ATV

Category: SPORT

  • Peticioni për përjashtimin e Argjentinës nga Kupa e Botës është nënshkruar nga 23 milionë njerëz

    Peticioni për përjashtimin e Argjentinës nga Kupa e Botës është nënshkruar nga 23 milionë njerëz

    Një peticion që bënte thirrje për përjashtimin e përhershëm të ekipit kombëtar të Argjentinës nga Kupat e Botës u përhap në internet gjatë Kupës së Botës 2026. Organizatorët e fushatës, të quajtur “Kick Argentina Out” ose “Përjashtojeni Argjentinën”, pretenduan se në më pak se një javë ajo ishte mbështetur nga 23,316,108 njerëz nga afërsisht 170 vende.

    Peticioni u nis për shkak të pakënaqësisë së disa tifozëve me gjykimin e ndeshjeve argjentinase dhe bindjes se FIFA favorizon Lionel Messin dhe ish-kampionët e botës. Përshkrimi i tij pretendonte se Argjentina gëzonte një pozicion të privilegjuar dhe pyeste pse ekipet e tjera do të luanin nëse fituesi ishte i paracaktuar. Fushata u mbyll pasi Spanja mundi Argjentinën 1-0 në finale.

    Të dhënat e mbi më shumë se 23 milionë nënshkrimeve u raportuan nga media si RMC Sport, Euronews, Goal dhe media të tjera. Ky rezultat do ta sillte fushatën pranë rekordit Guinness, i cili i përket iniciativës ‘Jubilee 2000’. Nga viti 1997 deri në vitin 2000, ajo u nënshkrua manualisht nga 24,319,181 njerëz nga 166 vende, duke kërkuar lehtësim të borxhit për vendet më të varfra.

    Megjithatë, nuk është e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur nëse peticioni është nënshkruar vërtet nga më shumë se 23 milionë njerëz. Shifra u shfaq në faqen e internetit të organizatorëve, por nuk u publikua asnjë listë e nënshkruesve, dhe as nuk dihet se si e verifikuan ata identitetin e përdoruesve dhe parandaluan nënshkrimet e shumëfishta. Prandaj, kjo shifër duhet të citohet si një pohim nga organizatorët dhe jo si një numër i konfirmuar nënshkrimesh.

    Fushata nuk ishte e lidhur me FIFA-n ose ndonjë shoqatë futbolli, kështu që nuk kishte peshë formale dhe as nuk mund të ndikonte në pjesëmarrjen e Argjentinës në turne.

    Argjentina ka marrë shumë kritika gjatë turneut

    Pakënaqësia u rrit veçanërisht pas fitores 3-2 të Argjentinës ndaj Egjiptit në fazën e 1/8-tës. Egjiptianët u ankuan për një gol të anuluar dhe përdorimin e VAR-it, ndërsa trajneri Hossam Hassan akuzoi publikisht organizatorët se donin ta mbanin Messin në turne. FIFA hodhi poshtë akuzat për manipulim ndeshjesh dhe tha se nuk kishte bazë për të vënë në dyshim integritetin e gjyqtarëve.

    Kritika të tjera u shtuan nga qasja agresive e Argjentinës, përplasjet e shpeshta me kundërshtarët dhe sjellja pas humbjes përfundimtare. Disa tifozë në mediat sociale shprehën neveri për skenat nga fusha, megjithëse së bashku me pamjet reale, u shpërnda gjerësisht edhe përmbajtja e krijuar nga inteligjenca artificiale dhe teoritë e pabaza se turneu ishte manipuluar në favor të Argjentinës.

    Përleshje pas finales

    Skenat më të këqija ndodhën pas finales. Leandro Paredes u përplas me Eric Garcia dhe Gavi, me pamje që e tregojnë atë duke e kapur mbrojtësin spanjoll për fyti. Nahuel Molina ishte gjithashtu i përfshirë në incident, ndërsa ndihmëstrajneri i Argjentinës, Roberto Ayala, u përplas me Dani Olmo.

    FIFA ka nisur një hetim disiplinor që mund të rezultojë në pezullime për lojtarët dhe stafin dhe një gjobë për Federatën Argjentinase të Futbollit.

