ATV

Blog

  • Shqipëria këtë vit planifikon t’i mbyllë 16 kapituj në procesin e anëtarësimit në BE

    Shqipëria këtë vit planifikon t’i mbyllë 16 kapituj në procesin e anëtarësimit në BE

    Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tjerë, të hënën paraqitën një panoramë e negociatave me Bashkimin Evropian.

    Ministër Shteti dhe Kryenegociatore, Majlinda Dhuka, ka deklaruar gjatë mbledhjes se deri më tani Shqipëria ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave me BE-në, shkruan Top Channel.

    Ndër të tjera Dhuka shtoi se në vitin 2026 planifikohet të mbyllen deri në 16 kapituj për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Shqipëria ka marrë deri më tani mbështetjen e BE-së, por deri në 2027, edhe deri në fund të dekadës ka shumë punë për t’u bërë. Shqipëria ka marrë vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian. Nga Shqipëria presin me durim edhe vlerësimin e vendeve anëtare dhe jemi të gatshëm të plotësojmë kërkesat e veçanta që mund të vijnë edhe nga vendet anëtare”.

    “Me të marrë vlerësimin pozitiv edhe nga vendet anëtare Shqipëria duhet të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve, një nga një. Kemi filluar punën për mbylljen e negociatave. Gjatë 2025 kemi punuar edhe për plotësimin e kushteve për mbylljes së negociatave, jo vetëm për çeljen e tyre. Në krye të punës qëndrojnë grupi negociator dhe të gjithë ministrat pa përjashtim. Puna është komplekse, jo e komplikuar, me përjashtim të disa rasteve që për nga natyra janë të tilla, që do të thotë që shtrohet në shumë institucione njëkohësisht, 157 institucione Shqipëri-BE. Ku ndodhet sot Shqipëria, në aspektin e vetëvlerësimit, se i ka përmbushur 24 kushtet e ndërmjetme”.

    “Ndryshe e thënë 92 pika të veprimit strategjik. Shqipërisë i janë dhënë kushtet për mbylljen e negociatave për 31 nga 33 kapitujt e BE. Deri tani Shqipëria ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave, pasi ka mbyllur 24 kushtet e ndërmjetme. Parashikojmë ose kemi ambicie të madhe, që Brenda vitit 2026 të jemi gati teknikisht me kushtet për 12-16 kapituj, dhe brenda 2027 me kapitujt e mbetur, duke ndarë pak a shumë peshën e punëve”, u shpreh ajo.

  • Paga e 13-të për sektorin publik vlerësohet diskriminim për atë privat

    Paga e 13-të për sektorin publik vlerësohet diskriminim për atë privat

    Vendimi i Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro.

    Përveç kostos buxhetore, ky vendim po shihet si diskriminues për punëtorët e sektorit privat.

    Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, thotë se një ndërhyrje më adekuate do të ishte zbatimi i një mase të tillë për të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta.

    Sipas tij, studimet e fundit në Kosovë tregojnë se punëtorët në sektorin publik paguhen rreth 31 për qind më shumë për orë pune sesa ata të sektorit privat.

    “Në vijimësi ka pasur kritika që administrata publike tek ne është e mbingarkuar me numër të punonjësve, problem i cili nuk është trajtuar fare as nga Qeveria Kurti. Andaj, edhe problemi me inflacion muajve të fundit, del se i ndikon shumë më shumë punonjësit e sektorit privat. Një ndërhyrje shumë më adekuate sesa kjo, meqë qeveria veçse ka vendosur të zbatoj një masë të tillë, do të ishte që të ndihmoheshin të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Përfshi punonjës të sektorit privat dhe atij publik”, ka thënë Hasaj.

    Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, thotë se në këtë vendim duhet të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat, si mbushës të arkës së shtetit.

    “Ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”, ka thënë Azemi.

