ATV

Blog

  • Feja islame e lejon IVF, por këto janë kushtet sipas hoxhë Agim Bekirit

    Feja islame e lejon IVF, por këto janë kushtet sipas hoxhë Agim Bekirit

    Fekondimi in vitro (IVF) është një procedurë mjekësore që përdoret për të ndihmuar çiftet që kanë vështirësi për të pasur fëmijë. Në këtë proces, veza e gruas dhe sperma e burrit bashkohen jashtë trupit, në laborator, dhe më pas embrioni i krijuar vendoset në mitrën e gruas për të vazhduar zhvillimin normal të shtatzënisë.

    Në emisionin “LIBERO” u diskutua kjo temë (përfshirë procedurat, procesin, mundësitë, vështirësitë, paragjykimet, aspekti etik, emocional…) dhe një tjetër aspekt që u diskutua ishte edhe ai  fetar. Lidhur me këtë, sipas hoxhës Agim Bekiri, Islami në parim e lejon përdorimin e IVF-së, por vendos disa kushte të qarta dhe të rëndësishme.

    Ai theksoi se kushti kryesor është që fekondimi artificial të realizohet vetëm ndërmjet një çifti të martuar ligjërisht. Sipas tij, kjo është baza themelore që e bën procedurën të pranueshme nga pikëpamja islame.

    Bekiri shtoi se nuk lejohet përdorimi i spermës apo vezëve nga persona të tretë, si dhe nuk lejohet që embrioni të vendoset në mitrën e një gruaje tjetër (surrogacia). Pra, çdo ndërhyrje e një pale të tretë e bën këtë proces të papranueshëm në Islam.

    Megjithatë, nëse fekondimi kryhet duke përdorur materialin biologjik të vetë bashkëshortëve dhe embrioni vendoset në mitrën e gruas së martuar, atëherë procedura konsiderohet e lejuar.

    Sipas Bekirit, një nga qëllimet kryesore të martesës në Islam është vazhdimësia e pasardhësve dhe ndërtimi i familjes, e cila konsiderohet një institucion i shenjtë dhe me vlerë të lartë në këtë fe.

    Vlen ta përmendim se më 24 dhjetor 2024 u bë përurimi i shërbimit për frytnim të asistuar mjekësor në QKUK. Më 12 mars 2026, për herë të parë në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth IVF, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Dardanët kërkojnë falje: Nuk mundëm t’i përmbushim gjitha kërkesat, të gjithë në stadium me ngjyrat e Kosovës

    Dardanët kërkojnë falje: Nuk mundëm t’i përmbushim gjitha kërkesat, të gjithë në stadium me ngjyrat e Kosovës

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen finale të Play-Off për Kampionatin Botërorë kundër Turqisë me fillim nga ora 20:45.

    Interesimi për të parë këtë ndeshje nga shkallët e stadiumit ka qenë jashtëzakonisht i madh, pasi nuk ka njeri në vendin tonë që nuk do të jetë prezent në Fadil Vokrri, por fatkeqësisht kapaciteti i stadiumit është vetëm 13,980 ulëse.

    Dardanët kanë dalë me njoftim duke kërkuar falje që nuk kanë mundur t’i përmbushin gjitha kërkesat e tifozëve.

    Gjithashtu tifo grupi i Kosovës ka bërë thirrje që të gjithë të pranishmit në stadium të jenë me simbole të Kosovës, shalla, duksa dhe flamuj.

    Njoftimi i plotë nga Dardanët:

    Ndjejmë keqardhje të thellë që nuk kemi arritur t’u përgjigjemi të gjithë të interesuarve për t’u pajisur me bileta për finalen e madhe Kosovë – Turqi.

    Kërkojmë sinqerisht falje që nuk kemi mundur t’i përmbushim të gjitha kërkesat e panumërta, me mijëra të tilla, që tejkaluan çdo pritshmëri të imagjinueshme.

