ATV

Category: Sport

  • Te Bayerni janë të bindur se do ta përmbysin Interin

    Te Bayerni janë të bindur se do ta përmbysin Interin

    FC Bayern u mund 2-1 nga Interi në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve të martën në mbrëmje, shkruan KosovaPress.

    Megjithatë, edhe pas humbjes së ngushtë, Bayerni ende beson se mund të kalojë në gjysmëfinale pas zhvillimit të ndeshjes së dytë në Itali.

    “Ne e dimë se ka ende shumë për të luajtur,” tha Thomas Müller për mediat pas ndeshjes.

    “Ne patëm mundësinë për të shënuar më shumë se një gol. Është ndeshja e parë, ne ende besojmë plotësisht se kemi shans në Milano,” tha trajneri Vincent Kompany , duke parë përpara.

    “Ata gjithashtu kanë cilësi në sulm, nuk është kurrë e sigurt kundër tyre. Por ne ishim gjithashtu të rrezikshëm dhe patëm raste. Ne ishim shumë dominues në pjesën e dytë dhe luajtëm me guxim. Është turp të pranojmë golin e dytë, por është gjithmonë përgjegjësia jonë. Interi në shtëpi është shumë i rrezikshëm.. Tani do të luajmë së pari me Dortmundin dhe më pas do të përqendrohemi qind për qind te Interi”, shtoi Kompany, përcjellë KosovaPress.

    Nga ana tjetër, trajneri i Interit, Simone Inzaghi u shpreh shumë i kënaqur me lojën e futbollistëve të tij:

    “Jam i kënaqur me fitoren, ne luajtëm një lojë të shkëlqyer dhe nuk duhet të fokusohemi te rezultati, por në vend të kësaj në performancën që kemi bërë kundër një kundërshtari teknikisht të fortë, koheziv dhe të madh. Pas një jave duhet të luajmë në të njëjtën mënyrë, por sonte jemi të kënaqur me këtë paraqitje”, deklaroi ai pas ndeshjes.

  • Reali ka mposhtur 111 skuadra në historinë e Ligës së Kampionëve, por Arsenali mbetet i pathyeshëm

    Reali ka mposhtur 111 skuadra në historinë e Ligës së Kampionëve, por Arsenali mbetet i pathyeshëm

    Arsenal– Reali i Madridit ka mposhtur më shumë kundërshtarë të ndryshëm se çdo skuadër tjetër në historinë e Ligës së Kampioneve (111), duke përfshirë shtatë ekipe të ndryshme angleze. Por Arsenali vazhdon të mos jetë një prej tyre.

    – E vetmja skuadër angleze që ka shmangur humbjen në katër ndeshjet e tyre të para kundër Realit të Madridit në Ligën e Kampioneve, është Arsenali. Ata thyen rekordin e Liverpulit kundër “galaktikëve” (3 ndeshjet e para pa humbje).

    – Majls Ljuis-Skeli u bë futbollisti i dytë më i ri anglez në histori, i cili startoi një ndeshje çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Mbrëmë kundër Realit, mbrojtësi i Arsenalit ishte 18 vjeç e 194 ditë, duke lënë pas Trent Aleksander-Arnoldin e Liverpulit në ndeshjen kundër Mançester Sitit (04/04/18). Talenti i Artetës ka përpara vetëm Xhud Bellingamin, i cili e vendosi rekordin në moshën 17 vjeç e 281 ditë në ndeshjen e Dortmundit kundër Mançester Sitit më 06/04/21.

    – Luka Modriç luajti ndeshjen e tij të 133-të për Realin e Madridit në Champions. Legjenda kroate barazoi numrin e prezencave të Karim Benzemasë në listën e të gjitha kohërave, ndërsa përpara ka vetëm Iker Kasijasin (150 ndeshje). 20 nga këto ndeshje Modriç i ka luajtur në çerekfinale, më shumë se çdo lojtar tjetër i klubit madrilen në epokën e Champions-it, ndërsa Karim Benzema renditet në vendin e dytë (18 ndeshje çerekfinale).

