ATV

Category: Sport

  • ​Kosova me tre xhudistë në Grand Prix-in e Zagrebit

    ​Kosova me tre xhudistë në Grand Prix-in e Zagrebit

    Kosova do të paraqitet me tre xhudistë në Grand Prix që zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, që mbahet me datë 13-15 shtator 2024. Atje do të marrin pjesë 4 kontinente, 40 shtete dhe 326 garues.

    Nga Kosova atje do të garojnë: Erza Muminoviq në kategorinë -52 kg, Flaka Loxha -57 kg dhe Dardan Cena (-73 kg), raporton KosovaPress.

    Muminoviq dhe Loxha ndeshen nesër kurse Cena ndeshet ditën e shtunë. Bashkë me garuesit ka udhëtuar trajneri Fatos Tabaku.

  • Ilir Daja prezantohet te Dinamo

    Ilir Daja prezantohet te Dinamo

    Trajneri shqiptar, Ilir Daja, është prezantuar te klubi i tij i ri, Dinamo City.

    Daja do të marrë drejtimin e klubit tiranas pas aventurës fantastike me skuadrën e Ballkanit.

    Tekniku shqiptar është rikthyer në Katgeorinë Superiore, pas një suksesi të paparashikueshëm në Superligën e Kosovës.

    Me Ballkanin, Daja arriti të shpallej tre vite radhazi kampion, ndërkaq për dy vite arriti fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.

    Momentalisht, Dinamo mban pozitën e tetë në tabelë, me tri pikë nga po aq ndeshje të zhvilluara.

  • ​Arsenali i ndalohet veshja e fanellës kryesore në derbin ndaj Tottenhamit

    ​Arsenali i ndalohet veshja e fanellës kryesore në derbin ndaj Tottenhamit

    Arsenalit i është ndaluar të vesh fanellën kryesore, përkatësisht atë që e përdor për ndeshjet në shtëpi kur të përballet me Tottenhamin në fundjavë.

    Ndeshja derbi e Premierligës së Londrës Veriore do të zhvillohet të dielën në stadiumin e ‘Spurs-ave’, përcjellë KosovaPress.

    Premier Liga dhe trupi i arbitrave ‘PGMOL’ thuhet se e kanë informuar Arsenalin për opsionet e fanellave të tyre. Atyre u është thënë se fanella e këtij sezoni në shtëpi përfshin shumë ngjyrë të bardhë, që do të thotë se do të ndeshej me fanellën e ‘Spurs’.

    Si rezultat, ata do të veshin fanellën e tyre me ngjyrë të zezë si mysafir këtë fundjavë. Një situatë e ngjashme do të ndodhë kur ‘Spurs’ të shkojnë te Arsenali në ndeshjen kthyese në janar.

  • Shqipëria mposhtet minimalisht nga Gjeorgjia

    Shqipëria mposhtet minimalisht nga Gjeorgjia

    Kombëtarja e Shqipërisë është “befasuar” në “Air Albania”.

    “Kuqezinjtë” janë mposhtur si vendas nga Gjeorgjia, me rezultat minimal prej 1-0.

    Pas një pjese të parë të qetë në të dy anët, ishte pjesa e dytë që solli pak më shumë raste.

    Gjeorgjia kishte rastet më të mira në pjesën e dytë, por që nuk arriti t’i konkretizonte, deri në një moment.

    Ishte Kochorashvili që shënoi në minutën e 71-të, duke tundur rrjetën e Thomas Strakokësh pas një goditje të befasishme jashtë zonës.

    Kështu, Shqipëria i humbë tre pikë në ndeshjen e dytë, pasi paraprakisht fitoi takimin e parë ndaj Ukrainës në udhëtim.

    Ndërkohë, Gjeorgjia vazhdon me bilanc 100% të fitoreve, pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Çekisë 4-1.

    Ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve luhen në muajin tetor.