    Diskriminuese këtë vendim e ka quajtur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    “Një padrejtësi tjetër qëndron në faktin se ata që kanë punuar vitin e kaluar në sektorin publik, por nuk vazhdojnë të punojnë më, janë të përjashtuar nga kjo pagë, ndonëse ajo jepet për punën e bërë gjatë vitit të kaluar. A mendoni se kjo është një politikë diskriminuese ndaj sektorit privat dhe atyre që nuk punojnë më?”, ka thënë ai.

    E ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë, të hënën, ku bëri të ditur se më 31 mars do të ekzekutohet paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik, ka treguar edhe mënyrën e zbatimit të saj.

    “Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë”, ka thënë Murati.

    E në fillim të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë në përgatitje të një pakoje kundër inflacionit, që do t’iu vihet në ndihmë edhe punëtorëve të sektorit privat.

    Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe është përfshirë në buxhetin e vitit 2026.

  • Kandiq: As në Serbi s’është thënë që të vrarët në Dubravë ishin të armatosur

    Kandiq: As në Serbi s’është thënë që të vrarët në Dubravë ishin të armatosur

    Aktivistja serbe, Natasha Kandiq, mbrëmë përmes një lidhje direkte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ka shkaktuar indinjatë të madhe publike për shtrembërim historie.

    Ajo tha se Shkëlzen Gashi ka vepruar padije.

    “Ekspozita nuk mund të bëhet në këtë mënyrë, dhe duhen hulumtime”, tha ajo në Klan Kosova.

    Kandiq shtoi se për Masakrën e Dubravës, as në Serbi nuk është thënë që civilët ishin të armatosur.

    “As në Serbi nuk janë munduar që pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë qenë të vrarë në burgun e Dubravës, në atë kohë flitej ekskluzivisht për të burgosur politik, të dënuar apo të privuar nga liria”, tha ajo.

  • Cakolli: Vendimi i Kushtetueses mbyll debatet për përbërjen e KQZ-së

    Cakolli: Vendimi i Kushtetueses mbyll debatet për përbërjen e KQZ-së

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes për vlerësimin e kushtetutshmërisë së përbërjes së KQZ-së.

    Ai thekson se kjo çështje është e qartë dhe e trajtuar më parë nga Gjykata, duke nënvizuar nevojën për respektimin e rregullave ekzistuese dhe përmbylljen sa më të shpejtë të përbërjes së plotë të KQZ-së për të ruajtur ekuilibrin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.

    Sipas Cakollit, kjo çështje është ndër më të trajtuarat nga Gjykata dhe nuk lë hapësirë për dilema të reja artificiale. Ai thekson se rregullat e ekzistuara duhet të zbatohen njësoj si në situata identike më parë dhe se ideja që KQZ duhet të pasqyrojë raportin e mandateve të Kuvendit është e gabuar.

    “KQZ nuk është miniaturë e Kuvendit që riprodhon raportin e forcave politike. Përbërja e saj nuk është ndërtuar për të reflektuar dominimin e një subjekti, por për të ruajtur ekuilibrin që e mban procesin zgjedhor të besueshëm,” tha Cakolli.

    Ai shtoi se presidentja duhet të përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes kushtetuese prej 11 anëtarësh, duke emëruar anëtarin e mbetur nga radhët e subjektit tjetër politik me të drejtë nominimi.

  • Mblidhen dy komisione parlamentare

    Mblidhen dy komisione parlamentare

    Dy komisione të rëndësishme parlamentare do të mbajnë mbledhjet e tyre gjatë ditës së sotme në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

    Në orën 13:00, Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport do të zhvillojë mbledhjen e radhës.

    Ndërkaq, në orën 14:00, do të mblidhet Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese.

  • Mot i ftohtë sot e me reshje lokale

    Mot i ftohtë sot e me reshje lokale

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot relativisht i ftohtë, me vranësira dhe mundësi për reshje të dobëta lokale kryesisht në disa zona të rajonit të Dukagjinit.

