ATV

Blog

  • Çmimet e naftës, Mustafa i PDK’së: Qeveria po qëndron spektror, të ulën menjëherë taksat mbi derivatet

    Çmimet e naftës, Mustafa i PDK’së: Qeveria po qëndron spektror, të ulën menjëherë taksat mbi derivatet

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë e Kosovës lidhur me rritjen e çmimeve të fundit, që kanë prekur derivatet.

    Mustafa ka thënë se çmimet e naftës sot, janë ‘’shumë’’ dhe ‘’ të përballueshme.

    ‘’Kosova ka hy në një valë të re të rritjes së çmimeve. Qytetarët po ballafaqohen me një valë të ashpër të rritjes së çmimeve. Sot çmimi ka arrit në rreth 1.80 cent. Kjo është shumë, e papërballueshme. Rritja e çmimit të naftës ndikon në rritjen e kostos së transportit, në atë të prodhimit, dhe çon në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimit, pra çon në rritjen e çmimit të të gjitha produkteve që ne i konsumojmë’’, ka thënë ai.

    Ai ka thënë edhe se ekonomia e vendit dhe qytetarët kanë nevojë ‘’për dorën e shtetit’’ kundër çmimeve të fundit të cilat, ka thënë ai, ‘po e gërryejnë standardin e jetesës’’.

    ‘’Ekonomia ka nevojë për dorën e shtetit, qytetarët kanë nevojë për mbrojtjen e shtetit kundrejt çmimeve që po gërryejnë standardin e tyre të jetesës. Mirëpo ajo dorë e shtetit nuk po shihet. Sepse ata që qeverisn sot janë po të njëjtit që kanë qeverisë edhe në vitin 2022, kur lejuan që vala e inflacionit të shpërthente lirshëm pa asnjë reagim nga qeveria. Këtë po e bëjnë edhe sot duke qëndruar spektatorë kundrejt një rritje të ashpër të çmimeve që po ndodh’’, ka thënë ai tutje.

    Deputeti i PDK’së ka theksuar se kjo parti kërkon që të ketë ulje të taksave mbi derivatet e naftës.

    ‘’ Është momenti që ata që e qeverisin vendin të tregojnë përgjegjësi dhe të reagojnë ndaj sfidave reale. Sot ekonomia ka nevojë për ndërhyrjen emergjente të shtetit. Ne kërkojmë ulje të menjëhershme ulje të taksave mbi derivatet e naftës. Kërkojmë masa konkrete për mbrojtje të bujqve dhe prodhuesve vendor’’, ka thënë ai tutje.

  • Cristiano Ronaldo Jr shihet duke stërvitur te Real Madrid

    Cristiano Ronaldo Jr shihet duke stërvitur te Real Madrid

    Një kapitull i ri po nis për familjen Ronaldo! Cristiano Ronaldo Jr ka nisur këtë javë stërvitjet te Akademia e Real Madrid CF, La Fábrica, duke hedhur bazat për një të ardhme të ndritur në futbollin e madh.

    Sipas raportimeve nga The Athletic, 12-vjeçari ka filluar punën me trajnerët e akademisë “me synim që një ditë të bashkohet zyrtarisht me strukturat e klubit”. Ky zhvillim ka ndezur menjëherë imagjinatën e tifozëve dhe mediave sportive, që e shohin Cristiano Jr si trashëgimtarin e mundshëm të gjigantit portugez në fushat e futbollit europian.

    Kjo lëvizje është parë si një sinjal se Real Madrid po investon fuqishëm në të ardhmen, duke i hapur rrugën një talenti të ri që mund të shkëlqejë nën të njëjtin emblemë që bëri historinë me Cristiano Ronaldo senior.

    Imagjinoni skenën, një ditë në Santiago Bernabéu, “Faraoni i vogël” duke dribluar dhe shënuar në stadiumin ku babai i tij u bë legjendë. Për tifozët dhe ekspertët, kjo është më shumë se një stërvitje, është fillimi i një epoke të re.

    Nuk ka ende një konfirmim zyrtar për nënshkrimin e kontratës, por La Fábrica duket se po përgatit një tjetër superstar në familjen Ronaldo. Futbolli europian tashmë po e ndjek me sy çdo lëvizje të tij.