    -Deklan Rajs u bë lojtari i pestë që shënon dy gola nga goditjet e dënimit në një ndeshje të vetme të Ligës së Kampioneve, pas Rivaldos, Kristiano Ronaldos, Nejmarit dhe Zijehut dhe i pari që e bën këtë kundër Realit të Madridit në një ndeshje me eliminim direkt.

    – Arsenali ka fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e tyre të fundit në Ligën e Kampioneve kundër ekipeve spanjolle: 1 barazim, 1 humbje. Ata kanë humbur vetëm një nga 14 ndeshjet e tyre të fundit në shtëpi përballë ekipeve iberike: 8 fitore, 5 barazime.

  • Në mesjavë gjysmë finalet e Kupës së Kosovës

    Në mesjavë gjysmë finalet e Kupës së Kosovës

    Në mesjavë do të zhvillohen ndeshjet e para të gjysmëfinales në kuadër të Kupës së Kosovës.

    Të mërkurën lideri i tabelës Drita do të presë në stadiumin me “Bari Artificial” të Gjilanit ekipin kryeqytetas Prishtinën.

    Gjyqtar kryesor i kësaj ndeshje është përcaktuar Ilir Memeti.

    Intelektualët arritën në gjysmëfinale pasi mposhtën ekipin e Prishtinës së Re, ndërsa Plisat atë të Vëllaznisë.

    E të enjten ekipi i Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” do të presë ekipin e Ligës së Parë Drenicën. Drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajë Dardan Caka.

    Legjendat arritën në gjysmëfinale pasi mposhtën ekipin e Malishevës, ndërsa Kuq e Zinjtë eleminuan ekipin e Ferizajit.
    Këto ndeshje do të zhvillohen nga ora 15:00.

  • Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjet çerekfinale

    Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjet çerekfinale

    Formati më i ndjekur i futbollit në mbarë botën, Liga e Kampionëve rikthehet sonte me emocionet dhe ndeshjet spektakolare që e karakterizojnë.

    8 ekipe janë në garë për trofeun e dëshiruar nga të gjitha skuadrat e tjera, ku vetëm njëra do të arrijë ta ngrejë lartë.

    Sonte nga ora 21:00 dy super ndeshje priten të fillojnë.

    Ekipi i Arsenal do të presë në Emirate Stadium ekipin mbretëror spanjoll Real Madrid

    Ndërsa ekipi bavarez Bayern do të presë në Allianz Arena ekipin Italian të Interit. Kujtojmë që në këtë ndeshje nuk do të mund të paraqitet mesfushori shqiptar Kristjan Asllani për shkak të kartonave të verdhë.

    Ndërsa e mërkura është e rezervuar për dy ndeshje të tjera spektakolare

    Ekipi i Barcelonës do të presë në shtëpi ekipin gjerman Borussia Dortmund

    E në të njëjtën kohë edhe Paris Saint German do të presë në Parkun e Princave ekipin anglez Aston Villa.

    Kujtojmë që kalimi tutje është qëllimi i secilit ekip, të cilët kohëve të fundit po përballen me lëndime dhe mungesa të rëndësishme të lojtarëve kyç të skuadrës.

     

  • Publikohet orari i plotë i “Play-off”-it të Procredit Superligës në basketboll

    Publikohet orari i plotë i “Play-off”-it të Procredit Superligës në basketboll

    Faza vendimtare e ProCredit Superligës fillon tani. ‘Qershia mbi tortë’ apo “Play-off”-i i ProCredit Superligës pritet të dhurojë spektakël në tribuna dhe sfida të bukura në parket.

    Çdo ndeshje më e rëndësishme se tjetra, ku gabimet nuk lejohen.

