ATV

Blog

  • Seriali për Jeffrey Epstein nis xhirimet – zbulohet aktorja që është pjesë e kastit

    Seriali për Jeffrey Epstein nis xhirimet – zbulohet aktorja që është pjesë e kastit

    Sony Pictures Television po realizon një serial të ri me titull “Perversion of Justice: The Jeffrey Epstein Story”, i bazuar në librin e gazetares Julie K. Brown.

    Në këtë projekt, Laura Dern do të luajë rolin e vetë autores, një gazetare investiguese e Miami Herald. Seriali do të tregojë hetimin e thelluar të Brown mbi Jeffrey Epstein, duke përfshirë zbulimin e marrëveshjes sekrete me prokurorët federalë.

    Historia ndjek punën disa-vjeçare të saj, gjatë së cilës ajo identifikoi rreth 80 viktima, inkurajoi të mbijetuarit të flasin publikisht dhe kontribuoi në arrestimin e Epstein dhe Ghislaine Maxwell. Skenari po shkruhet nga Sharon Hoffman, e cila është edhe producente ekzekutive së bashku me Eileen Myers.

    Ndër producentët janë edhe Adam McKay dhe Kevin Messick. Laura Dern është një nga aktoret më të vlerësuara, fituese e çmimeve Emmy Awards dhe Academy Awards, e njohur për role në projekte si “Big Little Lies” dhe “Marriage Story”.

  • Mijëra parashutistë të ushtrisë amerikane mbërrijnë në Lindjen e Mesme

    Mijëra parashutistë të ushtrisë amerikane mbërrijnë në Lindjen e Mesme

    Mijëra ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror, një njësi elitare e Ushtrisë Amerikane, kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, bëjnë të ditur dy zyrtarë amerikanë. Ky zhvillim vjen në një kohë kur presidenti i ShBA-së, Donald Trump po shqyrton hapat e ardhshëm në përballjen me Iranin.

    Që prej 18 marsit, administrata Trump ka analizuar mundësinë e dërgimit të mijëra trupave shtesë në rajon, një veprim që do të zgjeronte opsionet ushtarake, përfshirë edhe mundësinë e vendosjes së forcave brenda territorit iranian.

    Parashutistët, me bazë në Fort Bragg, Karolina e Veriut, i bashkohen mijëra marinarëve, marinsave dhe forcave të Operacioneve Speciale që tashmë janë dislokuar në rajon. Gjatë fundjavës, rreth 2,500 marinsa të tjerë mbërritën në Lindjen e Mesme.

    Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje të sakta për vendndodhjen e dislokimit të trupave, por theksuan se ky ishte një zhvillim i pritshëm.

    Forcat shtesë të Ushtrisë përfshijnë elementë të selisë së Divizionit të 82-të Ajror, njësi logjistike dhe mbështetëse, si dhe një ekip luftarak të nivelit brigade.

    Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për dërgimin e trupave në Iran, por këto forca synojnë të rrisin kapacitetet për operacione të mundshme në të ardhmen në rajon, tha një nga burimet, shkruan euronews, trabsneton KosovaPress.

    Sipas të njëjtave burime, trupat mund të përdoren për një sërë operacionesh në kuadër të përballjes me Iranin, përfshirë edhe një ndërhyrje të mundshme në ishullin Kharg, që përbën qendrën e rreth 90% të eksporteve të naftës së Iranit.

  • Goditi veturën e tyre dhe i lëndoi dy policë, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

    Goditi veturën e tyre dhe i lëndoi dy policë, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

    Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e së dielës.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 30 mars 2026 rreth orës 20:03, kur i dyshuari raportohet se ka goditur me veturën e tij një automjet zyrtar policor.

    Pas goditjes, ai është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Si pasojë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

    I dyshuari është arrestuar më vonë nga autoritetet, ndërsa me vendim të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti në procedurë të rregullt.

  • “Zemra e Dardanisë” – Edona Llalloshi me këngë për Kosovën në ditën e finales historike

    “Zemra e Dardanisë” – Edona Llalloshi me këngë për Kosovën në ditën e finales historike

    Mbrëmja e sotme (e martë) pritet të jetë e mbushur me emocione, pasi vëmendja e të gjithëve është përqendruar te ndeshja e shumëpritur Kosovë-Turqi, e cila konsiderohet një moment i rëndësishëm për sportin në vend.

