ATV

Category: Sport

  • ​Zhegrova: I lumtur që isha i nominuar për lojtarin më të mirë në Francë

    ​Zhegrova: I lumtur që isha i nominuar për lojtarin më të mirë në Francë

    Kylian Mbappe është shpallur të hënën si lojtari më i mirë në kampionatin francez të futbollit, Ligue 1. Veçantia e ceremonisë për dhënien e këtij çmimi ishte se në mesin e të nominuarve ishte edhe reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova.

    Me skuadrën e tij, Lille, Zhegrova këtë edicion pati paraqitje fantastike. Ai realizoi gjashtë gola dhe ka dhënë pesë asistime duke e ndihmuar skuadrën e tij të renditet në vendin e tretë me 58 pikë kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për t’u mbyllur kampionati, transmeton KosovaPress.

    Pas ceremonisë, Zhegrova ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që mori, ndërsa është shprehur i lumtur që ishte në mesin e të nominuarve për këtë çmim.

    “Shumë i lumtur që isha i nominuar për lojtarin më të mirë në Francë. Falemnderit të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë gjatë gjithë sezonit. Le ta përfundojmë kampionatin me fitore të dielën”, ka shkruar Zhegrova në “Instagram”.

    Ndryshe, Zhegrova ka zgjuar interesim të madh nga disa skuadra të ndryshme evropiane, duke përfshirë Romën dhe Juventusin.

  • ​Conte “sakrifikohet” për të marrë drejtimin e Napolit ose Milanit

    ​Conte “sakrifikohet” për të marrë drejtimin e Napolit ose Milanit

    Napoli ka rihapur bisedimet me Antonio Conten pasi ai uli kërkesat e tij për pagë dhe Milani është gjithashtu gati të takojë sërish ish-trajnerin e Chelseat për të folur për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

    Trajneri 54-vjeçar italian është ende pa punë pas largimit të tij nga Tottenhami në mars të vitit të kaluar, duke bërë një pushim nga futbolli për të kaluar kohë me familjen e tij në Torino pas një periudhe të vështirë në Londrën Veriore.

    Conte ishte dikur favorit për të marrë drejtimin e Napolit, por gjërat u qetësuan gjatë muajve të fundit, me kandidatë të tjerë si Gian Piero Gasperini dhe Vincenzo Italiano që morën primatin. Ai gjithashtu është paraqitur si një zëvendësues i mundshëm i Stefano Piolit te Milani.

    “Corriere dello Sport” shpjegon se si Conte ka filluar të ulë kërkesat e tij për kontratë përpara verës, i gatshëm të pranojë një marrëveshje me vlerë rreth 4-5 milionë euro neto në sezon plus shtesat dhe të drejtat e imazhit.

    Shoqëruesi i tij u takua me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis javën e kaluar dhe priten bisedime të mëtejshme, ndërsa agjentët e tij gjithashtu përgatiten të diskutojnë kushtet me Milanin.

  • ​Përcaktohen çiftet e “Final 4” të kampionatit shqiptar

    ​Përcaktohen çiftet e “Final 4” të kampionatit shqiptar

    Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u hodh shorti i “Final Four” i organizuar nga FSHF, ku morën pjesë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidentë e përfaqësues të klubeve të kualifikuar në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias.

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mbajti një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit në sallë, duke falënderuar të gjjtha klubet pjesëmarrëse në kampionatin “Abissnet Superiore” për garën dhe emocionet e dhuruara përgjatë këtij sezoni. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u uroi shumë fat Egnatias, Partizanit, Skënderbeut dhe Vllaznisë, katër ekipet finaliste në “Final 4”, ndërsa ftoi edhe tifozët të mbështesin skuadrat e tyre të zemrës në stadiumin “Air Albania”.