    Në gjysmëfinale janë kualifikuar direkt Bashkimi dhe Trepça, derisa në çerekfinale do të përballen vendi i tretë me të gjashtin, Sigal Prishtina-Vëllaznimi dhe i katërti me të pestin, Golden Eagle Ylli-Peja.

    Skuadra që shënon dy fitore kualifikohet në gjysmëfinale, derisa më pas, skuadra që shënon tri fitore kalon në finale. Për të fituar titullin duhen katër fitore.

    Në Çerekfinalet e para, të mërkurën më 9 Prill Sigal Prishtina do të presë Vëllaznimin.

    Ndërkohë të enjten më 10 Prill Golden Eagle Ylli do të presë Pejën.

    Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen të shtunën më 12 Prill ku Vëllaznimi pret Sigal Prishtinën, ndërsa të dielën me 13 Prill, Peja do të presë Golden Eagle Yllin.

    E Çerekfinalet e treta III do të zhvillohen të mërkurën e 16 Prillit vendi i 3 do të presë të 6

    Ndërsa të enjten e 17 Prillit vendi i 4 do të presë të 5.

    E gjysmëfinalet do të fillojnë nga 19 prill deri më 4 maj, ndërsa finalet do të fillojnë nga 7 maji deri më 28 maj

  • Kosova përballet sot me Norvegjinë në Kampionatin Botëror të Tenisit

    Kosova përballet sot me Norvegjinë në Kampionatin Botëror të Tenisit

    Në Larnaka të Qipros është zhvilluar ceremonia e shortit për edicionin e vitit 2025 të Kampionatit Botëror “Billie Jean King Cup” që do zhvillohet në datat 7-12 prill.

    Përfaqësuesja e Kosovës edhe këtë vit do të garojë në grupin e II të këtij kampionati në “Pool C”, ku do të përballet me Norvegjinë, Maqedoninë e Veriut dhe Afrikë Jugore.

    Kombëtarja jonë përbëhet nga tenistet: Vesa Gjinaj, Adrijana Lekaj, Forta Morina, Learta Muharremi dhe Aja Broqi. Kapiteni i ekipit është Osman Reçica.

    Ndeshjet e fazës grupore fillojnë sot dhe ekipi kosovar do të përballet me Norvegjinë në takimin e parë, i cili zhvillohet nga ora 10:00 (09:00 sipas kohës lokale në Kosovë).

  • ​Mbappe për shokun e tij: Se imagjinoj Realin pa atë

    ​Mbappe për shokun e tij: Se imagjinoj Realin pa atë

    Kylian Mbappe po përshtatet me jetën në Real Madrid me lehtësi dhe entuziazëm të madh. Superylli francez është shfaqur së fundmi në programin “El Objetivo”, ku ka folur për aventurën me me Realin, njërin nga klubet me historinë më të lavdishme në botë, përcjellë KosovaPress.

    Gjatë bisedës, Mbappe e bëri të qartë se po shijon çdo moment të rrugëtimit të tij të ri. Mbappe shpjegoi se si filloi admirimi i tij për Real Madridin që në moshë të re. Ndikimi i Zinedine Zidane luajti një rol të madh në këtë. Më vonë, ndikimi i Cristiano Ronaldos në Madrid vetëm sa e forcoi lidhjen e tij.

    “Unë fillova të ndjek Real Madridin për shkak të Zidane. Është klubi më i mirë në botë. Dhe për shkak të ardhjes së Cristianos, idhullit tim tjetër,” filloi të thoshte ai.

    Ai kujtoi takimin me Zidane dhe kaloi një javë në objektin stërvitor të klubit në Valdebebas.

    “E takova Zidane 13 vjet më parë dhe ishte kënaqësi të vesh fanellën për një javë te Valdebebas. E dija që një ditë do të kthehesha këtu. Në atë kohë, kishte një shans për të ardhur, por unë nuk isha gati të largohesha nga vendi im dhe të ndahesha nga familja ime.”

