ATV

Blog

  • Dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Pejë, intervistohen edhe 10 të dyshuar

    Dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Pejë, intervistohen edhe 10 të dyshuar

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dhjetë persona janë intervistuar ditën e djeshme lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Siç është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, fillimisht në stacionin policor janë sjellë katër meshkuj dhe një grua, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Po ashtu, po dje janë janë shoqëruar në stacionin policor edhe tre meshkuj dhe dy gra dhe edhe të njëjti pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Për dyshimet për manipulime me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka pasur aksione e të arrestuar në disa komuna të Kosovës.

    Ndërkaq javën e kaluar është ngritur është aktakuza e parë lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e dhjetorit.

    Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, lidhur me dyshimet se në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime,janë ndërmarrë veprime të koordinuara për të shtrembëruar rezultatet e votimit.

  • Policia arreston një të mitur, dyshohet se theri me thikë një person

    Policia arreston një të mitur, dyshohet se theri me thikë një person

    Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar një të mitur, pasi që dyshohet se ai ka therur me thikë një person.

    Ky rast ka ndodhur në fshatin Bardhosh të Prishtinës.

    Ai dyshohet se me këto veprime ka kryer dy vepra penale, atë të lëndimit të rëndë trupore dhe të armëmbajtjes pa leje.

    “Bardhosh, Prishtinë 24.03.2026-13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur pasi që i njëjti ka therë me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftim.

  • Grabitet një taksist në Prishtinë

    Grabitet një taksist në Prishtinë

    Një taksist është grabitur mbrëmjen e së martës në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, taksisti është grabitur nën kërcënimin e thikës.

    Atij i janë grabitur 15 euro.

    Rasti thuhet se është në hetime.

  • PDK mban konferencë për media

    PDK mban konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media.

    Arsyet e kësaj konference ende nuk janë të ditura.

    “Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media, duke filluar nga ora 13:00, në selinë qendrore të partisë.”, thuhet në njoftim.

    Kjo vjen si konferenca e dytë brenda dy ditëve nga kjo parti, pasi një tjetër ishte mbajtur edhe të martën.

  • Një shtetas i huaj ndërron jetë në QKUK, trupi dërgohet për obduksion në IML

    Një shtetas i huaj ndërron jetë në QKUK, trupi dërgohet për obduksion në IML

    Një shtetas i huaj ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i cili ka qenë i hospitalizuar që nga data 9 marsi 2026.

    Sipas raportit policor, viktima ishte me leje qëndrimi të përkohshëm në Kosovë.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Prishtinë 24.03.2026-13:15. Raportohet se në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull shtetas i huaj, i cili ishte i hospitalizuar që nga data 09.03.2026. Viktima ishte me leje qëndrimi të përkohshëm në Kosovë. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Detaje nga krimi në Fier: Shkak një konflikt banal, djali i gjeti të pajetë prindërit

    Detaje nga krimi në Fier: Shkak një konflikt banal, djali i gjeti të pajetë prindërit

    Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i rëndë brenda familjes që ndodhi të martën në Roskovec, ku i moshuari vrau gruan dhe më pas i dha fund jetës.

    Sipas burimeve policore djali i çiftit Rrapaj në dëshminë e tij në polici ka thënë se në momentin e ngjarjes së rëndë ka qenë në Fier për një konsultë mjekësore, gjë që është vërtetuar edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë.

    Ai ka pohuar se i ati ishte tip konfliktual dhe zënka e fundit ka qenë para 10 ditëve kur i ka hedhur pleh patateve të mbjella në oborrin e shtëpisë dhe 80-vjeçari është acaruar duke i thënë djalit: “Pse u hedh pleh patateve?!”

    Konflikti banal ka përfunduar në komisariatin e Rroskovecit, ndërkohë që nëna e tij Dashuria, i dilte gjithmonë në krah të birit. Pasi është kthyer nga Fieri, djali i ka gjetur të pajetë në banesë, raporton A2.

    Fillimisht ka lajmëruar një kushëririn e vet, dhe më pas policinë. Po sipas burimeve policore , arma e përdorur në krim është tip i vjetër dhe dyshohet të ketë qenë e fshehur nën tokë që nga 97- a, pasi ishte me dhe, ndërkohë që ishte shkrepur dy herë, një plumb i ka shkaktuar vdekjen Dashurisë dhe plumbi tjetër ka shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit teksa është vetëvrarë.

