ATV

Category: Sport

  • Algjeria ankohet në FIFA për arbitrimin e ndeshjes ndaj Argjentinës

    Algjeria ankohet në FIFA për arbitrimin e ndeshjes ndaj Argjentinës

    Federata Algjeriane e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA lidhur me arbitrimin e ndeshjes së raundit të parë të Kupës së Botës kundër Argjentinës.

    Argjentina fitoi bindshëm me rezultatin 3:0, falë tre golave të shënuar nga Lionel Messi, por algjerianët besojnë se vendimet e gjyqtarit polak Szymon Marciniak ndikuan ndjeshëm në rrjedhën e takimit.

    Sipas ankesës, incidenti i parë ndodhi në minutën e 31-të, kur Messi ndërhyri ashpër ndaj mbrojtësit algjerian Aissa Mandi pas një dueli për topin. Futbollistët algjerianë kërkuan karton të kuq të drejtpërdrejtë për yllin argjentinas, duke argumentuar se ndërhyrja ishte e rrezikshme dhe e dënueshme me përjashtim. Megjithatë, Marciniak vendosi të mos e ndëshkojë me karton të kuq, ndërsa as dhoma e VAR-it nuk rekomandoi rishikim të vendimit.

    Incidenti i dytë, sipas algjerianëve, ndodhi në minutën e 74-të, kur Alexis Mac Allister goditi me bërryl në kokë mesfushorin Ibrahim Maza. Edhe në këtë rast nuk u dha karton i kuq, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në kampin algjerian.

    Në letrën drejtuar FIFA-s, Federata Algjeriane kërkon sqarime se përse zyrtarët e VAR-it nuk ndërhynë në asnjërën prej këtyre situatave, duke theksuar se rastet që mund të ndëshkohen me karton të kuq të drejtpërdrejtë duhet të verifikohen detyrimisht nga sistemi VAR.

    Algjerianët janë të bindur se përjashtimi i mundshëm i dy futbollistëve argjentinas do të kishte ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e ndeshjes dhe tani presin një përgjigje zyrtare nga FIFA lidhur me ankesën e tyre.

  • Carlo Ancelotti konfirmon rikthimin e Neymarit për sfidën ndaj Skocisë

    Carlo Ancelotti konfirmon rikthimin e Neymarit për sfidën ndaj Skocisë

    Përzgjedhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Kupës së Botës kundër Skocisë, pasi ka lënë pas problemet me lëndimin.

    Pas fitores bindëse 3:0 ndaj Haitit, tekniku italian dha lajmin që tifozët brazilianë prisnin me padurim, duke bërë të ditur se ylli i skuadrës është rikuperuar plotësisht.

    “Po, Neymar do të jetë gati për ndeshjen kundër Skocisë”, deklaroi Ancelotti.

    Sulmuesi brazilian kishte munguar në ndeshjet e fundit për shkak të problemeve fizike, por tashmë është rikthyer në stërvitje dhe do të jetë në dispozicion të ekipit për sfidën e radhës.

    Rikthimi i Neymarit vjen në një moment kyç për Brazilin, i cili synon të sigurojë sa më shpejt kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Botërorit. Përvoja, kreativiteti dhe cilësitë e tij në repartin ofensiv pritet t’i japin një shtysë të madhe skuadrës së drejtuar nga Ancelotti.

    Me Brazilin që po afrohet drejt sigurimit të një vendi në fazën tjetër të garës, rikthimi i 34-vjeçarit përbën një lajm shumë të mirë për pesë herë kampionët e botës para përballjes së rëndësishme me Skocinë.

  • Holanda dhe Gjermania zbresin në fushë, Maroku siguron kualifikimin ndërsa Turqia eliminohet nga Botërori

    Holanda dhe Gjermania zbresin në fushë, Maroku siguron kualifikimin ndërsa Turqia eliminohet nga Botërori

    Faza e grupeve në Botëror vazhdon me ndeshje mjaft interesante gjatë 20 dhe 21 qershorit. Vëmendja kryesore do të jetë te përballja mes Holandës dhe Suedisë, e cila zhvillohet më 20 qershor në orën 19:00, ndërsa më vonë, në orën 22:00, Gjermania do të sfidojë Bregun e Fildishtë.

    Programi vijon në orët e para të 21 qershorit, kur Ekuadori përballet me Kuraçaon në orën 02:00, ndërsa Tunizia do të luajë kundër Japonisë në orën 06:00.

    Ndërkohë, ndeshjet e fundit kanë prodhuar rezultate të rëndësishme. Maroku mposhti Skocinë me rezultat minimal 1:0 dhe hodhi një hap të madh drejt fazës së ardhshme. Brazili, nga ana tjetër, tregoi forcën e tij duke triumfuar 3:0 ndaj Haitit.