    Pse Mbappe zgjodhi Madridin ndaj PSG-së. Kur u pyet për refuzimin e një oferte rinovimi nga Paris Saint-Germain, Mbappe ishte shumë i sinqertë. Ai përmendi se ndërsa paratë janë gjithmonë një faktor në futboll, dëshira e tij për të veshur fanellën e Real Madridit do të thoshte më shumë se çdo ofertë financiare, përcjellë KosovaPress.

    “Ka gjëra më të rëndësishme se paratë. Doja të luaja për Real Madridin, këtu në Bernabeu. Për mua, gjëja më e rëndësishme është të jem i lumtur. Isha absolutisht i sigurt që do të përfundoja në Madrid. Kisha besim të madh në aftësitë e mia dhe kjo ishte ajo që kisha dashur me gjithë zemër që kur isha fëmijë. Gjithmonë e kisha në kokë idenë për të luajtur për Real Madridin.”

    Mbappe kishte fjalë të mira për trajnerin e tij aktual, Carlo Ancelotti. Ai vlerësoi aftësinë e Ancelottit për të balancuar udhëheqjen me mbështetjen personale, duke thënë se trajneri e di kur të drejtojë si baba dhe kur të drejtojë si shef.

    Ky bilanc, sipas tij, e ka ndihmuar atë të përshtatet pa probleme në dinamikën e ekipit.

    “Ancelotti e di kur duhet të bëhet baba, kur duhet të jetë bos… E vërteta është se ai e bën shumë mirë; ai ka bërë histori këtu dhe dëshiron të vazhdojë ta bëjë këtë.”

    Kur bëhet fjalë për shokun e tij të skuadrës Vinicius Jr., Mbappe nuk mund të fliste më pozitivisht. Ai tha se të dy ndajnë një mirëkuptim të fortë si brenda dhe jashtë fushës.

    “Marrëdhënia është shumë e mirë, është normale që njerëzit të flasin për ne, për dy lojtarë të famshëm që bëjnë diferencën, por unë erdha me idenë për të luajtur me Vinicius”, shpjegoi ai.

    Tani që ata janë shokë skuadre, ai beson se ata formojnë një dyshe të fuqishme dhe shpreson se mund të vazhdojnë të japin rezultate për Real Madridin gjatë pjesës më të rëndësishme të sezonit.

    “Nuk mund ta imagjinoj një Real Madrid pa Vinin. Ne luajmë mirë, mund të jemi më mirë. Njerëzit presin më shumë nga ne dhe kjo është normale. Ne jemi mirë së bashku dhe është pjesa më e rëndësishme e sezonit. Ne do të përpiqemi të ndihmojmë Madridin të fitojë sa më shumë që të mundemi,” shtoi ai.

  • E kapi për hunde trajnerin e Galatasarayt, Mourinho suspendohet me tri ndeshje

    E kapi për hunde trajnerin e Galatasarayt, Mourinho suspendohet me tri ndeshje

    Trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, është pezulluar me tre ndeshje pasi u pa duke i kapur hundën trajnerit të Galatasarayt, Okan Buruk, pas përfundimit të ndeshjes së Kupës së Turqisë.

    Incidenti ndodhi pas fishkëllimës së fundit në stadiumin Şükrü Saracoğlu të mërkurën, kur të dy trajnerët po ndërvepronin me zyrtarët e ndeshjes pas fitores 2-1 të Galatasarayt.

    Mourinho iu afrua Burukut nga pas dhe u pa duke i kapur hundën, gjë që bëri që ish-mesfushori i kombëtares turke, 51 vjeç, të binte në tokë duke mbuluar fytyrën me duar.

    Portugezi, ish-trajner i Chelsea, Manchester United dhe Tottenham, u gjobit gjithashtu me 292,500 lira turke (rreth 5,955 £).

    Galatasaray e akuzoi Mourinhon për një “sulm fizik” ndaj Burukut.