    Vrau gruan dhe më pas veten, ky është çifti shqiptar që humbi jetën tragjikisht

  • Çmimet e naftës bien pas raportimeve se SHBA i ka dërguar Iranit një plan 15 pikësh për t’i dhënë fund luftës

    Çmimet e naftës bien pas raportimeve se SHBA i ka dërguar Iranit një plan 15 pikësh për t’i dhënë fund luftës

    Irani ka thënë se ka hapur Ngushticën e Hormuzit për “anije jo-armiqësore”, nëse ato koordinohen me autoritetet iraniane, duke ofruar një lehtësim për tregjet e tronditura nga lufta në Lindjen e Mesme.

    Teherani deklaroi në një shënim drejtuar OKB-së se anijet mund të kalojnë përmes ngushticës – një rrugë ujore kyçe për rreth një të pestën e naftës dhe gazit në botë – “me kusht që të mos marrin pjesë dhe as të mbështesin akte agresioni kundër Iranit”.

    Një kompani e madhe tajlandeze e naftës njoftoi të mërkurën se një nga anijet e saj kishte arritur të kalonte në mënyrë të sigurt këtë javë përmes ngushticës, pa paguar tarifë, pasi ishte koordinuar me Iranin.

    Çmimet e naftës u qetësuan më tej gjatë natës nga pretendimet e Donald Trump se ai i kishte dërguar Iranit një plan paqeje me 15 pika dhe se Teherani kishte rënë dakord që të mos zotëronte kurrë armë bërthamore.

    Mediat izraelite raportojnë se plani i pakonfirmuar përfshin kërkesa që Irani të shkatërrojë objektet kryesore bërthamore, të hapet për inspektime nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së dhe të heqë dorë nga përdorimi i forcave të armatosura përfaqësuese në rajon.

    Sipas Channel 12 të Izraelit, Irani do të përfitonte ndihmë amerikane për zhvillimin e një projekti civil bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike, heqjen e të gjitha sanksioneve dhe eliminimin e kërcënimit për rikthimin e tyre.

    Por në të njëjtën kohë, Pentagoni ka urdhëruar rreth 2,000 ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror të fillojnë lëvizjen drejt Lindjes së Mesme, raportoi New York Times duke cituar zyrtarë të mbrojtjes.

  • Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çfarë nënkupton afati 60-ditor?

    Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çfarë nënkupton afati 60-ditor?

    Gjykata Kushtetuese pritet që së shpejti të marrë një vendim lidhur me çështjen e dekretit të presidentes dhe procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, një zhvillim që konsiderohet kyç për tejkalimin e ngërçit aktual institucional në vend.

    “Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykata Kushtetuese e Kosovës për FrontOnline.

    Në të njëjtën kohë, në media është raportuar se vendimi i mundshëm i kësaj gjykate mund të përfshijë një afat prej 60 ditësh për kryeministrin Albin Kurti, me qëllim që t’i jepet hapësirë institucioneve për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e një krize më të thellë politike.

    Lidhur me këtë çështje, njohës të Kushtetutës kanë dalë me qëndrime, duke interpretuar bazën ligjore të një afati të tillë dhe rolin që mund të ketë Gjykata Kushtetuese në orientimin e zgjidhjeve politike brenda kornizës kushtetuese.

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline ka vlerësuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa vendimi i mundshëm i Gjykatës për një afat 60-ditor synon të ruajë balancat institucionale dhe të shmangë pasojat e pariparueshme.

    Sipas Kryeziut, roli i Gjykatës Kushtetuese është që të garantojë funksionimin e drejtë të rendit kushtetues dhe të mbajë ekuilibrin mes institucioneve shtetërore.

    “Dekreti i Presidentes ka qenë ligjor dhe legjitim. Gjykata Kushtetuese e ka për detyrë me i ruajtur balancat shtetërore. Nëse ajo ka konsideruar se zbatimi i këtij dekreti ka efekte të pariparueshme, atëherë ka marrë një vendim udhëzues për t’i dhënë hapësirë subjekteve politike për zgjedhjen e Presidentit”, ka deklaruar ai.

