ATV

Category: Sport

  • Prishtina – Drita, derbi i fundjavës në Superligë

    Prishtina – Drita, derbi i fundjavës në Superligë

    Pas ndeshjeve të Kombëtareve, këtë të premte rikthehet Superliga me xhiron e 15-të.

    Ndeshja mes Malishevës e Ballkanit e hap këtë javë. Suharekasit janë në një seri prej katër fitoreve radhazi, karshi një barazimi në pesë sfidat e fundit.

    Kurse, malishevasit morën fitore xhiron e fundit.

    Në sfidën e parë të zhvilluar mes njëra tjetrës, fitore mori Ballkani me rezultatin 3:2.

    Në tabelë, Ballkani është bindshëm lider me 32 pikë, shtatë më shumë se përcjellësi më i afërt, por kanë edhe dy ndeshje më pak të luajtura.

    Malisheva është e katërta me 20 pikë.

    Të shtunën na presin dy ndeshje, e të dielën dy të tjera.

    Ekipi i tetë dhe i dhjetë i tabelës takohen mes vete.

    Feronikeli 74 e pret Lirinë. Tri humbje e dy barazime për Niklin në pesë sfidat e fundit, derisa për prizrenasit dy humbje e tri barazime.

    Dallimi është tre pikë, më mirë qëndron ekipi nga Drenasi me 12 pikë.

    Të shtunën, Fushë Kosova e pret Dukagjinin. Vetëm një fitore ka Fushë Kosova në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa klinasit dy fitore.

    Dukagjini është i gjashti me 17 pikë, derisa Fushë Kosova e parafundit me 10.

    Ndeshjet më interesante janë të rezervuara për të dielën.

    Kryendeshja luhet në kryeqytet, Prishtina e pret Dritën.

    Të kaltrit nga Gjilani vazhdojnë të jenë të dytit në tabelë, por për shkak të rezultateve negative kanë ngecur karshi liderit.

    Formë e dobët edhe për kryeqytetasit me vetëm një fitore në pesë xhirot e fundit, janë të pestit me 18 pikë, shtatë më pak se kundërshtari.

    Drita e kishte demoluar në ndeshjen e parë Prishtinën 3:0.

    Gjilani-Llapi, sfida e fundit e xhiros së 10-të. Të kuqtë nga Gjilani e shohin veten të shtatit në tabelë, dy pikë larg zonës së barazhit.

    Në anën tjetër, Llapi është në garë për vendin e dytë, momentalisht është i treti me pikë të barabarta me atë të dytin.

  • Batatina mesazh të fuqishëm FFK-së: Besojuni trajnerëve vendor

    Batatina mesazh të fuqishëm FFK-së: Besojuni trajnerëve vendor

    Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka bërë një reagim të fuqishëm ne rrjetet sociale në lidhje me gjendjen e Kombëtares së Kosovës në futboll, menjëhër pas largimit të Primoz Gliha nga stoli i trajnerit si dhe dështimit të Kosovës që nën drejtimin e tij të kualifikohet në Kampionatin Evropian të futbollit.

    Në reagimin e tij të gjatë, Batatina ka theksuar nevojën e kohës që në krye të Dardanëve të vie një trajner vendor duke thënë se tashmë ka disa emra që e kanë dëshmuar se ka kualitet tek trajnerët e Kosovës dhe si rrjedhojë ata nuk duhet të nënvlerësohen.

    Mes të tjera, Batatina vë në pah edhe punën e tij me lojtarë të rinj që së fundi i janë bashkuar Kombëtares së Kosovës si Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni.

    Reagimi i plotë i Batatinës:

    Nuk di se çfarë duhet të bëj më shumë si Trajner me 10-vite karrierë, punë, organizim, diciplinë, trofe dhe lojtarë të trajnuar e të përgatitur profesionalisht duke iu besuar në moshë të re e duke i ngritur deri tek Kombëtarja.

    Më mirë sot sepse nesër do të jetë vonë. Vitet ikin, koha kalon dhe nuk na duhet dikush pa ndjenja të vij tek Kombëtarja A. Çdokush që vie tek Kombëtarja A, duhet të ketë diçka më shumë në punën dhe zejen e trajnerit për ta pasur besimin ta ngris Kombëtaren tonë të shenjtë.

    A mund të më tregoj dikush se çfarë lideri duhet me qenë? A mundem ta dij se cilat janë kriteret për një Selektor? Çka duhet të bëjmë më shumë për të na dhënë besimin? A nuk po e duam vetë kualifikimin apo nuk po u besojmë njerëzve tanë?

    Nuk dua që askush të shkel mbi njohuritë që kemi, nuk dua të nënvlerësohemi vetëm pse jemi lindur e rritur në vendin tonë dhe se kemi luftuar për një vend të lirë dhe demokratik. Nuk dua të heshti sepse profesionalizmin e kemi arritur me sakrificë, mund dhe djersë. Kemi sakrifikuar për futbollin e Kosovës dhe këtë rini andaj do të jetë e pa pranueshme nese sërish do vie një Selektor pa ndjenja, pa vizion dhe pa bagazh që ta menaxhoj Kombëtaren tonë siq ishin këta deri sot.