  • Dorëhiqet kryeministrja e Danimarkës pas humbjes në zgjedhje

    Dorëhiqet kryeministrja e Danimarkës pas humbjes në zgjedhje

    Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i paraqiti të mërkurën dorëheqjen e qeverisë së saj mbretit, pasi koalicioni i saj trepartiak pësoi një humbje të madhe në zgjedhjet e përgjithshme.

    Kjo u bë e ditur përmes një deklarate nga pallati mbretëror.

    Partitë janë gati të nisin negociata potencialisht të vështira dhe të gjata për të përcaktuar nëse qeveria e ardhshme do të formohet nga Frederiksen apo nga një udhëheqës tjetër partie, raporton Reuters.

  • “Nuk e dimë ku do të luajë”, Menaxheri i Salah hedh poshtë spekulimet për të ardhmen e lojtarit

    “Nuk e dimë ku do të luajë”, Menaxheri i Salah hedh poshtë spekulimet për të ardhmen e lojtarit

    Mohamed Salah do të largohet nga Liverpool FC në fund të sezonit, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë dhe të suksesshëm nëntëvjeçar në Anfield. Sulmuesi egjiptian ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të klubit gjatë këtyre viteve, duke kontribuar në tituj dhe momente historike për “Të Kuqtë”.

    Largimi i tij, i arritur me marrëveshje të përbashkët, shënon një moment të veçantë për tifozët dhe klubin, ndërsa Salah ka zgjedhur ta ndajë vendimin publikisht, duke falënderuar mbështetjen e vazhdueshme që ka marrë gjatë gjithë kohës së tij në Anfield.

    Ndërkohë, spekulimet për të ardhmen e tij nuk kanë munguar. Arabia Saudite është përmendur shpesh si një destinacion i mundshëm, me klube që kanë treguar interes financiar të madh. Por menaxheri i lojtarit, Ramy Abbas Issa, ka sqaruar se për momentin nuk ekziston asnjë ofertë konkrete:

    “Nuk e dimë se ku do të luajë Mohamed sezonin e ardhshëm. Kjo do të thotë gjithashtu se askush tjetër nuk e di. Kujdes nga ata që përhapin informacione të pavërteta.”

    Në moshën 33-vjeçare, Salah mbetet në formë të shkëlqyer dhe i aftë të performojë në nivelet më të larta të futbollit evropian. Vendimi për destinacionin e tij të radhës pritet të merret gjatë muajve të verës, duke mbajtur tifozët dhe opinionin sportiv ndërkombëtar në pritje për të parë se ku do të vazhdojë karriera e një prej legjendave më të mëdha të Anfield-it.

  • Meta duhet të paguajë 375 milionë dollarë për mashtrimin e përdoruesve në lidhje me sigurinë e fëmijëve

    Meta duhet të paguajë 375 milionë dollarë për mashtrimin e përdoruesve në lidhje me sigurinë e fëmijëve

    Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar Meta-n të paguajë 375 milionë dollarë, për mashtrimin e përdoruesve në lidhje me sigurinë e platformave të saj për fëmijë.

    Një juri zbuloi se Meta, e cila zotëron Facebook-un, Instagram-in dhe WhatsApp-in, ishte përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikonin fëmijët dhe i ekspozonin ata ndaj materialeve seksuale eksplicite dhe kontaktit me grabitqarët seksualë, transmeton Telegrafi.

    Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico-s, Raul Torrez, tha se vendimi është “historik” dhe shënon herën e parë që një shtet ka paditur me sukses Metën për çështje të sigurisë së fëmijëve.

    Një zëdhënëse e Meta-s, e udhëhequr nga kryetari dhe drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg, tha se kompania nuk pajtohet me vendimin dhe synon të apelojë.

    “Ne punojmë shumë për t’i mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe jemi të qartë në lidhje me sfidat e identifikimit dhe heqjes së aktorëve të këqij dhe përmbajtjes së dëmshme. Ne mbetemi të sigurt në rekordin tonë të mbrojtjes së adoleshentëve në internet”, tha ajo.

    Juria zbuloi se Meta ishte përgjegjëse për shkeljen e Aktit të Praktikave të Padrejta të New Mexico-s sepse mashtroi publikun në lidhje me sigurinë e platformave të saj për përdoruesit e rinj.

    Gjatë një gjyqi që zgjati shtatë javë, jurisë iu paraqitën dokumente të brendshme të Meta-s dhe dëgjuan dëshmi nga ish-punonjës, rreth asaj se si kompania kishte qenë në dijeni të grabitqarëve të fëmijëve që përdornin platformat e saj.

