ATV

Category: Sport

  • ​Barcelona mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

    ​Barcelona mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

    Njëra nga dinamikat më të mëdha të punës së UEFA-s është menaxhimi sanksionues i Fair Play Financiar.

    Një lajm i publikuar nga e përjavshmja gjermane “Welt am Sonntag”, potencon se UEFA po mendon të përjashtojë Barcelonën nga Liga e Kampionëve për dy deri në tre vjet për çështje që lidhen me respektimin e Fair Play Financiar.

    Shkak për sanksionin e mundshëm do të ishte shkelja e pretenduar e rregullores financiare të UEFA-s sipas së cilës klubet janë të detyruara të kompensojnë shpenzimet me të ardhurat përkatëse.

    Klubi spanjoll mbylli sezonin 2022-2023 me një fitim neto prej 303.71 milionë euro, më i lartë se sa pritej, por rezultat i të ardhurave të paparashikuara kontabël prej 208.16 milionë eurosh që rrjedhin nga operacioni i “Barça Vision” lidhur me të drejtat televizive të titulluara (d.m.th. të shitura në avancim, një operacion i përbashkët për pothuajse të gjitha klubet në Evropë).

    Nëse nuk do të kishte pasur këto të ardhura shtesë, sipas gjetjeve fillestare të UEFA-s, rezultati neto do të kishte qenë shumë më i ulët se sa pritej, do të kishte kompromentuar diferencën për kufirin e pagave 2023-2024 dhe do ta kishte bërë edhe më të vështirë për klubin për ta rregulluar gjendjen financiare.

    Mësohet se UEFA do të vazhdojë këtë hetim deri në detaje dhe në rast se konfirmohen këto spekulime, atëherë gjiganti katalanas mund të përballet me një tjetër situatë të vështirë.

  • ​Milani synon Antonio Conten

    ​Milani synon Antonio Conten

    Sipas raportimeve të mediave në Itali, Milani mund provojë angazhimin e Antonio Contes si trajner për sezonin e ri, gjithmonë nëse klubi nuk vendos për shkarkimin e Stefano Piolit gjatë këtyre ditëve.

    Pioli e ka gjetur veten nën presion të shtuar pas barazimit zhgënjyes 2-2 të së premtes kundër Salernitana-s. Kuqezinjtë kanë fituar vetëm një nga tre ndeshjet e fundit në Serie A.

    Pasi u eliminua edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, përfundimi në top katërshe është bërë edhe më i domosdoshëm, përcjellë KosovaPress.

    Megjithatë, ka spekulime në rritje se kohës së Piolit në San Siro po i vjen fundi, dhe mediat italiane sugjerojnë se mund të ketë një ndryshim gjatë verës.

    Nëse do të ishte kështu, “La Gazzetta” dhe ‘Calciomercato” sugjerojnë se Conte është trajneri më i mirë dhe më i profilit të lartë aktualisht në treg.

    Ekziston një pritshmëri që Conte do të kishte një pagë të lartë dhe ka të ngjarë të kërkonte disa nënshkrime të menjëhershme dhe potencialisht të shtrenjta, por ai gjithashtu do të pritet të rregullojë problemet e Milanit që lidhen me intensitetin dhe qëndrueshmërinë mbrojtëse.

    Një emër tjetër, dhe me gjasë një opsion shumë më i lirë, që është sugjeruar është ish-mbrojtësi i djathtë dhe trajneri aktual i Primavera, Ignazio Abate, i cili ka impresionuar në rolin e tij me U19.

  • “Laureatët 2023” me befasi – Fisnik Asllani i bashkohet Kombëtares së Kosovës

    “Laureatët 2023” me befasi – Fisnik Asllani i bashkohet Kombëtares së Kosovës

    Në një atmosferë festive dhe emocionuese me mysafirë të shumtë, ka nisur Gala Mbrëmja e Federatës së Futbollit të Kosovës “Laureatët 2023” për të nderuar dhe shpërblyer lojtarët, trajnerët, klubet dhe personalitetet e rëndësishme të futbollit në Kosovë për vitin që po e lëmë pas.