    Kjo kërkimfalje është e ndier, sepse na vjen keq për secilin prej jush që shprehu dëshirën për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore për vendin tonë, por që, fatkeqësisht, nuk do të mund të jetë i pranishëm. Megjithatë, ky është kapaciteti i sektorit të tribunave që mbulojmë ne; nuk kemi mundësi as ta zgjerojmë dhe as të bëjmë të pamundurën. Ju lutemi për mirëkuptim dhe besim se, brenda përgjegjësive tona, kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë maksimumin.U bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë atyre që kanë paguar anëtarësimin vjetor të qëndrojnë të qetë, pasi biletat i kanë të garantuara.

  • NASA nis numërimin mbrapsht për rikthimin e njerëzimit në Hënë pas 53 vitesh

    NASA nis numërimin mbrapsht për rikthimin e njerëzimit në Hënë pas 53 vitesh

    NASA filloi numërimin mbrapsht të hënën për nisjen e parë të njerëzimit drejt Hënës pas 53 vitesh. Raketa 32-katëshe Space Launch System është gati të ngrihet të mërkurën në mbrëmje me katër astronautë.

    Pas një dite në orbitë rreth Tokës, kapsula e tyre Orion do t’i çojë drejt Hënës dhe do t’i kthejë përsëri. Nuk ka ndalesa, vetëm një kthesë e shpejtë rreth Hënës. Fluturimi që zgjat gati 10 ditë do të përfundojë me një ulje në Oqeanin Paqësor.

    “Ekipi ynë ka punuar jashtëzakonisht fort për të arritur në këtë moment. Sigurisht, të gjitha treguesit tani janë se jemi në gjendje të shkëlqyer, shumë të shkëlqyer” tha drejtori i lëshimit Charlie Blackwell-Thompson.

    Menaxherët thanë se raketa po funksionon mirë pas raundit të fundit të riparimeve. Parashikuesit e motit thanë se kushtet atmosferike duhet të jenë të favorshme.

    Misioni Artemis II i NASA-s duhej të nisej në shkurt, por u shty për shkak të rrjedhjeve të hidrogjenit. Rrjedhjet u rregulluan, por më pas një linjë presurizimi me helium u bllokua, duke detyruar kthimin në hangar në fund të muajit të kaluar. Raketa u kthye në platformë para një jave e gjysmë, dhe ekuipazhi amerikano-kanadez mbërriti në vendin e nisjes të premten.

    Ndryshe nga Apollo, i cili dërgoi vetëm burra në Hënë nga viti 1968 deri në 1972, ekuipazhi i parë i Artemis përfshin një grua, një person me ngjyrë dhe një shtetas jo-amerikan. NASA ka gjashtë ditët e para të prillit për të nisur Artemis II, përpara se të ndalojë përkohësisht deri në fund të muajit.

  • Pas aksidentit tenton të ikë, shoferi përfundon në QKUK nga përplasja me shtyllë betoni

    Pas aksidentit tenton të ikë, shoferi përfundon në QKUK nga përplasja me shtyllë betoni

    Një drejtues i një veture ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK, pas përplasjes në një shtyllë betoni.

    Ai sipas Policisë kishte tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes ku ishte përfshirë në një aksident.

    Rasti ka ndodhur në Ferizaj.

    “Është raportuar për një aksident trafiku në mes dy automjeteve. Si pasojë lëndime trupore ka pësuar drejtuesi i njërit nga automjetet pasi që i njëjti duke ikur nga vendi i ngjarjes është përplasur në një shtyllë të rrjetit elektrik nga betoni. Lidhur me rastin i dyshuari është duke u trajtuar në QKUK-së nën mbikëqyrjen e policisë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Prishtina e mbushur me mbeturina, Rama: Të mos bllokohen kontejnerët

    Prishtina e mbushur me mbeturina, Rama: Të mos bllokohen kontejnerët

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje për më shumë kujdes në mirëmbajtjen e hapësirave publike, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të duhur të kontejnerëve për mbeturina.

