ATV

Category: Sport

  • ​UEFA hap zyrën e Stambollit përpara turneut të madh

    ​UEFA hap zyrën e Stambollit përpara turneut të madh

    Presidenti i UEFA-s Alexander Ceferin inauguroi sot zyrën e re të organizatës në Stamboll, duke e quajtur atë një veprim strategjik për të siguruar ofrimin e pandërprerë të disa turneve të ardhshëm të futbollit të profilit të lartë.

    “Me kaq shumë ngjarje të mëdha në pritje, ne vendosëm të hapim një zyrë këtu në Stamboll për të krijuar një prani të fortë lokale dhe për të siguruar organizimin pa probleme të këtyre turneve prestigjioze,” tha Ceferin gjatë ceremonisë së hapjes.

    Zyra e Stambollit do të luajë një rol qendror në koordinimin e finales së Ligës Evropa në vitin 2026, finales së Konferencës së Ligës më 2027 dhe Kampionatin Evropian 2032, i cili do të bashkorganizohet nga Turqia dhe Italia.

    Duke theksuar rekordin e provuar të Turqisë në organizimin e ngjarjeve të mëdha të futbollit – duke përfshirë finalet e Ligës së Kampionëve më 2005 dhe 2023, finalen e Kupës UEFA më 2009 dhe Superkupën UEFA më 2019 – Ceferin vlerësoi angazhimin e vendit për përsosmëri, transmeton KosovaPress.

    “Turqia dhe Stambolli kanë ofruar vazhdimisht ngjarje të klasës botërore me madhështi të jashtëzakonshme. Tani me finalet e Ligës Evropa dhe Ligës së Konferencave që po afrohen, dhe EURO 2032 në horizont, Turqia vazhdon të tregojë ambicie dhe përkushtim në rritje për të vendosur veten si një nga mikpritësit kryesorë në sportet globale,” tha Ceferin.

    Ceferin shprehu besimin e tij në përpjekjet bashkëpunuese midis UEFA-s dhe autoriteteve turke, duke thënë, së bashku nuk do të përmbushin vetëm pritjet, por do t’i tejkalojnë ato, raporton AA.

    “Ne do të vendosim standardet për turnetë e ardhshëm. Ne presim turne fantastike. Unë pres një finale të EURO 2032 midis Turqisë dhe Italisë,” tha ai.

  • Akili ndalet nga xhudisti gjeorgjian, mbetet në lojë për medalje

    Akili ndalet nga xhudisti gjeorgjian, mbetet në lojë për medalje

    Akil Gjakova është ndalur në çerekfinale të Kampionatit Evropian të xhudos.

    Xhudisti më i mirë kosovar është mposhtur nga xhudisti gjeorgjian Lasha Shavdatuashvili, në një duel maratonik që zgjati 13 minuta në “Golden Score”.

    Sidoqoftë, përkundër humbjes, Gjakova do ta ketë një tjetër rast për t’u kthyer me medalje nga Podgorica, kryqyteti i Malit të Zi që është nikoqir i kampionatit.

    Gjakova do ta kërkojë medaljen përmes repesazhit, ku fillimisht do të përballet me hungarezin Daniel Szegedi.

  • ​Trajneri i Newcastle rikthehet në stërvitje pas problemeve shëndetësore

    ​Trajneri i Newcastle rikthehet në stërvitje pas problemeve shëndetësore

    Trajneri i Newcastle, Eddie Howe është rikthyer në punë në qendrën stërvitore të klubit pasi u shërua nga pneumonia, bëri të ditur të enjten skuadra e Premier League.

    Howe, 47 vjeç, u shtrua në spital në fillim të këtij muaji dhe mungoi në ndeshjet e ligës kundër Manchester United, Crystal Palace dhe Aston Villa .

    “Newcastle United është i kënaqur të konfirmojë se Eddie Howe është rikthyer në detyrat e tij në qendrën stërvitore të klubit ”, tha klubi. “Edi kohët e fundit ishte shtruar në spital me pneumoni dhe tani është kthyer në punë pas një periudhe shërimi”, thuhet në njoftim, përcjellë KosovaPress.

    Vendi i pestë Newcastle mundi United dhe Palace në mënyrë bindëse nën drejtimin e ndihmës menaxherit Jason Tindall, por humbi rëndë nga Villa.

