ATV

Category: SPORT

  • Kupa e Botës 2030 zhvillohet në 6 shtete

    Kupa e Botës 2030 zhvillohet në 6 shtete

    Kupa e Botës e vitit 2030 do të mbahet në gjashtë vende dhe tri kontinente, ka konfirmuar FIFA.

    Spanja, Portugalia dhe Maroku janë emëruar si bashkë-pritës, me tri ndeshjet hapëse që do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguaj.

    Ndeshjet hapëse në Amerikën e Jugut do të shënojnë njëqindvjetorin e Kupës së Botës pasi do të bëhen 100 vjet nga turneu inaugurues në Montevideo.

    Vendimi pritet të ratifikohet në një kongres të FIFA-s vitin e ardhshëm, përcjellë KosovaPress.

    “Në një botë të ndarë, FIFA dhe futbolli po bashkohen”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

    “Këshilli i FIFA-s, që përfaqëson të gjithë botën e futbollit, ra dakord unanimisht të festojë njëqindvjetorin e Kupës së Botës, edicioni i parë i të cilit u luajt në Uruguaj në vitin 1930. Në vitin 2030, ne do të kemi një gjurmë unike globale, tri kontinente – Afrika, Evropa dhe Amerika e Jugut – gjashtë vende – Argjentina, Maroku, Paraguaj, Portugalia, Spanja dhe Uruguai duke mirëpritur dhe bashkuar botën duke festuar së bashku lojën e bukur, njëqindvjetorin dhe Kupën e Botës FIFA”., thuhet në njoftimin e FIFA-s.

    FIFA gjithashtu konfirmoi se vetëm ofertat nga vendet nga Konfederata e Futbollit Aziatik dhe Konfederata e Futbollit të Oqeanisë do të merren parasysh për finalet e 2034.

  • ​Zyrtare: Vendoset ku do të luhet ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës

    ​Zyrtare: Vendoset ku do të luhet ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës

    Federata Zvicerane e Futbollit përmes një komunikate e ka konfirmuar vendin se ku do të zhvillohet ndeshja mes Kombëtares së Zvicrës dhe Kosovës.

    Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian Euro 2024, do të zhvillohet më 18 nëntor me fillim nga ora 20:45, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, tani është konfirmuar edhe stadiumi, ku ndeshja do të zhvillohet në “St. Jakob Park” të Baselit.

    Biletat do të fillojnë të shiten nga 20 tetori me fillim nga ora 14:00, dhe blerja e tyre do të bëhet online në www.ticketmaster.ch.

  • Trepça në Estoni kërkon kualifikimin në grupet e FIBA Europe Cup

    Trepça në Estoni kërkon kualifikimin në grupet e FIBA Europe Cup

    Fituesja e Kupës dhe e Superkupës së Kosovës, KB Trepça do të synojë rezultate pozitive në Estoni, të cilat do t’ia siguronin kualifikimin në grupet e FIBA Europe Cup.

    Trepça do të përballet me skuadrën estoneze, Parnu Sadam dhe atë nga Islanda, Tindastoll, ndeshje këto për kualifikueset drejt FIBA Europe Cup, raporton KosovaPress.

    Kualifikueset do të zhvillohen në Parnu të Estonisë, ku vetëm vendi i parë kualifikohet në grupet e edicionit të rregullt të FIBA Europe Cup.

    Përballja e parë e KB Trepçës është sot kundër Tindastoll me fillim nga ora 18:00, ndërsa ndeshja e dytë zhvillohet nesër nga ora 18:00 kundër Parnu Sadam.

    Në edicionin e rregullt do të jenë 40 skuadra, të ndara në dhjetë grupe me nga katër skuadra.

  • “Eja në Madrid”, Vinicius zbulon mesazhet që ia dërgonte Bellingham

    “Eja në Madrid”, Vinicius zbulon mesazhet që ia dërgonte Bellingham

    Vinicius Junior ka folur pas fitores mbrëmë të Real Madridit si mysafirë i Napolit, ku ka zbuluar mesazhet që ia ka dërguar Jude Bellingham, para se ky i fundit të kalonte te gjiganti spanjoll nga Borussia Dortmundi.