    Nga ana tjetër, Fenerbahçe e akuzoi Burukun se “u soll si të ishte qëlluar me armë” dhe pretendoi se ai kishte bërë “gjeste fyese me duar” për të provokuar Mourinhon.

    Bordi Profesional i Disiplinës së Futbollit (PFDK) tha se kishte marrë në konsideratë veprimet e Burukut, çka çoi në zbutjen e dënimit të Mourinhos për shkak të “provokimit”.

    Ndihmësi i Mourinhos, Salvatore Foti, u pezullua me katër ndeshje për një “fyerje ndaj një lojtari kundërshtar”.

    Gjithashtu, gjatë një përplasjeje pranë stola gjatë kohës shtesë, u ndëshkuan me karton të kuq Mert Yandaş i Fenerbahçes dhe Kerem Demirbay e Barış Yılmaz të Galatasarayt.

    Mesfushori Yandaş, 30 vjeç, është pezulluar me një ndeshje.

    Tensionet mes dy klubeve ishin të larta që më parë, pasi në shkurt Galatasaray kishte deklaruar se do të “niste procedura penale” ndaj Mourinhos për “deklarata raciste” pas një barazimi pa gola.

    Por këtë të premte, Fenerbahçe njoftoi se Prokuroria e Stambollit e kishte hedhur poshtë ankesën penale të Galatasarayt ndaj Mourinhos.

  • Sot dy përballje interesante në Superligën e Kosovës

    Sot dy përballje interesante në Superligën e Kosovës

    Java e 27-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll vazhdon sot me dy përballje interesante.

    Pas dy ndeshjeve të djeshme (e premte), ku Drita shënoi një fitore 1-0 ndaj Feronikeli ’74 dhe Malisheva triumfoi po ashtu 1-0 përballë Prishtinës, sot sytë do të jenë të fokusuar në dy takime të tjera.

    Ndeshja më e shumëpritur do të zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani do të presë Suharekën në një derbi lokal.

    Ndeshja do të startojë në orën 15:00.

    Ndërkohë, në një përballje po aq të rëndësishme, Gjilani do të presë Ferizajn në një duel të nxehtë që ka rëndësi të madhe për të dyja ekipet, veçanërisht për Ferizajn, që kërkon me çdo kusht të largohet nga zona e rrezikshme e tabelës.

  • Kosova përfaqësohet me simbolet shtetërore në Kongresin e 49-të të UEFA-s në Beograd, reagime të ashpra në Serbi

    Kosova përfaqësohet me simbolet shtetërore në Kongresin e 49-të të UEFA-s në Beograd, reagime të ashpra në Serbi

    Në Beograd është mbajtur Kongresi i 49-të i UEFA-s.

    Në këtë ngjarje të madhe, Kosova është përfaqësuar nga presidenti i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner.

    Megjithatë, në Serbi fokusi ka qenë te delegacioni i Kosovës.

    Pasi një video e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, pranë flamurit të Kosovës, ka ngritur shumë reagime.

    Screenshot

    Të parët që reaguan ishin tifozët e Yllit të Kuq, të cilët dogjën flamurin e Kosovës në mesnatë, por më pas Federata e Futbollit të këtij vendi u kujdes për propagandën që i shërben konsumit të brendshëm në Serbi, e cila gënjeu se e kishte hequr flamurin e Kosovës.

    Është vetë Federata e Futbollit të Kosovës që ka reaguar për lajmet e fundit, duke konfirmuar se Kosova ka marrë pjesë në Kongresin e 49-të të UEFA-s me të gjitha simbolet shtetërore.

    “Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”, thuhet në reagimin e FFK-së.

    Ndryshe, në Beograd, UEFA ka zgjedhur disa anëtarë nderi të Komitetit Ekzekutiv për një mandat 4-vjeçar, si dhe janë zgjedhur disa anëtarë të Këshillit të FIFA-s për një mandat katërvjeçar.
    Kujtojmë se Kongresi i radhës do të mbahet më 12 shkurt 2026 në Bruksel të Belgjikës.