  • Ademi: Lojtarët i përjashtoi trajneri, dolën në orët e vona

    Ademi: Lojtarët i përjashtoi trajneri, dolën në orët e vona

    Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se vendimi për përjashtimin e tre futbollistëve nga kampi i kombëtares të shtunën është marrë nga selektori Franco Foda.

    Ademi ka deklaruar sot për televizionin Top-Channel se vendimi i trajnerit për përjashtimin e Edon Zhegrovës, Arijanet Muriqit dhe Florent Muslijës, është mbështetur edhe nga federata.

    “Pikë së pari duhet të respektohet rregullorja e cila u është komunikuar lojtarëve. Është shumë e rëndësishme për ekipin që ajo të respektohet. Përjashtimi i tyre ka qenë vendimi i trajnerit, pasi ata kanë dalë nga grumbullimi në orët e vona të natës”, ka thënë Ademi.

    “Sigurisht që ne kemi mbështetur mendimin e trajnerit, sepse kjo është dhe rregullorja”.

    Ademi ka insistuar se “kombëtarja është e të gjithëve dhe shkon përtej Federatës”.

    “Nuk më intereson për ata njerëz që nuk kanë lidhje me këtë punë dhe bëjnë kritika, por vetëm për ata që kanë qenë të përfshirë dhe kanë bërë ankesa”, tha Ademi. /TCH/

  • ​Silvinjo: Kombëtarja është e hapur për çdo shqiptar

    ​Silvinjo: Kombëtarja është e hapur për çdo shqiptar

    Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës përballë Gjeorgjisë mbrëmjen e sotme në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i Kombëtares, Sylvinho u shpreh se të gjithë lojtarët janë gati dhe se pret një ndeshje të bukur në Tiranë.

    “Do mundohemi të bëjmë një përfaqësim sa më të mirë. E kam thënë që ky është një grup i ekuilibruar. Ukraina është shumë e fortë. Gjeorgjia gjithashtu dhe trajneri ka bërë një punë të mirë. Çdo trajner e përgatit skuadrën për ta fituar. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur, stadiumi do të jetë plot. Ne duam të përfaqësojmë sa më mirë kombin në ndeshjen e nesërme.

    Përgjatë një ndeshje mund të bësh 5 ose 2 ndryshime në varësi të situatave. Skuadra ishte e vendosur mirë me Ukrainën. Është kohë shumë e vogël për të rikuperuar për lojtarët. Sot do të jetë stërvitja e parë pas kthimit nga Praga. Gjithë stafi dhe ne do të vendosim se cilët do të jenë lojtarët e duhur për t’u hedhur në fushë.

    Do të shohim gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi 23 lojtarë të gatshëm, të gjithë janë në formë të mirë. Është akoma shumë herët, ndoshta nesër pas drekës do të kemi një pamje më të gjerë.

    Prej një viti e gjysmë qëkur kemi bërë ndeshjet me Kombëtare, kemi nisur me skemën 4-3-3. Uzuni atë kohë ka luajtur si sulmues krahu, tani e kemi thirrur si sulmues qendre. E njëjta gjë ka ndodhur me Bajramin, e kemi thirrur si mesfushor krahu dhe më pas është spostuar në qendër. E kemi nisur me 4-3-3, por është transformuar dhe si 4-2-3-1 dhe gjatë lojës është kthyer në 4-2-2-2. Por do të vendoset në bazë të gjendjes së lojtarëve. Bajrami është lojtarë që ka nevojë për hapësirë, i kemi mundësitë dhe çdo gjë do të vendoset më pas.

    Është bërë një punë e mirë nga stafi. Lojtarët e dinë që duhet të sjellin shumë forcë dhe të posedojnë topin, sepse futbolli të konsumon shumë energji. Dua të rikujtoj një shprehje të Klopp. Nëse nuk bën gabime nuk ke pse kthehesh në mbrojtje. Gjithsesi Gjeorgjia është shumë e fortë. Shumë e bukur për t’u parë, shumë e organizuar dhe besoj se do të jetë një ndeshje vërtet e bukur.

