ATV

Blog

  • Pacolli emëron Bajram Kafexhollin u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm në ministri

    Pacolli emëron Bajram Kafexhollin u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm në ministri

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ftore Pacolli, ka marrë vendim për emërimin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm.

    Ajo ka bërë me dije se në këtë pozitë e ka emëruar Bajram Kafexholli.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka treguar pse e ka marrë këtë vendim.

    “Kam emëruar ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Bajram Kafexholli. Ky emërim vjen në funksion të ndryshimeve që po bëjmë dhe të forcimit të kapaciteteve të Ministrisë me qëllim të rritjes së efikasitetit për të avancuar prioritetet tona. Ne jemi të përkushtuar për reforma të vazhdueshme në kthimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar ajo.

  • Bedri Krasniqi kërkon masë lehtësuese: Dje i kam bërë 20 vjet burgim, akuzat kurrë nuk m’u kanë nda

    Bedri Krasniqi kërkon masë lehtësuese: Dje i kam bërë 20 vjet burgim, akuzat kurrë nuk m’u kanë nda

    Në Gjykatën e Apelit të mërkurën u shqyrtua ankesa e Prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Bedri Krasniqi ishte liruar nga akuza për kanosjen e Shkumbin Mehmetit.

    Kundër vendimit të Themelores, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave esenciale ligjore si dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, duke kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    I akuzuari Bedri Krasniqi tha se tash e 20 vjet është në burg dhe se asnjë masë lehtësuese ndaj tij nuk është marrë asnjëherë.

    “Dje i kam bo 20 vjet që jam ra në burg. Dhe për 20 vjet, kurrë një masë lehtësuese në drejtim temin nuk është marrë. Akuzat kurrë nuk m’u kanë nda që 20 vjet, kurrë hiç, kurrë pa akuza s’kam mbet”, tha Krasniqi.

    Ai tha se është i shqetësuar me ankesën e Prokurorisë për të kthyer rastin në rigjykim, duke shtuar se “Prokuroria nuk po heq dorë prej akuzave”.

    “Unë propozoj qysh kam propozu në rastin në shkallë të parë, kjo vepër s’ka ndodh kurrë i nderum gjyqtar, por sido që të vendosni ju unë e pranoj se nuk kam më motiv i nderum gjyqtar me u shty për këtë vepër se është shku kohë shumë e gjatë”, tha ai.

    Kolegji i Apelit përbëhej nga Avdullah Ahmeti- kryetar, Anita Krasniqi-Prenaj gjyqtare referuese dhe Mehmet Ndrecaj- anëtar.

    Ndryshe, Krasniqi më 13 shtator 2023 ishte liruar nga Themelorja për vrasjen rëndë ndaj dy zyrtarëve të UNMIK. Vendim i cili për pjesën e tij i ishte konfirmuar edhe nga Apeli.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbin Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi janë vendosur të dy në të njëjtin mjet transporti gjatë rrugës, i akuzuari Krasniqi ka komunikuar me të dëmtuarin Mehmeti para hyrjes në automjet dhe gjatë trasnportimit, duke e kanosur këtë të fundit me fjalët “qysh e ki famijen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djali yt i ka bërë katër vite, po ashtu edhe vëllezrit tuaj punojnë me disa kabllo internet”, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.

    Në vazhdim sipas aktakuzës, i akuzuari ka thënë “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të meresh me punë tjera”, duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të akuzuarit në çështjen penale të vrasjes së rëndë dhe thuhet se me këto fjalë i akuzuari e ka shqetësuar seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.

    Me këtë, Krasniqi akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me dënim deri në një vit.

  • Dërgimi i ushtarëve shtesë nga ShBA, Kryetari i Parlamentit të Iranit: Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën

    Dërgimi i ushtarëve shtesë nga ShBA, Kryetari i Parlamentit të Iranit: Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën

    Irani po monitoron nga afër të gjitha lëvizjet e SHBA-së në rajon, “veçanërisht dislokimet e trupave,”, ka deklaruar Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.

