ATV

Blog

  • Katër të dyshuar intervistohen për ndërtime pa leje në Bjeshkën e Nivokazit

    Katër të dyshuar intervistohen për ndërtime pa leje në Bjeshkën e Nivokazit

    Të paktën katër persona të dyshuar janë intervistuar lidhur me ndërtim pa leje në zonën e Bjeshkës së Nivokazit, brenda parkut nacional.

    Sipas të dhënave të Policisë, të martën janë intervistuar personat që dyshohen se në periudha të ndryshme, përkatësisht në vitet 2018, 2019, 2021 dhe 2022, kanë ndërtuar shtëpi pa leje në këtë zonë të mbrojtur.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të gjitha rastet janë proceduar në procedurë të rregullt.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me masat e mundshme ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për këto raste pritet të vazhdojnë.

  • Fluturimet midis Australisë dhe Zelandës së Re anulohen për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit

    Fluturimet midis Australisë dhe Zelandës së Re anulohen për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit

    Jetstar New Zealand ka kërkuar falje pasi anuloi disa shërbime vendore dhe fluturime mes Australisë dhe Zelandës së Re, duke përmendur rritjen e çmimeve të karburantit për avionë si pasojë e vazhdimit të luftës në Lindjen e Mesme.

    Kompania bëri të ditur se 12% e fluturimeve në muajin maj janë prekur – mes qendrës së saj kryesore në Auckland dhe qyteteve Christchurch, Wellington, Sydney dhe Brisbane.

    Linja ajrore tha se shumicës së pasagjerëve u është ofruar një fluturim tjetër në të njëjtën ditë si alternativë.

    “Ne kemi bërë disa ndryshime të përkohshme në orarin tonë, përfshirë edhe për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit për avionë si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe kostove të tjera në rritje”, tha një zëdhënës.

    “Kërkojmë ndjesë për shqetësimin dhe i falënderojmë klientët tanë për mirëkuptimin.”

    Të hënën, Vietnam Airlines anuloi pothuajse dy duzina fluturimesh vendore në javë për shkak të shqetësimeve lidhur me çmimin dhe disponueshmërinë e karburantit. Edhe linjat ajrore në Myanmar kanë bërë shkurtime në orarin e tyre të fluturimeve vendore.

  • Vuani nga pagjumësia? Hani këto ushqime para se të flini dhe problemi zgjidhet

    Vuani nga pagjumësia? Hani këto ushqime para se të flini dhe problemi zgjidhet

    Ka disa ushqime të lehta që mund të hani para gjumit për t’ju ndihmuar të flini mirë.

    Bajame

    Ato janë një zgjedhje e shkëlqyer sepse përmbajnë magnez, i cili ndihmon në relaksimin e muskujve dhe nxit gjumin.

    Bajamet janë të pasura me yndyrna të shëndetshme dhe proteina, kështu që do të jeni të ngopur gjatë gjithë natës.

    Kos grek

    Kosi është i pasur me proteina dhe mund të stabilizojë nivelet e sheqerit në gjak, gjë që do të ndihmojë në arritjen e ngopjes.

    Përmban gjithashtu triptofan – një aminoacid që ndihmon në prodhimin e serotoninës, një neurotransmetues që shndërrohet në melatoninë.

    Vezë

    Duke i krahasuar ato me ushqime të tjera të pasura me proteina, vezët e ziera fort janë plot me proteina dhe përmbajnë aminoacidin triptofan, i cili nxit prodhimin e serotoninës dhe melatoninës, të cilat mbështesin gjumin.

  • Florian Dushi kërkon zbardhjen e rastit të Bajram Kelmendit në 27-vjetorin e vrasjes

    Florian Dushi kërkon zbardhjen e rastit të Bajram Kelmendit në 27-vjetorin e vrasjes

    Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi ka kërkuar drejtësi në përvjetorin e vrasjes së Bajramit Kelmendit dhe djemve të tij Kastriotit dhe Kushtrimit.

    Dushi përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar rënien heroike të avokatit Bajrami dhe djemve të tij.

