transportin detar nëpër të cilën kalon rreth një të pestën e naftës dhe gazit botëror.

    Konflikti ka tronditur tregjet e energjisë dhe ato financiare, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme dhe Perëndimin, duke shtuar shqetësimet se luftimet mund të përhapen dhe ta përfshijnë të gjithë rajonin.

    Kërcënimi për sulme ndaj rrjeteve elektrike në Gjirin Persik ka ngjallur frikë për ndërprerje masive të desalinizimit të ujit të pijshëm dhe ka tronditur më tej tregjet e naftës.

    Komentet e Trumpit për bisedimet ndihmuan që çmimi i naftës Brent të bjerë rreth 10 për qind të hënën, megjithëse sulmet në gjithë Lindjen e Mesme të martën e rritën sërish atë me rreth 3 për qind, në më shumë se 102.84 dollarë për fuçi./REL/

  • Shitje rekord! Të gjitha biletat për ndeshjen e Kosovës u shuan brenda pak orësh

    Shitje rekord! Të gjitha biletat për ndeshjen e Kosovës u shuan brenda pak orësh

    Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar se biletat për ndeshjen vendimtare të kombëtares kundër fituesit ose humbësit të duelit Turqi–Rumani janë shitur të gjitha, duke treguar mbështetjen e jashtëzakonshme që “Dardanët” marrin nga tifozët e tyre.

    Sipas faqes zyrtare të FFK-së, interesimi ka qenë masiv dhe biletat u shuan brenda pak orësh, duke treguar entuziazmin e madh për këtë sfidë të rëndësishme në kuadër të “play-off”-it.

    Ndeshja do të zhvillohet në Stadiumi Fadil Vokrri, ku pritet një atmosferë elektrizuese dhe përkrahje e zjarrtë nga tribunat. Organizatorët presin që stadiumi të kthehet në epiqendrën e futbollit për një natë që premton emocione të mëdha.

    Ky mbështetje masive shihet si një motiv shtesë për skuadrën kosovare në një moment kaq vendimtar, duke i dhënë “Dardanëve” energji shtesë për të kërkuar historinë në arenën ndërkombëtare.

  • Skandal i madh në futbollin çek, FACR nën hetim për manipulime ndeshjesh

    Skandal i madh në futbollin çek, FACR nën hetim për manipulime ndeshjesh

    Federata Çeke e Futbollit është përfshirë në një skandal të jashtëzakonshëm për manipulim ndeshjesh, i cili ka tronditur skenën sportive para përballjes vendimtare të kombëtares së Çekisë ndaj Irlandës për kualifikimet e Kupës së Botës.

    Bëhet fjalë për një hetim trevjeçar që përfshin katër nivelet e para të ligës çek dhe garat e të rinjve. Operacioni i policisë, i koordinuar me Europolin, Interpolin dhe departamentin kundër manipulimeve të ndeshjeve të UEFA, ka sjellë bastisje në të gjithë vendin, me fokus të veçantë në rajonin Moravian.

    Mediat vendase raportojnë se mbi 40 persona, lojtarë, gjyqtarë, zyrtarë klubi dhe madje edhe një kryetar bashkie, janë nën hetim.

    Presidenti i FACR, David Trunda, e ka quajtur operacionin si “më i madhi në historinë e futbollit çek”:

    “Operacioni ka nisur që në orën 6 të mëngjesit dhe është i koordinuar me Europolin, Interpolin dhe departamentin e UEFA-s kundër manipulimit të ndeshjeve. Fokusi kryesor ishte Moravia, duke përfshirë dhjetëra persona dhe 99 përqind të zonës.”

    Ai shtoi se Komiteti i Etikës do të fillojë procedurat disiplinore ndaj të gjithë të përfshirëve, duke përfshirë lojtarët, gjyqtarët, zyrtarët dhe klubet nga liga e parë deri te e katërta, si dhe kategori të rinjsh.

    Ky skandal ka tronditur futbollin çek, duke e vënë në qendër të mediave ndërkombëtare dhe duke rrezikuar përgatitjet e kombëtares për sfidat vendimtare ndërkombëtare.

  • Shtrenjtimi i karburanteve, qytetarët: I papërballueshëm për kushtet në Kosovë

    Shtrenjtimi i karburanteve, qytetarët: I papërballueshëm për kushtet në Kosovë

    Rritja e çmimeve të derivateve të naftës po ndryshon nga momenti në moment.

    Kjo rritje po ndodhë si pasojë e luftës që po zhvillohet në Lindjen e Mesme.

    E, kësaj rritje nuk i ka shpëtuar as Kosova, shkruan Ekonomia Online.

    Një litër naftë në orët e pasditës po kushton deri ne 1.79 euro.

    Qytetarët e pyetur nga Ekonomia Online po theksojnë se rritja e çmimit të derivateve është e papërballueshme për standardin e Kosovës.

    Diana Demaj, qytetare nga Prishtina tha për Ekonomia Online se rritja e çmimit nuk është konform pagës së qytetarëve në Kosovë dhe se është vështirë të jetohet.

    “Kjo rritje e naftës dhe benzinit nuk është e mirëseardhur tek ne, mbasi edhe rrogat nuk janë që po rriten, do të thotë çmimet edhe ushqimi edhe nafta, benzini të gjitha po ngriten mirëpo rrogat po mbesin njëjtë, do të thotë vështirë që janë të përballueshme, do të thotë çdo familje tash ka ankesa është vështirë për me jetu, plus kur e dimë që rrogat nuk janë edhe aq të mira në Kosovë, nuk po vlerësohemi shkurt e shqip. Si do të ja bëjmë nuk e di”, tha Demaj.

