ATV

Category: Sport

  • Tuchel me qetësi pas kritikave nga tifozët: “Ky është humori britanik, e pranoj me buzëqeshje”

    Tuchel me qetësi pas kritikave nga tifozët: “Ky është humori britanik, e pranoj me buzëqeshje”

    Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka reaguar me maturi dhe sens humori ndaj thirrjeve ironike të tifozëve anglezë gjatë fitores 5-0 ndaj Letonisë – ndeshje që vulosi kualifikimin e “Tre Luanëve” në Kupën e Botës 2026.

    Gjatë ndeshjes në “St. James’ Park”, një pjesë e tifozëve reaguan ndaj komenteve të Tuchelit pas fitores 3-0 ndaj Uellsit, ku ai ishte shprehur i zhgënjyer me atmosferën në Wembley. Në Letoni, përgjigjja erdhi në formë kore ironike:
    “Thomas Tuchel, do të këndojmë kur të duam” dhe “Thomas Tuchel, jemi mjaftueshëm të zhurmshëm për ty?”.

    Por trajneri gjerman, i cili ka marrë përsipër drejtimin e Anglisë me objektiva të qarta drejt Botërorit, u tregua i matur në deklaratat pas ndeshjes.

    “Mora pak kritika në pjesën e parë, dhe e pranoj. E marr me sportivitet dhe me sens humori. Ata kishin një arsye pas komenteve të mia të fundit, dhe kjo është e drejtë. M’u dukën mjaft krijues. Më bënë të buzëqesh. Ky është humori britanik dhe unë e pranoj plotësisht. Nuk ka asnjë problem,” u shpreh Tuchel.

    I pyetur për rolin e tifozëve në rrugëtimin drejt SHBA 2026, tekniku 51-vjeçar u ndal te rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme.

    “Tifozët kanë qenë fantastikë. E kam thënë edhe më parë që mbështetja në Serbi ishte e jashtëzakonshme. Jemi të sigurt që edhe në Amerikë do të ndodhë e njëjta gjë. Mbështetja e tyre bën diferencën,” theksoi ai.

    Në përmbyllje, Tuchel vuri theksin te lidhja e fortë që po ndërtohet mes skuadrës dhe tifozëve.

    “Duam t’i bëjmë krenarë. Duam t’i bëjmë të lumtur. Duam që ata të identifikohen me mënyrën si luajmë. Jemi në rrugën e ndërtimit të diçkaje dhe performanca e tyre është po aq e rëndësishme sa e jona.”

    Anglia tashmë është një nga kombëtaret e para që ka siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen në Botërorin “USA 2026”, ndërsa ekipi i Tuchelit duket i bashkuar, i fokusuar dhe i etur për të shkruar histori.

  • Të enjten fillon Liga e Parë e Meshkujve në Basketboll

    Të enjten fillon Liga e Parë e Meshkujve në Basketboll

    Liga e Parë e Meshkujve në Basketboll pritet të fillojë të enjten dhe të premten, ku do të zhvillohet java e parë.

    Ky edicion pritet të jetë shumë interesant, me nëntë skuadra që do të garojnë e luftojnë, që edicionin e ardhshëm të jenë pjesë e elitës së basketbollit.

    Java 1

    E enjte

    17:00 Kerasan – Borea

    18:00 Gjakova – Kosovari

    E premte

    17:00 Proton Cable Prizreni – New Basket

    20:30 KEKU – Istogu /ATVLIVE.TV

  • Fundi i grupeve? UEFA gati të ndryshojë gjithçka në kualifikimet për Euro 2028

    Fundi i grupeve? UEFA gati të ndryshojë gjithçka në kualifikimet për Euro 2028

    Sipas planit të ri, formati aktual me grupe do të zëvendësohet nga sistemi zviceran – i ngjashëm me atë që do të përdoret në Ligën e Kampionëve.

    Ky ndryshim mund të hyjë në fuqi që nga kualifikueset për Kampionatin Evropian 2028. Qëllimi i UEFA-s është ta bëjë garën më konkurruese, më interesante dhe me më shumë përballje mes kombëtareve të mëdha evropiane, duke shmangur ndeshjet e parashikueshme dhe shpesh të mërzitshme.

