ATV

Blog

  • Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Pallatit të Rinisë” për keqpërdorim të mbi 137 mijë eurove

    Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Pallatit të Rinisë” për keqpërdorim të mbi 137 mijë eurove

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.Z. dhe F.Rr., për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” , “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës, A.Z., në cilësinë e menaxherit të Financave dhe më pas ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Pallati i Rinisë” Sh.A. në Prishtinë, dyshohet se gjatë viteve 2021–2022, ka keqpërdorur mbi 137 mijë euro të ndërmarrjes,duke realizuar transfere të paautorizuara në llogaritë personale dhe të personave të tjerë.

    Me këto veprime, A.Z., akuzohet se ka kryer veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe

    “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Ndërsa, F.Rr., në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për sigurim, dyshohet se ka ndihmuar A.Z., duke tërhequr mjete financiare në para të gatshme dhe duke ia dorëzuar ato, me ç’rastka mundësuar përfitimin e kundërligjshëm në vlerë prej 9,250 euro.

    Ai ngarkohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve në sektorin publik, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe profesional të çdo rasti.

  • Stërvitja e fundit e Kosovës për Turqinë, “Dardanët” gati për ndeshjen vendimtare në Fadil Vokrri

    Stërvitja e fundit e Kosovës për Turqinë, “Dardanët” gati për ndeshjen vendimtare në Fadil Vokrri

    Kombëtarja e Kosovo ka përfunduar stërvitjen e fundit përpara finales vendimtare të “play-off”-it për FIFA World Cup 2026 ndaj Turqisë, një sfidë që premton emocione të mëdha dhe një mundësi historike për “Dardanët”.

    Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët e Kosovës zhvilluan një seancë intensive, ku fokusi ishte jo vetëm tek aspekti fizik, por edhe taktika dhe përgatitja psikologjike për një ndeshje që mund të shënojë një pikë kthese në historinë e futbollit kosovar. Ushtrimet e parapara taktike u realizuan me përkushtim maksimal, duke treguar përgatitjen e lartë dhe vendosmërinë e skuadrës.

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) publikoi në rrjetin social “Facebook” një seri fotografish nga stërvitja, duke dhënë një pasqyrë të atmosferës pozitive dhe energjisë që mbretëron brenda grupit. Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin në sfidën e nesërme në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim në orën 20:45.

    Atmosfera në ekip është e lartë dhe besimi tek një paraqitje e shkëlqyer duket i palpueshëm. Futbollistët e Kosovës pritet të ndihen edhe më të motivuar nga përkrahja e jashtëzakonshme e tifozëve, të cilët do të jenë një shtysë shtesë në këtë duel historik.

    Ky takim është më shumë se një ndeshje miqësore apo finale play-off, ai përfaqëson mundësinë e Kosovës për të bërë historinë dhe për të arritur një kualifikim që do të mbetet në kujtesën e të gjithë qytetarëve. Në këtë sfidë vendimtare, çdo pasim, çdo goditje dhe çdo mbrojtje do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme, duke shndërruar “Fadil Vokrrin” në një arenë të tensionuar dhe emocionuese.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka besim te skuadra dhe thekson se përqendrimi dhe disiplinimi taktiko-fizik do të jenë çelësat për suksesin e nesërm. Tani, gjithçka varet nga ekzekutimi në fushë dhe energjia e “Dardanëve”, të cilët synojnë të bëjnë krenar çdo tifoz dhe të shkruajnë një faqe të re në historinë e futbollit

  • Shqipëria përballet me mungesa të rëndësishme në miqësoren ndaj Ukrainës, Muçi dhe Asani jashtë ekipit

    Shqipëria përballet me mungesa të rëndësishme në miqësoren ndaj Ukrainës, Muçi dhe Asani jashtë ekipit

    Trajneri i Kombëtarës Shqipëtare në futboll, Sylvinho, do të përballet me mungesa të rëndësishme në ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës, që zhvillohet nesër në Valencia, me fillim në orën 20:45.

    Sulmuesi Ernest Muçi nuk mori pjesë në seancën e fundit stërvitore, pasi ka ndjerë një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës së djathtë. Ai është nënvlerësuar me rezonancë magnetike dhe nuk do të jetë i gatshëm për përballjen kundër Ukrainës.