    Mbrëmja ka nisur me befasi, ku Fisnik Asllani, anëtar i skuadrës gjermane Hoffenheim, por që aktualisht luan si i huazuar te Austria Wien, ka vendosur t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Ai është ngjitur në skenë bashkë me përfaqësuesin e FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli, derisa atij ia ka dhuruar fanellën dardane presidenti Agim Ademi.

    “Jam shumë i lumtur që më është ofruar mundësia të luaj për Kosovën. Falënderoj familjen time që gjithmonë ka qenë afër meje, falënderoj edhe Fekmi Kongjelin dhe Agim Ademin”, ka theksuar Fisnik Asllani.

    Të pranishëm në këtë manifestim janë edhe zëvendëspresidenti i UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, personalitete tjera nga institucionet, politika dhe nga komuniteti i futbollit dhe sportit në përgjithësi.

    Presidenti Agim Ademi, në fjalimin para të pranishmëve falënderoi të gjithë ata që ishin pjesë e futbollit përgjatë vitit 2023 dhe jo vetëm, e të cilët kontribuan në forma të ndryshme në zhvillimin dhe arritjet e futbollit kosovar, si dhe foli për sfidat dhe arritjet e futbollit gjatë kësaj periudhe.

    Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka duke falënderuar FFK-në që gjithmonë i jep mundësi të drejtohet të pranishmëve në këtë ceremoni.

    “Përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është si kurrë më parë, në të gjitha nivelet. Ky është një zhvillim i m adh, që ndoshta dikush duke qenë nga afër nuk e sheh, por vërtet ka një përparim të madh. Ne jemi të nderuar me FC Ballkanin që na ka përfaqësuar neve si rajon në tërësi në Evropë. Ndërkohë, rezultatet e Kombëtares jo gjithmonë vijnë. Çdo humbje është leksion dhe do t’i shërbejnë të ardhmes dhe padyshim rezultatet do të vijnë patjetër edhe për Kombëtaren e Kosovës”, ka Duka.

    Me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe Ismet Krasniqi e Ibër Alaj.

    Të rikujtojmë se në këtë mbrëmje të veçantë do të nderohen dhe shpërblehen laureatët në kategori të ndryshme, duke filluar nga Shpresa e vitit, për të vazhduar te futbollistja më e mirë, klubi më i mirë i vajzave, lojtari më i mirë në futsall, klubi më i mirë në futsall, gjyqtari më i mirë, klubi më fair-play, klubi më i mirë, trajneri i vitit, golashënuesi më i mirë, Top 11-shja e Superligës, futbollisti më i mirë i vitit i Superligës dhe për të mbrritur te çmimi “Fadil Vokrri” për futbollisti më i mirë i vitit.

  • Tifozat Kuq e Zi festojnë 20 vjetorin, Duka: Janë burim force, krenarie

    Tifozat Kuq e Zi festojnë 20 vjetorin, Duka: Janë burim force, krenarie

    20 vite në krah të ekipit Kombëtar, 20 vite që ndjekin përfaqësuesen në çdo cep të botës, kanë qenë gjithnjë aty në mbështetje të ngjyrave kuqezi. Këtë të shtunë, grupimi më i famshëm i tifozëve të Kombëtares, “Tifozat Kuq e Zi” festojnë 20 vjetorin e themelimit të tyre, një ditë e shënuar ku nuk mungoi as urimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

     

    Ky fund viti, përveçse kulmoi me kualifikimin historik të Kombëtares shqiptare për në finalet Euro 2024, sjell edhe një tjetër moment të rëndësishëm. Grupimi “Tifozat Kuq e Zi” feston 20-vjetorin e themelimit. Bëhet fjalë për ata që janë prej dy dekadash, lojtari i 12-të i Kombëtares.