    “Magpies”, të cilët fituan Kupën e Ligës muajin e kaluar, presin Ipswich-in të shtunën dhe shpresojnë të rifitojnë vrullin në përpjekjet e tyre për kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

    Liverpool është në prag të titullit të Premierligës dhe Arsenali është favorit për të përfunduar i dyti, por vetëm katër pikë ndajnë Manchester City -n e vendit të tretë nga Villa, në vendin e shtatë.

  • Edhe Akil Gjakova kalon në rrethin e tretë në Evropianin e xhudos

    Edhe Akil Gjakova kalon në rrethin e tretë në Evropianin e xhudos

    Akil Gjakova ka kaluar në rrethin e tretë në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

    Garuesi kosovar e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e mposhti francezin Maxime Gobert, i cili pësoi lëndim në gju dhe u tërhoq nga meçi pasi s’mundi të vazhdonte më”.

    Në rrethin e tretë, Akili do të ketë punë me moldavin Victor Sterpu, përmes së cilit synon ta sigurojë kualifikimin në çerekfinale.

    Gjakova synon të fitojë medalje në Evropianin e xhudos.

  • Dardan Cena e fiton edhe betejën e dytë në Evropianin e Xhudos, e mposht me Ippon ukrainasin

    Dardan Cena e fiton edhe betejën e dytë në Evropianin e Xhudos, e mposht me Ippon ukrainasin

    Dardan Cena e ka fituar edhe betejën e dytë në Kampionatin Evropian të Xhudos, i cili po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

    Garuesi kosovar në rrethin e dytë në kategorinë deri në 73 kilogramë e mposhti me Ippon ukrainasin Said-Magomed Khalidov, shkruan Express.

    Paraprakisht, Cena e mposhti izraelitin Baruch Shmailov.

    Xhudisti pejan synon të shkojë sa më larg në Evropianin e Xhudos, ndërsa në rrethin e tretë do të takohet me rusin Danil Lavrentev, përmes të cilit do ta kërkojë kualifikimin në çerekfinale të Evropianit.

  • Krasniqi: Nuk është e lehtë të shpallesh kampione evropiane tri herë

    Krasniqi: Nuk është e lehtë të shpallesh kampione evropiane tri herë

    Distria Krasniqi ka fituar titullin e kampiones së Evropës për herë të tretë në karrierën e saj, shkruan KP.

    Medalistja e dyfishtë olimpike, fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të xhudos, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi. Në finalen plot emocione, Krasniqi mundi italianen Odette Giuffrida, kategoria – 52 kg.

    Krasniqi: Nuk ishte e lehtë ta fitoja Kampionatin Evropian

    “Po ndihem shumë e lumtur, ka qenë shumë e vështirë për ta marrë këtë medalje sepse është më lehtë të merret për herë të parë se sa të përsëritet një rezultat. Është hera e tretë që po bëhem kampione evropiane, jam shumë e lumtur dhe është shumë medalje e veçantë për mua pasi që është kampionati i parë evropian pas Lojërave Olimpike dhe kjo shihet se jam ende e motivuar për të vazhduar me të njëjtin ritëm siç kam qenë para Lojërave Olimpike. Ishte e vështirë shumë, sidomos me xhudistët që jam ndeshur sot prej luftës së parë deri në finale me italianen kështu që ka qenë një ditë shumë e vështirë, shumë e lodhshme por gjithçka ka shkuar mirë dhe e kam pasur një performancë shumë të mirë dhe të gjitha ato përgatitje janë shpërblyer”, ka thënë Krasniqi.

    Ajo ka theksuar se tani do t’i fillojë përgatitjet për Kampionatin Botëror të xhudos i cili mbahet pas dy muajsh në Budapest dhe synimi është që edhe aty të rrëmbejë medalje.

  • ​Prishtina-Llapi, kur zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës?

    ​Prishtina-Llapi, kur zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës?

    Prishtina ka dhënë një mesazh të qartë se është rikthyer fuqishëm në garë për trofe dhe dalje në Evropë. Skuadra kryeqytetase është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës pas një fitoreje të madhe ndaj Dritës, me rezultat 3:0, në sfidën e kthimit të gjysmëfinales, të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan KosovaPress.