    “Më 24 mars 1999, në natën kur nisi fundi i makinerisë kriminale serbe, regjimi i Slobodan Millosheviqit – eksponentë të të cilit akoma qeverisin në Beograd, kreu një nga krimet më të rënda në Prishtinë. U rrëmbyen, u torturuan dhe ekzekutuan avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi – vetëm pse ishin zë i drejtësisë dhe i lirisë së shqiptarëve të Kosovës”.

    “Ky akt barbar nuk ishte thjesht një vrasje, por dëshmi e frikës së një regjimi që luftonte drejtësinë dhe të vërtetën të cilën në emër të Kosovës e përfaqësonte Avokatini saj, Bajram Kelmendi. Ata menduan se mund ta heshtnin një zë – por gabuan. Sepse drejtësia nuk vritet. Sepse kujtesa nuk shuhet”, thuhet në postimin e Dushit në Facebook.

    Dushi ka kërkuar zbardhjen e këtij krimi, teksa ka shtuar se nuk do të harrohet kurrë vepra e familjes Kelmendi.

    “Sot, ne kujtojmë jo vetëm dhimbjen, por edhe angazhimin, qëndresën dhe dinjitetin e tyre. Dhe nuk harrojmë kurrë krimet e regjimit kriminal serb të cilat duhet të zbardhen dhe ndëshkohen. Lavdi Bajram Kelmendit! Lavdi Kastriotit dhe Kushtrimit!”, thuhet në postimin e tij.

  • 27 vjet nga masakra e Krushës së Madhe

    27 vjet nga masakra e Krushës së Madhe

    Sot janë bërë 27 vjet nga masakra në Krushë të Madhe në Rahovec.

    Më datë 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, forcat serbe kanë masakruar 243 persona, ku nuk u kursyen as gratë, pleqtë e fëmijët.

    Kjo masakër është ndër më të mëdhat që regjimi i Millosheviqit e ka kryer në Kosovë mbi popullsinë civile.

    Në nderim të viktimave, homazhe në Krushë të Madhe do të bëjnë liderët e shtetit të Kosovës.

  • Sulmet e Iranit zgjerohen në rajon, goditen pesë vende me raketa dhe dronë

    Sulmet e Iranit zgjerohen në rajon, goditen pesë vende me raketa dhe dronë

    Irani ka nisur një valë të re sulmesh në orët e para të së mërkurës (25 mars), duke shënjestruar disa vende në Lindjen e Mesme, përfshirë Izraelin, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Bahreinin dhe Jordaninë.

    Sipas medias shtetërore iraniane IRIB, Garda Revolucionare ka goditur objektiva në Izraelin verior dhe qendror, mes tyre edhe Tel Avivin, si dhe baza ushtarake të përdorura nga SHBA-të në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani. Sulmet janë kryer me raketa të drejtuara me precizion, që përdorin lëndë djegëse të lëngshme dhe të ngurta, si dhe me dronë sulmues.

    Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite bëri të ditur se mbrojtja ajrore ka interceptuar dhjetëra dronë dhe një raketë balistike. Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara në platformën X, mes orës 01:42 dhe 04:41 janë rrëzuar 25 dronë dhe një raketë, kryesisht mbi hapësirën ajrore të pjesës lindore të vendit.

    Ndërkohë, Kuvajti raportoi për sulme të reja me raketa dhe mjete ajrore pa pilot, ndërsa Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë deklaroi se mbrojtja ajrore është aktivizuar dhe po përballet me objektiva armike.

    Si pasojë e një sulmi me dron, një rezervuar karburanti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit është përfshirë nga flakët. Autoritetet e aviacionit civil konfirmuan se infrastruktura e aeroportit është goditur disa herë që nga fillimi i konfliktit.

    Këto zhvillime vijnë në vazhdën e përshkallëzimit të konfliktit në rajon, pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani ka deklaruar se po hakmerret ndaj Izraelit dhe aleatëve të Uashingtonit në Gjirin Persik, duke synuar objektiva ushtarake, energjetike dhe infrastrukturore.