    Ayala më vonë kërkoi falje. Ai tha se e shtyu Olmon larg pas deklaratës së tij, pranoi se kishte humbur kontrollin e emocioneve të tij dhe njoftoi se do t’i kërkonte falje personalisht. Ai theksoi se pozicioni i tij e detyron të sillet ndryshe.

  • FIFA reagon ashpër pas akuzave për kurdisje të ndeshjeve në Botëror, del me deklaratë zyrtare

    FIFA reagon ashpër pas akuzave për kurdisje të ndeshjeve në Botëror, del me deklaratë zyrtare

    FIFA ka reaguar me një deklaratë të fortë pas pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026.

    Botërori i parë me 48 kombëtare përfshiu gjithsej 104 ndeshje, ndërsa Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në histori, pasi mposhti Argjentinën në finalen e zhvilluar në stadiumin ‘MetLife’.

    Gjatë turneut nuk munguan polemikat për gjykimin. Federata Egjiptiane e Futbollit kërkoi nga FIFA përjashtimin e gjyqtarëve që drejtuan humbjen 3-2 të Egjiptit ndaj Argjentinës, duke pretenduar se ishin bërë gabime të rënda.

    Federata egjiptiane kërkoi largimin e arbitrit dhe të gjithë ekipit të gjyqtarëve nga Botërori pas hetimit të gabimeve të tyre.

    Edhe përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, shkaktoi debat me një gjest kontrovers në vijën anësore dhe akuzoi FIFA-n për favorizim të Lionel Messit.

    “Ata duan që Messi të qëndrojë në turne”, deklaroi ai pas ndeshjes.

    Shefi i gjyqtarëve në FIFA, Pierluigi Collina, i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “akuza të pabazuara” dhe duke mbrojtur integritetin e gjyqtarëve.

    Ndërkohë, FIFA bëri të ditur se Grupi i Punës për Integritetin, ku morën pjesë ekspertë nga FIFA, FBI, INTERPOL, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Këshilli i Evropës, Shoqata Ndërkombëtare për Integritetin në Bastore dhe institucione të tjera, nuk gjeti asnjë provë për manipulim të ndeshjeve.

    Sipas FIFA-s, gjatë gjithë turneut u monitoruan në kohë reale tregjet e basteve dhe ngjarjet në fushë, ndërsa analizat nuk zbuluan asnjë model të dyshimtë bastesh apo ndonjë shenjë të kurdisjes së ndeshjeve.

    “Bazuar në informacionin e mbledhur dhe analizuar gjatë gjithë garës, Grupi i Punës nuk identifikoi asnjë aktivitet të dyshimtë në bastore dhe asnjë tregues për manipulim të ndonjë ndeshjeje”, thuhej në deklaratën zyrtare të FIFA-s.

    FIFA shtoi se të gjitha raportet mbi bastet dhe informacionet e mbledhura gjatë turneut u analizuan dhe u shkëmbyen mes institucioneve pjesëmarrëse sipas procedurave operative.

    Menaxheri i Lartë për Integritet në FIFA, Liam Rich, deklaroi se ky bashkëpunim krijoi një kornizë të fortë për shkëmbimin e informacionit dhe vlerësimin e çdo rreziku të mundshëm, duke shtuar se i njëjti model do të përdoret edhe në turnetë e ardhshëm, përfshirë Kupën e Botës për Femra vitin e ardhshëm.

  • FIFA do t’u paguajë klubeve 305.3 milionë euro për lirimin e lojtarëve në Kupën e Botës 2026

    FIFA do t’u paguajë klubeve 305.3 milionë euro për lirimin e lojtarëve në Kupën e Botës 2026

    FIFA ka konfirmuar shumën që klubet do të përfitojnë si kompensim për lirimin e lojtarëve të tyre për të përfaqësuar kombëtaret në Kupën e Botës 2026.

    Në kuadër të Programit të Përfitimeve për Klubet të FIFA-s, klubet do të kompensohen për çdo futbollist që ka qenë me kombëtaren e tij gjatë periudhës së Kupës së Botës, nga 1 qershori deri më 19 korrik 2026.

    Kompensimi është caktuar në 4 mijë e 300 euro për lojtar në ditë.

