ATV

Category: Sport

  • ​Në Arabi e dënojnë Ronaldon

    ​Në Arabi e dënojnë Ronaldon

    Lajm i keq për skuadrën arabe Al Nassr. Trajneri Luís Castro do të duhet të heqë dorë nga Cristiano Ronaldo. Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Juventusit u skualifikua dhe u sanksionua për një gjest ofendues në ndeshjen kundër Al-Shabab.

    Al Nassr mundi Al Shababin në xhiron e fundit të Ligës Pro Saudite, por fitorja i kushtoi shtrenjtë Cristiano Ronaldos. Sulmuesi portugez, në fakt, ishte protagonist i një gjesti të rëndë dhe të përsëritur vulgar ndaj turmës vendase, të cilët brohoritën në favor të Lionel Messit, përcjellë KosovaPress.

    Ish-lojtari i Real Madridit dhe Juventusit u skualifikua për një ndeshje dhe gjithashtu do të duhet të paguajë një gjobë prej tetë mijë dollarësh. Videoja e përgjigjes së Cristiano Ronaldos u bë virale dhe bëri xhiron e internetit.

    Sulmuesi portugez nuk do të marrë pjesë në ndeshjen në shtëpi kundër Al-Hazm . Nuk është hera e parë që Cristiano Ronaldo bën gjeste të tilla në kampionatin saudit.

  • ​Dhunoi një vajzë shqiptare, caktohet seanca vendimtare për Robinhon

    ​Dhunoi një vajzë shqiptare, caktohet seanca vendimtare për Robinhon

    Gjykata e Lartë Federale (Stj) e Brazilit, niveli më i lartë i drejtësisë në shtetin e Amerikës së Jugut, ka caktuar seancën për 20 mars në të cilën do të vendoset nëse ish-futbollisti i kombëtares braziliane dhe Milanit, Robson de Sousa i njohur si Robinho, do të vuajë dënimin me nëntë vjet për përdhunim të vendosur nga gjykata e Milanos në vendin e tij.

    Pas rrëzimit të disa ankesave të paraqitura nga mbrojtja e sportistit, pritet përfundimi i procedimeve në vazhdim nga viti 2023 për miratimin e dënimit, përcjellë KosovaPress.

    Robinho, në disa biseda telefonike, dëgjohet duke thënë së bashku me një grup shokësh dhunoi një vajze shqiptare.

  • Mblidhet Grupi Koordinues, flitet për punët intensive për stadiumet e futbollit

    Mblidhet Grupi Koordinues, flitet për punët intensive për stadiumet e futbollit

    Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, të mërkurën u mbajt një takim i rëndësishëm për të koordinuar planin 5-vjeçar të infrastrukturës së futbollit në Kosovë.

    Në fakt, Grupi Koordinues, i cili është krijuar nga MKRS, e që ka në përbërje profesionistë të fushës nga nivelet qendrore dhe lokale, si dhe përfaqësues të FFK-së dhe të nivelit profesional, ka mbajtur takimin e radhës, e ku ishin të pranishëm edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

    Qëllimi kryesor i këtij takimi është fillimi i punës intensive në krijimin e standardeve për të gjitha stadiumet në Kosovë dhe nisja sa më e shpejtë e zbatimit të planit pesëvjeçar të infrastrukturës së futbollit, i cili është prezantuar nga ministri Çeku dhe presidenti Ademi edhe në takimet me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe atë të UEFA-s, Aleksandër Çeferin në vitin e kaluar, e që ka marrë mbështetjen e tyre.

    Ministri Çeku u shpreh se plani 5-vjeçar përfshin Memorandumet e Bashkëpunimit të arritura me 16 komuna të Kosovës bashkë me FFK-në për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit. Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të projekteve të infrastrukturës me Grupin Koordinues, duke garantuar që të gjitha hapat do të jenë në përputhje me standardet e UEFA-s, por edhe në përputhje me nevojat dhe mundësitë reale.
    “Tani gjithçka rreth projekteve të përbashkëta të infrastrukturës që janë pjesë e planit 5-vjeçar do të bëhet në koordinim me këtë grup punues, i cili është i përbërë nga njerëzit më kompetent. Ky grup do të jetë edhe vendimmarrës, edhe strategjik edhe orientues, si për ministrinë ashtu edhe për federatën dhe për të gjithë të tjerët sa i përket projekteve të parapara. Tash e tutje gjithçka që ka të bëjë me infrastrukturën e futbollit pa u filtruar nga ky grup, ne, nuk do ta shtyjmë përpara. Kjo pasi përvoja jonë me disa komuna e klube nuk është më e mira, pasi shpesh ka kërkesa megalomane dhe në shpërputhje totale edhe me mundësitë por edhe me nevojat që i kemi. Por, ky grup do ta amortizojë këtë pjesë sepse këto diskutime dhe vendimarrje duhet të jenë profesionale. Pra, ky grup i bën analizat, i bën vlerësimet dhe na orienton edhe neve për të vepruar tutje. Nuk i kam hallet te kursimet, sepse buxheti gjithmonë gjendet disi, por të mos bëjmë investime të pamençura që më pas na kushtojnë më shumë në mirëmbajtje ose në efektivitet.