    “Zakonisht muaji maj në traditën e futbollit shqiptar është muaji i verdikteve të të gjitha garave, por ajo që është gara më e rëndësishme e kampionateve në Shqipëri është kampionati ‘Abissnet Superiore’. Tani që jemi në fundin e pjesës së parë të kampionatit, dua të falënderoj 10 klubet pjesëmarrëse, futbollistët, trajnerët, të gjithë ata që e kanë mbështetur kampionatin gjatë këtij edicioni. Për mua vërtetë i bukur, plot garë deri në ditët e fundit, ku ishte e papërcaktuar renditja e skuadrave. Katër ekipet që janë pjesëmarrëse në këtë fazë finale kanë pasur një rrugëtim me ‘grafikë’ të ndryshëm gjatë rrugës, por tashmë janë pjesë e turneut final dhe ne urojmë që tani të kënaqin të gjithë spektatorét dhe të fitojë më i miri. Ky është një format i ri i kampionatit, i cili ka pasur diskutimet e veta, por unë uroj që performanca e skuadrave në këtë fazë finale të japë përgjigje pozitive, të ketë sa më shumë spektatorë dhe pse jo, të na dhurojë sa më shumë emocione. Kjo lojë është për të kënaqur publikun dhe për të dhuruar emocione, teksa është edhe shumë e rëndësishme se kush del kampion, por më e rëndësishëm është zhvillimi i lojës. Jam i sigurt që ky format do t’i shërbejë zhvillimit të lojës në Shqipëri dhe përgatitjes së skuadrave tona për garat europiane. Ju falënderoj dhe i uroj shumë suksese katër skuadrave në këtë turne final. Uroj që të kënaqen sa më shumë tifozët në stadiume, të cilët i ftoj ta mbështesin dhe ta ndjekin nga afër me emocion këtë garë dhe ata të cilët do ta ndjekin përmes ekranit”- tha Presidenti Duka në fjalën e tij përshëndetëse.

    Për shkak se Egnatia është finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe ndeshja finale ndaj Kukësit do të luhet nesër në 19:00 është vendosur që ndeshja Partizani –Skënderbeu të zhvillohet të premten më datë 17 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.

    Ndërsa gjysmëfinalja e dytë Egnatia – Vllaznia, do të luhet më datë 19 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.

    Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Partizani.

  • Klubi i madh italian interesohet për Zhegrovën

    Klubi i madh italian interesohet për Zhegrovën

    E ardhmja e Edon Zhegrovës mund të jetë e lidhur me futbollin italian.

    Kohëve të fundit, mediat italiane raportuan se interesim për yllin kosovar kanë shprehur dy gjigantët e Serie A, Juventus dhe Napoli.

    Por, mediumi i atjeshëm “Il Tempo” sot raporton për klubin e tretë italian që ka hyrë në garë për 25 vjeçarin.

    Bëhet fjalë për Romën, e cila e sheh përfaqësuesin kosovar si përforcim ideal për fazën ofanzive.

    Zhegrova i ka realizuar 6 gola deri tash në 31 paraqitje me ekipin e Paulo Fonsecas.

    “Giallorossi” e pëlqejnë edhe Federico Chiesan e Juventusit, por nëse nuk arrijnë ta transferojnë përfaqësuesin italian, atëherë do t’i vihen pas Zhegrovës, për t’ia vënë në dispozicion trajnerit Daniele De Rossi, i cili thuhet se e pëlqen ish-futbollistin e Baselit.

    Zhegrova është sot njëri prej futbollistëve më të mirë në Ligue 1 dhe interesimi i klubeve të njohura për kartonin e tij nuk po mungon.

  • Xhakli zbulon objektivat kryesore si trajner i Kosovës në boks

    Xhakli zbulon objektivat kryesore si trajner i Kosovës në boks

    Me vendim të Bordit të Federatës së Boksit, Faton Xhakli është emëruar trajner i Përfaqësuese së Kosovës në Boks. Më të marrë këtë post, Xhakli ka thënë për KosovaPress se arsyeja pse e ka marrë këtë përgjegjësi është se ka shumë për t’i dhënë boksit dhe me synimin për të sjellë medalje elitarë në Kosovë.