    Shuma do të shpërndahet në mënyrë proporcionale mes klubeve që futbollisti ka përfaqësuar gjatë dy sezoneve të fundit.

    Në total, FIFA ka ndarë një fond prej 305 e 3 milionë eurosh për këtë program në Kupën e Botës 2026, duke shpërblyer klubet që kanë vënë në dispozicion lojtarët e tyre për kombëtaret gjatë turneut.

  • Arsenali bën lëvizjen e radhës për transferimin e Julian Alvarezit

    Arsenali bën lëvizjen e radhës për transferimin e Julian Alvarezit

    Arsenali nuk e ka fshehur dëshirën për të rikthyer Julian Alvarezin në Premier League dhe duket se “Topçinjtë” kanë marrë një sinjal inkurajues nga Atletico Madridi në lidhje me një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere.

    Sipas raportimeve të Caught Offside, drejtuesit e klubit spanjoll janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për sulmuesin argjentinas dhe këtë ia kanë bërë të ditur edhe përfaqësuesve të lojtarit. Madje, drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, ka nisur kontaktet direkte me Alvarezin, i cili raportohet se e sheh me interes mundësinë e një rikthimi në futbollin anglez.

    Për 26-vjeçarin interesim kanë shfaqur edhe Barcelona dhe Real Madridi, por Atletico nuk dëshiron të forcojë rivalët e saj të drejtpërdrejtë në La Liga. Ky qëndrim e favorizon Arsenalin, ndërsa Paris Saint-Germain ende nuk ka bërë një lëvizje konkrete për të siguruar shërbimet e argjentinasit.

    Megjithatë, operacioni mbetet larg përfundimit. Klubi londinez duhet të bindë fillimisht vetë lojtarin për të lënë La Ligën, ndërsa më pas të arrijë një marrëveshje financiare që do të kënaqte kërkesat e Atletico Madridit.

    Nga ana tjetër, gazetari i The Athletic, James McNicholas, sjell një version tjetër të situatës. Sipas tij, Atletico nuk ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon ta konsiderojë Alvarezin të pashitshëm. Megjithëse Mikel Arteta mbetet një admirues i madh i sulmuesit argjentinas, drejtuesit e klubit madrilen nuk kanë ndërmend të hapin negociata për largimin e tij, pavarësisht interesimit nga Anglia apo klube të tjera evropiane.

  • Ballkani nis sonte sfidën evropiane, synon rezultat pozitiv në Dublin

    Ballkani nis sonte sfidën evropiane, synon rezultat pozitiv në Dublin

    FC Ballkani rikthehet sonte në arenën evropiane, teksa do të përballet me skuadrën irlandeze Bohemians në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League. Takimi zhvillohet në Dublin me fillim nga ora 19:00.

    Skuadra nga Suhareka synon të marrë një rezultat pozitiv në transfertë, që do t’i jepte avantazh para ndeshjes së kthimit dhe do ta afronte një hap më pranë kualifikimit në raundin e tretë të garës.

    Ndërkohë, Ballkani ka mësuar edhe kundërshtarin e mundshëm në rast se kalon Bohemians. Sipas shortit të UEFA-s, “portokallinjtë” do të përballeshin me humbësin e çiftit të UEFA Europa League mes Beşiktaşit dhe Midtjyllandit.

    Megjithatë, e gjithë vëmendja e kampionëve të Kosovës është e përqendruar te sfida e sotme në Dublin, ku synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të rrugëtimit në garat evropiane.

  • Manchester City përfituesi më i madh nga fondi i FIFA-s pas Kupës së Botës 2026

    Manchester City përfituesi më i madh nga fondi i FIFA-s pas Kupës së Botës 2026

    Manchester City pritet të jetë klubi që do të përfitojë më së shumti financiarisht nga Programi i Përfitimeve për Klubet i FIFA-s pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

    Sipas vlerësimeve, kampioni anglez do të arkëtojë rreth 4.4 milionë dollarë (3.86 milionë euro), falë pjesëmarrjes së gjashtë futbollistëve të tij në fazat finale të turneut.