    Kjo lëvizje vjen në një kohë kur tifozët po shprehin pakënaqësi në rritje ndaj ndërprerjeve ndërkombëtare – të cilat ndodhin tri herë gjatë tre muajve të parë të sezonit. Organet drejtuese të futbollit duket se po i marrin parasysh këto shqetësime.

    Pushimi i tetorit për ndeshjet ndërkombëtare është i fundit i këtij formati. Nga viti 2026, pritet që ky cikël të ndryshojë plotësisht, në përputhje me reformat e reja që po përgatiten. /ATVLIVE.TV

  • Zyrtare: Barcelona rinovon me Frenkie de Jong, klauzola e re — 500 milionë euro!

    Zyrtare: Barcelona rinovon me Frenkie de Jong, klauzola e re — 500 milionë euro!

    Barcelona ka bërë zyrtare rinovimin e kontratës me Frenkie de Jong, duke i dhënë fund spekulimeve rreth së ardhmes së mesfushorit holandez. Lajmi është konfirmuar sot nga vetë klubi katalanas përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

    Kontrata e re përfshin një klauzolë lirimi marramendëse prej 500 milionë eurosh, duke dëshmuar besimin e plotë të klubit te lojtari dhe rëndësinë që ai ka në projektin afatgjatë të skuadrës.

    De Jong ka qenë një nga emrat më të përfolur në merkato gjatë dy sezoneve të fundit, mes interesimit të vazhdueshëm nga klube të mëdha si Manchester United dhe Bayern Munich. Megjithatë, Barcelona ka qenë gjithmonë e qartë në qëndrimin e saj për të mos e lënë të largohet.

    “Jam shumë i lumtur që vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi të madh. Barcelona është shtëpia ime dhe dua të fitoj gjithçka me këtë fanellë,” është shprehur De Jong pas firmës së marrëveshjes së re.

    Rinovimi me Frenkie de Jong vjen në një moment kyç për Barcelonën, që po përpiqet të konsolidojë skuadrën e saj me elementët më të rëndësishëm, në një projekt që synon rikthimin në majat e futbollit europian.

  • Kristjan Asllani gati për sfidën ndaj Napolit: “Te Torino ndjej se është koha ime”

    Kristjan Asllani gati për sfidën ndaj Napolit: “Te Torino ndjej se është koha ime”

    Kristjan Asllani po kalon një periudhë shumë pozitive në karrierën e tij, si me kombëtaren shqiptare, ashtu edhe në klubin e ri, Torino. Pas asistit të shkëlqyer për Armando Brojën në miqësoren ndaj Jordanisë, mesfushori kuqezi duket më i pjekur dhe më i vendosur për të treguar vlerat e tij në fushën e lojës.

    Asllani është tashmë i rikuperuar dhe në formë të plotë, gati për sfidën e fundjavës kundër Napolit në Serie A – një përballje që pritet me shumë interes nga tifozët e “granatave”.

    “Tani rikthehemi. E dimë që përballë do të kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Napolit. Çdo herë që zbresim në fushë, futemi për të fituar. Në çdo stërvitje jemi kompetitivë, japim maksimumin, edhe pse jo gjithmonë gjërat shkojnë siç duam, si ndaj Parmës,” u shpreh ai për mediat italiane.

    Një nga momentet më të rëndësishme të këtij sezoni për Asllanin ishte padyshim vendimi për t’u larguar nga Interi dhe për të zgjedhur Torinon – një hap që, sipas tij, ka qenë jetik për zhvillimin personal dhe profesional.

    “Më vjen keq që u largova nga një grup fantastik dhe nga një shoqëri e madhe si Interi, por ky ndryshim ishte i mirë për të gjithë – për mua dhe për klubin. Jam shumë i lumtur që ndodhem te Torino, e doja shumë të isha këtu. Të gjesh një grup që të do, të ndihmon shumë për t’u përshtatur,” u shpreh Asllani.

    Duke folur për konkurrencën e ashpër që pati në Inter me emra të mëdhenj si Brozovic dhe Calhanoglu, 22-vjeçari shqiptar nuk fshehu vështirësitë, por as krenarinë për eksperiencën e fituar.

    “Konkurrenca me Brozovic dhe Calhanoglu ishte e madhe. Kam pasur vështirësitë e mia, por jam i lumtur për rrugëtimin që kam bërë. Tani është radha ime për të treguar veten,” theksoi ai.

