ATV

Category: Sport

  • Djimsiti fiton duelin e shqiptarëve kundër Ramadanit

    Djimsiti fiton duelin e shqiptarëve kundër Ramadanit

    Ka përfunduar ndeshja interesante mes Atalantas dhe skuadrës së Lecces, e vlefshme kjo për xhiron e 18 të Serie A.

    Atalanta e Berat Djimsitit e ka mposhtur sot Leccen e Ylber Ramadanit me rezultat minimal 1:0, raporton KosovaPress.

    Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Ademola Lookman, i cili vulosi fitoren e skuadrës së tij në minutën e 58’.

    Me pikët e reja, Atalanta ngjitet në vendin e gjashtë me 29 pikë të arkëtuara, krahas Lecces që renditet në vendin e 13 në kuotën e 20 pikëve.

    Duelin e shqiptarëve e fitoi Djimsiti, ndërsa Atalanta e mbyll vitin 2023 me fitore.

    Rezultati final i ndeshjes, 1:0 në favor të Atalantas.

  • Zyrtare: Redon Ismaili largohet nga Gjilani

    Zyrtare: Redon Ismaili largohet nga Gjilani

    Përmes një postimi në “Facebook”, Redon Ismaili ka njoftuar për largimin e tij nga Gjilani.

    Ismaili largohet nga Gjilani pas plot katër viteve me klubin, ndërsa zbuloi se karrierën do ta vazhdojë jashtë Kosovës, raporton KosovaPress.

    “Pas 4 viteve e gjysmë të mrekullueshme në klubin tim SC Gjilani, dua të njoftoj se kontrata më ka përfunduar dhe unë tanimë jam një futbollist i lirë. Kam dhënë çdo gjë nga vetja ime për klubin si në kohërat e mira ashtu edhe të vështira, kam respektuar në maksimum fanellën që kam bartur, por edhe kontratën deri në ditën e fundit. Kam vendosur të largohem për të vazhduar karrierën jashtë Kosovës pasi dua ta ndjek ëndrrën time që një ditë të luaj në një kampionat të madh evropian”, shkroi Ismaili në “Facebook”.

    Prej se u transferua nga KF Vllaznia te SC Gjilani, Ismaili arriti të bëjë 41 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar një gol dhe tre asistime mbi emrin e tij.

  • Trepça përforcohet me Kevin Capers

    Trepça përforcohet me Kevin Capers

    Klubi i Basketbollit Trepça është përforcuar edhe me një lojtar në parket, duke u bërë gati kështu për pjesën e dytë të sezonit.

    Ekipi mitrovicas ka bërë të ditur se ka nënshkruar me basketbollistin Kevin Capers.

    “Kevin Capers gjelbër zi. Capers, bashkohet me Trepçen nga ekipi i Isrealit Maccabi Urban Ramat Gan. Welcome Kev”, thuhet në njoftim.

    Përndryshe, Trepça e mbylli vitin 2023 me një fitore ndaj Istogut, me rezultat 106-65, në kuadër të Prince Caffe Superligës së Kosovës.

  • Dimarco zgjat kontratën me Interin

    Dimarco zgjat kontratën me Interin

    Mbrojtësi italian, Federico Dimarco ka arritur marrëveshje me Interin për të zgjatur qëndrimin në qytetin e modës në Itali.

    Dimarco ka nënshkruar kontratë të re me zikaltërit deri në qershor të vitit 2027.

    “FC Internazionale Milano njofton se ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së lojtarit Federico Dimarco: mbrojtësi i lindur në vitin 1997 do të jetë me Nerazzurrët deri më 30 qershor 2027”, thuhet në njoftim.

    Ai ka zhvilluar 21 ndeshje këtë sezon në të gjitha garat, duke kontribuar me tre gola dhe pesë asistime.

  • Vdes boksieri turk në moshën 29-vjeçare

    Vdes boksieri turk në moshën 29-vjeçare

    Boksieri turk në kategorinë super të mesme, Cem Kilic ka vdekur në moshën 29-vjeçare.

    Kilic, i cili kishte lindur në Gjermani përpara se të zhvendosej në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si adoleshent për të çuar përpara karrierën e tij, kishte luftuar me varësinë nga substancat dhe problemet e shëndetit mendor në vitet e fundit.

    Sipas Boxing Scene, një mbidozë ishte shkaku i vdekjes, ndërsa u konfirmua nga presidenti i Federatës Turke të Boksit, Eyup Gozgec.

    Kilic, i cili ishte llogaritur si ndër boksierët më premtues, kishte fituar 17 nga 18 ndeshjet në boksin profesionist.

    Ai luftoi 18 herë si profesionist pasi bëri debutimin e tij në 2014 dhe humbi vetëm një herë nga Steven Nelson i Amerikës.

    Bokseri turk kishte luftuar së fundmi në gusht të vitit 2022, me një vendim unanim të gjyqtarëve kundër Marco Delgados.