    Pas Cityt renditet Barcelona, ndërsa Bayern Munichu dhe Arsenali plotësojnë katërshen e klubeve që pritet të marrin përfitimet më të mëdha. Edhe pse Arsenali pati një numër të konsiderueshëm lojtarësh në Botëror, pagesa e tij pritet të jetë disi më e ulët për shkak të finales së vonë të Ligës së Kampionëve.

    Ndërkohë, Crystal Palace është surpriza e listës, duke u renditur si klubi i tretë anglez me përfitimet më të larta nga ky program.

    FIFA ka vendosur një fond rekord prej 355 milionë dollarësh për Programin e Përfitimeve për Klubet, ku 250 milionë dollarë janë ndarë vetëm për fazën finale të Kupës së Botës.

    Shpërblimet llogariten mbi bazën e rreth 5 mijë dollarëve për çdo lojtar, për çdo ditë që ai kalon me kombëtaren gjatë turneut.

    Edhe këtë herë, klubet evropiane do të përfitojnë pjesën më të madhe të fondit, megjithatë zgjerimi i Kupës së Botës në 48 kombëtare ka bërë që pagesat të shpërndahen te një numër më i madh klubesh nga e gjithë bota.

    FIFA pritet të publikojë shifrat zyrtare dhe përfundimtare të këtyre pagesave në muajt e ardhshëm.

  • Real Madridi pret lëvizjen e Olises, por një marrëveshje me Bayernin po e vonon transferimin

    Real Madridi pret lëvizjen e Olises, por një marrëveshje me Bayernin po e vonon transferimin

    Interesimi i Real Madridit për Michael Olisen vazhdon të jetë serioz, por transferimi i yllit të Bayern Munichut mbetet i komplikuar për shkak të një marrëveshjeje të pashkruar mes dy klubeve.

    Sipas raportimeve të mëhershme, 24-vjeçari dëshiron t’i bashkohet gjigantit spanjoll pas Kupës së Botës 2026. Gjatë turneut, ai krijoi një raport të ngushtë me Kylian Mbappen, i cili thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm duke i prezantuar projektin e Real Madridit dhe duke i përcjellë presidentit Florentino Perez dëshirën e Olises për t’u transferuar në “Santiago Bernabéu”.

    Megjithatë, sipas Foot Mercato, ekziston një marrëveshje mes Florentino Perezit dhe presidentit të Bayern Munichut, Herbert Hainer, sipas së cilës asnjëri klub nuk negocion për lojtarët e tjetrit pa njoftuar më parë zyrtarisht drejtuesit përkatës.

    Për këtë arsye, Real Madridi ende nuk ka nisur kontakte zyrtare me Bayernin apo me përfaqësuesit e Olises, ndërsa negociatat nuk kanë hyrë ende në fazën konkrete.

    Nga ana tjetër, Bayern Munichu po bën gjithçka për ta mbajtur sulmuesin francez. Klubi bavarez synon t’ia zgjasë kontratën përtej vitit 2029 dhe t’ia rrisë pagën nga rreth 14 në afro 25 milionë euro në sezon. Përveç ofertës financiare, drejtuesit do t’i prezantojnë edhe projektin sportiv për vitet e ardhshme.

    Raportohet se Olise do të takohet me drejtuesit e Bayern Munichut pas rikthimit nga Kupa e Botës, takim që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e tij.

    Nëse francezi kërkon zyrtarisht largimin, atëherë Real Madridi pritet të bëjë lëvizjen e parë konkrete dhe të paraqesë një ofertë të madhe për një nga objektivat kryesorë të merkatos.

  • Juventusi nuk heq dorë nga Emiliano Martinez, oferta e parë refuzohet nga Aston Villa

    Juventusi nuk heq dorë nga Emiliano Martinez, oferta e parë refuzohet nga Aston Villa

    Juventusi vazhdon të insistojë për transferimin e portierit argjentinas Emiliano Martinez, por negociatat me Aston Villan nuk pritet të jenë të lehta.

    Sipas raportimeve nga Italia, “Zonja e Vjetër” ka paraqitur një ofertë në formën e huazimit me detyrim blerjeje, me vlerë totale rreth 6.5 milionë euro. Megjithatë, drejtuesit e Aston Villas nuk e konsiderojnë të mjaftueshme këtë shifër dhe kërkojnë afro 10 milionë euro për të dhënë dritën jeshile për largimin e kampionit të botës me Argjentinën.