    Nuk kanë munguar kurrë në apel. Kanë qenë gjithmonë aty. Në të mirë e në të keq, në shtëpi apo në transfertë, Tifozat Kuq e Zi kanë mbështetur pa asnjë kursim Kombëtaren shqiptare. Ata pa u lodhur, kanë frymëzuar e motivuar djemtë e skuadrës tonë të zemrës pa pushim.

    Janë kthyer në një simbol e mbështetje e madhe për Kombëtaren, duke u bërë një pjesë e pandashme e saj dhe e pazëvendësueshme e saj. Na kanë bërë krenarë çdo herë dhe në çdo ndeshje, duke qenë një burim force për ekipin, por edhe për të gjithë të tjerët.

    Në këtë përvjetor të veçantë, i uroj TKZ-së edhe 100 vite të tjera në këtë mision kaq të bukur dhe të pazëvendësueshëm. Uroj të vazhdojnë ta mbështesin Kombëtaren edhe më shumë në të ardhmen, duke valëvitur gjithmonë lart flamurin shqiptar në çdo stadium të botës dhe duke kënduar “O sa mirë me qenë shqiptar”.
    Gëzuar përvjetorin. Faleminderit!

  • Interi shumë i interesuar për sulmuesin Armando Broja

    Interi shumë i interesuar për sulmuesin Armando Broja

    Inter mbetet favoriti kryesor për të fituar titullin këtë sezon në Serie A, por ky është një vit i gjatë, një maratonë, ku trajneri Inzaghi ka paguar shpesh, madje edhe shtrenjtë, rotacionet e kryera, si në Champions ku e mbylli grupin në vendin e dytë, apo eliminimi i fundit nga Kupa e Italisë.

    Në këto kushte, është e qartë që Inzaghi-t i duhet ndonjë dhuratë e çmuar për Krishtlindje, ndonjë përforcim në çdo repart për të qenë konkurrues, për të pasur pak më shumë cilësi në organikë.

    Sipas La Gazzetta dello Sport, Inter do të kërkojë një sulmues të ri gjatë merkatos së janarit, por ky afrim është i lidhur ngushtë me largimin e Sanchez. Për sulmin kilian ka disa oferta të rëndësishme ekonomike nga Arabia Saudite, nëse largohet, atëherë Marota do të futet në merkaton për të gjetur një zëvendësues. Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, mes emrave është edhe Armando Broja, një profil që drejtuesit e klubit zikaltër e ndjekin prej kohësh.

    Broja, sipas La Gazzetta-s, nuk është shumë i lumtur në Londër, kjo pasi nuk po gjen shumë hapësira, nuk është i lumtur me situatën e tij, për këtë arsye në janar mund të largohet. Broja është në monitorim, në javët e fundit të janarit mund të kthehet në një pistë konkrete.

  • Kishte oferta të shumta, Hasani zbulon pse zgjodhi Rapid Bucurestin

    Kishte oferta të shumta, Hasani zbulon pse zgjodhi Rapid Bucurestin

    Skuadra e Rapid Bucurestit e prezantoi sot transferimin më të ri të klubit, Florent Hasanin.

    Ylli kosovar largohet nga KF Tirana për t’iu bashkuar skuadrës rumune në një marrëveshje dy vjeçare e gjysmë, raporton KosovaPress.

    Tani, Hasani ka folur për mediat e klubit, ku zbuloi se kishte pasur oferta të shumta, por që zgjidhja më e mirë për të dukej se ishte Rapid Bucuresti.

    “Kam pasur oferta të shumta, por me Rapidin e kisha një ndjenjë nga zemra që do të ishte një zgjidhje e mirë. Kam analizuar gjithçka, kam folur me njerëz të ndryshëm, i fundit Albion Rrahmani. Pas kësaj, unë e morra vendimin që ky ishte opsioni më i mirë për mua dhe tani unë jam këtu”, tha Hasani.

    Po ashtu, ylli kosovar kishte edhe një mesazh për tifozët e skuadrës rumune.