    Në një postim në Facebook, Rama ka kërkuar nga qytetarët që të kontribuojnë në mbajtjen e ambientit të pastër dhe funksional.

    “Pastrimi i hapësirave përreth kontejnerëve. Lusim qytetarët që mbeturinat t’i hedhin në kontejnerë dhe të mos i bllokojnë kontejnerët me vetura”, ka shkruar Rama.

    Ai ka theksuar se mirëmbajtja e hapësirave publike nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por edhe qytetare.

    “Mirëmbajtja e hapësirave publike është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm me kujdes dhe bashkëpunim mund ta mbajmë ambientin të pastër dhe të rregullt për të gjithë”, ka shtuar ai.

    Apeli i kryetarit vjen në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e gjendjes së pastërtisë në kryeqytet dhe për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar lidhur me menaxhimin e mbeturinave.

  • Policia rrit prezencën, K9 në terren para ndeshjes Kosovë-Turqi

    Policia rrit prezencën, K9 në terren para ndeshjes Kosovë-Turqi

    Në prag të përballjes Kosovë-Turqi, autoritetet e sigurisë kanë ndërmarrë masa të shtuara për të garantuar zhvillim sa më të mirë të këtij eventi sportiv.

    Policia e Kosovës ka “blinduar” zonën përreth hotelit ku është akomoduar Kombëtarja e Turqisë, duke rritur ndjeshëm prezencën e saj në terren, përfshirë edhe njësitin K9.

    Burime brenda policisë kanë bërë të ditur se këto kontrolle janë rutinore dhe zhvillohen shpesh.

    Këto masa vijnë si pjesë e planit të përgjithshëm të sigurisë për ndeshjen e shumëpritur ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.

    Niveli i sigurisë është ngritur në maksimum, duke synuar një organizim të qetë dhe pa incidente për një nga ndeshjet më të rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës.

  • Patatja e ëmbël ndihmon në reduktimin e rrudhave

    Patatja e ëmbël ndihmon në reduktimin e rrudhave

    Patatja e ëmbël është një lloj i veçantë i patates dhe mund ta gjeni në ngjyrë krem, të verdhë, portokalli dhe ngjyrëvjollcë. Kjo patate është e pasur me antioksidantë dhe me vlera ushqyese. Këto patate ju vijnë në ndihmë më së shumti diabetikëve dhe jo vetëm.

    Patatja e ëmbël është e mirë për personat e sëmurë me diabet, pasi përmban sheqerna natyrorë të cilat stabilizojnë nivelin e insulinës tek diabetikët.

    E pasur me fibra dietike të cilat shërbejnë për tretjen, patatja e ëmbël parandalon kancerin e zorrës së trashë dhe ndihmon personat që kanë probleme me kapsllëkun, përcjell atsh.

    Përmban karotenoide të cilat ndihmojnë në prodhimin e vitaminës A, vitaminë e cila ripërtërin sistemin e frymëmarrjes. Duhanpirësit duhet ta konsumojnë sa më shpesh.

    Përmban vitaminë D. Kjo vitaminë është e mirë për dhëmbët, zemrën, lëkurën, eshtrat.

    Rrit nivelin e energjisë. Përmban vitaminë B6 e cila ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe trurit.

    Është e mirë për indet dhe muskujt dhe ndihmon për ulen e enjtjeve apo dhimbjet e barkut. Ju jep energji dhe rregullon rrahjet e zemrës. Vepron si një antioksidant, mbron mushkëritë si dhe parandalon kancerin e gjirit. Redukton shenjat e plakjes.

    Ajo është e pasur me acid folik. Ndihmon në zhvillimin e shëndetshëm të fetusit. Rekomandohet të konsumohet nga gratë shtatzëna.

    Vitamina C është thelbësore për funksionimin si duhet të trupit dhe patatja e ëmbël e përmban me shumicë këtë vitaminë.