    Vinicius ka treguar se e donte Bellingham me çdo kusht te Reali, dhe se i dërgonte mesazhe çdo ditë atij që të vjen te madrilenët, raporton KosovaPress.

    “E doja Jude te Real Madridi! I kam dërguar mesazhe të shumta Bellingham vitin e kaluar. I kam shkruar çdo ditë: eja në Madrid”, tha Vinicius.

    Bellingham shënoi mbrëmë golin e tetë në nëntë ndeshje si lojtar i Real Madridit, e po ashtu morri edhe çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes.

  • Donjeta Sadiku shpallet kampione ballkanike

    Donjeta Sadiku shpallet kampione ballkanike

    Boksierja jonë, Donjeta Sadiku e ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik të boksit “Albena 2023”.

    Në finale të këtij kampionati që po mbahet në Bullgari, Sadiku e mposhti boksieren nga Ukraina, Dovgal Tetiana.

    Donjeta tregoi boks cilësorë gjatë tre raundeve, ku në raundin e dytë e solli në nokdaun ukrainasen Tetiana, ndërsa u shpall fituese dhe u stolis me medalje të artë dhe titull Kampione Ballkanike 2023.

    Kosova në Kampionatin Ballkanik të boksit “Albena 2023” fitoi pesë medalje, një të artë nga Donjeta Sadiku, dhe katër të bronzta nga Bashkim Bajoku, Shpetim Bajoku, Patriot Behrami dhe Taulant Jakupi.

    Gjithashtu, me mirënjohje u nderua edhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli për ndarjen e drejtësisë në këtë Kampionat Ballkanik.

  • FFK vazhdon me projektin për zbuilimin e talentëve në futboll

    FFK vazhdon me projektin për zbuilimin e talentëve në futboll

    Projekti ‘Elite Youth Development Programe U15’ po vazhdon ritmin e tij të punës tash e disa javë me ndeshjet e përzgjedhjeve të rajoneve. Këto ndeshje po zhvillohen çdo të martë e të mërkurë, duke i dhënë mundësi secilit prej lojtarëve të këtij projekti të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre, por njëkohësisht edhe zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm. Paraqitjet e secilit ekip e lojtar po vëzhgohen me vëmendje nga përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova dhe stafi i trajnerëve tjerë të përfshirë në këtë program, si dhe nga stafi i Kombëtares U15 në krye me përzgjedhësin, Ilir Nallbanin.

    Ky i fundit përmes këtij projekti është duke e krijuar ekipin me të cilin do të paraqitet në turneun ndërkombëtar që mbahet në fund të këtij muaji në Shqipëri, e ku krahas nikoqirëve dhe Kosovës marrin pjesë edhe Maqedonia e Veriut dhe Hungaria.

    Përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova vlerëson se puna e bërë deri më tash është shumë pozitive dhe se gjithçka po ecën sipas dinamikës dhe planprogramit. “Është e jashtëzakonshme të shihet dallimi ndërmjet dy apo tri xhirove të para me atë ku jemi sot. Përgjegjësia e lojtarëve, rrjedhshmëria në lojë, kuptimi i lojës dhe shprehja e aftësive të tyre, por edhe përmirësimi i aspektit fizik është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Rugova. Atij i ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme fakti që në fundjavën e kaluar një talent i cili është pjesë e këtij programi, Elvir Gashjani ka arritur të bëjë debutimin në fanellën e Llapit dhe atë duke shënuar gol.

    “Moment i jashtëzakonshëm të shohësh një lojtar që doli nga ecuria e këtij projekti duke e realizuar debutimin e tij në Superligë me fanellën e Llapit dhe atë me gol. Ndoshta nuk është i vetmi dhe sigurisht se do të ketë edhe shumë të tjerë, por e përgëzoi Tahir Batatinën me stafin e tij që ia kanë dhënë besimin dhe mundësinë këtij djaloshi 17-vjeçar t’i shprehë vlerat e tij në elitë. E ky në fakt është qëllimi ynë, që këtyre djemve t’u krijojmë kushte dhe t’i japim mundësi për ta shprehur talentin e tyre. Ky projekt me vazhdimësinë e tij mund të shndërrohet në një program ushqyes stabil për kombëtaret zinxhir deri në ekipin A. E ky njëherësht është thelbi i punës sonë që në të ardhmen e afërt të shndërrohemi një akademi të qëndrueshme”, ka shtuar Rugova.