    “Ju premtoj tifozëve të mrekullueshëm të Rapidit që unë do të jap më të mirën për ta dhe për skuadrën dhe unë shpresoj që do të shijoj sa më shumë ndeshje së bashku”, tha Hasani.

    Florent Hasani do ta bartë numrin 8 në fanellën e tij me Rapid Bucurestin.

  • UEFA qëndron e vendosur kundër Superligës Evropiane

    UEFA qëndron e vendosur kundër Superligës Evropiane

    Në një konferencë për shtyp online duke iu përgjigjur vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (ECJ) të së enjtes, presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin dhe aktorët kryesorë që përfaqësojnë të gjithë komunitetin e futbollit, nënvizuan kundërshtimin e tyre të bashkuar ndaj të ashtuquajturës Super Ligë Evropiane (ESL).

    Kjo është deklarata e Presidentit të UEFA-s në konferencë:

    “Futbolli mbetet i bashkuar. Kjo konferencë për shtyp që përfshin të gjithë palët e interesuara që flasin së bashku është dëshmi e kësaj. Ne kemi gjithashtu qeveritë kombëtare dhe institucionet krah nesh.

    Ka një kontrast të thellë midis deklaratës për shtyp dhe gjykimit. Gjykimi është në të vërtetë pozitiv, pasi përfshin tiparet kryesore të piramidës së futbollit evropian: konkurrenca e hapur, meritokracia sportive dhe solidariteti.

    GJED sigurisht nuk ka dhënë dritën jeshile dhe as nuk ka miratuar një projekt si e ashtuquajtura Super liga. Ne mirëpresim qartësinë që GJED-ja ka dhënë sot duke përfshirë një miratim të sistemit të para-autorizimit dhe rolin e dyfishtë të UEFA-s si organizator dhe autorizues.

    Ne u bëmë të vetëdijshëm se sistemi ynë i autorizimit ishte i papërsosur, filluam të punonim për këtë në vitin 2021 dhe e konkluduam në vitin 2022 me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ne kemi besim se rregullat tona janë plotësisht në përputhje me vendimin e GJED-së. Thënë kjo sigurisht që do të shqyrtojmë më tej pasi të lexojmë vendimin në detaje dhe të shohim nëse duhet të zbatojmë ndryshime të mëtejshme.

    Është e rëndësishme të theksohet se GJED ka miratuar modelin sportiv evropian, bazuar në meritat sportive, që mund të garantohet vetëm nëse të gjitha skuadrat gëzojnë një nivel të caktuar mundësish të barabarta. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se klube nga shumë vende – si p.sh. Anglia, Gjermania dhe Franca – e kanë të ndaluar të bashkohen me një projekt që është jashtë sistemit.

    Sigurisht, UEFA është e lirë të organizojë garat e veta dhe të shesë ekskluzivisht të drejtat komerciale. Pra, çdo garë duhet të përshtatet brenda sistemit dhe të jetë në përputhje me rregullat tona të reja të autorizimit, dhe ndër të tjera duhet të respektojë meritat sportive, kalendarin ndërkombëtar dhe solidaritetin. Këto rregulla mbrojnë gjithashtu kompeticionet për klube të UEFA-s.

    Futbolli mbetet i bashkuar siç e shihni sot, i mbrojtur mirë nga ligat e shkëputura. Futbolli nuk është në shitje, ne e treguam këtë shumë herë si palë të interesuara së bashku. Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë”, – tha Presidenti i UEFA-s, Ceferin.

    Nasser Al-Khelaifi, Kryetar i Shoqatës së Klubeve Evropiane (European Club Association)

    “Ndoshta disa njerëz nuk e kanë vënë re se çfarë ka bërë futbolli në dy vitet e fundit. Reforma e kompeticioneve, sipërmarrja e përbashkët mes UEFA-s dhe klubeve. Unë nuk e shoh fare këtë si një fitore të Super Ligës. Ky gjykim ka të bëjë me rregullat juridike, që kanë ndryshuar.