    Kvara si Maradona? Nuk dua të futem në krahasime të tilla. Ai është fantastik, por Gjeorgjia ka dhe shumë lojtarë të tjerë të mirë. Ai nuk është krahasim i duhur, por Kvara është një lojtar klasi. Është nder të luash kundër tij, njësoj siç ishte kur luajtëm kundër Lewandowskit. Ne kemi lojtar të mirë gjithashtu që mund do të arrijnë në po atë nivel.

    Ne kemi studiuar dhe e kemi parë prej muajsh ekipin e Gjeorgjisë. Të tre kundërshtarët e grupit janë të fortë, por diferenca mes Gjeorgjisë dhe të tjerët është që në Europian, ata u kualifikuan nga grupi. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Mendoj se ata si ekip janë rritur shumë. Doja t’i jepja komplimente skuadrës, trajnerit dhe federatës së Gjeorgjisë. Gjithashtu dhe ne po rritemi shumë. Mendoj se do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Në momentin që nis ndeshje janë 90 minuta që duhen të luhen.

    Manaj, Laçi dhe Ismajli? Më pëlqen që ne kemi krijuar këtë marrëdhënie mes nesh ku mund të diskutojmë dhe të ndajmë shumë gjëra bashkë. Futbolli është si jeta dhe mund të kthehet si mundësi më vonë. Gjimshiti nuk ishte pjesë e Euro 2016 dhe në Euro 2024 ishte kapiten i Kombëtares. Nuk kam asgjë personale me lojtarët. ‘Rikujtoj një shprehje të Ancelottit. Një lojtar mund të mërzitet me mua si trajner, por jo me mua si Carlo’. Kujtoj se kemi bërë një Europian të bukur, ku mund të pësonim 4-5 gola. Unë e shoh si një cikël i ri që duhet të përmirësohet. Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Tashmë kemi sjellë Zekën dhe Spahiun. Më pëlqen që lojtarëve i është krijuar ideja që duhet të përmirësohen për të qenë pjesë e formacionit.

    Nuk mund të bëj krahasime me 2 vite përpara. Të dyja ekipet kanë ndryshuar shumë. Do të jetë një ndeshje e fortë. Ata kanë lojtarë dhe një trajner shumë të mirë. Ne do të futemi në lojë për të bërë një paraqitje të mirë. Nuk mund të bëj një parashikim, por besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur.

    E kam parë ndeshjen e Gjeorgjisë me Rep. Çeke. Grupi është i balancuar. Nuk ka ndonjë ekip që mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Rep. Çeke dhe Gjeorgjia e njohin mirë njëra-tjetrën. Ky është një kompeticion shumë i vështirë, duke parë që luhet për vetëm tre muaj. Por deri në nëntor kemi shumë kohë përpara”, u shpreh Sylvinho. /TCH/

  • ​Asllani: Te Shqipëria kam më shumë liri se te Interi

    ​Asllani: Te Shqipëria kam më shumë liri se te Interi

    Në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve të Shqipërisë kundër Gjeorgjisë së Kvicha Kvaratskhelia, Kristjan Asllani foli në konferencën për shtyp Kush e prezantoi kështu kundërshtarin e mbrëmjes.

    Ai ka thënë se fitorja ndaj Ukrainës duhet harruar dhe fokusi të jetë tek Gjerogjia pasi ata janë një ekip në rritje, përcjellë KosovaPress.

    “Gjeorgjia është një ekip i madh dhe po rritet. Ne u përgatitëm mirë, duhet të harrojmë ndeshjen kundër Ukrainës dhe të shohim përpara. Objektivi ynë është të mbledhim sa më shumë pikë Kemi një grup të fortë, e dimë se çfarë synojmë”, tha Asllani, përcjellë KosovaPress.