    Ai ka bërë të ditur se faza e turneut ndërajonal në kuadër të këtij projekti do të përmbyllet javën tjetër, kurse më pas do të mbahet një punëtori me të gjithë trajnerët e përfshirë në këto projekt, ku do të jepen vlerësimet për punën e deritashme dhe udhëzimet për punën e mëtejshme, e cila do të vazhdojë me stërvitje nëpër regjione.

    Ndërkohë, në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë puna edhe me gjeneratën 2010, teksa deri në korrik do të vijojë puna edhe me gjeneratën aktuale 2009.

    E të kënaqur me tërë ecurinë e këtij projekti, por edhe punën që po bëhet aty janë shprehur edhe vetë lojtarët.

    Ernest Rama nga regjioni i Gjakovës ka vlerësuar faktin se në këtë projekt ka konkurrencë të fortë dhe kjo po i ndihmon ata të zhvillohen edhe më shumë si lojtarë. “Në këtë projekt ka shumë konkurrencë, ka lojtarë shumë të mirë dhe na ka ndihmuar ta shprehim talentin tonë. Tash po kemi edhe lojë në kampionat. Këtu i kemi zhvilluar 10 ndeshje. Ato po janë shumë konkurruese, ku po ka lojtarë të fortë si në aspektin teknik edhe në atë fizik. Kemi një raport shumë të mirë me stafin e trajnerëve të këtij projekti, të cilët janë njerëz që e njohin futbollin dhe gjithçka po shkon si duhet. Ku e shoh të ardhmen? Duke filluar me hapa të vegjël në Superligën e Kosovës, e më pas pse jo edhe më lart në ligat e Evropës. Me punë, çdo gjë arrihet”, është shprehur Rama. Ndërkaq, Bebart Selmani nga regjioni i Prishtinës theksoi se ky projekt ia ka mundësuar atyre si lojtarë që ta shprehin talentin e tyre. “Kemi pasur deri tash 10 lojë, të cilat besoj janë të mjaftueshme për ta treguar potencialin tonë. Jam i lumtur me këtë projekt, derisa edhe trajnerët janë përkujdesur për ne për t’u përmirësuar në vazhdimësi. E ardhmja ime? Shpresoj që një moshë të re edhe unë të debutoj në Superligë, e pse jo të arrij edhe më shumë”, ka thënë Selmani.

  • Hendboll/ Istogu mëson rivalin e radhës në Kupën Evropiane

    Hendboll/ Istogu mëson rivalin e radhës në Kupën Evropiane

    KHF Istogu ka mësuar të martën kundërshtarin e raundit të tretë të Kupës Evropiane për hendbolliste. Shorti i tërhequr në Vjenë ka përcaktuar që Istogu të përballet me skuadrën e njohur sllovake, Iuventa Michalovce. Ndeshja e parë luhet në Sllovaki, ndërsa e kthimit në Kosovë.

    Ndeshjet e raundit të tretë të Kupës Evropiane zhvillohet më 11/12 dhe 18/19 nëntor.

    Në raundin e dytë të Kupës Evropiane, kampioni i Kosovës e eliminoi skuadrën portugeze, 1Maio/Ada.

    Iuventa Michalovce ka në përbërje shumë lojtare të huaja dhe lojtare cilësore sllovake. Është skuadër e nivelit të lartë, ndërsa edicionin e kaluar arriti deri në gjysmëfinale të Kupës Evropiane.

  • Duka: Kurrë nuk ka ndodhur e as që do të ndodh ndonjëherë të ketë krisje me FFK-në

    Duka: Kurrë nuk ka ndodhur e as që do të ndodh ndonjëherë të ketë krisje me FFK-në

    Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ditë më parë ka marrë postin e zv.presidentit të UEFA-s, duke u bërë i pari shqiptar që arrin në një pozicion kaq të lartë në hierarkinë e futbollit evropian.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin STUDIO A në ATV, Duka foli për rolin e tij të ri në UEFA, pagën, pozicionin e federatave shqiptare në futbollin evropian, di dhe marrëdhëniet që Federata Shqiptare e Futbollit ka me Federatën e Futbollit të Kosovës.