    Me Torinon që po kërkon të rikthehet në zonat europiane të renditjes, roli i Asllanit pritet të jetë gjithnjë e më vendimtar. Ai është jo vetëm një projekt për të ardhmen, por tashmë një element kyç në të tashmen e klubit “granata”.

  • Piqué “provokon” Marcelo: “Festoja humbjet e Real Madrid po aq sa fitoret e Barcelonës”

    Piqué “provokon” Marcelo: “Festoja humbjet e Real Madrid po aq sa fitoret e Barcelonës”

    Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Piqué, ka rikujtuar edhe një herë publikisht rivalitetin e zjarrtë mes dy klubeve më të mëdha spanjolle, Barcelonës dhe Real Madridit. Në një deklaratë drejtuar ish-mbrojtësit madrilen Marcelo, Piqué ka pranuar pa hezitim se humbjet e Real Madridit i ka festuar po aq fort sa fitoret e skuadrës së tij.

    “Më kujtohet që i festoja humbjet e Real Madridit njësoj si fitoret e Barcelonës,” i tha Piqué Marcelo-s, duke buzëqeshur, në një bisedë që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

    Deklarata, edhe pse e thënë në një ton miqësor, ka rikthyer tensionin klasik që ka karakterizuar për dekada “El Clásico-n” dhe raportet mes lojtarëve të dy ekipeve. Piqué, i njohur për deklaratat e tij thumbuese ndaj Real Madridit gjatë gjithë karrierës, ka qenë gjithnjë një figurë që ka përçuar emocion dhe ndarje të forta në kampin spanjoll.

    Marcelo, nga ana e tij, e priti me sportivitet komentin, duke buzëqeshur, megjithëse reagimet e tifozëve të Realit në rrjet nuk munguan.

    Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur ish-lojtarët e “El Clásico”-s po shfaqen gjithnjë e më shumë në media me rrëfime prapa skenave të viteve të lavdishme të futbollit spanjoll. Me sa duket, rivaliteti Barça–Real nuk shuhet as pas tërheqjes nga futbolli profesionist.

  • Mesfushori Dijon Kameri në radarët e Kombëtares së Kosovës

    Mesfushori Dijon Kameri në radarët e Kombëtares së Kosovës

    Dijon Kameri është një nga futbollistët e mundshëm që mund t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës.

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shfaqur prej kohësh interes për mesfushorin 21-vjeçar, i cili aktualisht luan për Cracovian në Poloni.

    Megjithatë, në disa raste, Kameri ka refuzuar të veshë fanellën “Dardane” për shkak se ka qenë i përfshirë më parë në ekipet e moshave të Austrisë, konkretisht Austria U21.

    Ai u transferua në Cracovia gjatë afatit kalimtar veror nga RB Salzburg i Austrisë, ndërsa më parë ka luajtur edhe për skuadrat Grasshoppers, SCR Altach dhe FC Liefering.

    Kombëtarja e Kosovës tashmë ka një përzgjedhje të gjerë në pozitën e mesfushës, por ardhja e Kamerit pritet të rrisë konkurrencën në ekip. /ATVLIVE.TV

  • Gattuso pas fitores ndaj Izraelit: “Kjo skuadër po më bën të ëndërroj, por nuk ka vend për vetëkënaqësi”

    Gattuso pas fitores ndaj Izraelit: “Kjo skuadër po më bën të ëndërroj, por nuk ka vend për vetëkënaqësi”

    Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores bindëse kundër Izraelit në stadiumin “Friuli”. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai vlerësoi përkushtimin dhe mentalitetin e lojtarëve.

    “Në momentet kur ata nisnin aksionet nga prapa, ne reaguam menjëherë me markim dhe më pas u organizuam si repart. Më pëlqeu shumë mënyra si u soll ekipi. Jam i kënaqur me punën e sulmuesve, jo vetëm për 16 golat e shënuar, por edhe për angazhimin në fazën mbrojtëse dhe mentalitetin e tyre. Ndaj Izraelit kemi ditur të vuajmë kur ishte e nevojshme”, u shpreh Gattuso.

    Lidhur me ndeshjet e “play off”-it, tekniku theksoi se skuadra nuk duhet të bjerë në kurthin e vetëkënaqësisë:

    “Si mund të nënvlerësosh dikë? Duhet të vëmë helmetat dhe të punojmë me përkushtim. Nuk ka vend për gabime në këtë fazë.”