    Lajmi më i hidhur erdhi për Turqinë, e cila u mposht 1:0 nga Paraguaji dhe i dha fund aventurës së saj në këtë Botëror. Humbja rezultoi fatale për turqit, që mbeten jashtë garës për kualifikim në fazën me eliminim direkt.

    Me garën që po hyn në fazën vendimtare, çdo pikë dhe çdo ndeshje po merr rëndësi të veçantë në luftën për një vend në raundin tjetër të Botërorit.

  • Shkruhet historia në Kupën e Botës, Almiron bëhet lojtari i parë që përjashtohet me të kuq nga “Ligji Vinicius”

    Shkruhet historia në Kupën e Botës, Almiron bëhet lojtari i parë që përjashtohet me të kuq nga “Ligji Vinicius”

    Futbollisti paraguaian, Miguel Almiron, do të hyjë në histori si lojtari i parë që përjashtohet për shkak të zbatimit të një rregulli të ri, të ashtuquajturit “Lex Vinicius” ose “Ligji i Vinicius”. Është një rregull që rezulton në një karton të kuq për këdo që mbulon gojën për t’i thënë diçka një kundërshtari.

    Anësori me përvojë i Atlanta United, anëtar i ekipit kombëtar të Paraguait që nga viti 2017, bëri pikërisht këtë dhe në minutën e tretë të kohës shtesë në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Turqisë, ai u dërgua në dhomat e zhveshjes me karton të kuq.

    Njëri nga njerëzit kryesor që erdhi deri te ky ndëshkim ishte mbrojtësi turk, Mert Muldur, i cili lajmëroi menjëherë gjyqtarët për veprimin e Almiron.

    Pas rishikimit të VAR-it, gjyqtari nga El Salvadori, Ivan Barton, vendosi ta përdor “Ligjin Vinicius” duke ndëshkuar Almiron me të Kuq dhe duke e bërë lojtarin e parë në histori që përjashtohet për shkak të zbatimit të këtij rregulli.

    Cili është ai rregull?

    Dy muaj më parë, FIFA propozoi dhe IFAB miratoi unanimisht dy ndryshime në Rregullat e Lojës së Futbollit në një seancë të posaçme në Vankuver. IFAB është shkurtim për Bordin i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit.

    Është organi më i lartë dhe më i vjetër përgjegjës për vendosjen dhe ndryshimin e rregullave të lojës së futbollit. Organizata konfirmoi zbatimin e rregullave të reja, të cilat hyjnë në fuqi për Kupën e Botës, njëra prej të cilave ishte “Ligji Vinicius”.

    Presidenti i FIFA-s ishte në favor të zbatimit të kësaj mase, të cilën tani ka arritur ta shtyjë përpara me vendosmëri. Shkaku për miratimin e saj ishte skandali i shkurtit dhe ndeshja Benfica-Real në Ligën e Kampionëve.

    Aktivizuesi i rregullit

    Në atë kohë, Vinicius dhe Mbappe pretenduan se lojtari rival Gianluca Prestianni e quajti ‘majmun’ brazilianin e Realit, por kjo nuk mund të lexohej nga buzët e tij sepse ai i mbuloi ato me bluzën e tij ndërsa shqiptonte fyerjen e supozuar raciste.

    Mesfushori argjentinas i Benficës u pezullua pas një hetimi për tre ndeshje, por për homofobi. Ai pranoi se i kishte thënë Viniciusit se ishte “peder” dhe ishte ndëshkuar për këtë, por ajo që pretendoi Viniciusi, se e kishte ofenduar në mënyrë raciste, nuk u provua.

    Megjithatë, kjo ishte arsyeja që FIFA miratoi rregullin e përmendur, dhe u ra dakord në asamblenë e fundit në shkurt, menjëherë pas ndeshjes midis Benficës dhe Realit.

  • Real Madridi planifikon të aktivizojë klauzolën e Nico Paz dhe ta shesë për fitim të madh

    Real Madridi planifikon të aktivizojë klauzolën e Nico Paz dhe ta shesë për fitim të madh

    Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, Real Madrid po planifikon të aktivizojë klauzolën e riblerjes së Nico Paz nga Como 1907, për ta shitur më pas dhe për të maksimizuar fitimin.

    Paz nuk bën pjesë në planet e trajnerit Jose Mourinho për sezonin e ardhshëm, ndërsa Real Madridi është i gatshëm të heqë dorë përfundimisht nga të drejtat e tij.

    Gjiganti spanjoll raportohet se nuk është i kënaqur me mundësinë që mesfushori argjentinas të kalojë edhe një sezon te Como dhe po ushtron presion mbi klubin italian për të paguar 60 milionë euro për transferimin e tij të përhershëm.

    Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas nuk ka ndërmend të paguajë një shumë kaq të lartë për 21-vjeçarin. Pavarësisht kësaj, palët pritet të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme në kërkim të një zgjidhjeje.

    Aktualisht, qëndrimi i Paz te Como duket gjithnjë e më pak i mundshëm, ndërsa Premier League shihet si destinacioni më i mundshëm i radhës për talentin argjentinas.

    Me Real Madridin që mban kontroll të plotë mbi të drejtat e tij sportive, Paz ka pak hapësirë për të vendosur vetë mbi të ardhmen e tij.

    Klauzola e riblerjes së tij, me vlerë 10 milionë euro, skadon në fund të këtij muaji, ndërsa një shitje e mundshme mund t’i sjellë Real Madridit të paktën 50 milionë euro fitim.

  • Albi Mall Superliga dhe Liga e Parë nisin më 15 gusht

    Albi Mall Superliga dhe Liga e Parë nisin më 15 gusht

    Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur datën e fillimit të garave për edicionin 2026/27 në futbollin kosovar. Sipas njoftimit zyrtar, kampionati në Superligën e Kosovës dhe në Ligën e Parë do të nisë më 15 gusht.

    Ky vendim u jep klubeve kohë të mjaftueshme për të zhvilluar fazën përgatitore verore, për të organizuar ndeshje miqësore dhe për të kompletuar skuadrat para fillimit të garave zyrtare. Klubet do të kenë mundësinë të punojnë në përforcimin e ekipeve dhe në përgatitjen fizike e taktike të futbollistëve për sezonin e ri.

    Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës po vazhdon përgatitjet organizative për edicionin e ardhshëm, me qëllim që të sigurojë mbarëvajtjen e kampionatit në të gjitha nivelet.

    FFK-ja ka bërë të ditur se detajet e tjera, përfshirë shortin e garave, orarin e ndeshjeve dhe kalendarin e plotë të sezonit 2026/27, do të publikohen në javët e ardhshme.

    Sezoni i ri pritet me interes të madh nga klubet dhe tifozët, të cilët tashmë kanë marrë konfirmimin për datën kur do të rikthehet gara më e rëndësishme e futbollit në vend.

  • Kosova mëson kundërshtarët në kualifikimet për Botërorin 2028 në futsall

    Kosova mëson kundërshtarët në kualifikimet për Botërorin 2028 në futsall

    Kombëtarja e Kosovës në futsall ka mësuar kundërshtarët e saj në fazën kryesore të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2028.

    Pas shortit të hedhur nga UEFA, Kosova është renditur në Grupin 10, ku do të përballet me Italinë dhe Gjeorgjinë.

    Përfaqësuesja kosovare do të synojë të vazhdojë paraqitjet e mira dhe të sigurojë një vend në fazën e radhës të garës, pavarësisht rivalëve të fortë që ka përballë.

    Kosova e siguroi pjesëmarrjen në këtë fazë pas rezultateve të mira në raundin paraprak të kualifikimeve, duke dëshmuar përparimin e vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare të futsallit.

    Sipas formatit të garës, 36 kombëtare janë ndarë në 12 grupe me nga tri skuadra. Fituesit e grupeve, së bashku me katër ekipet më të mira që renditen në vendin e dytë, do të kualifikohen drejtpërdrejt në fazën elitare. Tetë kombëtaret e tjera që përfundojnë në vendin e dytë do të luajnë në ndeshjet shtesë për një vend në fazën e ardhshme.

    Ndeshjet e fazës kryesore të kualifikimeve do të zhvillohen nga tetori i vitit 2026 deri në mars të vitit 2027.

    Kosova shpreson të vazhdojë rrugëtimin e suksesshëm dhe të afrohet edhe më shumë me ëndrrën për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të futsallit.

  • Manuel Neuer konfirmon fundin e karrierës me Gjermaninë pas Kupës së Botës 2026

    Manuel Neuer konfirmon fundin e karrierës me Gjermaninë pas Kupës së Botës 2026

    Portieri legjendar i Gjermanisë, Manuel Neuer, ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 do të jetë turneu i tij i fundit me kombëtaren gjermane, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme në skenën ndërkombëtare.

    38-vjeçari bëri të ditur se nuk ka në plan të vazhdojë me përfaqësuesen pas këtij kompeticioni dhe se nuk do të jetë pjesë e Kampionatit Evropian që do të zhvillohet pas dy vitesh.

    “Ky do të jetë turneu im i fundit për Gjermaninë. Nuk kam ndërmend të marr pjesë në Kampionatin Evropian pas dy vitesh”, deklaroi Neuer.