    Ndonëse kishte zëra për krisje të raporteve mes dy federatave, Duka tha se kjo nuk ka ndodhur kurrë dhe as që ka për të ndodhur ndonjëherë.

    “Kjo as nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodh kurrë mes federatave tona. Marrëdhëniet duhet dhe janë shumë të mira. Pa dyshim që ndihmojmë njëri tjetrin në çdo situatë për zhvillimin e futbollit, shkëmbejmë eksperienca, mbështesim njëri-tjetrin, dhe vazhdojmë të jem kështu”, tha Duka.

    Ai tregoi se zgjedhja e tij si i dyti në hierarkinë e futbollit evropian, erdhi sepse ka marrëdhënie të mira me kryesinë e UEFA-s, po ashtu edhe me shumicën nga federatat anëtare.

    “Kam marrëdhënie të mira me presidentin e UEFA-s, kam marrëdhënie të mira me të gjithë homologët, presidentët e federatave nacionale, gjithashtu marrëdhënie shumë të mira edhe me presidentin e Federatës së Kosovës, Agim Ademin, me presidentin e Federatës së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdiun, pra të gjitha këto marrëdhënie të mira kanë bërë që edhe në vendet tona të ketë më shumë mendje në kohët e fundit”, tha Duka.

    Ai foli edhe për pagën e tij, e cila ishte përmendur në media se kapë shifrën 250 mijë euro në vit, që i bie rreth 21 mijë euro në muaj.

    Duka tha se nuk e ka nënshkruar kontratën e punës dhe se ende nuk i ka parë këto shifra.

    “Nuk kam firmosë akoma një kontratë për këtë që t’i shoh këto shifra dhe nuk është ky qëllimi apo objektivi i im për të qenë zv.president i UEFA-s dhe anëtar i Komiteti Ekzekutiv apo president i federatës. Pa dyshim se kjo është e rëndësishme, mirëpo objektivi i im është për të ndihmuar sa më shumë futbollin, kryesisht futbollin e vendit tonë, të rajonit dhe pse jo edhe atë evropian”, u shpreh Duka. /atvlive.tv

  • ​Donjeta Sadiku lufton sot për titullin e kampiones ballkanike

    ​Donjeta Sadiku lufton sot për titullin e kampiones ballkanike

    Boksierja kosovare Donjeta Sadiku do të luftojë sot në finale të Kampionatit Ballkanik që po zhvillohet në Albena të Hungarisë.

    Për ta arritur këtë objektiv të madh, Sadiku duhet ta mposht në ring boksieren nga Ukraina, Dovgal Tetiana, raporton KP.

    Kosova deri më tani ka siguruar katër medalje të bronzta nga Bashkim Bajoku, Shpetim Bajoku, Patriot Behrami dhe Taulant Jakupi.

  • Këto janë ndeshjet interesante që zhvillohen sonte në Ligën e Kampionëve

    Këto janë ndeshjet interesante që zhvillohen sonte në Ligën e Kampionëve

    Gara më prestigjoze evropiane në futboll për klube, Liga e Kampionëve vazhdon këtë mesajavë me ndeshjet e raundit të dytë të fazës së grupeve.

    Sot do të zhvillohen tetë ndeshje nga grupet A,B,C dhe D që sjellin ballafaqime tejet interesante, raporton KosovaPress.

    Padyshim se sfida më interesante do të jetë ajo që zhvillohet në stadiumin “Diego Armando Maradona”, aty ku ballafaqohen Napoli me Real Madridin në kuadër të grupit C.

    Dy skuadra kanë nga tri pikë pas fitoreve në ndeshjet e parë dhe synojnë të bëjnë një hap tjetër të rëndësishëm drejt synimit për ta kaluar këtë fazë. Grupi A sjellë duelin e zjarrtë ndërmjet Manchester United dhe Galatasaray, kurse duel mjaftë interesant pritet të jetë edhe ai ndërmjet Interti dhe Benfikës në grupin D.

    Këto janë të gjitha ballafaqimet e ditës së martë:

    Salsburg-Real Sociedad

    Union Berlin-Braga

    Kopenhag-Bayern Mynih

    Inter-Benfika

    Lens-Arsenal

    Manchester United-Galatasaray

    Napoli-Real Madrid

    PSV-Sevilla