    Ai komentoi edhe sistemin e lojës, duke nënvizuar se skuadra ndihet më komode me dy sulmues:

    “Luajmë më mirë me dy sulmues, por kjo nuk do të thotë se Raspadori luajti keq. Ka vend për të gjithë, dhe në nëntor do të provojmë disa risi në formacion.”

    Gattuso nuk harroi të përgëzojë tifozët për mbështetjen e tyre të zjarrtë në stadium:

    “10 mijë tifozë sot vlejnë sa 40 mijë. E ndjejmë që populli italian dëshiron të na shohë në Botëror.”

    Në fund, trajneri foli hapur për pritshmëritë e tij personale dhe të ardhmen:

    “Nëse nuk kualifikohemi në Botëror, do të largohem. Do të shkoj të jetoj shumë larg Italisë. Kam pak merita, por kjo skuadër po më bën të ëndërroj”, përfundoi Gattuso. /ATVLIVE.TV

  • Ilka Štuhec shpall sezonin e fundit në Kupën e Botës: Synon Lojërat Olimpike në Cortina

    Ilka Štuhec shpall sezonin e fundit në Kupën e Botës: Synon Lojërat Olimpike në Cortina

    Skiatorja alpine sllovene, Ilka Štuhec, ka konfirmuar planet për sezonin e ri të Kupës së Botës në një konferencë për shtyp të mbajtur në Hotel Arena në Maribor. 35-vjeçarja, dy herë kampione bote në disiplinën e lëshimit, deklaroi se ky sezon me shumë gjasë do të jetë i fundit në karrierën e saj të gjatë dhe të suksesshme.

    “Po, ky është sezoni im i fundit — nëse nuk ndryshoj mendje,” u shpreh ajo me një buzëqeshje, duke lënë një derë të hapur për ndonjë rikthim të mundshëm.

    Për Ilkën, sezoni i ri do të nisë më vonë se zakonisht. Gara e parë për të do të zhvillohet më 12 dhjetor në pistën e njohur të St. Moritz, ku do të garojë në disiplinën e saj të preferuar, lëshimin. Përveç Kupës së Botës, fokusi kryesor i skiatores nga Maribori do të jenë Lojërat Olimpike Dimërore në Cortina d’Ampezzo, të planifikuara për shkurtin e vitit 2026.

    “Lojërat Olimpike janë gjithmonë një ngjarje e veçantë. Këtë herë janë më afër, gjeografikisht dhe emocionalisht,” theksoi ajo. “Kemi një kalendar tashmë të përcaktuar. Ndoshta do të kemi edhe një udhëtim në SHBA, por gjithçka varet nga kushtet e motit.”

    Me një karrierë që ka kaluar sfida, lëndime dhe triumfe, Ilka Štuhec mbetet një prej emrave më të respektuar në skitë alpine. Sezoni i ardhshëm pritet të jetë një rrugëtim emocional, jo vetëm për të, por edhe për adhuruesit e sportit që e kanë ndjekur në çdo hap.

    Nëse ky vërtet do të jetë fundi i saj në Kupën e Botës, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt — Ilka do të kërkojë të përmbyllë karrierën me stil dhe me garën më të madhe të dimrit: Olimpiadën.

  • Broja në superformë, gol dhe asist ndaj Jordanisë – reagon Burnley

    Broja në superformë, gol dhe asist ndaj Jordanisë – reagon Burnley

    Armando Broja dha sinjale të forta forme me fanellën kuqezi në miqësoren e fituar 4-2 ndaj Jordanisë. Sulmuesi u hodh në fushë nga Silvinjo në pjesën e dytë dhe bëri diferencën brenda pak minutash.

    Fillimisht realizoi një gol, më pas shërbeu një asist për Nedim Bajramin – duke vulosur një paraqitje mbresëlënëse në vetëm 15 minuta.

    Reagimi nuk mungoi as nga ekipi e tij, Burnley, që i kushtoi një postim të veçantë Brojës:

    “Një gol dhe asist për Armando Brojën në fitoren 4 me 2 të Shqipërisë kundër Jordanisë.”

    Tani, sulmuesi 23-vjeçar synon të gjejë rrjetën edhe në Premier League, teksa ndeshja e radhës për Burnleyn është ndaj Leeds United në shtëpi. /ATVLIVE.TV