    Deklarata vjen pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi dislokimin e më shumë se 1 mijë ushtarëve shtesë në Lindjen e Mesme, raporton NBC News.

    “Ajo që gjeneralët kanë prishur, ushtarët nuk mund ta rregullojnë; përkundrazi, ata do të bien viktimë e iluzioneve të Netanyahut”, Ghalibaf në një postim në X.

    “Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën tonë”, ka deklaruar Ghalibaf. /Reporteri.net

     

  • Presidentja kërkon sqarim shtesë nga Kushtetuesja për emërimin e tre anëtarëve të VV’së

    Presidentja kërkon sqarim shtesë nga Kushtetuesja për emërimin e tre anëtarëve të VV’së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar sot lidhur me emërimin e anëtarëve nga partitë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

    Osmani, ka thënë se arsyeja se përse ka kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje është se partitë kanë kërkuar emërimin e më shumë anëtarëve në KQZ.

    Sipas saj, Vetëvendosja ka kërkuar tre anëtarë e janë emëruar vetëm dy, dhe PDK-ja ka kërkuar dy e është emëruar vetëm një.

    “Për shkak se janë kërku tre nga Vetëvendosja, janë emëru vetëm dy. Janë kërku dy nga PDK-ja, është emëruar një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo ky rast është mbi një është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, tha ajo.

    Sipas saj, Kushtetuesja ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë dhe se janë në pritje të përgjigjes.

    “Jo, nuk e ka sqaruar fare. Pra, nuk ka marrë vendim. Në fakt, atëherë gjykata, meqenëse ne e kemi ngritur lëndën mbi bazën e nenit 84 pika 9, pra kemi dërguar kërkesë për sqarim, ka thënë që nuk mund të bëjë sqarime shkaku i një standardi të ri që e ka ndërtuar gjykata. Ndërkaq, tani e kemi ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese, pra nenin 113 të Kushtetutës, dhe shpresoj shumë që gjykata do ta japë përgjigjen. Pra, nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar; edhe një i VV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre. Dhe meqenëse aty është veç një vend, nuk i zë dy, duhet me pyet gjykatën se si të veprohet”, tha ajo.

  • Bebe Rexha arrin vendin e parë në ‘Big Top 40’ të Mbretërisë së Bashkuar me këngën e saj të re hit, “New Religion”

    Bebe Rexha arrin vendin e parë në ‘Big Top 40’ të Mbretërisë së Bashkuar me këngën e saj të re hit, “New Religion”

    Bebe Rexha ka arritur një tjetër sukses në karrierën e saj muzikore, duke u ngjitur në vendin e parë në The UK’s Biggest Chart Show me këngën e saj më të re “New Religion”.

    Artistja shqiptaro-amerikane mori trofeun nga Big Top 40 për këtë arritje, ndërsa emocionet nuk munguan. Ajo dha edhe një intervistë nga distanca, ku reagimi i saj i gëzuar u shpërnda nga organizatorët.

    “Është një javë e MADHE për muzikën e re dhe Bebe Rexha ka marrë vendin e parë me ‘New Religion’”, thuhet në njoftim, duke theksuar se java ka qenë shumë e fortë për publikime të reja. Ata shtuan se patën mundësinë ta telefononin këngëtaren për t’i dhënë lajmin, ndërsa reagimi i saj u cilësua si shumë emocionues.

    Në garën për Top 10 pati konkurrencë të madhe edhe nga artistë të tjerë, përfshirë supergrupin BTS, si dhe këngëtaret RAYE dhe SIENNA SPIRO. Po ashtu, lista përfshiu disa hyrje të reja, nga kënga “Loving Life Again” e Ella Langley deri te “You’re A Superstar” nga Take That.

    Ndërkohë, New Religion është pjesë e albumit të ri të artistes, Dirty Blonde, i cili pritet të publikohet i plotë më 12 qershor. Ky sukses konsiderohet një shtysë e madhe për projektin e ri muzikor të saj, i cili tashmë po zgjon interes të madh tek fansat.

  • Spektakël në NBA, Nuggets, Cavaliers, Hornets dhe Knicks vazhdojnë me fitore

    Spektakël në NBA, Nuggets, Cavaliers, Hornets dhe Knicks vazhdojnë me fitore

    Mëngjesin e sotëm, janë zhvilluar katër ndeshje në Ligën më të fortë të baketbollit në botë, NBA.

    Denver Nuggetes ka shënuar fitoren e tretë radhazi, pas triumfit ndaj Phoenix Suns me rezultat të ngushtë 125-123.

    Nikola Jokic udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores duke realizuar një super triple-double prej 23 pikëve, 17 kërcimeve e po aq asistimeve, derisa Jamal Murray shtojë 21 sosh.

    Te skuadra humbëse u dalluan Devin Booker me 22 pikë e tetë asistime, Jalen Green me 21 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime dhe Grayson Allen me 21 sosh.

    Kujtojmë që Nuggets renditen në poziten e katërt në Perënim derisa Suns në vendin e shtatë.

     

    Cleveland Cavaliers ka realizuar fitoren e katërt rresht pasi mundi Orlando Magic me rezultat 136-131.

    Donovan Mitchel ishte ylli I mbrëmjes duke shënuar 42 pikë, ndërkaq James Harden shtojë 27 pikë per në fitore.

    Nga ana tjetër, Paolo Banchero po ashtu pati një paraqitje fantastike me 36 pikë të realizuara por që nuk mjaftuan për fitore.

    Cavaliers renditen në vendin e katërt në Konferencën e Lindjes derisa Magic në poziten e tetë, ku kjo ishte humbja e tyre e gjashtë rresht.

     

    Fitoren e katërt në seri e ka realizuar edhe Charlotte Hornets, pasi mposhti Sacramento Kings me shifrat 134-90.

    Me efikaset në këtë fitore ishin, Coby White me 27 pikë dhe LaMelo Ball me 20 pikë.

    Te skuadra humbësen Daeqwon Plowden ishte më I dalluari me 22 pikë.

    Kujtojmë që Hornets renditen në poziten e nëntë në Konferencën e Lidnejs, derisa Kings në poziten e fundit në Konferencën e Perëndimit.

     

    New York Kincks kanë vazhduar me një ecuri fantastike këtë sezon, duke shënuar fitoren e shtatë radhazi, pas triumfit ndaj Neë Orleans Pelicanes me rezultat 121-116.

    Më meritoret për fitoren e Knicks ishin, Jalen Brunson me 32 pikë, Karl-Anthony Toëns me 21 pikë e 14 kërcime dhe OG Anunoby me 21 sosh.

    Te Pelicanes paraqtije të  mira kishin Zion Williamson me 22 pikë dhe Jeremiah Fears me 21 pikë.

    Knicks redniten në vendin e tretë në Konferencën e Lindjes derisa Pelicanes në poziten e 11 në Perëndim.

  • Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, jep dorëheqjen pas zgjedhjeve të parakohshme

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, jep dorëheqjen pas zgjedhjeve të parakohshme

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka dhënë dorëheqjen nga posti gjatë takimit me Mbretin Frederik, ka bërë të ditur të mërkurën Pallati Mbretëror danez.

    Vendimi i saj vjen pas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të së martës, në të cilat Frederiksen kryesoi me vota, por nuk arriti shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Qeveria trepartiake në largim nuk ka shumicën e nevojshme për të vazhduar në detyrë; ajo ka fituar 70 vende, shumë më pak se 90 të kërkuara për një shumicë.

    Megjithatë, Frederiksen pritet të mbetet kryeministre në detyrë deri në formimin e një administrate të re, dhe mbetet një nga favoritet për t’u rikthyer në post.