    Para fillimit të këtij dueli, atmosfera është elektrizuar nga entuziazmi dhe energjia që po përhapet në mesin e tifozëve në të gjithë vendin.

    Muzika ka luajtur një rol të veçantë në këtë pritje, duke shtuar edhe më shumë emocionet e kësaj nate.

    Në këtë frymë, këngëtarja Edona Llalloshi ka publikuar projektin e saj më të ri, “Zemra e Dardanisë”, një këngë që synon të motivojë si ekipin ashtu edhe përkrahësit.

    Kënga përcjell një mesazh të fortë mbështetjeje dhe bashkimi, duke ndërthurur pasionin për futbollin me ndjenjat që sjell muzika, në një natë që pritet të jetë plot emocione për të gjithë vendin.

    Kjo u realizua nga Milot Llalloshi me miksim dhe masterizimin nga Shpeta Sound.

    Ndërkohë në “Fadil Vokrri” gjithçka është gati për një mbrëmje historike, ku pritet një duel i zjarrtë për një vend në Kupën e Botës 2026.

  • Qeveria merr kredi 47 milionë euro nga Banka Botërore, planifikon punësimin e 15 personave

    Qeveria merr kredi 47 milionë euro nga Banka Botërore, planifikon punësimin e 15 personave

    Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka marrë një kredi prej 47 milionë eurosh nga Banka Botërore për financimin e Projektit për Reformën e Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë.

    Sipas dokumentit zyrtarë, projekti synon përmirësimin e sistemit të ndihmës sociale, përfshirë identifikimin më të saktë të familjeve në nevojë dhe integrimin e përfituesve në tregun e punës.

    Në kuadër të kësaj kredie, ministria ka hapur procedurat për angazhimin e 15 këshilltarëve të punësimit, të cilët do të punojnë në Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, me qëllim rritjen e kapaciteteve në zbatimin e programit pilot për aktivizimin e përfituesve të ndihmës sociale.

    Punësimet pritet të shpërndahen në disa komuna të Kosovës, përfshirë Artanën, Graçanicën, Istogun, Rahovecin, Skenderajn, Vushtrrinë dhe të tjera.

    Sipas njoftimit, këshilltarët do të kenë rol në orientimin e të papunëve drejt tregut të punës, këshillimin për mundësi punësimi, si dhe bashkëpunimin me bizneset për identifikimin e vendeve të lira të punës.

    Kontratat e tyre pritet të zgjasin deri në fund të vitit 2026, me mundësi vazhdimi, ndërsa paga mujore bruto është përcaktuar 561 euro.

    Ky projekt financohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), në kuadër të reformës së sistemit të asistencës sociale në vend.

  • I riu që vdiq tragjikisht në Austri s’ishte shtetas kosovar – policia jep detaje

    I riu që vdiq tragjikisht në Austri s’ishte shtetas kosovar – policia jep detaje

    18 vjeçari i cili vdiq tragjikisht pas një aksidenti në Zwettl an der Rodl, në rajonin Urfahr-Umgebung, është shtetas austriak.

    Kështu ka konfirmuar për Klankosova policia austriake, e cila shtoi se viktima kishte lindur në Linz, dhe i njëjti jetonte aty.

    Nga ky aksident, lëndime kanë pësuar edhe persona të tjerë.

    Lidhur me rastin tashmë kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje tragjike. Lajmi vjen pasi dje u raportua se i aksidentuari i cili vidq, ishte me prejardhje nga Kosova.

  • 901 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, afati përfundon sot

    901 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, afati përfundon sot

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se procesi i deklarimit vjetor të pasurisë po zhvillohet sipas afateve ligjore, me shumicën e zyrtarëve publikë që tashmë kanë përmbushur obligimin.

    Sipas të dhënave të fundit, 79.79% e zyrtarëve (8276 persona) kanë deklaruar pasurinë, 11.52% janë ende në proces, ndërsa 8.69% nuk e kanë nisur ende këtë procedurë. Afati përfundimtar për deklarimin është 31 mars 2026, deri në mesnatë, dhe nuk parashihet shtyrje pa pasoja juridike, përveç rasteve të veçanta teknike.

    APK paralajmëron masa ndëshkuese për zyrtarët që nuk respektojnë afatin, përfshirë gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore. Në rast të mosdeklarimit edhe pas masave administrative, çështja mund të procedohet më tej me kallëzime penale në prokurori.

