ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Lëvizja Vetëvendosje hap fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit

    Lëvizja Vetëvendosje hap fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ferizaj ishte destinacioni i parë ku Lëvizja Vetëvendosje hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë.

    Kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për mandatin e ardhshëm, duke premtuar transformim ekonomik dhe industrial të vendit.

    Në fjalimin e tij, Kurti deklaroi se në katër vitet e ardhshme do të investohet në ndërtimin dhe rinovimin e 20 stadiumeve në vend, si dhe rreth një miliard euro në sektorin e prodhimit dhe në ushtri.

    Kurti gjithashtu premtoi rritje të pagave dhe zgjerimi i pagesave shtesë për sektorin publik dhe privat.

    Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje garon me numrin 116.

  • PSD premton model të ri opozitar para zgjedhjeve të 7 qershorit

    PSD premton model të ri opozitar para zgjedhjeve të 7 qershorit

    Partia Socialdemokrate ka publikuar një video-incizim në Facebook si pjesë të fushatës së saj për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, në të cilat garon me numrin 129.

    Në këtë video, kryetari i partisë, Dardan Molliqaj, ka folur për nevojën e krijimit të një opozite të re, të ndërtuar mbi ide dhe kauza politike.

    Molliqaj deklaroi se opozita nuk mund të bëhet nga lagjet luksoze, duke shtuar se nuk mund të kundërshtohen pushtetet e fuqishme përderisa ekzistojnë interesa biznesore dhe përfitime personale.

    Sipas tij, opozita e deritanishme ka qenë e orientuar kryesisht nga interesa klanore dhe financiare, ndërsa PSD synon të ndërtojë një model tjetër opozitar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Ai shtoi se PSD synon një opozitë që do të përballet me pushtetin, do ta kontrollojë dhe do ta sfidojë atë përmes organizimit politik mbi baza programore dhe ideologjike.

  • AAK hap fushatën zgjedhore në Gjakovë me sloganin “Për më shumë siguri, energji e zhvillim”

    AAK hap fushatën zgjedhore në Gjakovë me sloganin “Për më shumë siguri, energji e zhvillim”

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, ku kjo parti garon me numrin 128.

    Në fjalimin e tubimit hapës, Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se Kosova nuk është në gjendje të mirë.

    Ai pati disa fjalë edhe për kandidatin për kryeministër nga radhët e Aleancës.

    Kandidati për Kryeministër i AAK-së Ardian Gjini, i cili së fundmi është zgjedhur në krye të partise para të pranishmëve kritikoi qeverisjen aktuale, duke përmendur projektin e rrugës në Dollc si shembull të premtimeve të parealizuara.

    Në fushën e sigurisë, ai tha se prioritet i programit të tij do të jetë forcimi i institucioneve të sigurisë dhe avancimi i Kosovës drejt integrimit në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

  • PDK hap fushatën elektorale në Ferizaj, me sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën”

    PDK hap fushatën elektorale në Ferizaj, me sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën”

    Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, nën sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”.

    Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në një tubim madhështor në Ferizaj, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë numrin 125, Partinë Demokratike të Kosovës.

    Ai prezantoi edhe zotime ekonomike të programit zgjedhor, duke premtuar rritje të pagave dhe pensioneve për 50 për qind në sektorin publik, si dhe përmirësim të skemave sociale.

    Hamza tha gjithashtu se qeveria e tij do të mbështetes bizneset vendore përmes granteve dhe investimeve.

    Ai në fund foli edhe për ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se PDK beson në drejtësi dhe se sipas tij, ata do të kthehen faqebardhë.

  • LDK hap zyrtarisht fushatën elektorale në Prishtinë

    LDK hap zyrtarisht fushatën elektorale në Prishtinë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë. Tubimi qendror u mbajt në sallën 1 Tetori në Prishtinë, ku u prezantua programi zgjedhor i partisë dhe kandidatët për deputetë.

    Kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku e cilësoi këtë tubim si fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën teksa kritikoi gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke thënë se qytetarëve po u kërkohet të mësohen me pak.

    Abdixhiku u zotua për krijimin e Ministrisë së Familjes, mbështetje prej 200 eurosh në muaj për çdo të porsalindur gjatë vitit të parë, shtesa për fëmijë deri në moshën 16-vjeçare, 40 mijë vende të reja të punës dhe dyfishim të pensioneve, duke premtuar se asnjë pension nuk do të jetë nën 300 euro.

    Në fushën e energjisë, Abdixhiku premtoi ndërtimin e një centrali të ri me gaz amerikan.

    Në këtë tubim foli edhe kandidatja për presidente me numrin 1 në listën e LDK-së, Vjosa Osmani, ku tha se Kosova nuk do të lejohet të dëmtohet nga përçarjet politike, por do të vazhdojë rrugën e ndërtimit dhe integrimit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës garon me numrin 113 në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

  • Orari i transmetimit të spoteve të subjekteve politike, reklamimi pa pagesë – Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2026

    Orari i transmetimit të spoteve të subjekteve politike, reklamimi pa pagesë – Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2026

    Orari i transmetimit të spoteve të subjekteve politike, reklamimi pa pagesë – Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2026

    Orarin mund ta shkarkoni Mediaplani – reklamimi pa pagese.

     

    ATV ka përgatitur edhe ofertën për rekamimin me pagesë të subjekteve politike, pjesëmarrëse në Zgjedhjet e Parakoshme Parlamentare të 07 qershorit 2026.

    Çmimoren e marketingut mund ta shkarkoni KËTU.

     

     

     

  • Në prag të zgjedhjeve, Abdixhiku prezanton mesazhet e fundit

    Në prag të zgjedhjeve, Abdixhiku prezanton mesazhet e fundit

    Edhe pse fushata u mbyll zyrtarisht të premten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ndarë sot në rrjetet sociale disa momente dhe mesazhe nga aktivitetet e fundit të fushatës.