    Megjithatë, gardiani gjerman theksoi se nuk dëshiron të përqendrohet te lamtumira gjatë turneut, por te paraqitjet e ekipit në fushë.

    “Dua të pres me padurim çdo ndeshje dhe të mos mendoj për lamtumirën apo ndeshjen e mundshme të fundit”, shtoi ai.

    Neuer po merr pjesë në Kupën e Botës për herë të katërt me Germany national football team dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës, pavarësisht se ndodhet në vitet e fundit të karrierës së tij ndërkombëtare.

    Portieri i FC Bayern Munich ka fituar pothuajse çdo trofe të mundshëm gjatë karrierës së tij, përfshirë Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve dhe tituj të shumtë të Bundesligës. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit.

    Me këtë njoftim, Neuer i ka dhënë një dimension emocional pjesëmarrjes së tij në Kupën e Botës 2026, e cila pritet të jetë paraqitja e fundit e një prej ikonave më të mëdha të futbollit gjerman.

  • Dëmtim i rëndë për Kone-Talenti kanadez përfundon në operacion

    Dëmtim i rëndë për Kone-Talenti kanadez përfundon në operacion

    Momente ankthi u përjetuan në ndeshjen mes Kanadasë dhe Katarit, pas dëmtimit të rëndë të pësuar nga mesfushori kanadez Ismaël Kone.

     

    Ngjarja ndodhi në pjesën e dytë të takimit, kur Kone u rrëzua në fushë pas një përplasjeje me Madibon. Pamjet ishin tronditëse dhe lojtarët e të dy skuadrave u mblodhën menjëherë rreth tij për të shmangur ekspozimin e skenës së rëndë para tifozëve.

     

    Futbollisti u largua nga fusha me barelë dhe u transportua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ekzaminimet mjekësore konfirmuan thyerjen e këmbës, ndërsa talenti kanadez i Sassuolos pritet të mungojë nga katër deri në pesë muaj.

     

    Pas incidentit, mësohet se Madibo shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes për t’i kërkuar falje Kones për faullin që shkaktoi dëmtimin e rëndë.

     

    Trajneri i Kanadasë, Jesse Marsch, nuk e fshehu tronditjen pas ndeshjes.

     

    “Mund ta dëgjoje kockën duke u thyer. Të gjithë u tronditëm për të. Ishte një moment shumë i vështirë për ekipin, por duhej të gjenim forcën për të qëndruar të përqendruar. E dinim se Ismaël do të dëshironte që ne ta vazhdonim ndeshjen dhe të luftonim deri në fund. Të gjithë po mendojmë për të dhe jemi krenarë për karakterin që tregoi skuadra”, deklaroi Marsch.

     

    Dëmtimi i Kones është një goditje e rëndë si për Kanadanë, ashtu edhe për Sassuolon, që do të mbetet pa një nga talentet e saj më premtues për disa muaj.

  • Botërori 2026 vazhdon me ndeshjet e grupeve C dhe D

    Botërori 2026 vazhdon me ndeshjet e grupeve C dhe D

    Botërori 2026 në SHBA,Kanada dhe Mekiskë vazhdon me ndeshjet e grupeve C dhe D,ku shumë kombëtare kërkojnë pikë në mënyrë që të mbesin në garë për pozitat që dërgojnë në raundin e 32-të.

    Në ora 21:00 nikoqiri SHBA do të takohet kundër Australisë në ndeshjen e dytë të grupit D,ku amerikanët me fitore do të siguronin raundin tjetër njëjtë sikurse edhe australianët të cilët nga fitorja befasuese kundër Turqisë.

    Në ora 24:00 Maroku dhe Skocia do të zhvillojnë një nga ndeshjet kryesore të grupit C,ku marokenët pas barazimit ndaj Brazilit synojnë fitoren e parë teksa skocezët për 3 pikët e rradhës.

    Në ndeshjen tjetër të grupit C Brazili synon fitore përballë Haitit,ku 5 herë kampionët e botës konsiderohen favoritë ndaj autsajderëve të grupit të cilët humbën kundër Skocisë në ndeshjen e parë.

    Në anën tjetër ndeshja tjetër e grupit D ndërmjet Turqisë dhe Paraguajit zhvillohet në ora 4 të mëngjesit.

    Turqit vijnë nga humbja 2:0 kundër Australisë dhe do të tentojnë që të marrin pikët e plota,dhe një rezultat tjetër do të rrezikonte gjasat e Turqisë për kalim në raundin tjetër,teksa e njëjta gjë vlen edhe për Paraguajin të cilët poashtu pësuan humbje në ndeshjen e parë ndaj SHBA-së.