    Por a do ta vlerësojë trajneri i Interit Simone Inzaghi pozicionin në të cilin luan Asllani në kombëtare? “Nuk e di, mendoj se është normale që trajneri të shikojë ndeshjet e mia. Marcelo Brozovic luajti në Inter dhe unë e luajta atë rol. Vetëm këtu jam më i lirë. Kur luaj afër golit është më e lehtë për mua, por nuk kam shënuar shumë gola”, tha në fund ai.

  • Deschamps ka besim se Mbappe do t’iu rikthehet golave

    Deschamps ka besim se Mbappe do t’iu rikthehet golave

    Trajneri i Francës, Didier Deschamps, tha se ai nuk ka shqetësime për formën e Kylian Mbappes dhe pret që sulmuesi i ri i Real Madridit të rikthehet tek golat sapo ta gjejë formën e tij optimale.

    Pasi Franca hapi fushatën e saj në Ligën e Kombeve me një humbje 3-1 nga Italia në Paris, Deschamps vendosi një ekip startues shumë më ndryshue kundër Belgjikës të hënën, me Mbappe dhe Antoine Griezmann që mbetën në stol në fitoren e tyre 2-0.

    Mbappe pati vështirësi në Euro 2024 pasi theu hundën kundër Austrisë dhe priti katër ndeshje përpara se të shënonte golat e tij të parë në ligë për Real Madridin pas lëvizjes së tij nga Paris St Germain.

    “Ekipi francez do të jetë gjithmonë më i fortë me të dhe jam i bindur se brenda një muaji ai do të jetë më i mirë”, tha Deschamps. “Ka kërkesa shumë të larta në klubin e tij. Nuk kam asnjë shqetësim me Kylian”, shtoi ai, përcjellë KP.

    Deschamps thotë se ai po përdor Ligën e Kombeve si një platformë për të zgjeruar grupin e talenteve që ka në dispozicion dhe planifikon të vazhdojë në këtë rrugë pavarësisht nga rezultatet.

  • Kosova U21 përballet sot me Izraelin

    Kosova U21 përballet sot me Izraelin

    Pas dy ndeshjeve të Kombëtares A të Kosovës në Ligën e Kombeve, sot është radha e Kosovës U21 për të zbarkuar në fushë.

    Dardanët e rinj do të zhvillojnë sfidën e parë të muajit shtator, ku do të luajnë në udhëtim te Izraeli U21. Është sfida e tetë për Kosovën në kampanjën kualifikuese për Euro Under21, derisa kërkojnë të marrin fitore.

    Dueli mes Izraelit U21 dhe Kosovës U21 zhvillohet në Gyirmoti Stadion në qytetin Gyor në Hungari me fillim nga ora 19:00. Të besuarit e trajnerit Afrim Tovërlani kanë nëntë pikë dhe ndodhen në pozitën e katërt në grup, derisa Izraeli është e pesta me vetëm tre pikë. Me një fitore eventuale Dardanët mund të dalin në pozitën e tretë.

  • ​Shqipëri-Gjeorgji, policia me plan special për siguri

    ​Shqipëri-Gjeorgji, policia me plan special për siguri

    Policia e Shtetit do të zbatojë një plan të datajuar për ndeshjen e futbollit Shqipëri – Gjeorgji, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, që do të zhvillohet sot, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

    Policia e Shtetit do të kryejë eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Gjeorgjisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas; eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium, kontrolle të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët.

    Po ashtu do të agazhohet në organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës si dhe sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

    Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë dhe spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

    Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Gjeorgjisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

    Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e sotme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

    Rrugët që do të jenë të bllokuara:

    * Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

    * Rruga “Papa Gjon Pali II”;

    * Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

    * Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;

    * Rruga “Themistokli Gërmenji”;

    * Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;

    * Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

    * Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

    * Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

    * Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

    Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

    Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

    Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

    Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

    Hyrja në stadium e tifozëve dhe e sportdashësve që kanë blerë biletë, fillon në orën 18:00.

    Policia kërkoi mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

    Gjithashtu, apeloi tifozët dhe qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas rradhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar. /ATSH/