    Edhe mesfushori Jasir Asani mungoi në stërvitje për shkak të një goditjeje në gjurin e djathtë gjatë seancës së djeshme. Stafi mjekësor po monitoron gjendjen e tij dhe do të vendosë para ndeshjes nëse mund të rikuperojë.

    Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Valencia, duke u përgatitur për këtë sfidë miqësore që do të shërbejë si test para sfidave zyrtare në vijim.

  • Mbappé: Bayern në super formë, por vetëm Real Madrid mund ta ndalë

    Mbappé: Bayern në super formë, por vetëm Real Madrid mund ta ndalë

    Sulmuesi i Real Madrid, Kylian Mbappé, ka folur me shumë besim për përballjen ndaj Bayern Munich në UEFA Champions League, duke e bërë të qartë se synimi i tij është fitimi i trofeve me klubin madrilen.

    “Dua të fitoj me Realin. Jemi ende në garë për ta fituar La Liga-n dhe Ligën e Kampionëve”, u shpreh fillimisht francezi.

    Ai nuk hezitoi ta vlerësojë kundërshtarin, duke theksuar formën e mirë të skuadrës gjermane, por njëkohësisht beson te fuqia e ekipit të tij:

    “Bayern është ndoshta skuadra në formën më të mirë në Evropë… Por nëse ka një ekip që mund t’i mposhtë, ai është Real Madrid”.

    Real Madrid vjen në këtë përballje pas eliminimit të Manchester City, duke treguar forcë të madhe në fazën sulmuese.

    Ndërkohë, Kylian Mbappé po kalon një sezon të shkëlqyer, me gola të shumtë në të gjitha garat dhe me paraqitje vendimtare në Champions League, duke qenë një nga armët kryesore të madrilenëve në synimin për trofe.

  • Ndaloni këto 10 gjëra nëse doni të jeni i lumtur

    Ndaloni këto 10 gjëra nëse doni të jeni i lumtur

    Disa ndryshime të vogla në pikëpamjen tënde mund të jenë çelësi i lumturisë.

    Vitin e kaluar, the Journal of Happiness Studies publikoi studime nga Michael Minkov dhe Michael Harris Bond të cilët pretendojnë se lumturia ka një përbërës gjenetik, disa njerëz janë të programuar të jenë më të lumtur. Por, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndryshosh një ditë të keqe. Varësisht gjeneve tua, ka disa mënyra të provuara për përmirësimin e lumturisë.

    Ndaloni së bëri këto dhjetë gjëra dhe do të gjeni rrugën e një personi më të lumtur.

    1. Strehimi në të kaluarën

    Fokusimi i madh në ngjarje të kaluara nuk të lejon të jetosh në të tashmen ose të luftosh për të ardhmen. Ju nuk mund t’a ndryshoni të kaluarën dhe të fokusohesh në diçka pa zgjidhje sigurisht që do të të vendosë në disponim melankolik. Është më mirë të jetosh në të tashmen, dhe të drejtosh energjinë tënde në ato që mundesh dhe jo në ato që nuk mundesh.

    2. Të jesh i vetëkënaqur

    Është e rëndësishme të fokusoheni në ato që keni tani, por nuk mund të mbani lumturi të qëndrueshme duke menduar se çfarë dëshiron në të ardhmen dhe duke e vendosur themelin për të arritur atje. Varësisht se a është diçka e madhe si të punosh drejt një pune të re ose e vogël si fillimi i një hobi të ri, zgjerimi i aftësive tua do të mund të të dërgonte në mundësi të reja dhe emocionuese.

    3. Kalimi i shumë orëve në media sociale

    Studimi i fundit i University of Pittsburgh School of Medicine nxori në përfundim se përdorimi i mediave sociale dhe depresioni kanë lidhje simbiotike. Hulumtuesit cituan ato që të gjithë i dimë për mediet sociale, por nganjëherë harrojmë t’i pranojmë, njerëzit postojnë versionet e tyre më të mira online. Kjo dërgon në zili, dhe zilia në dëshpërim. Kujtohu që të gjithë bëjnë gjërat nën ritmin e tyre. Mbyllni ekranin dhe filloni të jetoni jetën, jo tërthorazi përmes të tjerëve.