    Pavarësisht se klubet ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, Martinez duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Mediat italiane raportojnë se portieri argjentinas ka arritur marrëveshje personale me Juventusin për një kontratë trevjeçare, nga e cila do të përfitonte rreth 5 milionë euro në sezon, plus bonuse të lidhura me performancën.

    34-vjeçari, i cili ka kontratë me Aston Villan deri në verën e vitit 2029, mbetet objektivi kryesor i Juventusit për portën, ndërsa bisedimet mes dy klubeve pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.

    Për momentin marrëveshja nuk është finalizuar, por bardhezinjtë shpresojnë se oferta e tyre mund të përmirësohet dhe t’i bindë drejtuesit e Aston Villas të lejojnë largimin e njërit prej portierëve më të mirë në botë.

  • Drita sfidon Florianën në Maltë, synon ta nisë me fitore aventurën në Ligën e Konferencës

    Drita sfidon Florianën në Maltë, synon ta nisë me fitore aventurën në Ligën e Konferencës

    Drita rikthehet sot në skenën evropiane, ku do të përballet me skuadrën malteze Floriana në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Takimi do të luhet në stadiumin “Centenary” në Ta’ Qali, me fillim nga ora 19:30, ndërsa kampionët e Kosovës synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt raundit të tretë.

    Skuadra gjilanase udhëton në Maltë me objektivin për të siguruar një rezultat pozitiv si mysafire, që do ta vendoste në një pozitë të favorshme para ndeshjes së kthimit. E motivuar nga përvoja e fituar në garat evropiane gjatë viteve të fundit, Drita beson se ka cilësinë e nevojshme për të kaluar këtë pengesë.

    Në anën tjetër, Floriana do të kërkojë ta shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të marrë epërsinë para sfidës së kthimit, duke e bërë këtë duel një përballje të hapur për të dyja skuadrat.

    Atmosfera në kampin bardhekaltër është pozitive, ndërsa synimi mbetet i qartë – vazhdimi i rrugëtimit në Evropë dhe përfaqësimi sa më dinjitoz i futbollit kosovar.

    Fituesi i këtij dueli do të sigurojë një vend në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.

  • FIFA nis hetimet pas kaosit në finalen e Botërorit, lojtarët e Argjentinës rrezikojnë dënime

    FIFA nis hetimet pas kaosit në finalen e Botërorit, lojtarët e Argjentinës rrezikojnë dënime

    FIFA ka hapur zyrtarisht një procedurë disiplinore pas incidenteve që shpërthyen në fund të finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mundi Argjentinën me rezultat 1-0 pas vazhdimeve.

    Pas vërshëllimës përfundimtare, festa e spanjollëve u shoqërua me përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave. Në qendër të tensioneve ishin disa lojtarë të Argjentinës, veçanërisht Leandro Paredes dhe Nahuel Molina.

    Pamjet e publikuara tregojnë Paredes duke u përfshirë në një përleshje me Eric Garcian, ndërsa më pas, së bashku me Thiago Almadan, rrëzon në tokë mesfushorin spanjoll Gavi. Ndërkohë, Molina duket se tenton të godasë me grusht Rodrin, i cili po festonte triumfin e Spanjës.

    Edhe Nicolas Otamendi pati një përballje verbale me Rodrin, duke shtuar tensionin në një mbrëmje që përfundoi me skena kaotike.

    Përmes një njoftimi zyrtar, FIFA konfirmoi se ka emëruar një Prokuror Disiplinor dhe të Etikës për të hetuar ngjarjet dhe për të përcaktuar nëse janë shkelur rregullat e Kodit Disiplinor.

    Nëse futbollistët shpallen fajtorë për sjellje të dhunshme, ata mund të dënohen me të paktën tre ndeshje pezullim. Përveç lojtarëve, edhe Federata Argjentinase e Futbollit mund të përballet me masa disiplinore ose gjoba, në varësi të rezultateve të hetimit.

    FIFA pritet të publikojë vendimin përfundimtar pasi të përfundojë procesi hetimor.