    Nuk na besuat me vite kur ne rritëm dhe zhvilluam talentë. Nuk na besuat kur ne ngritëm dhe avancuam futbollin të cilin e kishim dhe e kemi ende si obligim profesional dhe kombëtar, por nuk pranoj të nënvlersohemi sikurse futbollistët e Superligës tonë me vite të tëra.

    Njëri lojtar i skuadrës, Muhamet Hyseni, të cilin unë e stërviti shënon golin më të mirë të këtyre ndeshjeve të ciklit kualifikues kurse tjetri, Ilir Krasniqi largon topin në momentet vendimtare të ndeshjes nga vija fatale e portës… A i stërviti këta djem dikush tjetër kur morën ftesë nga Kombëtarja?

    A ishin Zyba, Dellova, Krasniqi, Hyseni – shembulli më i mirë se kë stërvisim ne? A di dikush të më tregoj a duhet ta zbulojmë ujin e nxehtë apo çka të bëjmë më shumë për futbollin?

    A duhet të na besohet Kombëtarja ndonjërit prej nesh që jemi duke dhënë gjithçka për futbollin dhe për këta djem apo të sjellni njerëz të hargjuar në Kombëtare?

    Na duhet energji pozitive dhe njerëz me ide për të ardhmen që dhanë gjithçka për vendin dhe atdheun, përndryshe nuk ka zgjidhje, vetëm katandisje e rezultate dëshpëruese.

    Me ty Kosovë çdo herë – në ditë të mira e të vështira…

  • Zyrtare: Kosova e shkarkon selektorin Gliha

    Zyrtare: Kosova e shkarkon selektorin Gliha

    Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha.

    FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvillura pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse.

    Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar.

  • ​Ja kur hidhet shorti për grupet e Euro 2024

    ​Ja kur hidhet shorti për grupet e Euro 2024

    Me përfundimin e ndeshjeve të nëntorit, UEFA ka konfirmuar vazot për shortin e finaleve së Euro 2024.

    Shorti i turneut final të UEFA EURO 2024 hidhet të shtunën më 2 dhjetor. Ceremonia e shortit do të fillojë në orën 18:00, transmeton KP.

    Përveç Gjermanisë nikoqire, 20 skuadra janë kualifikuar tani për turneun e verës së ardhshme, në mesin e të cila është edhe Shqipëria dhe tre vendet e mbetura do të vendosen përmes play-off-it në mars.

    Ekipet konkurruese do të zbulojnë fatin e tyre në fazën e grupeve në orën 18:00 më 2 dhjetor, kur topat do të tërhiqen në Elbphilharmonie të Hamburgut.

    Tre vendet e fundit përcaktohen përmes play-off-eve të vendosura që do të luhen në mars 2024. Dymbëdhjetë skuadra konkurrojnë në play-off, bazuar në performancat e tyre në Ligën e Kombeve 2022/23.

  • KB Peja zhvillon sot ndeshjen jetike në FIBA Europe Cup

    KB Peja zhvillon sot ndeshjen jetike në FIBA Europe Cup

    Sonte me fillim nga ora 19:00 palestra sportive “Karagaçi” në Pejë do të jetë nikoqire e përballjes mes KB Pejës dhe Spojnia Stargard.

    Kjo do të jetë ndeshja e fundit e Pejës në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, raporton KosovaPress.

    Kampionia e Kosovës është ende në garë për kualifikim tutje, me fitoren sot që është e detyrueshme.

    Peja zë vendin e tretë në Grupin H në kuotën e shtatë pikëve, aq sa ka edhe Spojnia Stargardi në vendin e dytë.

    19:00 Peja – Spojnia Stargard

  • De Biasi largohet nga Kombëtarja e Azerbajxhanit

    De Biasi largohet nga Kombëtarja e Azerbajxhanit

    Gianni De Biasi ka vendosur që t’i jap fund karrierës së tij si trajner i Kombëtares së Azerbajxhanit, duke i dhënë fund një periudhe tre vjeçare.

    De Biasi, i cili në të kaluarën ka qenë trajner i Torinos dhe Brescias, morri timonin e Kombëtares së Azerbajxhanit në korrik të vitit 2020, raporton KosovaPress.

    Kjo ishte hera e dytë e Biasit që drejton një kombëtare, pasi që nga dhjetori i vitit 2011 e deri në qershor të vitit 2016 ai ishte trajneri i Shqipërisë.

    Siç bëhet e ditur nga “TMW”, De Biasi ka vendosur që të jap dorëheqje si trajner i Azerbajxhanit, pas tre vitesh e katër muajve në krye të kombëtres.

    Ai ishte paraparë që të largohej në fund të këtij muaji pavarësisht se çka do të ndodhte, pasi që skadonte kontrata e tij.