    Ai ka theksuar se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese, duke argumentuar se veprimet e saj kanë qenë të bazuara në dispozitat e Kushtetutës.

    “Jo absolutisht, Osmani nuk ka bërë shkelje Kushtetuese, sepse nuk ka pasur zgjedhje tjetër, edhe sipas nenit 85, pika 6 të Kushtetutës”, u shpreh Kryeziu.

    Profesori i së drejtës kushtetuese, Kolë Krasniqi, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet e fundit rreth vendimit të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se ky afat është i lidhur drejtpërdrejt me fillimin e procedurës parlamentare.

    Sipas tij, afati prej 60 ditësh duhet të llogaritet nga momenti kur ka nisur procedura për zgjedhjen e presidentit, konkretisht kur janë paraqitur kandidatët dhe janë verifikuar nga komisioni përkatës i Kuvendit.

    “Procedura ka filluar në momentin kur janë paraqitur dy kandidatë dhe komisioni për verifikim i parlamentit ka konstatuar se ata i plotësojnë kriteret për zgjedhje. Prej atij momenti fillon të rrjedhë afati deri në 60 ditë”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ai theksoi se, ndonëse Kushtetuta nuk e përcakton në mënyrë eksplicite këtë afat, në praktikë është respektuar periudha 60-ditore si standard kushtetues.

    “Kushtetuta nuk i ka dhënë afat të prerë, por është respektuar afati 60-ditor, pavarësisht interpretimeve të ndryshme. Gjykata Kushtetuese vetëm sa i ka implementuar këto rregulla kushtetuese”, u shpreh ai për FrontOnline.

    Krasniqi ka vlerësuar gjithashtu se presidentja ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj, duke argumentuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të procedojë në kohë zgjedhjen e kreut të shtetit.

    “Presidentja kishte të drejtë, pasi Kuvendi nuk e ka proceduar me kohë zgjedhjen e Presidentit. Megjithatë, Gjykata ka dy opsione dhe duket se po mundohet të gjejë zgjidhje të reja në këtë situatë”, shtoi ai.

    Në fund, Krasniqi paralajmëroi se zhvillimet aktuale mund të çojnë drejt një epilogu politik me zgjedhje të reja në vend.

    “Unë besoj se do të ketë zgjedhje të reja”, përfundoi ai.

  • Ymeri: Shkuarja në zgjedhje është dëshirë e Kurtit, jo e LDK-së, zgjatime të VV-së nuk votojmë

    Ymeri: Shkuarja në zgjedhje është dëshirë e Kurtit, jo e LDK-së, zgjatime të VV-së nuk votojmë

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se një rikthim i mundshëm në zgjedhje të reja parlamentare nuk do të jetë përgjegjësi e partisë së saj, por e kryeministrit Albin Kurti.

    Në Tëvë1, Ymeri ka theksuar se LDK-ja nuk ka mbështetur dhe nuk do të mbështesë, siç u shpreh ajo, “zgjatime të partisë në pushtet”.

    Ajo ka shtuar se LDK-ja nuk ka pasur numrat e mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president, duke qenë se disponon vetëm 15 vota në Kuvend.

    “Nëse shkojmë në zgjedhje, nuk është dëshira jonë, por ka qenë në diskrecion të qeverisë, përkatësisht të kryeministrit Kurti. LDK-ja nuk ka pasur mundësi as të propozojë emër për president, pasi ka vetëm 15 vota. Kemi pasur mundësi të propozojmë një emër, por jo nënshkrime të mjaftueshme për të kandiduar dikë dhe për ta futur në garë. As Vjosa Osmani dhe as ndonjë emër tjetër nuk kanë qenë në garë, përveç kandidatëve partiakë, siç është rasti me Glauk Konjufcën, dhe ky skenar ka qenë i pritur. Prandaj, qëndrimi i partisë ka qenë i qartë: nuk voton dhe nuk qëndron në sallë për zgjatime të partisë në pushtet”, ka deklaruar Ymeri.

    E pyetur nëse partia do të rikthehej në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje në rast të një mundësie të re për zgjedhjen e presidentit, Ymeri është shprehur se kjo mbetet e hapur.