    Ujin e patateve të ziera mund ta përdorni për të trajtuar lëkurën, sidomos në rastet kur lëkura është e acaruar. Pastron thellësisht poret.

    Kjo patate është e pasur me hekur, i cili ka rol të rëndësishëm në prodhimin e qelizave të kuqe dhe të bardha të gjakut. Gjithashtu ndihmon për të luftuar aneminë.

  • BMW nuk e përjashton mundësinë e ndërtimit të një veture sportive elektrike me dy dyer

    BMW nuk e përjashton mundësinë e ndërtimit të një veture sportive elektrike me dy dyer

    Me rënien e BMW Z4 dhe mungesën e një pasardhësi të shpallur zyrtarisht, një tjetër makinë sportive po largohet për fat të keq nga skena dhe po e lë BMW-në pa një model me dy vende në linjën e saj për herë të parë në më shumë se 20 vjet.

    Por kjo mund të mos shënojë kapitullin e fundit në historinë e makinës sportive kabriolet të BMW-së, transmeton Telegrafi.

    Në një ngjarje të kohëve të fundit të BMW-së në Mynih të Gjermanisë, nënkryetari i lartë i menaxhimit të markës dhe produkteve BMW, Bernd Koerber, iu përgjigj një pyetjeje nëse ai mund ta shihte BMW-në duke ndërtuar një makinë sportive elektrike sipas linjave të Z4. Një iZ4, a ka ndonjë?

    “Në evolucionin e gjërave, po. Jo se nesër do të shpallim diçka, por që BMW gjithmonë do të shqyrtojë makinat sportive, po, dhe që makinat elektrike kanë një vend edhe në makinat sportive. Pra, do të thosha se nuk është e pamundur, por jo diçka që do të lansohet së shpejti vitin e ardhshëm”, tha Koerber.

    Komentet e Koerber sinjalizuan një gatishmëri për të zhvilluar një makinë sportive të elektrizuar me dy dyer, por tha se “gatishmëria” pa dyshim është komplikuar nga pasiguria rreth automjeteve elektrike në përgjithësi dhe tregu i kufizuar për makina si Z4 më konkretisht, pavarësisht nga sistemi i fuqisë.

    Nuk duhet të shohim më tej se saga e fundit rreth Porsche dhe e ardhmja e linjës së saj 718. Porsche fillimisht supozohej të hiqte gradualisht modelet e saj 718 me benzinë në favor të versioneve vetëm elektrike deri në vitin 2025.

    Pastaj u tërhoq nga ato plane dhe thuhet se tha se do të kishte makina 718 të gjeneratës së ardhshme me benzinë. Ndërkohë, modelet aktuale 718 janë ndërprerë, por edhe Porsche Boxster elektrik mund të mos ketë vdekur në fund të fundit. Gjithçka është shumë e errët.

    Sidoqoftë, ne nuk e shohim një version elektrik të Z4 të jetë një përparësi shumë e lartë për BMW. Po, është një prodhues makinash me një histori të ndërtimit të makinave sportive me dy dyer, por trashëgimia dhe të ardhurat nga shitjet janë dy gjëra të ndryshme.

    BMW nuk raporton se sa Z4 shet çdo vit, por mendohet se shifra është e vogël. Prandaj edhe anulimi i saj. Dhe për sa i përket elektrifikimit të linjës së saj, SUV-të me siguri do të kenë përparësi.

    Por çdo gjë është e mundur. Duke pasur parasysh se sa e adaptueshme është zhvilluar të jetë platforma e elektrizuar Neue Klasse e gjeneratës së ardhshme e BMW-së, kjo mund ta bëjë ndërtimin e një roadsteri elektrik më pak problematik. A do ta blinin njerëzit? Kjo është pyetja më e madhe.