    Pra, qëllimi është që çdo cent i taksapaguesve që investohet në infrastrkuturën e futbollit të jetë investim i mençur”, ka theksuar Çeku. Ministri gjithashtu u angazhua për mobilizimin e të gjitha resurseve financiare për të krijuar një infrastrukturë sportive sa më të mirë, duke shprehur shpresën edhe për mbështetjen e komunave në këtë proces.
    E presidenti Ademi nga ana tjetër premtoi mbështetjen e plotë të Federatës së Futbollit të Kosovës për Grupin Koordinues dhe për të gjitha iniciativat për avancimin e futbollit në Kosovë.

    Ai e vlerësoi këtë takim si hap pozitiv drejt përmirësimit të infrastrukturës së futbollit në Kosovë dhe si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm mes autoriteteve qendrore, lokale dhe sportive, teksa vuri në pah se selia e FFK-së do të jetë gjithmonë në dispozicion të këtij grupi punues.

    Grupi Koordinues përbëhet nga Florim Kryeziu, kryesues (MKRS) si dhe anëtarët: Drilon Kabashi (MKRS), Muhamet Koca (FFK), Florim Grajçevci (FFK), Gent Gërdovci (FFK), si dhe dy përfaqësues me rotacion nga kolegjiumi për Kulturë, Rini dhe Sport i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

  • Besiktas me ofertë për sulmuesin shqiptar Rey Manaj

    Besiktas me ofertë për sulmuesin shqiptar Rey Manaj

    Sulmuesi shqiptar Rey Manaj, aktualisht është njeriu i momentit tek skuadra turke Sivasspor.

    Mediat në Turqi, kanë raportuar se gjiganti i mirënjohur Besiktas po synon që tq sjellë në radhët e veta sulmuesin kuq e zi në afatin kalimtar veror, dhe për ta lënë të lirë Manaj Sivasspor po kërkon rreth 15 milionë euro.

    Përndryshe kjo shumë për Besiktasin po konsiderohet si mjaft e madhe,teksa po dëshirojnë që t’i ofrojnë 10 milionë euro plus dy futbollistë për të siguruar shërbimet e Manajt.

    Në rast se Manaj transferohet në “Vodafone Park” ,atëherë pritet të bëhet futbollisti i tretë që transferohet tek Besiktas pas Milot Rashicës dhe përforcimit të fundit të kësaj skuadre Ernest Mucit.

    Kujtojmë që Rey Manaj është në formë fantastike tek Sivasspor,ku në 26 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 18 gola.

  • Muriqi: Jemi gati për finalen, dështimin nuk e mendojmë

    Muriqi: Jemi gati për finalen, dështimin nuk e mendojmë

    Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi do të jetë protagonist i një finaleje të madhe të futbollin spanjoll. Skuadra e tij, Majorka e ka siguruar finalen e Kupës së Mbretit pasi në gjysmëfinale e eliminuan Real Sociedadin pas ekzekutimit të penalltive ku në mesin e realizatorëve ishte edhe sulmuesi Dardan.

    Përmes një shkrimi në rrjetin social Instagram, Muriqi ka thënë se skuadra e tij është e gatshme për ndeshjen finale dhe se nuk atje janë duke menduar vetëm për lavdinë e madhe, transmeton KosovaPress.

    “Ne nuk mendojmë dhe nuk kemi frikë nga dështimi, e vetmja gjë për të cilën mendojmë është lavdia! Hapi i fundit për të realizuar një ëndërr! Do ta arrijmë me të gjithë ju!”, ka shkruar Muriqi.

    Në finale, Majorka do të ballafaqohet me fituesin e ndeshjes Athletic Bilbao-Atletico Madrid që zhvillohet të enjten.

  • ​Bayerni e dëshiron Zidanin si trajner

    ​Bayerni e dëshiron Zidanin si trajner

    Zinedine Zidane dëshiron të punojë sërish si trajner dhe menjëherë pasi e konfirmoi këtë, shumë klube kanë shfaqur interesimin e tyre, duke përfshirë edhe gjigantin bavarez Bayern Mynih.

    Pas tre vitesh, Zinedine Zidane është gati të rikthehet në stolin e trajnerëve. Në premierën e dokumentarit për trajnerin kampion të botës të Italisë, Marcello Lippi (2006), ish- trajneri i Real Madridit zbuloi për Sky Italia se është gati t’i rikthehet punës së trajnerit. “Do të doja patjetër të kthehesha në stol”, tha ai, përcjellë KosovaPress.

    Sipas informacioneve të “Sky”, drejtuesit e Bayernit së fundmi kanë menduar për Zidanin pasi në fund të sezonit Thomas Tuchel do të largohet.

    Zidane së fundmi ka qenë i lidhur me ish-klubin e tij Juventus . “Një e ardhme në Itali? Pse jo, gjithçka mund të ndodhë. Për momentin jam duke bërë gjëra të tjera, por do të shohim”, tha 51-vjeçari.