    Arturo Béjar, një ish-udhëheqës inxhinierie në Meta, i cili u largua nga kompania në vitin 2021 dhe u bë denoncues, dëshmoi për eksperimente të ndryshme që ai zhvilloi në Instagram, të cilat treguan se përdoruesve nën moshë u ofrohej përmbajtje e seksualizuar.

    Ai tha se vajzës së tij të vogël iu propozua për seks nga një i panjohur në Instagram.

    Prokurorët e shtetit treguan një hulumtim të brendshëm të Meta-s që, në një moment, zbuloi se 16% e të gjithë përdoruesve të Instagram kishin raportuar se u ishte shfaqur lakuriqësi ose aktivitet seksual i padëshiruar në një javë të vetme.

    Meta argumentoi se ka punuar gjatë viteve për të luftuar përdoruesit problematikë të platformave të saj dhe për të promovuar përvoja të sigurta për të miturit.

    Në vitin 2024, Instagram publikoi Llogaritë për Adoleshencë, duke u dhënë përdoruesve të rinj më shumë mënyra për të kontrolluar përvojën e tyre. Vetëm muajin e kaluar, ai lansoi një veçori që do të njoftonte prindërit nëse fëmijët e tyre po kërkojnë përmbajtje vetëlënduese.

    Gjoba totale civile prej 375 milionë dollarësh u arrit pasi juria vendosi se kishte mijëra shkelje të aktit, secila me një gjobë maksimale prej 5,000 dollarësh.

    Meta është gjithashtu e përfshirë në një gjyq të veçantë në Los Angeles, në të cilin një grua e re pretendon se u bë e varur nga platforma si Instagram dhe YouTube, në pronësi të Google, kur ishte fëmijë për shkak të mënyrës se si ato janë projektuar qëllimisht.

    Ka mijëra padi të ngjashme që po kalojnë nëpër gjykatat amerikane.

    New Mexico paditi Metën në vitin 2023, duke pretenduar se kompania “i drejtonte” përdoruesit e rinj drejt përmbajtjes që ishte seksualisht eksplicite, tregonte abuzim seksual me fëmijë, ose madje i ekspozonte ata ndaj kërkimit të materialeve të tilla dhe trafikimit seksual.

    Tha se kompania e bëri këtë përmes algoritmeve të saj të rekomandimit, të cilat janë në thelb mjete që Meta përdor për të kuruar automatikisht përmbajtjen që një përdorues sheh në platformat e saj.

    “Drejtuesit ekzekutivë të Metës e dinin se produktet e tyre dëmtonin fëmijët, shpërfillnin paralajmërimet nga punonjësit e tyre dhe gënjenin publikun për atë që dinin”, tha Torrez.

    “Sot juria iu bashkua familjeve, edukatorëve dhe ekspertëve të sigurisë së fëmijëve duke thënë mjaft është mjaft”, shtoi ai.

  • Agjencia Kundër Korrupsionit: Vetëm 37% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Agjencia Kundër Korrupsionit: Vetëm 37% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se deri më sot, mbi 37 për qind e zyrtarëve publikë kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025. Ndërkohë, mbi 42 për qind e tyre nuk e kanë nisur ende këtë proces, edhe pse afati ligjor për përfundimin e deklarimit është 31 marsi.

    Më 31 mars përfundon afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë. Deri më tani, rreth 4 mijë zyrtarë publikë e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025.

    Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se ky proces është duke vijuar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore.

    “Deri më tani, 3 mijë e 915 zyrtarë publikë, apo 37.82%, e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë, ndërsa edhe 2 mijë e 34, apo 19.65%, e kanë nisur procesin, por ende nuk e kanë përmbyllur atë. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, respektivisht 4 mijë e 404 apo 42.54%, ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit”, ka thënë Buleshkaj.

    Ai ka theksuar se mosdeklarimi brenda afatit, vonesat apo deklarimet e pasakta përbëjnë shkelje ligjore dhe mund të sanksionohen me gjoba, kallëzim penal, madje edhe me dënim me burgim deri në pesë vjet. Po ashtu, ai shtoi se pasuria e padeklaruar mund t’i nënshtrohet konfiskimit.