    Ne po shohim të njëjtat prezantime, të njëjtat deklarata që flasin për lirinë – por nuk ka të bëjë me lirinë, është një ligë e mbyllur. Kjo është një kontratë sociale. Klubet janë kaq krenare që janë partnerë me UEFA-n dhe luajnë në garat e UEFA-s… Të gjitha palët e interesuara në Evropë po punojnë së bashku për të njëjtin qëllim”.

    Javier Tebas, President i LA LIGA

    “Dëshiroj të shpreh mbështetjen tonë totale për UEFA-n si rregullator i futbollit evropian. UEFA ka 69 vjet që organizon garat evropiane dhe futbollin evropian. Gjatë kësaj periudhe, UEFA-s i është dashur të përshtatet me kohën, me ndryshimet ekonomike dhe realitetet sportive.

    Kjo është ajo që ata kanë bërë vazhdimisht me aktorë të ndryshëm dhe vitin e kaluar krijuan rregulla të reja se si të krijohet një garë e re”.

    Pedro Proença, President i Ligave Evropiane

    “Për ne ky vendim i gjykatës nuk ndryshon mendimin tonë se cili duhet të jetë formati i garave evropiane. Në emër të Ligave Evropiane ne besojmë plotësisht në parimet e hapjes dhe kualifikimit për garat ndërkombëtare përmes garave vendase. Ne besojmë në balancën ndërmjet ligave vendase dhe klubeve ndërkombëtare.

    Ne mbetemi plotësisht kundër modelit të Super Ligës dhe jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur këtë linjë së bashku me palët e tjera të interesit. Ky vendim sot nuk ndryshon asgjë për sa i përket asaj që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja e garave ndërkombëtare”.

    Ronan Evain, Football Supporters Europe (FSE)

    “Nga ana e tifozëve, nuk ka asgjë të re. Është ende i njëjti projekt që pamë dy vjet më parë – i njëjti konkurs privat, i mbyllur, i drejtuar nga paratë. Është thjesht ripaketimi dhe riciklimi i një ideje të tmerrshme pa marrë parasysh meritat sportive.

    Superl Liga nuk dështoi për shkak të rregulloreve ekzistuese në atë kohë – ajo ra sepse ne të gjithë ishim kundër projektit. Ne i përkasim një ekosistemi të futbollit evropian që nuk është perfekt, por të paktën ka një sërë rregullash.

    Nuk ka vend për shkëputje brenda futbollit evropian. Ne shpresonim që cirku të ishte një histori e shkuar. Do të ishte më mirë për futbollin evropian nëse ata thjesht do të dorëzoheshin tani”.

    David Terrier, President i FIFPRO Europe

    “Lojtarët tashmë janë pozicionuar përballë këtij projekti dhe ata janë njëzëri kundër tij. Si Fifpro ne përfaqësojmë të gjithë lojtarët, jo vetëm ata që potencialisht do të luanin në një kompeticion të vetëm në një strukturë të fragmentuar.

    Jam dakord me presidentin Čeferin se ky vendim përforcon pozicionin tonë të përbashkët dhe nënvizon rëndësinë e meritave sportive dhe strukturës piramidale të futbollit Europian”.

  • Edhe Liverpooli del kundër Super Ligës Evropiane

    Edhe Liverpooli del kundër Super Ligës Evropiane

    Super Liga Evropiane është rikthyer sërish si temë diskutimi.

    Gjykata Evropiane e dha dje dritën e gjelbër për krijimin e Super Ligës Evropiane, lajm ky të cilin nuk po e përkrahin skuadra të shumta, raporton KosovaPress.

    Deri tani, skuadrat si Manchester United, Manchester City, Tottenham, Chelsea, Celtic, Porto, Sevilla, Valencia, Atletico Madrid, Real Sociedadi, Villarreali, Bayern Munichu, Borussia Dortmundi, Paris Saint-Germain, Monaco, Inter, AS Roma, Atalanta, Pescara, Feyenoord e Arsenal kanë refuzuar idenë e krijimit të kësaj gare, ndërsa kësaj liste i është bashkuar edhe Liverpooli.