    4. Harrimi i kënaqësisë së kapërcimit

    Mediet sociale shkaktojnë frikë nga kapërcimi. Në vend të kësaj, mendo për kënaqësinë e kapërcimit. Praktikoni vëmendjen, e cila është një gjendje mendore e të qenurit tërësisht i vetëdijshëm dhe i angazhuar në të tashmen. Të jesh i ndërgjegjshëm të dërgon drejt eksperimentimit të gjërave të reja dhe më e rëndësishmja, largon hutimet e panevojshme.

    5. Mosvërejtja e kënaqësive të vogla

    Mot i mirë. Një qenush i lezetshëm duke ardhur në drejtimin tënd. Një vrapim i mirë. Ka 24 orë në ditë, dhe gjatë asaj kohe, diçka e kënaqshme duhet të ndodhë, të paktën një minutë. Vlerëso gjërat e vogla në jetë.

    6. Qëndrimi në divan

    Ushtrimet për një kohë të gjatë janë lidhur me lumturinë. Kur bën ushtrime, truri yt lëshon endorfinë dhe monoamine. Këto kemikale të trurit ndihmojnë trurin të përballet me dhimbjen, stresin dhe me disa çrregullime mendore si ankthi. Ka një arsye se pse ‘’ lumturia e vrapimit’’ është bërë një term i njohur: Ushtrimet të bëjnë të ndihesh më mirë.

    7. Lejimi i ngjarjeve të pakëndshme të ndikojnë në ditën tënde

    Shumë shpesh, njerëzit zgjedhin të jenë nervoz. Gjërat e vogla na pengojnë, dhe ne lejojmë që ajo energji negative të depërtojë në tërë ditën tonë. Ngjarjet e pakëndshme i ndodhin gjithkujt. Zgjedh se cilat gjëra kanë me të vërtetë rëndësi për ty, dhe largohu nga gjërat të cilat nuk janë të rëndësishme. Nëse kalon më pak kohë duke u strehuar në mendime negative, ti e hap veten për pranimin e mendimeve pozitive.

    8. Mbajtja e mërisë

    Mëria është e lidhur me nervozën, lëndimin dhe ndjenjave negative drejt dikujt. Derisa e pranon se je fyer, mbajtja e këtyre emocioneve nuk ndihmon lumturinë. Në vend të kësaj, provo të falësh. Mendo se pse je lënduar. Bëhu i ndjeshëm ndaj atij personi, dhe nëse është e nevojshme, shpreh ndjenjat tua. Nëse të gjitha shkojnë mirë, ju të dy do të keni marrëdhënie më të thellë dhe mirëkuptim ndaj njëri tjetrit. Nëse jo, falni megjithatë.

    9. Injorimi i marrëdhënieve

    Në botën e sotme digjitale, të gjesh kohë për lidhje sy më sy është shumë e vështirë. Por për atë arsye, është shumë e nevojshme. Disa studime kanë dëshmuar se njerëzit me shokë nuk jetojnë vetëm jetë të përmbushura por ata gjithashtu shërohen nga sëmundjet më shpejt, ata kanë rrezik më të ulët nga disa sëmundje dhe mendojnë më pozitivisht sepse e dinë se kanë njerëz të cilët do ti mbështesin.

    10. Të harrosh të gjesh kohë për gjërat që do

    Cili është pasioni yt? Pa marrë parasysh se sa idiote, e vogël ose e vështirë, sigurohu që të gjesh kohë për të ushtruar aktivitetet të cilat të sjellin gëzim. Koha është gjithmonë esenciale në botën e sotme, por do të ndihesh si një lloj brejtësi duke vrapuar në një rrotë nëse nuk ndalon për një moment për të bërë gjërat që me të vërtetë i do.