  • Po shkoni në Japoni? Këto rregulla të çuditshme duhet t’i dini patjetër

    Po shkoni në Japoni? Këto rregulla të çuditshme duhet t’i dini patjetër

    Japonia mahnit me rendin, pastërtinë dhe respektin në çdo detaj të jetës së përditshme. Por pikërisht këto dallime kulturore mund të jenë sfiduese për turistët që e vizitojnë për herë të parë

    Japonia është një destinacion unik që bashkon traditën me modernitetin në mënyrë të jashtëzakonshme. Megjithatë, për shkak të specifikave të saj kulturore dhe shoqërore, ajo mund të jetë sfiduese për vizitorët që shkojnë për herë të parë. Nga rregullat e sjelljes dhe organizimi i transportit, deri te zakonet e përditshme, është e rëndësishme të njihni disa detaje paraprakisht për të shmangur situata të pakëndshme dhe për ta shijuar maksimalisht udhëtimin.

    Tempujt e lashtë, qytetet futuriste dhe kuzhina e pasur janë vetëm një pjesë e asaj që tërheq turistët drejt Japonisë. Megjithatë, shumë vizitorë befasohen nga gjëra të tjera: rrugët jashtëzakonisht të pastra, trenat që mbërrijnë me saktësi pothuajse absolute dhe një rend që ndihet në çdo aspekt të jetës së përditshme. Këto nuk janë rastësi, por pasqyrojnë një kulturë që vlerëson disiplinën, respektin dhe bashkëjetesën.

    Për këtë arsye, ekziston një sërë rregullash, disa të shkruara e shumë të pashkruara, të cilat mund të duken të pazakonta për të huajt. Njohja e tyre jo vetëm që ju ndihmon të orientoheni më lehtë, por edhe tregon respekt ndaj vendasve.

    Udhëtarët nuk duhet të shqetësohen nëse nuk i ndjekin të gjitha në mënyrë perfekte, pasi ata janë mysafirë. Megjithatë, edhe një njohje bazë e këtyre zakoneve e bën përvojën në Japoni më të këndshme dhe më të lehtë.

    Bëni kujdes si përdorni shkopinjtë e ngrënies
    Shkopinjtë e ngrënies janë pjesë thelbësore e kulturës japoneze, por përdorimi i tyre shoqërohet me disa rregulla të rëndësishme. Nuk duhet t’i vendosni kurrë drejt në një tas me oriz dhe as të kaloni ushqimin nga një palë shkopinj te tjetra, pasi këto veprime lidhen me ritualet mortore dhe konsiderohen të papërshtatshme.

    Kur nuk i përdorni, vendosini mbi një mbajtëse të vogël ose në anë të tasit. Është gjithashtu e zakonshme që tasi i orizit ose i supës të afrohet pranë gojës gjatë ngrënies, në vend që të përkuleni mbi të.

    Zhurma gjatë ngrënies nuk është problem
    Ndryshe nga shumë vende të tjera, në Japoni zhurma gjatë ngrënies nuk konsiderohet mungesë edukate. Përkundrazi, kur hani ramen, soba apo udon, kjo shihet si shenjë që po e shijoni ushqimin.

    Kjo traditë daton që nga periudha Edo, kur ushqimi shpesh konsumohej shpejt në tezga rrugore. Përveç kësaj, kjo mënyrë ndihmon në ftohjen e ushqimit të nxehtë dhe përmirëson përvojën e shijes.

    Disa fjalë japoneze bëjnë diferencën
    Edhe pse nuk është e nevojshme të flisni japonezisht rrjedhshëm, disa shprehje bazë mund të bëjnë një ndryshim të madh në komunikim dhe në mënyrën si perceptoheni nga vendasit.

    Fjalë si “sumimasen” për të tërhequr vëmendjen, “onegaishimasu” për të kërkuar diçka, apo “itadakimasu” dhe “goçisousama” para dhe pas ushqimit, janë shprehje të respektit dhe mirënjohjes që vlerësohen shumë.