    Demaj, deklaroi se  për t’u zgjidhur ky problem duhet të shikohet niveli i çmimeve dhe jo të ketë çmime si në Evropë edhe në Kosovë.

    “Paj zgjidhja duhet pak t’i shikojnë edhe nivelizimin e çmimeve, edhe une e di që edhe tregu do të thotë luan rol në tregun botëror edhe tek ne, mirëpo ata duhet ta dinë si e kemi ne standardin, ne nuk mund të krahasohemi me evropianët edhe me shtetet që do të thotë janë më të forta se ne”, tha Demaj.

    Njëjtë mendon edhe qytetari tjetër Rexhep Selimi i cili konsideron që çmimi është shumë i lartë dhe sugjeron uljen e TVSh-së.

    “Tregu botëror e rregullon atë besoj, tanaj po ndikon edhe tek ne, qeshtu shkon zingjir. Valla sosht e përballueshme, për kushtet tona këtu në Kosovë është e lartë. Besoj që duhet me i liru duhet me marrë masa shteti diçka, me ulë TVSh-në a çka po di ato, me ndiku diçka se për besë shumë shtrenjtë, shtrenjtë është, për standard tonin është shumë”, tha Selimi për EO.

    Për ngritjen e çmimit të derivateve të naftës sot ka reaguar edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

    Rukiqi, ka shkruar se me një vendim të vetëm, çmimi i naftës bie në 1.35 euro.

  • Senegali sfidon vendimin e CAF, apel në CAS për rikthimin e titullit

    Senegali sfidon vendimin e CAF, apel në CAS për rikthimin e titullit

    Senegali ka nisur një apel pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, pas vendimit që iu hoqi titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës, të cilin ata e fituan fillimisht në fushë kundër Marokut.

    Lajmin e konfirmoi zyrtari i federatës, Moussa Mbaye, i cili bëri të ditur se Senegali po ndjek rrugën ligjore për të mbrojtur të drejtën e tyre: “Ky është një proces ligjor që do ta nisim të martën. Do të dëgjoni shumë spekulime dhe lajme të pasakta, por njerëzit duhet të presin komunikimet zyrtare nga Federata Senegaleze e Futbollit.”

    Mbaye theksoi se federata nuk do të veprojë nën emocione, por me qetësi dhe mendje të kthjellët për të mbrojtur interesat e vendit: “Ne jemi të vendosur ta trajtojmë këtë çështje profesionalisht dhe të bëjmë gjithçka për ta rikthyer titullin që fituam në fushë.”

    Për këtë proces, Senegali ka angazhuar një avokat sportiv me përvojë ndërkombëtare, duke synuar që të sfidojë vendimin dhe, nëse është e mundur, të rikthejë trofeun e fituar me meritë në AFCON 2025.

    Ky zhvillim vjen pas një situate që ka shkaktuar debate të gjera në mediat ndërkombëtare, duke e bërë një nga skandalet më të mëdha të fundit në futbollin afrikan.

  • Abdixhiku takohet ambasadorin francez Guerot, çështja e presidentit temë diskutimi

    Abdixhiku takohet ambasadorin francez Guerot, çështja e presidentit temë diskutimi

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Oliver Guerot.

    Abdixhiku përmes një njoftimi në facebook pohoi se u diskutua edhe situata rreth çështjes së presidentit dhe stabilitetit institucional.

    Postimi i plotë:

    Kam pritur sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot.

    Gjatë takimit diskutuam gjerësisht për zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së ndaj tyre, me theks të veçantë në domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit institucional dhe në situatën e krijuar rreth çështjes së Presidentit. Vlerësova se në momente të tilla, respektimi i rendit kushtetues dhe maturia politike mbeten parakushte thelbësore për funksionimin demokratik të vendit.

    Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit tonë. Po ashtu, theksova rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në ekonomi, zhvillim dhe integrim evropian.

    Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euro-atlantike, dhe partneriteti me shtetet mike si Franca është thelbësor për këtë rrugëtim.

  • Fier: Burri vret gruan më pas dhe veten

    Fier: Burri vret gruan më pas dhe veten

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Kuman, në Roskovec, ku një çift të moshuarish ka humbur jetën në rrethana tragjike.

    Sipas informacionit paraprak nga policia, rreth orës 14:30, shtetasi me iniciale Sh. Rr., rreth 80-vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri (pushkë) bashkëshorten e tij, D. Rr., rreth 75-vjeçe, brenda banesës së tyre.

    Pas krimit, i moshuari dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

    Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje të rëndë.

    Ende nuk dihen shkaqet që çuan në këtë akt ekstrem, ndërsa hetimet vijojnë.

  • Dy cisterna gazi me flamur indian kalojnë Ngushticën e Hormuzit pa incidente

    Dy cisterna gazi me flamur indian kalojnë Ngushticën e Hormuzit pa incidente

    Anijet transportuese të LPG-së Pine Gas dhe Jag Vasant kaluan Ngushticën e Hormuzit pa incidente të hënën vonë, tha të martën Rajesh Kumar Sinha, sekretar special në Ministrinë e Porteve, Transportit Detar dhe Rrugëve Ujore.

    Dy tankerët pritet të arrijnë në brigjet indiane më vonë këtë javë.

    Mediat indiane raportuan se anijet lundruan afër njëra-tjetrës dhe ndoqën një rrugë të miratuar nga Irani që shkon shumë pranë vijës bregdetare të vendit.

    Irani vazhdon të mbajë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, e cila të çon nga Gjiri Persik drejt oqeanit të hapur dhe përmes së cilës transportohet një e pesta e naftës botërore dhe mallrave të tjera të rëndësishme.