    Mbrëmja pritet të jetë e vranët dhe kryesisht pa reshje ose me mundësi për riga të dobëta lokale shiu e në viset kodrinore-malore ndonjë fjollë bore.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 2 minimalja deri në 10 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Osmani premton medalje Presidenciale për kombëtaren e Kosovës

    Osmani premton medalje Presidenciale për kombëtaren e Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se do ta dekorojë kombëtaren e Kosovës me medalje presidenciale të meritave, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme kundër Turqisë.

    Osmani theksoi se “Dardanët” me paraqitjet e tyre kanë hyrë në histori.

    “Ne duhet t’i vlerësojmë edhe ata që po i dhënë shpresë qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme Kosovë – Turqi, ekipi i Kombëtares së Kosovës tashmë e ka bërë historinë. Kam nderin që të ju njoftoj që pikërisht për këtë kontribut të pamatshëm, për krenarinë që i kanë dhënë vendit në çdo moment, për shpresën që po i jepin këtij populli në hapat përpara, medalja presidenciale e meritave menjëherë pas fitores së nesërme, por pavarësisht edhe rezultatit, do t’i ndahet ekipit të Kombëtares së Kosovës”, ka deklaruar ajo gjatë një ceremonie ku ndau mbi 200 dekorata për personalitete të ndryshme që kontribuan për vendin.

    Kombëtarja e Kosovës triumfoi në një ndeshje dramatike në Bratisllavë të enjten e kaluar përballë Sllovakisë me rezultat 3:4, e vlefshme për gjysmëfinalen e kualifikimeve për Kampionatin Botëror.

    Nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’, Kosova sfidon Turqinë në finalen e madhe të play-off-it të Botërorit që këtë verë mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

  • “Nuk ka kushte që Vuçiq të vijë në Kroaci” – Milanoviq anulon samitin Brdo-Brioni për shkak të deklaratave të presidentit serb

    “Nuk ka kushte që Vuçiq të vijë në Kroaci” – Milanoviq anulon samitin Brdo-Brioni për shkak të deklaratave të presidentit serb

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq ka dërguar një deklaratë ku shprehet se beson që mbërritja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kroaci nuk është e mundur, dhe për këtë arsye ka vendosur të anulojë takimin e Samitit të Brdo-Brionit.

    “Republika e Kroacisë dhe Republika e Sllovenisë, si anëtarë të Bashkimit Evropian, iniciuan Samitin Brdo-Brioni me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore. Takimi i krerëve të shteteve të Samitit Brdo-Brioni do të mbahej në maj të këtij viti në Kroaci”, thuhet në deklaratë, transmeton Telegrafi.

    “Deklaratat dhe veprimet politike të presidentit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq që kemi parë në ditët dhe javët e fundit, janë në kundërshtim të plotë me qëllimin e Samitit Brdo-Brioni, prishin marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore”, u tha ndër tjera.

    Presidenti i Republikës së Kroacisë Zoran Milanoviq beson se në rrethana të tilla nuk ka kushte dhe mbërritja e Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Republikën e Kroacisë nuk është e mundur.

    “Si bashkëkryetar i Samitit Brdo-Brioni, presidenti Milanoviq ka vendosur të anulojë takimin e planifikuar në Kroaci, i cili u është njoftuar krerëve të shteteve që duhej të merrnin pjesë në takimin për Brijunin. Takimi i radhës i krerëve të shteteve të Samitit do të mbahet kur të plotësohen kushtet dhe pas konsultimeve midis Milanoviq dhe Presidentes së Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, si bashkëkryetare e Samitit Brdo-Brioni”, njoftoi zyra e Milanoviq.

    Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha pas zgjedhjeve lokale të mbrëmshme, të cilat u shënuan nga incidente të shumta, se do të verifikonte raportet e agjencive të sigurisë mbi ndikimin e vendeve të huaja në zgjedhje.