    Shumë shpesh, lumturia është zgjedhje. Por nuk është një zgjedhje e vështirë. Ka të bëjë me gjetjen e kohës për të menduar se çfarë ka me të vërtetë rëndësi dhe të ndjekësh atë varësisht se çfarë është. (Jennifer Cohen/Entrepreneur)

  • Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e 9 kg ari, i sekuestrohen pasuri

    Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e 9 kg ari, i sekuestrohen pasuri

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, në kuadër të hetimeve intensive, ka ndaluar një (1) person me inicialet XH.V., për një periudhë prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Vjedhja e rëndë’’, sipas nenit 315 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas dyshimeve fillestare, në argjendarinë ‘’G…..’’, janë vjedhur rreth 9 kilogramë ari, në vlerë prej 1.000.000 (një milionë) euro.

    Gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë pa leje, si dhe një (1) diamant, me urdhër të prokurorit të shtetit. Po ashtu, ndaj pasurisë së të pandehurit, përkatësisht një veturë të tipit BMW X6 dhe një banesë në lagjen Tophane, në vlerë rreth 110.000 euro, do të lëshohet urdhër i përkohshëm ndalimi, si dhe do të parashtrohen kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar lidhur me pasurinë e sekuestruar. Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

  • Çmime rekord të mekanikëve në Gjermani, kaq kushton riparimi i një veture

    Çmime rekord të mekanikëve në Gjermani, kaq kushton riparimi i një veture

    Të shkosh te mekaniku në Gjermani nuk ka qenë kurrë më shtrenjtë. Që nga viti 2016, kostot janë rritur me më shumë se 50 për qind, që do të thotë se riparimi mesatar i një makine tani kushton 760 euro , 46 ​​euro më shumë se vitin e kaluar, sipas të dhënave të reja nga siguruesi CarGarantie.

    Arsyet kryesore janë të qarta: pjesët e zëvendësimit janë 6% më të shtrenjta, ndërsa tarifat orare në stacionet e shërbimit janë rritur me 8%. Kjo është një katastrofë për siguruesit – ata kanë regjistruar humbje prej gati pesë miliardë eurosh në dy vitet e fundit.

    Elektronika është më e shtrenjtë se motorët

    Ndryshimet teknologjike janë fajtori kryesor për faturat e larta . Në makinat e reja, artikulli më i shtrenjtë nuk është më motori, por sistemi elektrik. Pothuajse çdo i treti defekt lidhet me sensorët ose njësitë e kontrollit. Elektronika, me një pjesë prej 19% të shumës totale të dëmit, mban vendin e parë për herë të parë.

    Makinat elektrike po dëshmohen të jenë jashtëzakonisht miqësore me mirëmbajtjen. Vetëm 0.8% e defekteve të raportuara në automjetet e reja përfshijnë motorë elektrikë. Me motorët konvencionalë me benzinë ​​dhe naftë, defektet janë dhjetë herë më të zakonshme, dhe ka edhe defekte të kushtueshme në kutitë e shpejtësisë dhe sistemet e shkarkimit.

    Megjithatë, ekziston një kurth: për të kompensuar humbjen e mirëmbajtjes, disa shërbime ngarkojnë tarifa orare deri në 400 euro, gjë që anulon kursimet që bëjnë shoferët e makinave elektrike në shërbimin e motorit.

  • GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Ajola Xoxën, bashkëshorten e Erion Veliajt

    GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Ajola Xoxën, bashkëshorten e Erion Veliajt

    Gjykata e Posaçme ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Ajola Xoxën. Më herët, Xoxa ishte nën masën “detyrim për paraqitje” pranë policisë gjyqësore, si edhe ndaj saj ishte vendosur ndalimi për të dalë jashtë vendit.

    Sipas vendimit më të fundit, gjykata ka vendosur ta lërë atë pa masë sigurimi. Ndryshimi i masës është bërë për shkak të gjendjes shëndetësore të saj.

    Aktualisht ndaj Xoxes, që nga shkurti i vitit të kaluar janë vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

    Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025 kur u arrestua me urdhër të SPAK, ndërsa ndaj janë ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave, mosdeklarimin e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.