    Nga ana tjetër, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë ngritur kallëzime penale ndaj 44 personave për mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë.

    Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi Hajdari, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, tha se për disa raste hetimet janë pushuar, ndërsa për katër persona janë ngritur aktakuza.

    Sipas Agjencisë, numri i përgjithshëm i zyrtarëve që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor është 10 mijë e 340, përfshirë mjekë dhe profesorë. Afati për deklarimin e pasurisë për vitin 2025 përfundon më 31 mars, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta ndaj atyre që nuk e përmbushin këtë detyrim ligjor.

  • Alarmuese: Rreth 500 raste të reja me kancer në QKUK ende pa u mbyllur tremujori

    Alarmuese: Rreth 500 raste të reja me kancer në QKUK ende pa u mbyllur tremujori

    Shifrat nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) tregojnë se kanceri mbetet një nga sëmundjet më të shpeshta në Kosovë, me rreth 2,100 raste të reja në vit, kështu ka bërë të ditur Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

    Sipas tij, vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars, rreth 500 pacientë janë diagnostikuar dhe trajtuar për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë.

    Kurtishi ka theksuar se ngarkesa në këtë klinikë është e lartë, ku çdo ditë pune trajtohen rreth 250 deri në 300 pacientë në shërbimin e Onkologjisë mjekësore, ndërsa rreth 140 pacientë në ditë i nënshtrohen rrezatimit në shërbimin e Radioterapisë.

    “Ne Kosove regjistrohen rreth 2100 raste të reja në vit, kjo përkthehet në afërsisht 170 -190 raste në muaj,pra për periudhën janar – 20 mars:rreth 500 pacientë të rinje te ekzaminuar/diagnostikuar dhe trajtuar ne Kliniken e Onkologjise per here te pare.Cdo dite pune rreth 250-300 pacient trajtohen ne sherbimin e Onkologjise mjekesore dhe rreth 140 pacient ne dite rrezatohen ne Sherbimin e Radioterapise, pra mbi 450 pacient ne total cdo trajtohen ne Kliniken e Onkologjise.”, ka thënë Kurtishi në një prononcim për IndeksOnline.

    Kanceri mbetet një nga sfidat më të mëdha të sistemit shëndetësor në Kosovë, si për nga numri i rasteve të reja ashtu edhe për nga ngarkesa e vazhdueshme në trajtimin e pacientëve.

    Sëmundjet malinje kërkojnë diagnostikim të hershëm dhe trajtim të specializuar, ndërsa institucionet shëndetësore po përballen me një fluks të lartë pacientësh që kërkojnë shërbime onkologjike gjatë gjithë vitit

  • Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, s’po mund ta trajtojmë shkaku masës nga Kushtetuesja

    Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, s’po mund ta trajtojmë shkaku masës nga Kushtetuesja

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu Haxhiu ka deklaruar se Kuvendi ka pranuar agjendën legjislative të qeverisë që përmban rreth 174 projektligje, por se nuk po mund ta trajtojnë për shkak të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

    Ajo tha se roli i komisioneve parlamentare është kyç për shqyrtimin dhe trajtimin efektiv të këtyre ligjeve.

    “Ne kemi pranuar agjendën legjislative nga qeveria. Nuk kemi arritur që ta trajtojmë atë për shkak të vendimit për masën e përkohshme, pra që duhet të presim deri më 31 mars. Por e kemi agjendën legjislative që përmban diku 174 projektligje. Qeveria ambicioze, dhe ligjet janë shumë të rëndësishme. Por ajo çka është e rëndësishme është që kur ato procedohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të vijë në shprehje pastaj roli i komisioneve parlamentare. Sepse, më besoni edhe për shkak të përvojës praktike, puna më e madhe bëhet në komisionet parlamentare. Diskutimet në seancë janë diçka tjetër, por ajo që nuk shihet pra, ajo që është shumë përmbajtësore, është puna në komisionet parlamentare”, tha ajo.