    Aeroporti i Kuvajtit ka qenë një nga objektivat e përsëritura gjatë javëve të fundit. Më 14 mars, një sulm me dronë dëmtoi sistemin e radarëve, ndërsa më 8 mars u goditën rezervuarët e karburantit. Një tjetër incident një javë më parë shkaktoi dëme materiale dhe disa të lënduar lehtë pas goditjes së një terminali pasagjerësh.

    Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet po shtrihen në disa fronte njëkohësisht.

  • Irani – Trumpit: Po negocion me vetveten

    Irani – Trumpit: Po negocion me vetveten

    Zëdhënësi i komandës kryesore ushtarake të Iranit, Ebrahim Zolfaghari, ka reaguar ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se “superfuqia globale e vetëshpallur po e quan humbjen e saj, marrëveshje”.

    Duke mos e përmendur me emër presidentin amerikan Donald Trump, ai ka pyetur nëse “ka arritur niveli i konfliktit të brendshëm deri në atë pikë sa po negocioni me vetveten”.

    “Ju nuk do t’i shihni më as investimet tuaja në rajon dhe as çmimet e mëparshme të energjisë dhe naftës, derisa të kuptoni se stabiliteti në rajon garantohet nga dora e fuqishme forcave tona të armatosura. Stabiliteti vjen përmes forcës”, tha Zolfaghari. “Dikush si ne nuk do të pajtohet kurrë me dikë si ju. As tani, as ndonjëherë”.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Iranit një plan 15-pikësh për t’i dhënë fund luftës, raportoi The New York Times.

    Sipas mediave ndërkombëtare, plani i është dorëzuar nëpërmjet Pakistanit, i cili më parë ka ofruar që të organizonte bisedime paqeje midis shteteve që janë në luftë.

  • Rritja e çmimeve, Gërxhaliu: Situata po cilësohet normale, pasojat do të shihen në të ardhmen

    Rritja e çmimeve, Gërxhaliu: Situata po cilësohet normale, pasojat do të shihen në të ardhmen

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka paralajmëruar për pasoja të mundshme ekonomike në vend si rezultat i zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se rritja e çmimeve dhe çrregullimet në tregjet globale mund të prekin drejtpërdrejt edhe Kosovën.

    Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online, tha se lufta në Lindjen e Mesme po krijon ndryshim në shumë dimensione.

    “Është më se e vërtetë që pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në Iran dhe ajo çfarë është duke ndodhur në Gjirin Persik, bota nuk është më ajo çka ka qenë më parë. Gjërat janë duke ndryshuar në shumë dimensione, jo vetëm në aspektin gjeostrategjik, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në aspektin ekonomik dhe social. Vetë fakti që kemi të bëjmë me vende të cilat janë prodhuesit më të mëdhenj dhe eksportuesit më të mëdhenj të derivateve të naftës, këto shtete të Gjirit Persik e dëshmon rëndësinë strategjike të tyre. Vetë fakti që partnerët më të mëdhenj të blerjes së kësaj nafte janë ekonomitë më të zhvilluara në botë, duke filluar nga Kina, duke filluar nga India, Pakistani dhe shumë shtete të tjera, dhe ato janë të varura nga kjo naftë, e dëshmon më së miri faktin e çrregullimit të tregut global në furnizim të derivateve të naftës. Bota nuk njeh distancë. Ajo çfarë sot ndodh në Amerikë apo në Kinë apo në vende të tjera, bartet me shpejtësi në vende të ndryshme të botës dhe në këtë drejtim edhe Kosova nuk mund të jetë e pa goditur”, tha ai.

    Ai thotë se ngërçi politik është një prej gjërave më negative që i ka ndodhur Kosovës për vitin 2026.