    Ndonëse përballë kishin liderin aktual të Superligës dhe njërën prej skuadrave më stabile të këtij edicioni, bardhekaltrit e drejtuar nga Arsim Thaçi shkëlqyen në çdo aspekt të lojës, duke e mbyllur gjysmëfinalen me rezultat të përgjithshëm 4:0 pas dy ndeshjeve.

    Heroi i mbrëmjes për Prishtinën ishte Ardian Muja, që realizoi dy gola në pjesën e parë. Ai shënoi në minutën e 10-të pas një asistimi të saktë nga Ramiz Bytyqi, ndërsa gjeti rrjetën sërish në minutën e 39-të pas kombinimit me Leotrim Kryeziun. Në të dyja rastet me gjuajtje nga brendësia e zonës së 16-metërshit.

    Vetëm pak minuta më pas, në fundin e pjesës së parë, Albin Krasniqi vendos “vulën” e fitores me një supergol nga gjuajtja e lirë, që ngriti në këmbë tifozët prishtinas, të cilët përkundër reshjeve të shiut i qëndruan besnikë skuadrës së tyre të zemrës.

    Kësisoj, në finalen e Kupës së Kosovës do të ballafaqohen Prishtina dhe Llapi. Kjo do të jetë përballja e parë e këtyre dy skuadrave në një finale të kupës. Për Prishtinën kjo është hera e tretë radhazi që do të luajë në finale. Vitin e kaluar humbi nga Ballkani, kurse dy vjet më parë triumfoi ndaj Gjilanit.

    Ndërkaq, për Llapin kjo është finalja e tretë në katër vitet e fundit. Në dy herat e kaluara arriti edhe t’i gëzohet trofeut, në vitet 2021 dhe 2022.

    Ndeshja finale është paraparë të zhvillohet më 14 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse fituesi krahas trofeut e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, më saktësisht në UEFA Europa League.

  • Fidel Ylli rizgjidhet president i Komitetit Olimpik Shqiptar

    Fidel Ylli rizgjidhet president i Komitetit Olimpik Shqiptar

    Fidel Ylli është rizgjedhur Presidentit i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) edhe për 4 vitet e ardhshme. Në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme Zgjedhore të mbajtur në Tiranë, Ylli ka marr besimin për të drejtuar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për një tjetër mandat, transmeton KosovaPress.

    Gjatë punimeve të Asamblesë është votuar edhe për zv Presidentin e Komitetit Olimpik. Erli Pellumbi mori besimin nga asambleja dhe u ri zgjodh si zv President i Komitetit Olimpik.

    Asambleja votoi dhe për Komitetin Ekzekutiv të KOKSH, që do të përbëhet nga Alfred Tahiraj, Enkeleda Caushi, Florend Kalivopuli, Julinda Dhame, Izmir Smajlaj, Krenar Dila, Leonard Luli, Pavlina Evro.

    Siç është bërë traditë në çdo Asamble të KOKSH, janë dorëzuar Urdhrat Olimpikë, për figura që kanë dhënë kontribut ndër vite në sportin shqiptar, që përkonin me emrat e Theodhori Driza, Emin Lishi, Mustafa Fagu, Krenar Luto dhe Sytki Tafili.

  • ​Distria në finale të Evropianit

    ​Distria në finale të Evropianit

    Distria Krasniqi ka siguruar tjetër medalje të vlefshme. Ajo u kualifikua në finale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Podgoricë.

    Në gjysmëfinale të kategorisë deri 52 kg, Distria e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler. Ndaj saj fitoi me Ippon, shkruan KP.

  • ​Krasniqi në gjysmëfinale të evropianit, lufton për medalje

    ​Krasniqi në gjysmëfinale të evropianit, lufton për medalje

    Distria Krasniqi është në rrugë të mbarë për të fituar medalje në Kampionatin Evropian të xhudos, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, raporton KosovaPress.

    Medalistja e dyfishtë olimpike u kualifikua në gjysmëfinale, pas fitoreve ndaj serbes Nikoliq dhe holandezes, Van Krevel, derisa në rrethin e parë ishte e lirë.

    Në gjysmëfinale Krasniqi do të ballafaqohet me spanjollen Ariana Toro Soler.