    Bakshishi nuk është i zakonshëm
    Në Japoni, bakshishi nuk është pjesë e kulturës dhe në disa raste mund të konsiderohet edhe i papërshtatshëm. Shërbimi cilësor është standard dhe nuk kërkon shpërblim shtesë.

    Nga ana tjetër, është e rëndësishme të konsumoni ushqimin që porositni, pasi lënia e ushqimit në pjatë mund të shihet si shpërdorim.

    Nuk duhet t’i përgjigjeni përshëndetjes në dyqan
    Kur hyni në një dyqan apo restorant, do të dëgjoni shpesh “irašaimase”, që do të thotë “mirë se vini”. Nuk pritet që t’i përgjigjeni, pasi kjo është thjesht një mënyrë standarde për të shprehur mikpritjen.

    Një buzëqeshje ose një përkulje e lehtë është më se e mjaftueshme.

    Qetësia në transport publik
    Transporti publik në Japoni njihet për saktësinë, pastërtinë dhe qetësinë. Telefonatat zakonisht shmangen dhe bisedat mbahen në nivel të ulët.

    Është e zakonshme që telefonat të vendosen në modalitet të heshtur dhe të përdoren kufje për muzikë ose video.

    Ushqimi në rrugë nuk është gjithmonë i pranueshëm
    Në Japoni, ushqimi zakonisht konsumohet në vendin ku blihet ose në hapësira të dedikuara. Ecja dhe ngrënia në të njëjtën kohë nuk konsiderohet sjellje e mirë.

    Megjithatë, ka përjashtime, sidomos gjatë udhëtimeve të gjata me tren, ku konsumimi i ushqimit është pjesë e përvojës.

    Mbajeni mbeturinën me vete
    Një nga gjërat që bie më shumë në sy në Japoni është pastërtia e jashtëzakonshme, pavarësisht mungesës së koshave të mbeturinave. Kjo ndodh sepse njerëzit zakonisht i mbajnë mbeturinat me vete derisa të gjejnë vendin e duhur për t’i hedhur.

    Shumë japonezë mbajnë një qese të vogël për këtë qëllim. Për turistët, një zgjidhje praktike mund të jetë përdorimi i “furoshiki”, një copë pëlhure tradicionale që shërben për të mbajtur sende.

    Rregullat e banjave termale
    Vizita në onsen, burimet termale japoneze, është një përvojë unike. Megjithatë, ka rregulla të qarta: duhet të laheni mirë para hyrjes dhe zakonisht nuk lejohen rrobat e banjës.

    Flokët e gjatë duhet të lidhen, ndërsa tatuazhet mund të jenë të ndaluara në disa vende për shkak të lidhjes historike me grupet kriminale.

    Sjellja në shkallët lëvizëse
    Një detaj interesant në Japoni është rregulli i qëndrimit në shkallët lëvizëse. Në Tokio dhe në pjesën lindore qëndrohet në anën e majtë, ndërsa në Osaka dhe në pjesën perëndimore në anën e djathtë.

    Nëse nuk jeni të sigurt, mjafton të ndiqni personat përpara jush.

  • Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë

    Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë

    Bordi i Paqes ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës në Gazë, duke e mirëpritur këtë angazhim.

    Në një postim në rrjetin social X, Bordi i Paqes theksoi mbështetjen për vendimin e institucioneve të Kosovës.

    “Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë”, thuhet në reagim.

    Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

    “Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe e vendos republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha ai.

    Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

    Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

    Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

    Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur më herët se propozimvendimi për këtë çështje ishte përcjellë në Qeveri më 3 mars.

    Vendimi i Qeverisë vjen pasi funksionalizimi i punës së Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 mars, ka hapur rrugën për trajtimin e çështjeve të tilla.

    Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundon më 4 prill.

    Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminim të mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.

    Zyrtarët e ministrisë kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe se është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës për përgatitjen e dislokimit.

    Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.

    Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha infrastrukturore.