    “Ajo çka e vështirëson situatën më shumë në Kosovë, është fakti që Kosova po hyn me krizë në krizë dhe jemi tani në një ngërç politik. Dhe mungesa e stabilitetit politik edhe nga viti 2025 i vazhduar në vitin 2026 është më e keqja që i ka ndodhur Kosovës në këtë kohë të turbulencave globale. Në vend që të kemi një angazhim më aktiv, që të gjenden forma për të minimizuar pasojat e ngritjes së çmimeve në këtë mënyrë dhe efektit të tyre në ekonominë e Kosovës, ne ende tutje merremi me politikë. Dhe e tëra kjo po e dëmton sot edhe standardin e qytetarëve, por edhe më tepër ekonominë dhe zhvillimin ekonomik”, u shpreh ai.

    Gërxhaliu sqaroi edhe çështjen e inflacionit dhe se një gjë e tillë sipas tij është më e lartë se sa vendet e rajonit dhe se po ndikon në stagflacion.

    “Dhe çka e bën më të veçantë në këtë situatë Kosovën është fakti që derisa vendet e rajonit dhe vendet evropiane kanë rezervat e produkteve strategjike dhe të produkteve elementare, ndoshta në një periudhë kohore 60 apo 70 ditore me normativa evropiane duhet të jetë 90 ditë – Kosova nuk e ka një siguri të tillë dhe e bën situatën shumë më të brishtë sesa në vendet tjera. Prandaj definitivisht është duke u rritur norma e inflacionit në vende të ndryshme. Kosova e ka pasur një normë shumë të lartë krahasuar me vendet evropiane apo dyfishin e inflacionit 6%, dhe e tëra kjo që është duke ndodhur me rritjen e inflacionit në botë po ndikon në një stagflacion, i cili është kombinimi më fatal për një qëndrueshmëri ekonomike. Që krahas rritjes së inflacionit dhe ngritjes së çmimeve të produkteve qoftë bazike qoftë elementare, e kemi do të thotë edhe ngecjen e zhvillimit dhe e tëra kjo do të jetë vërtet një goditje për mbarë botën dhe ajo do të reflektohet edhe në Kosovë”, thekson ai.

    Ai thotë se situata po cilësohet normale derisa, sipas tij, pasojat do të shihen në të ardhmen.

    “Është me rëndësi të kuptohet e vërteta që lufta dihet kur fillon por kurrë nuk dihet kur mbaron. Sa më tepër do të zgjasë, me siguri rreziku do të jetë më i madh, por e tëra kjo duhet të jetë një këmbanë për politikanët kosovarë që të mendojnë më tepër për shtet dhe për ardhmëri, sesa lufta për pushtet dhe për pozita qeveritare. Sepse vërtet, derisa vendet e rajonit dhe evropiane janë në një situatë emergjente, në Kosovë si duket kjo situatë pranohet si një gjë normale që do ta dëmtojë më vonë ardhmërinë, sepse dikur do të jetë vonë për të tentuar të bërë diçka. Është koha për veprim”, potencon ai.

    Gërxhaliu përmendi edhe formimin e këshillit emergjent duke shtuar se situata është më serioze se sa paraqitet.

    “Është e vërtetë që Kosova nuk ka ndikim apo nuk ka fuqi për të ndikuar në Gjirin Persik, por Kosova duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë. Në këtë drejtim besoj që është koha kur duhet të kemi një këshill emergjent që do të merret me këtë situatë të krijuar. Është koha kur ekspertët e fushës ekonomike duhet ta japin kontributin e vet duke dhënë propozime. A duhet të kemi një ngrirje të akcizës, a duhet të kemi përgjysmim të akcizës në produkte strategjike, a duhet të ngrihet apo të kemi një lëvizje në tatimin mbi vlerën e shtuar? Kjo duhet të jetë një prioritet. Dhe e dyta, nuk është më pyetja a do të kemi ngritje të çmimeve, por problemi më i madh do të jetë se cili do të jetë zinxhiri furnizues dhe a do të ketë mallra qoftë ushqimore qoftë të produkteve të tjera. Prandaj besoj që sot situata është shumë më serioze sesa që e mendojnë dhe si mendojnë politikanët kosovarë”, u shpreh tutje Gërxhaliu.