    De Biasi kaloi 39 ndeshje në krye të Azerbajxhanit, ku regjistroi 10 fitore, tetë barazime dhe 21 humbje.

    Fitoret më të spikatura ishin ajo 3:0 kundër Suedisë, 3:1 kundër Maqedonisë së Veriut dhe një fitore 2:1 kundër Sllovakisë.

  • ​Çfarë ndodhi mbrëmë mes Messit dhe Rodrygos?

    ​Çfarë ndodhi mbrëmë mes Messit dhe Rodrygos?

    Mbrëmë u zhvillua ndeshja tejet interesante mes Brazilit dhe Argjentinës, e vlefshme kjo për kualifikimet e Kampionatit Botëror.

    Brazili u mposht 1:0 nga Argjentina në stadiumin “Maracanã” të Rio de Janeiro, me golin e vetëm të ndeshjes të shënuar nga Nicolas Otamendi, raporton KosovaPress.

    Por, kjo ndeshje u karakterizua edhe me sjellje jo sportive.

    Fillimisht, kishte një përplasje të madhe mes tifozëve brazilianë dhe atyre argjentinas si dhe policisë, kurse në fushë nuk munguan as kacafytjet mes yjeve.

    Lionel Messi dhe Rodrygo u përfshinë në një përplasje dhe shkëmbim të fjalëve.

    “TyC” tani ka zbuluar se çfarë ndodhi mbrëmë mes Messit dhe Rodrygos.

    “Ju tradhtarë”, Rodrygo i tha Messit pasi që ekipi i Argjentinës doli nga zhveshtoret.

    Leo Messi ju përgjigj: “Ne jemi kampionët e botës, pse jemi tradhtarë? Shiko se çfarë flet”.

  • Shqipëria në vazon e dytë, së bashku me Hungarinë e Danimarkën

    Shqipëria në vazon e dytë, së bashku me Hungarinë e Danimarkën

    Cikli kualifikues, respektivisht faza e grupeve e Kampionatit Evropian Euro 2024 u mbyll mbrëmë.

    Ndër ndeshjet e zhvilluara mbrëmë ishte edhe ajo mes Kosovës e Bjellorusisë, ku kjo e fundit fitoi 1:0 në “Fadil Vokrri”, raporton KosovaPress.

    Këtë kampanjë kualifikuese Kosova e mbylli në vendin e pestë në Grupin I me 11 pikë, ku vetëm Andorra ishte më keq, në vendin e fundit me vetëm dy pikë.

    Ndërkaq, Shqipëria korri sukses dhe shkroi historinë duke siguruar për herë të dytë kualifikimin në një Evropian.

    “Kuqezinjtë” e mbyllën Grupin E në vendin e parë me 15 pikë, aq sa kishte edhe Çekia në vendin e dytë.

    Tani, pasi që u kualifikua si lidere e grupit, Shqipëria është pozicionuar në vazon e dytë të shortit të këtij Evropiani.

    Në të njëjtën vazo me Shqipërinë gjenden edhe Hungaria, Turqia, Rumania, Danimarka dhe Austria.

    Po ashtu, vazot e tjera të shortit të Evropianit i gjeni më poshtë.

  • Kosova e mposhtë Izraelin edhe me U21-sha

    Kosova e mposhtë Izraelin edhe me U21-sha

    Kosova ka arritur të mposhtë Izraelin dy herë brenda tetë ditëve. Kësaj radhe suksesin e arritën grupmosha U21 e udhëhequr nga Afrim Tovërlani.

    3 me 1 ishte rezultati i fitores për Kosovën në ndeshjen e luajtur në Podujevë.

    Dy gola nga Krasniqi dhe një nga Tusha mjaftuan për fitoren e “Dardanëve”.

    Me këtë fitore, Kosova ka 8 pikë dhe zë vendin e tretë, parapa Polonisë e Gjermanisë.

  • Ja kur do të hidhet shorti për Euro 2024

    Ja kur do të hidhet shorti për Euro 2024

    Kombëtarja shqiptare e futbollit ka siguruar pjesëmarrjen e saj në Euro 2024 i cili zhvillohet në verën e vitit të ardhshëm.

    Shorti i EURO 2024 do të hidhet më datë 2 dhjetor.

    UEFA organizon ceremoninë në atë datë në orën 18:00 në Hamburg, ku do të mësohet rrugëtimi i secilës skuadrës që është kualifikuar në këtë turne, por edhe atyre që nuk kanë siguruar ende pjesëmarrjen pasi në mars luajnë në play-off. Shorti do të hidhet me 3 vende të lëna bosh për skuadrat e play-off, të cilat do t’i bashkohen turneut zyrtarisht vetëm pasi të kenë luajtur ndeshjet në mars.

    E vetmja skuadër që ka grupin e caktuar është Gjermania, e cila pa short do të shkojë në grupin A në pozicionin e parë, në mënyrë që të luajë ndeshjen hapëse të turneut më 14 qershor 2024.