    “Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse ekziston një shans për zgjidhjen e çështjes së presidentit, atëherë ulemi dhe diskutojmë,” ka thënë ajo.

  • Rusia emëroi Uvarovin në Kosovë: Mbulim diplomatik apo operacion inteligjence?

    Rusia emëroi Uvarovin në Kosovë: Mbulim diplomatik apo operacion inteligjence?

    Tash e mbi dy dekada, në Kosovë operon pothuajse në heshtje Zyra Ndërlidhëse Ruse, nën ombrellën e UNMIK-ut. Në krye të kësaj zyre Rusia ka emëruar Ilia Uvarov, emër që figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse. Uvarov e mohon çdo lidhje me shërbimet sekrete, duke nënvizuar se përfaqëson zyrtarisht Rusinë në Kosovë.

    Ndër vite, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun e informacionet e pakta, zakonisht kanë të bëjnë me takimet me misione ndërkombëtare.

    Ndonëse në listën e misioneve diplomatike në vend, nuk figuron, Ilia Uvarov, ambasador rus në Beograd, në gusht të vitit të kaluar emërohet nga Rusia si shef i ri i zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.

    Ilia Uvarov mbajti disa poste të njohura diplomatike si përfaqësues i Rusisë, por ajo që e vendos emrin e tij në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga e Instituti i Inteligjencës ukrainase “Molfar” , ku figuron si oficer i Departamentit të Shërbimeve të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.

    Shumica e njerëzve që figurojnë në listën e regjistruar, thuhet se operojnë nën mbulesë diplomatike në ambasada, konsullata dhe organizata ndërkombëtare, të cilët mund të jenë të përfshirë në mbledhjen e inteligjencës dhe ndërtimin e rrjeteve jashtë vendit.

    Këto pretendime, vetë Uvarov i quan trillime. Duke folur rrjedhshëm në gjuhën shqipe, Uvarov tha se në krye të kësaj zyre është emëruar nga UNMIK-u.

    “Në këto agjenci informacionet ukrainase, e të tjera, janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe nuk mund të shtoj diçka tjetër vetëm se duhet të diskutojmë këtë sepse jam i akredituar me UNMIK me misionin e OKB-së në Prishtinë. Jam i vetëm këtu në të vërtetë, përfaqësues rus zyrtar për misionin në Kosovë, kështu që ato janë gënjeshtra shumë të dyshuara, informacione të dyshuara dhe jo të pavërteta”, ka thënë Uvarov.

    Megjithëkëtë, në Kosovë, Uvarov drejton një mision që edhe më tej funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatik, e krijuar nga UNMIK-u në vitin 2005.

    ” Si i tillë ai ka në një shërbim diplomatik rreth 20 e disa vite. Ka shërbyer në SHBA, Moldavi dhe konkretisht ka shërbyer në Transinistrin në pjesën e cila është shumë e ndjeshme në Moldavi dhe po ashtu tani do të shërbejë në Zyrën Ndërlidhëse në Kosovës, një zyre që funksionon në një formë shumë të heshtur e cila realisht nuk e dimë çka bën realisht …”, ka thënë Gurakuq Kuqi, nga Instituti “OCTOPUS”.

    Tash ë 21 vjet, sipas njohësve të politikës, ende nuk dihet qartë puna e kësaj zyre e as përbërja e stafit, që nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ. Ndërkohë që, veprimtaria e Uvarovit, ngre hipoteza për lidhje të tjera përtej shërbimit diplomat.

    ” Ky person duke pasur parasysh historikun e tij sepse së fundmi në Moldavi ka pasur shumë moldav dhe rus të cilët kanë kryer shërbimet e tyre rekrutuese në Serbi për të kthyer trazira në Moldavi për krijuar trazira dhe nëse e ndjekim këtë lidhje atëherë sigurisht që mund të na ngjallë disa dyshime të caktuar dhe hipoteza të cilat mund të thonë se pse një person që ka shërbyer edhe në Moldavi tani fillon të shërbejë edhe në zyrën ruse ndërlidhëse në Kosovë…”, ka shtuar Kuqi.

    Zyra ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë vazhdon të funksionojë nën ombrellën e UNMIK-ut, ndonëse roli i këtij misioni është dytësor. Ambientet e kësaj zyre vazhdojnë të jenë të paqasshme.