    Në një vizitë në DeepSpace në Prishtinë, Abdixhiku ka folur për rëndësinë e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për të ardhmen e vendit. Ai ka deklaruar se “e ardhmja është digjitale” dhe se Kosova, si shoqëri e re me dije të reja, ka mundësi reale të bëjë kapërcim të madh drejt zhvillimit evropian. Sipas tij, LDK ka plan të qartë për krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si bazë për vende të reja pune dhe ekonomi moderne.

    Po ashtu, kreu i LDK-së ka zhvilluar një takim me artistë dhe përfaqësues të skenës kulturore, ku ka diskutuar për sfidat dhe rolin e artit në shoqëri. Abdixhiku ka thënë se kultura nuk është luks, por identitet dhe themel shpirtëror i një kombi, duke premtuar mbështetje institucionale dhe investime serioze në art, trashëgimi kulturore dhe hapësira krijuese.

    Në një tjetër mesazh, Abdixhiku është ndalur edhe te zhvillimi urban i Prishtinës, duke vlerësuar rifillimin e projekteve infrastrukturore pas zhbllokimit financiar. Ai tha se Unaza e Brendshme e kryeqytetit është drejt finalizimit, ndërsa Unaza e Jashtme dhe rrugët e vonuara ndër vite do të përfundojnë me ritëm të përshpejtuar, duke nënvizuar se LDK në Prishtinë “nuk ndalet”.

    Me këto mesazhe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbyllur fushatën zgjedhore duke u fokusuar në digjitalizim, kulturë dhe zhvillim, ndërsa qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen kutive të votimit nesër, më 28 dhjetor, për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

  • “Krah Kosovës Përjetë”, AAK mbyll zyrtarisht fushatën zgjedhore

    “Krah Kosovës Përjetë”, AAK mbyll zyrtarisht fushatën zgjedhore

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbyllur sot fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare me një tubim qendror të mbajtur në Prishtinë. Në këtë tubim, Kryetari i AAK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar familjet e dëshmorëve, martirëve, veteranët e luftës, bashkëluftëtarët, si dhe përfaqësuesit nga diaspora që, sipas tij, kanë udhëtuar nga larg për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

    Gjatë fjalimit, Haradinaj ka vënë theks të veçantë në listën zgjedhore të AAK-së, duke e cilësuar atë si më të mirën që Kosova ka pasur ndonjëherë. Sipas tij, lista 129 përfaqëson një përzierje të gjeneratave dhe profesioneve.

    Ai ka thënë se programi i AAK-së synon të jetë pranë çdo qytetarit teksa ka përsëritur zotimin për rritje të pagave, pensioneve dhe shtesave sociale.

    Në fjalimin e tij, Haradinaj ka veçuar dy prioritete kryesore që, sipas tij, vetëm AAK mund t’i realizojë: çlirimin e Kosovës nga, siç e quajti ai, “mafia energjetike” përmes prodhimit vendor të energjisë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO për të garantuar siguri të përhershme.

    Me këtë tubim në Prishtinë, AAK ka përmbyllur zyrtarisht fushatën zgjedhore, duke u bërë thirrje qytetarëve që në ditën e zgjedhjeve ta mbështesin listën 129.

  • “Begati dhe Siguri”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën zgjedhore

    “Begati dhe Siguri”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën zgjedhore

    Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën për zgjedhjet parlamentare me një tubim të madh në kryeqytet. Kryetari i partisë dhe kandidati për Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, premtoi se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojë investimet në prodhimtari, teknologji, arsimin e shëndetësinë, duke premtuar gjithashtu rritjen e shtesave për familjet me fëmijë dhe mbështetje për bashkatdhetarët që duan të investojnë në vend.

    Kurti premtoi edhe për modernizimin e ushtrisë dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë, duke përmendur krijimin e një fondi për teknologji dhe inovacion.

    Në fund të tubimit, ai apeloi qytetarët që të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatët për deputet, teksa ka folur për rëndësinë e votës së tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

  • “Bashkë drejt fitores”, KDTP mbyll fushatën elektorale

    “Bashkë drejt fitores”, KDTP mbyll fushatën elektorale

    Partia Demokratike Turke e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare me një mesazh të fuqishëm uniteti, besimi dhe vendosmërie. Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka, tha se kjo fushatë ka qenë një dëshmi e lidhjes së fortë mes partisë dhe popullit.

    “Ne jemi pranë popullit tonë, zemër më zemër. Gjithmonë krah për krah me të njëjtin sinqeritet, besim dhe entuziazëm. Ky unitet i fortë vazhdon me vendosmëri në kutinë e votimit. Ne takohemi me besim në numrin 112. Ne jemi të fortë së bashku dhe do të fitojmë së bashku,” u shpreh Damka.

    Në kuadër të aktiviteteve të fundit të fushatës, KDTP ka ndarë pamje nga takimi i mbajtur në Mamushë me qytetarët, ku morën pjesë Kryetari i KDTP-së, z. Fikrim Damka, si dhe Kryetari i Komunës së Mamushës, z. Abdülhadi Krasniç. Takimi u organizua në mbështetje të kandidatëve për deputetë Ergül Mazrek dhe Fatma Taçi, të cilët u prezantuan si përfaqësues të përkushtuar dhe zëri i denjë i komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës.

    Në ditët e fundit të fushatës, Kryetari i KDTP-së ka publikuar edhe një video informuese me grafika sqaruese për mënyrën e saktë të votimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.
    “Le të takohemi në qendrat e votimit më 28 dhjetor. Çdo votë është e rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët,” është mesazhi përmbyllës i Kryetarit Damka.