    Në verën e vitit 2021, Zidane dha dorëheqjen nga pozicioni i tij si trajner në Madrid. Me Los Blancos, ish-lojtari i klasit botëror fitoi Ligën e Kampionëve tre herë dhe fitoi dy tituj kampion në La Liga.

  • ​Interi kundër Atalantës për ta “mbyllur” Serinë-A

    ​Interi kundër Atalantës për ta “mbyllur” Serinë-A

    Interi do ta luajë sonte sfidën e vështirë kundër Atalantës, ndeshje kjo e mbetur nga xhiro e 21-të e përmes të së cilës synon që me një fitore t’i jap një goditje të madhe luftës për titull.

    Tri pikë të reja për Interin në këtë sfidë jo vetëm që do të thellojnë epërsinë e Interit në krye të tabelës, por gjithashtu do ta bëjnë atë fitoren e katërt radhazi në ligë ndaj Atalantës për herë të parë që nga një seri prej gjashtë ndeshjesh midis 1997 dhe 2001.

    Atalanta po kalon në një formë të jashtëzakonshme pasi ka zgjatur serinë e tyre si të pamposhtur që nga Krishtlindjet (8 fitore, 2 barazime), përcjellë KosovaPress.

    Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Giuseppe Meazza” nga ora 20:45 dhe këto janë formacionet e mundshme:

    Inter: Sommer; Pavard, De Vrij, Bastoni; Darmian, Barella, Asllani, Mkhitaryan, Dimarco; Arnautovic, Lautaro.

    Atalanta: Carnesecchi; Hien, Djimsiti, Kolasinac; Zappacosta, Ederson, De Roon, Bakker; Koopmeiners; Pasalic, Miranchuk.

  • Cufa i ATV-së, merr pjesë në gjysmëmaratonën në Napoli të Italisë

    Cufa i ATV-së, merr pjesë në gjysmëmaratonën në Napoli të Italisë

    Jusuf Islami, i njohur si ‘Cufa’ nga emisioni “E Diela Vlen” në ATV, gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në gjysmëmaratonën prej 21.62 km, në Napoli të Italisë.

    Ai, përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ka shkruar se kjo gjysmë maratonë kishte një organizim dhe atmosferë fantsastike, të cilën e shijuan së bashku me shokë nga Kosova dhe Shqipëria.

    “Pjesëmarrja ime e pare nderkombetare ne gjysme maratonen 21.62km km të përfunduara me sukses në Napolin e bukur. Një organizim dhe atmosferë super fantastike e shijuam këtë garë të mrekullueshme me shokë nga Kosova dhe Shqipëria”, ka shkruar ai.

    Kujtojmë se Jusuf Islami është edhe njëri ndër organizatorët e mini-maratonës humanitare “Vrapo Babadimër”, e cila organizohet çdo dhjetor në Prishtinë.

    Qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje është rritja e donacioneve për t’i ndihmuar familjet e varfra në Kosovë me rastin e festave të fundvitit dhe ndihma për fëmijët e Onkologjisë-Pediatri. /atvlive.tv

  • Kosova fituese e turneut “Turkish Women’s Cup”

    Kosova fituese e turneut “Turkish Women’s Cup”

    Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka fituar për herë të dytë turneun “Turkish Women’s Cup” e cila është mbajtur në Alanya të Turqisë.

    Në finale vashat dardane të udhëhequra nga selektorja Aneeli Andersen, kanë mposhtur në finale kombëtaren e Indisë me rezultat 1:0 me golin e Erëleta Mehmetit.

    Përndryshe gjatë gjithë turneut Kosova ka treguar një formë fantastike, ku në ndeshjen e parë fituan ndaj Hong Kongun me rezultat 1:0 kurse në takimin e dytë mposhtën me rezultatin 3:0 kombëtaren e Estonisë dhe kështu “Dardanet” vazhdojnë serinë pa humbje në 14 ndeshje.

    Kujtojmë që Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave do të presë tërheqjen e shortit për kualifikimet për kampionatin evropian EURO 2025,ku do të njoftohet me kundërshtarët e radhës.

     

  • Kosova në basketboll me një fitore dhe një humbje në ndeshjet e shkurtit

    Kosova në basketboll me një fitore dhe një humbje në ndeshjet e shkurtit

    Bilanci i kombëtares së Kosovës në basketboll për ndeshjet e shkurtit ishte një fitore e një humbje.

    Dardanët mundën Irlandën 83:76 dhe pësuan nga Azerbajxhani 88:77.

    Edhe Azerbajxhani ka një fitore e një humbje, kurse lidere është Zvicra me dy fitore (ndaj Azerbajxhanit dhe Irlandës), kurse e fundit është Irlanda me dy humbje.

    Ndeshjet e ardhshme për Kosovën do të jenë në udhëtim, kundër Zvicrës e Irlandës në muajin nëntor, derisa kampanjën për Rrethin e Parë Parakualifikues Evropian për Kupën e Botës 2027 e mbyll në muajin shkurt të vitit të ardhshëm ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës.