ATV

Category: SPORT

  • E ardhmja e Messit me Argjentinën mbetet pezull, ende nuk ka vendosur për pensionimin nga kombëtarja

    E ardhmja e Messit me Argjentinën mbetet pezull, ende nuk ka vendosur për pensionimin nga kombëtarja

    Humbja ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjes që po shqetëson gjithë botën e futbollit: a ishte kjo ndeshja e fundit e Lionel Messit me fanellën e Argjentinës?

    Sipas raportimit të TyC Sports, kapiteni i “Albiceleste” nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar në lidhje me të ardhmen e tij në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht spekulimeve të shumta, 39-vjeçari nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të luajë për kombëtaren apo do t’i japë fund një karriere të jashtëzakonshme me Argjentinën.

    Burime pranë futbollistit bëjnë të ditur se Messi e nisi Botërorin 2026 pa një plan të përcaktuar për pensionim. Madje, para nisjes së turneut, ai nuk u kishte lënë të kuptohej njerëzve të afërt se finalja mund të ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën bardhekaltër.

    Pikërisht për këtë arsye, në Argjentinë besohet se sfida ndaj Spanjës nuk do të jetë domosdoshmërisht kapitulli i fundit i legjendës në futbollin ndërkombëtar. Vendimi përfundimtar pritet të merret në muajt e ardhshëm, pasi Messi të analizojë me qetësi planet dhe objektivat e tij.

    Edhe pse Argjentina nuk arriti të mbrojë titullin botëror, Messi zhvilloi një tjetër turne mbresëlënës. Ai shënoi tetë gola në tetë ndeshje, duke qenë lideri i padiskutueshëm i skuadrës dhe një nga futbollistët më dominues të Kupës së Botës 2026.

    Në rast se vendos të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse fituesi i shumëfishtë i “Topit të Artë” do të jetë pjesë e kualifikueseve të ardhshme dhe turneve të radhës me Argjentinën.

    Për momentin, e ardhmja e Lionel Messit me “Albicelesten” mbetet e hapur, ndërsa tifozët shpresojnë që legjenda e futbollit të vazhdojë të shkruajë histori edhe me fanellën e kombëtares.

  • Spanja rimerr fronin e futbollit botëror, FIFA publikon renditjen e re pas Botërorit 2026

    Spanja rimerr fronin e futbollit botëror, FIFA publikon renditjen e re pas Botërorit 2026

    Triumfi në Kupën e Botës 2026 i ka rikthyer Spanjës statusin e kombëtares më të mirë në planet. Në renditjen më të fundit të publikuar nga FIFA, “La Roja” ngjitet në vendin e parë me 1995.88 pikë, duke lënë pas Argjentinën, e cila zbret në pozitën e dytë.

    Kampionët e rinj të botës ishin përfituesit më të mëdhenj të përditësimit të klasifikimit, pasi grumbulluan plot 121.17 pikë shtesë – rritja më e madhe mes të gjitha kombëtareve.

    Pesëshja e parë e renditjes plotësohet nga Franca në vendin e tretë, Anglia në të katërtin dhe Brazili në pozitën e pestë.

    Një tjetër arritje historike vjen nga Maroku, i cili është ngjitur në vendin e gjashtë, renditja më e mirë në historinë e përfaqësueses afrikane. Në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë gjithashtu Portugalia, Belgjika, Holanda dhe Meksika.

    Përditësimi i FIFA-s solli edhe ndryshime të rëndësishme në pjesën tjetër të klasifikimit. Norvegjia realizoi ngjitjen më të madhe, duke fituar plot 12 pozita, ndërsa Tunizia regjistroi rënien më të thellë, me 12 vende më pak krahasuar me renditjen e kaluar.

    Sa u përket pikëve, humbjen më të madhe e pësoi Panamaja, e cila humbi 60.74 pikë, duke qenë kombëtarja më e penalizuar në klasifikimin e ri.

    Renditja e publikuar nga FIFA pasqyron ndikimin e drejtpërdrejtë të Kupës së Botës 2026, me Spanjën që rikthehet në majën e futbollit botëror, ndërsa disa kombëtare shënuan ngritje historike falë paraqitjeve të tyre në turneun më prestigjioz të futbollit.

  • Lexuesi i buzëve tregon çfarë u tha Donald Trump çdo lojtari të Spanjës dhe Argjentinës në finalen e Kupës së Botës

    Lexuesi i buzëve tregon çfarë u tha Donald Trump çdo lojtari të Spanjës dhe Argjentinës në finalen e Kupës së Botës

    Një lexues profesionist i buzëve ka pohuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tha të njëjtën frazë çdo lojtari ndërsa u dhuronte atyre një medalje të Kupës së Botës.

    Spanja e zgjati serinë e saj të pamposhtur në 38 ndeshje, seria më e gjatë ndërkombëtare në histori, në stadiumin MetLife, pasi goli i Ferran Torres në minutën e 106-të ishte i mjaftueshëm për të siguruar fitoren kundër Argjentinës.

    Pas vërshëllimës së përfundimit të ndeshjes të së dielës, Trump mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve së bashku me kryeministrin kanadez Mark Carney, presidenten meksikane Claudia Sheinbaum dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

    Këtu, 80-vjeçari amerikan përshëndeti çdo lojtar në skenë duke u shtrënguar dorën. Më pas ai shkëmbeu fjalë me lojtarët e lartpërmendur përpara se t’i jepte një medalje ose ta godiste në gjoks.

    Por, çfarë i tha Trump secilit individ? Këtë e ka zbuluar lexuesja profesioniste e buzëve, Nicola Hickling.

    “Je një kampion”, përpara se të shtonte: “Lojtar i mrekullueshëm”, ishin dy fjalët që Trump përdori për secilin lojtarë sipas Hickling.

  • Guardiola në radarët e Italisë, zhvillohet takim sekret në Barcelonë

    Guardiola në radarët e Italisë, zhvillohet takim sekret në Barcelonë

    Pep Guardiola mund të jetë shumë më tepër sesa një dëshirë e Federatës Italiane të Futbollit. Emri i strategut spanjoll po përmendet gjithnjë e më seriozisht si kandidat për stolin e “Azzurrëve”, ndërsa raportimet e fundit zbulojnë se kontaktet mes palëve tashmë kanë nisur.

    Sipas gazetarit të Sky Sport, Peppe Di Stefano, informacion i konfirmuar edhe nga Gianluca Di Marzio, drejtuesit e rinj të sektorit teknik të Italisë, Paolo Maldini dhe Leonardo, kanë kaluar fundjavën në Barcelonë, ku kanë zhvilluar një takim me Guardiolën.

    Lajmi mori hov pasi në rrjetet sociale u publikuan fotografi të Maldinit dhe Leonardos në kryeqytetin katalanas. Më pas, mediat italiane konfirmuan se vizita nuk ishte rastësore, por kishte si qëllim një takim me trajnerin e njohur spanjoll për të diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi në të ardhmen.

    Edhe pse ende nuk ka një marrëveshje apo garanci se Guardiola do të marrë drejtimin e kombëtares italiane, fakti që ai është ulur në tavolinë me drejtuesit e federatës tregon se kandidatura e tij tashmë është konkrete dhe po shqyrtohet seriozisht.

    Në ditët dhe javët e ardhshme pritet të mësohet nëse bisedimet do të avancojnë drejt një marrëveshjeje, ndërsa drejtuesit italianë vazhdojnë të vlerësojnë alternativat për pankinën e kombëtares.

    Përveç Guardiolës, në listën e kandidatëve për postin e përzgjedhësit të Italisë mbeten edhe Roberto Mancini dhe Andrea Pirlo.

  • Modriç drejt rinovimit me Milanin, kroati gati të vazhdojë edhe një sezon në “San Siro”

    Modriç drejt rinovimit me Milanin, kroati gati të vazhdojë edhe një sezon në “San Siro”

    Luka Modriç pritet të vazhdojë aventurën e tij me Milanin, pasi është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës edhe për një sezon tjetër.

    Sipas raportimeve të mediave italiane dhe kroate, mesfushori veteran do të firmosë një kontratë të re që do ta mbajë në “San Siro” deri në verën e vitit 2027. Formalizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.

    Fituesi i “Topit të Artë”, i cili mbush 41 vjeç në muajin shtator, iu bashkua Milanit verën e kaluar pas përfundimit të një epoke të lavdishme me Real Madridin. Edhe pse në fundin e karrierës, kroati zhvilloi një sezon bindës me fanellën kuqezi, duke dëshmuar se cilësia, vizioni dhe përvoja e tij vazhdojnë të bëjnë diferencën në mesfushë.

    Trajneri i ri i Milanit, Ruben Amorim, e sheh Modriçin si një nga figurat kyçe të projektit të tij dhe ka dhënë dritën jeshile për vazhdimin e bashkëpunimit. Edhe drejtuesit e klubit besojnë se eksperienca e kroatit do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

    Nëse nuk ka ndryshime të minutës së fundit, Modriç do ta nisë fazën përgatitore me Milanin si pjesë e skuadrës për sezonin 2026/27, menjëherë pas zyrtarizimit të kontratës së re.

  • Botërori 2026 mbyllet me ndarjen e çmimeve, Spanja dominon edhe në vlerësimet individuale

    Botërori 2026 mbyllet me ndarjen e çmimeve, Spanja dominon edhe në vlerësimet individuale

    Pas finales së madhe të Kupës së Botës 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën për të ngritur trofeun më të çmuar të futbollit, FIFA ndau edhe çmimet për protagonistët më të spikatur të turneut.

    Mesfushori Rodri u kurorëzua si Lojtari më i mirë i Botërorit, pasi ishte lideri i padiskutueshëm i kombëtares spanjolle gjatë gjithë rrugëtimit drejt titullit. Me paraqitje të nivelit të lartë dhe ndikim vendimtar në mesfushë, ai fitoi çmimin më prestigjioz individual të turneut.

    Një tjetër vlerësim për kampionët e botës shkoi për Pau Cubarsin, i cili u shpall Lojtari më i mirë i ri i Kupës së Botës. Mbrojtësi i talentuar impresionoi me pjekurinë, qetësinë dhe sigurinë në repartin defensiv, duke dëshmuar se është një nga emrat më premtues të futbollit botëror.

    Dominimi spanjoll u kompletua nga Unai Simón, i cili fitoi çmimin e Portierit më të mirë të turneut. Gardiani i “La Roja” ishte vendimtar me pritjet e tij në momentet kyçe, duke luajtur një rol të madh në rrugëtimin drejt kurorës botërore.

    I vetmi çmim individual që nuk përfundoi në duart e spanjollëve ishte Këpuca e Artë, e cila iu dha Kylian Mbappes. Sulmuesi francez e mbylli Botërorin si golashënuesi më i mirë me 10 gola, duke konfirmuar edhe një herë instinktin e tij të jashtëzakonshëm para portës.

    Në këtë mënyrë, Spanja nuk u mjaftua vetëm me fitimin e Kupës së Botës, por rrëmbeu edhe tre nga katër çmimet kryesore individuale, duke vulosur një dominim të plotë në edicionin 2026 të turneut më të madh të futbollit.

  • Mbappe vendos rekorde historike në Botërorin 2026, fiton Këpucën e Artë dhe hyn në librat e historisë

    Mbappe vendos rekorde historike në Botërorin 2026, fiton Këpucën e Artë dhe hyn në librat e historisë

    Kylian Mbappe vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. Sulmuesi francez u shpall fitues i Këpucës së Artë në Kupën e Botës 2026, pas një turneu spektakolar ku realizoi plot 10 gola.

    Ylli i Real Madridit la pas në renditjen e golashënuesve Lionel Messin, i cili e përfundoi Botërorin me tetë gola, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga sulmuesit më të frikshëm në futbollin modern.

    Me këtë arritje, Mbappe bëhet futbollisti i parë në histori që fiton Këpucën e Artë në dy edicione radhazi të Kupës së Botës, një rekord që e ngjit edhe më lart në elitën e futbollit botëror.

    Për më tepër, francezi ka vendosur edhe një rekord tjetër të jashtëzakonshëm. Me 22 gola të shënuar në po aq ndeshje të Kupës së Botës, ai është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e këtij kompeticioni.

    Ky sukses i shtohet një sezoni të jashtëzakonshëm 2025/26 për Mbappen, i cili dominoi edhe në nivel klubesh, duke e mbyllur edicionin si golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga, përpara se të kurorëzonte formën e tij fantastike edhe në skenën më të madhe të futbollit, Kupën e Botës.

  • Scaloni shpërthen në lot pas humbjes në finalen e Botërorit: “Kjo më dhemb në shpirt”

    Scaloni shpërthen në lot pas humbjes në finalen e Botërorit: “Kjo më dhemb në shpirt”

    Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk arriti t’i fshehë emocionet pas humbjes minimale 1-0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026. I prekur thellë nga rezultati, ai u shfaq me lot në sy gjatë konferencës për shtyp, të cilën e ndërpreu para kohe.

    Tekniku argjentinas foli me sinqeritet për fundin e një cikli të suksesshëm dhe sfidën e madhe që e pret në ndërtimin e një skuadre të re.

    “Ne në stafin teknik e kemi menduar shpesh këtë moment. Por për të vazhduar përpara duhet të rifillosh gjithçka nga e para. Të ndërtosh sërish një grup si ky është jashtëzakonisht e vështirë… dhe kjo më dhemb në shpirt”, u shpreh Scaloni.

    Menjëherë pas këtyre fjalëve, ai u ngrit nga karrigia, kërkoi ndjesë me një “Më falni” dhe u largua nga salla e konferencës, pa mundur t’i përmbante emocionet.

    Edhe pse mbeti pa trofe, Argjentina zhvilloi një finale të madhe, duke e çuar Spanjën në kohën shtesë pavarësisht se luajti me një futbollist më pak. Scaloni la të kuptohej se rrjedha e takimit mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe nëse skuadra e tij do të kishte mbetur me 11 lojtarë në fushë.

    Pas finales, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, i doli në mbështetje homologut të tij, duke e vlerësuar për gjithçka ka arritur në krye të Argjentinës.

    “Më vjen shumë keq për atë që po kalon. Megjithatë, ai duhet të jetë krenar dhe i lumtur. Ka thyer çdo rekord, është ende i ri dhe ka shumë futboll përpara. Madje i thashë se është shumë më i ri se unë dhe ka ende shumë për të dhënë”, deklaroi De la Fuente.

    Kontrata e Scalonit me Federatën Argjentinase të Futbollit skadon në muajin dhjetor, ndërsa trajneri ka bërë të ditur se do ta respektojë marrëveshjen deri në ditën e fundit.

  • Albion Rrahmani debuton me gol te Venezia, lë menjëherë gjurmë në fanellën e re

    Albion Rrahmani debuton me gol te Venezia, lë menjëherë gjurmë në fanellën e re

    Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij te Venezia, duke realizuar gol në paraqitjen e parë me skuadrën italiane.

    Rrahmani gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen miqësore ndaj Dolomiti Bellunesi, ku Venezia triumfoi me rezultatin 4-2.

    Në minutën e 88-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, sulmuesi kosovar u tregua i saktë para portës, duke goditur fuqishëm me këmbën e djathtë dhe duke vulosur fitoren e ekipit të tij.

    Ky është një sinjal premtues për Rrahmanin, i cili tashmë ka shijuar emocionin e golit me fanellën e Venezias dhe synon ta vazhdojë këtë formë edhe në garat zyrtare. Muajin e ardhshëm ai pritet të debutojë në Serie A, një prej kampionateve më të forta në botë.

    Venezia do ta nisë sezonin e ri me përballjen ndaj Modenas në Kupën e Italisë, ndërsa ndeshjen e parë në Serie A do ta zhvillojë kundër Lecces.

  • ​13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

    ​13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

    Një djalë 13-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shembjes së një shatërvani në Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamancës, gjatë festimeve për triumfin e Spanjës në finalen e Kupës së Botës.

    Sipas autoriteteve spanjolle, ngjarja ndodhi pak pas mesnate në shatërvanin “Glorieta del Árbol Gordo”, ku një numër i madh tifozësh ishin ngjitur mbi strukturë për të festuar fitoren e Spanjës. Një pjesë e sipërme e shatërvanit u shemb nën peshën e turmës dhe një bllok guri goditi 13-vjeçarin, i cili më vonë ndërroi jetë.

    Shërbimi i emergjencës 1-1-2 i Castilla y León bëri të ditur se alarmi u mor në orën 00:33, pas disa telefonatave që njoftonin për shembjen e strukturës mbi personat e mbledhur në vendngjarje. Menjëherë u angazhuan Policia Lokale, Garda Civile, zjarrfikësit e provincës së Salamancës dhe ekipet e urgjencës shëndetësore.

    Dy persona morën ndihmë mjekësore dhe u transportuan në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo. Njëri prej tyre, 13-vjeçari, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për gjendjen e të plagosurve të tjerë.

    Në mbështetje të familjes së viktimës është aktivizuar edhe Grupi i Ndërhyrjes Psikologjike për Fatkeqësi dhe Emergjenca. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e shembjes së shatërvanit gjatë festimeve.