    Liverpooli e ka konfirmuar se nuk e ka në plan që t’i bashkohet Super Ligës Evropiane.

    “Vendimi i Gjykatës Evropiane nuk e ndryshon qëndrimin e mëparshëm të Liverpoolit në propozimin e Super Ligës Evropiane. Përfshirja jonë është ndërprerë. Do të vazhdojmë të punojmë me klubet e tjera përgjatë ECA dhe të marrim pjesë në garat e UEFA-s”, shkruhej në komunikatën e Liverpoolit.

    Zyrtare: Arsenali refuzon Super Ligën Evropiane

  • ​De Laurentiis i ka rënë pishman që nuk e shkarkoi Garcian qysh në ditën e parë

    ​De Laurentiis i ka rënë pishman që nuk e shkarkoi Garcian qysh në ditën e parë

    Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis i ka rënë pishman që nuk e ka shkarkuar Rudi Garcian nga pozita e trajnerit, qysh në ditën e parë kur ai u emërua në krye të kampionit italian.

    Në një intervistë për “Il Corriere dello Sport”, De Laurentiis tregoi se Garcia nuk ishte zgjidhje e tij e parë për trajner te Napoli, raporton KosovaPress.

    “Thiago Motta ishte i pari që e thirra. Nuk ishte e gabueshme, eh? Sidoqoftë ai nuk ndjehej i gatshëm. E dini se çka ishte problemi? Ai duhej të zëvendësonte dikë që e ka fituar titullin. Ai mendoi: ‘Çfarë do të ndodh nëse nuk shkon mirë? Më pas u takova me Luis Enriquen. Prindërit e tij erdhën në Napoli, dhe ai nuk më dha përgjigje për tri ditë. Ai më kërkoi shumë para. Më pas ishte radha e Nagelsmann. Fola me pesë ose gjashtë kandidatë por thash 40 për t’i parë të gjithë. Zgjodha Garcian i cili kishte përfunduar i dyti dy herë në Serie A, duke udhëhequr zhveshtore përplot me kampionë”, tha De Laurentiis.

    Por kur e kuptoi De Laurentiis se Garcia nuk ishte i duhuri për punën e trajnerit te Napoli?

    “Në ditën kur ai u prezantua në Capodimonte. Ai tha se nuk e kishte parë Napolin të luante dhe unë duhej ta kuptoja. Puna është se ai e përsëriti edhe herë të tjera. Ai duhet të kishte luajtur si Spalletti. Përkundrazi, ai donte që unë të ndahesha me një trajner të përsosur fitnesi. Më kishin paralajmëruar për të riun dhe më duhej të qëndroja në Castel Volturno nga mëngjesi deri në mbrëmje”, tha më tej De Laurentiis.

  • Zyrtare: Arsenali refuzon Super Ligën Evropiane

    Zyrtare: Arsenali refuzon Super Ligën Evropiane

    Gjykata Evropiane e dha mbrëmë dritën e gjelbër për krijimin e Super Ligës Evropiane.

    Dihet që Juventusi, Barcelona dhe Real Madridi janë pro krijimit të kësaj gare, por që këto tri skuadra kanë rivalë të shumtë që nuk e përkrahin këtë ide, raporton KosovaPress.

    E tani kundër kësaj ideje është edhe gjiganti anglez, Arsenal. Skuadra e Artetas e ka refuzuar publikisht Super Ligën Evropiane.

    “Pozicioni jonë në lidhje me Super Ligën Evropiane nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë të luajmë në garat e UEFA-s dhe do të vazhdojmë të punojmë me klube të tjera evropiane dhe me Asociacionin e Klubeve Evropiane (ECA)”, shkruhej në komunikatën e Arsenalit.