  • Ancelotti nënshkruan kontratë të re me Real Madridin

    Ancelotti nënshkruan kontratë të re me Real Madridin

    Carlo Ancelotti raportohet se do të vazhdojë qëndrimin e tij te Real Madridi.

    E ardhmja e italianit vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, për shkak se kontrata e tij aktuale skadon në fund të sezonit.

    Ancelotti mbetet objektivi kryesor i Kombëtares së Brazilit, teksa ishte thënë edhe se ka një lloj marrëveshje mes palëve.

    Por, sipas raportimeve të ditës së sotme nga Spanja, Real Madridi dhe 64-vjeçari besohet se do të vazhdojnë bashkëpunimin.

    “Relevo” raportoi se Ancelotti ka zgjatur kontratën deri në verën e vitit 2026.Kontrata e re thuhet se është nënshkruar menjëherë pas Krishtlindjeve, teksa tani pritet vetëm edhe zyrtarizimi nga “Los Blancos”.

  • ​Interi rrit interesimin për Brojën

    ​Interi rrit interesimin për Brojën

    Qendërsulmuesi shqiptar Armando Broja mund të ndryshojë skuadër në afatin kalimtar të janarit.

    Për sulmuesin e Chelseat ka disa skuadra të mëdha evropiane që kanë shprehur interesim, por së fundi në këtë garë është futur edhe gjiganti italian, Interi.

    Objektivi i parë i Interit në merkaton e dimrit është një sulmues krahu që mund të zëvendësojë Cuadradon e dëmtuar dhe emri në krye të listës është ai i Tajon Buchanan.

    Por drejtuesit e “Nerazzurrëve” janë gjithmonë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo mundësi për të forcuar skuadrën në dispozicion të Inzaghit, përcjellë KosovaPress.

    Për sa i përket sulmit, përveç iranianit Taremi, ka edhe profile të tjera që mund të emocionojnë drejtuesit e Interit,mes tyre është Armando Broja, një shqiptar i lindur në vitin 2001, i cili së fundmi është rikthyer në fushë me Chelsean, por është i etur për të gjetur më shumë. hapësirë në funksion të Euro 2024.

  • Dy largime nga Barcelona gjatë janarit

    Dy largime nga Barcelona gjatë janarit

    Barcelona po mendon të përforcohet gjatë afatit kalimtar të janarit, por nuk do të mungojnë as largimet nga klubi prej “Camp Nou”.

    Mediumi britanik “Daily Mail” raporton se dy futbollistë i kanë valixhet gati për t’u larguar nga Katalunia në muajin që po vjen.

    Bëhet fjalë për Marcos Alonson dhe Sergi Roberton.

    Dy mbrojtësve do t’ju skadojnë kontratat në verën e ardhshme, por që ata pritet të largohen nga “Blaugrana” qysh në afatin kalimtar të janarit, pasi gjiganti katalunas po synon të nxjerrë sadopak para nga shitja e tyre e parakohshme, para se të largohen pa para si lojtarë të lirë gjatë verës.

    Interesim për dyshen thuhet se ka shfaqur Atletico Madridi.

    Ish-mbrojtësi i Fiorentinës dhe i Chelseat nuk kishte hapësirë në këtë sezon në ekipin e Xavi Hernandezit pasi ka luajtur në kampionat për vetëm 10 minuta.

    Ndërkaq, lojtari i krahut të djathtë spanjoll i numëron 5 paraqitje, prej tyre vetëm tri në ligë.

  • Dy përballje interesante sot në Superligën e Kosovës në basketboll

    Dy përballje interesante sot në Superligën e Kosovës në basketboll

    Pas ndeshjeve të mbrëmshme, Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon sot me dy përballje tejet interesante, të vlefshme këto për xhiron e 15 të këtij sezoni.

    Të dy përballjet e sotme zhvillohen në orar të njëjtë, respektivisht me fillim nga ora 19:00, raporton KosovaPress.

    Kampionia, KB Peja përballet me KB Vëllaznimin, kurse KB Ylli e pret në shtëpi në palestrën “13 Qershori” të Suharekës KB Bashkimin.

    19:00 KB Ylli – KB Bashkimi

    19:00 KB Peja – KB Vëllaznimi

  • ​Chelsea arrin marrëveshje për mesfushorin senegalez

    ​Chelsea arrin marrëveshje për mesfushorin senegalez

    Siç bëhet e ditur nga eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, mesfushori senegalez i grupmoshave U17, Pape Daouda Diong do t’i bashkohet Chelseat në qershor të vitit 2024.

    I lindur në vitin 2006, Pape do t’i mbush 18 vjeç në verë dhe ai do të bëhet pjesë e projektit të Chelseat, raporton KosovaPress.

    Diong ishte në “Stamford Bridge” para dy javëve, ku ka shikuar ambientet e klubit.