  • Fillojnë xhirimet e filmit “Zbardhje” të regjisores Kaltrina Krasniqi

    Fillojnë xhirimet e filmit “Zbardhje” të regjisores Kaltrina Krasniqi

    Filmi i ri artistik “Zbardhje”, nga regjisorja Kaltrina Krasniqi, ka filluar xhirimet në Prishtinë. Projekti ribashkon bashkëpunëtorët kryesorë nga filmi i saj i parë me metrazh të gjatë “Vera Andrron Detin”, i cili pati premierën në garën Orizzonti të edicionit të 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venedik.

    Në rolet kryesore interpretojnë: Adriana Matoshi dhe Arta Dobroshi, ndërsa në role mbështetëse paraqiten Kosovare Krasniqi, Agron Shala, Aurita Agushi, Art Pasha dhe Blerta Ismaili.

    Vendosur në Prishtinën bashkëkohore, “Zbardhje” është dramë që ndjek dy gra jetët e të cilave takohen në punë. Filmi e përdor “zbardhjen” si një logjikë socio-kulturore, arkitektonike dhe zhvillimore, ku hapësirat, trupat dhe historitë pastrohen, sanitohen dhe shpesh fshihen në emër të aspiratave shoqërore.

    “Zbardhje” është një bashkëprodhim i Vera Films (Kosovë), Portokal (Bullgari), Papadhimitri Productions (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi).

    Xhirimet zhvillohen në Prishtinë, Kosovë dhe Ulqin, Mali i Zi, gjatë periudhës mars–prill 2026.

  • Apple publikon iOS 26.4 dhe iPadOS 26.4

    Apple publikon iOS 26.4 dhe iPadOS 26.4

    Apple ka publikuar versionet më të fundit të sistemeve të saj operative. iOS 26.4 vjen me një gjenerator listash dëgjimi me inteligjencë artificiale për Apple Music, një veçori e ngjashme me atë që Spotify tashmë e ka (dhe është lansuar në vitin 2024).

    Quhet Playlist Playground dhe do të krijojë një listë dëgjimi bazuar në një kërkesë, ashtu siç do të prisnit.

    Mund të përdorni gjendje shpirtërore, ndjenja, aktivitete ose çfarëdo tjetër.

    Ekziston gjithashtu një vegël e Muzikës Ambient që ju lejon të zgjidhni nga listat e dëgjimit Gjumë, Qetësi, Produktivitet dhe Mirëqenie të kuruara nga Apple.

    Janë gjithashtu emoji të rinj: trombon, arkë thesari, fytyrë e shtrembëruar, krijesë me qime, luftimi, orka, rrëshqitje toke dhe balerinë.

    Një cilësim i ri ju lejon të zvogëloni shkëndijat e ndritshme kur shtypni butonat, dhe CarPlay merr mbështetje për chatbot-et me inteligjencë artificiale të palëve të treta.

    Ofruesit si OpenAI dhe Google do të duhet të përditësojnë aplikacionet e tyre në mënyrë që kjo të funksionojë.

    Aplikacioni Podcasts ka fituar mbështetje për episodet video vendase me transmetim HLS, funksioni Gjumë në aplikacionin Health tani regjistron kohën mesatare të gjumit për dy javët e fundit, dhe Mbrojtja e Pajisjeve të Vjedhura tani është aktivizuar si parazgjedhje, duke kërkuar vërtetim biometrik për shikimin e fjalëkalimeve dhe çaktivizimin e Modalitetit të Humbur në iPhone.

    iOS 26.4 dhe iPadOS 26.4 gjithashtu ofrojnë njohjen e këngëve jashtë linje në Qendrën e Kontrollit, sugjerime për koncerte aty pranë dhe vepra arti të albumit me faqe të plotë në Apple Music, mbështetje për Apple Creator Studio për Freeform, dhe një rregullim për një defekt në tastierë që shkaktonte gabime drejtshkrimore gjatë shkrimit të shpejtë.