    Duke folur për KosovaPress, Xhakli ka theksuar se udhërrëfyesi i të gjithë boksierëve të rinj duhet të jetë medalistja botërore, Donjeta Sadiku.

    “Arsyeja e parë ka qenë që jam shumë i lidhur me boksin dhe kam filluar shumë herët si sportist dhe si trajner…dhe kam treguar rezultate të mira në klubin tim dhe arsyeja e parë ka qenë ajo sepse unë edhe kam qenë selektor në boksin e femrave trajner ku me Donjeta Sadikun kemi rrëmbyer medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror. Te Donjeta, udhërrëfyesi ynë është ajo dhe ajo ka qenë arsyeja më e madhe që unë tani edhe prej Donjetës mendoj edhe te meshkujt ku te meshkujt shihet një masovitet më i madh se sa te vajzat dhe besoj që unë jam i duhuri që mund të kontribuojë më shumë”, tha fillimisht Xhakli.

    Paraardhësi i Xhaklit, Besim Brahimi kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë me arsyetimin se kishte mungesë të mbështetjes financiare, por Xhakli thotë kjo pjesë për të nuk paraqet fare problem

    “Unë për pagesë, thash edhe më herët që pagesën nuk e kam parë shumë të arsyeshme, sa e shoh të arsyeshme rezultatin. Nëse ne kemi rezultat, pagesat janë shumë të mira. Unë e di që boksierët Bajoku marrin nga Komiteti Olimpik dhe ministria përkrahje dhe normal që ne shumicën e sportistëve e boksierëve ne duhet t’i përkrahim nga klubi, kurse unë si trajner i kam mëditjet që janë të parapara. Unë për vete jam i kënaqur vetëm atëherë kur tregoj rezultat”, theksoi Xhakli.

    Ndërsa, sa i përket bokseires Donjeta Sadiku, Xhakli ka pohuar se është një aset për sportin e Kosovës dhe treguesi më i mirë se si me punë arrihet një rezultat kulminant.

    “Donjeta Sadiku e ka planin e vet, e ka vendosmërinë dhe besimin shumë të madh dhe me ato gjëra ka arritur aty ku është. Unë gjithmonë i kam përcjellë kampionatet botërore, por kurrë nuk e kam ditur që kampionen botërore e kemi mbrapa, por aty u vërtetua që vetëm me punë arrihen ato gjëra. Ajo është duke punuar me trajneren shumë të mirë Marjola Sallauka e cila është një trajnerë shumë e kuptueshme dhe kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë në Kampionatin Botëror dhe mendoj që ajo na ka sjellë deri te rezultati i Donjeta Sadikut”, bëri të ditur Xhakli.

    Sa i përket synimeve, Xhakli ka zbuluar se ka dy objektiva kryesxore

    “Synimi im është të jem sa më afër sportistëve, bashkëpunimi me klubet tjera, me trajnerët tjerë, me të gjithë do të mundohemi bashkarisht dhe besoj që do të kemi rezultate. Rezultati normal që do të vie, tani është edhe Kampionati Evropian U22 në Sofie të Bullgarisë, pastaj vitin tjetër është Kampionati Botëror, duhet të mendojmë që tani që të përgatitemi për Kampionatin Botëror”, shtoi ai.

    Në fund, Xhakli konfirmoi se Federata e Boksit të Kosovës është duke bashkëpunuar më Federatën Botërore të Boksit që në Kosovë të vie edhe një trajner i huaj me qëllimin që të bëhet një punë më efikase dhe pre të pasur pastaj rezultate kuliminane të boks.

  • Ademi në 8 vjetorin e anëtarësimit në FIFA: Kosova është histori suksesi

    Ademi në 8 vjetorin e anëtarësimit në FIFA: Kosova është histori suksesi

    Kosova para tetë vjetësh aderoi si anëtarja e 210-të e shtëpisë së madhe të futbollit FIFA në Kongresin e 66-të të kësaj organizate sportive në Meksiko.

    Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar më 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës.

    Me këtë rast, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se deri tek kjo arritje e madhe, Kosova erdhi me kontributin e figurave të mëdha sportive si Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahutm Sabri Hashanit, Fadil Vokrri e të tjerë.

    “13 maj 2016 është një datë tjetër e rëndësishme, e paharrueshme dhe historike, jo vetëm për komunitetin e futbollit, por edhe për shtetin e Kosovës.Nuk mund të përshkruajmë rëndësinë e kësaj ngjarjeje pa përshëndetur punën dhe sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan në këtë rrugëtim. Duke filluar epoka e guximshme e mëvetësimit nën udhëheqjen e Agim Bytyqit, vazhduar me epokën e rezistencës dhe ekzistencës nën drejtimin e Rexhep Abdullahut e Sabri Hashanit, dhe me epokën e ndërkombëtarizimit nën udhëheqjen e legjendës Fadil Vokrri, çdo pjesëmarrës ka lënë gjurmët e tij dhe gëzon respekt”, ka shkruar Ademi në Facebook, përcjellë KosovaPress.

    Ai ka shtuar se në këtë rrugëtim tetë vjeçar, Kosova tashmë është bërë një histori suksesi.

    “Tani, tetë vjet pas anëtarësimit, Kosova, falë mbështetjes së UEFA-s e FIFA-s, është transformuar në një histori suksesi. Bashkërisht, kemi bërë përparime të mëdha në masovizimin dhe zhvillimin e futbollit si dhe kemi ndihmuar të rinjtë tanë të përfshihen në këtë sport”, ka theksuar Ademi.

  • 8 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    8 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    Kosova para tetë vjetësh aderoi si anëtarja e 210-të e shtëpisë së madhe të futbollit FIFA në Kongresin e 66-të të kësaj organizate sportive në Meksiko.

    Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar më 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës. Në Kongresin e FIFA-s, para votimit për anëtarësimin e FFK-së, të pranishmëve iu pati drejtuar anëtari i Këshillit të FIFA-s Senesh Erzik, i cili theksoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e FIFA-s.
    Më pas një fjalim e mbajti kryetari i atëhershëm i FFK-së, tashmë i ndjeri Fadil Vokrri, i cili u sqaroi delegatëve se futbolli në Kosovë ka një historik të madh dhe iu kujtoi se tashmë Kosova ishte pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.

    Në fund të fjalimit të tij, Fadil Vokrri tha se futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin, duke kërkuar që Kosova të merr votat e të pranishmëve për anëtarësim në FIFA. Serbia kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës, por presidenti i FIFA-s, Gianni Ifantino ia bëri me dije delegacionit serb se është Kongresi ai që vendos dhe kërkoi të kalohet në votim elektronik, ku Kosova mori 141 nga 164 votat valide.
    Pas pranimit zyrtar të Kosovës në FIFA, kreu i FFK-së Fadil Vokrri falënderoi presidentin, zëvendëpresidentët dhe anëtarët e Këshillit të FIFA-s.

    “Kjo është një datë shumë e rëndësishme për ne, pasi sot jemi pjesë e FIFA-s. Të gjithë në Kosovë i gëzohen këtij vendimi të Kongresit të FIFA-s. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”, pati deklaruar Vokrri, i cili në mënyrë simbolike mori emblemën e FIFA-s si dhuratë nga presidenti Infantino.

  • Real Madrid së bashku me mijëra tifozë po feston titullin e 36-të të La Ligës

    Real Madrid së bashku me mijëra tifozë po feston titullin e 36-të të La Ligës

    Real Madridi po feston titullin e La Liga-s duke kaluar me një autobus të hapur nëpër rrugët e Madridit, më saktësisht në në sheshin Cibeles.