    “Prandaj edhe si kryetare e Kuvendit, do të angazhohem maksimalisht që këto trajtime të projektligjeve të bëhen në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Edhe duke e pasur parasysh edhe aspektin gjinor, sepse nuk kemi nevojë që të bëjmë ligje të cilat nuk i përshtaten rrethanave tona. Kosova ka ligje të mira, por që shumë shpesh ato nuk zbatohen në praktikë. Prandaj edhe në këtë kuptim, duhet që në grupet punuese të Kuvendit të Kosovës të përfshihen organizatat e shoqërisë civile, institucionet e ndryshme, që mund të kenë direkt apo indirekt përgjegjësi në raport me një ligj. Por po ashtu edhe secili grup që, si me thënë, i dedikohet një rregullim ligjor i tillë. Prandaj jam shumë e hapur që të fuqizoj rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deri tani nuk shoh që kemi pasur mungesë të vullnetit në këtë drejtim”, tha ajo./EO

  • Hungaria do të ndalojë dërgimin e gazit natyror drejt Ukrainës

    Hungaria do të ndalojë dërgimin e gazit natyror drejt Ukrainës

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka njoftuar të mërkurën se vendi i tij do të ndalojë gradualisht furnizimin me gaz natyror drejt Ukrainës, duke ruajtur gazin e mbetur për përdorim të brendshëm.

    Ky vendim ndërpret një nga rrugët kryesore të furnizimit me energji për Ukrainën dhe thellon tensionet mes Budapestit dhe Kievit lidhur me ndërprerjen e furnizimeve me naftë ruse.

    “Ne do të ndalojmë gradualisht furnizimin me gaz natyror nga Hungaria drejt Ukrainës dhe do ta ruajmë gazin e mbetur në vend”, tha Orban në një video të publikuar në rrjetet sociale.

    Ai shtoi: “Për sa kohë që Ukraina nuk furnizon me naftë, nuk do të marrë gaz nga Hungaria”.

    Furnizimet me naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë janë ndërprerë prej gati dy muajsh, pas dëmtimeve që sulmet e dronëve rusë shkaktuan në tubacionin Druzhba, i cili kalon përmes territorit të Ukrainës. Liderët e Hungarisë dhe Sllovakisë, të cilët vazhdojnë të importojnë lëndë djegëse fosile ruse, kanë akuzuar Ukrainën për pengesë të qëllimshme të furnizimeve.

    Zyrtarët ukrainas kanë theksuar se sulmet e vazhdueshme ruse e bëjnë të rrezikshme riparimin e tubacioneve për teknikët, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar këtë muaj se heziton të lejojë vazhdimin e tranzitit të naftës ruse nëpër vendin e tij.

    Ukraina importon një pjesë të madhe të nevojave të saj për gaz përmes Hungarisë, që vitin e kaluar përbënte rreth 45% të totalit të importeve, sipas kompanisë këshilluese ExPro. Kjo shifër ra në 38% deri në janar 2026.

    Vendimi i Orbanit vjen si pjesë e një serie masash hakmarrëse ndaj Ukrainës, pas ndërprerjes së furnizimeve me naftë ruse. Javën e kaluar, ai bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe u zotua të vendosë veto ndaj çdo vendimi të mëtejshëm pro-Ukrainës derisa të rifillojnë furnizimet me naftë.

    Më herët, lideri hungarez kishte ndalur edhe dërgesat e naftës dizel drejt Ukrainës dhe kishte vendosur veto ndaj një rundi të ri sanksionesh të BE-së kundër Rusisë.

  • Kim Jong Un: Lufta me Iranin tregon se Koreja e Veriut ka nevojë për armë bërthamore

    Kim Jong Un: Lufta me Iranin tregon se Koreja e Veriut ka nevojë për armë bërthamore

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka përdorur luftën në Iran për të justifikuar mbajtjen e armëve bërthamore nga regjimi i tij.

    Në një fjalim para Asamblesë Popullore të këtij vendi autoritar, Kim tha:

    “Realiteti i sotëm tregon qartë legjitimitetin e zgjedhjes strategjike dhe vendimit tonë për të refuzuar fjalët e ëmbla të armiqve dhe për të siguruar përgjithmonë arsenalin tonë bërthamor.”

    Ai shtoi se Korea e Veriut “nuk është më një vend nën kërcënim” sepse ka “fuqinë për të paraqitur kërcënim”.

    “Qeveria jonë do të vazhdojë të konsolidojë me vendosmëri statusin e saj si fuqi bërthamore,” shtoi Kim.

    Programi bërthamor i Koresë së Veriut ka qenë objekt i negociatave ndërkombëtare që prej vitit 2003, kur vendi deklaroi se posedonte armë bërthamore. Megjithatë, bisedat janë shembur përsëri dhe përsëri.