    Duke komentuar akuzat nga mediat e Vuçiqit për ndikimin e huaj në zgjedhjet lokale të djeshme, Vuçiq përmendi mbështetjen logjistike të një vendi fqinj.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me praninë e supozuar të makinave me targa kroate në ditën e zgjedhjeve në Kula, Vuçiq njoftoi se së shpejti do të paraqesë më shumë informacion.

    “Lidhur me zgjedhjet e djeshme, për mua ishte e qartë se sa mbështetje logjistike u ofrua nga një vend fqinj. Megjithatë, në periudhën e ardhshme do të marr një raport më të detajuar mbi të dhe më pas do ta ndaj me ju”, tha Vuçiq.

    Ai theksoi se merr raporte të tilla çdo ditë dhe nga disa burime.

    “Para së gjithash, nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë, por edhe nga shërbimet që merren me mbrojtjen e kundërzbulimit të objekteve tona dhe personelit tonë ushtarak”, shpjegoi ai.

    Më herët sot, ai tha gjithashtu se kishte folur me Presidentin rus Vladimir Putin. Vuçiç raportoi se, përveç zgjatjes së kontratës së gazit, ai diskutoi edhe tema të tjera me Putinin dhe deklaroi se Putin e pyeti për Kosovën dhe Republikën Serbe, dhe se ata shkëmbyen mendime për të gjitha çështjet e rëndësishme.

    “E prezantova gjithashtu me aleancën e Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës, biseduam për të gjitha temat”, tha Vuçiq në fjalimin e tij në Presidencë.

  • Prokuroria Speciale del me njoftim për intervistimin e Shkëlzen Gashit dhe bastisjen e banesës së tij: Rasti në procedurë të rregullt

    Prokuroria Speciale del me njoftim për intervistimin e Shkëlzen Gashit dhe bastisjen e banesës së tij: Rasti në procedurë të rregullt

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është duke zhvilluar veprime hetimore lidhur me rastin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

    Në njoftimin e saj, prokuroria thekson se “në kuadër të hetimeve, është intervistuar një person Sh.G., nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit””, që bëhet fjalë për Shkelzen Gashin.

    Gjithashtu, në vendbanimin e të dyshuarit, prokuroria njofton se është realizuar një urdhër kontrolli nga hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda, “me qëllim sigurimin e provave relevante për hetimin”.

  • Montella: Ndeshja ndaj Kosovës do të jetë presion dhe sfidë e madhe për Turqinë

    Montella: Ndeshja ndaj Kosovës do të jetë presion dhe sfidë e madhe për Turqinë

    Në prag të përballjes vendimtare ndaj Kombëtares së Kosovës, përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ka folur për rëndësinë e sfidës dhe pritshmëritë që e shoqërojnë këtë duel historik.

    Trajneri italian pranoi se presioni do të jetë i madh, por u shpreh i bindur se skuadra e tij është e përgatitur për ta përballuar.

    “Do të jetë presion. Ka lojtarë që nuk ishin të lindur kur Turqia luajti për herë të fundit në Botëror. Besoj se do ta përballojmë me sukses presionin”, tha Montella.

    Ai e vlerësoi maksimalisht rrugëtimin e Kosovës deri në këtë finale, duke paralajmëruar një sfidë të barabartë dhe me emocione të forta.

    “Kosova, me plot meritë, ka arritur deri këtu. Ka pasur rezultate pozitive në kontinuitet. Besoj se do të jetë një finale e madhe”, shtoi Montella.

    Përvojën e tij si selektor i Turqisë, Montella e shoqëroi me fjalë besimi ndaj grupit të lojtarëve:

    “Jam i lumtur që jam selektor i Turqisë. Kam përkrahjen e presidentit. Çfarëdo rezultati të jetë nesër, mburrem me këta lojtarë. Suksesi i deritashëm është falë tyre”.

    Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të jetë një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e të dyja përfaqësueseve, me një atmosferë të jashtëzakonshme nga tifozët.