    Trofeu iu dorëzua lojtarëve, trajnerit Carlo Ancelotti dhe presidentit Florentino Perez nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Pedro Rocha në një ceremoni me dyer të mbyllura të dielën në mëngjes.

    Këtë të diel, Real Madridi po feston titullin e 36-të në histori të klubit.

    Kujtojmë se, Los Blancos kanë fituar La Ligan, derisa janë në finale të Ligës së Kampionëve ku do të përballen me Borussia Dortmundin.

  • ​Fundi i një epoke, Modric do të largohet nga Real Madridi

    ​Fundi i një epoke, Modric do të largohet nga Real Madridi

    Ndërsa po hyjmë në javët e fundit të sezonit 2023/24, Real Madridi nuk ka vendosur ende të ardhmen e disa prej lojtarëve të tyre yje si Luka Modric dhe Toni Kroos, kontratat e të cilëve skadojnë më 30 qershor.

    Modric, për një kohë të gjatë, dukej se po shkonte drejt dyerve të daljes, por raportet e fundit sugjeruan se 38-vjeçari do të vazhdojë edhe një sezon në klub, raporton KosovaPress.

    Duke pasur parasysh se ai bëri disa paraqitje kryesore në ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve, u sugjerua që Carlo Ancelotti dhe shefat e Realit vendosën që ata donin ta mbanin atë për një sezon më shumë, ndërkohë që edhe lojtari ndihej sërish i rëndësishëm.

    Megjithatë, tani, sipas raportimeve të gazetarit Ramon Alvarez, Luka Modric nuk do të vazhdojë te Real Madrid përtej sezonit aktual. 38-vjeçari besohet se do të takohet menjëherë me presidentin e klubit Florentino Perez për të diskutuar çështjen e së ardhmes së tij.

    Ndërsa është e paqartë nëse takimi ka ndodhur apo jo, tani po pretendohet se Modric do të largohet nga Reali pasi të përfundojë sezoni në vazhdim dhe t’i skadojë kontrata.

    Nëse është e vërtetë, do të jetë një goditje e jashtëzakonshme për Real Madridin, sepse Modric ka qenë një ikonë për më shumë se një dekadë në klub dhe ka treguar se ai ende mund të japë kontribute të vlefshme.

  • Juventusi nuk heq dorë nga Zhegrova, e ka gati ofertën

    Juventusi nuk heq dorë nga Zhegrova, e ka gati ofertën

    Juventusi po vazhdon të ruajë interesimin për Edon Zhegrovën.

    Sipas “TuttoJuve”, “Bardhezinjtë” po e ndjekin me kujdes dhe mund ta nënshkruajnë për ta përfshirë në skuadër në vend të Filip Kosticit.

    Juventusi thuhet se po punon për ta shitur serbin në Premierligë ose në Arabinë Saudite, duke synuar të arkëtojë 10 milionë euro nga një lëvizje e tillë.

    “Zonja e Vjetër” pastaj mund të blejë Zhegrovën për 15 milionë euro, për të mbushur vendin e lënë bosh nga shitja e mundshme e Kosticit.

    36 herë kampionët e Italisë po ndjekin reprezentuesin e Kosovës tash e një kohë. Madje, drejtori sportiv, Cristiano Giuntoli, ka zhvilluar edhe bisedime me Lillen dhe përfaqësuesit e lojtarit.

    25-vjeçari me Lille ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.

    Klubi nga Ligue 1 synon të përfitojë deri në 15 milionë euro nga shitja eventuale e Zhegrovës.

    Ylli kosovar deri më tani ka kontribuar me 12 gola dhe nëntë asistime në 45 paraqitje në të gjitha garat, duke u bërë një prej futbollistëve më të rëndëishëm në skuadrën e Paulo Fonsecas.

    Mbetet të shihet në verë nëse Edon Zhegrova do të bëjë një tjetër hap të madh në karrierën e tij.