    Kryebashkiaku i ka kundërshtuar, teksa aktualisht ka nisur edhe procesi gjyqësor në GJKKO, ku janë mbajtur seancat e para. Për shkak të gjendjes shëndetësore prej shtatëzanosë, bashkëshortja e kryebashkiakut përfaqësohet nga avokati. /Euronews.al/

  • Hadergjonaj beson te Kosova, gati për ta befasuar Turqinë në ndeshjen vendimtare

    Hadergjonaj beson te Kosova, gati për ta befasuar Turqinë në ndeshjen vendimtare

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Florent Hadergjonaj, ka shprehur optimizëm para sfidës së rëndësishme ndaj Turqisë, duke theksuar se “Dardanët” janë të gatshëm për një tjetër paraqitje të madhe.

    Futbollisti i Alanyaspor, i cili e njeh mjaft mirë futbollin turk, pranoi cilësinë e kundërshtarit, por nënvizoi se Kosova ka armët e saj për të dalë me rezultat pozitiv. Sipas tij, fakti që ndeshja zhvillohet në Prishtinë dhe përkrahja e tifozëve mund të bëjnë diferencën, por gjithçka duhet dëshmuar në fushë.

    Hadergjonaj vlerësoi se përballja do të jetë e balancuar dhe se përqendrimi maksimal do të jetë vendimtar. Ai theksoi se Kosova mund ta vë në vështirësi Turqinë, sidomos nëse skuadra arrin të ruajë nivelin më të lartë të lojës gjatë gjithë ndeshjes.

    Mbrojtësi kosovar foli edhe për gjendjen brenda ekipit, duke e cilësuar atmosferën si shumë pozitive. Ai shtoi se grupi është i bashkuar dhe se çdo lojtar është i gatshëm të japë maksimumin, pa marrë parasysh rolin në fushë.

    Duke iu referuar rrugëtimit deri në këtë pikë, ai theksoi se arritjet e Kosovës nuk janë të rastësishme, por rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Sipas tij, edhe pse ekziston presion, barra më e madhe bie mbi Turqinë, gjë që mund të shfrytëzohet në favor të Kosovës.

    Në fund, Florent Hadergjonaj përmendi edhe lidhjen e tij personale me Turqinë, duke e quajtur atë si një vend të afërt për të, por duke theksuar se prioriteti i tij mbetet gjithmonë Kosova dhe dëshira për ta bërë vendin krenar në një ndeshje kaq të rëndësishme.

  • Nga Bundesliga te gjigantët evropianë, Fisnik Asllani drejt një transferimi të madh në verë

    Nga Bundesliga te gjigantët evropianë, Fisnik Asllani drejt një transferimi të madh në verë

    Sulmuesi nga Kosova Fisnik Asllani po vazhdon të tërheqë vëmendjen në futbollin evropian me paraqitjet e tij mbresëlënëse te TSG Hoffenheim. Forma e tij e lartë këtë sezon nuk ka kaluar pa u vënë re, pasi disa nga klubet më të mëdha të kontinentit si FC Barcelona, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund po e monitorojnë nga afër.

    Rritja e tij është veçanërisht e dukshme në krahasim me një vit më parë. Në atë kohë, Asllani ishte pjesë e SV Elversberg në Bundesliga 2, duke synuar ngjitjen në elite, një objektiv që nuk u arrit në fund. Megjithatë, vendimi për t’u rikthyer dhe për të qëndruar te Hoffenheimi doli të ishte vendimtar për karrierën e tij.

    Brenda një sezoni, ai arriti të sigurojë vendin e titullarit dhe të shndërrohet në një nga pikat kryesore të sulmit, duke lënë në hije edhe emra si Mërgim Berisha. Statistikat e tij flasin qartë, tetë gola dhe pesë asistime në 26 ndeshje, një kontribut i rëndësishëm për skuadrën gjermane.

    Performanca e tij e mirë nuk është kufizuar vetëm në nivel klubesh. Me Kombëtaren e Kosovës, Asllani është bërë pjesë e rëndësishme e formacionit të trajnerit Franco Foda, duke luajtur përkrah Vedat Muriqi në skemën 3-5-2. Ai ka ndihmuar ndjeshëm ekipin në rrugën drejt një kualifikimi historik në Kupën e Botës 2026.

    Me formën aktuale, pritet që Asllani të vazhdojë si titullar edhe në sfidat e ardhshme, ndërsa interesimi nga klubet e mëdha mund të konkretizohet gjatë verës, ku përflitet për një transferim që mund të arrijë vlerën 25–30 milionë euro.