ATV

Musmurati: Gjykata Supreme i dha të drejtë NPB-së

Written by

in

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për kthimin në rigjykim të kontestit juridik ndërmjet tri shoqërive tregtare dhe Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), duke e cilësuar këtë zhvillim si fitore të së vërtetës dhe interesit publik.

“E VËRTETA FITOI SOT! Të gjitha sulmet u panë çfarë interese kanë, kush kujt ia mbajti anën, por interesi publik dhe e vërteta fituan!”, ka shkruar Musmurati.

Nënkryetarja ka theksuar se Gjykata Supreme ka konstatuar shkelje thelbësore në aktgjykimet e instancave më të ulëta, të cilat kanë ndikuar në mosvërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.

“Gjykata Supreme kthen në rigjykim kontestin ndërmjet shoqërive tregtare dhe Ndërmarrjes Publike Banesore. Gjykata Supreme ka vlerësuar se aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta janë përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe në zbatim të gabuar të së drejtës materiale, për çka gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë”, ka shkruar ajo.

Vendimi i Gjykatës Supreme ka prishur aktgjykimet e dy instancave të Gjykatës Komerciale, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Kontesti mbetet ende pa një vendim përfundimtar, ndërsa Musmurati e ka interpretuar vendimin si një zhvillim në favor të interesit publik.