    Verifikimi i pasurisë bëhet përmes shortit të rastësishëm ose bazuar në informacione nga qytetarët, mediat dhe institucionet. Ndërkohë, deklarimi i rremë ose i paplotë mund të çojë në pasoja ligjore, përfshirë hetime dhe njoftim të institucioneve relevante si Administrata Tatimore apo Dogana./Front Online

  • KMDLNJ: Pensionistët e Kosovës janë lënë në harresë nga Qeveria

    KMDLNJ: Pensionistët e Kosovës janë lënë në harresë nga Qeveria

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për neglizhencë ndaj pensionistëve dhe kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.

    Në reagimin e tij, KMDLNJ vlerëson se ekzekutivi po ndan mjete buxhetore për kategori të ndryshme, ndërsa, sipas tyre, pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët dhe invalidët e luftës po përballen me vështirësi serioze për mbijetesë.

    Sipas KMDLNJ-së, rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës është në shpërputhje të madhe me mundësitë financiare të shumicës së familjeve në Kosovë. Organizata thotë se përkundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve, pensionet gjatë gjashtë viteve të fundit janë rritur vetëm 20 për qind, apo mesatarisht rreth 3.25 për qind në vit.

    KMDLNJ ka kritikuar gjithashtu vendimin për ndarjen e pagesës së 13-të për shërbyesit civil dhe mbështetjen financiare prej 500 mijë eurosh për futbollistët e Kombëtares së Kosovës, duke thënë se këto masa nuk kanë prekur shtresat më të rrezikuara të shoqërisë.

    “Me këto pensione nuk mund të sigurohet as një vdekje dinjitoze, e lëre më një jetë dinjitoze”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

    Po ashtu, kjo organizatë ka ngritur shqetësime edhe për çështjen e tarifave të energjisë elektrike, duke pretenduar se qytetarët e Kosovës janë dëmtuar rëndë ndër vite nga politikat e faturimit dhe nga rritja e çmimeve të energjisë.

    KMDLNJ vlerëson se Qeveria ka dështuar të mbrojë të drejtat e njeriut për grupet më të cenueshme dhe më kontributdhënëse të shoqërisë, duke ua mohuar, sipas tyre, një jetë të dinjitetshme përmes pensioneve dhe pagesave të arsyeshme.

    Në fund, KMDLNJ thekson se në vendet e rajonit pensionet dhe skemat sociale janë rritur disa herë, ndërsa në Kosovë, sipas tyre, ka pasur vetëm improvizime dhe manipulime pa efekt real për qytetarët në nevojë.

    Sot, qeveria e Kosovës ka ndarë pagën e 13-të për zyrtarët publikë në vend.

  • 27 vjet nga masakra në Pastasellë të Rahovecit

    27 vjet nga masakra në Pastasellë të Rahovecit

    Masakra në Pastasellë të Komunës së Rahovecit është një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.

    Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth.

    Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 27 vjetësh figurojnë të pagjetur.

    Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur.

    13 persona i mbijetuan kësaj masakre.

    Për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri më tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.

  • Një hap larg suksesit, Kosova sot lufton për ‘ëndrrën amerikane’

    Një hap larg suksesit, Kosova sot lufton për ‘ëndrrën amerikane’

    Kombëtarja e Kosovës sot do të përballet me atë të Turqisë në finalen e “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës, një duel që pritet me emocione të mëdha nga tifozët dardanë.

    Kosova dhe Turqia janë përballur tre herë në të kaluarën, me bilanc që anon dukshëm në favor të Turqisë:

    11.06.2017 – Kosova 1-4 Turqia (Kualifikime për Botëror);

    12.11.2016 – Turqia 2-0 Kosova (Kualifikime për Botëror);

    21.05.2014 – Kosova 1-6 Turqia (Ndeshje miqësore).

    Bilanci historik tregon dominim të Turqisë, si në rezultate ashtu edhe në diferencën e golave.

    Në këto tre ndeshje, Kosova ka shënuar vetëm dy gola, ndërsa ka pësuar 12, duke reflektuar diferencën në atë periudhë.

    Megjithatë, këto përballje i përkasin një kohe kur Kosova sapo kishte nisur rrugëtimin e saj në arenën ndërkombëtare.