    Një takim i partive politike është thirrur për në orën 13:00 sipas kohës lokale, ku do të shqyrtohet rruga e mundshme për formimin e shumicës së re dhe qeverisë së ardhshme.

    Vendimi i Frederiksen për dorëheqje lë në lëvizje procesin e formimit të qeverisë së re, duke hapur rrugën për negociata ndërpartiake dhe krijimin e një shumice të re parlamentare.

  • Pasi përfundoi mandatin Orav nga aeroporti: “Gjithë të mirat Kosovë”

    Pasi përfundoi mandatin Orav nga aeroporti: “Gjithë të mirat Kosovë”

    Aivo Orav, diplomati estonez, që shërbeu si ambasador i BE-së në Kosovë, ka publikuar një fotografi lamtumirëse nga aeroporti i Prishtinës pas përfundimit të mandatit.

    “Gjithë të mirat Kosovë”, shkroi ai krahas fotos në X.

    Orav mori detyrën si Shef i Zyrës së BE-së Përfaqësues Special i Bashkimit Europian në Kosovë më 1 shtator 2024.

  • Katër skuadra, një trofe, nis rrugëtimi drejt finales së Ligës Unike të Basketbollit

    Katër skuadra, një trofe, nis rrugëtimi drejt finales së Ligës Unike të Basketbollit

    Basketbolli në konkurrencen e meshkujve në rajon hyn në momentet vendimtare, teksa të mërkurën në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë do të zhvillohen gjysmëfinalet e Ligës Unike, turne i cili këtë vit luhet për herë të parë në Shqipëri.

    Në orën 16:00, Peja do të përballet me Vëllaznimi të Gjakovës, ndërsa në orën 19:00, kampionia kombëtare në fuqi e Shqipërisë, Besëlidhja, do të ndeshet me Golden Eagle Ylli të Suharekës.

    Vllaznimi, kampioni aktual i Ligës Unike, kërkon ta mbrojë titullin dhe të sigurojë një tjetër finale spektakolare, ndërsa Besëlidhja, fituese e kampionatit shqiptar për dy vite radhazi, synon të bëjë histori duke kaluar në finalen rajonale për herë të parë.

    Hyrja për tifozët do të jetë e lirë, ndërsa ndeshjet do të transmetohen drejtpërdrejt në RTSH Sport, si transmetues ekskluziv i Ligës Unike, duke sjellë spektaklin e basketbollit direkt në shtëpitë e adhuruesve.

    Kjo fazë gjysmëfinale pritet të prodhojë emocione të mëdha dhe sfida të forta, me katër skuadrat që luftojnë për të fituar vendin në finale dhe për të vulosur emrin e tyre në historinë e Ligës Unike.

  • Tifozët shqiptarë nisin festën,  shiten të gjitha biletat për ndeshjen historike ndaj Polonisë

    Tifozët shqiptarë nisin festën, shiten të gjitha biletat për ndeshjen historike ndaj Polonisë

    Kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushë këtë të enjte në një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit, teksa përballet me Polonin në një duel që mund të afrojë ndjeshëm ëndrrën për FIFA World Cup 2026.

    Interesi i tifozëve shqiptarë për këtë përballje ka qenë i jashtëzakonshëm. Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se të gjitha biletat janë shitur, duke garantuar një atmosferë elektrizuese në shkallët e stadiumit.

    Në një reagim zyrtar, FSHF ka falënderuar tifozët për mbështetjen e madhe, ndërsa ka bërë thirrje për respektimin e rregullave dhe udhëzimeve gjatë qëndrimit në Warsaw, për të siguruar një organizim sa më të mirë të këtij eventi të rëndësishëm.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin PGE Narodowy, një arenë madhështore ku pritet një atmosferë e zjarrtë mes dy përfaqësueseve që synojnë maksimumin.

    Drejtësinë në këtë takim do ta ndajë arbitri anglez Anthony Taylor, ndërsa Shqipëria do të kërkojë një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat drejt një kualifikimi historik.